Pse (jo) Turqia?

Fatos Tarifa August 8, 2013 12:18

Pse (jo) Turqia?

Në ditët e nxehta të këtij gushti, politika duket se nuk është më tema e parë në bisedat e përditshme.

Ajo, gjithashtu, duket se është “me pushime”. Sidomos pasi kreu i ardhshëm i qeverisë, z. Edi Rama, bëri të ditur një javë më parë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli, më në fund, rezultatin final të zgjedhjeve, duket se edhe javët e mbetura të gushtit do të jenë “pushim”.

Tani pritet që, në shtator, në kohën e parashikuar nga ligji dhe sipas rregullave të “lojës demokratike”, të kryhet tranzicioni i  pushtetit: të humburit në zgjedhje t’ua lenë vendin atyre që i fituan ato. Ndërkohë, kryeministri i ri,  ende pa marrë në dorë drejtimin e qeverisë duket, përveçse i motivuar, si asnjë kryeministër tjetër i zgjedhur deri më sot, për të bërë ndryshimet e duhura, edhe aktiv për të fituar kohë deri ditën që qeveria e re do të marrë detyrën. I njohur për metodat e tij inovatore si drejtues ekzekutiv, z. Rama u ka kërkuar të njëjtën gjë edhe anëtarëve të sapo emëruar të kabinetit të ri: të njihen nga afër me gjendjen në dikasteret që ata do të drejtojnë dhe të përgatiten për të nisur drejtimin e punëve nga dita e parë kur të marrin efektivisht detyrën dhe  përgjegjësitë e tyre.

“Summer diplomacy”

Në këtë periudhë relativisht të relaksuar dhe në pritje të fillimit të sezonit të ri politik, vetë z. Rama po tregohet veçanërisht aktiv në fushën e diplomacisë, përmes një sërë vizitash të rëndësishme në disa prej kryeqyteteve europiane (Londër, Romë, Ankara dhe Athinë) dhe takimeve me kryetarët e qeverive të këtyre vendeve.

Dëmi që i është shkaktuar ndër vite imazhit të Shqipërisë  nga një politikë e brendshme e kritikuar gjerësisht për autoritarizëm, për korrupsion, për shkelje të pavarësisë së pushteteve, për zgjedhje jo tërësisht të lira, për populizëm etj., e bëjnë urgjente nevojën dhe detyrën për t’i dhënë politikës shqiptare jo vetëm një imazh të ri, por edhe një përmbajtje të re, si edhe për t’ua bërë të njohur partnerëve tanë të huaj mënyrat, vullnetin dhe vendosmërinë  për të realizuar ndryshimet e duhura. Po kështu,  qendrimet herë-herë voluntariste e klienteliste të  derisotme në marrëdhëniet e Shqipërisë me vende të tjera bëjnë të domosdoshme një rivlerësim serioz e të përgjegjshëm të prioriteteve strategjike  dhe të veprimeve taktike në politikën e jashtme të vendit tonë.

Kundërshtarë politikë të paarsyeshëm

Unë e kuptoj që kundërshtarët politikë të qeverisë së re do të bëjnë ç’të mundin për të kritikuar dhe kundërshtuar politikat dhe veprimet e saj. Sidoqoftë, uroj që roli i tyre si opozitë politike të jetë konstruktiv dhe të motivohet nga qëllimi për t’u shërbyer interesave publike (në marrëdhënie me shtetasit shqiptarë), dhe interesave kombëtare (në marrëdhënie me shtetet e tjera).

Duke marrë shkas nga një kritikë publike ndaj një deklarate të fundit të z. Rama, nga z. Tritan Shehu, ish-ministër i jashtëm në një prej qeverive të mëparshme të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh shkurtimisht dy-tri ide mbi politikën e jashtme dhe diplomacinë e qeverisë së re. Z. Shehu, pretendon se duke e cilësuar Turqinë, gjatë takimit me kryeministrin turk Erdogan pak ditë më parë, si një “partner strategjik” për Shqipërinë, kryeministri i ri “ka ndryshuar kryekëput statuskuonë e vendosur prej vitesh në diplomacinë shqiptare për çështjen e prioriteteve”, pasi në rradhën e aleatëve të rëndësishëm të Shqipërisë, “Turqia duhet të jetë pas Italisë dhe Greqisë”. Vlerësimi i z. Shehu është teorikisht, praktikisht, politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht i pasaktë.

Teorikisht dhe praktikisht është gabim t’i trajtosh politikën e jashtme të një vendi dhe prioritetet e saj si të dhëna një herë e përgjithmonë, si një gjendje status quo, dhe çdo ndryshim të tyre si një sakrilegj që dëmton interesat kombëtare. Shoqëria ndërkombëtare, e cila përbëhet nga marrëdhëniet e të gjitha shteteve që popullojnë globin tonë, ashtu si çdo shoqëri kombëtare, është një “organizëm i gjallë”; ajo lëviz dhe zhvillohet, nuk qëndron në vend. Pjesë të saj (shtete ose rajone të veçanta) zhvillohen më shumë e më shpejt, marrin një rol të ri dhe kryejnë funksione më të rëndësishme sesa pjesë të tjera. Në kushte të tilla  dhe në një botë ende hobbesiane (dhe aspak post-Westfaliane ose post-historike) si kjo në të cilën jetojmë, detyra e çdo shteti është që të akomodohet sa më mirë si pjesë e organizmit të tërë, duke krijuar e rikrijuar, sipas rrethanave, marrëdhënie me shtetet e tjera, gjithnjë pa hequr dorë nga parimi udhërrëfyes në politikën e jashtme: mbrojtja e sigurisë dhe e interesave kombëtare.

Askush nuk e vë në dyshim rëndësinë që kanë për vendin tonë marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë, fqinjët tanë imediatë, anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Por kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet me këto dy vende e bëjnë strategjikisht më pak të rëndësishme, në vështrim gjeostrategjik, politik dhe ekonomik, marrëdhënien e vendit tonë me Turqinë dhe partneritetin me këtë vend (gjithashtu anëtar i NATO-s dhe potencialisht anëtar i BE-së). Ruajtja e status quo-së në politikën e jashtme të vendit tonë, pra edhe në prioritetet e tij në marrëdhëniet  me vendet e tjera, kur situatat ndryshojnë, nuk është një këshillë e mençur politike e diplomatike. Strategjitë politike në marrëdhënie me organizata e shtete të tjera dhe metodat diplomatike përmes të cilave realizohen ato kërkohet të  jenë kreative, proaktive dhe dinamike.

 

Kohë të reja, realitete të reja

Koncepti mbi strategjinë e politikës së jashtme  të një vendi nuk mund të shihet i lidhur vetëm me një, dy ose tri vende të veçanta, apo si një “status kuo e vendosur prej vitesh”, siç shprehet z. Shehu.

Duke pasqyruar dhe duke iu përshtatur realitetit dinamik të zhvillimeve rajonale e globale dhe partneriteteve të reja që krijohen, ose që eventualisht mund të krijohen në marrëdhëniet mes shteteve, politika e jashtme e çdo vendi është edhe ajo dinamike. Kjo do të thotë se edhe partneritetet me shtete të veçanta janë dinamike, jo statike. Politika e jashtme e Shqipërisë është dhe duhet të mbetet një politikë parimore, pra një politikë që udhëhiqet e duhet të udhëhiqet gjithnjë nga po ato vlera, parime e norma që karakterizojnë politikën e jashtme të një vendi demokratik. Por politika e jashtme e vendit tonë, ashtu si edhe politika e jashtme e çdo vendi tjetër, duhet të jetë edhe realiste, pragmatiste e largpamëse. Ne s’mund të mbetemi në vend, në “status quonë e vendosur prej vitesh”, nëse realitetet e reja dhe zhvillimet globale e rajonale e bëjnë të domosdoshme ndryshimin në marrëdhëniet me shtete të veçanta.

Dikur, aleatë strategjikë të Shqipërisë ishin Jugosllavia e Titos, pas saj Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe më pas Kina e Maos, ndërsa “armiqtë” tanë të betuar ishin Shtetet e Bashkuara, Anglia, Gjermania Perëndimore dhe NAT O. Jugosllavia, BS dhe Kina u bënë, në periudha të ndryshme të Luftës së Ftohtë, njëra pas tjetrës, kundërshtarët  dhe armiqtë tanë politikë, ideologjikë (dy të parët edhe ushtarakë), ndërsa në fillim të viteve 1990, armiqtë tanë të dikurshëm (Amerikën, Anglinë,  Gjermaninë e bashkuar dhe NATO-n) i deshëm të bëheshin miqtë tanë të mëdhenj dhe partnerët tanë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë. Në vitin 1991 militantë të partisë politike që më vonë z. Shehu do ta përfaqësonte si ministër i jashtëm, protestuan energjikisht ndaj vizitës së një zyrtari të lartë kinez në Tiranë; sot që Kina është bërë fuqia e dytë ekonomike më e madhe e globit natyrshëm dhe plot arsye kërkojmë që, pa cënuar parimet bazë të politikës së saj të jashtme, Shqipëria të zhvillojë e të intensifikojë marrëdhënie ekonomike e tregtare me këtë vend.

Pesha gjeopolitike e Turqisë

Kina është një vend i fuqishëm dhe i rëndësishëm, por për Shqipërinë është larg. Për më tepër, Kina nuk është një vend demokratik.  Shumë më afër se Kina, madje në të njëjtin rajon mesdhetar e ballkanik me ne, është Turqia. Ky vend demoktatik është po ashtu i fuqishëm dhe i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit, për rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme dhe të Azisë Qendrore (të cilët, sipas Brzezinskit, mund të bëhen “Ballkani i nesërm global”), si edhe për vetë Bashkimin Europian. Edhe pse jo një vend fqinj imediat, proksimiteti gjeografik e bën Turqinë një partner veçanërisht të rëndësishëm për vendin tonë dhe unë, gjithashtu, do ta konsideroja partneritetin me këtë vend strategjik për Shqipërinë. Me popullsinë e saj 74 milionëshe dhe shumë të re në moshë (dy të tretat e popullsisë së Turqisë janë nën 35 vjeç; në fund të këtij dhjetëvjeçari ky vend do të ketë një popullsi më të madhe sesa Gjermania, ndërsa në mes të këtij shekulli popullsia e Turqisë do të jetë më e madhe se popullsia e Francës dhe e Anglisë, të marra së bashku), me tregun e saj (një ndër dhjetë tregjet më dinamike në botën e sotme), me shkallën e lartë të rritjes së saj ekonomike (një ndër ekonomitë që do të njohë rritjen më të madhe në 50 vitet e ardhshme, sipas një raporti të kohëve të fundit të OECD-së), me sistemin e saj demokratik, me ushtrinë më të madhe (pas Amerikës) ndër të gjitha vendet e NATO-s, me pozitën gjeografike dhe influencën e saj shumë të madhe në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Azinë Qendrore, Turqia është një vend që meriton një vëmendje shumë më të madhe se deri më sot nga politika shqiptare. Madje, siç është shprehur kryeministri britanik, David Camerun, gjatë vizitës së tij në Ankara, në korrik 2010, pranimi i Turqisë në BE do ta forconte edhe vetë Bashkimin Europian, do t’i jepte atij një peshë më të madhe gjeopolitike dhe një rol më të rëndësishëm në politikën globale. Një Bashkim Europian me Turqinë, sipas kryeministrit Camerun, do të ishte “jo më i dobët, por më i fortë, jo më i pasigurtë, por më i sigurtë, jo më i varfër, por më i pasur”.

Pra, pse (jo) Turqia? Përveç Bashkimit Europian, Turqia është një vend shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për Rusinë dhe për Kinën. Dhe nëse ky vend mesdhetar, me një këmbë në Ballkan, është kaq i rëndësishëm për fuqitë më të mëdha të globit, si mund të mos jetë i rëndësishëm për një vend të vogël si Shqipëria?

Arsyeja dhe përvoja historike e këtyre 70-80 viteve të fundit më thonë se marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe se partneriteti me të duhet të jetë i një rëndësie strategjike, njëlloj si (edhe pse për arsye të ndryshme) partneriteti me fqinjët tanë, Italinë dhe Greqinë. Në radhën e aleatëve të rëndësishëm të Shqipërisë, Turqia nuk ka pse (dhe nuk duhet) të jetë pas Italisë dhe Greqisë, por njëlloj e rëndësishme si ato.

 

 

 

Fatos Tarifa August 8, 2013 12:18
Komento

5 Komente

  1. Dr. Vehip (Veip) Proda August 8, 12:54

    Dje, një të përditshmeje të Prishtinës i dërgova këtë reagim, që ajo nuk e botoi. Prandaj, po e ripërsëris për gazetën “DITA”, me ndonjë shtesë të vogël:
    “Rikonsiderimi i marrëdhënieve me Turqinë, si një partnere stratëgjike, është një akt shumë i rëndësishëm që duhet jetësuar, si dhe një orientim i zgjuar, i zhdërvjelltë dhe i domosdoshëm për shumë arsye…Shqipëria dhe kombi shqiptar, për qëllime platformore e strategjike dhe pushtetet politike shqiptare edhe per arsye programore, marrëdhëniet me Turqinë bën t`i konsiderojnë të një rëndësie kapitale në pikëpamje politike, ekonomike, ushtarake, pas atyre me SHBA-në, BE-në dhe faktorin Veriatlantik! Një orientim i tillë jo vetëm që nuk i cënon marrëdhëniet me Italinë dhe me Greqinë, por, përkundrazi, u jep atyre një dimension të ri! Kujtoni vetëm Gazsjëllësin që do të kalojë në katër shtetet tona: Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali, për të shkuar më tej. Kush kërkon të diversionojë këtë orientim, tregon më së paku injorancë dhe miopi, për të mos shkuar më “larg”!…Politikanët dritshkurtër shqiptarë duhet ta mbledhin mendjen njëherë e mirë se është e dobishme ajo që i bën mirë atdheut e kombit, aspak politikës së ditës ose interesave të ngushta. Prandaj, s`duhet përfoluar a kundërshtuar një nismë meqënëse nuk ishe ti ai që e bëri këtë “zbulim”, që ishte në mes të sheshit dhe në dritë të diellit! Politikanët fantoshë shqiptarë, të të gjitha niveleve, orientimeve, bindjeve, krahëve politikë, bën ta flakin tej përfundimisht postiulatin: “miku i armikut tim s`është miku im”, kur ai është dhe duhet të jetë miku i kombit shqiptar. Mjaft më me apollogji, që bien erë jot ë mirë!…Por, një gjë nuk duhet harruar: miqtë strategjikë rrotull nësh t`i duam e respektojmë ndërsjellas, ama, së pari e para së gjithash me Amerikën! S`besoj se ka dilemë për këtë!

    Reply to this comment
  2. Ura e Bunës August 8, 14:55

    Saktë! Turqia po quhet gjigandi i Ballkanit(E.Scalfari,Gazeta italiane”La Repubblica”)dhe ne ndryshim nga vendet e BE,ka rritjen e GDP 6 perqind….Asnje problem,perkundrazi,bashkesia shqiptare e madhe ne Turqi,nje detyrim;natyrisht Greqia,Italia,si fqinje natyrore;por dhe SHBA dhe domosdoshmerisht Kina.Kazakistani ka nxjerre teorine se industrializimi dhe prodhimi duhen me parë se demokracia.Dhe kryeqyteti i tyre eshte kthyer ne nje vend modern sa gazetat Italiane javen e shkuar i kushtuan faqe te tera ketij zhvillimi,pa demokraci te perparuar!…Ndaj marrdheniet me Turqine,duhen pare pa llogaritur shume demokracine e tyre difektoze;sikurse me Kinen qe duke ditur kush ishte Berisha,pasardhes i drejtperdrejte i atij qe Enver Hoxhes i prishi mardheniet për Beogradin(Kina fuqizoi Shqiperine me armatim dhe industri ushtarake duke e bere vendin e dyte ne Europe,pas Turqise(Lexo Le Monde,shkurt 1977)per fryme popullsie,ne armatim qe i duhej jo per mbrojtje nga kapitalizmi,si pretendohej,por per te marrë Kosoven sipas nje premtimi te dhene Hoxhes nga Tito,por të pambajtur…Kina qe po pushton Angline me teknologji, biznes dhe turizem,ka projektet shqiptare gati…sikurse dhe amerikanet qe duan te marrin trurin shqiptar,per pergatitje te metejshme dhe rikthyer per zhvillim!…Greqia dhe Italia,ne krize e kolaps zhvillimi duhen mbajtur prane,pasi emigracioni yne ketu ka influence te madhe dhe sjell vlera monetare!Ringritja e disa konsullatave ne Venecia,Genova,Janine,e Selanik(nese mungojne)jane domosdoshmeri pasi mungesa e nje ministrie per emigracionin,redukton disi pengesat qe hasin emigrantet ne keto qytete metropol….Tarifa ka te drejte me:Përse jo,Turqia,pasi lokomotive zhvillimi sot ne Ballkan eshte vetem ajo! Dhe diplomacia eshte organizem i gjallë….Rama ka konceptuar mire diplomacine,por aparati eshte teresisht i qelbur…duhet rifreskuar urgjentisht!…

    Reply to this comment
  3. andi August 8, 15:23

    Z. Tarifa kjo qe thoni ju eshte e vertete po ku e kuptone shpellaret e servilet e tyre. Tjeter eshte dashakeqsia e Sali Berishes me te gjithe kundershtaret e tije brenda dhe jashte PD. Sala gjithnje don tja leje vetes mencurine e dijen, dhe te gjithe te tjeret jane nul. Fallxhorja injorante Sali eshte e keqja e te gjitha te keqijave qe i takoi popullit Shqiptare ne keto 100 vjetet e fundit. Paste shkue e gjithe kjo e fundit me doreheqjen e tije e paste fundin e tije ne politike sa ma te shpejte, qe Qeveria e re te mos e kete neper kembe kete pisllek. Nje fjale e urte thote; qe po u ndeshe me pisin bahesh pis. Sali Berisha eshte nje i tille.

    Reply to this comment
  4. arianit August 8, 16:43

    PSE JO TURQIA???
    Ndoshta pse na degjeneruan per 500 vjet, ndoshta pse vendet fqinje vazhojne
    ti quajne shqiptaret turq.

    DHE ME KRYESORJA ESHTE QE TURQIA ESHTE QYTETERIM ORIENTAL.
    Dhe shqiperia duhet te largohet nga kultura orientale dhe ti bashkohet
    kultures perendimore.

    Reply to this comment
    • SHKUPI August 8, 23:24

      Turqia ka rendesi te jashtezakonshme dhe z.Tarifa ka be nje analize mjaft te mire dhe thukte.Gjenerator i vendeve perreth.Sa per orientalitetin dhe oksidalitetin mund tju them se shume me oksidentale eshte se te gjitha vendet e Ballkanit e mos te themi me per Greqine,Bullgarine,Romanine e mos te flasim per Shqiperine.Ky komentuesi ARIANIT nuk paska njohuri as elementare me faktet por flet si indoktrinuar nga librat e historise enverist,dhe aty paska ngelur akoma.Ndoshta ka edhe paragjykime fetare.Mos te harroje se eshte pasardhese e imperise me te gjate,me te fuqishme dhe me te madhe te kohes.Ata qe kane vizituar,pare e shijuar Turqine nuk e kane kete mendim.Te lumte zoti Tarifa per shkrimin.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*