Vendimi i Gjykatës së Lartë: “Hakmarrja…” sajesë e Berishës

June 3, 2016 00:29

Vendimi i Gjykatës së Lartë: “Hakmarrja…” sajesë e Berishës

Një gënjeshtër, në qoftë se përsëritet pareshtur, bëhet e vërtetë. Të paktën këtë ka shpresuar se do të ndodhë ish presidenti Sali Berisha, kur pushteti i tij shpalli “autorët e vërtetë” të disa ngjarjeve të rënda të viteve 90-të. Me këtë parim të mbrapshtë hitlerian në mendje, shqiptarëve asokohe e më pas në vijimësi, iu servir ekzistenca e një grupi me emrin “Hakmarrje për drejtësi”. Por misteri u zbulua, ose më saktë u pranua.

“Hakmarrja për Drejtësi” nuk ka ekzistuar kurrë. Dhe këtë nuk po e thonë Leart Shyti, Orik Shyti dhe Altin Arapi, as media, pranë apo larg pushteteve të djeshme a të sotme, por vetë Gjykata e Lartë në vendimin e saj të zbardhur më 1 qershor 2016.

Kolegji penal ka konstatuar se jo disa, por i gjithë mali me “prova”, mbi të cilat Sali Berisha ka bërë “politikë” dhe “drejtësi” gjatë dy dekadave të fundit, janë të falsifikuara.

Vëllezërit Shyti dhe prindërit e tyre qysh në shtator 1997 dhe në vazhdim kanë kërkuar që akuzat ndaj tyre të hetoheshin. Askush nuk i hetoi, as Komisioni Parlamentar i drejtuar nga z.Spartak Ngjela, as prokurorët. Prokurorët Alban Kalaja dhe Andrea Thomallari që kishin udhëhequr hetimet e “Hakmarrjes për Drejtësi” i mbrojtën akuzat deri sa erdhi koha që gjykata të shqyrtonte provat e pranuara prej tyre. Pastaj në fshehtësi, pa njoftuar eprorët u larguan nga Shqipëria njëri pas tjetrit. Në atë kohë familja Shyti u ka kërkuar zyrtarisht dhe publikisht që të ktheheshin dhe të mbronin akuzat para gjykatës, por ata as u kthyen dhe as kanë folur ndonjëherë deri më sot.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë lexojmë:

“Duke iu kthyer rastit objekt shqyrtimi, Kolegji vëren se me akt ekspertimi grafik është provuar se “krijuesit e dokumentit – zyrtarë të shtetit” kanë imituar shkrimin e të gjykuarit Altin Arapi për të krijuar një dokument fals, si platformë të një organizate kriminale të pretenduar/ imagjinuar, dhe, për më tepër është provuar nëpërmjet procesverbalit “Për këqyrjen e raftit të librave”, se e kanë futur në apartamentin e marrë me qira, që ta përdorin si provë për fajësimin e të pandehurve” (paragrafi nr. 286 i vendimit).

Gjykata nuk i shënon emrat e “krijuesve të dokumentit-‘Hakmarrja për Drejtësi Shqiptare’ (mësojmë nga vendimi se ky paska qenë zgjedhur si emër “zyrtar” i saj), por mbarë opinioni i di se ata janë Bashkim Gazidede, Agim Shehu etj. bashkëpunëtorë të ngushtë të Sali Berishës. Janë ata që organizuan dhunimin e procesit zgjedhor të 26 majit 1996 dhe vjedhjen e zgjedhjeve; janë ata që ushtruan dhunë e terror mbi opozitën dhe shtypin, para dhe pas datës 26 maj; janë ata që dogjën gazetën “Koha Jonë”, që rrahën dhe masakruan gazetarë; janë ata që vranë qytetarët e pafajshëm të Përmetit; janë ata që rrëmbyen dhe vranë Remzi Hoxhën, duke ia zhdukur trupin e pajetë; janë ata që, siç dëshmon Izet Haxhia (lexoni materialin), shpërthyen autobombën tek “VEFA” dhe që vranë Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, për të cilat për 20 vjet është akuzuar ajo që nuk ka ekzistuar, “Hakmarrja për Drejtësi”. Janë ata që kryen sa e sa krime të tjerë, por asnjëherë pa dijeninë dhe nxitjen e Sali Berishës. Faktet për këtë janë të shumtë, por më të fundit na e dha ish-gazetari i asaj kohe Apollon Baçi, i cili nuk do na dëshmonte sot, nëse Sali Berisha do kishte miratuar propozimin e Agim Shehut për ta vrarë.

Ajo që ndesh më shpesh në vendimin e Gjykatës së Lartë është se shumë konkluzione të gjykatave më të ulëta vijnë “në kundërshtim me ligjin”. Por edhe më shumë ndeshet ky përfundim për konkluzionet e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, me relator dhe drejtues seance Dhimitër Lara, së fundmi kandidat i Presidentit të Republikës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vetëm fakti që kanë shpikur një organizatë kriminale, duke “i hartuar’ edhe platformën për rekrutime dhe vrasje do të ishte i mjaftueshëm që Sali Berisha dhe kriminelët e zgjedhur prej tij të vihen prapa hekurave. Është i mjaftueshëm sepse krimi mori përmasa të përbindshme jo vetëm se u përdor për të fajësuar vëllezërit Shyti dhe një grup djemsh të tjerë, por se përdorimi 20 vjeçar ka sjellë pasoja të rënda në opinion publik dhe në luftën kundër krimit.

Vendimi përmban fakte që janë po kaq tronditëse sa edhe përgatitja e platformës kriminale dhe futja e saj në një banesë të inskenuar si magazinë armësh dhe eksplozionesh nga shikasit e Gazidedes për “ta gjetur” nga policët e Agim Shehut. Aty përmendet se për një pretendim të mbrojtjes se procesverbali origjinal i këqyrjes së vendit të ngjarjes të IAP-it është asgjësuar dhe, pas “zbulimit” të “Hakmarrjes”, është përpiluar një procesverbal tjetër me të tjera prova për t’i lidhur këto me krimet e tjera, Gjykata e Lartë shkruan në vendim: “Procesverbali i këqyrjes në rastin e episodit IAP, ndodhur në datën 07.12.1994, nuk e ka të shënuar datën, muajin dhe vitin. Në pjesën hyrës të tij janë lënë hapësira, gjë e cila sjell dyshime për abuzime të mundshme. Në fund procesverbali është nënshkruar nga eksperti kriminalist O.Afezolli, që nuk ka marrë pjesë në këqyrje dhe mungojnë emrat dhe nënshkrimet e dy pjesëmarrësve në këqyrje, Sh.Muka dhe F.Klosi. Këto mangësi përbëjnë shkelje të kërkesave të neneve 116 dhe 117 të K.Pr. Penale dhe në bazë të nenit 122 të K.Pr. Penale, procesverbali është i pavlefshëm” (paragrafi 287 i vendimit).

Duke u njohur me falsifikime kaq flagrante kthjellohesh sa për arsyet pse Sali Berisha e ka përdorur1 kaq shumë, kaq gjatë dhe me kaq ngulm “Hakmarrjen për Drejtësi” për t’i atribuuar të gjitha krimet e rënda që janë kryer edhe pas “zbulimit” të saj më 16 tetor 1996, aq edhe nënshtrimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Gjykatës të Apelit për Krimet e Rënda ndaj vullnetit të tij. Nuk ka dyshim se këmbëngulja e tij ka qenë përpjekje për të mbajtur të fshehtë të vërtetën.

Sidoqoftë, lind një pyetje: për çfarë arsyeje apo arsyesh Gjykata e Lartë e vonoi gjykimin e kësaj çështjeje megjithëse ishte urdhëruar me vendim të Gjykatës Kushtetuese ta gjykonte menjëherë? Mos vallë presioni i Berishës mbi të për të mos e gjykuar lidhet me dëshirën-kërkesë dhe dyshimin që vëllezërit Shyti parashtrojnë në deklaratën e përcjell nga mediat në datën 07.11.2011, fill pas botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Ata shkruanin: “Vendimi është i rëndësishëm, sepse Saliu dështoi për ta nënshtruar përfundimisht drejtësinë. Për rrjedhojë, vendimi hap rrugë për të hetuar dhe dhënë drejtësi për krime të rënda, si: autobomba që mori katër jetë njerëzish, vrasje, grabitje etj. Kështu është ligjërisht, po a do ta lejojë Saliu hetimin?!…”.

Sipas një ish-prokurori në detyrë deri dy vjet më parë, të gjitha krimet për të cilat është akuzuar “Hakmarrja”, përfshi edhe autobombën dhe vrasjen e Drejtorit të Burgjeve janë parashkruar dhe prokuroria nuk mund të hapë hetime. (Lexoni bashkëngjitur pjesë nga deklarata që cituam).

Padyshim, opinioni publik edhe pa zbardhjen e këtij rasti, e ka të qartë marrëdhënien që ka me të vërtetën, politikani që ka drejtuar zhvillimet politike shqiptare këto 25 vite. Se çfarë është në gjendje të bëjë dhe sajojë ai për hir të pushtetit, ka hedhur dritë në mënyrë të vazhdueshme ish njeriu i tij shumë i afërt në mjaft nga bëmat e Berishës, Izet Haxhia. Por siç del nga vendimi tejet i vonuar i Gjykatës së Lartë, ajo që mund të quhet jo shteti, por banda e Berishës (për fat të keq, kjo e fundit jo e shpikur por reale dhe e rrezikshme), jo vetëm qepi me pe të trashë dhe shkel e shko një dosje fantazmë: Këtë mund ta bëjë çdo kalibër pushti politik; por dëshmon (edhe një herë) se për të çuar në fund qëllimet e tij ai është gati të vërë bomba e të hedhë njerëz të erë, të vrasë madje edhe zyrtarë të lartë të tijët për t’ua veshur vrasjen të tjerëve.

Dhe këtë Berisha e ka bërë jo në kurriz të disa personave, çka është rasti i të ashtuquajturës prej tij “Hakmarrje…”, por të gjithë shqiptarëve, dhe ky është rasti i të gjithë këtyre viteve.

A është vendimi i Gjykatës së Lartë një shenjë se gjyqësori po pavarësohet, apo se thjesht e ka më pak frikë Berishën e sotëm? Nuk e dimë. Por është e trishtueshme kur mendon se në vende normale, politikanë e pushtetarë që konstatohet se kanë bërë një të njëqindtën e veprave të mësipërme i pret burgu… ndërsa në Tiranë ata i presin e u bëjnë temena diplomatë të rëndësishëm, sot e kësaj dite.

****

Deklaratë për Masmedian

(Pjesë nga reagimi i vëllezërve Shyti)

shytiSot, më 07.11.2011, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin për çështjen tonë, e njohur gjerësisht me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”…

Një vit më parë, kishim menduar se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do na jepte pafajësinë. Por Kolegji Penal refuzoi ta gjykonte çështjen. Atë ditë, ndihem se u venitën edhe shpresat… për ta zgjidhur çështjen në Shqipëri.

E kemi bërë disa herë të qartë se shqetësim për ne nuk ka qenë pafajësia, por gjykimi i çështjes sipas ligjit dhe provave. Mirëpo qëndrimet e kundërligjshme të gjyqtarëve, të imponuara nga Sali Berisha, e bënë të pamundur gjykimin sipas ligjit dhe provave. Këto qëndrime na kishin bërë të humbnim besimin se mund të gjykoheshim nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që ishte e domosdoshme t’i drejtoheshim kësaj gjykate, në të kundërt humbnim të drejtën për të kërkuar drejtësi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Rreth katër muaj pasi Gjykatës i kishim paraqitur kërkesën, ndodhi ajo që nuk prisnim. Administrata na njoftonte se Mbledhja e Gjyqtarëve kishte vendosur ta shqyrtonte çështjen në seancë plenare. Bindja jonë kishte qenë e gabuar. Pendesa qe e para gjë që i shprehëm njëri-tjetrit. U përgjigjëm se morëm dijeni, por patëm drojë të kërkonim ndjesë. Patëm drojë nga dyshimi se mund të keqkuptoheshim.

Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzonte kërkesën për arsye se nyjën nuk e mbanin të lidhur provat dhe ligji, por guximi i munguar i gjyqtarëve për t’u përballur me presionet poshtëruese e shkatërruese të Sali Berishës. Ende kundërmojnë ndotësitë e shpërndara nga goja e tij. Gënjeshtra dhe shpifje pa anë e fund për “Hakmarrjen”, për ne me emra të përveçëm, për lidhjet tona familjare, miqësore dhe shoqërore; fyerje, kërcënime, poshtërime të llojeve nga më të pamenduarat të adresuara botërisht për politikanë, gjyqtarë, prokurorë, për familjarë të tyre, për policë dhe funksionarë policie…

Në të vërtetë pafajësinë (Gjykata e Shkallës së Parë) e shprehu në shkurt të vitit 2003, por vendimi i saj jetoi pak muaj. Berishën e pushtoi tërbimi. Me sa u duk nga klithmat, që shprehnin trazime të thella të kuptueshme e të pakuptueshme, nuk e kishte pritur që një gjykatë të gjente kurajë të deklaronte të pafajshëm ata që ai i kishte quajtur fajtorë për të gjitha krimet që kishin ndodhur gjatë sundimit të tij të parë. Gjyqtarët i shpalli anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”…

Saliu ka dhënë prova se qëllimi, për të cilin e sajoi “Hakmarrjen”, është shumë i rëndësishëm për të. Prandaj nuk ka të ngjarë të ndalet as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që, po ta shprehim me shifra, siç atij i pëlqente të shprehet për vendimet e Kolegjit Zgjedhor të këtij viti, është 9 me 0. Por jo për ta zbardhur, por për ta nxirë edhe më shumë shpirt-e-faqeziun.

Ndoshta sot a nesër, do t’u bëjë të njëjtën akuzë fyese edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; ndoshta, meqë ka nja dy vjet që përsërit gënjeshtrën se respekton Kushtetutën, institucionet e pavarura, posaçërisht vendimet e gjykatave, “në nderim të tyre” do t’i shtrëngojë dhëmbët dhe helm e vrer bashkë do t’i zbrazë në tjetër formë, jo botërisht.

Sido që të shfaqet në skenë dhe çfarëdo që të kurdisë në prapaskenë, vendimi është dhe do të mbetet i rëndësishëm. I rëndësishëm, por jo se po na shpëton nga vuajtjet e burgut që Saliu na caktoi, sepse prej kohësh drejtësia e disa vendeve evropiane na ka marrë në mbrojtje, përkundër ulërimave të tij, kinse prej luftëtari për drejtësi, kundër “organizatës kriminale më të rrezikshme të Evropës”…

Nuk ndihemi fitues. Nuk u ndiem të tillë as në vitin 2003, kur u dha vendimi i parë i pafajësisë. Kemi humbur shumëçka përgjatë 15-20 viteve dhe nuk mund të ndihmi fitues. Çdo njeri i arsyeshëm e kupton se sa e pamundur është të ndihesh fitimtar apo i gëzuar në këto kushte. Beteja e këtyre viteve ka pasur një fitues. Ai ka qenë Sali Berisha, që, edhe kur dështon kështu, në mënyrë të turpshme, i krekosur për t’u dukur me doemos ngadhënjimtar, ngre në hava “trofeun” e një beteje tjetër, gjithashtu të humbur.

Vendimi është i rëndësishëm, sepse Saliu dështoi për ta nënshtruar përfundimisht drejtësinë. Për rrjedhojë, vendimi hap rrugë për të hetuar dhe dhënë drejtësi për krime të rënda, si: autobomba që mori katër jetë njerëzish, vrasje, grabitje etj. Kështu është ligjërisht, po a do ta lejojë Saliu hetimin?!…”

Leart Shyti

Orik Shyti

****

Izet Haxhia: Kush e vuri bombën te VEFA dhe vrau drejtorin e Burgjeve

Pjesë nga intervista e gjatë e ish truprojes së Sali Berishës, dhënë për DITA-n më 16 shtator 2014

Bujar-Kaloshi

Bujar-Kaloshi

Izet Haxhia: Dua të sqaroj diçka që opinioni nuk e din. Nëse e mbani mend bombën tek VEFA. U akuzua një e ashtuquajtura “Hakmarrja për Drejtësi”. Nuk i njoh e as nuk di dhe s’e di çfarë kanë bërë ata, por një gjë e di me siguri:Që dy gjëra për të cilat janë akuzuar, s’i kanë bërë ajo bandë, bombën tek VEFA dhe vrasjen e Bujar Kaloshit.

Atë ditë që ka shpërthy bomba tek VEFA kam qenë në zyrën e Agim Shehut. Kemi shku që të dy në vendngjarje. Pas dy ditësh u vu në lëvizje shteti. Berisha ka qenë në Dajt. Shkoi dhe e mori helikopteri dhe e çoi në Presidencë. I thashë kështu-kështu dhe ai e priti shumë qetë, “E di, e di”, më tha. Pas rreth 3-4 ditësh vjen një miku im i komisariatit numër 3, një polic i vjetër dhe profesionist. Ai thotë që “unë e di kush e ka vënë bombën tek VEFA”. Polici më tha mua që ta transmetoja tek Berisha. Atë bombë e ka vu, vëllai i Il Mulletit. Vëllai Il Mulletit ka qenë bashkëpronar i firmës Shqiponja, ortak me Tritan Shehin, me Anton Gjergjin.

Historia e Anton Gjergjit është interesante. Ai, një djalë nga Puka, ka qenë shoqërues i Nexhmije Hoxhës. Ka qenë një njeri shumë i pregatitur por ka qenë edhe një killer shumë gjakftohtë. Ma merr mendja mua që ai është rekrutu nga shërbimet sekrete të kohës, të SHIK-ut. Të gjitha shërbimet sekrete të botës nuk përdorin njerëzit e tyre por njerëz nga jashtë për të tilla shërbime. Sepse po u kap një person i shërbimit sekret është një skandal i madh.

sala-izetiAtë ditë urgjent kam shkuar te Berisha. Në atë kohë aty ka qenë edhe Gazidede dhe i thashë që kam një informacion të sigurtë që bombën tek firma VEFA e ka vu një Anton Gjergji. Berisha dhe Gazidede janë pa në sy me njëri-tjetrin dhe thanë: Mirë mirë se do e zgjidhim. Më vonë asnjëherë nuk dëgjova që të fajësoheshin këta persona. Dhe fakt interesant është se ky person është shfrytëzu për të vënë bombat në Tropojë.

 Më vonë, mesa kam dëgju unë, e kanë vrarë. Por Anton Gjergji ka qenë në krye të komandos që ka vrarë Haklajt. Dhe është njeriu që ka vrarë Fatmir Haklajn në pritën që i bënë. Bombën tek VEFA e vuri ky, dhe Bujar Kaloshin e vrau grupi operativ i SHIK….

DITA

 

June 3, 2016 00:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*