Pazari i Byrosë

Alqi Koçiko February 4, 2016 18:43

Pazari i Byrosë

Partia Demokratike e prezantoi me entuziazëm idenë e Byrosë Kombëtare të Hetimit në zgjedhjet e fundit parlamentare, me premisën që ky ent i ri do t’i japë një goditje serioze korrupsionit në nivele të larta… Por e majta e rrëzoi nismën si populiste dhe uzurpuese e kompetencave të institucioneve kushtetuese, dhe e paditi ligjin në fjalë në Gjykatën Kushtetuese. E cila e rrëzoi me sugjerimet përkatëse… (!)

Po të dëgjosh këto ditë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën në retorikën mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, të duket sikur ka ndodhur pikërisht si në paragrafin e mësipërm.

E kundërta, siç e dimë, është e vërtetë.

PD-ja e votoi kundër nismën ligjore që parashikohej në ligjin për Policinë e Shtetit, presidenti i saj Nishani e rrëzoi, dhe veç kësaj padia u çua në Kushtetuese.

Atëherë, çfarë ka ndodhur që kreu i PD Basha me një kokorroçllëk fluturak tipik të sjelljes së tij politike, a thua se nuk ka qenë këtu këto dy vjet, i bën presion publik PS-së që ta sjellë urgjent ligjin në parlament; madje se po e vonon qëllimisht, se dikush e pengon, etj etj??!

Basha përmendi gjithë merak “punën e mundimshme të ekspertëve amerikanë” dhe ndihmën ndërkombëtare në këtë ligj, duke folur si për gjellë që nuk duhet lënë të ftohet, sepse i ikën gjithë shija.

La të nënkuptohej dhe punën bindëse që ambasadori amerikan Z.Donald Lu ka bërë me të, derisa e ktheu në rrugën e drejtë, pas shumë e shumë takimesh.

A është ky lloj presioni qesharak, një servilizëm i panevojshëm ndaj SHBA-së, në një kohë kur Ministria e Brendshme ka deklaruar se brenda muajit mars drafti i ri do të jetë gati? Çfarë e ndriçoi befasisht Bashën që e bëri të kuptojë se ky ligj nuk qenkësh aq i zi sa ç’e dinte ai deri vonë?

Kopertina 04 shkurt 2016Si u konvertua kreu i PD në një “byroist” të thekur të Byrosë së Hetimit, e cila në fakt parimisht do duhej të hetonte që në ngritjen e saj, pikërisht krimet që ka bërë Basha vetë si ministër tre llojesh?

Një teatër? Apo PD-ja të ketë rënë dakord tashmë të votojë, me presionin e vazhdueshëm amerikan padyshim, pro ligjit të Byrosë së Hetimit si pjesë e policisë së shtetit?

A është kaq e thjeshtë dhe skematike kjo histori, si një skenar filmash socrealistë ku personazhi i keq Berisha-Basha e kupton gabimin dhe vendos të bëjë kthesë, dhe të ecë me hapin e shokëve?

Apo ka një pazar?

E vetmja gjë që të shkon në mendje, duke patur parasysh aktualitetin politik është që PD ta ketë kërkuar në shkëmbim të Byrosë votimin me 2/3 të emërimeve në postet kyçe në drejtësi.

Po ndodh pra një pakt PS-PD? I tipit: Merrni Byronë tuaj të Hetimit, gjyqtarët duhet t’i emërojmë bashkë; byroja të hetojë çfarë t’i dojë zemra, ama vetëm pasi akuzën ta japin “prokurorët e pavarur antikorrupsion” apo verdiktin ta japin gjykatësit tanë “me integritet”, të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë e nga këshilli i Lartë Gjyqësor me kryetarë të vendosur me 2/3 konsensuale PS-PD…?

Të bësh marrëveshje politike transparente është një gjë, dhe të bësh pakt me djallin është një gjë tjetër.

Me aq ujë sa duhet për t’i hedhur këtyre dy shtyllave të premtimit anti-korrupsion të së majtës, kuptohet se çfarë petullash dalin nëse një pazar i tillë është bërë.

Socialistët nuk janë votuar për këtë; por bash për të kundërtën, që të hetojnë “byroistët” entuziastë të orës së fundit. Si dhe vetveten sigurisht.

Nuk janë votuar as për të regjistruar një sukses diplomatik në karrierën e një ambasadori dhe kaq…

Megjithatë, le të shikojmë nesër se për ç’variant të Byrosë së Hetimit do japë mbështetjen PD-ja. Nëse opozita është për një byro hetimi brenda kuadrit të policisë së shtetit, ajo e kapërdin pa asnjë gotë ujë gjithë grehinën e akuzave gati dyvjeçare për kapje të sistemit nga mazhoranca politike. E në vijim, pranon që mbledhjen e provave ta bëjë një organ pjesë e ekzekutivit, pra e mazhorancës së rradhës, për çka ka protestuar fort deri tani. Por që të lëpijë diçka që ka pështyrë, për këtë parti nuk do jetë hera e parë… E nëse ndodh, do shohim sërish një lojë që PD do e shesë për konsensus. Por do jetë një lojë që publiku duhet ta dijë se luhet për të garantuar statusquonë në sistem, si dhe paprekshmërinë për të korruptuarit e qeverive firmatare të kësaj Pax Albanica…

Alqi Koçiko February 4, 2016 18:43
Komento

1 Koment

  1. Mos prisni kot se gjynah February 5, 01:40

    C’publik duhet ta dije??

    Publiku I corroditur dhe I ikur prej vendit? Nuk ka byro hetimesh por vetem teater byrosh.

    Nese dikush do te besonte se kjo klase politikanesh pasanike do te krijonte nje mekanizem I cili do ti hetonte ata vet me trasparence atehere une do i referoja psikiatrikun qe ti kontrolloj trurin per myk.

    C’e duan keta kete lloj krijese? Per ti futur ne burg apo per t’u sekuestruar pasurite.
    Ka ardhur koha qe realitetin ta shikojme ne sy dhe ta pranojme ashtu sic eshte te idhur e jo ta zevendesojme me iluzjonet e embela qe keta monstera na servirin tash e 25 vjet.

    PD-ja e demokracise dhe PS-ja e rilindjes bashke me LSI-ne i integrimit qe kaq bukur e ka integruar sistemin politik shqiptar ne nje fortese te padepertueshme te korrupsionit Total te shtetit dhe kombit shqiptare – keta njerez nuk kane nevoje per byro kombetare te hetimit pasi keta nuk kane se kujt ti japin llogari per krimet e tyre universale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*