Referendumi që na duhet pas 23 qershorit

Nga Daut GUMENI March 9, 2013 15:05

Referendumi që na duhet pas 23 qershorit

Këto ditë pushteti aktual i Tiranës na dha shfaqjen e radhës, duke na siguruar se, gjithnjë pasi të ketë fituar dhe këto zgjedhjet e 23 qershorit sikurse ka fituar të gjitha zgjedhjet në këto vite të gjata tranzicioni, do “ta shembë murin e bllokimit”, që na ka mbajtur larg BE-së dhe do ta shembë me anën e një referendumi të padëgjuar gjëkundi në botën e qytetëruar…

Do na bëkan pushtetarët një referendum për të vendosur populli vetë edhe për rregulloren e punës së Kuvendit të Shqipërisë, rregullore që e shpërfytyroi po ky pushtet, për ta kthyer Kuvendin në Drejtori Speciale të Shërbimeve Qeveritare (!) Një referendum, që duket se nuk i jep dot dum gjendjes së bllokuar pas dështimit tri herë rresht për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Një referendum propagande, që përpiqet të mbledhë rreth udhëheqjes së partisë në pushtet radhët e lodhura të militantëve dhe të nxitë brigadat e vjedhësve profesionistë të votave edhe për zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti.

Si të mos gëzohen shqiptarët pas një viti me ekonomi në reçension, kur pushteti i garanton se do të miratojë me referendum popullor edhe rregulloren e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë? Le të habiten sa të duan miqtë tanë në demokracitë e zhvilluara me këtë lloj referendumi të padëgjuar, që na siguron njëherësh ”shëmbjen e murit të bllokimit” dhe shmangien e opozitës nga vemdimmarrjet e rëndësishme politike. Është punë e miqve tanë të demokracive të zhvilluara, nëse nuk arrijnë të kuptojnë se demonkracia shqiptare, e drejtuar nga stalinistë të thekur, e ka shpallur me kohë opozitën “armike të popullit”. Pse udhëheqësit tanë do të merren edhe me sqarimin e komisionerëve të BE-së lidhur me shpikjet demon-kratike të pushtetit aktual të Tiranës? Po deshën, le të na ndjekin në rrugën tonë. Po nuk deshën të ecin dhe ata në rrugën tonë të ndritur, paçin veten më qafë! Udhëheqja e ndritur staliniste e demon-kracisë shqiptare, u ka dalë borxhit…

Nuk deshi t’i thoshte këtë pushteti aktual i Tiranës edhe komisionerit për zgjerim të BE-së, vetë z. Fyle, kur i thanë troç se demokracia ecën e përparon “duke u mësuar”? Dhe ç’të mësuar se!  Të mësojnë dhe miqtë tanë të demokracive të zhvilluara se referendum për të “shëmbur murin e bllokimit”, është zhvillim dhe jo deformim i demokracisë! Po deshi vërtet të përparojë demokracia edhe në BE, z. Fyle duhet të dëgjojë mirë e të mësojë nga pushtetarët tanë stalinistë. Po nuk e  kuptoi dot aq mirë brigadierin Stalinist të pushtetit aktual të Tiranës, z.Fyle le t’i vërë veshin e të mësojë nga juristët tanë sesi thellohet demokracia e të mos na tregojë neve se kur duhet e kur nuk duhet të bëjmë referendum.

A e di z. Fyle se atë deli fakultet juridik, që ka përgatitur juristët tanë të pushtetit, e kanë mbaruar dikur edhe ish-futbollistët e klubit “Dinamo”? Po nuk e di, le ta mësojë se pushtetarët tanë nuk janë në ato karrige për të dëgjuar as përfaqësuesit e BE-së dhe as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por janë për të dhënë mësime e direktiva ohllokracie për mbarë botën e zhvilluar, nga Eritreja  e  Xhibuti e Somalia e deri në Korenë e Veriut…

Madje miqtë tanë të demokracive të zhvilluara në BE e në Amerikë, duhet të mësojnë mirë nga pushtetarët tanë stalinistë, se demokracia e vërtetë është ajo ku anashkalohet opozita e jo ajo që e përfshin dhe opozitën në vendimmarrjet e mëdha në dobi të interesave kombëtarë. Të mësojnë miqtë tanë të demokracive të zhvilluara në Europë e në Amerikë se demokraci e kulluar është ajo ku pushteti trashëgohet Kim-pas-Kimi dhe jo ajo ku rotacioni i pushtetit dhe i elitave politike është në dorë të votës popullore.

Të mësojnë miqtë tanë të demokracive të zhvilluara se referendum i përdorur si fishek dum-dumi për të bërë sa më shumë tym e zhurmë propagande në prag të zgjedhjeve, është shprehja më e lartë e një demokracie të zhvilluar me parulla e të deformuar realisht deri në atë shkallë, sa ta shpallë opozitën “mbeturinë borgjeze” të panevojshme për zhvillimin e ohllokracisë…

***

Ja pse mendoj se, për të ndalur revanin e deformimeve të demokracisë aq sa të kemi në pushtet një ohllokraci që të neveritë shqiptarët e miqtë e tyre ndërkombëtarë, mbase do thënë me kohë se cili është referendumi që na duhet për të na shpëtuar nga një pushtet i kalbur prej korrupsionit lemeritës. Më shumë se dum-dumi i propagandës pushtetare  në këtë prag zgjedhjesh , mbase do na duhej pas zgjedhjeve përgatitja e një referendumi për të shuar deformimet e rënda, që i ka bërë demokracisë shqiptare një kastë politike e sëmurë për pushtet të pakufizuar.

Mbase do na duhej vërtet një referendum për të marrë miratimin e popullit për të pasur dhe tek ne një Sistem Zgjedhor që garanton lirinë dhe barazinë e votës, për të pasur dhe tek ne një Parlament me 100 përfaqësues sa më dinjitozë të popullit, të dalë nga zgjedhje vërtet të lira e të ndershme e jo nga manipulime të Dushkut e të Rruzhdies, për të passur dhe tek ne një President Republike që të të zgjidhet nga populli e të përfaqësojë unitetit kombëtar e jo një portier të derës së rëndë të pushtetit, për të pasur më në fund dhe tek ne institucione të pavarura kushtetuese, titullarët e të cilave të zgjidhen me votë të cilësuar e jo ca badigardë më shumë për brigadierin e pushtetit .

Mbase një referendum i tillë do të ishte vërtet referendumi që na duhet. Se ai referndumi-dum-dum, me të cilin pushteti aktual i Tiranës po përpiqet t’u japë mësime demokracie edhe Europës e Amerikës bashkë, është një nga ato marrëzitë e programuara të këtij lloj pushteti, që është kapur aq keq nga paniku i humbjes së sigurt në zgjedhjet e 23 qershorit.

Se e dinë dhe vetë pushtetarët aktualë të Tiranës që këtë skotë pushtetarësh të papërgjegjshëm e të ngërthyer aq keq me krimin, sa të përpiqet të mbulojë dhe krimet e veta me krime gjyqësore, nuk e shpëton dot nga humbja asnjë lloj tymi e asnjë lloj zhurme propagandistike për një referendum që “anashkalojnë” opozitën. Asnjë lloj referendumi antiligjor e antiproduktiv nuk e shpëton dot këtë lloj pushteti nga përgjegjësia e tij ligjore e jo më nga humbja e rëndë e zgjedhjeve të 23 qershorit, humbje e turpshme  që ky pushtet i bërë njësh me krimin e ka përgatitur vetë me duart e tij, të kthyer me kohë në kthetra të babëzitura ndaj pasurive kombëtare të shqiptarëve e ndaj pronave të pronarëve të ligjshëm të këtij vendi të varfër.

Sikurse nuk e shpëton dot nga humbja e thellë e zgjedhjeve të 23 qershorit që vjen as “trimërimi” i shtirë, që përpiqen të na shfaqin me miqtë tanë të mëdhenj të demokracive te BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk u shkon fare ajo lloj “trimërie”me Europën dhe me Amerikën e madhe të lirive këtyre palo pushtetarëve, që dridhen t’u kërkojnë fqinjëve dështakë edhe reciprocitetin më elementar në marrëdheniet mes shteveve.

Këta palo pushtetarë të trembur për vdekje nga fqinjët tanë dështakë, nuk kanë guxim as të kërkojnë të mos u grisen pasaportat e shtetit shqiptar në kufi qytetarvë tanë, nuk kanë as aq guxim sa të kërkojnë të mos pengohen qytetarët shqiptarë në kufi nga policët e vendit fqinjë vetëm sepse kanë të shkruar në dokumetet vetjake që kanë lerë në Çamëri dhe pastaj kanë paturpësinë të na përpushin pëndët  e të rreken të na bëjnë “trimoshët” e të gënjejnë veten gjer në atë shkallë sa të bëjnë botën për të qeshur me dhëmballë të fundit, kur duan dhe t’i japin mësime demokracie dhe Europës e Amerikës bashkë(!) Kot nuk thotë populli i shkretë “Hunda më qiell e b… më diell|

Nga Daut GUMENI March 9, 2013 15:05
Komento

2 Komente

  1. mentari March 9, 18:10

    respekte zoteri Daut Gumeni

    Reply to this comment
  2. kaposhi March 9, 22:01

    kur te na paraqitet te na i paraqitet nen per nen se ashtu ja votojme me te plote te shtojne e ndonje nen se sa do e kene rogen qeveritatet dhe deputetet k kom k qarqeve prefektet e tje

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim