Kush po i luan fijet për kryetarin e ri?

Habjon Hasani July 8, 2013 12:00

Kush po i luan fijet për kryetarin e ri?

Partia Demokratike është e përfshirë zyrtarisht tashmë nga ethet e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Berisha ka dhënë dorëheqjen nga posti, duke i hapur rrugë garës, ndërsa Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë shpallur kandidaturat dhe kanë nisur organizimin e fronteve respektive. Në dukje çdo gjë shfaqet si një proces krejt normal dhe i hapur. Apo jo? Ka vetëm një detaj të “vockël”, që nuk përputhet me panoramën e një procesi të natyrshëm zgjedhje: Ish-kryetari Berisha është shndërruar në “Kryetar në detyrë”.  Sipas vetë zotit Berisha ai zgjodhi të mbetet i tillë për të mbikëqyrur dhe garantuar një proces sa më të drejtë zgjedhor në PD. Vetëm se, tashmë kanë ardhur sinjalet e para se “Kryetari në detyrë”, në fakt, po loz si nga hera, ai ka nën kontroll  të plotë të gjitha fijet dhe të gjithë njerëzit që do të angazhohen në realizimin e këtij procesi.

Tri ditë më parë kandidati Sokol Olldashi iu drejtua kryesisë së partisë duke i kërkuar që zgjedhjet të shtyheshin për në javën e parë ose të dytë të muajit Gusht, por kjo kërkesë iu refuzua nga kryesia, e cila vendosi datën 22 Korrik si datë të zgjedhjeve. Siç duket, çdo gjë duhet bërë sa më shpejt. Aktualisht po përshpejtohet dhe me listat e anëtarësisë dhe personazhet e angazhuara për përpilimin dhe hartimin e tyre duket se janë disa burokratë partie, persona…jo dhe aq të rastësishëm në këtë histori.

 

Listat e mangëta

Në Partinë Demokratike personi i ngarkuar me përpilimin e listave zyrtare të anëtarësisë, pra listat e zgjedhësve, është zoti Florion Xhuti. Ai dhe vetëm ai, ka në ngarkim këtë detyrë. Zyrtarë të kësaj partie shprehen se zoti Xhuti është pjesë e asaj që quhet Shërbimi Informativ i Partisë(SHIP-i), një  strukturë e hershme e kësaj partie, thuajse okulte, e specializuar në mbledhjen e informacioneve mbi kundërshtarët politikë por edhe e angazhuar për kontrollin e pandërprerë edhe mbi vetë zyrtarët dhe figurat kyçe të Partisë Demokratike, në çdo nivel të saj.

Javën e fundit zoti Xhuti ka përzënë nga zyra thuajse të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike që shkonin për të verifikuar emrin e tyre në lista. “Shprehja e zakonshme është: Jemi të zënë me punë, duhet të vini më vonë. Por, e kam të zorshme të besoj se ata bëjnë punë tjetër përveç listave këto ditë”, – tha dje një funksionar në Partinë Demokratike. Vetë listat e serverit qendror të PD-së duket se kanë probleme jo të vogla. “ Listat  aktuale nuk kanë një bazë të dhënash qendrore të mirëfilltë. Ka plot njerëz që janë anëtarësuar tek seksioni ndër vite dhe në zgjedhje siç e parashikonte statuti, ndërkohë që nuk kanë karta anëtarësie dhe s’janë te regjistruar në qendër. Por ka edhe të tjerë që janë anëtarësuar para viteve 2000 që kanë kartat e vjetra dhe nuk e kanë emrin në list”, – referoi dje për DITA-n i njëjti zyrtar që preferon anonimatin.

 

Listë-hartuesi

Po kush është personi që ka marrë detyrën të hartojë listat e anëtarësisë në PD dhe çfarë përfaqëson ai? Zyrtarisht Florion Xhuti ka ardhur në Partinë Demokratike në vitin 2006 dhe menjëherë u vendos në një post kyç në këtë parti. Zoti Xhuti mban zyrtarisht detyrën e Shefit Organizativ në Parti. Ai erdhi në vitin 2006 në PD, më parë ishte pjesë e partisë së Ballit Kombëtar. Procesi ishte i tillë, ish-shefi i Shërbimit Informativ të Partisë (SHIP), zoti Gjergj Lezhja u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave pranë Berishës. Dikush duhej të zinte vendin e zotit Lezhja në SHIP. Për ta bërë këtë detyrë u zgjodh zoti Albert Avduli. Para se të bëhej Shef i SHIP-it, zoti Avduli mbante pikërisht postin e Shefit Organizativ në Parti. Kalimi në një pozicion më të lartë e la vakant këtë vend të mbajtur nga zoti Avduli dhe po atë vit  u përzgjodh Florion Xhuti si Shef Organizativ.

Ndonëse nuk kishte një të kaluar në Partinë Demokratike, e për më tepër, i ardhur nga Balli Kombëtar, Florion Xhuti u emërua në një funksion delikat në strukturën e Partisë Demokratike. Si ia doli të ngjitet me kaq shpejtësi ky djalë? E sigurt është, se mbështetjen e kishte siguruar në nivelin më të lartë të mundshëm, tek Berisha, por rruga që ndoqi për të marrë garancitë e Berishës, mbetet ende e paqartë.

“Në kohën kur Albert Avduli kaloi si kreu i SHIP-it, Jozefina Topalli, Ridvan Bode dhe Ilir Rusmali punuan fort që të caktonin në vendin e Shefit Organizativ të mbetur vakant njerëzit e tyre. Askush prej atyre nuk mundi dot të kapte këtë vend. Ishte vetë Berisha që vuri veton dhe caktoi Florion Xhutin. Xhutin nuk e njihte njeri në PD. Askush nuk e di as sot nëse Berisha e ka pasur lidhje të vetën, nëse  i ka ardhur si sugjerim nga struktura e SHIP-it apo nga rrethi i vetë familjar”, – sqaroi dje zyrtari i lartë në PD.

 

Në prehrin e Gjyshit

Zyrtarisht njeriu që ka përgjegjësinë për hartimin e listave dhe organizimin e garës në PD, Florion Xhuti, është vartës i kreut të SHIP-it, Albert Avdulit. Të dy ata janë të angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, por duket se në këtë periudhë të “nxehtë”, Xhuti ka intensifikuar dhe mban kontaktet vetëm me Berishën dhe nuk merr urdhra nga të tjerë.

“Që ta shpreh në një mënyrë sa më të kuptueshme, Florion Xhuti është kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Partisë. Është KQZ-ja e këtyre zgjedhjeve. Mban kontakte të drejtpërdrejta vetëm me Gjyshin (nënkupton Berishën). Me askënd tjetër. Besoj se duke pasur parasysh këtë të dhënë ju e kuptoni se kush po i luan realisht fijet në PD dhe i merrni të gjitha të tjerat vetë me mend për atë çka pritet të ndodhë në vijim”,-  thotë burimi.

Ndërsa bëhet e qartë se procesin dhe infrastrukturën zgjedhore në Partinë Demokratike e kontrollon SHIP-i, ndërsa vetë SHIP-in e kontrollon ekskluzivisht vetëm Berisha, duket se dy kandidatët në garë, Basha dhe Olldashi, nuk kanë asnjë gjë në dorë për të ndryshuar këtë skemë organizimi. Të dy janë njësoj të paaftë dhe pa kompetencë për të mbikëqyrur saktësinë e procesit. Por ama mes të dyve ka një ndryshim. Mbështetësit e Olldashit së fundmi kanë nisur të artikulohen se kanë shanse reale për të fituar “nëse dikush nuk ka vendosur ta trukojë procesin” dhe shohin me detaje çdo zhvillim sa i takon infrastrukturës së këtij procesi. Mbështetësit e Bashës nuk duket se kanë këto ethe pasigurie. Ata janë komodë dhe as interesohen fare për infrastrukturën e garës, kanë besim të plotë se SHIP-i do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë: Do vërë në vend direktivën e Berishës. Kaq mjafton që ata të ndihen të sigurt, në mos, fitimtarë, thjesht nuk ka ardhur momenti për të bërë dhe shpalljen zyrtare.

 

Përse Berisha foli për segmente mediatike sharlatanësh?

Në fjalimin që mbajti në mbledhjen e kryesisë së partisë tri ditë më parë, Berisha, për një moment u fokusua papritur në goditjen pa emra të medieve që kanë ngritur pyetje mbi mënyrën se si po shkon procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri në PD. Ishte një paragraf i vetëm i fjalimit të tij, por i mjaftueshëm për të kuptuar se Berisha e kishte me shumë merak këtë punë. “Është një orë e veçantë për ju, të refuzoni me përçmim çdo lloj ndërhyrjeje në ndërgjegjen tuaj, të çdolloj e cilitdo. Përpjekje të dështuara bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat nga botë me të cilën ne s’na lidh asgjë, nga të huaj sharlatanë të cilët harrojnë që kur tentojnë të ndërhyjnë në këtë mënyrë janë thjesht një qe’ në pleh dhe asgjë tjetër. Por, ndërgjegjja, integriteti juaj është më i lartë se çdo kush tjetër, ndaj dhe kërkoj nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të refuzojmë me përçmim përpjekjen për të ndërhyrë, nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero”, – u shpreh Berisha në mbledhjen e kryesisë.

E përse duhej ky “sqarim me goditje” nëse në PD punët shkojnë fjollë dhe gara është realisht e ndershme? Mos vallë Doktori, ka parashikuar çdo gjë në detaje që procesi të shfaqet normal dhe i natyrshëm dhe ndonjë detaj ka dalë jashtë programit? Mund të jetë edhe kështu. Gazeta “DITA” në dy javët e fundit është fokusuar gjerësisht në atë çka po ndodh realisht në PD dhe jo në atë çka deklaron PD-ja se po ndodh. Berisha dha dorëheqjen zyrtarisht nga funksioni, akt për tu përshëndetur. Por ama…tha se do qëndronte në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Për këdo që e njeh sadopak atë parti bëhet e qartë se nuk janë strukturat formale partiake  ato që kryejnë “punët” por “hija e kryetarit historik”. Natyrisht që kjo hije e rëndë, ky autoritet kaq solid i Berishës, nuk ekziston në hava. Ai është i mbështetur mbi “strukturat paralele”, të cilat në fakt janë formacionet e tij, të konceptuara, të ndërtuara dhe të kontrolluara posaçërisht prej tij, si në lëmin e punëve të partisë ashtu dhe në lëmin e drejtimit të qeverisë.

Kështu që një deklaratë e tipit: “Unë po deklaroj se po e jap dorëheqjen” është shumë pak për të bindur se me dorëheqjen po largohet dhe ndikimi total i Berishës mbi garën, aq më pak mund ta besojmë kur Berisha dorëheqjen e jep me kushtin për të mbikëqyrur garën për kryetarin e ri. Sot Berisha ka vetëm një problem: Nuk do në asnjë mënyrë që procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të duket i kontrolluar dhe i përcaktuar prej tij. Për këtë ai ka hedhur dy teza në tregun mediatik:
1. Unë e dhashë dorëheqjen
2. Unë nuk kam mbështetur publikisht dhe nuk jam prononcuar për asnjë kandidaturë.
Duke dalë me këto dy teza, Berisha është munduar shumë që të lërë në hije, atë që është më e rëndësishmja në të gjithë këtë histori: Kontrollin okult që ai ka mbi vetë garën. Sepse, nëse ti kontrollon me dorë të hekurt  garën si proces dhe si infrastrukturë me gjithë komponentët e saj , “de facto” ti ke mundësi të kontrollosh dhe të orientosh vetë rezultatin e garës. E nëse ke kontroll mbi rezultatin, përse ti hapësh punë vetes dhe të dalësh publikisht në krahë të këtij apo atij kandidati? A s’mund t’ia dhurosh përkrahjen duke i dhënë fitoren me rezultat farsë kandidatit tënd të preferuar, e më pas të marrësh dhe meritën në publik se e le partinë me kryetar të ri të zgjedhur nga vetë anëtarësia?

Ndaj dhe çdo tentativë mediatike për të hedhur dritë mbi detajet e organizimit të procesit dhe sidomos çdo tentativë mediatike që zbardh kontrollin okult të Berishës me strukturat paralele në garë i dekonspiron atij planin për një garë të “komanduar, kontrolluar dhe të orientuar” në terren, por e cila ama duhet të duket dhe të jetë e duartrokitur si demokratike dhe e drejtë në publik. Plani i Berishës nuk duket dhe aq i keq, por ne si gazetarë, nga ana jonë, kemi plane të tjera për mënyrën se si do ta raportojmë garën për kreun e ri në PD.  Zor se na bind aq lehtë dorëheqja e tij. As kandidimi i Olldashit, apo buzëqeshja e Lulit.

 

Ofensiva e Olldashit ndaj LSI-së dhe Fahri Balliut si e vetmja kartë

Në 48 orët e fundit kandidati për kryetar në PD nisi një ofensivë akuzash ndaj LSI-së dhe botuesit Fahri Balliu. Në fakt, ky i fundit disa kohë më parë kishte akuzuar Olldashin dhe Boden si dy personalitete në PD që flirtonin politikisht me Edi Ramën. Më pas Olldashi doli tek Fevziu dhe akuzoi LSI-në si një çetë hajdutësh ndërsa Fahri Balliun si person  që akuzon atje ku nuk i realizohen interesat. Dje, nga LSI-ja doli Ylli Manjani që e akuzoi Olldashin si një kumarxhi të rëndomtë, duke i përdorur atij një ves për të cilin është gjerësisht i përfolur.

Por përtej akuzave një pyetje shtrohet: Përse Olldashi godet pikërisht LSI-në dhe Fahri Balliun?  Duket se strategjia e Olldashit lidhet me goditjen e asaj që në PD e quajnë trinomi Basha-Meta-Balliu. Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Fahri Balliu njihen botërisht se ndajnë mes tyre miqësi dhe marrëdhënie besimi. Duke qenë se ky nuk është një fakt i panjohur, shumëkush ia numëronte Bashës si minus këtë marrëdhënie me Metën, ndaj dhe Balliu duket se është hedhur në sulm i pari, duke u përpjekur të relativizojë trinomin Meta-Basha-Balliu me trinomin e supozuar Rama-Bode-Olldashi. Por, nëse për të parin ka prova dhe deklarata të qarta të ekzistencës së kësaj marrëdhënie, për trinomin tjetër, për herë të parë u dëgjua nga Balliu.

Nga ana tjetër në PD disa mendojnë se Olldashi është i interesuar të vëjë theksin mbi trinomin Meta-Basha-Balliu pasi një pjesë e mirë e anëtarësisë së PD-së e ka parë si gabim fatal bashkëpunimin 4-vjeçar me Metën, duke futur në këtë valë pakënaqësie dhe Lulzim Bashën dhe Fahri Balliun. Në kushtet kur vetë Olldashi, si funksionar i PD-së por edhe si zyrtar i lartë shtetëror nuk ka ndonjë dallim thelbësor me Bashën, pasi të dy kanë qenë në hyqmin e “Familjes”, në mos ministra te emëruar por “de facto” noterë të punëve të “Familjes”, Olldashi po përpiqet të gjejë avantazhet dhe identitetin e vetë si kandidat duke treguar me gisht përballë trinomin Meta-Basha-Balliu.

Vështirë mund ta ketë të bindë anëtarësinë me këtë tezë zoti Olldashi, ata e dinë me siguri ekzistencën e këtij trinomi, por dinë gjithashtu se Sokol Olldashi nuk ka pipëtirë kurrë për këtë çështje përpara disfatës së 23 Qershorit, përkundrazi, e ka votuar dhe ai aleancën  me Ilir Metën, falë së cilës qëndroi dhe për 4 vite të tjera ministër i transporteve dhe ku për zëvendës në ministri kishte Ylli Manjanin e LSI-së.

 

 

Habjon Hasani July 8, 2013 12:00
Komento

11 Komente

  1. miri July 8, 12:13

    eshte vendos me kohe luli.

    Reply to this comment
  2. fulgeri July 8, 12:38

    vazhdojne skenaret e sigurimit te shtetit..ne gazeten dita..teoria e diversionit dhe percarjes nuk ka per tju ecur mor te mjere..pd eshte ne unitet te plote…ndersa maxhoranca e majte do cahet pasi lsi te beje leket qe la ne fushate.

    Reply to this comment
  3. Kuqeziu July 8, 12:51

    E pse merakoseni kot kur dihet se kryetarin e pd e cakton…udb-ja nepermjet perfaqesuesit te saj saliut? Si thoni ju kot do te shkojne milionat e udb-se per agjenturen e vet ne shqiperi? Treshet e trinomet qe thoni e thuhen jane vetem mjegulla qe krijohet e nxitet me ose pa dashje per te realizuar qellimin e agjentures serbe. Kaq dhe pike.

    Reply to this comment
  4. Silva July 8, 13:11

    Nuk ka gare per kryetarin e PD.Olldashi ka pranuar te kandidoje si figurine dhe Berisha do ta kompensoje duke e bere ose nenkryetar ose sekretar te pergjithshem.Kjo kuptohet lehte perderisa Olldashi nuk paraqet asnje reflektim per humbjen dhe asnje alternative te ndryshme nga Basha per te ardhmen.Jane qe te dy marioneta te Berishes,njeri si kollovar e tjetri me dosje nga ato qe ka qejf Berisha.

    Reply to this comment
  5. dymi July 8, 13:23

    Saliu thote se nuk ka asnje preference per kryetarin e ardhshem; madje se nuk ka bere asnje gjest qe te promovoje ndonjerin prej tyre. Po vajtja tek presidenti se bashku me Lulushin pasi u mor vesh sagllam humbja katastriofike e PD, cfare ishte? A nuk tha me kete gjest se une po bej gjoja se po iki dhe formalisht kryetar do te jete Lulushja, sepse vetem ate e kam te lidhur ngushte me ushkurin e brekeve te mija?

    Reply to this comment
  6. MALI July 8, 13:53

    te dy muter jane , dhe ashtu ka per te vajtur PD dhe gjithe ata qe i ndjekin , parti sharlatanesh , hajduterish , qe nuk bejne dot shtet , vetem do te punojne per te ruajtur parat qe kan vjedhur , te mbrojne ali babane dhe te mendojne si ta mashtrojne perseri kete popull , por kur nuk do tju vi ajo dite , ata jane te falimentuar , por do te vi dhe koha per te dhene llogari

    Reply to this comment
  7. emigranti July 8, 14:07

    dhe bufi e di qe gjerat ne salpd fuksjonojne si ne kohen e xhaxhit .dihet qe luli eshte krylepirsi qe do zgjidhet.

    Reply to this comment
  8. emigranti July 8, 14:12

    ” PD” ka qen parti vetyem per 2 muaj pastaj emri pd nekuptonte salen per te gjitha keto 23 vjet po te njejten gje dhe partia e ilir hajdutit.po mir te na behet .fjala e urt thot:” delet kan bariun qe meritonje”

    Reply to this comment
  9. al July 8, 20:32

    nqs do te kesh pushtet ne PD duhet nje kurs intensiv si spiun i beogradit luli ke ska rras brenda ne prishtine ku keta te fundit akoma vdesin per salen e si rrotullohet bota

    Reply to this comment
  10. keltis July 8, 21:15

    Kryetarin e ri te Pd ta zgjelle maxhoranca e Rilindjes se ata votoji populli.Shkurt ta emroje Rama kryetarin bije fjala Ditmir Bushatin ose Taolant Ballen

    Reply to this comment
  11. zekthi July 10, 22:28

    Barba Carlua dhe Pinoku . Babe sala dhe Luloku ,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*