A është politikisht korrekte të promovosh një autokrat?

March 5, 2016 00:27

A është politikisht korrekte të promovosh një autokrat?

Nga Arkiva

Nga Andrea Stefani

 

Tashmë është një fakt që një autokrat i korruptuar si Sali Berisha vazhdon, prej një çerek shekulli, të konsiderohet nga amerikanët dhe përgjithësisht ndërkombëtarët si një faktor politik, në mos konstruktiv fatal, për zhvillimet në Shqipëri. Bojkotimi ndaj tij ose nuk mendohet, ose është aplikuar vetëm si një presion që nuk ka zgjatur shumë. Me këtë optikë shpjegohet edhe hataja e rikthimit të Berishës në pushtet në vitin 2005. Vetëm 8 vjet më herët e kishte dorëzuar me zor pushtetin pasi dështoi të shtypte ushtarakisht protesta mbarë popullore që kërkonin largimin e tij, pas rënies së piramidave financiare, ku gjysma e shqiptarëve humbën kursimet e jetës. Edhe pse me legjitimitet të humbur për shkak të tolerimit kriminal të piramidave financiare, për të cilat, si për çdo krim autentik të vetin akuzon kundërshtarët, Berisha eci me vendosmëri drejt një lufte civile që u shmang vetëm nga një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare.

***

Sot Berisha është prapë në opozitë dhe ndonëse me një bilanc mjaft të errët korrupsioni dhe bëmash kriminale, vazhdon të jetë i respektuar si partner i pazëvendësueshëm për reforma demokratizuese (ambasadori amerikan sapo e vizitoi posaçërisht për t’i dorëzuar opinionin e Komisionit të Venecias) dhe alternativë kryesore opozitare për rikthim në pushtet. “E pse jo? Kur ajo, që Klinton e kish quajtur po aq të mundur sa kthimi mbrapsht i ujërave të një lumi, ndodhi pas vitit të mbrapshtë ’97 që rrënoi shtetin dhe vrau mijëra vetë, pse të mos ndodhë edhe pas “Gërdecit” apo “21 janarit”? Dhe a nuk është kjo “politikisht korrekte” përderisa nuk ka në opozitë tjetër që ta konkurrojë Berishën?” – mund të të sfidojë çdo diplomat amerikan apo europian. Vërtet por, në raste si këto, harrohet se disa qëndrime janë “politikisht korrekte” pikërisht se nuk janë korrekte. Në vetvete. Ndaj gjithmonë duhet shtuar: Politikisht korrekte në raport me kë dhe për çfarë?

***

Mos vallë është “politikisht korrekte” të promovosh Sali Berishën sepse pa të, merr fund opozita politike në Shqipëri? Edhe po të qe vërtet kështu, ky qëndrim nuk do të qe korrekt me demokracinë. Sepse edhe sikur Partia Socialiste dhe Edi Rama (që nuk janë engjëj) janë ata që pretendon Berisha, pra bijtë e etërve që po ringrenë diktaturën komuniste dhe Berisha është i vetmi Herkul që mund ta rrëzojë këtë diktaturë, ç’e mirë mund t’i vijë demokracisë nga një autokrat që, pa asnjë dyshim, pas përmbysjes së diktaturës së kuqe do vendoste diktaturën e vet blu? Pra, Berishën mund ta mbështesje i ethshëm të rrëzoje me çdo kusht Ramën, por jo në funksion të ardhmërisë demokratike të vendit. Ndërkaq, vërtet amerikanët i marrin seriozisht fjalët e kazanit të Berishës, mbi rikthimin e diktaturës së bijve? Por nuk është e vërtetë se Berisha është shpresa e vetme opozitare. Është krejt e kundërta. Ai është mishërimi i një kulti sa antidemokratik aq edhe mafioz që ka bllokuar krijimin e opozitës së vërtetë demokratike. Nën këtë optikë, trajtimi i Berishës si partner jo vetëm që nuk është korrekt në raport me demokracinë por nuk është as “politikisht korrekt”.

***

Mos është “politikisht korrekte” të partnerizohesh përjetësisht me Berishën nisur nga bindja se Shqiptarët kanë nevojë të udhëhiqen nga një “dorë e fortë” nga “burra shteti” që edhe pse dhunojnë institucionet, mbeten i vetmi solucion për të ruajtur stabilitetin në vende me popullata pa traditë të një demokracie liberale. Shkurt, është “politikisht korrekte” që ndërsa nga ballkoni i diplomacisë flasim për demokracinë, integrimin në BE dhe u premtojmë shqiptarëve lirinë, në kulisat e saj, por edhe në ditën për diell, marrim e japim me autokratë të sprovuar për t’i mbajtur nën fre shqiptarët sepse “nuk dinë të bëjnë demokraci”?

***

Mendoj se një skepticizëm i tillë, i shtuar edhe pas dështimit të valëve si “pranvera arabe” për të prodhuar demokraci dhe stabilitet, nuk janë korrekte në raport me integrimin dhe demokracinë por edhe “politikisht korrekte” nuk janë. Sepse autokratët si Berisha jo vetëm nuk shmangin por nxisin destabilitetin me korrupsionin dhe krimet e tyre kur janë në qeverisje dhe me shantazhin dhe dhunën kur janë në opozitë. Hidhni vështrimin pas dhe do shikoni se ndërsa të gjithë qeverisjet e Berishës kanë qenë autokratike, të gjithë opozitat e tij kanë qenë destabilizuese deri në grushte shteti. Një Bashar al Asad i pasuksesshëm në vitin ’97 dhe i përgjakshëm në 21 janar, një Hitler në shtator të vitit 1998. I ububushëm në pushtet por edhe më i ububushëm në opozitë! Edhe sot ai po kërcënon deri me konflikt civil dhe zgjidhje finale të problemit. Terma të përdorura nga hitlerianët (zgjidhje finale) dhe komunistët (lufta finale) dhe që nënkupton zhdukjen e atyre që ke përballë. A është korrekte ndaj demokracisë dhe lirisë të ndërtosh partneritete me antidemokratë të tillë duke mos marrë parasysh rrjedhojat më afatgjata të këtyre partneriteteve?

***

“Politikisht korrekt” do të thotë të abstragosh, të cedosh nga një apo disa parime, për të arritur një objektiv në një situatë të caktuar dhe në një moment të caktuar. Por nëse është “politikisht korrekte” të mbështesësh një lider për të realizuar përmbysjen e një diktature, nuk është as “politikisht korrekte” dhe as korrekte, të vazhdosh me të kur qartazi manifeston gjakime dhe praktika antidemokratike. Sepse bie ndesh me atë për të cilën u lidhe në fillim, me atë që ishte “politikisht korrekte”, me përmbysjen e diktaturës. Me Stalinin duhej të bashkoheshe për të mposhtur Hitlerin por nëse do të vazhdoje pafundësisht me të, do dilje kundër vetvetes dhe demokracisë. Ashtu si nuk mund të mos ecje drejt luftës së ftohtë me Stalinin, nuk mund të mos ecësh drejt bojkotimit të një autokrati si Berisha. Natyrisht, nëse ke ambicie demokratiko-liberale për Shqipërinë. Në të kundërtën, lavdi qëndrimeve jo korrekte por “politikisht korrekte”.

***

Mbështetja e SHBA dhe e BE është jetike për themelimin e demokracisë liberale në Shqipëri. Ajo që na shqetëson është devijimi i kësaj mbështetje drejt versioneve të autokratizmit. Mbështetja për ndryshmet e Kushtetutës në vitin 2008, që pollën një kryeministër të fortë dhe një president partizan, nuk janë të rastit. Ato ndryshime mendoheshin se qenë “politikisht korrekte” ndaj stabilitetit por jo ndaj demokracisë. Kohët provuan se nuk i shërbyen as stabilitetit.

***

Nuk është e para herë që amerikanët dhe europianët kanë mbajtur qëndrime “politikisht korrekte” në Shqipëri në funksion të objektivave të caktuara. Por kohët kanë provuar se ato kanë sakrifikuar themelimin e një sistemi me liri dhe demokraci në Shqipëri. Gjatë Luftës së II Botërore, Anglo-Amerikanët e vlerësuan si “politikisht korrekte” të mbështesin lëvizjen për çlirim, udhëheqja e së cilës u uzurpua qartas nga komunistët, pa e vrarë fort mendjen se ç’do të vinte më pas për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në fakt, më shumë se politikisht, ishte një qëndrim militarisht korrekt. Anglo-amerikanëve i duhej lufta e shqiptarëve kundër nazifashistëve. Por jo më shumë se kaq. Fakti që anglo-amerikanët e diferencuan mbështetjen e tyre ushtarake duke i dhënë gjithnjë e më përparësi komunistëve (në vend se t’i përjashtonin ata), dhe duke neglizhuar kundërshtarët e tyre nacionalistë, ishte një ndër faktorët kryesorë që shpuri në triumfin e diktaturës komuniste pas luftës. Kjo e fundit, u vendos në Shqipëri edhe me armatimet e anglo-amerikanëve edhe pse Enver Hoxha e përqeshi më vonë atë ndihmë.

***

Të ishe “politikisht korrekt” me objektivat e luftës, nuk do të thoshte medoemos të ishe jo korrekt me qëllimin strategjik të përhapjes së demokracisë në botë. Por anglo-amerikanët e braktisën këtë qëllim. Të paktën për vende si Shqipëria. Ndryshe nga anglo-amerikanët, Hoxha nuk i braktiste kurrë parimet e tij strategjike. Edhe pse ndoqi gjatë luftës marrëdhënie “politikisht korrekte” me anglo-amerikanët, kjo nuk e pengoi të mbajë qëndrim korrekt ndaj qëllimit final të tij, revolucionit komunist. Kur dyshoi se ata mund të vinin në rrezik këtë qëllim final, ai nuk ngurroi t’i denoncojë si të rrezikshëm për Shqipërinë. Të njëjtin qëndrim duhet të kishin mbajtur anglo-amerikanët ndaj komunistëve kur panë qartë se ata po synonin sundimin.

***

Mjerisht kjo nuk ndodhi. Në fakt, anglo-amerikanët ishin potencialisht të rrezikshëm për diktaturën komuniste jo për Shqipërinë (është demagogji tipike e diktatorëve që atë çka i kërcënon personalisht, ta paraqesin si kërcënim për Atdheun) dhe e keqja erdhi edhe pse ata nuk e vunë në punë këtë potencial antikomunist. Shqipëria u vlerësua si një “collateral damage” në shërbim të qëllimit të madh të mposhtjes së kërcënimit nazist, i aleancës me diktatorin Stalin dhe ndarjes së sferave të influencës me të. Me mprehtësinë e një skifteri, Hoxha e kuptoi nevojën e anglo-amerikanëve për luftë totale kundër nazistëve, kuptoi se ata do toleronin gjithçka, edhe një diktaturë komuniste të mundshme nesër, vetëm që të luftohej kundër nazistëve sot. Prandaj u hodh në luftë me shumë zjarr për të fituar mbështetjen e tyre ushtarake, armët e tyre që do t’i vinte në funksion të një revolucioni që do të pillte një diktaturë jo më pak të egër se ajo hitleriane. Dhe e fitoi këtë mbështetje. Gjë që, përveç faktorëve të tjerë, i bëri edhe më hezitues nacionalistët antikomunistë për t’iu bashkuar një lufte që edhe pse çlirimtare, u mbars me revolucion komunist.

***

Kështu, lufta e shqiptarëve për çlirim do t’i shërbente demokracive anglo-amerikane për mposhtjen e nazizmit, por lufta e anglo-amerikanëve kundër nazizmit, nuk do t’i shërbente demokracisë në Shqipëri. Gjaku i çiltër i të rënëve në luftë për liri e demokraci, do vadiste fatalisht themelet e diktaturës dhe skllavërisë. Anglo-amerikanët pranuan të bashkëpunojnë me komunistin Enver Hoxha, edhe pse e shihnin fare mirë që ai synonte të vendoste diktaturën. A qe politikisht korrekte? Po! Aq sa qe, për shembull, politikisht korrekte, të mbështesje Bin Ladenin në Afganistan kundër Rusëve. Po çfarë erdhi më pas? Ndaj pyetja shtrohet: A duhet të mbajnë qëndrimet “politikisht korrekte” parasysh edhe atë që mund të pasojë? Apo ato janë një lloj verbimi nga e nevojat e sotme, një lloj miopie që na përball në afatgjatë me kosto më të mëdha? Pyetje që i shtrojmë kur shohim edhe sot këmbënguljen e amerikanëve dhe ndërkombëtarëve të bashkëpunojnë me një autokrat si Berisha edhe pse, prej një çerek shekulli, ka dhënë prova se mund të jetë i përkushtuar për çdo gjë, por jo për liri e demokraci. Puna është të kuptohet se përse e bëjnë këtë amerikanët dhe ndërkombëtarët, përse ideali i një demokracie shqiptare duhet të kthehet përsëri në “collateral damage” si këtu e 70 vjet më parë, në funksion të një qëllimi “politkisht korrekt” që, dhe kjo është një veçori e momenteve të sotme,mbetet mister?!

March 5, 2016 00:27