Sali m… i ka dërguar? Të më rruajnë t..pet. Thuaj zagarëve të sjellin hekurat”

May 7, 2016 01:32

Sali m… i ka dërguar? Të më rruajnë t..pet. Thuaj zagarëve të sjellin hekurat”

Idajet Beqiri

 (Vijon nga numri i kaluar)

Fryma fashistoide e strukturave të SHIK shënonte kulmin e saj. Lloj lloj ordinerësh me ndonjë radio dhe pistoletë në brez, qarkullonin nëpër gjithë Shqipërinë dhe mbillnin mjedis të padurueshëm vulgar.

Kjo ishte klima e asaj vjeshte të vitit 1995, kur shtëpia me dy kate në Laprakë, e cila më parë ishte pulari, në të cilën ishin dërguar për të jetuar pjesëtarët e familjeve të Enver Hoxhës dhe të Shefqet Peçit, u rrethua në mesnatë nga forca të policisë, të ndërhyrjes së shpejtë dhe të SHIK.

Shefqet Peçi 89 vjeç, i akuzuar për “gjenocidin” e Buzëmadhit në 24 shtator 1944 duhej arrestuar të nesërmen në mëngjes.1

Në orët e para të agimit, makina të blinduara dhe forcat e armatosura u stërngjeshën tek oborri i vogël i pularisë – banesë dhe radiomarrëset filluan ato “gërr-vërret” e tyre.

Shefqet Peçi luftonte brenda shtëpisë së vet me problemet e rënda të zemrës. Në datën 21 shtator 1995 humbi ekuilibrin dhe rrëzohet. Njoftoi menjëherë Rustemi, djali i Shefqetit, edhe vëllain e tij Agronin si dhe motrat Hankon dhe Lumton. Lumtua solli me vete mjekun e njohur Panajot  Bogën. Ndërsa Agroni solli mjekun popullor Cenin e Shijakut.

Të dy mjekët kërkuan radiografinë e këmbës. Po ku ta bënin? Shkoi Rustemi te Spitali Ushtarak dhe kërkoi ndihmë.

“Nuk e bëjmë dot radiografinë, – iu përgjigjën. – Nëse e marin vesh që është Shefqet Peçi jemi të pushuar nga puna. Sebep duan këta të SHIK-ut që kemi nëpër këmbë.”

Çfarë të bënte? E studioi me kujdes Rustemi (edhe ai i liruar nga ushtria me gradën gjeneral) dhe vëllai i tij Agroni, gjendjen e personelit në Spitalin Ushtarak. Vërtet ky spital ishte mbushur me militantë, por kishin mbetur aty edhe disa njerëz të vërtetë, profesionistë të mirë dhe humanë. Ata u mobilizuan dhe në kushte të ilegalitetit e bënë në shtëpi këtë radiografi. Këmbët, për fatin e keq, radiografia i nxori të thyera.

Pëllumb Hito, dhëndrri i Shefqetit, i martuar me mbesën e tij, solli në shtëpi një dyshek të përshtatshëm për një të sëmurë që tashmë do të qëndronte në kushtet e një të paralizuari që kishte zënë krevatin. Pastaj Katua, gruaja e shkëlqyer e Shefqetit, Garentina,  bashkëshortja e Rustemit si dhe të katër fëmijët e gjeneral Shefqetit, u vunë të gjithë në shërbim të të sëmurit.

Pas disa ditësh në gjendje tepër të rënduar, sikur po i ndalonin pak dhimbjet.

Shefqet HysniMirëpo pikërisht kur kishin kaluar afro 20 ditë, gjendja shëndetësore e Shefqet Peçit u përkeqësua në mënyrë dramatike. Tashmë po e linte zemra. Për orë të tëra gjatë ditës binte në kllapi. Mbahej gjallë vetëm me oksigjen dhe me serume…

***

Pikërisht në këtë situatë shëndetësore për luftëtarin e moshuar, të ngarkuarot për arrestimin e tij, me fletën e arrestit me vete, u futën në korridorin e Pularisë dhe në të djathtë, aty ku ndodhej dera e shtëpisë së Shefqet Peçit, i ranë derës fort. Dera u hap. Ishte Garentina, bashkëshortja e gjeneral Rustem Peçit, djalit të Shefqetit:

– Urdhëroni!

– A është në shtëpi zoti Shefqet Peçi? – pyeti personi që mbante prangat në  duar.

– Këtu është, – i tha ajo, – por është në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Korridori i shtëpisë së Shefqet Peçit u mbush me policë të armatosur. Garentina u fut në dhomën ku ishte Katua dhe i tha çfarë po ndodhte. Pastaj doli nga hyrja mbrapa e shtëpisë dhe njoftoi të shoqin, Rustemin. Rustemi kishte dalë nga kopshti pas shtëpisë dhe po punonte për të hapur një pus uji sepse e gjithë familja kishte kohë që përjetonte “kuçedrën” e ujit. Hajde imagjinoni qëndrimin pa ujë me ditë e muaj të tërë, aq më tepër kur në shtëpi ke një të sëmurë në moshën 89 vjeçare të paralizuar dhe që nuk mund të lëvizë dot më nga krevati.

Hyri brenda. Situata ishte një skëterrë e vërtetë. Forca të shumta për të arrestuar një plak 89 vjeç, të paralizuar.

Komandanti i operacionit për arrestimin e Shefqet Peçit, pasi dëgjoi dhe verifikoi situatën me të sëmurin që kërkonte të arrestonte, i tërhoqi forcat policore. I nxori jashtë korridorit të shtëpisë. Dhe u lidh me radio me urdhërdhënësit për arrestimin e Shefqet Peçit. U shpjegoi atyre gjendjen e rëndë shëndetësore të Gjeneralit që do të arrestonin. U bëri gjithashtu me dije se, duke qenë se i sëmuri është me këmbët e thyera dhe mbahej me oksigjen dhe me serume, nëse nuk do të kishte tërheqje nga urdhëri i dhënë, duhej një barrelë dhe një ambulancë.

U rikthye sërish me prangat në duar. Pas tij “taborri” me policë të armatosur dhe me shikas. I ranë përsëri portës dhe u futën brenda. Rustemi i ftoi për të pirë një kafe dhe të flisnin shtruar. Ata nuk pranuan të pinin kafe. Situata po acarohej dhe Rustemit ju sos durimi.

“More jeni në vete ju, i thoni more atij bastardi që nuk mund të arrestohet një 89 vjeçar në këtë gjendje që është. I ka të numëruara ditët. Jo vetëm që ky akt është në kundërshtim me Dispozitat Kryesore Kushtetuese (në atë kohë ende nuk ishte miratuar Kushtetuta e Republikës), jo vetëm që i bie ndesh ligjit procedural penal, por është një akt të barbar e fashist, aspak qytetar dhe antinjerëzor. Ndaj sqarojeni”.

Personat që kishin mbushur korridorin e shtëpisë filluan të ngrinin zërin dhe të bënin presion mbi Rustemin.

Shefqet Peçi dëgjoi zhurmën dhe pasi dalloi zërin e Rustemit i thotë:

-More Rustem, me kë je aty, pse nuk i fut miqtë brenda në shtëpi dhe t’u japësh një gotë raki dhe kafe?!

-Nuk janë miq, Baba, janë fashistë, – ia ktheu Rustemi i revoltuar.

-Po çfarë duan fashistët në shtëpinë time, mor djalë?  –  e pyeti Shefqeti!

-Kanë ardhur të arrestojnë ty Baba! Kanë ardhur me një urdhër arresti!

-Çfarë the more? Kanë ardhur të më arrestojnë mua? Sali muti i ka dërguar? Të më rruajnë topet… Thuaju zagarëve të sjellin hekurat. E kam për nder të vdes në burg fashist. Kjo mua më lumturon shumë mor bir!

Dhe ngriti të dyja duart lart të bëra grusht.

Ia vunë hekurat në ato duar të stërhollura dhe të dobësuara. Në ambulancën e burgut së bashku me Shefqet Peçin morën edhe Rustemin. Shefqeti kërkoi pak ujë. Garentina shpejtoi dhe solli një gotë me ujë. Po ata, nervozë, e mbyllën derën e ambulancës dhe nuk e lejuan.

Ishte 11 tetori i vitit 1995…

 

(Vijon)

 

May 7, 2016 01:32
Komento

2 Komente

  1. Kosta May 7, 18:41

    Shume kurjoz per emrat e atyre qe vendosen arrestimin e Peçit dhe ate qe firmosi urdher arrestin.

    Reply to this comment
  2. KORCARI May 7, 20:29

    Sali Mutin te shohim kush dhe kur do ta Arrestojne.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*