Të rrofshin musteqet!

July 1, 2014 01:10

Të rrofshin musteqet!

REDAKSIONALE

Presidenti Bujar Nishani, në kundërshtim me Protokollin, ka ftuar deputetin Sali Berisha në ceremoninë e dekorimit të presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministrat Ditmir Bushati dhe Klajda Gjosha, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe drejtues të institucioneve të pavarura dhe Kushtetuese.

Nuk dihet se me çfare statusi është ftuar Berisha në këtë ceremoni, përderisa ai nuk drejton asnjë nga Komisionet parlamentare në Kuvend, apo institucionet, ndërsa të ftuarit e tjerë ose ishin drejtues të Komisioneve Parlamentare, ose të institucioneve të pavarura dhe Kushtetuese në vend.

Jo vetëm kaq, por Berisha është përpjekur të bëhet personazh gjatë ceremonisë, duke qenë se përgjigjej në vend të Nishanit, kur ky i fundit pyetej nga Barosso. Madje, Berisha ka hyrë edhe në Kuvend gjatë mbajtjes së fjalimit nga ana e Barosso-s, pavarësisht se është i dënuar.

 

Stërmundimi për t’u bërë qesharak

Në fakt, pati një stërmundim të madh të bëhej qesharake gjithçka që lidhej me ceremonitë për marrjen e statusit. Edhe pse qeveria kishte lajmëruar prej kohësh një protokoll zyrtar dhe kishte ftuar po prej kohësh gjithë opozitën, përfshi dhe Berishën, të ishte pjesë e asaj darke zyrtare, Berisha shpalli një skenar të ri. Ai urdhëroi Lulzim Bashën të bënte një festë bashkiake, në orën që do festonte qeveria, dhe Bujar Nishanin të bënte një festë tjetër ditën e hënë.

Festa e Bashkisë ishte qesharake dhe pa asnjë sens, pasi ishte njësoj sikur Rama të urdhëronte Dakon, Roshin apo Bashkinë e Laçit të bënin festë. Ishte aq qesharake, sa nuk i shkoi askush dhe nga vetë PD. Vetë Berisha, për të mos qenë as aty ku e kishte ftuar Rama, dhe as aty ku e kishte sajuar për t’i prishur darkën Ramës, iku në Paris të takonte ca iranianë.

Dje u kthye. E nisi ditën duke hyrë ilegalisht në Presidencë në thyerje të gjithë rregullave të protokollit të shtetit, dhe më pas në Kuvend, duke keqllogaritur dënimin që ka marrë, i cili ishte ende në fuqi në orën që ai hyri në Kuvend.

Kënaqësia e tij e fundit ishte festa e Nishanit. Duke i llogaritur kundërshtarët si veten, ai planifikonte që duke i sajuar kundër qeverisë festat e Bashkisë dhe Presidencës, ato do bojkotoheshin.

Në fakt Rama dhe Meta shkuan tek festa e Nishanit pa asnjë kompleks. Bujar Nishani duhet të jetë ndjerë keq, pasi ajo ishte e vetmja festë, suksesi i së cilës nuk varej tek pjesëmarrja, por tek mospjesëmarrja. Berisha që e dizenjoi, e bëri të tillë që të shkëlqente refuzimi i kundërshtarëve, siç bën ai.

Por ata shkuan. Shkuan dhe tani askush nuk e di që ajo ishte festë e një karagjozi, që e shpiku për të prishur festën reale. Tani njerëzit thjesht kanë të fiksuar faktin që kryeministri ishte në një pritje të presidentit. Edhe pse e dinë të gjithë që presidenti e sajoi pritjen për të ndarë festën në dy pjesë, prania e Ramës dhe Metës në atë festë është një diferencë poshtëruese në raport me Berishën dhe për qëllimin e asaj feste u keqpërdor si zakonisht Bujar Nishani. Ata shkuan aty për t’i treguar që jo vetëm nuk janë njësoj në këtë pikë. Por janë gati të përdorin dhe skenarët e tij për ta bërë më të bukur festën.

Berisha e ka përjetuar rëndë këtë. Ai donte doemos që sot të ishte në qendër të vëmendjes si njeriu që tërhoqi opozitën nga festa dhe e bëri ata ndaras qeverisë. Në të vërtetë jo vetëm që nuk ia arriti, por qeveria përdori skenarin e tij për ta ruajtur festën si konsensuale.

Duke qenë një festë ku i ftuari të gëzon më shumë me mosardhjen se me prezencën, Berisha natyrisht që nuk ia doli dot të ishte i gëzuar deri në fund të ditës. Por besoj as Nishani. Edhe ai ka problem serioz faktin që edhe pse sillet si fanatik i PD dhe provokon qeverinë duke u shfaqur si shef protokolli i saj, ata nuk mërziten dhe e pranojnë ashtu siç është, një president me cen për të qëndruar mbi këmbët e veta.

Nëse do të ishte Berisha në vend të Ramës dhe Metës, jo vetëm që nuk do të kishte shkuar në atë festë, por do shpallte armik këdo që do të shkelte aty, përfshi dhe të huajt. Diferenca është se prezenca e qeverisë në një festë fallco të presidentit, e bëri të ndjehej atë realisht si të huaj për këtë festë

 

Barroso, rri mos ik!

Por ndërkohë orët e qëndrimit të kreut të Komisionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Emanuele Barroso, ishin vërtet relaksuese në raport me përshtjellimet e neveritshme që provokon politika jonë në protagonizimin e saj me gjuhën e mynxyrtë që e karakterizon. Ja, foli Barroso në parlament e dhjetra burra e ca pak gra para tij, qëndruan sus. Ishte dhe ai, i ndëshkuari me “notë në sjellje”, që edhe pse me dënim të pambaruar, hyri dhe qëndroi ulur në vendin e tij, me portretin e murrëtyer, me një përvuajtje qartë të lexuar në rrudhat e ballit, për fatin e të qënit në atë vend, si deputet opozite; por më tepër nga pamundësia për t`iu përveshur dhe Barrosos siç gjithë të tjerëve të aty; jo nga vetëfrenime të natyrës etike, ngase ato nuk funksionojnë në qënien e tij, por nga një tip burracakërrie tipike shqiptare, për të qenë – siç është shprehur dikur në një qasje kritike dyshja Rama- Klosi – i nënshtruar me të huajt e xhambaz me të vetët. Pamja e djeshme kur fliste Barroso, shpalosi ndër të tjera dhe këtë lloj burracakërie. Le të na turpëronte, ama veç të tregohej burrë, të ngrihej e t`i hynte pak me libër shtëpie dhe zotërisë së lartë të Brukselit.  Nuk e bëri dhe çdokush e kupton pse. Por Barroso dje, prania e tij, ishte si e atyre njerëzve me ndikim magjik në dy palë që rregullisht kacafyten me njëra-tjetrën. Ata ndoshta nuk e përjetojnë si populli këtë lloj paqeje që efekton diplomati dhe politikani i lartë europian; dhe ndoshta ka prej tyre që mesi presin që ai të largohet për t`iu përveshur shoqi-shoqit, por njerëzit e thjeshtë, ata që më së shumti viktimizohen nga animalizmi i gjuhës politike, patjetër që përshpërisin e luten në heshtje: Barroso, rri mos ik!

 

 

 

 

 

 

July 1, 2014 01:10
Komento

1 Koment

  1. beni July 1, 07:13

    Idiot …kur do te te mbaroje mandati te shpetoj ky vend nga nje vjedhes pronash…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*