Sabit Brokaj: Zgjedhjet, momenti delikat i PS-së

January 7, 2015 01:48

Sabit Brokaj: Zgjedhjet, momenti delikat i PS-së

Në këtë fillim viti, intervistën e parë për gazetën ‘DITA’ e bëmë dje pasdite me Dr. Sabit Brokaj. Si gjithnjë i qartë dhe elokuent, u përgjigjet pyetjeve që i bëmë për aktualitetin politik, për vitin që lamë pas dhe për vitin që sa kemi hyrë. Përse duhet përshëndetur puna e qeverisë dhe pse ka dështuar të bëhet reforma kryesore, ajo në drejtësi. Doktor Brokaj thotë se sa të jetë Saliu (Berisha) aktiv në politikë, mos bëni pyetje për opozitën. Çfarë mendon ai për problemin e hapjes së dosjeve dhe një parashikim me disa këshilla për zgjedhjet e ardhshme vendore…

– Doktor, kemi lënë prapa një vit të ngjeshur të qeverisë “Rama”, e cila këtë vit hyn në mesin e mandatit të saj qeverisës. Si e shihni raportin midis realitet aktual dhe pritshmërive që kishte ky popull përballë kësaj qeverie?

Po të kemi parasysh aspektin e vendosjes së shtetit, të ligjit, kam përshtypjen se në këtë aspekt ndoshta është bërë përparimi më i dukshëm, pavarësisht se çfarë flitet edhe çfarë komentohet. Kështu, detyrimi ligjor i pagesës së dritave, shtetasi i përgjigjet shtetit për atë që konsumon prej tij. Po futem në një akt tjetër të kësaj qeverie, në pamje të parë i vogël, te fusha e shëndetit për ndalimin e pirjes së duhanit në mjediset publike. Ligji dhe kërkesa e parë për ndalimin e duhanit ka dalë që para vitit ’90, kur ministër ishte Ahmet Kamberi dhe për mbi 30 vjet nuk u zbatua. Por u zbatua tani përfundimisht. Këtu i jap vlerë të veçantë jo thjesht për ruajtjen e shëndetit, por populli të kuptojë se shteti e ka seriozisht. Kur populli e shikon shtetin dhe politikën që e ka seriozisht, e shikon në beben e syrit, ndërsa kur e sheh që e ka për propagandë ose sa për të kaluar momentin, nuk respektohet zbatimi i ligjit. I mora këto dy aspekte, sepse unë i jap shumë rëndësi faktit që shqiptarët harruan se çfarë është shteti, ç’është ligji dhe çfarë raporti ka qytetari me shtetin e tij. Më vjen keq në një pikëpamje, se disa gjëra mbetën përgjysmë, si aksioni për mbylljen e lojërave të fatit. Nuk e di sa e plotë u bë, por kam përshtypje jo plotësisht, ndalimi i lokaleve të veçanta të bixhozit. Ideja ishte shumë e mirë, por realizimi në plotshmërinë e asaj që u tha, nuk është i plotë. Një tjetër arritje shumë e dukshme e kësaj qeverie ishte masa shumë e rëndësishme për arsimin, sidomos lidhur me arsimin privat dhe për të vënë në shina arsimin publik. Fakti që disa drejtues që sapo u vunë, u ndëshkuan për mitmarrje ose për korrupsion, tregoi që u parashtrua mirë ideja, por zbatimi u bë si qëmoti, në kuptimin e viteve të Berishës. Kjo në disa raste, sepse janë 2-3 drejtorë që në kaq pak kohë u desh të hiqen. Ndërsa them se ideja është e mirë. Absolutisht jetike për arsimin në Shqipëri. Zbatimi në këtë aspekt, në kaq pak shembuj, ka pasur në nivele poshtë ministrisë, ka pasur neglizhime ose mungesë përgjegjshmërie. Pastaj kemi aksionin e Lazaratit dhe kultivuesve të drogës, një fenomen që kishte marrë përmasa të frikshme prej më shumë se 20 vjetësh.

– Sidoqoftë, reforma e premtuar në fushën e drejtësisë nuk po ecën. Si e gjykoni këtë ndalesë?

Pretendimin kryesor unë e kam pasur dhe e kam në dy drejtime kryesore: Në reformën në drejtësi që për mua u vonua dhe nuk e justifikoj personalisht. Unë e quaj që reforma edhe në arsim, edhe te lokalet e bixhozit do të vinte pas reformës në drejtësi. Sepse të gjitha korrigjimet dhe plotësimet detyrojnë që të venë te ligji përgjegjësit. Por te cili ligj do të shkonin?! E konsideroj të vonuar aq më shumë që është shteti. Në fund të fundit, shëndetësia, qoftë e korruptuar, aspektin humanist dhe të shëndetit e cenon, por shtetin në vetvete e cenon drejtësia, administrata shtetërore dhe natyrisht rendi dhe policia. U bë shumë mirë që në këtë aspekt ka patur vigjilencë për tek shëndetësia, por nuk u pa strumbullari i shtetit, që është drejtësia. Kjo ka bërë pastaj që të ketë njëfarë ndjenje zhgënjimi apo humbje optimizmi lidhur me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit, pasi angazhimet elektorale, paraelektorale ishin shumë të mira, shumë premtuese. Ndërkaq po ata politikanë, të korruptuar që janë sharë me rrënjë e me degë, po ata vrasës të 21 janarit, po ata të Gërdecit, po ai i korrupsionit të rrugës Durrës –Kukës nuk marrin vesh se ku janë dhe çfarë ndodh. Këto operacione të mëdha japin natyrën, karakterin e jetës politike që tashmë ka marrë qeverisja, paçka se pozitivisht ndikojnë edhe ato që unë sapo i thashë, si veprime tashmë të kryera.

– Po opozita ka ndihmuar procesin apo e ka penguar?

Kjo është pyetja më normale që shtrohet në këto raste dhe ju e bëni në aspektin e pozicionit që keni. Pra, të të menduarit normal për të pasur demokraci normale dhe një opozitë po aq normale. Por në pozicionin që unë kam parë në 24 vjet, është çështja që sa të jetë Berisha kjo pyetje të mos bëhet. E di pse e them këtë? Kur Berisha, PD-ja konkretisht, kundërshtoi Kushtetutën, do të kalonim nga Dispozita Kushtetuese bërë copa-copa në Kushtetutën e vitit 1998 dhe u angazhuam për referendum, u bë me konsultim me Venecian, me juristë nga më të mirët. Dhe për çudi, PD nuk mori pjesë, as asistoi, as konsultoi por tha se nuk e njeh atë Kushtetutë që votoi populli. Pastaj është tjetër gjë, që kur i leverdisnin disa nene të saj, thoshte mos e cenoni; dhe kur e deformoi, në 2008-n, që e shkatërroi për mua thelbin demokratik të Kushtetutës, thoshte kjo është Kushtetutë e mirë. Pra, prej një partie politike apo një opozitë e tillë që kundërshton themelin, dokumentin themeltar të shtetit, unë nuk pres që ajo të marrë pjesë qoftë edhe te ndarja territoriale, që ishte një punë e domosdoshme dhe e madhe që më në fund u bë, apo të legjitimojë veprimet që bën shteti për të zbatuar ligjin. Madje kjo opozitë merr pozicion aq paradoksal, në kundërshtim me reformat e domosdoshme, sa bëhet palë me vjedhësit. Mbron, fjala vjen, ata që vjedhin energjinë elektrike apo ata që janë shkelës të ligjit vetëm prej PS-së, Ramës apo qeverisjes aktuale. Pra ky opozicion, kundër çdo gjëje, kundër cilitdo, edhe kur është pozitive për vendin, kjo opozitë është jo produktive dhe është jo thjesht në dëm të vendit. Por është në dëm veçanërisht të vetes së saj si parti. Sepse një mazhorancë e tillë, po të ketë edhe kurajo, siç ka edhe në disa vendime të saj, shteti bëhet.

– Kemi patur një bojkot 6 muajsh të opozitës që në fund u kurorëzua me një marrëveshje PD-PS për mirëfunksionimin e parlamentit. Mendoni se kjo marrëveshje do ta bëjë më të mirë këtë opozitë gjatë këtij viti?

Ne bojkote kemi bërë dhe në bojkote kam qenë edhe unë kur kam qenë në PS. Por jo për të justifikuar pozicionet e Partisë Socialiste, por të bëje bojkot për manipulimin e zgjedhjeve, manipulim i njohur edhe ndërkombëtarisht, aq sa për të mos pasur zgjedhje, nuk u lejua hapja e kutive që ishte mirë të hapeshin dhe jo të digjeshin me ngutje siç fshihen gjurmët e krimit dhe këtë bojkot ta quash analog, d.m.th bojkoti që bën opozita për përplasjen e Strazimirit ta quash me të njëjtin vlerë me këto dy bojkote, është më shumë se sa qesharake.

Bojkoti duhet të kishte vajtur deri te hapja e kutive dhe rishikimi i zgjedhjeve, pasi u pranua nga të gjithë që ka pasur manipulime, dhe u dogjën letrat e kutive. Me episodin që mori një dackë Strazimiri, në vend që të shikohej rasti në aspektin e tij ligjor, me raportet mes këtyre deputetëve, u kalua gjetiu: Po ç’punë kishte kjo me jetën parlamentare?! Këto duan përgjigje. Por të dalim te marrëveshja, se marrëveshja u bë pas këtij bojkoti. Pra një bojkot kot, prodhoi një marrëveshje kot.

Madje, unë e kam thënë që zbatimi i mohimit të 3/5 shumicës, është shkelje e drejtpërdrejtë e demokracisë, të së drejtës së vendosur që votuesit kanë të drejtën që të japin një shumicë të cilësuar kur vendi kërkon ndryshime radikale. Kur PS pranon një marrëveshje që ia heq këtë fuqi deri në kundërshtim me vullnetin e popullit, për t’u pajtuar me një opozitë e cila luan për të gjallëruar veten, për t’u justifikuar para elektoratit të djathtë, sepse është një opozitë koti; ajo për pasojë i jep një vlerë krejtësisht artificiale dhe të pavend opozitës, duke dëmtuar raportet e saj me popullin, me elektoratin e majtë, që i ka dhënë të drejtë që të ketë vendime me 3/5. Prandaj gjykoj që kjo, e para s’ka për t’u zbatuar. Dhe nëse do të zbatohej ky aspekt (se të tjerat janë probleme etike), do më vinte keq për pozitën, për pozicionin e dobët që do të mbante.

– Ju jeni shumë kritik ndaj PD-së dhe Berishës. Por mos të harrojmë që PD është përfshirë në një ristrukturim, Berisha është tërhequr. Kemi dy figura qendrore si Basha dhe Ristani që drejtojnë. A nuk jep kjo shpresë që të kemi një parti normale në opozitë?

Po ta shikosh, po themi, veprimin politik të PS në këtë aspekt nuk është se e ka ndihmuar rregullimin e e opozitës. Kundërshtari ndihmon ç’është e vërteta, shumë. PS në procesin e rrugëtimit duke mbërritur për këtë karakter solid, e ndihmoi shumë Berisha. Sikur Berisha të mos kishte sjellje agresive, kërcënuese dhe të dhunshme, rruga e shumicës së majtë do të kishte qenë ndoshta edhe ndryshe, sepse është në natyrën e së majtës që të ketë diversitete, ndryshime idesh etj. Pra pozita nga një pikëpamje ndikon shumë te opozita. Si ndikon tani?

Ndryshoi në tërësi lidershipi, por loja e bojkotit ishte lojë e Berishës, nuk ka qenë e Bashës. Unë jam i bindur as e Ristanit, as e deputetëve të tjerë. Bojkoti i zgjatur ishte për të vjedhur një marrëveshje e cila është në dobi të Berishës si marrëveshje. Kjo marrëveshje e mban në jetë Berishën. Nuk është se i fuqizon rolin e Bashës dhe të Ristanit. Sa të jetë Berisha, dhe me intervista çuditërisht të gjata nga media këtij personi politik të dëmshëm, dëm do të ketë edhe PD, Basha, Ristani dhe grupimet që janë progresive brenda PD. Ndaj gjykoj që loja e Berishës, e zgjatur për të lodhur pozitën, e ka bërë përpara për të vjedhur një marrëveshje e cila do të rivendoste prestigjin apo dhe do t’i jepte oksigjen lojës politike të Berishës, që u dha përmes kësaj marrëveshjeje, por ama nuk e ndihmon opozitën.

– Kemi hyrë në një vit zgjedhor. Kemi zgjedhjet vendore përpara. Si e shikoni situatën për të shkuar në këto zgjedhje dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. A do ndikojnë këto masa drastike që ka marrë Rama?

Kjo do të varet shumë, sipas meje, se si do të luajë Rama me personat që do të kandidojë. Nëse Rama do të përdorë futjen e kontigjenteve pa përvojë në nivelet e pushtetit (por tashmë në nivelet e pushtetit që votohen, jo se i emëron Rama), se ai i cakton emrat, por i zgjedh vota, pra nuk është sikurse cakton drejtorët apo ministrat…. atehere rezultatet mund të jenë të ndryshme. Zbatimi i këtyre ligjeve unë gjykoj, qoftë edhe reforma që ka prekur disa interesa, nuk e dëmton Ramën. Për mua Ramën e dëmton fakti që disa premtime apo dhe raportet me përfaqësues të Partisë Socialiste nuk janë në gjykimin tim, në optimumin e tyre. Raporti i Ramës me qeveritarët lokalë, nëse do të jetë parimor, nuk e dëmton. Unë me sa e njoh popullin tim, populli gjithnjë ka kërkuar ndershmëri, zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit etj. Pavarësisht se një pjesë e popullit cenohet sepse detyrohet të paguajë. Por edhe ai që ka vjedhur, kur e sheh që kjo është e domosdoshme për të paguar, siç bën edhe pjesa e shëndoshë, nuk do e bësh kundërshtar. Do ndërgjegjësohet. Aq më shumë që shumica e ka paguar dhe e kërkon zbatimin e ligjit.

Në këtë pikëpamje, unë e di që Rama ka treguar vullnet të palëkundur dhe ka deklaruar se unë do të zbatoj ligjin pavarësisht kostos. Unë mendoj se nuk do të ketë kosto. Rama do të ketë kosto vetëm në rast se nuk do të jetë serioz dhe në përputhje me opinionin e votuesve me kandidaturat që do të kandidojë PS-ja për kryetar bashkie apo për anëtarë të këshillave. Për mua ky është momenti delikat i PS-së. Platforma është e mirë, ideja inkurajuese, por lojtari që do jetë në fushë do caktojë si do shkojë loja. Absolutisht që në zgjedhjet vendore, do të ndikojë shumë sa ai mbledh njerëz. Jo sa mbledh Rama, por zgjedhjet lokale kanë paradokse. Populli e di fjala vjen, që një komunë, iksi është burrë i mirë dhe do të votojë për atë, jo qeveritarin që i thotë qendra. Po qe se PD do të konkurrojë mirë, si edhe LSI-ja patjetër do të kemi ndryshime të dukshme në hartën e zgjedhjeve. Në aspektin e personaliteteve që do të vënë, raportet mund të jenë krejt të ndryshme nga sa janë aktualisht. Jo thjesht se do të humbasë PS. PS është prapë fituese, por raportet me partitë e tjera mund të mos jenë më.

– Në këtë kontekst mendoni se ka vend për të përmirësuar qeverisjen. A duhet të bëjë ndryshime në kabinet Rama tani në mes të mandatit?

E vërteta është se përveç Ramës dhe 1-2 ministra që janë afishuar më shumë, si Tahiri dhe Veliaj, të tjerët janë në hije. Nuk e kanë lënë shumë të dukshëm aktivitetin e ministrave apo të qeveritarëve të institucioneve të tjera, e ka mbuluar si institucion shumë më tepër. Të tjerët kanë dalë jo me konture të plota, në raport me punën e mirë fjala vjen, që kanë bërë ata që përmenda. Pra ne kemi vështirë të themi që kjo ministri nuk ecën, apo duhet bërë kjo dhe kjo tjetra nuk duhet bërë. E ka në dorë kryeministri në kuptimin e bilancit dhe jemi para zgjedhjeve, bëhet një bilanc dhe vetiu atje ku nuk ecën, bëhen ndryshime.

– Rama ka hedhur idenë e hapjes së dosjeve, sidomos për politikanët. A jeni ju dakord për hapjen e dosjeve të diktaturës?

E vërteta është se kjo është shtruar dendur dhe unë pothuaj mbi dhjetë herë më është dashur të jap përgjigje në kohë të ndryshme. Pas kaq kohësh, lidhur me aspektin e pozicionit të ndarjes me diktaturën apo të përfaqësuesve të saj, e ka ulur shumë efektivitetin e kësaj reforme. Kanë ikur shumë vite dhe personazhet, tashmë ata nuk janë konkurrues pothuajse, përveç disa personave që do të thosha në politikën e djeshme mund të kenë ndonjë komponent të vogël, por nuk është se kanë pasur role, paçka se është thënë. Pra efektiviteti, për ta thënë shkurt, i hapjes së dosjeve në raport me të djeshmen ka rënë shumë. Duke pasur parasysh edhe përpunimin që u kanë bërë dosjeve, heqjeve, shmangieve. Janë futur shumë duar në dosje. Berisha nuk la bashkëpunëtorët e afërt, të cilët vetiu i mori nga Sigurimi, nuk i la ata që donte t’i godiste PS, për ata që kishin dosje aty. Për mua ka më shumë rëndësi e sotmja dhe e nesërmja për dosjet, goditja e elementëve të krimit të organizuar, të korrupsionit, po deshët dhe që kanë lidhje me agjenturat e huaja. Ato e përcaktojnë fatin e sotëm dhe të nesërm, jo ato të djeshmet.

Një veprim i tillë shumë i mirë, u bë në vitin ‘98 me komisionin Bezhani që u mendua që këto figura politike në nivele të caktuara t’u hapen dosjet. Drejtor i përgjithshëm, zv.ministër, ministër etj, të shikohej e kaluara, por edhe realiteti që përfaqësonte si figurë. Kjo e shpëtonte shtetin shqiptar, por ai komision që u pezullua nga Berisha, për mua me keqdashje u pezullua, sepse ata vetiu si të gjithë pushtetarët jo të aftë dhe jo të ndershëm me ligjin, donin që ata njerëz t’i shtypin me këmbë dhe komandohen të korruptuarit të inkriminuarit. Dhe e likuiduan atë komision dhe lanë këtë shtegun që PD të spekulojë edhe sot e kësaj dite. Kjo histori do kishte 14 vjet që do kishte marrë fund. Megjithatë, trajtimi i figurave politike, lustracioni apo s’e di si ta quajmë, për figurat në nivele të caktuara, ka një funksion shumë të madh për ndërtimin e shtetit. Në këtë aspekt unë i jap rëndësi. Për ato të djeshmet, ka luajtur propaganda.

Intervistoi: Xhevdet Shehu

January 7, 2015 01:48
Komento

2 Komente

  1. preng pjetri January 7, 04:14

    Nese Shqiperia ka pasur ndonjeher kryeminister vertet hero ai është Edi Rama. Nese dikush deshiron qe Shqiperis ti vijnë era shtet mbeshteteni Edi Ramen.

    Reply to this comment
  2. BESIANA GUSHI January 7, 10:24

    HIQ E MOS KEPUT wow!

    Deri dje, sot, neser dhe pergjithnje ne shqiptaret nje fraze te tille e themi pak me ndryshe: “terhiq e mos keput”sepse “te terheqesh” dhe “te heqesh” kane dy kuptime shume te ndryshme.
    Megjithate, pa u ndalur ne nje dukuri te tille tashme te kristalizuar te autorit shqipfoles, mendoj pak me ndryshe edhe per argumentin e ketij shkrimi gjysme shqipor.

    Eshte me se e vertete qe pakenaqesia per disa nga ndermarrjet me te medha te bera nga ediramistet ka çuar pa dyshim ne uljen e popullaritetit te tyre si ne radhet e ndjekesve votebesues, pa folur per krahun tjeter te antishtetareve te djathte.

    Por shqiptaret e ketyre diteve, edhe pse u imponuan nga serbo-malazezet me syrgjynosje dhe injorance me shkollim plepor per mbi dy dekada, jane me te hapur e me te ngritur ne ndergjegjen e tyre shoqeri berese. Ata, ne, e dijme mire se katrahura e djeshme perkon me sakrifica e dhimbje te duhura te sot’tme, te ndermarra me guxim nga ediramistet e patericuar nga hajdutet ilirmetiste. Jemi me se te bindur ne ndergjegjen tone per kete domosdoshmeri historike ne realizimin e endrave per tu bere pjese e familjes se madhe te BE-se.

    Ne, me qeshje te trishte mes buzeve te reshkura, pranojme edhe te sakrifikojme per kete pritshmeri, por deri kur veprimet e mosveprimet e premtuara para 23 qershorit te 2013-tes ti shohim te zvaniten duke u mbuluar nga pluhuri i harreses se qellimte, kur “ashiqarlleku” trasparent shohim te mbulohet me shpejtesi nga “kodi i heshtjes”, kur me votebesimin tone kuvendaret shohim te aprovojne ligje gangsteresh e hajdutesh profesioniste, siç ishte ai i njohjes se humbjeve te bankave ne perllogaritjen e taksave qe duhet te paguajne, kur shtetin shohim ta drejtojne tonibleristet e turnit me pagesa astronomike, kur borxhet e “akredituara” nga FMN-ja e BB-ja mund te kalojne edhe me firmen e hajdutit Cani me shoke e shoqe shume, fillojme te mornicohemi deri ne thellesi te shpirtit tone te tradhetuar nga hipokrite rrugesh qe i veshem me pushtet.

    “Hajdeni ne Shqiperi” degjuam te leshoje gjemen çuni i Kristaqit ndaj italianeve, “ketu paguani vetem 15% taksa dhe nuk keni sindakata”, duke harruar, mbase edhe nga arroganca qe e ka me te tepert se pikerisht Shqiperia eshte vendi i vetem ne bote qe paguan me parate e shqiptareve kuotat e antaresimeve ne sindakatat e te gjitha ngjyrave qe gelojne nga te kater anet qe nga ardhja ne pushtet e antishqiptarit Sali Rame Shiqere Berisha, nen drejtimin e serbomalazezeve Shkreli e Biberaj.

    Hipokrizi qe do e zhbeje deri ne gjeneze, kete dallkauk qe mendon se mund ti mashtroje shqiptaret pa qene vete i tille.

    Edhe ate pak trasparence qe dhimbeshem kishim mundesi ta njihnim me pare, e ka eliminuar me kodoshllekun e tij piktoro-surratist. Provoni te kuptoni p.sh. formimin e çmimit te energjise elektrike, provoni te kerkoni ne faqen online te Drejtorise se Burgjeve te ashtuquajturit “te denuar politike”, provoni te njiheni me tenderat e prokurimeve publike, provoni te mesoni ku ka lindur kryetari i komisionit te ligjeve ne Kuvend, provoni te kuptoni pse Haritua ne tere “punesimet” edhe per roje ne QSUT kerkon te jene avokate, kerkoni te kuptoni pse Ahmetaj duke ndryshuar emrin nje tenderi i ridha ate boshnjakut te Berishes, kerkoni te kuptoni pse mamaja dhe babai i Tahirit nuk perballen me drejtesine per krimet per te cilat jane te akuzuar, kerkoni…mund te vazhdojme deri ne pafundesi ne kete aventure me te cilen u vetedenuam me keta biçime bulevardesh te pa cipe.

    Edhe ne planin e maredhenjeve nder ballkanike e me gjere, futhundja ne politike berjen e fqinjeve, ka krijuar reagime qe vetem dite te keqia mund te presim te na vijne ne te ardhmen. Kulmin Edi Rama e arriti ne konferencen e shtypit me Matteo Renzi-n kur “iluminoi” me mendjeshkurtesine e tij, politiken e brendeshme te qeverise greke, sikur te ishte nje gerricje me thonjte e pa prere te Zahos me mami Linden e Surrelit ku ka mbire vila faraonike e ndertuar me “materiale te varfera”.

    Andaj gjakovar i perveluar me shqip foljen tende rrokambolekse, kujtohu qe shqiptaret nuk jane vetem ata qe ti pershkruan ne kete retorike “buke çerekeshe”, jone shume me ndryshe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*