Profili i njeriut që po krijon Shtetin Islamik

August 3, 2014 01:14

Profili i njeriut që po krijon Shtetin Islamik

Ebu Bekr El-Bagdadi, luftëtar i xhihadit në Irak e Siri dhe kreu i saposhpallur i një “kalifati” që tenton të përfshijë të gjithë myslimanët, ka filluar të shihet si më i fuqishëm se shefi i Al- Kaedës, Al Zawahiri.

Kreu i Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) që tashmë e ndërroi emrin në “Kalif” ka nisur një përpjekje për të ringjallur një sistem të sundimit disa shekullor që ra gati 100 vite më parë me shkërmoqjen e Perandorisë Osmane- Kalifit të fundit dhe ardhjes në pushtet të Kemal Ataturkut. “Shura (Këshilli) e shtetit islam u takuan dhe diskutuan këtë çështje (të kalifatit) … shteti islam vendosi të krijojë një kalifat islamik dhe të caktojë një kalif për gjendjen e myslimanëve,” tha zëdhënësi i ISIS, Abu Mohammad Al -Adnani në një regjistrim audio të shpërndarë në internet. “Xhihadisti dhe kleriku Bagdadi u caktua kalifi i myslimanëve,” tha Adnani.

Por, kush është Ebu Bekr el-Bagdadi?

Bagdadi, i lindur në Samara të Irakut në vitin 1971, u bashkua me kryengritjen që shpërtheu pak kohë pas pushtimit amerikan të vendit më 2003. Ai kaloi pak kohë në burgjet amerikane atje.

Në tetor 2005, forcat amerikane thanë se ata besonin se kishin vrarë “Ebu Dua”, një nga emërtimet e njohura për Ebu Bekr al-Bagdadi, dhe kjo thanë që ndodhi në një grevë në burgjet në kufirin Irak-Siri.

Por ishte lajm i rremë dhe ende nuk dihet se ishte lajthitje apo u bë me qëllim. El-Bagdadi pastaj mori frenat e asaj që më vonë- në majin e vitit 2010 u njoh si Shteti Islam i Irakut dhe Shamit, pasi dy shefat e saj të parë (rrjedhimisht edhe shefat e tij) u vranë në luftime
me amerikanët në Irak.

Që atëherë, detajet rreth tij kanë dalë ngadalë në publik, por megjithatë për të dihet fare pak. Madje mungojnë edhe fotografi të tjera të tij, pos asaj që lëshoi qeveria irakiane e Nuri Al-Malikit kur e shpalli në kërkim. Në tetor 2011 SHBA-ja e shpalli atë si një terrorist, dhe këtë vit qeveria irakiane lëshoi këtë fotografi të tij.

Zyrtarët amerikanë thanë vitin e kaluar se kishte të ngjarë që ai ishte në Siri, por informacioni i vendndodhjes së tij që ka qenë vazhdimisht i paqartë. Në fund të muajit të kaluar, gjeneral-lejtnant Abdulamir al-Zaidi, i cili kryeson një qendër komanduese të sigurisë veriore, tha se forcat e tij besonin se Bagdadi ishte brenda Irakut, por zyrtarë të tjerë e kanë kontestuar këtë gjë. Ai është mbrojtur brenda ISIS-it si komandant i fushëbetejës dhe strategu i organizatës, një dallim thelbësor në krahasim me shefin e Al-Kaidës, Ayman al- Zawahiri që nuk shquhet për këtë aftësi.

Në kohën kur Ebu Bekr El-Bagdadi mori ISIS nën kontroll, viti 2010, grupi ishte ende i lidhur me Al-Kaidën. Por organizata u pavarësua me zgjerimin e luftimeve në Siri në vitin 2013. Bagdadi kërkoi të bashkohej me degën zyrtare të Al-Kaidës në Siri, frontin “Xhabhatu Al-Nusra”, por për një kohë kjo gjë u refuzua nga “Al-Nusra”, dhe për këtë pati luftime dhe vrasje masive mes të dyja grupeve. Së fundi këto dy grupe janë bashkuar në një marrëveshje që u lejon të ruajnë autonominë.

 ***

Fatura e rëndë e terrorit

REDAKSIONALE

Pas intervistës së botuar dje me Lavdrim Muhaxherin, shqiptarin e Kosovës që lufton në Siri i angazhuar me grupe terroriste xhihadiste, reagimet kanë qenë të shumta. Sidomos reagimet që lidhen me një aspekt të intervistës së tij, ku në përpjekje për të justifikuar aktin e prerjes së kokës që i kishte bërë një shtetasi irakian, kritikëve u kujtonte se “edhe UÇK-ja kishte bërë të tilla krime gjatë luftës në Kosovë”. Tre muaj më parë në Tiranë dhe Kosovë u ndërmor një aksion i gjerë i arrestimit të disa xhihadistëve shqiptarë të angazhuar në dërgimin drejt sirisë të luftëtarëve. Ky aksion ngriti një furtunë mediatike por tashmë ujërat janë sërish të qetë dhe vetëm sa ndodh ndonjë trazim i vogël kur Lavdrimi nga Siria hedh në Facebook ndonjë video tronditëse, që na risjell në kujtesë problemin. Por Lavdërimi është në Siri, thotë që është pjesë e asaj që quhet “Shteti Islamik i ISIS-it”, apo Kalifati, ndërsa më parë ka qenë pjesë e grupimit xhihadist në Siri “Al Nusra”, grupim ky që dyshohet nga shumë studiues si i financuar nga vetë Asadi dhe shërbimet ruse. Por nëse loja e madhe gjeopolitike që luhet në Siri dhe në Irak tejkalon mandatin dhe fuqinë e një shteti modest si Shqipëria apo Kosova, por kostot dhe faturën e implikimeve në këtë histori xhihadisto-terroriste ama po i marrim. Në Kosovë sidomos, problemi është shumë më tepër akut, pasi dhe linjat shtetërore kanë hetuar një ndikim të fortë të shtetit serb në nxitjen e vatrave xhihadiste.

lavdrimNë shtypin e Kosovës është cituar disa herë Fuat Ramiqi, politikan i ditës, si i lidhur me këto qarqe të  shërbimit të fshehtë serb, por, i njëjti është njëri ndër paraqitësit radikalë të vijës së ashpër islame në Kosovë, bartës i protestave, i vendosjes së shamisë, përçmimit të besimeve të tjera fetare dhe intolerancës. Ose të kemi një shembull tjetër të theksuar nga deputeti i Kosovës Ramiz Lladrovci, sipas të cilit portali i njohur në Kosovë, sidomos për përforcimin e linjës vehabiste e selafiste në Kosovë është “botaislame.com”. Përmes saj bëhen thirrje për luftë të shenjtë, për xhihad, për mbështetjen e si vëllezërve islamë në Siri dhe në botën arabe, ajo është bërë një strehë e njohur e mendimit radikal. Mirëpo pak vetë e dinë se pas kësaj faqe ekstreme islame qëndron shërbimi i fshehtë serb. Ky portal është e krijuar nga Milutin Jovanoviç, i cili tani jeton në Sigtuna, Suedi dhe është pronari, ndërsa menaxhimi i kësaj faqeje, e cila del haptaz në përkrahje të Xhihadit, zihet në një kuzhinë serbe në Kragujevaç, prej serbit tjetër Jovan Jovanoviç.

Pra duket se ka gjurmë të shtetit serb në përpjekjen për të përforcuar dhe amplifikuar linjat e ekstremit islamik ndër treva shqiptare. Por ky është vetëm një prej aspekteve të kësaj historie, pasi Serbia luan rolin e saj për aq sa mundet, këto linja shpesh kanë dhe prapavija të tjera nga më të larmishmet, që lidhen dhe me situata apo nevoja që gjenden shumë larg trevave shqiptare. Në çdo rast Shqipërisë dhe Kosovës u është dashur të paguajnë paaftësinë dhe dobësinë e shtetit të tyre, për të vënë në shina metodologjinë e financimit të institucioneve fetare dhe kontrollin dhe filtrimin sidomos mbi “bamirësit zemërgjerë”. Është një dobësi që ka sjellë një faturë të rëndë, atë të nxitjes së rrymave ekstreme që nuk bëjnë gjë tjetër veçse sfidojnë interesat e faktorit shqiptar. Është një faturë që duhet kërkuar mbi të gjitha, te mungesa e një strategjie shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë, është një faturë për të cilën duhet të bëjmë në radhë të parë përgjegjës veten tonë, paaftësinë tonë për të dyllosur çdo burim që mbjell probleme të një rëndësie të dorës së parë.

***

A u financuan nga rusët rekrutimet e xhihadistëve në Tiranë?

Në numrin e datës 2 Prill, “DITA ” ofroi për lexuesit një material tepër profesional që qartëson disi valencën dhe raportin e myslimanëve shqiptarë të arrestuar me bujë në Tiranë tre muaj më parë. Ata u arrestuan si të implikuar në rekrutimin dhe dërgimin në Siri të luftëtarëve shqiptarë, të cilët përfundonin luftëtarë për organizatën “Jahbat al-Nusra”(ose dhe el-Nusra) e cila konsiderohet si e lidhur me Al-Kaedën dhe terrorizmin. Materiali ishte një raport i studiuesit suedez Aron Lund, ky raport konsiderohet si një udhëzues tepër i saktë për shumë institute dhe institucione të interesuara sigurie, pasi jep një panoramë objektive të ekuilibrit të forcave dhe grupeve që operojnë sot në Siri.

Është për t’u theksuar fakti se për të gjitha grupimet që veprojnë nën rrymën salafiste-xhihadiste, nuk ekzistojnë prova direkte që të lidhin ndonjërin prej grupimeve me Al-Kaedën, por vetëm të dhëna të tërthorta. Grupi që shfaqet si më radikal dhe si më potenciali i lidhur me Al-Kaedën është “Al-Nusra”, si kontingjent i të cilit u konsideruan dhe myslimanët shqiptarë të arrestuar në Tiranë. Raporti i studiuesit suedez ofron dhe një panoramë tejet interesante të këtij grupimi i cili shërbeu si sebep për arrestimin e shqiptarëve nën dyshimin për implikim në rrjete terroriste. Referuar burimeve nga fronti opozitar sirian, raporti i Lund-it zbulon se brenda grupimeve të rezistencës, organizata “Al-Nusra” konsiderohet si një grupim i cili është krijuar dhe që në fakt kontrollohet nga vetë Asadi dhe shërbimet e tij të inteligjencës në bashkëpunim me inteligjencën ruse.

ditaSipas këtyre të dhënave, rusët dhe Asadi, për të parandaluar ndërhyrjen frontale të amerikanëve, kishin marrë masa në kohë dhe kishin krijuar mes kryengritësve disa grupe të cilat reflektonin një linjë ekstremiste salafistexhihadiste, anëtarët e të cilave kishin pasur kontakte dhe lidhje dikur me Al-Kaedën ku mes grupeve spikat “Al Nusra”. Pra plani ishte i tillë: Në momentin kur lëvizja opozitare anti-Asad do të mbështetej ushtarakisht nga SHBA, rusët dhe Asadi kishin të gjitha provat për t’i thënë amerikanëve: “Shikoni çfarë po bëni, po i jepni oksigjen Al-Kaedës, po instaloni terrorizmin fondamentalist në Siri”. Këto grupe nuk ishte shumë e vështirë të krijoheshin nga inteligjenca ruse dhe ajo e Asadit, pasi për dekada, regjimi sirian kishte njerëzit e vet të infiltruar, madje kishte dhe organizatat e veta në botën e ekstremizmit islamik. Siria edhe për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik, por edhe për shkak të prapavijës së fortë dhe rakordimit me inteligjencën ruse, për dekada me radhë krijoi dhe kontrolloi individë kyçë të dyshimtë aktivitetin e tij. Së pari ky grupim ekstremist, nuk ka identifikuar asnjëherë liderin e vet, i cili shfaqet gjithnjë me emër të koduar dhe vetëm në disa incizime audio. Askush s’e di të kaluarën e tij, ku i siguron fondet, dhe në ç’mënyrë i organizoi komandantët kryesorë.

Askush nuk di nëse ekziston vërtet një lider i këtij grupi. Për më tepër, që opozita siriane nuk ka dyshime se ky grupim është një vegël në duart e inteligjencës ruse dhe asaj të Asadit, madje krerë të frontit opozitar sirian e bëjnë përgjegjës këtë grup si ekzekutor të një atentati të rëndë në Damask të orkestruar nga vetë Asadi në vitin 2012, që i krijoi shumë avantazhe Asadit, pasi u akuzuan “Al-Kaeda” dhe “Al-Nusra” si autorë. Ky atentat ishte shumë përcaktues dhe vuri në alarm diplomacinë botërore pasi u përhap paranoja se në Siri “Al Kaeda” ishte ulur këmbëkryq. Opozita siriane nuk ka dyshime se e gjitha ishte lojë dhe orkestrim i vetë Asadit.

Por le të kthehemi tek arrestimet në Tiranë; nëse skema e studiuesit Lund funksionon dhe e vërteta është në anën e tij, atëherë “Al-Nusra” del një krijesë dhe ‘lodër’ në duart e rusëve dhe vetë Asadit, një organizatë “e shpikur” terroriste, për të kompleksuar diplomacinë botërore duke shfrytëzuar kontingjentet e besimtarëve myslimanë.

Ndaj dhe, bazuar në këto të dhëna, shqiptarët e implikuar në këtë skemë, jo vetëm që mund të jenë viktima të një loje që as e kishin menduar (a nuk shkonin ata në Siri për të luftuar vetë Asadin?) por nga ana tjetër, këto të dhëna sugjerojnë se operacioni i arrestimeve në Shqipëri i bërë në bashkëpunim me autoritetet amerikane, në fakt mund të mos jetë një operacion që godet terrorizmin, por një operacion që pret fijet e një linje furnizimi me rekrutë, linjë e cila, mund të jetë e kontrolluar në mënyrë të tërthortë nga shërbimet ruse, të cilave në fakt u intereson vetëm “flamuri i xhihadizmit” dhe jo xhihadizmi në vetvete.

August 3, 2014 01:14
Komento

1 Koment

  1. standart August 3, 17:21

    “Pra plani ishte i tillë: Në momentin kur lëvizja opozitare anti-Asad do të mbështetej ushtarakisht nga SHBA, rusët dhe Asadi kishin të gjitha provat për t’i thënë amerikanëve: “Shikoni çfarë po bëni, po i jepni oksigjen Al-Kaedës, po instaloni terrorizmin fondamentalist në Siri”. Këto grupe nuk ishte shumë e vështirë të krijoheshin nga inteligjenca ruse dhe ajo e Asadit, pasi për dekada, regjimi sirian kishte njerëzit e vet të infiltruar, madje kishte dhe organizatat e veta në botën e ekstremizmit islamik…….”

    O cuna pra sipas jush kto gjera i dinte ky suesezi dhe i moret vesh deri ju te ditas dhe nuk i ka kuptuar CIA……(langley i njef keta fondamentalistet me mire se ce njohin ata veten dhe familjet e tyre)
    Vendimarrja politike ne SHBA eshte shume e komplikuar ndonjehere (ose shpesh) dhe nuk eshte kollaj ta fusesh vendin ne lufte pa marre kosto. Rusia e shtoi ndjeshem prezencen e saj ushtarake ne mesdhe dhe ne Siri kur filluan pergatitjet amerikane per sulm. Qellimi i amerikaneve ishte shkaterrimi i bazave ajrore te assadit dhe infrastruktures se tij aeroportulae civile dhe ushtarake (mendimi im). Kjo mund te arrihej ne disa dite (ose ore) me nje shi prej qindra raketash cruise. Pa keto assadi merr fund dhe nuk i reziston dot kryengritesve.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*