Dënohet me burg shefi i Kabinetit të Spiro Kserës

August 4, 2014 01:03

Dënohet me burg shefi i Kabinetit të Spiro Kserës

Nga Aida Nako

Kleves Bitro është dënuar më 27 Korrik me 3.6 vite burg por duhet të shlyejë në qeli 2 vite e gjysmë, pasi avokati i tij kërkoi dënim të shkurtuar, ndonëse nguli këmbë deri në fund për pafajësinë e klientit të tij. Bitro u arratis menjëherë pas hetimeve ndërsa prokuroria e shpalli në kërkim. Tenderi ku ai kishte falsifikuar dokumentacionin për një reklamë televizive shkonte afro 200 mijë dollarë, ndërsa të gjitha letrat e tenderit rezultuan se ishin bërë pasi ishte gjetur kompania fituese dhe pasi ishte kryer dhe puna madje. DITA boton sot për herë të parë dosjen e detajuar të gjykatës për dënimin e Bitros, ku duket se dhe vetë gjykata pohon se shkeljet e tij kanë qenë aq flagrante sa çdo justifikim nga ana e avokatëve ishte i kotë. Më poshtë paraqesim fragmentet nga vendimi gjyqësor për gjykimin e kësaj çështjeje.

  

DOSJA E GJYKATËS PËR DËNIMIN E KLEVES BITROS

-Si u hetua tenderi 200 milionë USD

Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal ka rezultuar se me urdhërin nr.878/3, datë 26 Prill 2010, të Ministrit të MPCSSHB është urdhëruar ngritja e komisionit për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumentacionit për ngjarjen “1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve” me këtë përbërje: Murat Mehmeti, Kryetar i komisionit, Kleves Bitro, Flora Batusha, Ilir Ibrahimi dhe Besnik Dema anëtarë të komisionit. Po me urdhër të Ministrit Ksera, datë 26.04.2010, është urdhëruar ngritja e komisionit për specifikimet teknike të evenimentit “1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve” me këtë përbërje: Murat Mehmeti kryetar, Kleves Bitro, Alma Lahe, Gramoz Xhangolli dhe Roland Joanidhi anëtarë të komisionit.

Vlera e shpenzimeve për organizimin e këtij aktiviteti është caktuar 19 milionë e 800 mijë lekë.

            Në datë 26.04.2010 rezulton se u janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit, tre subjekteve: STEVLA shpk, MC shpk dhe UEGEN, së bashku me specifikimet teknike për organizimin e aktivitetit. Në datën 29.04.2010, rezulton se janë protokolluar tre ofertat e subjekteve për organizimin e ketij aktiviteti. Me shkresën nr.878/9, datë 30.04.2010, kryetari i komisionit, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, shtetasi Murat Mehmeti ka njoftuar ministrin, duke i dorëzuar raportin e hollësishëm për realizimin e procedurave të organizimit të aktivitetit për diten e 1 Majit. Në datën 30.04.2010 është lidhur kontrata e shërbimit midis ministrisë, përfaqësuar nga ministri dhe subjektit MC shpk, për organizimin e aktivitetit “1 Maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve”.

Subjekti MC shpk, në datë 05.05.2010, ka lëshuar faturën tatimore të shitjes për bleresin, MPCSSHB, në shumën 19.800.000 lekë. Në datën 26.05.2010 nga ana e MPCSSHB është lëshuar urdhri i shpenzimit për kalimin e kësaj shume në favor të MC shpk.

Gjatë hetimeve paraprake u është kërkuar informacion televizioneve, sepse sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues, do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Majit.

Nga informacionet e marra nga Tv Top-Channel, RTSH dhe Tv Klan, ka rezultuar se subjekti MC shpk, ka lidhur me RTSH kontratën për transmetim reklame në datën 27 Prill 2010. Tv Top-Channel me subjektin MC shpk nuk kanë përpiluar një kontratë formale, por sipas dokumentacionit të marrë ka rezultuar se MC shpk ka paguar për transmetimin e spotit i cili u transmetua nga data 27 Prill 2010 deri në datën 30 Prill 2010. Tv KLAN ka informuar se MC shpk ka lëshuar faturën tatimore të shitjes datë 04 Maj 2010 për transmetimin e spotit për Festën e 1 Majit. Subjekti Platea rezulton se ka lidhur kontratë me subjektin MC shpk në datën 28 Prill 2010.

Duke u bazuar në sa më sipër, sipas organit të prokurorisë, rezulton se është provuar plotësisht se nga ana e anëtarëve të komisioneve të ngritura me urdhër të ministrit, janë konsumuar elementet e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 – 25 i KPenal.

E gjithë procedura e ndjekur që prej datës 27.04.2010 deri në datën 30.04.2010 është tërësisht fiktive, pasi kryetari i komisionit të përzgjedhjes së subjektit fitues, i pandehuri Murat Mehmeti, rezulton se ka qenë gjatë kësaj kohe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu gjatë hetimeve paraprake, organi i prokurorisë i është drejtuar gjykatës duke kërkuar që të caktohet ndaj të pandehurve si masë sigurimi arrest në burg.  Me vendimin dt. 03.10.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është caktuar ndaj personit nën hetim Kleves Bitro arrest në burg, në mungesë.

Me vendimin dt. 25.11.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është deklaruar ikja e shtetasit Kleves Bitro.

 

-Falsifikuan dokumentet

Gjykata arrin në përfundimin se te pandehurit Kleves Bitro, Murat Mehmeti, Ilir Ibrahimi e Besnik Dema i kane konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3-25 i KPenal, për të cilën akuzohen, prandaj duhet të deklarohen fajtorë. Ata duke qenë të përgjegjshëm përpara ligjit, me dashje kanë falsifikuar dokumente, duke qenë persona të cilët kanë pasur për detyrë të lëshonin dokumentin si anëtarë komisioni, veprim të cilin e kanë kryer në bashkëpunim me njëri -tjetrin, fakt i provuar plotësisht gjatë gjykimit. Të pandehurit kanë firmosur dokumentet e mbledhjes së komisionit, si dhe raportin, në një kohë kur atje ishte edhe emri i kryetarit të komisionit, Murat Mehmeti, i cili në atë kohe ndodhej jashtë shtetit. Megjithatë dokumentet, si dhe raporti janë paraqitur sikur pjesëmarrës në hartimin dhe nënshkrimin e tyre ka qenë edhe ky i pandehur, ndërkohë që siç u përmend edhe me lart, Murat Mehmeti ndodhej jashtë shtetit. Fakti se të gjithë të pandehurit kanë firmosur dokumentet, si dhe raportin, të cilat përmbajnë rrethana të rreme, tregon se ata e kanë kryer veprën penale me dashje e në bashkëpunim me njëri tjetrin. Gjithashtu gjatë procedurës të organizimit për ngjarjen e datës 1 maj të vitit 2010, të pandehurit kanë firmosur dhe dokumente të tjera fiktive, që paraqesin rrethana të rreme. Vetë fakti që shërbimi nga subjekti fitues ka filluar më parë se të lidhet kontrata, dëshmon se dokumentet kanë qenë fiktive dhe të firmosura nga të pandehurit, të cilët e dinin që po falsifikonin dokumente. Veprimet janë kryer me dashje e në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Pretendimet e të pandehurve dhe të mbrojtësve të tyre nuk qëndrojnë.

Presion mbi punonjëset

Avokati i të pandehurit Kleves Bitro merret me personalitetin e dëshmitarëve, si dhe me opinionin personal që ato mund të kenë për këtë të pandehur. Sipas mbrojtjes ato kanë deklaruar se janë thirrur në dt. 25 Maj 2010 për të nënshkruar dokumentet, ndërkohë që urdhër shpenzimi nr. 183, është i datës 20 Maj 2010, pra dokumentacioni kishte kaluar për likuidim në thesar ne dt. 20 Maj 2010. Këto pretendime nuk janë të bazuara. Dëshmitarët kanë deklaruar se janë thirrur në muajin maj dhe jo në datat 25 apo 26 maj të vitit 2010. Fakti se urdhër shpenzimi nr. 183, ka dalë në dt. 20 Maj 2010, nuk tregon se që atë ditë dokumentacioni ka shkuar në thesar. Për më tepër rezulton se pagesa është bërë më vonë. Fakti qe kallëzuesja, si dhe deklarueset e tjera, kanë dhënë deklarimet e tyre në prokurori në një kohë kur kishte më shumë se një vit nga ngjarja, nuk i përjashton të pandehurit nga vepra penale. Janë tre dëshmitare të cilat deklarojnë se Kleves Bitro u ka thënë të firmosnin dokumente pasi kishte përfunduar ngjarja. Kjo tregon se dokumentet ishin hartuar, por pa u firmosur nga personat që duhet t`i firmosnin. Meqenëse deklarueset nuk i firmosën dokumentet, firmat e tyre u falsifikuan. Gjithashtu u ndërruan anëtarët e komisioneve. Pra dokumentet u falsifikuan nga personat që kishin detyrë të lëshonin dokumentin, ku rol kryesor ka luajtur Kleves Bitro. Gjithashtu fakti se televizionet filluan transmetimet tre-katër ditë përpara lidhjes së kontratës nga subjekti fitues, tregon se dokumentacioni ka qenë fiktiv.

-Avokati i Bitros shan KLSH-në

Akuza provohet si me dëshmitarë, ashtu dhe me prova shkresore. Gjithashtu fakti se mund të ketë pasur punë voluminoze për shkak të kohës së shkurtër dhe të problemeve të shumta për organizimin e eventit, nuk i përjashton të pandehurit nga përgjegjësia penale. Ngarkesa në punë nuk mund të zgjidhet me falsifikim dokumentesh. Mbrojtja më shumë merret me marrëdhëniet që kanë pasur kallëzuesja dhe deklarueset, si dhe kryetari i KLSH-së, me të pandehurin Kleves Bitro, sesa me veprimet e paligjshme të këtij të pandehuri. Pretendohet se veprimet janë kryer konform VKM nr. 1173, dt. 06.11.2009. Në fakt është vepruar në kundërshtim me VKM-në, pasi subjekti fitues ishte paracaktuar. Është e vërtetë që i pandehuri Kleves Bitro (si dhe të pandehurit e tjerë) nuk mund të akuzohen për marrëveshjet që ka bërë subjekti fitues me operatorët. Por ata përgjigjen për falsifikimin e dokumenteve, që kanë kryer gjatë procedurës së organizimit të eventit. Mospërputhjet e shifrave të konstatuara nga KLSH nuk kanë të bëjnë me marzhin e fitimit të firmës në treg. Falsifikimi i dokumenteve ka bërë që subjekti fitues të fillonte veprimtarinë pa u lidhur ende kontrata, pasi e dinte se do të fitonte. Pagesa është bërë pa u kontrolluar dokumentacioni përkatës në mënyrë të hollësishme. Fakti që ka zhvilluar procedurë edhe Ministria e Kulturës, nuk  i përjashton të pandehurit nga përgjegjësia penale.

Ankohet por dhe arratiset

Sipas ligjit raporti i kontrollit të shtetit mund të kundërshtohet. Derisa është në fuqi konsiderohet si provë nga gjykata. Nuk ka ndonjë provë që tregon se KLSH  nuk ka vepruar drejt. Dëshmia e të pandehurit mund të jepet në çdo kohë, por i pandehuri Kleves Bitro i është fshehur hetimit. Siç është permendur edhe me lart, janë konstatuar shkelje nga anëtarët e komisionit, të cilët kanë falsifikuar dokumente. Organi i akuzës ka paraqitur në mënyrë të detajuar shkeljet e bëra si për spotet, transmetimet televizive, citylights, etj. Anëtaret e komisioneve nuk kanë vepruar sipas ligjit. Kundërshtimet e të pandehurve për konstatimet e KLSH nuk qëndrojnë. Nuk qëndrojnë edhe pretendimet e të pandehurve të cilët kundërshtojnë pa të drejtë deklarimet e kallëzueses, si dhe të dëshmitarëve të tjerë. Kleves Bitro gjithashtu ka firmosur faturën tatimore pa dokumentacion të plotë. Ai duhet të kishte kontrolluar të gjithë dokumentacionin, duke i kërkuar subjektit fitues plotësimin e tij, për të vërtetuar nëse subjekti  fitues kishte vepruar apo jo sipas kontratës. Është përmendur hollësisht më lart se ka fakte të dukshme që pasqyrojnë shkeljet. Marrëveshjet e subjektit fitues të paracaktuar me operatorët janë lidhur përpara nënshkrimit të kontrates, pra pa u përcaktuar zyrtarisht subjekti fitues. Ka pasur transmetime të spoteve televizive jashtë kohës së përcaktuar. Nuk janë përcaktuar oraret dhe emisionet televizive ku do të transmetoheshin spotet në bazë të pagesës së dhënë. Ka ndryshim të numrit të citylights dhe nuk rakordon vlera reale me atë të paguar. Pagesa përfundimtare është bërë vetëm duke u paraqitur faturat tatimore, CD, si dhe dokumetacioni nga subjekti fitues, pa u kontrolluar nëse veprimtaria ishte zhvilluar sipas kontratës. Fakti se nuk ka ankesë, nuk i përjashton të pandehurit nga përgjegjësia penale, pasi ata  akuzohen në bazë të nenit 186/3 te KPenal dhe jo në bazë të nenit 258 të KPenal. Për më tepër nuk ka pasur tender. Procedura nuk është zhvilluar sipas ligjit për prokurimin publik, por sipas VKM përkatëse. Nuk qëndron edhe pretendimi se nuk ka përgjegjësi kolegjiale. Në rastin konkret të pandehurit nuk akuzohen për vendimin kolegjial te komisionit, por për përgjegjësi penale individuale, në baze të nenit 186/3-25 i KPenal, pasi kanë falsifikuar dokumente.

***

Në llojin dhe masën e dënimit për të pandehurin Kleves Bitro gjykata merr parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Kleves Bitro, personalitetin e tij, shkallën e fajit, faktin që vepra penale është kryer në bashkëpunim, rolin e tij në kryerjen e veprës penale (ka qenë më aktiv se të pandehurit e tjerë në veprimet e tij për kryerjen e veprës penale), kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, si dhe faktin se ky i pandehur i është shmangur hetimit.

Në llojin dhe masën e dënimit për të pandehurin Murat Mehmeti gjykata merr parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Murat Mehmeti, personalitetin e tij, shkallën e fajit, faktin që vepra penale është kryer në bashkëpunim, rolin e tij në kryerjen e veprës penale (ka qenë kryetar i komisionit), kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, si dhe faktin se ky i pandehur i është shmangur hetimit.

Në llojin dhe masën e dënimit për të pandehurin Ilir Ibrahimi gjykata merr parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Ilir Ibrahimi, personalitetin e tij, shkallën e fajit, faktin që vepra penale është kryer në bashkëpunim, rolin e tij në kryerjen e veprës penale (ka qenë më pak aktiv se të pandehurit e tjerë), kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, si dhe gjendjen familjare të të pandehurit.

Në llojin dhe masën e dënimit për të pandehurin Besnik Dema gjykata merr parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Besnik Dema, personalitetin e tij, shkallën e fajit, faktin që vepra penale është kryer në bashkëpunim, rolin e tij në kryerjen e veprës penale (ka qenë më pak aktiv se i pandehuri Kleves Bitro), detyrën e tij, pasi ai ka qenë anëtar komisioni dhe njëkohësisht shef i financës, kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, si dhe gjendjen shëndetësore e familjare të të pandehurit.

PER KETO ARSYE:

Gjykata ne baze te neneve 384 dhe 390 te KPPenale:

VENDOSI:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Kleves Bitro për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3-25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në baze të këtij neni me  3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

–  Në aplikim të nenit 406 të KPPenale e dënon përfundimisht të pandehurin Kleves Bitro  me 2(dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Murat Mehmeti për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3-25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me  3 (tre) vjet  burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të KPPenale e dënon përfundimisht të pandehurin Murat Mehmeti  me 2 (dy) vjet  burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Ibrahimi për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3-25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me  1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj  burgim.

-Ne aplikim te nenit 406 te KPPenale e dënon përfundimisht të pandehurin Ilir Ibrahimi  me 1 (një) vit  burgim.  Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit te tij, 04.10.2013 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Besnik Dema për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të leshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3-25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me   1 (një) vit e 9 (nëntë) muaj  burgim. Në aplikim te nenit 406 te KPPenale e dënon përfundimisht të pandehurin Besnik Dema  me 1 (një) vit e 2 (dy) muaj  burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij, 04.10.2013 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

U shpall sot, në datën 25.07.2014, në Tiranë.

August 4, 2014 01:03
Komento

4 Komente

  1. Taulant August 4, 10:23

    Indinjata.Apliko per prokuror apo kshilltar i Pallosjit ahere do e kuptosh se ka marre fund koha e gjyqeve partizane te babalreve tuaj.Morracak te kuq.Ju jerjoni gjak dhe nuk e kuptoni se ka ndryshuqr sistemi l luftes se kllasave

    Reply to this comment
    • S'ta lini August 4, 13:55

      Paske logjike K… meqenese e ngaterron ne j
      Kete QERRATAIN, qe nuk ka vjedhur (sipas gjygjit partizan te morracakeve te kuq) e pushkatuan ???

      Reply to this comment
  2. zen zeni August 4, 17:42

    Po sekuestrimin e pasuris ku e kemi …..x nje milion euro bej une burg tre vjet

    Reply to this comment
  3. LM August 4, 20:01

    Po ti Taulant cfare MORRACAKU je. Ndoshta je MORRACAK i HALESE (S.B) se Shqiptareve. Shume bukur ke komentuar “zen zeni”, i te njejtit mendim jam edhe une. Brravo.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*