SHTETI DHE ANTISHTETI

Bedri Islami November 5, 2015 06:46

SHTETI DHE ANTISHTETI

1.Është e natyrshme, më shumë se e natyrshme, që, një luftë e gjatë idesh, vizionesh dhe përpjekjesh, qoftë edhe ngadhnjimtare, të pasohet, pas çlodhjes së shkurtër të ditëve të triumfit, nga ditët e pakënaqësisë dhe mërzitë. Këto, si ortekët, nga të vogla, fillojnë e bëhen të mëdha.

Një vend që pranon sakrifica të mëdha, pret nga fitorja edhe përfitime të mëdha. Kjo ndodhi edhe pas 23 qershorit të vitit 2013.

Ishin dashur tetë vite përpjekje, që i ngjanin një lufte ndërgjegjeje dhe mendimi, për të hequr nga pushteti një regjim, i cili, megjithëse erdhi në pushtet rastësisht, shpejtoi të bëhej despotik, i egfër, i prapshtë, deri vrasës. Asnjë përvojë e hidhur nga viti 1997 nuk kishte zënë vend në memorjen e pushtetarëve të pasvitit 2005 dhe, si dukej, edhe nse do të rrinin përsëri në qeverisjen e vendit, ata nuk e kishin pasur ndër mend të mësonin.

Kjo qeveri ishte bërë e rrezikshme, kishte të gjitha precedentët për t’u bërë edhe më tej e dhunshme, ndaj duhej hequr.

Dhe u hoq.

Pas janarit të vitit 2014 fillon edhe periudha e zhgënjimit, herë e ngadaltë dhe herë më e rrëmbyeshme, por gjithësesi gërryese. Mllefi që ishte mbledhur në tetë vitet e qeverisjes berishiane, i shndërruar në mbi një milion vota, ose një milion shuplaka, nuk e kishte pasur ndër mend të kthehej vetëm në duartrokitje, dhe këtë, si duket nuk e kuptuan njëherësh as qeveria dhe as vetë njerëzit.

Qeveria nuk mori në kujtesën e vet zhgënjimin e pas vitit 1998, njerëzit, të lodhur nuk morën mbi vete atë pjesë të asaj që duhej bërë për të nisur një hop të ri, në mos në ekonomi, të paktën në ndërtimin e shtetit.

Për herë të parë pas vitit 1990 tek njerëzit shteti shtroi dilemën e tij: shtet apo antishtet. Do të kemi më në fund shtetin ligjor, me të gjitha afeksionet dhe rripat e tij; apo do të kemi rrumpallën e antishtetit, si vazhdim i asaj që kishte ndodhur.

Rama shfaqi synimin e tij për të bërë shtetin, por harroi premisat e jashtëzakosnhme të greminës ku ishte futur shteti. Nga ana tjetër, si edhe herë të tjera, Berisha bën thirrje për antishtetin.

 

2.Reformat që ka marrë përesipër qeveria e tanishme janë të dhimbshme dhe kanë kosto të dyfishtë: ekonomike e politike. Ndoshta më mirë se nga gjithë të tjerët, këtë duhet ta dijë shefi i qeverisë, e megjithatë, pavarësisht “kasandrave” brenda vetes, fillimi i disa reformave njëherësh, në këtë amalgamë rrëmuje legjislative, ishte e natyrshme të deformojë thelbin e asaj që është pritur: rilindjen në tërë fushat.

Shefi i qeverisë ka marrë përsipër të bëjë të kundërtën e asaj që bëri paraardhësi i tij, Berisha. Ndërsa ky i fundit bëri antishtetin, aktuali i zyrës kryeministrore synon të bëjë shtetin.

Të dy e kanë pasur dhe e kanë me vete ngutjen.

Berisha u ngut të bëjë antishtetin, kjo edhe nga performimi i tij thellësisht politik proserb, dhe e bëri në pak kohë Shqipërinë një shtet rrumpallë.

Rama po ngutet të bëjë shtetin dhe po shkakton plagë, që mund të jenë të përkohshme tek disa dhe të vazhdueshme tek disa të tjerë.

Duke u ngutur Berisha solli gjëma kombëtare, mes së cilave, njëra, viti 1997, ishte pragu i tjetërsimit të kombit. Duke shembur shtetin, Berisha shembi shpresat.

Rama, duke u ngutur, po bën gabimin që haset shumë herë në jetën e njerëzve të politikës: ku ëndrrën e marrin për të mirëqenë dhe ngrehinën e nisur si të përfunduar.

Berisha, duke u shfaqur si i djathtë, krijoi një lëvizje politike kaotike, ku askush nuk ishte askund dhe ku askundi ishte tek të gjithë. Oligarkitë financiare dhe perandoritë meskine mediatike u bënë pronarë të shtetit. Rreth vetes ai mblodhi njerëz të cilët, të frymëzuar nga grykësia financiare shitën çfarë mundën, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen. Nocioni komb u bë i njëjtë me pasurinë; mençuria kaloi tek grotesku, mendja u zevendësua me kallashin e rrugës.

Rama, duke u shfaqur si i majtë, e nisi goditjen e tij tek njerëzit e zakonshëm, që e kishin votuar dhe që kishin pritur prej tij një politikë sociale më liberale, më të afërt, më të avashtë. Në fakt duket fillimi i një ortakllëku mes oligarkisë së dikurshme financiare, pjellë e regjimit berishian dhe pushtetit të sotëm ramian. Ndërsa berberi, artizani, shitësi ambulant u shpall i padëshirueshëm, oligarku u bë si i shtëpisë.

Rama ka fatin e madh të drejtojë pas dy palë zgjedhjeve, që në një farë mënyre ishin plebishitare: dy hyrë, e dy herë në qershor, njerëzit i besuan, megjithëse kishte rjedhur jo pak ujë nën rrogozin e zhgënjimit. Mos qoftë e thënë që të saktësohet edhe një herë një fjalë e herëshme, ”e treta, e vërteta”, por në sensin e kundërt.

Rama, po ashtu, ka fatin të drejtojë duke pasur përballë një fantazmë të së keqes dhe një levantin hollandez.

A janë të domosdoshme reformat? Me siguri, që po. Kolapsi financiar dhe shoqëror ishte i papërballueshëm. Nuk ishte rastësi që dy përgatitësit e së keqes, Berisha dhe Bode, paralajmëruan skenarin grek. Jam i bindur se ata do të gëzoheshin po të shembej e gjithë Shqipëria për të riardhur në pushtet

Vendosja e shtetit të së drejtës, por edhe e detyrimit ndaj saj, është ndoshta proçesi më i vështirë që ka marrë përsipër shefi i qeverisë, dhe, duhet thënë duke pasur krahas vetes, në jo pak raste, një ekip qeveritar meskin. Ndoshta ai mendon se duke qenë vetë aty, drejtues, nuk është e rëndësoishme se çfarë marrin pas vetes të tjerët. Si e kam shkruar edhe më parë, me këtë ekip, ai qeveris lehtë, por nuk dihet nëse, po me këto, do qeverisë gjatë.

 

3.Shumë miq të mi kanë drojën se njerëzit po rebelohen. Unë do të gëzohesha në se do të kishte një rebelim të shpirtit të njerëzve. Në një rebelim të tillë, unë i druhem më tepër heshtjes se sa protestës.

Njerëzit në Shqipëri, duhet pranuar, nuk kanë vepruar gjithnjë me urtësi, por ata, të shtyrë nga padrejtësia, kanë kaluar në rebelim dhe në marrëzi.

Cila qeveri ka të drejtën të ankohet dhe të ndëshkojë apo të anatemojë një rebelim, shkaktare e së cilës mund të jetë ajo vetë?

Asnjë, nëse është vërtet e tillë. Dhe nëse vërtet synon të vendosë shtetin e së drejtës.

Bedri Islami November 5, 2015 06:46
Komento

2 Komente

  1. SMERLAPI I SHQUPIT November 5, 07:41

    antishteti ishte lazarati -21janari shitja e detit -rruga durres -kukes
    dhe familja berisha e vuçidolit

    Reply to this comment
  2. asd November 5, 14:03

    Mbase jashte teme…

    Per shtetin dhe pushtetin e kam; per ate te Katertin . Zoti Islami dhe zoti Thano do me kuptojne dhe do me thyejne ‘kureshtjen’ mbase jo personale…

    Po e nis pak si gjate per t’i rene shkurt:

    Para disa a shume ditesh ne debatin per Lagunen Blu mes Bushatit dhe Fevziut nenvizova per vete dicka,qe prisja ta benin gazetaret a media te ndryshme,por nuk reaguan,mbase edhe pse gjate rekjes neper rreshta u ka shpetuar,por mua me ka munduar,shume,perderisa nuk e kam harruar dhe e kam kopjuar fjale per fjale.Nga pergjigja e Fevziut per Bushatin e kam shkeputur,si me poshte :

    ” A ke thene ti , por edhe une , ndonje fjale per fenomenin e shitjes se gazetareve ? Per biznesin e ndyre te atyre qe perdoren nga politika kundrejt shperblimeve ? Ti dhe une kemi pare bashke nje liste gazetaresh nga shume te njohur e deri anonime qe paguhen nga nje parti politike ne qeveri. Madje edhe miq te mite e te tute.”…etj…etj..para e prapa ligjerates…

    Mua, ne ate pak kulture qe kam, me plasi si bombe,bombe por cfare alamet bombe,si ato te ISIS-it, qe rrezojne pushtete te tjera pervec te katertit qe ka rene vet. Per mua keshtu…

    Po per ju xhanem si ju duket kjo “bombe” ???

    Kush jane keta qe ndezin “fitilat’ ne opinionberje???

    Si do e “dekriminalizojme” pushtetin e katert nga keta “kriminele” per miletin???

    Ju te Dita-s a do na i nxirrni ne drite,duke u hapur “dosjet’ Ketyre ‘ nga shume te njohur…’ ???

    Apo shkelim ‘privatesine’ ne kete rast packa se jane mashtrues me ‘patente’ te licensuar nga nje pushtet tjeter ???

    Ejjj sa i mban b….a ketij mileti nga …KETA…

    Ju luetem,nese e shihni ‘te programuar’ nxirreni ne dite tek Dita…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*