Ç’do të bëjë qeveria me Bankers?

Alqi Koçiko April 6, 2015 01:03

Ç’do të bëjë qeveria me Bankers?

DITA e quajti “tërmet me telekomandë”, atë që fshihej pas tërmeteve të çuditshme në zonën e Patos -Marinzës ku operon kompania e naftës “Bankers Petroleum”. Banorët ankoheshin, tregonin shtëpitë e plasaritura dhe bahçet e fundosura, ndërsa kompania Bankers fliste për mikro-tërmete që mesa duket, kjo zonë i paskësh me bollëk këto vite. Dhe jo më parë. Banorët e këtyre zonave në mënyrë të përsëritur kanë akuzuar publikisht si përgjegjëse kompaninë naftë-nxjerrëse.

Derisa, një hetim i prokurorisë së Fierit mbi këtë çështje ngriti dyshime të forta se mund të jenë banorët e dëmtuar të këtyre zonave naftëmbajtëse ata që kanë të drejtë. Gjithçka nisi kur prokuroria e rrethit të Fierit nisi të hetojë shkaqet e këtyre lëkundjeve të forta, në vitin 2012. Akuza i i drejtohet Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë për të bërë një analizë shkencore të këtyre lëkundjeve sizmike.

Në korrik 2012, Instituti kthen përgjigje se thellësia ku ishte shkaktuar lëkundja ishte rreth 28-35 kilometra në thellësi të tokës, përgjigje që pak muaj më vonë rezultoi një bllof. Kjo sepse në fillim të vitit 2013, prokuroria i kërkon Institutit që të specifikonte dhe shkaqet e lëkundjeve të cilat kishte objekt dhe ndër të tjera i kërkonte Institutit që të tregonte se me cilën metodologji arriti të zbulonte thellësinë e epiqendrës së këtyre tërmeteve. Përgjigja e dytë e ardhur prej Institutit, rezultoi surprizë e vërtetë për prokurorinë.

Instituti sqaronte se thellësia prej 28-35 kilometrash e dhënë në shkresën e parë nuk ishte thellësia e saktë, dhe thellësia e vërtetë e epiqendrës së tërmetit, objekt hetimi ishte 1 kilometër dhe 5 kilometra. Diferenca flet vetë, pasi kjo thellësi përfshinte automatikisht mundësinë e krijimit të lëkundjes për shkak të aktivitetit njerëzor, pasi kompania “Bankers Petroleum” ushtron aktivitet në këto thellësi për nxjerrjen e naftës.

Çfarë kishte ndodhur? Lëkundjet e shkaktuara nga kompanitë e naftës, shkencëtarët i kanë përcaktuar si tërmete të shkaktuara nga procesi i “injektimit të ujërave toksikë”. Dhe Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, një institut shtetëror, u përpoq të fshihte të vërtetën.

Ngjan pak si përsëritje e Institutit Kombëtar të Digave që jep jepe për të ndërtuar nën digë… por kjo është një çështje tjetër. Sepse çështja për të cilën flasim, ngeci diku dhe gjërat u harruar.

Kur reagon seriozisht shteti?

Në qershor 2012, Prokuroria e Fierit ka qenë duke zhvilluar hetime për “shkatërrim prone dhe zjarr-vënie të qëllimshme” në dëm të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Për këtë ngjarje u arrestuan dy persona.

Gjatë hetimeve mbi këtë rast, prokuroria e Fierit shqyrtoi edhe disa ankesa të banorëve të zonës për shpërthime nëntokësore, të cilat kishin dëmtuar banesat e tyre dhe që, sipas qytetarëve, e kishin prejardhjen nga veprimet e kompanisë “Bankers Petroleum” në nëntokën e kësaj zone.

Fillimisht, këto dy çështje u trajtuan së bashku, por ja që çështja e shkatërrimit të pronës së Bankers po ecte me ritme të më të shpejta se sa dyshimi për dëmtimin e pronës së banorëve të zonës nga veprime të kompanisë së naftës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi ndarjen e kësaj çështjeje, e sikletosur, por ecuria e dosjeve ishte sërish, hiq e mos e këput.

Një i punësuar dhe… banorët

Ngjarjet me sfond Bankersin, gjithsesi vijuan. Ja tek kemi Benard Synon, rreth të 40-ve, babai i dy vajzave që priste dhe ardhjen në jetë të një djali. Kur trokiti në redaksinë e DITA, vihej re se çalonte lehtë, u paraqit me një dosje që e mbante nën sqetull. Dukej qartë se kishte probleme shëndetësore, por  me të nisur komunikimin e parë prezantues, bëhej e qartë se kishe përballë dikë me shumë vetëbesim, dikë që ishte më se i kthjellët se ku ishte, pse ishte dhe çfarë kërkonte.

Në fakt, e gjithë fabula e tij fillon dhe mbaron, pikërisht tek ai “detaji” i çalimit që vihej re në ecjen e Benard Synos. Ai dëmtim në këmbën e majtë, e ka fillin që prej vitit 2011 gjatë kohës që punonte duke ngritur pesha të rënda në korporatën naftë-nxjerrëse “Bankers Petroleum” dhe që më pas solli një zinxhir problemesh dhe tre vizita në spitale.

Syno thotë se  jo vetëm rrezikoi paralizimin e plotë të tij, por hoqi në kurriz dhe shpërfilljen e përsëritur  që kompania i bënte rekomandimeve të posaçme të mjekëve mbi shëndetin e tij dhe domosdoshmërinë që Synos t’i sigurohej një vend pune i përshtatshëm për të. Shpërfillja në fund u konvertua në “pushim nga puna” ndërsa Syno, në një intervistë për DITA ka shpjeguar në mënyrë të detajuar të gjithë situatën e tij dhe ka shpalosur të gjitha pretendimet që ai ka, mbi  çfarë ka ndodhur me shëndetin e tij si punonjës dhe me mënyrën se si “Bankers Petroleum” është sjellë me pas dëmtimit që ai pësoi në punë…

Është e tepët të thuhet se në të njëjtën linjë, Bankers është sjellë dhe me banorët e zonës, që jetonin me makthe “tërmetesh” dhe u thoshin se është dora e natyrës, deri javën e kaluar gjithçka u zbulua aq hapur sa nuk kishte “institut” shtetëror që t’u mbushte mendjen për të kundërtën.

Një tentativë

Problematika e përsëritur e banorëve, në fakt shtyu mazhorancën aktuale që rreth muajit shkurt 2014, të shohë hapësirat për anulimin e koncesionit dhe zgjidhjen e kontratës. Pasuria që i është lënë me koncesion “Bankersit” nuk ka të krahasuar me detyrimet modeste që kjo kompani i paguan shtetit shqiptar.

Nisur nga kjo situatë qeveria “Rama” hodhi hapin e parë, nisi të kërkonte një organ të specializuar ndërkombëtar në gjendje të vlerësonte avantazhet/disavantazhet e palës shtetërore, në rast se qeveria vendos të kërkojë zgjidhjen e kontratës me “Bankers” në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Për të pajtuar konsulentin e specializuar që do orientonte qeverinë nëse duhej të kalonte ose jo në arbitrazh, u zhvillua një tender në Tiranë. Këtë tender rezulton se e ka fituar një kompani angleze e quajtur:“Omnia Strategy LLP”, ndryshe zonja Cherie Blair, që nuk ka nevojë për prezantim.

Ç’do bëjë qeveria

Fakti që Bankers vazhdon punën, tregon se gjithë kontradiktat janë sheshuar. DITA ka paralajmëruar disa herë për këtë që po ndodh sot. Dhe ajo që po ndodh është një hapësirë e tërë e banuar nga njerëz që jetojnë e nxjerrin bukën me vite, dekada e shekuj në atë trevë, në rrezik rrafshimi.

Do vijojnë të rrinë në një vend ku ajri, toka, uji janë kontaminuar? Do t’u riparohen shtëpitë dhe pasuria? Do të ikin? Nëse po, do dëmshpërblehen? Po ata që nuk duan asnjë zgjidhje “alternative” përveç jetesës në tokat e të parëve?

Dihet se Bankers dhe zona e Patos-Marinzës është një histori që kjo qeveri e ka gjetur nga më herët. Dihet ama, nga ana tjetër, se sot që po flasim, gratë e Mariznës shkojnë 2 km larg për të larë rrobat dhe për të marrë ujë, sepse toka e tyre gjithandej është kontaminuar. Kanë gjetur një pus që nxjerr ujë disi më të pastër, sa për kryer punët e shtëpisë.

Pyetja që shtrohet është: Çfarë do të bëjë, si do të sillet kjo qeveri, çfarë projekti ka, nëse ka kjo mazhorancë ndaj këtij problemi, që deri tani ka vijuar duke patur parasysh si faktorë vetëm një kompani private (dhe misterioze) nafte kundruall disa detyrimeve tatimore ndaj shtetit.

Ndërsa mijëra njerëzit që po u shkatërrohet jeta e tyre dhe fëmijëve, nuk i ka llogaritur kurrë, askush.

patos manes

Alqi Koçiko April 6, 2015 01:03
Komento

5 Komente

  1. Zorro April 6, 09:13

    PROFAMA-PORCELAN

    Reply to this comment
  2. Dashnor Kozaj April 6, 21:32

    THIRJE . POPULLIT TE QARKUT TE FIERIT .
    Ka ardhur koha qe populli i qarkut te Fierit , dhe sidomos naftetaret , duhet qe te ngrihen dhe te shpallin mevetesine si ne udheheqje dhe ne administrimin e te gjitha resurseve te tokes , nentokes , flores dhe faunes te qarkut . Duhet urgjent te shkeputemi nga banditet e politikes se Tiranes , se pa perjashtim jane hajdut , vagabonda,kriminela dhe te pa moralshem , sa qe e kane kthyer te gjithe teritorin e Shqiperise ,ne vilajetin e tyre . Duhet qe populli i qarkut te Fierit ,te bojkotoje te gjitha kandidaturat qe shpallin partite politike te Tiranes se degjeneruar , dhe ne kunderpergjigje te nxjerri bijte e vete , te cilet te jene te ndershem , te drejte , human , dhe te pa pajtueshem me menyren e drejtimit te ketyre 25 vjeteve , qe kane shkaterruar gjithecka qe nga themelet , ne te gjitha fushat e prodhimit te te mirave materiale .
    Populli i qarkut te Fierit , qe permbledh popullsine e Lushnjes , Divjakes , Fierit , Levanit , Cakranit , Ballshit dhe Roskovecit , duhet qe urgjentisht te bojkotojne derdhjen e detyrimeve tatimore ne llogarite e tatimeve per llogari te qeverise te Tiranes se degjeneruar dhe hipokrite . Populli i qarkut te Fierit ,duhet urgjentisht te ngrihet dhe te zhvilloj referendumin e shkeputjes nga administrimi i Tiranes . Duhet urgjent te mos pranoj marrjen borxh te kapitaleve financiare nga bankat e botes , ku e shpallin se i duan per te permiresuar jeten e popullit , por ne te vertete eshte krejt ndryshe , marrin borxhe per te zhvilluar korrupsionin dhe vjedhjet ne favor te xhepave dhe llogarive te tyre . Shancet jane tani me rastin e zgjedhjeve per pushtetin lokal , populli apo votuesit e qarkut te Fierit duhen te zgjedhin individet me sa me shume integritet dhe te jene te vendosur per te administruar pasurite dhe resurset e ketij qarku, duke kundershtuar ne menyre kategorike menyren e administrimit te Tiranes se degjeneruar.
    Populli i qarkut te Fierit duhet qe urgjentisht te ngrihet dhe te administroj pasurine qe na e ka dhuruar natyra , por qe aktualisht po na e vjedh Tirana e degjeneruar me perfaqesuesit e saj , gangestere , kriminela , hajdute , sic jane Fatos Nano , Ylli Bufi , Kastriot Islami , Sali Berisha , Edi Rama , Aleksander Meksi , Ilir Meta , Bashkim Fino , e shume e shume te tjere , qe aktualisht e konsiderojne popullin e qarkut te Fierit si skllever te tyre dhe qe i genjejne me ca para ose me nga nje thes me miell dhe u rrembejne votat sipas planeve qe ata bejne ne zyrat e degjeneruare te Tiranes .
    Qarku i Fierit , ka pasuri natyrore , si nafta , gazi metan ,qe jane paresore , disponon fusha nga me pjelloret ne Ballkan , pyje , kullota , lumenj dhe bregdetin e Adriatikut . Duhet qe populli i qarkut te Fierit duhet te ngrihet dhe te anulloj me referendum popullor te gjitha koncesionet qe jane firmosur deri me sot , per naftenxjerrjen si dhe te anulloj te gjitha privatizimet , si ajo e rafinerive te naftes qe iadministron krimineli Sali Berisha nepermjet Rezart Tacit . Pasuria e qarkut te Fierit duhet te administrohet nga pushteti lokal , sic jane bashkite dhe komunat e ketij qarku , ne menyre te punesimit te popullit sipas profesioneve qe kerkohen .
    Te nderuar , banor te qarkut te Fierit, po nuk u ngritet dhe te merrni ne dore fatet e familjeve tuaja , femijeve tuaj , bashkeqytetareve ,apo bashke fshatareve tuaj , mos prisni te rregulloheni nga te pa pergjegjeshmit te Tiranes, te cilet e kane cuar borxhin publik ne mbi 10 miljard Euro , qe i duhen ti shlyej populli shqiptar ,ne disa breza , pra dhe sterniperit tane do lindin me borxhe ne kurriz , nga i cili nuk do ta ngreme koken kurre . Ndergjegjsohuni sa me shpejte dhe bojkotoni administraten e Tiranes me administratoret e degjeneruar dhe kriminela ,te cilet nuk po ngopen me para dhe as me gjakun e popullit shqiptar .
    .

    Reply to this comment
    • Kovaci April 8, 09:14

      Ketu ja ke futur katundit o Dashnor. Sikur nuk e di qe fieraket kane vdekur me kohe? Te vdekurit s’dine te protestojne. Leri ne ameshim. Qofshin te paharruar !

      Reply to this comment
  3. marie vaso April 7, 01:02

    populli i kesaj zone po vuan nga vaferia ,helmet dhe papunesia Te punesuarit ne Albpetrol vine qe nga Tirana ,deri edhe ish stjuardesa te Belle Air ka te punesuar aty ,populli i Patos_Marinzes po vdes nga fukaralleku dhe gjendja do te vije duke u renduar po e ulen akoma kurrizinNAFTETARE MERRNI FATIN TUAJ NE DORE MOS E LINI NE DORE TE ENDRIT TE KOCOS ZGJOHUNI SA NUK ESHTE VONE

    Reply to this comment
  4. Suferina April 8, 09:17

    Pavarsisht nga c’do beje shteti, une mendoj se drejtesia duhet te beje ate qe s’mund ta beje dot shteti. T’ua nxjerrin Bankersave nga hundet, te gjitha fitimet e pamerituara. Djalli i marte. Le ta bejne njehere detyren e tyre ndaj vendit e ndaj popullit, se edhe keta bij te ketij vendi jane, qe mos qofshin

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*