“Filozofi” Fatos në kërkim të një tarife?

Andrea Stefani August 3, 2015 22:55

“Filozofi” Fatos në kërkim të një tarife?

E fillon narcizisht, duke cituar vetveten, sulmin kundër meje dhe disa të tjerëve “analistë”, “brahamanë metafizikë të medias shqiptare” që e irritojnë. Dhe sipas Fatos Tarifës, unë u përkas atyre gazetarëve që bëjnë të gjithëditurin pa patur formimin e duhur teorik. Pra, mund ta bësh të gjithëditurin, por vetëm po të kesh formimin e duhur teorik si filozofi Tarifa. Për shkak të një shkrimi ku unë kritikoja një deklarim të Lindita Nikollës, ministre e Arsimit, Tarifa shfaqet i mllefosur me ca palo gazetarë që bëjnë gjykatësin e çdo personaliteti publik. I gjithëdituri filozof nuk e ditka se detyra e gazetarëve është pikërisht kjo, që të flasin për gjithçka e për këdo, madje veçanërisht për persona publikë. Gjithsesi nuk ka si të mos më habisë fakti që Tarifa nuk është revoltuar më herët në mbrojtje të “personaliteteve publike”. Sepse, për shkak të profesionit, kam vite që kam bërë “gjykatësin” të jo pak të tillëve, nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta e deri te Edi Rama. Përse filozofi hidhet përpjetë vetëm sot sapo i drejtohet një kritikë ministres së Arsimit? Mos ndoshta nga që punon në një institucion që ka lidhje me ministrinë që ajo drejton? Apo mos kërkon të tregohet i zellshëm në pritje të ndonjë “tarife” nga ato që ai ka treguar se di t’i vjelë shumë mirë sa herë e majta vjen në pushtet?

***

Nuk do të zgjatem të hedh poshtë fyerjet që më bën Tarifa për mediokritet apo mungesë kulture. Fyerja është fyerje, dhe kaq. Fyerja nuk mund të kritikohet. Ajo vetëm mund të qortohet duke thënë: Turp!  Do qe ndryshe sikur ai të sillte fakte të mediokritetit tim. Për shembull, të argumentonte se përse unë nuk e përdor në kontekstin e duhur thënien e Arendt se e mira nuk është ekstreme, por radikale. Ose se përse thënia e Fromm se bindja është një mendim i rrënjosur në shpirtin e njeriut, nuk paska vend në kontekstin shqiptar apo të problemit që trajtohej në shkrimin tim. Këtë prisja nga kritika e një filozofi. Mjerisht, gjeta një diarre pretencioze etiketimesh të një niveli shumë mjeran. Prandaj, nuk mundem të bie në atë nivel. Edhe sikur të dua!

***

Filozofi Tarifa ka mbushur një faqe gazete (pse kaq mund kundër një “little man” si unë?) për të bërë kritikën e kritikës që i drejtova ministres Nikolla lidhur me deklaratën e saj se Sali Berisha ka kontribuar për demokracinë në Shqipëri. Dhe që në fillim, shihet se është aq i mllefosur sa i është errësuar truri dhe nuk di se ç’shkruan. Ja shikojeni: “Z. Stefani i referohet një “deklarate publike” të ministres së Arsimit” por “nuk jep asnjë referencë për atë deklaratë” – shkruan Tarifa. Edhe i referohem një deklarate publike edhe nuk jap asnjë referencë?! Ministria nuk e ka përgënjeshtruar deklaratën që gjendet edhe në internet me zë dhe figurë ndërsa Tarifa kërkon referenca. Ec e kuptoje këtë “filozofi”!

***

Megjithatë pasi ma fal mungesën e referencës, filozofi i përvishet mbrojtjes së deklaratës së Nikollës dhe hedhjes poshtë të konkluzionit tim se Berisha nuk ka kontribuar as edhe një atom për demokracinë në Shqipëri. Në nisje e pranon se ndan me mua shumë vlerësime negative për Berishën, për “këtë personazh kryesor të politikës shqiptare në çerekshekullin e fundit”. Por vetëm deri këtu. Sepse kur ja fillon të “arsyetojë më gjerë dhe më thellë” (virtyt që e kanë vetëm filozofë si Tarifa) i rezulton se Berisha ka kontribuar për demokracinë dhe se unë, por edhe vetë Tarifa sa nuk kish vënë në punë “arsyetimin e gjerë dhe të thellë”, e kemi gabim. Është kjo super-arsye që e bën të mos kuptojë se vetëm të qënurit e dikujt personazh kryesor i politikës për një çerek shekulli, është e mjaftë për ta demaskuar si antidemokrat. Sepse demokracia i qarkullon liderët.

***

Po cilat qenkan kontributet e Berishës për demokracinë? Dëgjojeni filozofin: “Edhe nëse znj. Nikolla vërtet është shprehur se Berisha ka kontribuar për demokracinë…mendoj se në një kontekst të caktuar dhe në një kuptim real të fjalës, ky pohim mund të pranohet si i vërtetë”. Filozofi nuk është ende i sigurt nëse ministrja e ka thënë apo jo deklaratën. Megjithatë, një zell që bie erë konflikt interesi, e shtyn ta mbrojë. Dhe na thotë se Berisha ka kontribuar për demokracinë “edhe në një kontekst të caktuar” por edhe në një “kuptim real të fjalës”. Na duket se këtu ka një kundërthënie logjike. Sepse ajo që është e vërtetë në kuptimin real të fjalës është e vërtetë në të gjithë kontekstet, ndërsa ajo që është e vërtetë vetëm në një kontekst mund të mos jetë e vërtetë në kuptimi real të fjalës. Filozofi Tarifa, duhet të zgjedhë: Ose Berisha ka kontribuar për demokracinë vetëm në një kontekst të caktuar ose në kuptimin real të fjalës pra, në çdo kontekst. Por faktet, gjendja e punëve në Shqipëri në këto 25 vjet, më kanë bindur se Berisha nuk ka kontribuar, nuk po kontribuon dhe nuk mund të kontribuojë për demokracinë në asnjë kontekst pra, dhe as në kuptimin real të fjalës.

***

Por duke e parë problemin jo nga perspektiva e ime e ngushtë, as nga syzet e mija por nga një “perspektivë historike krahasuese”, filozofit i rezulton se “pavarësisht sa keq ka udhëhequr Berisha gjatë viteve që ka qenë në pushtet dhe sa destruktiv ka qenë ai në krye të opozitës, pavarësisht dëmeve dhe vuajtjeve që u ka shkaktuar shqiptarëve në këto vite të vështira e të gjata tranzicioni…ka dhënë një kontribut në përshpejtimin e rënies së sistemit të socializmit shtetëror dhe në vendosjen e themeleve të një sistemi politik pluralist e demokratik”. Në të vërtetë Berisha ka përshpejtuar vetëm ardhjen e tij në pushtet dhe sakrifikimin e demokracisë dhe shtetit për hir po të pushtetit personal. Të paktën filozofi Tarifa ta kish vështruar kontributin e Berishës nga një retrospektivë dhe jo perspektivë historike. Nuk besoj që në perspektivë shohim historinë, të shkuarën pra, atë që ka ndodhur. Por pavarësisht kësaj, “filozofia” që na shpalos është e hatashme! Politikani bën ca ta këqija që, mrekullisht, rezultojnë për mirë! Tarifa na shfaqet si një Hegel, në filozofinë e historisë së të cilit heronjtë arrijnë gjëra krejt të kundërta nga ato që kanë synuar. Me këtë lloj filozofie mund të rezultojë se, në një kontekst të caktuar që e zgjedh vetë filozofi, edhe Hitleri ka kontribuar për demokracinë perëndimore. Sepse a nxori mësime Perëndimi nga ajo që ndodhi në Gjermani për ta bërë demokracinë më të qëndrueshme? Në fund të fundit, edhe projekti i Bashkimit Europian, a nuk u ngrit mbi tmerrin që shkaktoi edhe Lufta e II Botërore e shpërthyer nga Hitleri?  Pra, a s’kemi të drejtë që, gjithnjë në një kontekst të caktuar, të themi se Hitleri ka kontribuar për hedhjen e themeleve të BE?

***

Por filozofi Tarifa na zbulon se nuk është fjala vetëm për kontributin e kaluar të Berishës por edhe për të ardhmen. Ja ç’na thotë: “…kur është fjala për një të mirë publike, si arsimi i lartë, dhe për interesat e vendit, transhetë dhe llogoret e luftës politike nuk duhet të bëhen pengesë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta në dobi të interesave të vendit dhe popullit”. Ligjërim që të nxjerr mallin e fjalimeve të udhëheqësve monistë ndërkohë që duhet të mbyllësh paksa sytë para tautologjisë “dobi e interesave”. Ngathtësi mendore që s’i falet një filozofi aq të kultivuar në frazë dhe mendim, nga që është njësoj si të thuash në interes të interesave. Pra ideja e Tarifës është se me Berishën mund të bëhen shumë gjëra në interes të vendit. Se Berisha ka kontribuar për demokracinë në retrospektivë, por mund ta bëjë një gjë të tillë edhe në perspektivë. Dhe, na mëson filozofi, a nuk u bashkua në aleancë Rusvelti e Çërçilli me diktatorin Stalin apo SHBA a nuk hyri në bisedime në Dejton me një satrap si Milosheviçi?

***

Dhe ne i përgjigjemi, duke qenë të bindur se këtë herë filozofi ka harruar pikërisht atë për të cilën na kritikon, kontekstin historik: Vërtet me Stalinin bënë aleancë, por jo me Hitlerin. Jo se Stalini qe burrë i mirë. Por ishte një kontekst historik në të cilin, fitorja kundër një diktatori si Hitleri, mund të arrihej nga aleanca me një tjetër diktator si Stalini. Pra, ka ca rrethana, kontekste, kur mund të bësh një gjë të mirë me burra të këqinj. Ashtu siç ka ca politikanë si Hitleri (dhe kryepolitikanë të tillë të gjithëfuqishëm bëhen thelbe të konteksteve historike) me të cilët, siç ka thënë Fromm, nuk mund të bësh kurrë, në asnjë kontekst, kauzë të përbashkët. Sepse janë mishërimi i mosmarrëveshjes! Veç në qofsh edhe ti një lloj Hitleri. Në bindjen time, dhe jam përpjekur prej vitesh të evidentoj fakte dhe sjell argumente për këtë, Berisha është tipi i politikanit hitlerian. Aleancat me të, siç kanë provuar këto 25 vjet, janë me kosto të mëdha. Bindje që unë e kam shprehur në kulmin e pushtetit berishist kur filozofi Tarifa, që më akuzon për burrec, priste i strukur si një Fushe ditë më të mira, si këto të sotmet, kur pret të vjelë “tarifën” e radhës nga pushteti i “radhës”. Edhe për sa i përket satrapit Milosheviç, vërtet SHBA u ulën me të në Dejton, por çfarë erdhi pas Dejtonit? Por mjaft me kaq! Për këdo që nuk kupton natyrën e pakorrektueshme të satrapëve mund t’ja bësh me vete, pa ja thënë, vetëm kaq: Sa trap!

***

Shpresojmë që filozofi Tarifa ta shkoqisë më mirë kontributin e Berishës për demokracinë shqiptare në ndonjë libër ndoshta me titull: “Kur hidheshin themelet”. Shpresoj se këtë libër do ta botojë jo me para të vjedhura. Megjithëse dyshoj fort. Sepse vesi i kleptomanisë, që e ka edhe filozofi Tarifa, është vështirë i kurueshëm kur nuk ndëshkohet. Dhe këtu ndeshim me një veçori të vesit të vjedhjes, kush është hajdut në një kontekst, është edhe në kuptimin real të fjalës. I them këto sepse ca vite më parë, kur qe ambasador në SHBA, filozofi Tarifa, sajoi një projekt kinse për riparimin e godinës së ambasadës shqiptare në Uashington, por me qëllim që ca mijëra dollarë të marra nga buxheti i shtetit të varfër shqiptar, t’i grabiste dhe t’i përdorte për të paguar tarifën e publikimit të një libri në Hollandë. Kjo grabitje korruptive, doli nga një përgjimi i një bisede telefonike të Tarifës me një biznesmen. Skandali tronditi publikun. Ja si shkruante në atë kohë gazetari Mero Baze: “ Skandali…në të vërtetë çmonton në detaje banalitetin e ambasadorit shqiptar në Uashington. Ai nuk është as intelektual, as diplomat, as komunist, as perëndimor, as lindor, por thjesht një hajdut i neveritshëm, nga ata që raca krenare e hajdutëve të Tiranës, nuk e pranon as në bisedë”. (Gazeta Tema, 10 Maj 2005)

***

Nuk e kam lexuar atë libër që tentuan ta sillnin në jetë me pare të vjedhura. Nuk kam lexuar, as edhe një libër të Tarifës. Sepse premisë e parë që të marrësh në dorë një libër është, ndershmëria e autorit pa të cilën, libri nuk mund të ketë as sinqeritet dhe as autenticitet. Ndaj të mirës apo të keqes që ai tenton të rrëfejë. Vese të tilla, si ky i “filozofit” në fjalë, mund të mos komprometojnë, të themi, një libër matematike ku nuk hyn morali, por jo libra që kanë për objekt shoqërinë dhe njerëzit. E vura në thonjëza “filozof” sepse nuk mendoj se mund të jesh edhe filozof edhe hajdut. Aq më keq edhe pedagog! Nuk është sharje. Është e vërteta e faktuar, e hidhur, e një vesi të turpshëm!

***

Më kritikon se jam treguar i dobët që kam kritikuar ministren Nikolla që si Berisha, merrem me gra. Përgjigja ime për “filozofin” është se unë e shoh Nikollën si politikane të lartë, si përfaqësuese të një qeverie dhe jo thjesht si grua. Kam mendimin se kur bëhet fjalë për poste të larta që qeverisin fatet publike, nuk ka vend për kontekste të tilla që bëjnë sikur mbrojnë por në të vërtetë, ndërfusin tinëzisht një mendësi për inferioritetin e femrës. Posti politik nuk ka seks!

***

Në tërë këtë histori, aspak të këndshme, të intrigon fakti se ku e gjejnë kurajon njerëz të tillë, që janë demaskuar publikisht për një ves aq të ulët, t’i turren gazetarëve (që çdo sold në xhep e kanë nga puna e tyre dhe do ta quanin veten të padenjë për gazetarinë nëse do të vërtetohej e kundërta) dhe pa patur asnjë fakt, t’i akuzojnë, sikundër Tarifa mua, se i bëjnë artikujt me porosi. Pra, se janë shitur ose janë blerë. Duket që njerëz të tillë, duke e patur vetë në natyrë marrjen e asaj që nuk u përket si dhe shitblerjen, i mendojnë të tillë të gjithë. Prandaj sulmi ndaj meje i Tarifës, më rezulton në përputhje me karakterin e tij prej grabitësi. Është një tentativë e kotë për të grabitur reputacionin tim për përfitime personale. Së pari, për të përfituar mirënjohjen e ministres së kritikuar. Dhe bashkë me mirënjohjen, edhe ca përfitime që unë i përmbledh me fjalën “tarifë”. Ndonjë post me rrogë të mirë. Vajtjen në ndonjë ambasadë, sepse vetëm aristokratë të elitës si Tarifa janë të denjë të përfaqësojnë një shtet që nuk është i denjë për ta. Natyrisht, duke fshehur veset e tyre. Por, së dyti, edhe për të dalë nga zona e mospërfilljes publike. Sepse, shihet qartë që e irriton, deri në krizë, fakti që këta gazetarë, sipas tij gjithologë pa vlerë, këta “analistë” guxojnë të kenë një profil shumë më të lartë në publik se sa filozofi i nderuar që ka botuar kaq e aq libra. Madje, më së shumti në anglisht. Dhe a e dini pse në anglisht? Sepse Shqipëria dhe njerëzit e rëndomtë të saj (little men) nuk kanë aftësi ta kuptojnë filozofin. Ata nuk e meritojnë atë. Dhe pasi nuk kanë arritur të shquhen apo të mahnitin botën me librat mbi ato që në fakt i kanë kopjuar nga bota, i përkthejnë në gjuhën amtare. Por kur as këtu nuk mahnitet njeri, irritohen me gazetarët që citojnë autorë të tjerë duke neglizhuar filozofin. Dhe i sulmojnë duke cituar ato që kanë thënë vetë po kundër gazetarëve “brahamanë metafizikë të medias”!

 

Andrea Stefani August 3, 2015 22:55
Komento

4 Komente

  1. sadik malaj August 4, 20:53

    KESHTU I DON MUSHKA DRUTE.

    Reply to this comment
  2. Kopaçe August 4, 20:54

    Te na rroje Berisha … me te ecim drejt komunizmit real.. jo ate imagjiar .. i Marksit .. Enverit..

    Reply to this comment
  3. M.Bocari August 4, 21:41

    Bravo Stefani.
    Tani qe po zhvishet edhe nga Edvinizmi po merr perseri formatin qe kishte.
    Ne kete shkrim ka shume indinjate dhe duke u indinjuar kaq thelle, i ka vleresuar shume ato qe paska shkruar ky person, qe ai e quan “trap”. Rendesi nuk ka se cfare thone, por kush i thote. Pra po te mos harronte, se behej fjale per shkrimin e nje “trapi”, do kishe shkruar me me pak emocione.

    Reply to this comment
  4. Larry August 4, 22:20

    Andrea Stefani je gazetar objective, I vertet dhe kontributi tend eshte I pashembullt ne luften e konsolidimit te demokracise Shqiptare kunder berishizmit injorant fshataresk apo dhe ” tarifizmit ” te ashtuquajtur “modern”.Je burreror ,I thua gjerat balle per balle , ke me se 20 vjet qe lufton per drejtesi pa asnje kompromis apo interes I “blere apo I shitur” sic te akuzojne forca te ulta pa dinjitet moral, njerzit sinqerte te duan dhe vleresojne shume,me kenaqesi te degjojme ne debatet me analiste te shumte ,ku ti shkelqen per te verteten qe argument on. Te duam shume I nderuari Andrea Stefani. LARRY, New York, USA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin