Zeneli për Migjenin ose enigma e një ikjeje befasuese 55 vite më parë

July 8, 2016 23:51

Zeneli për Migjenin ose enigma e një ikjeje befasuese 55 vite më parë

Ajo që Migjeni, uragani i ndërprerë poetik, ka shkuar për Zenelin, është diçka e ditur dhe e përcjellë në shumë breza. Do të vazhdojë të jetë e tillë. Nxënësi i veçantë i Migjenit do të bëhej njëri ndër personazhet më domethënës të prozës poetike migjeniane dhe, si një përsiatje e gjenialitetit të mësuesit të tij, do të ishte njëherësh edhe epilogu i asaj që Migjeni kishte parathënë për të. Ndoshta askund tjetër, ajo që Migjeni kishte parathënë 55 vite më parë, do të jetësohej në jetën e një njeriu, i cili, i përshkruar aq mjeshtërisht në prozën “Zeneli”, do të kishte të njëjtin fund që ishte rrënjosur tek mendimi fatalist i mësuesit të tij.

55 vite më parë, Migjeni do të shkruante :1

“Shpesh herë më pëlqente të mendoj mbi ardhmëninë e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypi në majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej edhe pjese e eme fataliste arsyetonte: Lene Zenelin të rrojë jetën stërgjshnore, primitive, e ka ma mirë, mos e merr në qaf mee hypë ndër maja të nalta nga mund të thyejë qafën i dëshpëruem, tue pa të vetët të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me u ndihmue”.

Theqafja e Zenelit , si e kishte parashikuar Migjeni, ndodhi pikërisht më 9 korrik, 55 vite më parë. Ishte theqafja e një figure politike të kohës, tashmë 36 vjeçar, pasi kishte lindur me 8 qershor 1925, dhe do të largohej me enigmën e vrasjes së tij, me 9 korrik 1961.

13016659_1164194910281745_1136793287_oMes dy datave, të fillimit të jetëshkrimit të tij, përmes njërit ndër poetët më të fuqishëm të të gjitha kohërave shqiptare, Migjenit, dhe largimit të tij, në një vend ende të paditur, në mesnatën e 9 korrikut, ishte jeta e një njeriu që, pasi u lidh me komunizmin dhe kjo ishte ëndrra e tij, si duket, u lodh nga e gjithë kjo ëndërr, dhe, duke i pa të vetët tepër ultë e tue mos mujt me i ndihmue, kishte thyerjen e parë.

Ndoshta atij i takoi fati i rëndë që të ishte pjesë e jetës së një vendi që e kishte dashur tepër i ri, pasi , sapo kishte bërë të 20 vitet, emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Pukës. Dhjetë vite më pas do të emërohej Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Lezhës, do të jetë student i shkëlqyer i Filozofisë në Universitetin e Moskës, ku diplomohet shkëlqyeshëm dhe, si rrallë herë, në ditën e diplomimit të të gjithë studentëve në Universitetin e Moskës, studentë nga 80 shtete, i takon atij të përshëndesë, si studenti më i veçantë. Personazhi i Migjenit do të bëhet krejt papritur personazh i Nonda Bulkës dhe i Lazer Radit, do të shoqërojë disa herë Enver Hoxhën në mbrëmjet e mëdha të Pionierëve dhe do të jetë për shumë kohë nën mbrojtjen e tij,  do të dërgohet, pas studimeve të drejtojë një qark të njohur si Elbasani dhe, prej aty, ku kishte shkuar me ndjenjën e të njohurit, do të kthehej për në Shkodër, në mesnatën e 10 korrikut, në anën e pasme të një makine, krejt i vetëm, fillikat, i pajetë, me një plumb në anën e majtë të ballit, megjithëse nuk ishte mëngjerash dhe disa plumba në trup, nga ku, edhe pas shumë orëve vazhdonte të rridhte gjak. Si duket, mbrojtja kishte qenë afatshkutër, ose më saktë kishte qenë e përkohshme.

Çuditërisht do të jetë një figurë e sulmuar shumë herët. Është e pazakontë, por në letrën që Enver Hoxha i drejtonte të gjitha organizatave të Partisë në 26 janar 1952, duke nënshkruar si Sekretar i Përgjithshëm, do të nënvizonte:

“ Shoku Zef G. Duke kërkuar të ngjitej edhe më lart pa e merituar, me metoda trockiste dhe në rrugë krejtësisht antimarksiste, organizoi një intrigë shumë të rrezikshme.  Zef G. në kurdisjen e kësaj intrige kishte krijuar një rreth të tij, kishte filluar përpunimin e Sekretarit të Parë, Zenel Islami, dhe të shokëve të tjerë. U vërtetua se akuzat ishin pa baza, pra ishin shpifje..Përveç kësaj i dënueshëm ka qenë faji i Zeg G., si Sekretar i Dytë dhe i Shefit të Sigurimit në Pukë, të cilët pa vënë në dijeni Komitetin Qendror të Partisë dhe pa marrë autorizimin e tij, vunë në përpunim Sekretarin e Parë të Partisë, Zenel Islamin”.

Në vitin 1952 kishte veç pak kohë që ishte goditur grupi i Koxi Xoxes, njëri nga qëllimet e dënuara të së cilit kishte qenë edhe synimi për të vendosur partinë nën kontrollin e sigurimit të shtetit. Në letrën e Enver Hoxhës, do të pranohej hapur se pas vitit 1948, një sekretar i parë partie, për më tepër mjaft i njohur, të ishte vënë nën përpunimin e Sigurimit të Shtetit. Nuk do të kishte asnjë rast tjetër, veç atij të 26 janarit të vitit 1952 dhe, siç dukej, do të kishte pasur një pendim të shpejtë, tepër të shpejtë, sepse disa muaj më pas, në Kongresin e Dytë të Partisë, ndërsa fliste për ngjarjen, Enver Hoxha nuk e përmendi më përpunimin e fshehtë të sekretarit të parë nga Sigurimi i Shtetit.

Do të ishte naive të mendohej se sekretari i parë i një rrethi ishte vënë nën përpunimin e një strukture të Sigurimit të Shtetit pa u marrë një miratim, qoftë edhe i heshtur, diku më lart se sa ishte menduar, e po do të ishte e vështirë të besoje se përpunimi i një njeriu të njohur, fill pas goditjeve të fund vitit 1948, do të bëhej thjeshtë nga dëshira e dy vartësve të tij.

Gazetari dhe studiuesi i njohur Dashnor Kaloçi, por edhe të tjerë, të cilët kanë gjurmuar rastin e sipërm, kanë bërë të njohur pjesë të dosjes së Zenelit, dhe në ditët e fundit, zoti Kaloçi ka gjetur në Arshivën e Shtetit një letër të Zenel Islamit dërguar Komitetit Qendror të Partisë lidhur me vrasjet që po bënte Sigurimi i Shtetit në rrethin e Pukës, sidomos vrasjen e mikut të tij, Lekë Berisha. Siç duket, kjo letër do i ketë dhënë fund dyzimit për të ardhmen e tij. Është një letër, të cilën, do e publikojmë pas disa hulumtimeve të tjera për këtë rast tragjik, edhe për faktin se e gjithë kjo nuk ka lidhje me atë që donim të thoshim që në fillim:

Çfarë ka shkruar Zeneli për Migjenin dhe përse këto mbresa të një ish nxënësi janë mbajtur të kyçura për kaq shumë kohë?

 

Përgjigjen e kësaj e jep studiuesi Agron Luka në shënimin e mëposhtëm:

Migjeni për Zenelin dhe Zeneli për Migjenin

Po kush, sidomos nga brezi tashmë i vjetër, nuk e njeh Zenelin e Migjenit?

Botimi “Migjeni, Vepra, Mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka”, bot. N.Sh.B. Tiranë 1954, fq.125, kishte këtë shënim:

“Zeneli i kësaj proze të fuqishme qe një nxanës i vërtetë në shkollën fillore të Pukës, ku jepte mësim Migjeni. Zeneli u ba disa vjet ma vonë partizan dhe luftëtar i kauzës së popullit”.

Duke kërkuar në Fondin Migjeni, të Muzeut Historik të Shkodrës, krahas disa kujtimeve dhe diskutimeve të tjera, që ishin lënë në harresë jo pa qëllim nga ish komentatorët,kritikët dhe biografët zyrtarë në kohën e diktaturës, rizbulova edhe një dyfaqëshe daktilografike te kujtimeve të vetë Zenel Islamit për Migjenin. Dosjen dhe faksimilet kanë patur dashamirësinë të m’i vënë në dispozicion studimi arkivistët Pavlin Perja dhe Besi bekteshi.

Po ia përcjell të birit të Zenelit, Bedriut t’i botojë, kujtimet e atit të tij të nderuar.

Ja edhe Letra:

Kujtimet e mia rreth Migjenit

(Nga ish – nxënësi i tij, Zenel Islami-sot Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Lezhës)

Jemi në shkurtin e vitit 1936. Një marsi, dita kur do të fillonin mësimet në shkollën fillore të qendrës së Pukës, po afronte.

Dëgjojmë fjalë pas fjale se sivjet ka ardhë një mësues i ri. Dhe ky mësues ishte Migjeni, me të cilën u njoftëm me 1 mars 1936. Migjeni jepte mësim në klasën e IV dhe të V.

Qysh ditët e para mësuesi na pyeti se a ishim përgatitë për blerjen e librave dhe materialeve të tjera shkollore.

Disa kohë pasi filluan mësimet, natyrisht, kishte nxënës që nuk përgatiteshin mirë. Ne pritnim që mësuesi të aplikonte ndëshkimin fizik ndaj atyre që nuk vinin të përgatitur, sikur kishin vepruar shumë arsimtarë të tjerë para Migjenit.

Mirëpo, në praktikë, u vërtetua se Migjeni për nxënësit, ai për gjithë popullin që vuente, kishte një dhimbsuri të pafund. Gjatë dy vjetëve që jetova me Mësuesin e Popullit, Migjenin – si nxënës i tij, bashkë me shumë shokë të mi të klasës, nuk patëm rastin të shohim një nxënës që të rrihej nga dora e Migjenit.

Ndaj nxënësve që nuk studionin si duhet, mësuesi ynë, Millosj Gjergj Nikolla, bënte presion moral, tue u thanë “ Mësoni se është turp të mbetni prapa shokëve” etj.

Dihet se Migjeni vuente nga tuberkulozi, sëmundje kjo që i shkurtoi jetën në lulen e rinisë. Po, megjithatë, unë e shokët e mi, e mbajmë mend si sot se si Migjeni, për të shtunë pasdreke që kishte orën e gjimnastikës, shpesh luante futboll me ne dhe kjo na bante përshtypje, sepse nuk kishte ndodhë me arsimtarë të tjerë. Kjo tregonte se Migjeni ishte njeri modest, i thjeshtë dhe i dashur.

Mësuesi i Popullit, Migjeni, u interesue shumë të na rrënjoste dashuninë për atdheun. Ishte një ditë e bukur vere. U lajmëruam se do të niseshim në malin e lartë të Tërbunit për një shëtitje shkollore. Morëm me vete globin për të bërë një orë gjeografie. Pasi arritëm në vendin e caktuem, u çlodhëm, luejtëm futboll dhe më parë se të ktheheshim për në shkollë shohim në glob shtetet e ndryshme të Europës. Kur na ra në sy Shqipnija, të gjithëve na erdhi keq pse kjo topka jonë ishte kaq e vogël. Migjeni vërejti shqetësimin tonë dhe ndërhyri. Ai na foli gjanë e gjatë për atdheun tonë, për fushat e tij pjellore, për pasunitë e mbitokës dhe të nëntokës. Ai na thoshte se po të krahasohemi sipas frymëve, neve na takon më shumë tokë se sa banorëve të shteteve të tjera europiane. “Ky vedi jonë është i mrekullueshëm, thonte Migjeni, porse duhet punue mirë”.

Kjo ndërhyrje e mësuesit tonë në pyllin e Tërbunit na bindi se me të vërtetë atdheu ynë është i bukur dhe i pasur.

Mësuesi tregonte një kujdes atnor për nxënësit e tij e në radhë të parë për të vobegtit.

Në klasën tonë kishim një arkë kursimi, ku në çdo muej secili prej nesh derdhte nga një çerek leku. Në fund të çdo mueji, Migjeni, me një komision të  formuem nga nxënësit, me votim të hapët, numëronte lekët dhe mandej pyeste në klasë se ndër cilët nxënës shikohesh e nevojshme të ndaheshin këto lekë. Kështu fillonin propozimet. Në fund, me shumicë votash, vendosesh se cilët nxënës do të përfitonin nga ajo ndihmë e klasës. Natyrisht ata që përfitonin ishin më të vobektët. Kjo mënyrë veprimi ishte shumë demokratike dhe Migjeni ishte ai që e vuri i pari në jetë.

Në klasën tonë kishim dy vllazën binjakë nga katundi Dedaj, të quajtun Pal e Mark Kola. Baba i tyre i ankohej shpesh Migjenit, “ nesër, për mungesë buke, nuk kam mundësi me i prue fëmijët në shkollë”. Migjenit i coptohej zemra nga idhnimi. Shpesh u blinte këtyre fëmijve simite me lekët e tij. Ai u bleu edhe beze dhe këmishat ua qepi me dorën e saj e motra e Migjenit.

Migjeni i kishte halë në sy dasitë për çështje fetare. Në shkollën tonë gjysma e nxënësve ishin katolikë dhe gjysma tjetër myslimanë. Migjeni shikonte se si në kohën e drekës nxënësit, të ndamë në dy grupe, sipas besimit, hanin bukë dhe luanin lojna të ndryshme vendi, ndërsa kur niseshin për në shtëpi ndodhte shpesh që, ashtu në grup, të rriheshin me njëri-tjetrin.  Për t’i vue fre kësaj përçamje, mbaj mend mirë se si Migjeni ne fliste për dashurinë që duhej të ekzistonte mes nesh dhe thonte se “Myslimanë apo katolik, toskë e gegë, jemi vllazën të pandamë”.

Migjeni ka qenë “hije lehtë”, siç thotë populli. Mendjemadhësia ishte një gja e neveritshme për të. Ne nuk kishim frikë me bisedue me Migjenin. Atë nuk e konsideronim vetëm si mësues, por edhe si babë ose si vlluan tonë të madh.

Thjeshtësia e Migjenit dhe dashuria që kishte për ne banin që të jemi mjaft të bindun dhe të disiplinuem.

Kur kisha mësues Migjenin isha vetëm 10 – 11 vjeç; mosha e vogël nuk më lejoi që të njoh më mirë këtë poeti të madh revolucionar të epokës sonë, që ka nderuar letërsinë shqipe”.

Këto kujtime risillen pas 60 viteve në harresë. Mjafton kjo dhe i ke thënë të gjitha.

3

4

 

 

July 8, 2016 23:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*