Lulit i këputet bishti

Erion Habilaj October 9, 2013 00:03

Lulit i këputet bishti

Këshilli Kombëtar i Territorit anulon pjesën e projektit për Xhaminë që parashikonte ndërtimin e dy kullave disa katëshe. Po ashtu ngrijnë lejet e ndërtimit në Gjirokastër, Berat e Krujë ndërsa do të hartohet Plani i Përgjithshëm Kombëtar.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur në mbledhjen e djeshme t’i këpusë bishtin me dy kulla Xhamisë së madhe të Namazgjasë në Tiranë. Vendimi është bërë publik nga kryeministri Edi Rama i cili sikundër kishte deklaruar gjatë fushatës elektorale, por edhe pas marrjes së detyrës si Kryeministër, e ka nisur aksionin për marrjen në kontroll të territorit të vendit. E ndërsa aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është shtrirë në të gjitha njësitë vendore, në mënyrë të veçantë në zonat bregdetare, kryeministri Rama ka shpallur si emergjencë marrjen në mbrojtje të tre qyteteve me vlera kulturore dhe historike për vendin tonë dhe më gjerë, Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Ndërsa foli për mediat pas takimit që pati me Këshillin Kombëtar të Territorit, Rama tha se është vendosur dhe ndërtimi i Xhamisë së Madhe të Namazgjas në Tiranë por pa qendrën polifunksionale.

Vedimi për Xhaminë e Madhe të Namazgjasë
Rama tha se Këshilli ka konfirmuar pjesën e parë të projektit, pra lejimin e ndërtimit të Xhamisë, ndërsa anulon pjesën e dytë të projektit, duke theksuar se nuk do të ndërtohet asgjë përveç objektit të kultit. Ndërkaq ai paralajmëroi dhe rishikimin e planit të zgjatjes së Bulevardit të Tiranës në mbledhjet e ardhshme të KKT-së. Rama tha se është anuluar njëra prej dy pjesëve të lejes së ndërtimit të Xhamisë, që i përket qendrës shumëfunksionale, por jo leja që lejon ndërtimin e vetë Xhamisë si objekt kulti. “Xhamia e Madhe e Namazgjasë, leja ndërtimore komplekse dhe ndërtimi i ndërtesës 3, 4, 6 apo 3 kate nëntokë, Këshilli i Rregullimit të Territorit konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet gjë veç objektit të kultit”, tha Rama.

Kontrolli mbi territorin
Kryeministri Rama theksoi domosdoshmërinë e ndërprerjes së ndërtimeve pa leje në gjithë territorin, ndërsa nuk ka lënë pa bërë përgjegjëse qeveritë e mëparshme qofshin të majta apo të djathta, për atë që ai e cilësoi barbari ndaj territorit. “Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve kanë qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet. Një nga pikat kyçe të zhvillimit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje të konsiderueshme të lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segmente të rëndësishme, shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare”, nënvizoi Kryeministri.

Qytetet muze
Po ashtu u vendos shpallja e emergjencës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kryeministri Rama tha se nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi në tri qytetet-muze Berat, Gjirokastër dhe Krujë. Ai tha se “trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh”, prandaj është vendosur “praktikisht të bllokojmë çdo proces për leje të reja për objekte individuale apo grup objektesh për Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën”. “Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë dhe pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por dhe botërore. Por paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrënimit. Gjirokastra sot gjendet në listën e kuqe të UNESCO-s. Do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë botërore apo për të dalë përfundimisht jashtë. Berati dhe Gjirokastra janë pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Kemi detyrimin t’i mbrojmë me çdo mjet. Nëse vazhdohet kështu do të zhduken përfundimisht pas gërmadhave të rrënimit. Për shkak të çorodisë dhe batërdisë së gjithë ndërtimeve me leje apo leje, Kalaja e Krujës rrezikon dëmtim të parikuperueshëm të vlerave të saj historike dhe fizikisht rrezikon të dëmtohet sa mos njihet më”-tha ai. Zoti Rama shtoi se duke qenë të vetëdijshëm se çfarë përfaqëson Kruja, “ne kemi ngritur një hartë masash emergjente të mbrojtjes dhe plan rehabilitimi”. “Me vetëdije kemi vendosur të marrim në mbrojtje këto 3 qendra të trashëgimisë tonë kulturore. Nuk janë të vetmet masa. Shumë shpejt do ketë të tjera masa. Kurora e Tiranës do të jetë në fokus. Vendvarrimi i Skënderbeut apo dhe Kodra e Kalasë ngjitur me të, dëmtuar nga një batërdi asgjësuese. Të tjera pika të nxehta në territor sot gjenden nën kërcënim dhe do ketë të tjera masa. Për këtë do mbështetemi në institucione përgjegjëse”-tha kryeministri Rama.

Tre vendimet e KKT-së

Vendimi i parë
Vendimi i parë u mor në lidhje me masat emergjente mbrojtëse dhe rehabilituese në disa zona me rëndësi kombëtare, të cilat janë: brezi bregdetar, deti territorial dhe ishujt, bashkitë Krujë, Berat dhe Gjirokastër, rrugët kombëtare kryesore dhe hekurudha Tiranë-Durrës. Me anë të këtij vendimi të KKT-së, vendoset pezullimi i dhënies së lejeve të reja zhvillimore të ndërtimit dhe planeve të detajuara vendore nga të gjithë autoritetet e qeverisjes vendore të planifikimit në këto zona me rëndësi kombëtare.

Vendimi i dytë
Vendimi i dytë vjen si rrjedhojë e një konstatimi paligjshmërie të vendimit numër 2, dt. 29.05.2013, të KKT-së, “Për lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe godinës polifunksonale (3, 4, 6, 8 kate dhe 3 kate nëntokë) në kryqëzimin e Rrugës “George Ë. Bush” dhe Bulevardit “Zhan D’Ark”, Tiranë”. KKT-ja vendosi të ndryshojë vendimin e mëparshëm dhe të miratojë lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e “Xhamisë së Namazgjasë”. KKT ngarkoi Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, si dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për negociimin me Komunitetin Mysliman për zbatimin e lejes zhvillimore për Xhaminë e Namazgjasë.

Vendimi i tretë
Vendimi i tretë inicion procesin e vonuar të hartimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Puna për hartimin e Planit fillon me miratimin e nismës. Plani i Përgjithshëm Kombëtar (PPK) është një strategji kombëtare e zhvillimit në territor dhe bazë për zhvillimin e qëndrueshëm infrastrukturor dhe ekonomik.

 

Erion Habilaj October 9, 2013 00:03
Komento

6 Komente

  1. kapo labi October 9, 00:19

    hahahaaaa 🙂 pse nuk e keni mbaru fjalin. Cpo jua ben baca nji status ne FB hahahahaa 🙂

    Reply to this comment
  2. lisdushku October 9, 09:01

    Ja, keshtu te do populli!

    Reply to this comment
  3. shqipfolësi October 9, 09:10

    Lulit i këputet bishti?….Po s’ka gjë, se i del tjetri si zvarranikët….

    Reply to this comment
  4. qytetari nga Elbasani October 9, 12:54

    Ju lumte per vebndimet e marra. Ju lutemi shume nderprisni sa me shpejt, prerjen e atyre pak pyjeve qe kane mbetur.
    Kujdes beni dhe nga ish drejtori i pyjeve ne Elbasan,i zgjedhur si deputet i PR-se dhe sot deputeti LSI-se, Z. Luan Duzha, i cili ka krijuar monopol ne pyjet e Elbasanit, Librazhdit etj. Te beje kujdes Z. Lefter Koka si Minister i Mjedisit dhe pyjeve.

    Reply to this comment
  5. MARKO October 9, 21:54

    Se dija qe ishte zvarranik ky Lule morri!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*