Si mund të ndryshojë shëndetësia?

Erion Dasho* January 6, 2015 01:28

Si mund të ndryshojë shëndetësia?

Kush është fajtori?

Ky titull i një emisioni policesk që shfaqej shumë vite më parë në televizionet italiane, më vjen ndër mend sa herë që në Shqipëri nisin përpjekje reformuese të cilitdo sektori. Çdo reformë nis duke kërkuar fajtorët (jo përgjegjësit) dhe rëndom gishti drejtohet mbi aktorët e sistemit që synohet të reformohet. Në rastin e sistemit të drejtësisë, fajtorë janë gjykatësit, në rastin e sistemit arsimor, mësuesit, ndërsa kur analizohet shëndetësia, fajtorë të preferuar janë mjekët! Mjeku është fajtor për rryshfetet! Mjeku është fajtor për mjekimin e pakujdesshëm! Mjeku është fajtor që pacienti detyrohet të blejë medikamente në farmaci! Mjeku është fajtor se i duhet të punojë në sektorin publik dhe atë privat për të siguruar të ardhurat që i nevojiten për të jetuar! Ky përafrim simplicist dhe aspak i drejtë ka bërë që shoqëria shqiptare të tërheqë zvarrë tash e njëzet vjet një sistem shëndetësor publik të cilin askush nuk e pëlqen dhe të cilin po e braktis kushdo që e ka luksin ta bëjë një gjë të tillë.

Burimet e pamjaftueshme

Për të prodhuar shëndet, nevojitet një amalgamë burimesh njerëzore, financiare dhe materiale. Nevojitet edhe një sistem, pra një tërësi komponentësh ndërveprues që i harmonizojnë këto burime drejt qëllimit madhor – ofrimit të kujdesit shëndetësor parandalues, kurues, rehabilitues ose lehtësues. Fatkeqësisht asnjë prej këtyre burimeve nuk është në dorën e mjekëve. Arsimi mjekësor, “prodhuesi” i burimeve njerëzore, ka mbi njëzet vjet që është në krizë dhe, rrjedhimisht, nuk mund të prodhojë profesionistë të aftë. Superprodhimi paralel i infermierëve, stomatologëve dhe farmacistëve nga universitetet private nuk ka nevojë të komentohet. Për sa i takon burimeve financiare, sistemi ynë shëndetësor publik financohet më pak se një spital i zakonshëm rajonal (jo universitar) në një vend europian! Për sa i takon burimeve materiale, fjalët janë të tepërta; mjafton të shihen spitalet shqiptare duke filluar nga ato universitare dhe duke përfunduar në qendrat shëndetësore, si dhe pajisjet që disponojnë (apo që nuk disponojnë).

Përfundimi është i qartë: Shoqëria shqiptare nuk ka burime të mjaftueshme njerëzore, financiare apo materiale për të prodhuar shërbim shëndetësor adekuat. Këtë duhet ta kenë të qartë, në radhë të parë, pacientët, të cilët e ndjejnë në kurrizin e tyre këtë përfundim sa herë që përplasen me sistemin shëndetësor publik. Së dyti, këtë duhet ta kenë të qartë politikë-bërësit dhe politikanët, të cilët duhet të ndërgjegjësohen se sistemi shëndetësor nuk mund të rindërtohet brenda ditës, muajit apo vitit edhe vetëm për shkak të mungesës së burimeve. Në rastin më të mirë (nënkupto: kur të hartohen strategji vizionare dhe realiste) duhet të kalojnë vite që shqiptarët të mund t’i gëzohen një sistemi shëndetësor publik që adreson dhe u përgjigjet nevojave të tyre shëndetësore. Nëse dikujt kjo deklaratë i duket pesimiste, duhet kujtuar se për të prodhuar një mjek të aftë nevojiten të paktën njëzet vjet: 6 vjet për arsimin universitar, 4 vjet për arsimin pasuniversitar dhe, të paktën, dhjetë vjet përvojë në një mjedis pune mbështetës. Nëse themi se arsimi ynë mjekësor ende nuk ka hyrë në binarë, kuptohet se burimet njerëzore, në mungesë të importimit (çka ngjan i pamundur në kushtet kur edhe ato pak burime cilësore që ne prodhojmë tentojnë të eksportohen), do të kërkojnë më shumë se njëzet vjet të prodhohen. Burimet financiare po ashtu; edhe sikur buxheti publik për shëndetësinë të dy – ose trefishohet, përsëri ai do të mbetet i pamjaftueshëm dhe duhet të kalojnë dekada të tëra që buxheti për shëndetësinë të arrijë në nivele dinjitoze. I njëjti përfundim mund të arrihet edhe për burimet materiale, sidomos për institucionet e rrënuara, apo pajisjet e amortizuara.

Reforma e munguar

Mjafton t’i hedhësh një sy të shpejtë mjedisit shoqëror në Shqipëri për të kuptuar se sistemi shëndetësor nuk është i vetmi sistem që çalon. Sistemi i drejtësisë, i arsimit, i mjedisit, i mbështetjes sociale janë po aq problematikë, dikush më shumë dhe dikush më pak. Në një shoqëri ku problemet janë universale, është e padrejtë të kërkosh fajtorë apo përgjegjësi sektoriale, aq më tepër individuale. Mungesa e një reformimi të thellë të shoqërisë mbetet arsyeja kryesore për situatën e krijuar në gjithë sektorët dhe përgjegjësia për kryerjen e reformës është mbarëshoqërore duke nisur nga klasa politike dhe duke përfunduar tek qytetarët. Në sistemin shëndetësor, për më shumë se njëzet vjet, nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze reformimi. Për nga mendësia, shëndetësia shqiptare drejtohet ende njëlloj si shëndetësia në sistemin Semashko të kohës së socializmit.

Më konkretisht, sistemi shëndetësor ka ende reminishenca të rretheve të dikurshme megjithëse kanë kaluar dy ose tre reforma territoriale që prej vitit të largët 1990. Shpërndarja e burimeve njerëzore, financiare dhe materiale bëhet në mënyrë vertikale dhe piramidale, ku përpjekjet e njëpasnjëshme për autonomi kanë dështuar ose nuk kanë arritur të materializohen plotësisht. Spitalet që shpenzojnë pjesën dërrmuese të burimeve, financohen ende me buxhete historike, çka nuk i stimulon ato aspak për përmirësim të cilësisë apo rritje të performancës. Personeli paguhet me rroga fikse pavarësisht nga volumi i punës që kryen. Për të mos hyrë në hollësi siç janë mungesa kronike e medikamenteve dhe materialeve të konsumit, mungesa e protokolleve mjekësore, mungesa e sistemeve elektronike të menaxhimit të informacionit shëndetësor, etj, etj.

Fajtorë apo viktima?

Viktimat e gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor janë po ata që kanë përgjegjësinë për situatën e krijuar, por të renditur në sensin invers. Të parët në radhën e viktimave janë qytetarët, të cilët marrin kujdes shëndetësor jo cilësor, shëndeti i të cilëve shpesh dëmtohet gjatë ndërveprimit me sistemin shëndetësor, të cilët jo rrallë vdesin për shkaqe banale dhe totalisht të mënjanueshme. Menjëherë pas pacientëve në radhën e viktimave vijnë mjekët dhe personeli tjetër mjekësor. Ata punojnë në kushte të paimagjinueshme për kolegët e vendeve të tjera europiane, me mungesë të pajisjeve diagnostikuese, protokolleve, medikamenteve dhe, herë pas here, edhe të kushteve më elementare siç janë dorezat, dezinfektantët apo uji i rrjedhshëm. Pagat e tyre janë tepër të ulëta dhe, pavarësisht nga mitet urbane, përfituesit e rryshfeteve nuk janë veçse një përqindje e vogël e personelit mjekësor. Padyshim ka mjekë dhe infermierë që terrorizojnë pacientët, por ata janë një fraksion në raport me mijëra mjekët dhe infermierët që asnjëherë nuk kanë hapur gojën për të kërkuar rryshfet. Padyshim ka mjekë dhe infermierë që kanë hyrë në pazare tregtie me rrjetin e shërbimeve shëndetësore private, por këta janë një fraksion akoma më i vogël.

I pëlqen apo jo shoqërisë shqiptare, sidomos asaj pjese të shoqërisë që po përpiqet me çdo mënyrë ta demonizojë bluzën e bardhë, përfundimi është se personeli shëndetësor nuk është fajtor, por viktimë e gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor. Mjekët nuk janë pjesa më e korruptuar e shoqërisë. Mjekët “fatlumë” të cilëve u ka qëlluar të kenë një specialitet të “marketueshëm”, mund të kenë ndonjë apartament në bregdet, por pjesa dërrmuese e mjekëve ndodhen në të njëjtën pozitë me pacientët e tyre. Ata, sikundër gjithë qytetarët shqiptarë, presin shumë nga reforma në sistemin e shëndetësisë dhe kjo është arsyeja përse reforma nuk duhet të shohë tek personeli mjekësor një “fajtor” apo një “kundërshtar”, por një aleat.

Rrugëzgjidhjet

Për të adresuar një problem ka dy përafrime. Përafrimi i parë, të cilin në mjekësi e quajmë “simptomatik” është lehtësimi i pasojave negative që problemi në fjalë ka shkaktuar. Përafrimi tjetër, të cilin politikë-bërësit e quajnë “strategjik” ka të bëjë me adresimin e shkaqeve që kanë çuar në situatën problematike në fjalë. Për vetë situatën ku ndodhet shëndetësia shqiptare, luksi i një përafrimi simptomatik është i pamundur dhe nuk do të çojë askund. E vetmja zgjidhje është të bëhen reforma sa më pranë “burimit” aty ku një ndryshim i vogël, por i mirëmenduar mund të japë rezultate të jashtëzakonshme në sistem.

Reforma shëndetësore nuk ka receta dhe zgjidhje të thjeshta, por një shembull i masave që mund të pasohen nga rezultate pozitive është autonomia e institucioneve shëndetësore, një mendësi që do ta ndante njëherë e mirë sistemin shëndetësor nga sistemi i dikurshëm Semashko. Një tjetër shembull është zhvendosja e fokusit drejt mjekësisë së familjes dhe asaj parandaluese. Këto dy masa – autonomia dhe prioritizimi në shpërndarjen e burimeve – janë të afta që të ndryshojnë platformën ku ofrohen shërbimet shëndetësore dhe të ofrojnë një kuadër rregullator ku optimizohen burimet e nevojshme për të “prodhuar” shëndet për qytetarët shqiptarë. Logjika është e thjeshtë: Forcimi i mjekësisë së familjes dhe asaj parandaluese do të bëjë që pak pacientë t’i drejtohen spitaleve dhe autonomizimi i këtyre të fundit do të bëjë që burimet e tyre të krijohen më lehtë dhe të menaxhohen me efiçencë më të lartë.

Përfundim

Reforma e shëndetësisë nuk mund të fillojë nga mjekët dhe nga spitalet; ajo duhet të nisë nga politikë-bërja! Reforma kërkon ide të qarta dhe vendosmëri për t’i zbatuar ato në praktikë. Mund të duket jashtë realitetit politik shqiptar, por si rregull, reformat e suksesshme shëndetësore janë mbarëshoqërore dhe të shkëputura nga politika e ditës. Mjafton të merret shembulli amerikan për të parë se ç’ndodh me një reformë shëndetësore që nuk ka mbështetje politike bi-partizane. Një reformë shëndetësore që vjen si konsensus i krejt klasës politike shqiptare, me pjesëmarrje të gjerë nga grupet e interesit, që vendos në qendër qytetarin dhe nevojat e tij, është e vetmja rrugëzgjidhje për të krijuar një sistem shëndetësor cilësor, të sigurt, të aksesueshëm, efektiv dhe efiçent. Kësisoj, ndoshta pas njëzet apo tridhjetë vjetësh, edhe ne, shqiptarët, do t’i gëzohemi një sistemi shëndetësor për të qenë.

*Mjek

Erion Dasho* January 6, 2015 01:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*