Kur ambasadori Lu nuk flet shqip

June 5, 2016 00:02

Kur ambasadori Lu nuk flet shqip

Nga Andrea Stefani- Sapo lexova një fjalim që Donald Lu, ambasadori i SHBA në Tiranë, kishte mbajtur për luftën kundër korrupsionit, gjëja e parë që konstatova, ishte se edhe pse në gjuhën shqipe, ambasadori nuk kish folur “shqip”. Vetëm ca përgjithësime për klasën e korruptuar politike, ca miklime populiste për shqiptarët që i njihkan mirë punët e korrupsionit dhe, si qershi mbi tortë, ca moralizime për liderët e politikës që, edhe pse mjaft të korruptuar, këshillohen të dëgjojnë zërin e popullit. E ç’nevojë kanë udhëheqës të korruptuar të dëgjojnë popullin?1

Të gjithë shqiptarët përdorin gjuhën shqipe, por pak prej tyre flasin “shqip”. Edhe ambasadori Lu përdor gjuhën shqipe, por megjithatë nuk flet “shqip”. Por që të ndihmosh shqiptarët dhe Shqipërinë që të dalin nga kurthi i korrupsionit, klientelizmit, mafias dhe autokratizmit ku kanë ngecur, duhet flasësh “shqip”. Edhe kur flet anglisht, gjermanisht apo italisht për punët e Shqipërisë, duhet folur “shqip”. Dhe kjo do të thotë t’i thuash troç gjërat, me emër dhe mbiemër. Dhe, pra të flasim troç, shqiptarët janë mërzitur me gjuhën e magjistricave të Makbethit që prej vitesh diplomacia perëndimore përdor kur është fjala për të bërë vlerësime për Shqipërinë, një gjuhë që nuk e ndan kurrë shapin nga sheqeri, të drejtën nga e shtrembra, por i fut të gjitha në një thes.

Edhe për problemin më të rëndësishëm të ditës në Shqipëri, reformën në drejtësi, të flasësh “shqip” do të thotë të thuash se kush është ai politikan dhe ajo forcë politike që ka dalë kundër kësaj reforme duke e zvarritur me lloj lloj pretekstesh. Do të thotë të thuash kush është ajo parti, ai lidership që “i merakosur” se reforma, edhe pse e hartuar me ndihmën më të kualifikuar të ekspertëve ndërkombëtarë, na çoka në kapjen e gjyqësorit nga rivali politik dhe, prandaj, si zgjidhje propozon që partitë të kenë më shumë dorë në emërimet në instancat e gjyqësorit. Shkurt, propozon t’i varen përsëri mëlçitë e qengjit të drejtësisë në qafën e ujkut të politikës!

Zhvillimet e ditëve të fundit, madje të orëve të fundit, kanë treguar se pengesë e reformës është PD, lideri i saj real Berisha dhe, për rrjedhojë, edhe ai formal, Basha. Për këtë flasin edhe vizitat e dendura të Lu dhe Vlahutin në zyrat e PD si dhe telefonata nga Uashingtoni me Bashën dhe Berishën. Ndërkombëtarët nuk e thonë këtë të vërtetë, dhe nuk bëjnë mirë, por është dinamika e veprimeve të tyre që e denoncon. Por frika më e madhe është se mos, të ndodhur nën presionin e Berishës dhe frika e kotë se mos destabilizon Shqipërinë, bëjnë në tryezën e nesërme të bisedimeve ca lëshime (“shqip” kësaj i thonë hapi rrugë budallait dhe mjerisht ka ndodhur edhe më parë) që mund ta zhvleftësojnë reformën duke e lënë drejtësinë përsëri nën kthetrat e politikanëve të korruptuar si Berisha. Nëse ndërkombëtarët, edhe Lu bashkë me ta, tolerojnë të ndodhë një gjë e tillë si edhe në të kaluarën për të shpëtuar “stabilitetin”, kjo do të ishte në kundërshtim me zërin e popullit që do drejtësi të pavarur nga politika.

Nuk mund të kontribuosh për drejtësinë, nëse nuk mbështetesh fort tek e vërteta. E vërteta është mjeti për të arritur te drejtësia. E fshehe, e sakrifikove, e censurove të vërtetën, mos prit të triumfojë jo drejtësia, por as reforma në drejtësi. Prandaj, e vërteta duhet thënë shqip, troç! Por shqiptarët nuk ndihmohen të kuptojnë se si është e vërteta nëse edhe diplomatët e huaj flasin me terma të përgjithshëm, si edhe ambasadori Lu në fjalimin e fundit, duke fajësuar “klasën politike” në tërësi. Kjo do të thotë që të fajësosh të gjithë dhe askënd. Kjo do të thotë t’i japësh mundësi çdo politikani të korruptuar të shfajësohet (taktikë e vjetër kjo në Shqipëri) duke treguar me gisht rivalin. Por do të thotë edhe më keq. Do të thotë që të fusësh në një thes me të korruptuarit edhe politikanë që nuk janë të korruptuar. Se jo të gjithë janë të korruptuar. Pra, do të thotë të bësh padrejtësi. Një kosto e rëndë që vjen nga refuzimi për ta thënë të vërtetën troç.

Dhe për hir të së vërtetës duhet të themi se Lu ka folur një herë troç. Atëherë kur denoncoi, dhe shumë mirë bëri, me emër dhe mbiemër prezencën e disa deputetëve të majtë të kriminalizuar në Kuvend. Por, po për hir të së vërtetës, duhet të themi se kemi mbetur ende në nivele relativisht të ulëta të politikës. Qielli i pandëshkueshmërisë nuk është prekur. Ambasadori Lu foli “shqip” kur atë që bëri Shukriu e quajti një krim të tmerrshëm. Po a ka një kategori më të tmerrshme se e tmerrshmja për të klasifikuar krimin e vrasjes së protestuesve paqësorë me plumba luftarakë? E pra, ky është një krim edhe më i tmerrshëm i bërë nën qeverisjen e Berishës dhe Bashës me të cilët, ndërkombëtarët dhe Lu, shpresojnë të finalizojnë një reformë që duhet të pjellë një drejtësi që nuk mund të mos ndëshkojë këtë krim, pra Berishën dhe Bashën. Pa fjalë që vrasja është një krim shumë më i tmerrshëm se shfrytëzimi i postit për seks. Në rastin në fjalë, krimin e vrasjes në Gërdec apo 21 Janar, e bën edhe më të tmerrshëm, jo thjesht në pikëpamje etike por edhe politike, pandëshkueshmëria e tij. Ai është një krim që vazhdon të vrasë. Konkretisht, rrezikon të vrasë reformën në drejtësi. Është e habitshme që ndërsa tmerrohet nga krimi i Shukriut, ambasadori Lu nuk tmerrohet nga një gjasë e tillë. Por bën sikur nuk e shikon dhe nuk flet “shqip” për të.

Bosët e krimit të integruar në botën e politikës mbeten në nivelet më të larta të saj. Te udhëheqësit politikë. Te ata që, siç e pranon edhe vetë Lu, kanë problemet më të mëdha me korrupsionin. Aty është edhe pandëshkueshmëria. Pikërisht për këta duhet folur “shqip”. Sepse janë pikërisht këta që po e kanë bllokuar reformën në drejtësi. Dhe më e keqja është se vetë ambasadori Lu, shpresën për reformën në drejtësi e ka bazuar më së shumti tek këta udhëheqës të painteresuar që të ketë drejtësi në Shqipëri. Ky është paradoksi që po shohim të na shpaloset para syve.

Edhe më sëkëlldisëse në fjalën e Lu-së ishte prania e një lloj moralizimi shterpë i tipit: Ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të dëgjojnë zërin e popullit (por nuk e kish fjalën për gazetën e PS) që e ka kuptuar se “problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit, doganierët”.

Po pse paska ardhur koha tani, dhe jo më parë, që politikanët të dëgjojnë popullin? Dhe akoma më keq, cili është ai shkak, ajo arsye, ai nxitës që, befas, do bëjë që politikanë që nuk e kanë dëgjuar zërin e popullit prej 25 vjetësh, t’ia vënë veshin sot? Mos vallë ngaqë këtë porosi morale e jep ambasadori i SHBA?! Vërtet Lu beson se politikanët shqiptarë nuk e dëgjojnë popullin nga që nuk janë instruktuar sa duhet moralisht?!

Këshilla të tilla janë të kota. Ato shprehin edhe moskuptimin e ndikimit që ka mungesa e drejtësisë mbi sjelljen politike. Sepse ambasadori Lu i këshillon politikanëve shqiptarë të sillen në një mënyrë që është e mundur vetëm në një shtet me drejtësi të pavarur. Të sillen si në një shtet ku politikani që nuk dëgjon zërin e popullit por abuzon me detyrën dhe vjedh paranë publike, ndëshkohet dhe largohet nga politika për të përfunduar atje ku e meriton. Si në një shtet ku njerëzit të mbrojtur në të drejtat e tyre të punës, të pronës, të jetës nuk bëhen klientë të bindur të partive politike duke votuar me dekada të tëra politikanë të korruptuar që pasurohen duke vjedhur paratë e spitaleve, shkollave dhe rrugëve.

Edhe personalisht, në një bisedë me një diplomat të huaj, konstatova me habi doza të këtij moskuptimi mbi ndikimin që drejtësia e pavarur ka në çdo qelizë të jetës, në sjelljen e çdo njeriu, çdo politikani, çdo partie dhe lideri. Po flisnim mbi rrugët se si mund të dilet nga ky kurth ku ka rënë vendi, nga degradimi i partive politike, nga klientelizmi skllavërues, nga korrupsioni dhe unë, si zgjidhje, kthehesha e rikthehesha te nevoja e drejtësisë së pavarur. Por ai përsëri në një vrimë: Mirë, mirë po si i bëhet për të dalë nga kjo gjendje? Nuk e kuptonte se gjendja që jemi është pikërisht gjendja njerëzore në një shtet pa drejtësi dhe se që të kapërcehet kjo gjendje, duhet bërë shtet me drejtësi. S’ka rrugë tjetër.

Një shtet i tillë nuk ekziston dhe, gjë që e vështirëson edhe më shumë punën, nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri. Prandaj, pavarësisht nga moralizimet e Lu apo kujtdo tjetër, politikanët e korruptuar do vazhdojnë të mos e dëgjojnë zërin e popullit që do drejtësi, duke e penguar reformën në drejtësi. Po ashtu edhe “populli shqiptar”, sado respekt të ketë Lu për të, do vazhdojë të votojë po ata politikanë të korruptuar që e mashtrojnë, e rrjepin, e përdhunojnë. A i keni dëgjuar z.ambasador se si politikanë të korruptuar, si Berisha dhe Basha, sugjerojnë jo reformë në drejtësi, por zgjedhje të reja? Zgjedhjet kanë më shumë rëndësi! – thonë. A thua nuk e kuptojnë se rrënja e korruptimit të votës është, po ashtu, mungesa e drejtësisë? Dhe a do ta bënin një gjë të tillë nëse qoftë edhe një pjesë e popullit tonë, që i kupton punët kaq mirë, nuk do t’i votonte? Në fakt nuk është fare punë kuptimi. Është punë gjendjeje. Prandaj, pavarësisht moralizimeve, kështu do të ndodhë deri ditën kur drejtësia, prokuroria, gjykatat, do të çlirohen nga vargonjtë që ju ka hedhur politika për t’u shndërruar në mburojë të shqiptarëve përballë politikës. Atëherë, shqiptarët do të bëhen qytetarë, realisht të lirë. Vërtet guximtarë. Por deri atëherë, politikanë e liderë të korruptuar, do përdorin demokracinë kundër drejtësisë, votën që ja u ka dhënë populli apo e kanë vjedhur, kundër asaj që do populli. Do kërkojnë jo drejtësi por zgjedhje. Thjesht për të ndërruar kuajt në karrocën e pushteteve që nuk mund të mos korruptohen. Pse? Sepse nuk ka drejtësi.

Në fjalimin e ambasadorit Lu kish edhe diçka që konflikton me dedikimin e tij të shpalosur lidhur me reformën në drejtësi. Ai me të drejtë nënvizon konstatimin e shqiptarëve, se problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike por, siç nënvizuam edhe për sipër, vërejmë se shpresën më të madhe për kalimin e reformës në drejtësi e ka mbështetur, dhe jo vetëm ai, tek bashkëpunimi me ta. Mbështetja popullore për reformën në drejtësi mbetet vetëm statistikore, në vëzhgimet e IDRA’s, por jo e organizuar. Asgjë nuk është bërë nga ndërkombëtarët, që financojnë një rrjet të gjerë të shoqërisë civile, për të mobilizuar opinionin në mbështetje të organizuar për reformën si mjet i efektshëm presioni publik e qytetar mbi udhëheqësit e korruptuar politikë që duan ta pengojnë atë. E kam konstatuar një mangësi të tillë në një shkrim timin më të hershëm por, mesa duket (dhe meqenëse unë si një gazetar i thjeshtë ruaj të drejtën ta quaj veten “popull”), edhe ambasadori Lu nuk e përgjon me aq kujdes zërin e popullit shqiptar.

 

June 5, 2016 00:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*