Për vezët, Ramën dhe republikën Rinas-bulevard

Adrian Thano November 4, 2015 06:51

Për vezët, Ramën dhe republikën Rinas-bulevard

Në shtator të vitit 2012 një grup ish-të përndjekurish qëlluan me miell makinën e Sali Berishës përpara Kuvendit. Tre autorët e kësaj ngjarjeje, tre javë më pas organizuan grevën e urisë ku vdiq Lirak Bejko.

Hakmarrja ishte në lartësinë e Berishës. As ai e askush tjetër i qeverisë nuk pranoi qoftë edhe të takohej me ata njerëz të dëshpëruar. Jo vetëm i refuzoi, por i quajti pijanecë dhe të sëmurë mendorë.

Të sfiduar deri në poshtërim, një prej tyre i vuri flakën vetes dhe u dogj në 25 përqind të trupit, shoku i tij, Liraku, që bëri të njëjtin veprim vetëflijues, vdiq nga plagët.

Burri me natyrë vulgare që opozitarëve të tij u thotë “vdisni se do t’u bëj fjalimin më të bukur të varrimit” ia arriti edhe njëherë tjetër t’i çonte drejt vdekjes ata që ia cënonin, sipas mendjes së tij, kullën e pushtetit; siç kishte bërë ca muaj përpara kësaj me ekzekutimet barbare në Bulevardin e Tiranës; si më herët me katastrofën e pandreqshme të 97-s, si më pas me babëzinë fëmijëvrasëse të Gërdecit, etj etj; aq të shumta krime, sa tashmë turpi nuk është më i tij, por i yni, si shoqëri që bashkëjetojmë me të pa e ndëshkuar.

Tre vjet më pas, këtë nëntor të 2015-s disa studentë qëllojnë me vezë ndaj makinës së Edi Ramës.

RAMA INSPEKTON SHESHIN SKENDERBEJ - Kryetari i Bashkise se Tiranes Edi Rama, gjate inspektimit te punimeve ne tunelin nentokesor ne sheshin Skenderbej.

Kryeministrin e ardhur në pushtet si rilindas e të kritikuar tashmë si konformist, mund ta akuzosh për shumëçka, por jo për qasjen ndaj kritikëve, opozitarëve, protestuesve. Mjaft të sjellim në kujtesë reagimin ndaj protestës për armët kimike.

Shoqëria shqiptare po e teston tashmë kurajon për të reaguar ndaj ekzekutivit pa frikën e represionit, shkatërrimit të jetës, vrasjes.

Asgjë nuk është e lehtë dhe askush nuk është perfekt. Edi Rama nuk është pa të meta, por a janë pa të tilla vallë, gjykuesit e pamëshirë të tij?

Gjithësecili që është i ndershëm e meriton të jetë gjykues – i thosh’ heroi adoleshent i Dostojevskit babait të tij. Dhe ky përgjigjej: Në u nissh nga kjo, nuk ke për të gjetur shumë gjykues në këtë botë…

E vërteta është që kundërshtarët e sotëm të Ramës, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë nuk kanë mendime të tyret, por thjesht interesa. Paaftësia për të harmonizuar këto interesa po e bën target sulmesh Edi Ramën.

A i meriton ai këta? A e meriton ish-llumin me të cilin ka rrethuar veten? A i meriton vezët?  PO, nëse vijon të rëndojë fukarenjtë që e kanë votuar dhe të tregohet shpirtllagarë me ish-torturuesit e tyre. PO, nëse nuk arrin të kuptojë akoma që forca shkatërruese e padrejtësisë po e dërrmon shqiptarin e thjeshtë, po ia çorodit personalitetin, po ia nxin tiparet e tij më të mira, ndërsa shembulli i grykësisë politike po e bën të anojë nga krimi dhe parazitizmi. PO, nëse merr për të vërtetë vetëm atë që dëshiron ai të jetë e tillë. Dhe sërish PO, nëse nuk lufton dehjen e egoizmit, ngritjen në poste të njerëzve të rëndomtë, orgjinë e pushtetit me veten si rishfaqje të farsës perandorake të kalit-senator.

Edi Rama ka po aq gjëra për të mësuar sa ç’kishte për të çmësuar para se të shijonte pushtetin.

Më herët ka dëshmuar jo pak kokëngjeshje deri në burrëri. Tashmë i duhet të tregojë se nuk është një nga ata gjenitë e mangët që kanë një farë fuqie për të dëshiruar, për të konceptuar (çka është ndoshta e njëjta gjë) po që s’kanë asnjë forcë për ta vënë në jetë dëshirën e tyre.

Është ende në kohë për të dalë nga mjerimi moral i republikës Rinas-Bulevard dhe të jetë kryeministri të cilin kanë votuar shqiptarët.

Shqipëria e vërtetë, jo ajo e menduara apo e stisura, ka ende besim tek ai.

Me një ish-qeveri kriminale, sot opozitë konfuze, qesharake, e pamoralshme, kjo mazhorancë është sot e vetmja zgjidhje politike për Shqipërinë.

 

***********

Foto e arkivës së Ditës: Rama, ish-kyebashkiak duke inspektuar punimet në Sheshin Skënderbej, të cilat, ngjashëm me mbikalimin e Zogut të Zi u shkatëruan pas marrjes së pushtetit lokal nga PD, megjithëse kishin kushtuar miliona nga taksat e qytetarëve

Adrian Thano November 4, 2015 06:51
Komento

3 Komente

  1. Gramozi i Larte November 4, 17:43

    Jam plotesisht dakord me z. A.Thano.

    Reply to this comment
  2. Ndue Sanaj November 4, 18:47

    Jam edhe une plotesisht me analizen e zotit Thano! Te gjitha faktet jane te verteta! Nje opozite, qe nuk dine se c’fare flete, se c’fare thote? Ne Kukes, Basha thekson: “… Me te ardhur ne pushtet do te falim kamatat …”. More ky, qe pretendon te behet neser apo pasneser, ne qofte se e lene Sala, te behet kryeminister, si mundet, qe publikisht te deklaroje shkeljen e ligjit dhe aq me pak te shkeli mbi djeresen e atyre qe zbatojne ligjin? Si mundet te bej thirrje publike, per mos bindje civile? Ku eshte ky? Eshte ne Somali apo ndonje vend tjeter te vendeve te Afrikes, ky “Burre”, qe bashkesi te ndryshme sulmojne njeri-tjetrin per interesa teper te ngushta?! Pse, eshte Sali Berisha dhe Lulezimi ne mbrotje te te varferve? As kane qene, nuk jane e as kane per te qene kurre.
    Edi Rama, si kryeminster i vertete do te shikohet, ne qofte se realizon te gjithe reformat qe ka nevoje ky vend.

    Reply to this comment
  3. andre November 4, 23:28

    Eshte fakt, – thote artikull-shkruesi, se kundershtaret e Rames jane te tille per arsye interesash(!!).
    Jo, gazetari Thano. Nuk mund t’i futesh ne thesin e interesaxhinjve te gjithe anti-Ramat. Ata te rrinj studente nuk kane kundershti interesi ndaj Rames, ata anojne me se shumti tek idealistet, me fytyra te njeriut te cilter por qe urren thelle mashtruesit. Dhe per fat te keq per Ramen por per fat te mire per viktimat e politikes se tij me ere djathtie, si pasoje e reformave alla “rilindje” jane shtuar fukarenjte ndersa te neveriten levizjet parazgjedhore te Rames kur bente propogande me listat e tyre ne dyqanet, (sot jane shtuar), por me te poshtra jane:
    1- marshimi nga Gerdeci ne Tirane,
    2- mitingu perkujtimor per viktimat e 21 Janarit,
    ndersa ka bere kompromis, te nenkuptuar, me shkaktaret e tragjedive te 15 Marsit ne Gerdec si edhe te 21 Janarit, para kryeministrise. Berishes dhe Bashes jo vetem nuk u hyri ndonje gjemb ne kembe por kerkojne revansh, sic duket kane ndjere se jane rivale per punera te pista. Ironi dhe tallje ndaj gjithe familjareve te viktimave qe shkaktoi rregjimi i Saliut dhe Lulit.
    Z. Thano, po i referohem naftes. Konstatohet se Ky po sillet me keq se Berisha.
    Berisha besnikun e vet, ish-kreun e PD-se se Fierit, mesues fizike, e vuri Administrator te Albpetrolit. Rama, vuri besnikun e Kocos, ndermjetesin e lidhjes Rama-Koco Kokedhima, E.P. .
    Berisha koncesionoi disa vend-burime naftembajtese me persona anonime per naftetaret, edhe Rama lajmeroi “privatizimin” e pjeses se mbetur te Albpetrolit, duke nenkuptuar se Ai kishte interesa njesoj si Berisha.
    Ata sillen njesoj, e kane mendjen per te vjedhur, por keta cunaket e Kocos, qe i jane bashkengjitur albpetrolit, me rroga te majme kane neps edhe per pjeshke, ku i pelqen t’ i “konsumojne” tek Shtepia e Bardhe . E di ti Thano gazetari qe po ajo sekretare qe kishte Administratori i Berishes eshte edhe per E.P. – administrator te Rames per Albpetrolin. Jane ne detyra me rroga te majme militantet mekatare qe la Berisha. Ndersa hallexhinjte e majte, sic i etiketuan, jane ne hall se nuk ia ve veshin njeri, e para qe i injoron eshte sekretarja e te madhit te albpetrolit. Kane frike te thone se na nxorri PD-ja nga puna, sepse jane te njejtet persona qe shohin ne Kupolen e Albpetrolit. Por, nuk mund ta hamendesosh hallin e naftetareve qe jane jasht mureve, kur shohin shume fytyra te reja, qe nuk kane asnje nyje te formimit profesional qe lidhet me naften, qe mund t’ sherbeje naftes.
    Po per keto shembuj, a nuk eshte fajtor Rama me te tijte. Une mendoj se po.
    Z.Thano, ju ushqeni iluzione ndaj Rames, une jo!, sepse nuk me duket njerezor. Me duket njesoj si Saliu, Ilir M, dhe Lul B., por i veshur me kostumin e vet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*