A kanë urrejtje veriorët ndaj serbëve

November 9, 2014 02:34

A kanë urrejtje veriorët ndaj serbëve

Përgjigje nga një “shqiptar verior” për diversionin e profesorit serb Predrag Simiç. Skandali i një interviste provokative pak orë para vizitës së “jugorit Edi Rama” në Beograd.

Një vështrim historik në vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar: Roli i fshehtë i Beogradit në investimin e liderëve politikë në Tiranë

Tradhtia që nuk njeh krahinë: Nga Ceno Kryeziu ministri filoserb i “veriorit” Ahmet Zogu, te dy “jugorët” Koçi Xoxe e Pandi Kristo që përgatitën aneksimin e Shqipërisë në një republikë të shtetit jugosllav pak vite më vonë. Futja e UDB-së në zhvillimet e Tiranës në 1990 dhe më tej

 

Nga Bedri Islami

Ditët e fundit, sa më shumë që afron vizita aq shumë e përfolur e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në kryeqytetin serb, Beograd, aq edhe janë bërë të shpeshta intervistat, analizat, opinonet e debatet për të, dhe rreth saj në median e rajonit e më gjërë se kaq. Për të mos folur për median tonë, e cila, ashtu si duhet të ndodhte, e kishte njerën nga temat më të gjëra, sidomos pas ndeshjes së ndërprerë të futbollit, ku edhe pasionet, pro e kundër kësaj vizite morën hovin më të madh të mundshëm.

Është e natyrshme që një vizitë kryeministrore në një vend fqinj, pas 70 viteve, të ngjall komente e analiza të ndryshme, ashtu si është normale që pas kësaj ngjarje, të dyja palët, të presin zhvillime të reja, të cilat sado të pakta që të jenë, do të jenë të dukshme, pasi vijnë nga një fushë e shkretë marëdhëniesh politike. Të cilat, herë herë, kanë shkuar deri në hasmëri, dhe duhet thënë që në fillim se në asnjerën prej tyre, mendimi politik shqiptar dhe inovacioni i tyre, nuk kanë qenë faktorët e fajit!

Ndër mendimet e ndryshme të hedhura në median ndërkombëtare më bëri përshtypje ai i Predrag Simiç, ish-këshilltarit politik i kryeministrit Koshtnica, njërit ndër shefat e qeverisë beogradase, pas erës millosheviçiane, si më radikali, sidomos ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ishte aq radikal,sa kishte marrë edhe armën për të “shfarosur shiftarët”. Zoti Simiç, mes të tjerave thekson se “Kryeministri Rama është me origjinë nga jugu i Shqipërisë, nga një rajon i cili është shumë më pak i ngarkuar..me urrejtje ndaj serbëve”.

 

Tri gjëra dalin pas këtij konkluzioni:

Së pari, se e gjithë Shqipëria, nga jugu në veri, është një rajon i gjërë, në të cilin, ku më pak e ku më shumë valon urrejtja ndaj kombit serb, por në të cilin, fakti i të qenurit nga jugu të bën të jesh më pak i ngarkuar me këtë urrejtje.

Së dyti, kjo do të thotë se veriu i Shqipërisë, e më tej veriu i sotëm i shqiptarëve, është thellësisht i ngarkuar me urrejtje ndaj serbëve.

Së treti, me njerëzit jugorë të politikës Beogradi mund të gjejë më lehtësisht gjuhën e marrëveshjes së përbashkët, se sa me njerëzit e politikës nga veriu. Jo më kot, ai sjell në pasuesin e këtij citimi, bashkëpunimin e shkëlqyer me ish kryeministrin Nano, edhe ai me origjinë nga jugu i vendit.

 

Sa të sakta janë këto tre konkluzione, që jo rastësisht e jo pa dashje sjell profesori Simiç, në një intervistë, e cila pasi shënjon gjëra të dobishme, bën këtë lojë të prapshtë politike përmes fjalëve, saqë , në se pranohen si të tilla, ata veshin krejt një popull me urrejtje të lindur ndaj serbëve, por që në jugun e këtij vendi është më pak e ngarkuar.

Shqiptarët, përgjithësisht, kanë në vetëdijen e tyre butësinë ndaj të tjerëve, megjithëse shpesh herë ata janë paraqitur jo pa qëllim si barbarë. Në të gjitha kodet e tyre të nderit përafrimi e jo urrejtja kanë zënë vendin themelor.

Kjo ndoshta ka qenë edhe njëri ndër shkaqet që, përmes përgjakjes që i është bërë, është rrudhur në kufijtë e sotëm politikë dhe jeton duke frymuar nga të gjitha anët bashkëkombasit e saj. Nuk njihet dhe nuk ka, as në dokumentat themelorë të këtij shteti që nga krijimi dhe as në memorjen e tij zakonore, qoftë edhe një rast i vetëm, ku të jetë sanksionuar urrejtja apo të jetë ligjëruar dëbimi i kombeve të tjera , edhe nga teritore thjeshtë etnike.

Megjithëse përmbi fatin e tij janë bërë masakra të pazakonta, sidomos nga fqinjët veriorë dhe jugorë, pak ditë më pas, si në një falje të përgjithshme ndaj humbësve, shqiptarët janë ngritur mbi dhimbjen dhe kanë falur, edhe më shumë se sa është dashur, duke mos shfaqur asnjë ndjenjë urrejtje e aq më pak egërsie.

Ushtria serbe gjatë luftës së parë, pasi bëri masakra të mëdha në krahinat e Dibrës, u mund, u shpartallua, që nga ushtari i fundit e deri tek prijësit, që ishin princa serbë, dhe, megjithëse kaloi e çarmatosur anë e mbanë vendit tonë, askush nuk iu kërcënua, askush nuk u vra dhe as nuk u përbuz.

Krejt ndryshe nga sa ndodhte në raste të ngjashme me mentalitetin serb, për të cilin, deri pak vitesh si filozofi, si politikë dhe përditshmëri, një shqiptar i mirë ishte vetëm një shqiptar i vdekur. Masakrat që janë bërë gjatë fundshekullit të shkuar në luftën e Kosovës, jo vetëm nga ushtria , forcat speciale apo “militantët “serbë”, por edhe nga paraushtarakët, që shpesh ishin fqinj të shqiptarëve, janë dëshmi se me këtë mentalitet e mbylli mijëvjeçarin një komb sllav ndaj fqinjëve të tij. Por edhe ajo që ndodhi në Beograd , në një ndeshje futbolli dëshmon po ashtu, se diçka ka mbetur nga ajo e shkuar.

Veriu i Shqipërisë, e sidomos veriu i shqiptarëve, mund të kishte gjithë të drejtën e botës që të ishte urrejtës ndaj një kombi që për më shumë se 200 vite e kishte vrarë e masakruar. Mund të kishte këtë të drejtë, nëse në genin e tij nuk do të lëvizte një forcë tjetër, që ishte më e ndjeshme se hakmarrja apo urrejtja.

Kujtdo që i ndodh që forcat policore serbe i vrasin në një ditë të gjithë pjestarët e familjes, prej më shumë se 40 vetë, do i ngjallej urrejtja. Kujtdo që do i shfaqeshin para syve momentet e masakrave në dy fshatra që lidhen me emrin e politologut e atdhetarit të madh Ukshin Hoti, Krushë e madhe dhe Krushë e vogël, ku brenda një dite u vranë më shumë se 160 meshkuj, që nga fëmijët e deri tek pleqtë, urrejtja do i dukej normale. Megjithatë, fatbardhësisht, me një nuhatje të veçantë jetësore, shqiptarët e kanë bërë dallimin mes strukturës së shtetit dhe njerëzve të veçantë, dhe, ndërsa kanë qenë të armiqësuar me shtetin serb, nuk kanë qenë të armiqësuar me serbët që kanë jetuar pranë tyre.

Zoti Simiç e nënvizon faktin se kryeministri Rama është nga jugu i Shqipërisë dhe do të jetë më pak i ngarkuar me urrejtje ndaj serbëve. Në fakt, kryeministri Rama e ka njerën degë të familjes së tij nga veriu, nga qyteti i Shkodrës, nga ku vjen gjyshja e tij, për më tepër nga një familje e shquar atdhedashëse dhe intelektuale. Por kjo nuk është themelore. Interesant është të rishohim se cilët nga kryeministrat e princat e shtetit shqiptar, në shumë dekada, kanë patur urrejtje ndaj serbëve dhe cilët kanë bashkëpunuar me to.

Në vitet e ekzistencës së tij, shteti shqiptar, ka njohur pak, shumë pak shefa qeveritarë me origjinë nga veriu. Ky është një fakt i njohur historik, dhe pse ka ndodhur kështu, nuk është qëllimi i këtij shënimi. Kryeministri i parë verior që njihet zyrtarisht është Ahmet Zogolli, i cili pas ngjarjeve të qershorit të vitit 1924, zbarkoi në Beograd, dhe kjo ishte në fakt “vizita” e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi. “Vizitën e tij” e përgatiti po ashtu një prijës tjetër verior, Ceno beg Kryeziu, njëri nga të pakët që ishte lidhur direkt me qeverinë jugosllave si njeriu i tyre i besuar.

Po me anën e Beogradit , Zogolli erdhi në pushtet në dhjetorin e vitit 1924, dhe jo vetëm me mbështetjen materiale, por edhe ushtarake. Sipas historianit Bernd Fischer, ” një problem shumë serioz që shqetësonte si Zogun ashtu edhe Beogradin ishte përshtypja që mund të bënte në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm artileria jugosllave në tokën shqiptare. Ushtarët serbë u veshën me rroba karakteristike shqiptare…”.

Më pas, sipas marrëveshjes së bërë, Zogolli u fali pjesë të Vermoshit dhe Shën Naumin, dhe kjo do të jetë falja e parë vullnetare e trojeve shqiptare për një sigurim qeverisje. Më pas, po nga kryeministra veriorë, po ashtu për sigurim pushteti, do të tntoheshin të faleshin pjesë të jugut të Shqipërisë, por kjo është në një temë tjetër.

Është e vërtetë se në veriun e Shqipërisë ndjenja antiserbe ka qenë më e fuqishme, pasi kanë pasur të bëjnë vazhdimisht me një dhunë sistematike. Kjo ka bërë që të dalin në pah edhe liderë e tribunë të fuqishëm, me ndjenja antiserbe, të cilët, duke mbetur në kujtesën e kombit, nuk janë shfaqur kurrë si tiranë ndaj popujve të tjerë, që nuk ishin autotoktonë. Figura si Bajram Curri, më pas i vrarë nga Zogolli, Hasan Prishtina, po ashtu i vrarë nga Zogolli, Isë Boletini, i vrarë tradhtisht nga malazezët, Idriz Seferi, Kadri Prishtina, Gurakuqi, i vrarë edhe ai nga Zogolli, nuk u bënë ë tillë nga ndjenja e urrejtjes ndaj serbëve, por nga përkushtimi për vendin e tyre.

Por fakt është po ashtu, se sa herë që në veriun e Shqipërisë ka pasur lëvizje të çartura politike, për të shkuar më tej, antishqiptare, aty ku qenë dora dhe lidhjet me Beogradin. Shteti shqiptar që donte të krijonte Esat Toptani është një ide dhe lëvizje proserbe. Principata e Mirditës, e shpallur nga markagjonët, ishte po ashtu një ide e realizim serb. Kryezinjtë dhe Begollët në Kosovë, ishin po ashtu, një ide dhe lëvizje serbe. Halit Lleshi në Dibër, ishte po ashtu një investim serb.

Për të ardhur më tej në ditët tona: ish-shefi i qeverisë shqiptare, Berisha, ishte po ashtu, një ide dhe lëvizje serbe, i cili, aq sa mbështeti regjimin e Millosheviçit, aq synoi të dëmtojë edhe lëvizjen çlirimtare në Kosovë. Për të ardhur tek kjo e fundit, ajo, më shumë mbështetje gjeti tek shumë zona jugore, se sa në ato që mund të quheshin bastione të luftës.

Në ato pak qeveri të “veriorëve” janë gjetur shpesh njerëz që kanë qenë të lidhur drejtpërsëdrejti me qeverinë serbe, janë paguar prej saj dhe kanë bërë punën e saj. Qoftë si forca potenciale, qoftë si ish-agjentë të zakonshëm. Jo rastësisht, në qeverinë e pas vitit 1925, Zogolli, postin e ministrit të brendshëm ia besoi Ceno Kryeziut, njeriut që hapur aspironte për Serbinë, e po ashtu, jo rastësiht, në strukturat pëdëiste, pas vitit 1990, depërtuan aq shumë njerëz të lidhur me UDB-në serbe. Për të qenë krejtësisht të hapur, po ashtu, jo rastësisht, në misionin jugosllav gjatë luftës, erdhi një misionar serb i shërbimit të sigurimit, Dushan Mugosha, i cili pasi krijoi rrjetin e tij të lartë agjenturor, përmes Koçi Xoxes, Pandi Kristos, që të dy jugorë përgatitën aneksimin e Shqipërisë në një republikë aneks të shtetit jugosllav.

Fakt është se regjimi i Beogradit, për më shumë se 14 vite me rradhë , mbajti me paga të larta, sa i lejonin të jetonin lirisht në Vjenë, shumë emigrantë politikë, të cilët, në shumicë vinin nga jugu i Shqipërisë dhe që ishin kundërshtarë të Zogollit. Disa prej tyre kishin qenë figura të rëndësishme në lëvizjen kombëtare, si Ali Këlcyra apo Sejfi Vllamasi, por, më pas, duke u vënë në qerren e parasë së Beogradit, e humbën vetëdijen e tyre kombëtare, dhe si ishin të lidhur me pushtetin serb, aq fort e aq shpejt u lidhën edhe me fashizmin italian dhe një ditë u gdhinë senatorë fashistë apo antarë të Këshillit të shtetit fashist.

Qëndrimi ndaj shtetit serb, megjithëse në shumicën e kohës ka qenë mosbesues, nganjëherë deri alergjik ndaj tij, nuk ka qenë kurrë pjesë e qëndrimit ndaj kombësisë serbe. Po ashtu, nuk ka pasur në Shqipëri, në qëndrimin ndaj kombësisë serbe apo greke, një ndarje jug e veri, politikanë të veriut apo të jugut. Qëndrimet kryeministrore kanë qenë pasojë e një jete të shkuar, synimeve që kanë pasur, dëshirës për pushtet, bjerrjes së ndjenjën kombëtare dhe zullumeve të tjera.

Por nuk kanë pasur të bëjnë kurrë me një veti kombëtare, antiserbe, e për më tepër me një urrejtje ndaj serbëve. Autori i këtij shkrimi, në fakt, nuk i beson në asnjë moment politikës serbe, por kjo nuk ka të bëjë me njerëzit e zakonshëm në shtetin serb. Kam pasur fatin të kem miq e shok, figura që më pas u bënë heronjtë e luftës në Kosovë, por prej tyre, asnjëherë, edhe në momentet më të vështira, nuk kam ndjerë urrejtjen ndaj kombit serb. Dhe i kam besuar se e kishin seriozisht!

Jugor apo verior, i ngarkuar apo më pak i ngarkuar, kryeministri Edi Rama do të shkojë në Beograd me atë filozofi dhe ndjenjë që mund të shkonte secili që respekton vendin e tij, dhe përmes këtij respekti gjen edhe dritaren të respektojë të tjerët, edhe kur të gjitha këto është e vështirë të respektohen.

November 9, 2014 02:34
Komento

3 Komente

  1. mendim shkreli November 9, 15:52

    Saktesi dhe guxim, cka kerkohet prej cdo analisti.

    Reply to this comment
  2. koco November 9, 17:56

    Kryeministeri zoti Rama eshte e pa konceptushme per mua si qytetar dhe intelektual qe te kete mendesi kaq arkaike , te shkuar koha dhe dale boja , per nje Politikan te ketij niveli me kapacitet dhe kulture pro Evropjane , te diskutohet sikur zoti Rama te jete ndonje cub a kacak ? e pa kuptueshme si mundet te shtrohet dhe ulet niveli i ketij takimi , nga nje njeri ne rastin mediatik si zoti Bedri Islami shkrim shume fshataresk , idjotesk , pa kapacitet , jashte kohe .

    Reply to this comment
  3. doktoriiseksit November 9, 17:58

    nje kundershembull per teorine e simicit: po te ishte e vertete teoria e tij i bie qe jugoret duhet ti urrenin me shume greket per masakrat, shfrytezimin dhe asimilimin shekullor qe u kane bere por me sa di une jugoret i urrejne me pak greket se verioret. Une si Tiranas madje jam shume qefli i muzikes greke.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*