AI…

Viktor Malaj November 6, 2015 06:54

AI…

Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar në të, jo aq për shkak të njerëzve të këqinj sa për shkak të njerëzve që s’bëjnë asgjë kundër kësaj të keqeje”./Albert Einstein

Ai është përgjithësisht i seksit mashkull, i moshës 25 deri 45 vjeç, i shëndoshë, me forma të parregullta dhe aspak simetrike të kokës, më së shumti i parruar, me një ecje aspak elegante pasi, ose ka ardhur vonë nga fshati me terren të thyer ku është lindur e rritur, ose vjen nga një jetë aspak e qetë dhe as e programuar qytetare. Aimund të jetë nga veriu por, po ashtu, mund të vijë nga jugu, nga lindja apo nga rrethinat e kryeqytetit. Kjo nuk ka rëndësi pasi, pavarësisht nga është, sjellja dhe e folura e tij kanë të njëjtat tipare dhe shformime si të sivëllezërve të tij nga zonat e tjera.

Përgjithësisht, arsimi i mungon dhe e folura e tij nuk është as letrare, as dialektore. Është një mbllaçitje e vazhdueshme që prodhon një fjalor banal dhe një grumbull tingujsh, që nuk formojnë fjalë, të pavolitshëm për çfarëdo pentagrami muzikor. Një përzierje fjalësh dhe tingujsh të gjithfarëllojshme që i ngjan larushisë së sendeve pa vlerë që ndodhen në çantën e një lypësi fshati. Nuk e ka ndier asnjëherë nevojën e shkollimit. Shkolla dhe librat i kanë sjellë gjithnjë bezdi. Mësuesin e ka parë si një polic arrogant dhe shkollën e ka krahasuar gjithnjë me një burg për fëmijë. Ata që studiojnë rregullisht i ka quajtur me përçmim herë si murgj, herë si të marrë që vetëburgosen pa pasur nevojë, kur në këtë botë mund të rrohet edhe pa vrarë mendjen dhe prishur gjumin e mëngjesit, madje edhe më mirë se i shkolluar, mjafton të jesh “i zgjuar” dhe nëntëdhjetenëntësh, si Ai.

Për të shprehur mirënjohjen ndaj kohës që e ka prodhuar, uron: “Rroftë demokracia!”. Kjo është shprehja që Ai e përsërit aty-këtu. Po ta pyesësh për domethënien e kësaj fjale, vrenjtet që ti të kuptosh se pyetja vë në dyshim dijet e tij dhe kjo është e papranueshme për të. Ai bezdiset nga pyetje të kësaj natyre dhe, kur nuk reagon siç thamë, përgjigjet shkurt: “Demokracia është kjo kohë që na lë të bëjmë çfarë duam dhe të pasurohemi aq sa duam”. Sivëllezërit e tij e argëtojnë shumë kur ia lëvdojnë këtë përgjigje si “lakonike” apo “akademike”. Po ta pyesësh rreth profesionit dhe punës që bën, Ai të sheh vëngër dhe të lë të kuptosh se nuk duhet ta përsëritësh më këtë pyetje të gabuar, që nuk i shkon as atij, as kohës që jetojmë. Prandaj, duhet t’i thuash: “Më fal zotëri!”. Po, ky është njëri prej zotërinjve të kohës tonë. Nëse s’të pëlqen, fajin e ke vetë sepse nuk e kupton kohën kur jeton dhe as njerëzit e saj.

Në pallat, lagje apo fshat i druhen. Nuk duan ta shohin me sy dhe as të ndeshin në të, sidomos natën. Megjithatë, të gjithë i buzëqeshin dhe Ai beson se ata kanë të drejtë në buzëqeshjen e tyre. Madje, mendon se meriton më shumë se kaq, edhe t’i nënshtrohen, t’i rrinë gati e, në rast nevoje, të bëhen edhe ushtarët e tij. Kuptohet, kur e lyp nevoja e tij dhe jo e të tjerëve.

Gjithmonë ka makinë të mirë dhe dëshiron t’i ndërrojë sa më shpesh të jetë e mundur. Dhe, për të është e mundur gjithnjë. Si ia del? – pyesin njerëzit përreth. S’ka përgjigje. Ka vetëm hamendje më shumë të pazëshme se të pëshpëritshme. Nga këto hamendje ka dalë shprehja popullore që thotë: “Sa më e mirë makina në rrugë, aq më e madhe bajga në të”. Padrejtësisht? Është kohë padrejtësish dhe kjo është padrejtësia më e vogël. Prandaj Ai e toleron. Nuk mërzitet. I ka bërë mirë llogaritë. Çfarë humbet në fund të fundit? Gjithë puna është të mos humbësh gjë nga xhepi, jo nga fytyra. Fytyra lahet sa herë të duash. E, kush po të shikon sot nga fytyra?! Fytyra jo vetëm lahet por, falë “teknologjisë” së kohës, edhe ndërrohet. Sa herë të duash. Kjo sot vlerësohet si profesionalizëm i lartë për politikanët dhe biznesmenët. Ndërrimi i fytyrës i shërben xhepit, dhe xhepi rropullive të barkut e nënbarkut.

Prandaj, Ai, si rregull, ka gjithnjë një bark të madh. Kur ecën me makinë, e mban timonin me njërën dorë. Tjetrën e ka të zënë me telefonin. Zakonisht përkulet në anën e djathtë kur është duke folur. Përkulet aq shumë sa me zor e sheh rrugën. Për të rruga është e gjerë mjaft. Sepse është e gjitha e tij. Po të ndeshet me ndonjë makinë tjetër, zgjidhjen e ka gati. Zbret në tokë dhe të dorëzon çelësat. Urdhëro,- të thotë,- dua makinën e re ose 100 mijë euro. Ke tri ditë afat, përndryshe… Po nuk pati kohë të thotë më shumë, prapëseprapë ti duhet ta kesh kuptuar mesazhin.

Fajin dhe fajtorin i ka përcaktuar Ai. Sepse Ai është edhe polic, edhe përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve, edhe gjyqtari. Madje, gjyqtari suprem. Mos guxo ta kundërshtosh apo ta sqarosh se nuk e ke ti fajin. Mos e detyro të dalë deri tek bagazhi dhe të të tregojë ndonjë copë hekuri që me aftësi të vulos vendimin e fajësisë dhe, madje, ekzekutimin e këtij vendimi. Shpejto të gjesh zgjidhjen se, përndryshe… fajin e ke përsëri vetë.

Kur është duke drejtuar makinën dhe ndesh në rrugë, duke ardhur përballë, ndonjë të njohur të vetin që s’e ka parë prej shumë orësh, Ai ndalon në mes të rrugës dhe fillon bisedën me byrazerin e tij, që ka bërë të njëjtin veprim. Veprimin e të fortit. Ka bllokuar rrugën për qindra makina që udhëtojnë në të dy drejtimet e saj. Mos i bjer borisë dhe as mos i kërko llogari. Deri sa të ketë mbaruar punë se përndryshe kërcet ai hekuri që e mban në bagazh. A e di policia vendbanimin e atij hekurit? Ç’i duhet policisë çfarë mbajnë të fortët në makinë. Ata nuk janë si gjithë të tjerët. Ata janë miq të shefave, të deputetëve, të kryetarit të bashkisë. Pra, janë miq të atyre që policin e kanë punësuar dhe e heqin kur të duan. Prandaj, polici i buzëqesh kur e takon në rrugë ose, në pastë ndodhur pak më dinjitoz se ç’e kërkon koha, polici kthen kokën në anën tjetër dhe bën sikur s’e vë re. E ka parë disa herë të komunikojë me “të mëdhenjtë”. Shoqërinë me të mëdhenjtë Ai e manifeston hapur, jo vetëm duke treguar se ua ka numrat e telefonave, por edhe me shprehjet “Këtë e kam në dorë… Ai më rri mua gatitu… Atij tjetrit i jap urdhër etj.”.

Nëse ke ndonjë nevojë për të zgjidhur në organet e drejtësisë apo të pushtetit mos u lodh të gjesh avokat apo të presësh me orë e ditë të tëra të takosh të mëdhenjtë. Tako Atë. Zgjidhjen e ke të sigurt dhe të shpejtë. Por, me një kusht të vogël. Rrota do vaisur që të rrotullohet. S’ke vaj? Atëherë rri dhe jeto me hallin tënd gjithë jetën. Nuk ta ka fajin Ai.

Ai i ka marrëdhëniet e mira me politikën. Madje, qysh në 1990 e këtej i njeh të gjithë dhe i ndihmon të gjithë. Jo sepse ka ide apo ideale, por sepse ia do puna. Në fillim u bë mik me opozitarët e regjimit komunist sepse ata kishin marrë përsipër ta “lironin” nga diktatura që i dhunonte lirinë. Prandaj e merrnin nëpër mitingjet e tyre dhe e përdornin për t’iu prishur mitingjet kundërshtarëve politikë. Më vonë, vlefshmërinë e përdorimit të Tij e kuptuan edhe politikanët e krahut tjetër. Edhe këta e kanë mësuar në të njëjtën shkollë dhe s’kanë si të mos e dinë se vlera e një malli (shpenzimet e prodhimit) shkojnë për “dhjamë qeni” kur malli s’ka vlerë përdorimi. Në mos për gjë tjetër, të paktën, Ai vlen për të përballuar epërsinë e kundërshtarit në “vlera” të tilla.

Politika ia ka shërbyer shpesh popullit si model suksesi Atë. Në gjysmën e viteve ‘90 TVSH-ja jepte një emision të veçantë për suksesin e një kavajasi, i cili e kishte filluar me 250 lekë të vjetra dhe tani ishte bërë biznesmen milioner. Ndërsa shfaqte kartëmonedhën 25 lekëshe që valëvitej në ajër në gjysmën e ekranit, në gjysmën tjetër dukej biznesi marramendës i Atij. Kjo ishte magjia e “demokracisë”,- thoshte drejtuesi i emisionit. Njerëzit që kishin pasur dhjetëra apo qindra kartëmonedha të tilla dhe s’kishin bërë prokopi, mallkonin veten për paaftësinë vetjake për të shfrytëzuar avantazhet e lirisë. Mirëpo, si për dreq, aty nga fundi i emisionit, drejtuesi bëri një “gabim”. Tha se Ai, vërtet e kishte filluar me 250 lekë por, kishte “punuar” në Itali nja 2-3 vjet dhe kishte ardhur prej andej me 300 mijë Euro për t’i shërbyer qytetit dhe vendit. “Bohet pare e modhe jashtë”,- pëshpëritnin bashkëqytetarët e të suksesshmit. E po kështu, edhe mijëra shikues të tjerë të ekranit.

Kur bëhet me shumë shokë si vetja e tij, Ai është një thesar për politikën. Ne i kemi parë Ata dikur me automatikë në dorë mbi veturat që shoqëronin Kryedemokratin e vendit nëpër udhëtimet e tij fantastike cep më cep të Shqipërisë. I kemi parë me të gjitha llojet e armëve në 14 shtator 1998 kur zaptuan institucionet legjitime shtetërore. Në 1996, Presidenti i vendit dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, si dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i thoshte grupit Parlamentar të partisë së tij se “Në qendrat e votimit ne duhet të vëmë njerëz që bëjnë gjithçka…”. Rezultati i zgjedhjeve dihet, ashtu edhe çfarë i pasoi ato. Ai që “bën gjithçka” është Ai, prandaj është edhe i suksesshëm. Për të tillë njerëz të suksesshëm e kishte fjalën kryetari i opozitës së viteve 2000 kur thoshte se “Me demokratët e Bushatit dhe Mamurrësit mund ta marr pushtetin për 24 orë, po të dua”. Mëkat që nuk e donte një gjë të tillë atë ditë. Më parë e kishte provuar disa herë dhe ia kishte dalë.

Kur Ai dështon në suksesin e vet, mund të përfundojë në burg. Atje e akuzojnë për vjedhje, grabitje, prostitucion, drogë dhe të tjera si këto. Mirëpo Ai nuk e jep veten, madje i ironizon dhe kërcënon edhe dëshmitarët, prokurorin apo gjyqtarët. Guximin ia jep suksesi i mëparshëm dhe besimi se ai sukses do ta nxjerrë shpejt prej aty. Media, e shkruar dhe vizive, i kushton rëndësi kryesore mimikës së Atij dhe fjalëve trimërore që iu drejton të pranishmëve. Media e portretizon stoik, sypatrembur dhe gati-gati si një hero, që duhet të merret si shembull nga të tjerët. Sidomos nga rinia. Përfundimisht, gjindja e katundit të madh duhet të mendojë se, kushdo qofshin ata që në emër të ligjit akuzojnë Atë dhe i vënë sekuestro mbi pasurinë dhjetëra milionëshe, meritojnë përbuzje. Asnjë qëndrim nuk shpreh media ndaj “biznesit” të tij dhe kjo është një ndihmë e madhe për shikuesit e lexuesit, e mjaftueshme për të ndierë keqardhje, madje dhe dhimbje pse po “e marrin në qafë”.

Ai nuk është i suksesshëm vetëm në biznes. Mund ta shohësh një ditë të bukur të bëhet polic, doganier, drejtor rajonal, kryetar i Këshillit të Qarkut, deputet etj. Po shkolla? – mund të pyesë dikush që e ka kaluar jetën mbi libra. Edhe ky problem zgjidhet lehtë. Por vetëm për tipa si Ai, që, për të pasur një diplomë, nuk ka nevojë të paraqitet fare në auditorët e universiteteve tona private ku diplomat shiten si gazetat dhe, “gabimisht”, nuk janë dëshmi të dijes që zotëron mbajtësi i tyre, por i pasurisë që i ka sjellë qenia i suksesshëm.

Suksesi sjell suksesin dhe Ai, jo shumë vonë, bëhet pjesë e elitës sonë. E elitës sonë ekonomike dhe politike, por jo morale. Kjo elita e fundit as që i nevojitet. As e ka kërkuar dhe as ua këshillon pasardhësve të vet.

Po a ka bërë ndonjë gabim Ai? Vetëm një gabim ka bërë e bën. Përpiqet që suksesin t’ia atribuojë tërësisht vetes. Kjo është mosmirënjohje ndaj nesh, që kemi kontribuar në arritjet e Tij. Është produkt i yni. Ne e kemi “mbjellë” dhe i kemi shërbyer, derisa është bërë ky që është. E kemi lavdëruar kur duhej ta përbuznim. E kemi respektuar kur duhej ta neveritnim. E kemi glorifikuar kur duhej ta dënonim. Sjelljen e tij e kemi shpallur sukses, kur duhej ta quanim krim. E kemi kultivuar vetë. Toka jonë, vendi ynë kanë qenë dhe janë ambienti ideal për rritjen e Tij. Ne jemi fermerët e këtij produkti. E, tani, edhe konsumatorët e tij.

Ky është Tipi Social dominues i këtyre viteve. Dominues në cilësi, jo në numër. Është tipi social i “kohës së demokracisë”. Prandaj edhe ne jemi, përgjithësisht, “të lumtur” dhe “optimistë” për të ardhmen tonë të përbashkët.

Viktor Malaj November 6, 2015 06:54
Komento

2 Komente

  1. lom deliu November 6, 20:51

    Thano ti e di mire qe ne kohen e Saliut te pare ata ishin burgjeve. Mos genje brezat e rinj/ Ai dhe ATA u bene protagonist me 1997 kur shteti I Saliut dhe Finos I perdori qe atehere ata jane ne ato pune qe thuati dhe nuk genjen.

    Reply to this comment
  2. & November 6, 21:34

    Lakja? Lakja te mbaron pune. Laken e njofin te gjithe.
    -Me falni,ne cilin dikaster punoni ju zoteri?
    -Ne i mbulojme te gjitha dikasteret zonje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*