Shtëpia me gjethe dhe gjethet e fikut

Bedri Islami February 1, 2015 03:29

Shtëpia me gjethe dhe gjethet e fikut

Ditë më parë, shefi aktual i qeverisë shqiptare, Edi Rama, bëri përurimin e një shtëpie përgjuese-ekspozitë postkomuniste, e cila prej shumë viteve, mbuluar në misterin e saj, është quajtur thjesht “Shtëpia me gjethe”. Jam i bindur se në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e kampit të dikurshëm socialist, por edhe në vendet e zhvilluara perëndimore, ka shtëpi e bile pallate të tilla, të cilat, edhe pse janë ngritur si rrjedhojë e një kohe të posaçme, në fakt e kanë pasur përgjimin si një ndër prioritetet e shtetit që i kanë takuar. Përgjime të tilla, shpesh-herë monstruoze, kanë ndodhur edhe në vitet e mëpasme në këtë vendin tonë, që nuk pushon kurrë së përgjuari, dhe e kaluara e afërt, dy vite më parë, dëshmon se janë përgjuar jo vetëm njerëz të zakonshëm, por liderë partiakë, biznesmenë, gjyqtarë dhe prokurorë, diplomatë të huaj. E gjitha kjo ka ndodhur edhe një herë tinëzisht, si hienat e dikurshme, nga edhe erdhën dhe deri më tani askush, as vetë shefi i qeverisë, nuk është ngutur të bëjë qoftë edhe një padi publike ndaj tyre. Si rrallë-herë, në vitet e para 23 qershorit, shteti bëri blerje të mëdha të mjeteve të përgjimit nga më të sofistikuarat, deri në sektorët e zbulimit ushtarak dhe megjithatë, nuk ra në gjurmët e asnjë rrjeti xhihadist e vehabist në vendin tonë, as në gjurmët e tritolxhinjve, as të baronëve të drogës, dhe e gjithë kjo për dy shkaqe të thjeshta: Rrjeti i përgjimit nuk ishte ngritur për to, dhe e dyta, shteti ishte bërë pjesë e kësaj mafie oligarkike në të gjitha nivelet. Do të mjaftonin kabllogramet dhe shënimet e diplomatëve amerikanë për të bërë të qartë se nëpër cilat rrjedha ka lëvizur shoqëria shqiptare, dhe për të ditur edhe shkakun përse shumë nga gjyqtarët, prokurorët e njerëzit e politikës së sotme, si kurrë më parë, heshtin ndaj krimeve të ndodhura dy vite më parë.

Por fjalën nuk e kam thjesht tek “Shtëpia me gjethe”. As tek “Bunk’art” që u ngrit më parë, si një ndër reliket e kohës së shkuar, megjithëse përsëri nuk kemi qenë i vetmi vend që kemi ndërtuar skajshmëri të tilla, shpesh-herë të domosdoshme dhe të arsyeshme. Mendimi im, sidomos pas ngjarjeve të fundit, shkon diku tjetër. Konkretisht: E gjithë kjo që po ngrihet me reliket e së kaluarës, më shumë se sa një gjetje qeveritare për të ndëshkuar të kaluarën, janë si gjethet e fikut për të mbuluar për të sotmen.

Po bëhen dy vite që është bërë ndryshimi i shumëpritur qeveritar dhe është bërë si kurrë më parë, me një përmbysje totale. Më shumë se një votim, ishte një plebishit popullor dhe do të kishte ndodhur kjo edhe sikur në udhëheqje të PS të mos kishte qenë Edi Rama. Do të kishte ndodhur kështu, sepse njerëzit ishin tejlodhur me zullumet e një njeriu të çartur, që vazhdimisht çartet e bashkë me veten prish edhe një pjesë të shoqërisë shqiptare.

Në vitin 1991, kur do të bëheshin zgjedhjet e para pluraliste, PD-ja vendosi që kandidat për deputet në lagjen Kiras, bastion i fortë i saj, të shpallte Azem Hajdarin. Kreu i partisë kishte drojën nëse do e votonin apo jo njerëzit, pasi disa dekada më parë, Shkodra nuk kishte dashur si kandidat për deputet as një figurë të madhe si Bajram Curri. Atëherë pyetën disa të moshuar dhe njëri prej tyre i tha se: “Edhe Nexhmije Hoxhën sille për kandidate dhe do i japim votën”. Deri aty kishte shkuar pezmi i njerëzve, saqë nuk kërkonin më se kush ishte, por vetëm të vinte një forcë tjetër.

Ndoshta jo deri në ato përmasa, dhe krahasimi im çalon, por njerëzit ishin të tejlodhur me PD-në, masakrat e saj financiare dhe cinizmin e pashoq të liderëve të saj politikë, dhe më 23 qershor, duke pasur besimin tek shefi i ardhshëm i qeverisë si i vetmi i mundshëm që do ua fuste dy këmbët në një këpucë një grupi të madh hajdutësh, vrasës, pinjollë biologjikë dhe politikë të ish-shefit të qeverisë, bënë plebishitin e tyre.

Dhe pritën. Pritën me ditë, me javë, me muaj, tani po bëhen dy vitet e para. Asgjë e re. I vetmi lajm, pas të cilit mund të shpërqendrohesh, është e gjithë ajo që ndodhi në Lazarat, ku dihet tashmë kumti i sjellë; një fillesë që humbi në labirinthet e ndodhisë në Dukagjin dhe një pjesëmarrje e përbashkët me shërbimin e posaçëm gjerman në Xibrakë.

Por asnjëra prej tyre nuk është e djeshmja. Secila prej tyre është një e sotme e qeverisë, e cila, megjithëse është karvan në vitet e mëhershme, është në fund të fundit një detyrë e një qeverie që është nën monitorimin ndërkombëtar.

Asnjëra prej tyre nuk solli pasoja në jetën e atyre që i lejuan kaq vite të lulëzojnë këto plantacione. Berisha deklaron haptas se “Lazarati ishte politika ime” dhe pastaj, si i del hashashi i mendjes, bulçet dhe akuzon qeverinë për një mijë e një të zeza. Dukagjini nuk ishte krijim i çastit, por u zhduk së bashku me çastin. Xibraka është përgjegjësi e së sotmes, megjithëse mund të ketë një fillesë të hershme. Nëse thuhet se policia po modernizohet, po bëhet aktive, a nuk ishte gjithçka e zhvilluar shumë afër pranisë së saj?

Qeveria nuk ka vetëm detyrën të ngrejë një shtyllë të së ardhmes. Kjo është më e pakta, por edhe kjo nuk mund të bëhet nëse ajo ende nuk e ka kuptuar se është në qeverisje dhe jo në opozitë. Dosjet mbyllen njëra pas tjetrës dhe ministrat e korruptuar, vjedhës ordinerë me shuma të jashtëzakonshme, po na dalin “të ndershëm”.

Loja se “fajin e ka prokuroria” po zgjatet më tepër se sa duhet. Nëse qeveria mendon se mund të mbulojë me gjethet e fikut paaftësinë e saj për të ngritur akuza serioze, të paktën të mos bëjë lojëra shtëpish, sepse nuk jemi as i vetmi dhe as i fundit vend që kemi pasur shtëpi përgjimi.

Nëse duan të bëjnë një muze të së vërtetës, le të bëjnë një për ngjarjet e vitit 1997, sepse ajo që ndodhi në atë vit është më makabre se të gjitha përgjimet e bëra së bashku në dyzet vite. Nëse duan të perceptojnë se si është një bunk’art, le të dëshmojnë se si vendi ynë, në tetë vitet e fundit të qeverisjes “Berisha” u bëmë një vend bunker, në të cilin, brenda lulëzonte krimi, vjedhja dhe mashtrimi; ndërsa jashtë zgërdhiheshim edhe kur i jepnim dorën një të huaji të shkallës së tretë, dhe, më falni, shurroheshin kur i jepnin dorën një lideri.

“Gjethet e fikut” të qeverisë janë më të rënda sesa risjellja e një kapitulli tashmë të mbyllur dhe nga i cili askush nga masa e madhe njerëzore nuk kishte ndonjë hajër. Qeveria ndodhet para dy të shkuarave, asaj të largëtës dhe asaj të afërmes. Më shumë se e largëta, njerëzve u intereson e afërmja, sepse ishin jo vetëm subjekt i saj, por edhe objekt i ndëshkimit të zullumit qeveritar. Nëse nuk mund a bëjnë, mos të na lodhin më me “gjethe fiku” dhe fasada ilustrative.

Nëse qeveria nuk e di as se ku janë majorët e saj të aviacionit, atëherë nuk është vetëm faji i atyre që i bënë majorë, por edhe i këtyre që i selitën për muaj me radhë. Një major i dikurshëm, para vitit 1966, ishte një figurë e nderuar, ashtu si ishte një mësues, një mjek, një nëpunës; tani janë të trajtuar si mallrat gabi, sa që u kërkohet edhe pas disa dekadave të testohen. Cila “shtëpi me gjethe” e politikës ka kohë për të ushqyer mjerime të tilla?

Qeveria e sotme nuk e ka më kohën për të bërë hartime. Ajo kohë shkoi. Përballë kanë ujqër të politikës, të cilët politikën e kanë parë gjithnjë si armë që vret. Nuk mendoj asnjë çast se u duhet kthyer me armë, por duhen përballur me ligjin e së drejtës, duhen ndëshkuar për atë që bënë në dëm të kombit të tyre.

Nëse nuk e bëni, do të mund të ndodhin dy gjëra: Ajo që do të jetë më e para – ndëshkimi përmes votës, por jo duke rendur pas berihajt berishian, por prakticitetit politik, që do të thotë humbje e vizionit dhe kthimi i politikës edhe më tej në një mall tregu; dhe së dyti, në një të nesërme, 21 janari do të jetë dita e përkujtimit e vetëm disa njerëzve të politikës, ndërsa për të tjerët, dita e përçmimit për ata që e bënë anekdotë ndëshkimin; edhe për vrasësit, që ndërsa rrinë në mesin e parlamentit, vazhdojnë të tallen me një popull të cilin pasi e plaçkitën, e mashtruan, e vodhën, e hodhën në erë, edhe e vranë në mënyrën më cinike për të ruajtur një copë karrige.

Dhe në fund, nuk e di pse më është kujtuar një fjalë e vjetër labe, të cilën po e sjell më poshtë, pa dashur të aludoj për askënd që nuk ka mend:

“Ysht, laro të hëngërt tënja, se e ke të keqen brenda”.

Bedri Islami February 1, 2015 03:29
Komento

1 Koment

  1. ali asllani February 1, 18:42

    Ti mir e ke o Bedri po kujt ja thua ! nuk e qethin as me nji krah fare …eshte mjaft irrituse kjo qe po ndodh ne shoqerin tone. SHIH RRUSHI ,RRUSHIN ,PIQU. ose me mir do ishte sih Saliu ,Saliun Piqu.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*