Ortakët e së keqes

Andrea Stefani August 10, 2015 00:29

Ortakët e së keqes

Pas deklarimeve të Sali Berishës dhe disa figurave të larta në PD, se qeveria Rama duhet përmbysur me revolucion “demokratik”. Pse heshtin ambasadorët e Perëndimit në Tiranë për këto thirrje skandaloze që, në kundërshtim me parimet e demokracisë, cenojnë stabilitetin e Shqipërisë? Çfarë qëndron pas hezitimit dhe heshtjes 25 vjeçare të ndërkombëtarëve për të denoncuar përfundimisht një autokrat konfliktual si Berisha që i vë pishën shtetit sa herë kalon në opozitë?

***

E shohin të gjithë dhunuesin tek kërcënon e kërcënon stabilitetin me revolucion “demokratik” dhe jo vetëm heshtin, por vazhdojnë ta konsiderojnë Sali Berishën si demokrat. Tamam si në përrallën e Andersenit ku të gjithë komentonin sa bukur qe veshur mbreti edhe pse në të vërtetë ai kish dalë cullak! Oborrtarët e përrallës e kishin një frikë që u mbyllte gojën dhe i bënte t’i komentonin vithet e mbretit si pantallona. Po këta diplomatët e perëndimit, ambasadorët, çfarë frike kanë që nuk thonë dot të vërtetën për Sali Berishën?! Por e keqja nuk mbaron me kaq. Sepse ndërsa Berisha bën thirrje për revolucion (vetëm revolucionet tekniko-shkencore janë pa dhunë), ca ndërkombëtarë i thonë qeverisë të gjejë konsensusin me PD, në fakt, me Berishën. Kjo është ta vesh qeverinë përpara një detyre të pazgjidhshme. Sepse a mund të ta japë konsensusin ai që gjakon të të përmbysë me dhunë?

***

Revolucion?! Po përse? Dhe si nuk habiten këta perëndimorët me histeri të tilla? Nuk e dinë këta zotërinj se çdo revolucion bëhet në emër të një prone kundër një prone tjetër? Revolucioni komunist u bë kundër pronës private në favor të pronës kolektive? Revolucioni demokratik u bë në favor të pronës private kundër asaj kolektive. Kundër kujt prone, dhe në favor të kujt do të bëjë revolucion Sali Berisha? Mos vallë do të përmbysë sistemin e pronës private që tashmë ekziston në Shqipëri? Atje ku nuk ka vend për përmbysje të marrëdhënieve pronësore, nuk ka vend as për revolucion. Në një rast të tillë “revolucioni” është vetëm një maskë, një pretekst për dhunë, një maskë e gjakimit për pushtet me çdo kusht. Eshtë një PUÇ. Sepse në demokraci pushteti nuk merret me revolucion por me votë. Kush ndjek apo nxit dhunë revolucionare, i largohet demokracisë dhe tregon se nuk ka besim dhe as dedikim tek ajo.

***

Kaq vështirë është të kuptosh se Berisha është antidemokrat? E nisim nga më evidentja: A nuk është, për ambasadorët, diplomatët apo misionarët e Perëndimit në Tiranë, mjaftueshëm antidemokratik fakti i mbetjes së Sali Berishës si në krye të PD, ashtu dhe në krye të politikës në Shqipëri, që nga koha e rënies së komunizmit pra, për më shumë se 25 vjet? Mos vallë duan të justifikohen se po kaq gjatë kanë qëndruar në krye të politikës edhe liderë të tjerë si, për shembull, De Gol apo? Pra, me fjalë të tjera, të na thonë se ky është, gjithsesi, një standard demokratik? Mos vallë ata besojnë se në themel të pozicionimit afatgjatë të një lideri në krye të një partie në Shqipëri shtrihet i njëjti kontekst, për shembull, po ajo demokraci që karakterizon një parti politike në Francë? Vërtet besojnë ata se një lider fitimtar i mbështetur masivisht në Shqipëri, ndesh po atë balancë dhe kufizim pushteti sa një lider në Francë, kufizim dhe balancë që do ta bënin lidershipin e tij të zgjatur në kohë (që nuk mund të mos prodhojë karizëm) jo aq të dëmshëm për demokracinë dhe lirinë? Kjo qenka mënyra për të thyer ligjin e hekurt të oligarkisë që kërcënon demokracinë në çdo parti politike?

***

Si është e mundur që perëndimorët, europianë dhe amerikanë, tolerojnë dhe mbyllin sytë përpara dukurisë së kultit jetëgjatë të një udhëheqësi, dukuri që do të kishte ngjallur shqetësimin edhe të qytetarit më të pazhvilluar në Athinën e lashtë? Sikundër lexojmë te Plutarku, qytetarët e Athinës e shikonin si shumë të rrezikshme për demokracinë, daljen e liderëve ushtarakë dhe politikë me mbështetje të konsiderueshme në popull. Një i tillë ishte edhe Aristidhi që akumuloi mjaft simpati me sukseset në luftë dhe me qeverisjen e mirë. Por simpatia e madhe perceptohej nga athinasit si potencial i rrezikshëm despotizmi për demokracinë. Prandaj vendosën ta përzënë (ostracojnë) Aristidhin nga qyteti. Përzënia, si në çdo demokraci, duhej bërë me votë. Dhe ndërsa votohej “pro” dhe “kundra”, një qytetar i pashkollë i kërkoi Aristidhit, të pranishëm në votim, ndihmë që t’i shkruante në copën e tullës (ostracon), që luante rolin e fletës së votimit, “pro” përzënies së Aristidhit. Po ç’të keqe të ka bërë ky Aristidhi? – e pyeti qytetarin Aristidhi. Nuk më ka bërë asgjë të keqe, iu përgjigj qytetari, por kam dëgjuar që të gjithë flasin shumë mirë për të dhe prandaj më duket tip mjaft i rrezikshëm. Aristidhi kish fituar beteja për Athinën, kish qeverisur shumë mirë dhe megjithatë, e përzunë nga qyteti si të rrezikshëm për demokracinë. Ne kemi një Berishë që ka prodhuar katastrofa me qeverisjen e tij dhe, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, nuk e ostracojmë nga politika!

***

Tek zgjuarsia e lashtë e athinasve, duket e ka rrënjën edhe zgjuarsia e etërve themelues të SHBA për të mos lejuar që një President të qëndrojë më shumë se 8 vjet në krye të qeverisë. Te kjo zgjuarsi e ka rrënjën “zakoni” i demokracisë perëndimore për rotacionin relativisht të shpejtë të lidershipeve. Atëhere si shpjegohet që emisarët e Perëndimit në Tiranë, europianë dhe amerikanë, e neglizhojnë jetëgjatësinë prej diktatori të Berishës në krye të politikës?! Dhe ku pa, në Shqipërinë që jo vetëm vuan akoma nga traditat patriarkale dhe moniste e liderit të përjetshëm, por edhe ku nuk ekzistojnë (ose ekzistojnë vetëm në letër) ai zinxhir institucionesh që kufizojnë pushtetin e një lideri karizmatik dhe populist duke e penguar që, sikundër aspironte Karl Poper, të bëjë shumë dëm.

***

Mbështetja e verbër për Berishën e disa qarqeve apo personave, në Uashington dhe kryeqytete të Europës, ka ngjallur dyshimin e jo pak njerëzve. Në tetor 2011, Geri Kokalari, pjesëtar i një familjeje të persekutuar përgjakshëm nga komunizmi në një letër drejtuar kongresmenit Eliot Engel, i njohur edhe si mbështetës i Berishës, hidhte dyshime për këtë suport të tij: “Ndershmërisht kjo është një çudi pasi gjithkush që është familjar me Shqipërinë, e di që Berisha, së paku, është një autokrat i korruptuar dhe, në rastin më të keq, një diktator i vërtetë”.  Dhe ndërkombëtarët akoma rrinë e vështrojnë se si ky diktator, që ka vrarë edhe protestues duke e mbajtur pushtetin me gjak si një stalinist i thekur, i bën sot thirrje shqiptarëve për të përmbysur qeverinë me revolucion “demokratik”!

***

Vetëm në një rast, në vitin ’97 (dhe për këtë u desh rrënimi i shtetit), ndërkombëtarët, që kishin aprovuar edhe opsionin e triumfit ushtarak të Berishës me anë të një operacioni në Jug, folën qartë. Sikundër shkruajnë Vikers dhe Petifer në “Çështja Shqiptare në Ballkan”: “Duke ndjerë përmasat reale të krizës, më në fund qeveria e Mejxherit në Londër filloi të korrigjonte diçka në qëndrimin e deriatëhershëm të mbushur me një dashuri të zjarrtë për Berishën, ndërsa, me një gjest dukshëm të sforcuar ministri i Jashtëm Malkolm Rifkind kërcënoi se do të ndërpriste ndihmat e huaja në shenjë proteste ndaj sjelljeve diktatoriale të Berishës”. Por nuk do kalonin veç disa muaj, që “zemërimi” ndaj diktatorit të fashitej dhe mbështetja e verbër për të ringjallej përsëri për të vazhduar edhe sot e kësaj dite.

***

Nuk duhet harruar se “ndërkombëtarët” kanë fajin dhe përgjegjësinë që edhe kur, për shkak të dhunimit të hapur të ligjit nga Sali Berisha, ka qenë e mundur që ai të nxirrej para drejtësisë (në rastet e grushtit të shtetit më 14 shtator 2008, në shpërthimin e Gërdecit dhe masakrën e 21 Janarit), kanë ndërhyrë që kjo të mos ndodhte. Pra kundër kultit jetëgjatë të Berishës nuk ka vepruar as ligji si drejtësi dhe as demokracia si rotacion. Përse? Jo rrallë është përdorur si justifikim ruajtja e stabilitetit në Shqipëri dhe me anë të kësaj, edhe në rajon. Por a nuk është kjo sakrifikim i demokracisë për hir të stabilitetit apo i demokracisë në Shqipëri për interesa rajonale? Si qytetar i këtij vendi refuzoj të bëhem kavie për interesa që nuk janë të miat, për interesa që jo vetëm nuk përkojnë me demokracinë dhe europianizimin e vendit tim, por që këmbëngulin, prej 25 vjetësh, t’i bëjnë ato kurban! Dhe kam bindjen se përparimi i demokracisë në një vend të vogël nuk bie në konflikt me asnjë interes demokratik, sado global dhe të largët. Përkundrazi. Parimet e lirisë dhe demokracisë duhen të mbrohen kudo edhe në vende të varfra e të prapambetura si Shqipëria. Madje këtu edhe më shumë. Sepse këtu nuk kanë hedhur akoma rrënjë dhe, rrjedhimisht, sharlatanë dhe arrivistë si Berisha, së bashku me turmat e fanatikëve që i mbështesin dhe klanet e korruptuara që e rrethojnë, nuk e kanë shumë të vështirë t’i asgjësojnë.

***

Mjerisht vëmë re se ambasadorë dhe diplomatë, edhe kur thonë ndonjë të vërtetë për Berishën, e bëjnë fshehtazi. Por publikisht vetëm “pas të vjelash”. Për shembull, duhet të zbuloheshin ca dokumenta nga Uikiliks që ne të mësonim se ambasada amerikane në Tiranë kishte kohë që i përcillte Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) sinjale shqetësuese për autokratizmin e Berishës. Domethënës është një kabllogram i dërguar DASH, në tetor 2008, nga ambasadori Uidhers ku thuhej: “ Që nga Samiti i Bukureshtit i prillit, kryeministri Berisha ka ndërmarrë një numër përpjekjesh për të konsoliduar pushtetin e tij në dëm të institucioneve kyçe përfshi përpjekjes për të penguar dhe ndërhyrë në punën e Prokurorit të Përgjithshëm, për të shkatërruar hetimet mbi shpërthimin e marsit në Gërdec, për të marrë kontroll më të madh mbi Shërbimin Informativ si dhe heshtur median e lirë. Ka disa faktorë që duket se e motivojnë Berishën për këtë tendencë: Frika se hetimet e Gërdecit do implikojnë djalin e tij; dëshira për të fuqizuar grushtin e tij në periudhën para zgjedhjeve parlamentare të pranverës; si dhe perceptimi i gabuar se ftesa e Shqipërisë në NATO ka larguar vëmendjen ndërkombëtare nga Shqipëria duke i dhënë Berishës dritën jeshile për t’u tërhequr nga reformat demokratike”.

***

Por pasi ke marrë vesh gjëra të tilla, alarmi bëhet më i madh: Përse DASH nuk ka reaguar pas marrjes së këtyre informacioneve?! Po me të njëjtin alarm pyesim sot: Përse nuk gjejnë pasqyrim në deklaratat e ndërkombëtarëve, në kritikën e tyre për Shqipërinë (në Bruksel apo Uashington) fakte të tilla skandaloze si kjo e thirrjes këmbëngulëse që bën Berisha e lakej të tij, për përmbysje me dhunë të qeverisë?! Mos vallë ndërkombëtarët i qetëson fakti që pas  fjalës “revolucion”, Berisha shton cilësimin “demokratik”? Po cili nga autokratët që e mori pushtetin me dhunë, nuk e quajti atë “revolucion demokratik”? Dhe kjo nuk mund të mos të të çojë në dyshimin e fortë se përveç lloj-lloj interesash që gjakojnë sakrifikimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, është edhe lobimi i fuqishëm i vetë autokratit Berisha që, me milionat e shtetit shqiptar, ka financuar miq të fuqishëm mes kongresmenëve në BE dhe SHBA.

***

Berisha e denoncoi si të papranueshme deklaratën e ambasadores Vlahutin mbi nevojën e çuarjes përpara të reformës në drejtësi. Jo, e papranueshme është heshtja e ndërkombëtarëve kundër obstruksionizmit të Berishës. Edhe për sa i përket reformës në drejtësi. Dhe është një gabim i rëndë që cenimin e parimeve të demokracisë nga liderët shqiptarë, t’i mbash sekret nga shqiptarët. Që do të thotë të rrisësh mundësinë që ata të manipulohen më lehtësisht nga liderë sharlatanë si Berisha që emrin e demokratit e kanë shpërdoruar vetëm në funksion të akumulimit të një pushteti sa më absolut dhe, natyrisht, super të korruptuar. Eshtë edhe tradhti ndaj të gjithë atyre forcave dhe zërave që përpiqen me devocion e sinqeritet për demokracinë dhe lirinë. Eshtë tradhti ndaj misionit pse përse perëndimorët janë në Shqipëri: Atë të mbështetjes pa rezerva të procesit të perëndimorëzimit të shqiptarëve pra, mbështetjes së demokracisë liberale dhe themelimit të sistemit të saj. Janë 25 vjet dhe, për shkak edhe të këtij qëndrimi të pandershëm të ndërkombëtarëve (të mos harrojmë se ishin ata që dhanë OK edhe për ndryshimet e Kushtetutës që sot duhen korrigjuar), Shqipëria ka sot një demokraci të paaftë për të mposhtur kultin e një lideri që u vu në ballë të lëvizjes studentore kundër komunizmit duke dalë nga zyrat e Komitetit Qendror të PPSH.

***

Enough is enough! Shqipëria duhet shpëtuar nga kthetrat e kultit poshtërues të liderit të fundit historik që trashëgon që nga koha e komunizmit. Domosdoshmëria lidhet edhe veçorinë e karizmës së Berishës. Në politikën shqiptare ka jo pak liderë të tjerë të korruptuar. Por askush si Berisha nuk trashëgon atë mbështetje fanatike, tipike për moton bolshevike “partia është Lenini dhe Lenini është partia”. Rreth 25 vjet pas rënies së komunizmit, ka ardhur koha që politika shqiptare të çlirohet nga kthetrat e këtij modeli që e poshtëron dhe e mban larg organizimeve tipike europiane. Por për këtë duhet që edhe ndërkombëtarët të flasin, të mos heshtin më, kur shikojnë “demokratin” që i fryn epsheve të revolucionit në emër të “demokracisë”. Të heshtësh dhe mos denoncosh një autokrat që prej 25 vjetësh shitet si demokrat për t’i bërë varrin demokracisë në një vend të varfër, është të bëhesh aleat me autokratin dhe me gënjeshtrën. Eshtë të rritësh shanset që autokrati të përfitojë për të manipuluar publikun dhe varrin që gërmon për demokracinë, ta paraqesë si gropë të themelit të saj. Ka ardhur koha që kjo lojë e ndërkombëtarëve me të keqen, kinse në respekt të opozitës, të marrë fund. Sepse, në fakt, është shkatërrim i opozitës. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse ata vazhdojnë ta konsiderojnë autokratin partner, nëse vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e perceptojnë, si mashtrim, si tallje me demokracinë dhe rotacionin, faktin që edhe pse i “dorëhequr” formalisht, Berisha vazhdon ta drejtojë PD realisht duke e shndërruar kryetarin e saj Basha në një kryetar realisht formal.

***

Për shumë vite Berisha ka manipuluar me ndërkombëtarët duke u paraqitur si lideri që me ndikimin prej tutori mbi politikanët shqiptarë në rajon, mund të mbajë nën kontroll situatën në Kosovë dhe Maqedoni. Kjo shpjegon, por nuk them se e justifikon, tolerimin që i është bërë për ca kohë gjakimeve autokratike të Berishës. Gjithsesi, tashmë ajo konjukturë nuk ekziston më. Berisha nuk është më “Dutch Uncle” i liderëve shqiptarë as në Kosovë dhe as në Maqedoni. Atëherë pse gjithë kjo droje, për të mos thënë frikë nga tij? Përse në deklaratat e ndërkombëtarëve qëndrimi ndaj Berishës dhe ndaj nxitjes së dhunës prej tij, shfaq atë kujdesin për të mos ngacmuar një bishë të plagosur se mund të të kafshojë? Përgjigja është vetëm një: Shantazhi dhe korrupsioni!

***

Edhe me ndërkombëtarët Berisha ka zbatuar parimin e shkopit dhe të karotës. Eshtë përpjekur të korruptojë sa më shumë figura të politikës (në Uashington, Bruksel, Vjenë, Paris, Londër). Përveç kësaj, duke u hequr si antikomunist dhe djathtist i flaktë, ka fituar mbështetjen e liderëve të Partisë Popullore Europiane që, nën ndikimin edhe të lobistëve të paguar prej Berishës, nuk ja kanë ngenë të zhbirilojnë se sa demokrat është realisht lideri “që përmbysi diktaturën më të egër komuniste në Lindje”. Mbështetja që ka gëzuar e gëzon Berisha është një mishelë e një kulti mashtrues, korrupsionit, papërgjegjshmërisë, verbërisë dhe naivitetit. Ka ardhur koha që e vërteta t’i japë fund heshtjes mbi kultin e gënjeshtërt që i qëndron demokracisë shqiptare mbi kokë si shpatë. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse ambasadorët, diplomatët e perëndimorë në Tiranë, nuk çlirohen nga frika prej Berishës.

***

Tiranët e bazojnë suksesin e tyre te frikësimi. Taktikë që Berisha e ka ndjekur jo vetëm me shqiptarët por edhe me ndërkombëtarët. Ai, me kohë, e ka bërë të qartë publikisht se nëse nuk merret vesh me ambasadorët do t’u drejtohet eprorëve të tyre. Një shantazh që është shpalosur më egër në rastin e përplasjes me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Uidhers. Në atë kohë Berisha dërgoi edhe një letër pakënaqësie në Uashington kundër Uidhersit. E njëjta praktikë është ndjekur edhe kundër ambasadorëve të tjerë amerikanë si Mariza Lino. E njëjta egërsi dhe mllef u manifestua nga Berisha edhe kundër ambasadorit Arvizu. Por vetëm në momentin që ambasadori nisi të mbajë qëndrime që nuk i pëlqenin më autokratit që po Arvizu, e kish cilësuar “burrë shteti”. Berisha, si një rrugaç i vërtetë, i ktheu shpinën në publik ambasadorit Arvizu. Po nuk kishte asgjë për t’u habitur. Berisha ka qenë i gatshëm t’i kthejë shpinën edhe SHBA kur qëndrimet e saj i kanë cënuar pushtetin. Si për shembull në vitin e tmerrshëm ’97 kur, për hakmarrje ndaj Perëndimit, i regëtinte në mendje ta shndërronte Shqipërinë deri në Republikë Islamike. Të njëjtin shantazh të turpshëm Berisha ka ushtruar edhe ndaj ambasadorëve të tjerë, një herë atij danez, një herë tjetër asaj britanike, që kanë guxuar të flasin hapur. Shkurt, ai e ka bërë të qartë se nëse i dalin kundër, ambasadorët do kenë probleme me qeveritë e tyre, do kenë kosto për karrierën e tyre. Dhe nuk është për tu habitur që jo pak diplomatë perëndimorë, i janë nënshtruar këtij shantazhi. Jo pak prej tyre kanë peshuar: A ja vlen të rrezikohet karriera për demokracinë në një vend pa peshë si Shqipëria! Duket se kanë arritur në përfundimin e hidhur se nuk ja vlen. Sepse, në fund të fundit, kanë arsyetuar – si një Shqipëri me demokraci, si pa demokraci, në Botë asgjë nuk ndryshon. Por gabojnë. Gjërat në këtë botë janë aq të lidhura sa, thonë shkencëtarët, një flutur mund të rrahë krahët pak më fort në pyjet e Amazonës për t’u bërë, si pa kuptuar, hallkë e zinxhirit të shkaqeve për një stuhi në një tjetër kontinent! Kështu edhe disfata e demokracisë në Shqipërinë e vogël dhe pa peshë, mund të shndërrohet në një katastrofë për demokracinë në Europë. Ose, më e pakta, mund të jetë shenja e kalbëzimit të frikshëm të saj.

Andrea Stefani August 10, 2015 00:29
Komento

5 Komente

  1. mullai August 10, 06:24

    Godet perseri Andrea. Pyetja kete here eshte shume inteligjente. Si ka mundesi qe nuk e denoncojne te huajt thote? Kuptoje njehere e mire…. Nuk kane cfare te denoncojne se ka te drejte. Saliu edhe revolucionin e ka demokratik. Sikur thirrja per revolucion te ishte si ato qe benin socialistet ne 97 ti nuk duhet te habiteshe por te shkulje floket dhe te thyeje syzet. Forca Andrea godit perseri me forte se te rritet ”tarifa”

    Reply to this comment
  2. Dulla August 10, 11:22

    Mullai i ISIS.
    Nuk i kupton ato qe thote Andrea ti.
    Ti dhe Saliu jeni ne Konferencen Islamike. Atje ne ISIS do beje revolucion demokratik, komunisti pioner Sali.
    Po tani per tani te rrije e te haje persheshin e pensionin. Ndersa ti Mulla prit sa te dali ndonje Sali tjeter dhe te beje revolucion.

    Reply to this comment
  3. GURI I KAMJES August 10, 14:30

    Kam bere nje koment qe eshte zhdukur njelloj si per nje shkrim tjeter. Nuk e kuptoj kete veprim te çuditshem. Lutem pergjigjuni!

    Reply to this comment
  4. mullai August 10, 17:59

    Ti Dulle nuk je ai qoftlargu besoj? Sa per te kuptuar kete tipin nuk eshte e veshtire Dulle. Ky mire vete ka ate mendim qe ka per PD dhe Sali Berishen por edhe kur te tjeret kane mendim ndryshe nga ky, ky te ”godet” o Dulle . Lexo, lexo Dulle qe ta kuptosh me thjesht Ndreken

    Reply to this comment
  5. Lleshi August 10, 20:41

    Ortaket e se keqes , apo ideatoret , planizuesit , finacuesit dhe ekzekutuesit e se keqes ?
    A eshte berisha lider , apo nje ushtaruc me prapavije te forte politiko-logjistike antishqiptare ? A eshte Berisha (dhe gjithe poltikanet) , person apo filozofi dhe poltike antishqiptare me emer Berishizmi ?
    A eshte Berisha komandant skuadronesh paramilitare , apo nje antishtet antishqiptar , brenda shtetit te shqiptareve , i organizuar dhe financuar nga “ortaket” ?
    Si mendon ti Andrea ? Sa gjasa ka qe Berisha dhe berishizmi (edhe Edramist) te jete rastesi ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?