Sinjalet e vdekjes, ose historia e një oligopoli në sektorin “e heshtur” të sinjalistikës rrugore

DITA- Investigim September 1, 2015 00:23

Sinjalet e vdekjes, ose historia e një oligopoli në sektorin “e heshtur” të sinjalistikës rrugore

Rrugët shqiptare dikur ishin të mjeruara dhe sinjalistika ishte e fundit në hesapin e infrastrukturës rrugore. Fjalën e parë e kishin gropat, që dhanë ndihmë të paimagjinueshme në lulëzimin e serviseve të makinave dhe shitjen e pjesëve të këmbimit. Dora dorës, erdhi edhe asfalti: Gropat u spostuan në plan të dytë, sepse aksidentet dhe humbja e jetëve njerëzore u shumëfishua bashkë me kënaqësinë e ngarjes së makinës në rrugë me shumë pak ose aspak udhëzime rrugore.

Rasti më domethënës është aksidenti tragjik në fund të dhjetorit 2014 pranë kopshtit botanik në Tiranë, në fund të unazës së madhe të pambaruar të qytetit. Pavarësisht se shpejtësia e madhe dhe ngarja e pakujdesshme e vajzës fajtore mori jetën e djalit të ish zv.ministrit të brendshëm Avenir Peka, sinjalistika rrugore në atë aks të papërfunduar, që sidomos natën shndërrohej në një grackë fatale për automjetet, ishte inekzistente. Pak kohë më pas, aksi në fjalë sigurisht që mbetet “under construction”, por pjesa finale që zbret drejt Komunës së Parisit llamburit nga dritat, sinjalistika paralajmëruese, barrierat, tabelat e uljes së shpejtësisë, asfalti i pajisur me tregues etj. Duhej një humbje jete që të bëheshin disa investime modeste që në gjithë botën janë minimumi i përgjegjësisë dhe detyrimeve të shtetit kundrejt qytetarit.

Edhe aksidenti i një gazetari pranë Mulletit mund të evitohej ose të paktën minimizohej në pasoja, siç ka pohuar eksperti rrugor G. Hoxha në shkurt të këtij viti. Kjo sepse disa sinjalistika për natën (gjatë së cilës është aventurë udhëtimi në këtë aks) dhe një vijëzim i saktë i rrugës, do ndihmonin shumë shoferët.

Raste ka shumë, ku mungesa e sinjalistikës dhe pajisjeve mbrojtëse në rrugë ka sjellë humbje jetësh njerëzore, por këto episode te trishtuara me njerëz publikë le t’i mbyllim me aksidentin e deputetit të ndjerë Sokol Olldashi. Nëse ajo ngjarje sot e gjithë ditën misterioze do të pranohet si aksident rrugor, siç rezultoi nga ekspertiza zyrtare, do mjaftonte një barrierë mbrojtëse në kthesën që të fut në rrugën e vjetër pasi del nga tuneli i Elbasanit, që makina e deputetit të paktën të mos bënte atë rrëshqitje të çuditshme në një të rrëpirë modeste, por të mbetej në rrugë.

Pra është fjala për sinjalistikën rrugore dhe rëndësinë e saj, aq më tepër në rrugët shqiptare. Qeveria aktuale e pranon se më shumë do të fokusohet në mirëmbajtje dhe përmirësim të cilësisë së rrugëve dhe sinjalistikës, sesa në ndërtim aksesh të reja. Fakti është se edhe ato rrugë që janë ndërtuar, janë thjesht ftesa drejt vdekjes: Asfalti të josh t’i japësh gaz makinës, por tabelat, barrierat, udhëzimet, vijat, ndriçuesit… janë pjesërisht ose tërësisht inekzistente. E tillë është rruga e re e Elbasanit, por edhe rruga e Kombit e mjaft segmente të tjera.

Këtu hyjnë në lojë kompanitë e sinjalistikës rrugore, që kanë pasur dhe mesa duket, do të kenë ende mjaft punë me fondet shtetërore. Por po këtu, siç do tregojmë, dalin nga loja si interesi i qytetarit në cilësinë e sinjalistikës rrugore, ashtu dhe paratë e tij si taksapagues. Sa për cilësinë, është ende e freskët pseudo-fushata e ish kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha në ditët e fundit të mandatit. Ai nisi të vijëzojë disa rrugë me bojë të bardhë, e cila më shpejt fshihej sesa thahej. Por si boja, pra me cilësi dhe çmime të ndryshueshme, janë të gjitha materialet e tjera të këtij sektori, nga të cilat varet jetëgjatësia e një rruge brenda parametrave. Çfarë po ndodh, pra, me sektorin që ngjan kaq estetik e lozonjar, por që xhiron miliona dhe që ka në dorë jetë njerëzish?

Ajo që po bën vaki është një lojë e heshtur tenderash dhe përfitimesh përmes një oligopoli dhe një qarku të mbyllur, që i mban të gjithë të kënaqur, me një përjashtim “të vogël”: qytetarin shqiptar.

IDKJubicaR.S & MTregu aktual është formësuar nga kombinimi i tre kompanive vendore të cilat janë: R.S&M, Jubica, Idk Konstruksion. Treshja po tenton dhe deri diku ja ka arritur, të krijojë monopol në sektorin e sinjalistikës në Shqipëri. Kjo pavarësisht se ligjërisht tenderi/tenderët janë edhe ndërkombëtarë.

Po përse një tender i caktuar nuk arrin dot “të bëhet” ndërkombëtar? E thjeshtë, kompanitë në fjalë kanë marrë masa në bashkëpunim me organet “kompetente” shtetërore që afatet e njësimit të licencave të mos arrijnë të realizohen nga kompanitë e tjera (të huaja), duke e shkurtuar afatin e tenderimit. Dhe kështu të përdoren vetëm licencat e këtyre kompanive që po synojnë monopolin. Historia dhe marifetet janë të vjetra; mediat i kanë pikasur dhe ekspozuar ato me shumicë në qeverisjen e kaluar. Mjafton të ndikosh tek organet shtetërore që të listohen disa kushte të cilat mund të plotësohen vetëm nga ata, tre musketierët, si nga aspekti i plotësimit të dokumentacionit, ashtu edhe nga ana e referencave të nevojshme për kualifikim. Dhe je automatikisht “në tavë”.

Tani të zbresim në copat e kësaj tave, konkretisht, për të treguar sesi konsumohet ajo. Po të analizohen preventivat që dorëzohen në tenderë nga këto tre kompani, do të vihet re menjëherë që çmimet e materialeve janë 50% (e më tepër) më të larta në krahasim me koston e tyre, duke ju referuar kostos së furnizimit. Dhe shumica, në mos të gjitha kompanitë shqiptare furnizohen në Itali. Çmimet e furnizimeve të tregut në këtë industri janë transparente, pra të ditura, dhe mund të verifikohen lehtë për të bërë krahasimin me kostot e lëndës së parë, si psh: kostoja e bojës, kostoja e barrierave, kostoja e tabelave, e adezivit, etj.

Kësisoj, mirë që trioja shqiptare ka arançuar gjithë situatën që kushtet e tenderave të jenë sipas preferencave të tyre, por luan me çmimet e materialeve dhe punimeve duke fryrë faturat dhe preventivat në mënyrë skandaloze. Ose/edhe duke mos i kryer të gjitha shërbimet e deklaruara, psh duke deklaruar ndërrimin e 100 tabelave të dëmtuara ndërkohë që ka ndërruar 20, duke mos pajisur gjithë rrugën me “symacet”, katrorët metalikë që ngulen në asfalt apo “policat e shtrirë”, që njoftojnë ngadalësimin e shpejtësisë etj.

Marifeti i tretë është përzgjedhja e materialeve. Sipas të dhënave të DITA-s, fjala vjen firma JUBICA nuk e ka kryer sinjalistikën horizontale nga mbikalimi i hyrjes së Tiranës dhe deri te mbikalimi i Rinasit; ku është në lojë një tender 2.6 milionë dollarë. Boja e përdorur nuk është ajo me termoplastikë, e cila rri 2 vjet pa u dëmtuar, (siç ishte në preventiv) po ka vendosur bojë të thjeshtë, që është 80% më e lirë se boja e termoplastikës dhe nuk duron as 6 muaj. Edhe barrierat e betonit kanë parametrat e tyre. Një lloj, prodhim i një kompanie italiane, mund të durojë impaktin e përplasjes së një makine me 180 km/h, por një tjetër me pamje të njëjtë, “duron” vetëm 120 km/h. Çmimi padyshim nuk mund të jetë njësoj. Ka shumë raste të tilla në secilën prej punëve të këtyre kompanive.

Aktualisht, lidhur me sinjalistikën rrugore janë njoftuar dy tendera ndërkombëtarë, një me vlerën rreth 5 milionë dollarë për Lotin Vorë-Han i Hotit, dhe një për Lotin Rrogozhinë-Kapshticë me vlerën 8 milionë dollarë.

Treshja e musketierëve nuk kanë lënë mundësi për asnjë firmë që të njësojë licencën te ministri i linjës, për shkak të kohës: Sepse datat mbyllëse janë më 7 dhe 9 shtator përkatësisht, ndërkohë që licensimi sipas afateve kohore bëhet të mërkurën e javës së tretë të shtatorit.

Shkurt, situata ndërtohet e tillë që këto dy tendera t’i marrin vetëm këto 3 firma e askush tjetër. Ndërkohë që vlera e të dy tenderave është jashtë standardit në përputhje me sasitë dhe llojin e materialeve që kërkohet. Një shembull: Nëse kushtet teknike për barrierat prodhim italian, e kanë vlerën 14 euro metri linear, këto firma barrierën në preventiv e marrin me 200 euro, ose gati 15 fish më shumë! Për të ulur ofertën, kuptohet që nuk kanë arsye se s’ka kush i konkuron.

Kompanitë italiane nga të cilat kryesisht furnizohen kompanitë e sinjalistikës në Shqipëri janë: Tamburrini Alessandro (për tabela të trafikut); Nuova Maric (për bojrat e rrugës), Olga srl (pengesa, policë të shtrirë), Marcegaglia (për barriera) e ndonjë tjetër. Me çmimet e këtyre furnitorëve për elementët që kërkohen nga tenderat për dy lotet e sipërpërmendura, kemi ndërtuar dy preventiva sipas kërkesave të dy tenderave të ministrisë së Transportit, me çmime që i përgjigjen librit të Sinjalistikës Rrugore. Duke llogaritur gjithçka, edhe TVSH-në dhe fondin rezervë, shuma për lotin Vorë-Hani i Hotit arrin në 440 milionë lekë, (fondi limit është 499,836,637 all pa TVSH) ndërsa për lotin Rrogozhinë-Kapshticë në 692 milionë lekë (fondi limit është 868,942,476 All pa TVSH).

Ndërsa rregulli “i artë” i tre musketierëve të sinjalistikës, është që zbritja nga fondi limit të mos shkojë më poshtë se 1 përqind e shumës. Kuptohet, përderisa tenderat janë të garantuar, shuma duhet të jetë e lartë që të ketë për të gjithë.

Kryefjala e kësaj qeverie që kur ende në opozitë po projektonte veten si qeverisëse e ardhshme, ishte lufta ndaj mono (dhe oligo) poleve në ekonominë shqiptare. Ndoshta është koha që në një sektor kaq “të pazëshëm” po njëherësh kaq delikat si sinjalistika rrugore, ajo të japë… sinjale se diçka duhet ndryshuar.

Duke nisur nga tenderat e kopsitur që më shpejt mbyllen sesa hapen, ashtu siç mbyllen jetë shqiptarësh nëpër errësirën e pandriçuar të natës.

 

***

Dy preventivë pro vë që tregojnë vlerën e logjikshme të ofertave për dy tenderat

1

 

2

DITA- Investigim September 1, 2015 00:23
Komento

2 Komente

  1. Eri September 1, 11:10

    Me ne fund nje gazete serioze ,qe po hedh pak drite mbi keto afera qe ndodhin ne vendin tone.

    Reply to this comment
  2. bravo September 1, 18:55

    Bravo. Per kete tip gazetarie ka nevoje shqiperia. Hajduteria nuk ka kufi. Ne shpresuam nga kjo qeveri por mesa duket cdo tender eshte i sistemuar paraprakisht.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*