Piratët e Karaburunit

August 6, 2014 01:55

Piratët e Karaburunit

Po Kuislingët?  (ose kontradiktat e një hetimi të beftë) 

REDAKSIONAL

Prokuroria shqiptare do hetojë penalisht marrëveshjen detare me Greqinë. Të ratifikuar nga qeveria Berisha në vitin 2009, por e rrëzuar nga Kushtetuesja më Prill 2010. Tingëllon si impuls i mirë nga prokuroria, në dukje. Prokurorinë e vuri në lëvizje në Maj të këtij viti, ministri i Jashtëm Bushati. Ai nisi një korrespondencë me këtë institucion, duke parashtruar argumente dhe fakte, me të cilat synonte nisjen e hetimeve. Në finale, organi i akuzës i gjeti të arsyeshme dhe të mjaftueshme propozimet e ministrit, në justifikimin e një procedimi penal që nisi dje. Kanë dalë dhe emrat e 11 (ish)zyrtarëve të ministrisë së Jashtme, që kanë qenë në fakt dhe personat që negociuan dhe hartuan marrëveshjen që më pas u hodh poshtë. Prokuroria nuk konfirmoi dje nëse ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha do të ishte një person nën hetim për këtë çështje. Në fakt nuk ka nevojë fare as ta konfirmojë, as ta mohojë dhe as ta pohojë. Vetë fakti që ky hetim nis, kështu siç ka nisur, flet vetë për cilësinë e tij, por dhe për preludin e tij. E kanë nisur nga një grup specialistësh, e nëpunësish që në fakt nuk kanë qenë gjë tjetër veçse urdhër-zbatues, pasi marrëveshja ka pasur një trajektore të qartë, që i ndan qartë përgjegjësit, nuk ka nevojë fare për hetime, kjo nuk është çështja e grabitjes së ndonjë trualli me falsifikime, por një çështje e qartë ku ish-kryeministri, ish-ministri i Jashtëm, ish-ministri i Mbrojtjes, vepruan si një bandë në fshehtësi dhe negociuan sërish si një bandë, dhënien e territorit shqiptar sikur të ishte ndonjë copë kullote që e kishin trashëguar nga baba. Greqia nisi negociatat dhe bëri kërkesën në Shqipëri, fill pasi kërkimet shkencore në det zbuluan sasi të jashtëzakonshme gazi natyror. Marrëveshja dhe koordinatat që synonte shteti grek si territor kufitar, “krejt rastësisht” përkonin dhe me “llokmën e gazit natyror”. Por nëse grekët luanin fort për interesat e tyre, ishte detyra e qeverisë sonë që të bënte të njëjtën gjë. Rezultoi se jo vetëm nuk e bënë, por ngulmuan deri në fund, në dëm të interesit shtetëror shqiptar. Pasi kryen negociatat dhe firmosën marrëveshjen në fshehtësinë më të madhe, PS-ja e goditi këtë marrëveshje në Kushtetuese. Vendimi i Kushtetueses zbardhi ndërkohë dhe disa skandale, të paimagjinueshme, që i bënin Republikat e Bananeve të dukeshin lule para nesh. Më së pari, gjithë procesi u krye nga një grusht njerëzish në Ministrinë e Jashtme, u shmang autorizimi i grupit të punës nga Presidenti i Republikës, asokohe Bamir Topi. Ky veprim nuk ishte thjesht një shmangie Kushtetuese, por ishte njëfarësoj komploti i paramenduar, pasi Presidenti përfaqëson garantin, unitetin e popullit, e shmangia e tij ishte një lojë e rëndë. Këtë lojë të rëndë e mbrojti deri në fund dhe Berisha dhe Basha dhe Imami në qëndrimin e mbajtur në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër në pretendimet e Bashës në këtë gjykatë, bisedimet dhe marrëveshja konsideroheshin sekret shtetëror, ndërsa Berisha nëpërmjet juristëve të vet shprehej se kushdo mund të merrte informacion nëse e kërkonte. Kjo është një tjetër kontradiktë që ngre shumë pikëpyetje dhe që i nxjerr ata zbuluar. Nga ana tjetër, ish-qeveria e justifikonte  mosvënien në dispozicion të hartave të detajuara si një “veprim të tepërt”, sepse sipas tyre derisa koordinatat ishin dhënë dhe deri sa ekziston interneti dhe “google map” (hartat dixhitale) nuk kishte nevojë për harta. Është i paprecedentë ky justifikim nga ish-qeveria në Kushtetuese për një çështje kaq jetike për vendin. Por gafat dhe qëndrimet e paprecedenta deri në fund të Berishës, Bashës, Imamit etj. për këtë çështje, morën përgjigjen në Kushtetuese.

Kjo histori pati heronjtë e vet, ndër media, ndër specialistë, ku spikaste Myslym Pasha, por dhe në politikë. Sikundër ka pasur dhe heronjtë e vet të heshtur, ndoshta më të rëndësishmit e kësaj historie. Në prapaskenë lëvizjet mund të kenë qenë më intensive nga sa dukej. Në rangjet politike prej kohësh qarkullonte një informacion se ndërsa ishin duke përgatitur vendimin, dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, u vunë në pozita shantazhi, nga pala e interesuar që marrëveshja të mos cenohej. U desh ndërhyrja e Shërbimit Informativ (asokohe drejtohej nga Bahri Shaqiri) dhe shërbimeve të shteteve partnere që gjykatësit të merreshin në mbrojtje dhe të punonin të qetë. Nga ana tjetër shumë nga specialistët e Bashës që kopsitën letrat e marrëveshjes, më pas u graduan, ecën mirë në karrierë. Janë të njëjtët specialistë që sot janë nën vëmendjen e prokurorisë. Por nuk janë ata problemi. Arbitrariteti kësaj here është kaq i qartë dhe është atje lart, në maja, tek Berisha dhe Basha. Janë sjellë si dy kuislingë perfektë nga fillimi deri në fund me këtë histori. Janë kaq zbuluar, sa që çdo përpjekje për t’i justifikuar këto hetime me ndonjë kokë turku, do ishte një turp më vete. Muhabeti ka kokë, ndërsa kokat e kësaj tradhtie demonstrative kombëtare, janë dy kuislingët 2B, Berisha-Basha. Orientimi i hetimeve drejt shegertëve  të tyre të dikurshëm, nuk do ishte thjesht një hetim i mangët, por në thelb do ishte një shërbim ndaj dyshes kuislinge.

***

Pakti detar me Greqinë, nisin zyrtarisht hetimet

Gati 2 muaj nga deklarata e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, që prokuroria duhet të hetojë marrëveshjen e detit me Greqinë, organi i hetimit ka hedhur hapat e para.

Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se është regjistruar procedim penal pikërisht për paktin, të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi me vota unanime 9-0, pasi ishte shkelur Kushtetuta e vendit. Burimet sqarojnë se periudha prej dy muajsh ka shërbyer për Prokurorinë për të mbledhur informacione, nga ku është arritur në përfundimin se ka pasur shkelje të ligjit gjatë hartimit të paktit nga grupi negociator shqiptar. Të njëjtat burime kanë pohuar se 11 pjesëtarët e grupit negociator do të thirren në prokurori për të sqaruar pozicionin e tyre në hartimin e marrëveshjes, e cila më pas u konstatua nga Gjykata Supreme e vendit tonë me shkelje të rënda  proceduriale dhe thelbësore, që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën  ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit të vitit 1982.harta e ujrave detare 1

Mes ekspertëve, që do të thirren për t’u pyetur, janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë me detyrë zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale. Për momentin, prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e zyrtarit që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis.

Kjo, pasi sipas burimeve, është ende herët për ta konfirmuar diçka të tillë, pa përfunduar me pyetjen e 11 ekspertëve.

Ndëshkimi ligjor

Në kodin penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufijtë detarë mes dy vendeve u nënshkrua me 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asokohe, Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, aktualisht kryetar i opozitës.

Marrëveshja e prillit 2010 hapi debate të forta politike, ku Partia Socialiste në atë kohë në opozitë, e çoi në Gjykatë Kushtetuese, atje ku dhe u rrëzua si pakt mes vendeve. Debati i fortë u hap dhe në shoqërinë civile, e cila reagoi fort me protesta dhe peticione. Zërat kundër paktit asokohe, por edhe sot, pretendojnë se shtetit grek iu falën qindra kilometra katrorë det dhe se ishte prekur sovraniteti territorial i vendit.

“Prokurori i Përgjithshëm ka të gjithë dokumentacionin përkatës, ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dorë, ka praktikën e së drejtës ndërkombëtare, e cila konsiderohet tërësisht e shkelur nga gjykata…”, kishte thënë Ditmir Bushati në muajin Maj.

Ekspertët që do të thërriten nga prokuroria:

Ferit Hoxha

Ish-Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së, aktualisht ambasador i Shqipërisë në OKB

Gazmend Turdiu

Ish-Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore

Ilir Tepelena

Ish-Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale

Ledia Hysi

Ish-Drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare

Suela Ibrahimi

Specialiste në MPJ në çështjet juridike

Enkeleda Mërkuri

Specialiste në MPJ në çështjet rajonale

Kristaq Gerveni

Ish-Komandant i Flotës Detare, ish zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO

Miranda Zeka

Ish-Drejtoresha e Institutit Gjeografik të Ushtrisë

Anduel Cauli

Përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale në Ministrinë e Mbrojtjes

Ferdinand Berberi

Ish-Përgjegjës i sektorit të fotogrametrisë në Ministrinë e Mbrojtjes

Kenar Muço

Ish-Drejtor i Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin

Informacion nga Prokuroria e Tiranës

Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë shkresën e dt. 28.05.2014 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me procesin e negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për de-limitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, nënshkruar më 29.04.2009. Në këtë korrespondencë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh dyshimin se ka elemente të veprës penale sipas nenit 210 të Kodit Penal.

Referuar vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se janë konstatuar shkelje sa i përket procedurës dhe përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, duke pas-sjellë cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Për shkak të shkeljeve të konstatuara me vendimin nr. 15, të vitit 2010 kjo Gjykatë e ka deklaruar si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për de-limitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Nga sa më lart rezulton se, është e domosdoshme regjistrimi i procedimit penal për hetimin e kryerjes së veprës penale “Marrëveshje për dorëzim territori” të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal.

Për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe veprës penale si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të personit/ave që ka/kanë kryer veprën penale është e domosdoshme kryerja e hetimeve të nevojshme të lidhura me ushtrimin e ndjekjes penale.

Kushtetuesja: U shmang Presidenti

“Gjykata vlerëson se mos-pajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë cenimin e kompetencës së kreut të shtetit si organi kompetent për përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me jashtë. Mungesa e plotfuqisë së rregullt nga delegacioni shqiptar bie ndesh me kuadrin e brendshëm kushtetues dhe ligjor lidhur me përcaktimin e kritereve formale për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Si rrjedhojë, kjo papajtueshmëri prek edhe thelbin e marrëveshjes së lidhur nga shteti shqiptar, i cili, në çdo rast, duhet të shprehë vullnetin e tij në përputhje me kërkesat e legjislacionit të brendshëm”.

Ministria e Punëve të Jashtme: “Ishte sekret shtetëror”

Nuk qëndron pretendimi se negocimet janë bërë në kohë të shkurtër dhe në mungesë të plotë të transparencës. Bisedimet për lidhjen e kësaj marrëveshjeje kanë filluar që prej vitit 2006 dhe me Urdhrin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007, për këtë qëllim, u krijuar grupi ndërinstitucional i punës. Janë zhvilluar mjaft raunde bisedimesh dhe e gjithë procedura e negocimit deri në përgatitjen përfundimtare të marrëveshjes, është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe praktikën diplomatike. Megjithëse bisedimet diplomatike të kësaj natyre janë përherë të rezervuara për publikun, kur ka pasur kërkesë për informacion, ai është dhënë në përputhje me ligjin nr.8457, dt.11.2.1999 “Për klasifikimin e informacionit “sekret shtetëror”

Kryeministria: “Nuk ishte sekret shtetëror”

Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale, përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.

Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje. (Pra nuk ka qenë sekret shtetëror, shën. redaks.)

August 6, 2014 01:55
Komento

3 Komente

  1. Meteh August 6, 09:01

    KRYEPREKURORI:Te vendos piken mbi “I”.Ti kerkoi kuvendit per heqjen e imunitetit te Saliut dhe te fut ne list 2B,ndryshe mazhoranca duhet ta shporri ate te parin nga ajo karrige,ku po mban peng nje mal me dosje pezull.K/Prekuror duhet te vendoset nje trim,kurajoz i pakompromentuar.Ketu do fillojne dishezat e SALIUT & CO.Ndryshe ky vend nuk behet.

    Reply to this comment
  2. panaoram August 6, 22:48

    FULLAN BERISHA ESHTE MASONERIA ALBANEZE.CONTROL MIND ME ANE TE PARAVE.

    Reply to this comment
  3. Ersaersa August 6, 23:52

    Skuthat qe jane ne krye te PD-se e ndjejne se po u afrohet dita e gjykimit ndaj kerkojne rremuje,te fusin popullin ne sherr qe te perfitojne vete!
    Vdiqen jo vetem per karrigen e pushtetit por edhe te fshehin zullumet qe kane bere gjate kohes kur”mbreteronin”!
    Mos te harrojne se u pasuruan edhe me pronat tona qe i turperofte e i denofte Zoti!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*