Pardesytë e bardha të Dhjetorit ’90

December 5, 2015 06:24

Pardesytë e bardha të Dhjetorit ’90

Në këtë pjesë të dytë të intervistës, Haxhia tregon se si u themelua partia e parë opozitare në Shqipëri.

Pse Sabit Brokaj nuk pranoi të bëhej lider i PD-së dhe nga erdhën ata që dolën në krye të lëvizjes studentore dhe të Partisë Demokratike.

Historia e pardesyve të bardha dhe manovrat për të nxjerrë me çdo kusht Berishën në krye të PD-së.

(Vijon nga numri i kaluar)

 

– Megjithatë, populli i Tiranës e mbështeti fuqimisht lëvizjen…

– Po, kjo është e vërtetë. Do gdhihej data 12 dhjetor dhe lëvizja ja kishte arritur të fitonte mbështetjen e popullit të Tiranës që kishte mbushur qytetin Studenti në përkrahje të lëvizjes. Pas fitores së të drejtës së pluralizmit nuk ishte akoma e qartë se çfarë do të bëhej për ne studentët. E them këtë sepse nga ana tjetër misionarët e partisë kishin filluar lëvizjet për krijimin e partisë së parë të opozitës dhe ironia ishte se këto përgatitje bëheshin në vilën e konfiskuar të një eksponenti famëkeq të regjimit, ish prokurorit të diktaturës Josif Pashko. Ato ditë u zhvilluan shumë mitingje spontane në sheshin e qytetit Studenti dhe interesante ishte fakti që në fjalën e tij aktori Arben Imami iu drejtua popullit të Tiranës që kush të dojë të shkojë të krijojë partinë e tyre në do krijojmë partinë e studentëve. Kjo u prit me zemërim nga turma. Gjithashtu edhe fjala e famshme e Berishës që unë do të kthehem në partinë time dhe fjalët lavdëruese për Ramizin u pritën me indinjatë dhe u fërshëllyen nga turma. Kjo ishte tabloja në atë ditë të 12 dhjetorit në qytetin Studenti…

– Dmth lëvizja përparoi me shpejtësi dhe duket e suksesshme në qëllimet e saj, apo jo?

– I dashur Xhevdet, ngjarjet e atij dhjetori filluan të rridhnin me një shpejtësi marramendëse, çdo gjë po shkonte si në vaj, sikur një dorë e padukshme i rregullonte gjërat për mrekulli. Ai regjim që shtypte çdo zë qoftë edhe të një fshatari që thoshte se buka e misrit është e keqe, po tregohej shumë bujar dhe zemërgjerë. E vetmja arsye që gjej sot është që “opozitarët” e rinj kanë dalë nga gjiri i vetë regjimit dhe u hodhën si me komandë për të marrë frytet e lëvizjes studentore që ishte një lëvizje e pastër dhe që shprehte idealet e shumicës së shqiptarëve për një jetë më të mirë.

– Si u bëtë truproja e Berishës?

– Ju tregova ardhjen e tij atë pasdite të 9 dhjetorit në qytetin “Studenti”. Fillimisht jam entuziazmuar shumë. Mendoja, mjek nga Tropoja që me aftësitë e veta kishte arritur në majat e mjekësisë. Edhe pse njihej si një komunist i thekur në fakultet prapëseprapë dëshiroja ta besoja. Mendoja njeriu ndryshon dhe ai kishte dhënë shenjat e ndryshimit me nja dy artikuj të shkruar në gazetat e miqve të tij të përjetshëm tek “Zëri i Rinisë” i Sekretarit të Parë të Rinisë Komuniste Mehmet Elezi dhe gazeta “Bashkimi” e Qemal Sakajevës.

Izet Haxhia

Izet Haxhia

– Më duhet të të korrigjoj këtu, Izet. Unë në atë kohë kam punuar te “Zëri i Rinisë” dhe nuk di që Berisha të ketë shkruar ndonjë shkrim në atë gazetë. Ndoshta e ngatërroni me gazetën “Drita” të Lidhjes së Shkrimtarëve…

– Mundet. Mua kështu më është fiksuar, pasi Mehmeti ishte miku më i ngushtë i Berishës, këshilltari numër një i tij, gjithnjë në hije. Ai ia bënte fjalimet Salës. Ai e shtynte derën e Salës me këmbë si Lalë Krosi derën e Ahmet Zogut. Sala i shkonte edhe në shtëpi Mehmetit në mes të natës kur kishte ndonjë problem apo kur donte të kurdiste ndonjë nga ato intrigat e veta. Po nuk ka shumë rëndësi kjo. Mbrojtja e parë dhe afrimi me Berishën u bë më 15 dhjetor, ditën e mitingut të parë të PD-së së sapokrijuar. U fol se në atë miting donin t’i bënin atentat Berishës. Edhe kjo është një enigmë. Pse Berishës, kur ai nuk ishte pozicionuar akoma si lider? Si duket, edhe kjo ishte në funksion të promovimit të emrit të tij si lider nga arma e dashur e Sigurimit, sepse as nuk u pa as nuk u bë ndonjë tentativë për atentat nga askush. Atë ditë është caktuar për mbrojtje të afërt të Berishës një student nga Mirdita, Ndue Lugja; dhe unë së bashku me kushëririn e vetëm që kishte pranë Berisha në atë kohë, pra me Dem Berishën, do ishim si prita e parë ndaj atentatorit imagjinar që nuk u duk asnjëherë. Pas krijimit të njohjes dhe fillimit të mitingjeve të PD-së nëpër rrethe unë kam kaluar në mbrojtjen nga afër të Berishës, sipas kërkesës së Azemit.

– Kur e kryet për herë të parë zyrtarisht këtë punë, pra si truproja kryesor i Berishës?

– Ka qenë mitingu i parë i PD-së në Kavajë më 19 dhjetor, kur unë kam kaluar në mbrojtje të Berishës, për t’u shkëputur për rreth tre muaj, në qershor-korrik-gusht të 91-shit. Kjo shkëputje erdhi pas akuzave që më bëri Azemi mua tek Berisha si rrugaç i dhunshëm, i dhunshëm edhe me kuadrot e reja të PD-së…

– Në ditët e para të lëvizjes, pra në ditët kur themelohej Partia Demokratike, u afrua edhe Edi Rama…

– Për herë të parë e kam parë, ditën e mitingut të PD-së së legalizuar. Pasi u caktua se kush do të mbante fjalën në atë miting dhe kush do të ishte në tribunën e mitingut, unë po qëndroja nga pjesa mbrapa e tribunës duke vigjiluar se mos vinte “atentatori” imagjinar i Berishës, kur shof Ramën të afrohej për t’u ngjitur në tribunë. E vëren edhe Berisha dhe dërgon Imamin për t’i thënë se nuk do të lejohej të fliste në atë miting. Rama nervozohet dhe kap gati për fyti Imamin, unë ndërhyra duke e larguar.

– Ka zëra që thonë se Sigurimi i Shtetit i veshi me ca pardesy të bardha udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes së Dhjetorit, dhe qarkulloi një urdhër i fshehtë për policinë që mos prekte ata që ishin veshur em pardesy të tilla. A është e vërtetë kjo dhe pse u bë?

– E kam dëgjuar. I pari që ka veshur pardesy të bardhë ka qenë Berisha më datën 9 dhjetor kur erdhi në qytetin “Studenti” nga vila 30 ku ishte me Ramizin e Xhelilin. Azemi në atë kohë vishte një xhup të zi lëkure dhe çuditërisht më vonë të gjithë me radhë filluan të vishnin pardesy të bardha, përfshi edhe Preçin, që kur hyri në këto punë erdhi me një xhaketë të arnuar me kuadrata, por ku u bë ministër në qeverinë e stabilitetit ka qenë i pari në politikë që filloi të vishte kostume firmato. I veshën ato pardesy Pashko, Selami, Meksi e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet tani. Por, a i ka veshur Sigurimi me këto pardesy të bardha, nuk e di se nuk kam qenë as magazinier, as depoçi tek Sigurimi, por për këtë mund të pyesni Nurullah Zepin e Luan Pobratin. Unë di me siguri që PD u mbush me spiunë të sigurimit dhe minjtë që braktisën anijen që po mbytej të PPSH.

– Themelimi i PD-së… Ka ende ndonjë “sekret” që duhet thënë nga ai moment historik?

– Thashë edhe më parë qe selia e parë ku filloi të konturohet partia e parë opozitare që do merrte emrin Partia Demokratike u bë vila e Josif Pashkos dhe të birit të tij, Gramozit. Por edhe regjimi nuk rrinte duarkryq. Në ato dite përpara se ky mision t’i jepej Berishës, pra krijimi i PD-së, pavarësisht se Berisha më 12 dhjetor deklaronte se unë do kthehem në partinë time, pra në PPSH, i është dhënë dr. Sabit Brokaj, por nuk është pranuar nga ana e tij. Për mua mjafton vetëm ky fakt për të vërtetuar se kush ka qenë iniciuesi i krijimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri.

sali-berisha2-640x360– Dakord, por kjo nuk do të thotë se ata nuk u shndërruan në opozitarë të vendosur të regjimit të kaluar…

– Dale, dale. Ditët e tjera të mëvonshme e vërtetuan plotësisht këtë, pas daljes në skenë të partive të tjera politike si republikania qe iu besua një ish oficeri të sigurimit Sabri Godo, ekologjikja me një klloun si Namik Hoti apo social-demokratja me një ish ministër të regjimit. Si duket ishte dhënë kushtrimi që bashkëpunëtorët e sigurimit të mbushnin radhët e opozitës. Ç’i thua ti kësaj? Rastësi?

Sidoqoftë ata do mbeten në histori demokratët e parë, apo jo?

– (qesh) Ti Xhevdet para disa ditëve intervistove Luftar Pajën. Ma përshëndet Luftarin, nga ana ime e unë të them: Aq sa mund të jetë Luftar Paja ballist, aq ishin dhe Sala me Azemin demokratë…

Sa për themelimin e PD unë nuk mund të flas për ato gjëra që janë folur në shtëpinë e Pashkos se nuk kam qenë i pranishëm. Po promotorë të kësaj përpjekje kanë qenë Berisha, Meksi, Budina, Ruli si kunat i Pashkos, Hajdari. Të bën përshtypje se të gjithë këta persona ishin njerëz të afërt të regjimit dhe tani po krijonin “opozitën” e parë antikomuniste. Më datën 13 apo 14 u bë një mbledhje ku u vendos të krijohej komisioni nismëtar për themelimin e PD. Me kompromis u vendos pas disa debatesh te ashpra që të përbehej nga 12 veta gjysma studentë dhe gjysma tjetër intelektualë.

Dhe kështu u bë…

– Pasi u propozuan emrat e studentëve, u kalua në propozimin e emrave të intelektualëve. Berisha, Meksi, Pashko, Selami u propozuan në këtë komision. Pastaj na ngrihet Pashko dhe propozon Rulin në komision për “kontributin e tij të madh” si kunat i tij. U kundërshtua nga Berisha, por emri i Rulit fitoi. U tha që për garniturë duhet të kemi edhe një femër nga ana e intelektualëve dhe na çohet një tjetër dhe bën një përshkrim fantastik të një gruaje si intelektuale, si nënë shembullore, si antikomuniste, por kur tha emrin shtoi edhe këtë që “kjo është motra ime”. Hopa, ne që mendonim të krijonim një parti larg modelit të PPSH larg nepotizmit e klientelizmit, u shtangëm, por kjo tregoi se ajo foshnja me emrin PD që po lindte ishte e sëmurë, apo e vdekur, siç do të thoshte më vonë atë shprehjen monumentale Kasëm Trebeshina. Kur Berisha u kërkoi atij, Edi Ramës dhe Ardian Klosit në fillim të vitit 1991 në një miting para stadiumit “Qemal Stafa” që “të mos e shajmë sot shokun Enver, nuk asht momenti”, Trebeshina ia ktheu: “Doktor, foshnja paska lindur e vdekur. Unë po iki…” Dhe u largua për të mos u dukur më pranë PD-së.

Po ti si u fute në PD?

– Firmat për legalizimin e partisë i mblidhte Eduart Selami që dy ditë më parë thirrjes së ne studentëve për t’u bashkuar me ne i ishte përgjigjur me ironi që “nuk kam kohë se po skuq vezë”. Kur i thashë Selamit që të shkruante emrin tim, më tha ti je i përjashtuar nga shkolla e na prish biografinë e partisë. Iu ktheva me zemërim se biografinë nuk e prish unë por spiunët dhe komunistët e penduar të PPSH. U detyrua të më shkruante emrin dhe unë isha një nga firmëtarët e treqindshes së parë të demokratëve, pak a shumë si puna e dyqind petritave që themeluan PKSH-në në nëntorin e 41-shit…

– Çfarë ndodhi më tej?

– U dorëzuan listat me firmat e themeluesve në darkën e 13 dhjetorit dhe të nesërmen kur ishim mbledhur në sallën e pallatit të kulturës së qytetit “Studenti” nga ora katër pasdite vjen Alfons Gurashi i cili jep sihariqin për legalizimin e PD-së. Brohoritje dhe përqafime nga ata që ishim në sallë. Mua më kujtohet që kam përqafuar Bardhyl Reson që kisha afër.

Me një shpejtësi të hatashme gjërat po rridhnin në favor të partisë sonë të sapokrijuar. Pas dy ditësh na u dha edhe selia jonë e parë tek rruga Fortuzi, sepse nuk mund të vazhdonte veprimtaria më në godinën 15 se partia jonë po zgjerohej dita-dites, po shtonte radhët e saj me anëtarë të rinj nga të gjitha shtresat.

Por më bënte përshtypje se shumë ish komunistë të PPSH po vinin në radhët tona, si duket nga shembulli i liderit të ri që po dukej në horizont me emrin Sali Berisha.

Si e kujtoni aktivitetin e parë publik të PD-së? A ka pasur ndonjë incident, ndonjë përplasje?

– Po, e kujtoj shumë mirë. Të nesërmen e legalizimit më 15 dhjetor u mbajt mitingu i parë i PD-së së sapokrijuar. Përpara mitingut u caktua se kush do të dilte në tribunë dhe kush do mbante fjalime.

U vendos që në fjalimet që do mbaheshin të mos goditej regjimi se mos na zemërohej partia mëmë. Aq të buta ishin fjalimet sa as fjala opozitë u tha që të mos përmendej. Berisha e hoqi nga fjalimi i Azemit këtë fjalë, por çfarë të dëgjojmë! Berisha në fjalën e tij përmendi disa herë fjalën opozitë. Azemi u nxeh shumë pas kësaj me Berishën. Kjo tregonte se Berisha do të ishte një hap përpara gjithmonë me të tjerët në PD. Ishte hera e parë që po ua fuste, por jo e fundit. Po atë ditë ndodhi dhe përjashtimi i parë nga PD-ja. Ka qenë Rexhep Aliaj, një piktor dhe arsyeja e përjashtimit ishte se doli në tribunën e mitingut të parë të PD-së me 15 dhjetor pa qenë në protokoll.

Berisha i kërkoi llogari dhe Rexhepi iu kthye se “kush je ti që po kërkon llogari. Ti je një komunist i thekur” dhe Berisha e përjashtoi nga PD-ja, edhe pse nuk ishte bërë akoma kryetar i saj. Rexhepi i futi një të sharë dhe u largua.

– PD nuk kishte kryetar në fillim, si u organizua ajo…?

– Kjo është një histori më vete dhe unë do të tregoj atë që di, pasi lidhet me daljen e Berishës në krye të PD-së. Pas legalizimit të PD në mënyrë të rrufeshme nga ana e regjimit filloi organizimi i PD në rrethe. Nga degët e para u krijua ajo e Shkodrës, e Kavajës dhe Tiranës.

Në krye të degës së Tiranës si kryetar u caktua një person me emrin Zenel Hoxha që, sipas Berishës kishte meritën sepse mbrojti studentët tek liceu artistik dhe u arrestua bashkë me ta, por pas disa ditësh doli se ky person kishte qenë një bashpunëtor sigurimi që u denoncua nga ana e Shenasi Ramës dhe pati një përplasje në mes tij dhe Berishës. Mizanskena e arrestimit të Zenel Hoxhës së bashku me studentët protestues kishte qenë e rregulluar dhe porositur nga Sigurimi i Shtetit, gjë që do tregohej edhe më vonë me futjen e shumë personave të lidhur me Sigurimin në radhët e PD-së së sapokrijuar. Dhe “çuditërisht” mbështetësit dhe propozuesit kryesorë ishin Berisha me Hajdarin. Këtu filluan edhe përplasjet e para në mes të drejtuesve të rinj të PD që po ndaheshin në dy linja kundërshtare.

Por Berisha si një dhelpër politike përdori taktikën e përplasjes jo të tij të drejtpërdrejtë, por përdori Hajdarin për këtë përplasje, duke luajtur në të dy anët dhe përfundimisht duke krijuar imazhin e shpëtimtarit dhe pajtuesit./XH.SH

Vijon nesër

December 5, 2015 06:24
Komento

3 Komente

  1. Trim Tropoja December 5, 18:46

    Izet Haxhia ka jo vetem nje memorie te shkelqyer por edhe nje humor te holle qe te kenaq kur i lexon pershkrimin, shume sinjifikative , perjashtimi i pare nga PD dhe futja qe ju ka bere per here te pare Saliu folesve te tjere me fjalen opozite.hahaha bravo Izet i ke shly gjith rrahjet qe ke bo tek socialistet e demokratet le qe mire ke bo dhe me ato, ke hallall qe ke mbrojt Berisehn atehere dhe le qe nuk e lejove te ikte ne mars 1997.Ket te fundit nuk ta fal, e ke ba per vedi se e deshe ta kisheshef por edhe ty ta futi biles me gjith vllazen.

    Reply to this comment
  2. O shoku December 5, 20:19

    Po Rama pse nuk ka pasur pardesy te bardhe.

    Reply to this comment
  3. Lili December 5, 22:47

    Ramevn,nena e tij i kishte kerkuar Ramizit me derguar ne Grekise edhe me ruajte per ma vone me radhe ne pushtet mbas Berishes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim