SERBËT / A duhet t’i respektojmë?

Viktor Malaj October 4, 2015 00:14

SERBËT / A duhet t’i respektojmë?

Mposhti të inatosurit pa u zemëruar, mposhti të këqijtë me mirësi, mposhti koprracët me bujari dhe gënjeshtarin duke thënë të vërtetën“./Gautama Buddha

 

E di se thirrja e mësipërme i tingëllon e çuditshme dikujt, e pavend dikujt tjetër, e pamend dhe krejt e gabuar për veshët e një kategorie shtetasish të tjerë shqiptarë. Mirëpo, nuk është përmbajtja e thirrjes ajo që nxit vlerësime të tilla. Të tilla gjykime i shkakton pesha e historisë së shkuar të marrëdhënieve midis dy kombeve tona, atij shqiptar dhe atij serb. Kur kjo peshë mbështetet vetëm në kujtesën e ngjarjeve të rënda deri në përmasat e gjenocidit, emocionet të çojnë në qëndrime të tilla. Nëse njeriu, si individ dhe si komb, merr për dore arsyen dhe e përdor si udhërrëfyese të së ardhmes, atëherë thirrja e mësipërme do të tingëllonte krejt normale dhe e nevojshme.

Pse duhet t’i respektojmë serbët që do të vijnë në Shqipëri të enjten, si sportistë dhe si sportdashës?

Ne duhet t’i respektojmë ata sepse respekti ndaj të tjerëve është respekt për veten dhe për vlerat qytetëruese të njerëzimit.

Ne duhet t’i respektojmë serbët që do të vijnë këtu për një veprimtari sportive sepse ata nuk po vijnë për të na sulmuar, pushtuar, shpërngulur apo plaçkitur siç kanë bërë dikur paraardhësit e tyre, por po vijnë sipas një programi ndërkombëtar sportiv me karakter thellësisht festiv, ashtu siç shkuam ne në Beograd.

Të kesh guximin dhe vullnetin t’i respektosh këta sportistë dhe sportdashës do të thotë të kuptosh dallimet midis luftës dhe sportit, midis të djeshmes dhe të sotmes, midis atyre që na kanë bërë keq dikur dhe këtyre që s’na kanë bërë asgjë, të kuptosh dallimet midis gjithë popullit serb dhe një tufe serbësh të marrosur nga mësimet e Naçertanies dhe të trullosur me predikimet e politikës së vjetër të veshur me fustan të ri.

Të respektosh serbët që hyjnë në Shqipëri për ndeshjen e futbollit në “Elbasan Arena” do të thotë t’i shërbesh të ardhmes së vendit tënd por edhe të rajonit. Nëse ne sillemi në Shqipëri ashtu si u sollën një tufë e madhe serbësh në Beograd një vit më parë, atëherë ne ia heqim vetes të drejtën morale, historike dhe politike të anatemojmë apo përçmojmë sjelljet e serbëve. Nuk mund të jesh më i mirë se ai të cilin e konsideron të keq, nëse ndjek shembullin e tij. Në Serbi nuk ka vetëm garashaninë, çubrilloviçë dhe millosheviçë, por ka edhe Sonja Biserko dhe Natasha Kandiçë. Ka ardhur koha që, më në fund, dikush duhet të bëjë hapin e madh përpara, jo për miqësi por për normalitet.

Ne duhet të sillemi me respekt, veçanërisht, ndaj futbollistëve serbë sepse, pavarësisht çfarë ndodhi në Beograd një vit më parë, futbollistët serbë u treguan korrekt ndaj kolegëve dhe kundërshtarëve të tyre shqiptarë. Fotot e kapitenit tonë, Cana, dhe futbollistëve të tjerë shqiptarë bashkë me futbollistët serbë të Lacios, mbartën shembulli e duhur që përcolli mesazh të rëndësishëm në opinionin sportiv dhe jo sportiv evropian, në organizmat e tij dhe në institucionet e Evropës. Shembulli, që nuk është i vetmi, na fton të sillemi në mënyrë të qytetëruar sepse kështu do t’i mundim serbët e çakërdisur jo vetëm në futboll, por edhe në emancipim dhe qytetërim. Do të mundim ata dhe kategorinë e çakejve rusë që u tërbuan në stadiumin e Moskës nga prania e një flamuri shqiptar.

Ne duhet t’i respektojmë këta sportistë dhe sportdashës sepse aktet e padenja kundër tyre, jo vetëm do i sjellin dëme skuadrës sonë kombëtare të futbollit, por edhe virtyteve tona kombëtar të njohura dhe të respektuara nga të tjerët. Ata shqiptarë që besojnë apo pretendojnë se do të dëshmojnë atdhetarizmin e tyre nëpërmjet egërsisë ndaj serbëve, që do i sjellë në Shqipëri një veprimtari sportive, janë ose të marrosur ose keqdashës të vendit të tyre. Një nga gjërat që dëmton më shumë një popull dhe një vend që dëshiron të bëhet pjesë e qytetërimit perëndimor janë edhe sjelljet dhe mendimet ekstremiste të atdhetarëve të rremë. Mendimet për t’i kthyer shpinën himnit serb në stadium janë mendime të mjera dhe të dëmshme për ne dhe jo për serbët. Ne e kemi të mpirë arsyen ta duartrokasim atë himn. Na mbajnë ende të mpirë pamjet e ngjarjes të Raçakut e mjaft të tjera po aq të rënda si ajo, por kemi shumë arsye të dëshmojmë korrektësi dhe civilizim.

Atdhetarizmi i vërtetë tregohet në sjelljet dhe qëndrimet tona të përditshme ndaj njëri-tjetrit, ndaj pronës dhe punës, ndaj ligjit dhe bashkëjetesës shoqërore dhe jo duke krijuar incidente apo kryer akte të padenjë kundrejt njerëzve që vijnë për të kaluar 24 orë në Shqipëri. Qofshin këta edhe serbët. Madje, nuk përjashtohet mundësia që qëllimet e këqija antishqiptare të arrihen edhe duke kryer akte në pamje të parë prej “atdhetari” të çartur.

Nëse do të ketë sportistë apo sportdashës serbë që do të shkelin normat sportive apo ato të rendit, me këta merren gjyqtarët dhe organet e sigurisë. Qytetarët shqiptarë të pranishëm në stadium apo në rrugët e qytetit e kanë për turp të përfshihen në dukuri negative, se ato njollosin krenarinë tonë kombëtare.

Prania e Kryeministrit të Serbisë në stadium na jep mundësinë t’i tregojmë se ne nuk jemi ushqyer me mite të rreme si bashkëkombësit e tij që ulërinin kafshërisht e masivisht në kor kundër shqiptarëve. Zoti Vuçiç nuk duhet të dalë i indinjuar nga stadiumi, por i menduar për të bërë më të mirën për emancipimin e serbëve dhe të Serbisë, se kështu emancipohet i gjithë rajoni i përbashkët.

Të dashur Kuq e Zinj, të sillemi si njerëz të qytetëruar që të fitojmë edhe ndeshjen sportive dhe atë historike.

Zgjedhjet e tjera janë të gabuara dhe të dëmshme për shqiptarët.

Viktor Malaj October 4, 2015 00:14
Komento

2 Komente

  1. S.p. October 4, 12:00

    Jo se duhet ti “respektojme”, por te marrim te gjitha masat qe i takojne shtetit Shqiptar per shvillimin normal te nje aktiviteti te rendesishem futbollistik nderkombetar, kete e kemi edhe detyrim ligjor.Kthimi i shpines apo “prapanies” ndaj hymnit Serb nuk tregon as kulture dhe as force, por vetem injorance.

    Reply to this comment
  2. Arben October 5, 08:24

    NE DUHET TE RESPEKTOJME FUTBOLLIN DHE FUTBOLLISTET.

    SE CFARE MENDOJME PER SERBET SHPREHET NE RRUGE TE TJERA.

    KOMBETARJA SERBE PO VJEN PER NDESHJE DHE DUHET TE KETE VETEM NJE NDESHJE FUTBOLLI.

    NUK ZGJIDHEN PROBLEMET E KOMBIT NE NDESHJE FUTBOLLI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*