Një ish-trafikanti armësh i jepet terminali lindor në portin e Durrësit

Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi March 4, 2014 02:50

Një ish-trafikanti armësh i jepet terminali lindor në portin e Durrësit

DURRËS, 28 shkurt 2014 –  Privatizimet e mëdha dhe koncesionet e rëndësishme të kryera gjatë administratës së mëparshme Berisha në shumicën e tyre u kryen në favor të individëve dhe kompanive të huaja me të kaluar problematike. Të tillë persona me “biografi të keqe” i gjen te koncesioni i kërkimit të naftës në det, dhënë një hebreu dënuar me burg e gjobë nga gjykata e Jeruzalemit për disa krime. Firma, që fitoi monopolin e prodhimit të pullave fiskale, për të njëjtat pulla fiskale, është në gjyq në Filipine për një varg veprash penale. Lotaria austriake është nën hetim në Austri për dhënie ryshfeti funksionarëve publikë. Firma franceze “Sazhem”, që mori monopolin e prodhimit të pasaportave biometrike dhe të kartave të identitetit në Senegal dhe në  Nigeri për një kontratë 214 milionë dollarësh për karta identiteti nigeriane, është në gjyq për ryshfete, evazion fiskal etj. Kjo firmë po ashtu është në gjyq për vjedhje patente e paditur nga firma “Nokia” në Gjykatën e Duseldorfit etj. etj.

 

PARA DHE PAS 23 QERSHORIT 2013

Dhënia me koncesion e Terminalit Lindor (kalatës lindore) në portin e Durrësit në prag dhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 nuk mund të bënte përjashtim nga “rregulli” i mësipërm. Sipas shkresës nr. 2091/3 datë 9 maj 2013 të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, informohet drejtori i Autoritetit Portual Durrës se ka hyrë në fuqi kontrata koncesionare “Për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”. Kjo kontratë kishte hyrë në fuqi, që në datën 6 maj 2013. Kontrata mban firmën e të ndjerit Sokol Olldashi, në atë kohë Ministër i Punëve Publike dhe Transportit; drejtorit ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës sha Eduard Ndreu dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare “EMS Shipping & Trading GMBH”, me pronar z. Heiko Luikenga. Në këtë shkrim të parë nuk do të merremi me problemet e mprehta nga pikëpamja ekonomike, që ngërthehen në këtë kontratë. Nuk do të trajtojmë sa lekë humb shteti shqiptar nga kjo kontratë më së paku diskriminuese për Shqipërinë dhe shqiptarët, sa dëm ekonomik i shkaktohet operatorëve që do të shfrytëzojnë Portin e Durrësit për operacione importi-eksporti apo transiti. Në shkrim do të trajtohen vetëm problemet, që i shkaktohen sigurisë kombëtare të Shqipërisë por edhe sigurisë kombëtare të aleatëve tanë të NATO-s nga një koncesion i tillë.

 

PROBLEMET ME DREJTËSINË AMERIKANE

Z. Heiko Luikenga është pronari i firmës koncesionare “EMS Shipping&Trading GMBH”. Pas një investigimi gazetaresk të kujdesshëm rezultoi se z. Heiko Luikenga ka pasur problem me drejtësinë amerikane për trafik ndërkombëtar armësh (shih faksimilet e dokumenteve gjyqësore, shtypit amerikan). Në vitin 1992, bashkë me 9 të pandehur të tjerë (shtetas gjermanë, polakë dhe amerikanë) akuzoheshin për 9 vepra penale nga gjykata amerikane e distriktit të Nju Jorkut. Ndër akuzat që u bëheshin z. Luikenga dhe të pandehurve të tjerë ishte konspiracioni për t’i shitur armë kontrabandë me vlerë 96 milionë dollarë regjimit të Sadam Huseinit.

Faksimile e gazetës amerikane “Los Angeles Times”, 28 mars 1992 ku flitet për 8 arrestimet, mes tyre dhe të z. Heiko Luikenga

Faksimile e gazetës amerikane “Los Angeles Times”, 28 mars 1992 ku flitet për 8 arrestimet, mes tyre dhe të z. Heiko Luikenga

 

Ndër armët, që do t’i shiteshin Irakut ishin 73 000 copë automatikë kallashnikovë të prodhimit polak tip AKM ose KBK-AK47; 1 000 copë raketa kundërajrore MANPAD “Strela 2” dhe 4 000 bazuka (armë kundërtanke). Që në janar të vitit 1991, nëpërmjet një operacioni të llojit “blerje e stimuluar”, doganat amerikane kontaktuan grupin e të pandehurve, ku bënte pjesë edhe Heiko Luikenga. Doganierëve amerikanë, të maskuar si kontrabandistë armësh, iu ofruan për shitje nga këta trafikantë edhe uranium, ndezës për armë atomike, madje edhe bomba atomike taktike.

 

Faksimile e faqes së parë të akuzës së doganave amerikane para gjykatës së distriktit të Nju Jorkut, 29 prill 1992, i pesti në listë z. Heiko Luikenga.

Faksimile e faqes së parë të akuzës së doganave amerikane para gjykatës së distriktit të Nju Jorkut, 29 prill 1992, i pesti në listë z. Heiko Luikenga.

Kundrejt një pagese prej 43 000 dollarësh, trafikantët dërguan në Amerikë 100 copë kallashnikovë si mostra malli. 100 kallashnikovët u dërguan me avion nga Bullgaria në Roterdam (Holandë) dhe më pas për në Nju Jork, të futur në arka druri me mbishkrimin “pajisje teknike”. Pikërisht kjo sasi kallashnikovësh u shtoi të pandehurve edhe akuzën për konspiracion për të futur armë luftarake kontrabandë në territorin e SHBA-së. Në grupin e të pandehurve bënin pjesë figura të larta të ish-regjimit komunist të gjeneralit polak Jaruzelski: përkatësisht dy-ish zëvendësministra; një gjeneralmajor, ish-zëvendës shef shtabi i Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Polonisë etj. Ky episod kontrabande armësh është i përfshirë edhe në librin “Russian Organized Crime Neë Threat” të autorit Phil Ëilliams (shih faksimile). Qoftë gjatë seancave gjyqësore, qoftë në artikuj të ndryshëm të botuar në mediet amerikane theksohet fakti se gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar z. Luikenga kishte transportuar disa herë armë kontrabandë në portet egjiptiane dhe pakistaneze. Si të thuash, ai ishte recidivist në trafikun ndërkombëtar të armëve.

 

ORTAK ME ISH-KOMUNISTËT POLAKË

Qartazi, koncesionari i një terminali të rëndësishëm në portin më të madh të Shqipërisë është një ish-kontrabandist armësh me përvojë të gjatë me probleme me drejtësinë amerikane që në fillim të viteve 90-të. Ortakët e tij në të këtë kontrabandë armësh janë ish-gjeneralë, ish-zyrtarë dhe ish-spiunë të rangut të lartë të Polonisë komuniste. Ana ironike: një qeveri e djathtë, me profil të spikatur antikomunist, me një ministër, që vetë kishte hequr të zitë e ullirit nga terrori komunist i jepte një koncesion të tillë një firme të tillë. Po nuk është kjo, më e rëndësishmja.

Kopertina dhe dy faqe nga libri “Russian Organized Crime New Threat?”, me ngjyrë të verdhë emri i z. Heiko Luikenga.

Kopertina dhe dy faqe nga libri “Russian Organized Crime New Threat?”, me ngjyrë të verdhë emri i z. Heiko Luikenga.

Theksojmë, dokumentet që ilustrojnë artikullin tonë janë tërësisht nga burime të hapura informacioni lehtësisht të aksesueshme nga organet kompetente shqiptare (SHIK, Ministri e Punëve të Brendshme, Prokurori e Përgjithshme, Ministri e Transporteve dhe Infrastrukturës etj). Është çudi tipike shqiptare se si nuk arritën një batalion nëpunësish të shtetit, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, të zbulojnë të kaluarën prej kontrabandisti armësh të z. Heiko Luikenga. Normalisht bëhet pyetja këta nëpunës shteti janë budallenj, që nuk i panë këto të dhëna nga burime të hapura informacioni, apo janë maskarenj, që kundrejt pagesës mbyllën sytë ndaj këtij kërcënimi potencial për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe aleatëve të saj të NATO-s?

 

EDHE ME KOMPANI “OFF SHORE” NË LIBERI

Duke i dhënë beneficin e dyshimit, ndoshta, me z. Luikenga mund të ketë ndodhur edhe njëlloj si në atë mrekullinë biblike, ku tagrambledhësi mizor Saul, pasi dëgjoi mësimet e Jezusit, ndërroi jetë dhe nga tagrambledhës u shndërrua në apostull të Krishtit. Në rastin tonë nuk ka mrekulli biblike, sepse edhe pas këtyre episodeve të kontrabandimit të armëve z. Luikenga është përfshirë në veprimtari të dyshimta biznesi. Këtu mund të përmendim kompani të tipit “off shore” si psh. kompania “Anchor Navigation Inc (Nevis), Helm Master ShippingCorp” e regjistruar në Liberi, në fakt e kontrolluar nga firma “EMS Shipping& Trading GMBH” e zotit Luikenga (shih: http://allhonourablemen.blogspot.com/2012/10/sheltering-i.html) Nuk kuptojmë pse një ksenomani e tillë nga administrata e kaluar. Në Shqipëri kemi kontrabandistë armësh të famshëm ndërkombëtarisht, që janë bërë personazhe të faqeve të para të gazetave nga “Nju Jork Taims”-i e “Majemi Nju Tajms”-i deri te “Sabah”-u turk apo “Kjev Post”-i ukrainas. Pak sarkazëm: Kur kemi kontrabandistët tanë të armëve, të cilët kanë edhe mjetet e nevojshme financiare për të bërë investimet e duhura në terminal, pse duhet t’ia japim me koncesion terminalin një kontrabandisti armësh nga Gjermania? Ne kemi kontrabandistët tanë, prandaj thjesht për arsye patriotike nuk duhet t’ia kalonim koncesionin gjermanit. Me këto rreshta po bëjmë pak sarkazëm, por duam thjesht të nxjerrim më në pah absurditetin e një koncesioni të tillë dhe të hedhim hipotezën nëse fshihet ndonjë shqiptar apo grup shqiptarësh mbrapa këtij investitori gjerman, ish-kontrabandist armësh.

 

TERMINAL PA ZYRA DOGANE

Në këtë koncesion na tërheq gjithashtu vëmendjen edhe këmbëngulja e z. Luikenga për të pasur cikël të mbyllur të shfrytëzimit të Terminalit Lindor d.m.th ai të kontrollojë jo vetëm koncesionin, por edhe agjencinë detare, agjencinë doganore, firmën e ngarkim shkarkimit, sigurinë (security) në terminal etj. Pra, sa më pak sy dhe veshë problematikë, sa më pak hundë-futje në terminal!! Madje edhe dalja nga terminali bëhet nëpërmjet një porte të veçantë, që nuk është nën kontrollin e përhershëm të doganierëve të drejtorisë së doganës Durrës, as nën kontrollin e ekipeve të antikontrabandës të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në terminal nuk ka zyra (madje as zyrë-kontejner), ku të punojnë doganierët. Në rastin më të mirë prezenca e doganierëve në terminal do të jetë sporadike, kjo gjë duhet parë gjithnjë në kuadrin e pasjes sa më pak syve dhe veshëve të bezdisshëm në këtë terminal.

 

Z. Ernst Burgbacher, sekretar parlamentar në Ministrinë Federale të Ekonomisë së Gjermanisë, ambasadori z. Hellmut Hoffmann dhe biznesmenë gjermanë gjatë vizitës në Terminalin Lindor të portit të Durrësit, më 3 tetor 2013.

Z. Ernst Burgbacher, sekretar parlamentar në Ministrinë Federale të Ekonomisë së Gjermanisë, ambasadori z. Hellmut Hoffmann dhe biznesmenë gjermanë gjatë vizitës në Terminalin Lindor të portit të Durrësit, më 3 tetor 2013.

SIGURIA KOMBËTARE

Është premtuar se do të ndërtohen zyra modern të standardeve evropiane për doganën e Durrësit etj. etj., por nuk është folur fare deri tani për problemet e mprehta të sigurisë dhe të luftës antikontrabandë, që shkaktohen nga porta e terminalit lindor, e paruajtur nga dogana. Një portë e tillë automatikisht e shndërron Portin e Durrësit në një han me porta të shqyera. Nuk ekziston justifikim i mjaftueshëm për të mos e çmontuar këtë koncesion të dhënë nga administrata në ikje e sipër e ish-Kryeministrit Berisha. Çmontimi i këtij koncesioni, qoftë edhe vetëm për arsye të sigurisë kombëtare, është plotësisht i justifikueshëm.

 

KOMPROMETIMI I AMBASADËS GJERMANE

Nga ana tjetër, është tejet e habitshme që ambasada gjermane në Tiranë nuk njeh këtë anë të errët të biznesmenit bashkatdhetar, ndonëse shërbimet sekrete kanë sinjalizuar. Ligjet gjermane janë të rrepta dhe për investimet që bëjnë shtetasit e vet jashtë vendit. Jo vetëm kaq, diplomatët kanë ndikuar që t’i jepet “certifikatë virgjërie” z. Heiko Luikenga, duke përdorur një zyrtar të lartë të qeverisë gjermane si z. Burgbacher, gjë që përbën skandal për vetë Bonin, po të publikohet ky rast. Sikurse është bërë e ditur, një delegacioni i biznesit gjerman, i udhëhequr nga Ernst Burgbacher, sekretar parlamentar në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë, vizituan, së bashku me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Z. Helmut Hoffmann paraditen e 3 tetorit 2013 – Ditën e bashkimit të Gjermanisë – portin e Durrësit (shih foton).

Faksimile e “Letrës së Pozicionimit” të biznesit gjerman dërguar qeverisë shqiptare më 22 janar 2014, nënshkruar në fund nga presidenti i DIHA-s (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri) Rolf Castro-Vasquez drejtuesi i Tirana International Airports dhe zëvendëspresident Jens Ströber, i zgjedhur më 17 qershor 2013, “mëkëmbës” i z. Heiko Luikenga në terminalin lindor.

Faksimile e “Letrës së Pozicionimit” të biznesit gjerman dërguar qeverisë shqiptare më 22 janar 2014, nënshkruar në fund nga presidenti i DIHA-s (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri) Rolf Castro-Vasquez drejtuesi i Tirana International Airports dhe zëvendëspresident Jens Ströber, i zgjedhur më 17 qershor 2013, “mëkëmbës” i z. Heiko Luikenga në terminalin lindor.

Në fjalën e tij të përshëndetjes Ernst Burgbacher tha: “Jam në dijeni që këtu operojnë edhe disa kompani gjermane përmes investimit të tyre dhe shpreh vlerësimin tim për këtë marrëdhënie të ndërsjellë, zhvillimi të ekonomisë. Do të keni mbështetjen tonë edhe me tej”. Delegacioni gjerman zhvilloi një vizitë dyorëshe edhe në terminalin lindor, duke përgëzuar koncesionin dhënë një ish-trafikanti armësh!

 

NË PRITJE

Bie në sy fakti që lidhur me këtë vizitë z. Burgbacher, i pyetur nga radioja gjermane “Dojçe Vele” se nëse është gjetur një zgjidhje lidhur me pakënaqësitë e palës gjermane për faktin që për asistencën e dhënë për Shqipërinë kërkohen që të paguhen edhe taksa doganore, tatime apo tarifa të tjera, kur kjo shkon në kundërshtim me marrëveshjet kontraktuese, ai u përgjigj:

“Gjermania është donatori më i madh në vend përllogaritur për frymë popullate. Edhe ka pasur probleme në këtë kontekst, të cilat janë adresuar dhe trajtohen hapur. Kemi marrë sinjale që këto çështje do të zgjidhen në periudhën më të shkurtër të mundshme, që është dhe sinjal konkret për investitorët gjermanë në kushtet për të bërë biznes në Shqipëri”.

Nisur nga citimet e mësipërme, mund të spekulohet se Gjermania do të japë OK-in për pranimin e Shqipërisë në BE nëse nuk anulohen koncesionet në portin e Durrësit. Ndryshe do të vazhdohet me trysnitë, që më tepër se politike, janë thjesht për interesa biznesi. Me sa duket, edhe pas 10 vjetësh nuk është nxjerrë mësim nga skandali i “aferës së vizave”, kur u vu në shënjestër të drejtësisë gjermane selia diplomatike në Tiranë (shih faksimilen e gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e 20 shkurtit 2004).

 

TRYSNIA EDHE NË FILLIMVITI

Në pritjen e vitit të ri, më 22 janar 2014, në ambasadën gjermane në Tiranë, përfaqësuesit e biznesit gjerman në Shqipëri i dorëzuan një letër pozicionimi (nënshkruar nga presidenti i DIHA-s Rolf Castro-Vasquez drejtuesi i Tirana International Airports dhe zëvendëspresident Jens Ströber, i zgjedhur më 17 qershor 2013, “mëkëmbës” i z. Heiko Luikenga në terminalin lindor, shih faksimilen në fund të faqes), nën moton “20 hapa për ekonominë shqiptare. Përveç zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, kjo letër iu dorëzua edhe z. Arben Ahmetaj (Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes), z. Damian Gjiknuri (Ministri i Energjisë dhe Industrisë) dhe z. Edmond Haxhinasto (Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës), të pranishëm në pritjen e dhënë. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori z. Hellmut Hoffmann u shpreh se “kompanitë kanë nevojë të sigurohen se vendimet politike, gjyqësore e administrative, që lidhen me klimën e investimeve, janë korrekte dhe transparente. Pala gjermane do të dëshironte të mbështeste Shqipërinë, për të përmirësuar imazhin e saj si dhe për të tërhequr investime të reja. Kusht parësor për këtë mbetet gjithsesi, përvojë që krijojnë ata investitorë që janë tashmë në Shqipëri”.

Vetëm ministri Haxhinasto (në foto) kërkoi “mirëkuptim lidhur me nevojën e pashmangshme për kontrolle në koncesionet ekzistuese”.

Në shkrimet në vazhdim do të ofrojmë edhe arsyet ekonomike, dëmet që ky koncesion u shkakton shtetit shqiptar, biznesit shqiptar, taksapaguesve shqiptarë.

 

Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës, më 22 janar 2014 në ambasadën gjermane, ku ka kërkuar “mirëkuptim lidhur me nevojën e pashmangshme për kontrolle në koncesionet ekzistuese”.

Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës, më 22 janar 2014 në ambasadën gjermane, ku ka kërkuar “mirëkuptim lidhur me nevojën e pashmangshme për kontrolle në koncesionet ekzistuese”.

 

 

Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi March 4, 2014 02:50
Komento

12 Komente

  1. saimir March 4, 09:53

    Pergezime per punen e cmueshme investiguese si edhe per dimensionin e lavderueshem profesional te kahershem te “Dita”-s. Keep up with the good work.

    Reply to this comment
    • KULUFI March 4, 21:35

      Nje pyetje per artikull beresin:

      Qe ka qene i arrestuar e shohim,por te pakten ne dijenine time,nga keto qe lexova,nuk pashe se sa vjet eshte denuar ky
      Heiko Luikenga. Nese nuk ka bere qofte edhe nje dite burg,atehere nuk kemi te drejte ta paragjykojme.
      Kush eshte jurist e di se cdo te thote prezumim pafajesie.
      Akuza eshte akuze. Po nuk u provua,mbetet vetem e tille.
      Nese dikush me thote qe personi ne fjale eshte i denuar me vendim te formes se prere,atehere nje falenderim te madh per Gazeten DITA,qe nxjerr te palarat ne shesh te asj qeverie qe vetem vodhi dhe grabiti.

      Reply to this comment
  2. aleko March 4, 11:32

    me pelqen gazeta D I T A sepse u bie me sepat te mdhe gjerave keshtu duhet demokracia keshtu zhvillohet …….urime ….

    Reply to this comment
  3. Dielli mbi KORAB March 4, 15:17

    Danke an “Dita” Zeitung.
    Gute arbeit und eine hervorragende Leistung in sachen,
    Investigativer Journalismus.
    Grüße.

    Reply to this comment
  4. lirak bejko March 4, 16:10

    Artikull i mire, bravo. Eshte e trishtueshme te mesosh se si trajtohen qeveritaret e Shqiperise nga diplomatet e huaj.
    kete te ben korrupsioni dhe mungesa e integritetit si shtet. Cdo i huaj ben ate qe do me arrogance dhe ua mbledh kembet ne nje kepuce ministrave te Shqiperise sepse e di qe jane te gjithe hajdute dhe burra pa integritet

    Reply to this comment
  5. Bilal camurri March 4, 16:23

    Te mesojne fyckat e medias shqiptare c`do me thene gazetari investigative!

    Reply to this comment
  6. rrapua March 4, 18:01

    Bravo Gjergj Thanasi! Seshte hera e pare qe bublikon afera te tilla ne shitjen e armeve! Gazeta Dita dhe te tille gazetare i sherbejne ketij vendi te copetuar! Salihu eshte pjelle e kondrabandisteve komuniste qysh nga viti 1976,ato zyra dhe ato ekuiulibra e vendosen ne krye te ketij vendi qe ben ci do qejfi.Duhet te kemi besim se keto ekuilibra mafiozesh do te ndryshojne dhe dicka do te behet.

    Reply to this comment
  7. salah March 4, 18:11

    Njerëzit identike si partnerë, si në skandalin e drogës Vizave të mesazhit 10 vjet më parë me Sokol Olldashi, ose Eduard Pdreau. Hans-Jürgen Müller nga klubi mashtrimit lobi sorrë ishte edhe atje, si atëherë në vitin 2004

    Reply to this comment
  8. Hilmi March 4, 20:02

    Eshte pikerisht ky lloj gazetarie investiguese e kompletuar me fakte (foto, faksimile dokumentesh, burime reference, etj) qe i duhet medias shqiptare.
    Nje BRAVO e madhe per DITA.

    Reply to this comment
  9. gjergji March 4, 21:11

    Shkrim i bukur ! Edhe një shuplakë e mirë për gjermanët !

    Reply to this comment
  10. mimoza March 4, 21:18

    Perse ma hoqet komentin tim, nuk ju pelqejne te vertetat. Edhe po te them ndonje gje qe ju nuk ju pelqen eshte mendimi im i lire. Nuk mora armen, thashe mendimin tim. Po nuk na duhet BE, kur nuk jemi te zotet te mbrojme veten. Thashe nje te vertete qe e ka trajtuar edhe shtypi. per te restauruar nje mozaik qe dha fond Ambasada Gjermane edhe pse ne kemi restauratore te mrekullueshem duhet te na i gjente ambasada dhe erdhi nje grek, qe nuk po punonte per nje mozaik te vendit te tij dhe nje tjeter e huaj, Lejla Haxhiq, qe e ka burrin funksionar, dhe nuk i dhimsen pasurite tona sepse edhe njeri nuk i kerkon llogari. Mozaiku u prish pas disa muajsh d gjoja u restaurua prape, po 100 restaurime brenda pak kohesh vetem e prishin. Pra leket na quhen te dhena dhe ne vetem prishin. keshtu me mire te mos hyjme ne BE. Mos ma hiqni komentin se nuk jemi ne Korene e Veriut.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*