100 vjet më parë: E vetmja shpresë për Shqipërinë ka qenë dhe është Amerika

July 4, 2019 12:31

100 vjet më parë: E vetmja shpresë për Shqipërinë ka qenë dhe është Amerika

Ekskluzive/ Zbulohet letra e Kristo Dakos në vitin 1919 për Shtëpinë e Bardhë. Zëri i shqiptarëve kërkonte mandatin nga Amerika përballë synimeve të fuqive të tjera, të cilat bënin pazarllëqe në Paris për ta zhbërë Shqipërinë. Letra pohonte qartë se shpëtimi i Shqipërisë gjendej vetëm te mbështetja amerikane. Dhe historia e dëshmoi se ashtu ndodhi…

Prof. Xhevat LLOSHI

 Biznesmeni i madh amerikan nga Çikagoja, Çarlz Krejni (Charles Crane, 1858-1939) qysh në fund të shek. XIX kishte nisur të interesohej për Europën Lindore dhe Lindjen e Mesme, kështu që edhe vendi ynë nuk do të mbetej jashtë vështrimit të tij. Gjatë një vizite në Ballkan ndaloi më 28 maj 1911 në Manastir dhe atje takoi Gjergj Qiriazin, i cili ishte kunati i Kristo Dakos, sepse ky ishte martuar me motrën e tij, veprimtaren e shquar të arsimit, Sevastinë. Krejini qëndroi 9 ditë në Shqipëri, duke kaluar nga Ohri në Elbasan e Tiranë, ku takoi Kriston. Prej andej mbërriti në Podgoricë, ku u takua me Edith Durhamin në rrethana të jashtëzakonshme.

Durhami i ka kushtuar këtij takimi dy faqe në librin “Lufta për Shkodrën”, botuar më 1914, të cilin e kam përkthyer të plotë shqip më 2017. Një mesditë përcëlluese të fillimit të qershorit Durhami po rrekej të bënte një sy gjumë, pas rraskapitjes për të ndihmuar sado pak refugjatët, “kur nisi çokanisja e zakonshme te dera. ‘Një burrë kërkon t’ju takojë’. – ‘I thoni të largohet’. Pasoi një heshtje e shkurtër dhe pastaj bam, bam, bam! ‘Është një anglez. Thotë se kërkon t’ju takojë menjëherë’. – ‘I thoni se nuk ka mundësi’. Kujtova se do të ishte ndonjë gazetar dhe ata më kishin ardhur në majë të hundës. Bam, bam, nam! ‘Ja ku e ke kartëvizitën e zotnisë dhe thotë se nuk mund të presë’. Nuk mbeti më shpresë për gjumë. U hoqa zvarrë teposhtë shkallëve dhe nën manat e bardhë pashë një burrë shtatgjatë, i cili më kërkoi shumë të falur, që më kishte shqetësuar. Ishte z. Çarlz Krejni nga Çikagoja”.

Krejnit që në Stamboll i kishin rekomanduar të takohej me Durhamin, por i duhej të largohej të nesërmen. Bashkë u endën shpellë më shpellë gjatë bregut të lumit për të parë mjerimin e refugjatëve të luftës: “E pyeta se a i mjaftonte sa kishte parë. Më tha se po”. Të nesërmen kur po e përcillte, Krejni i kërkoi të falur, këtë herë ngaqë i vinte shumë keq “që nuk kishte më shumë për të më dhënë dhe më la në duar një qese të vogël. Nuk e hapa derisa u ktheva në dhomë dhe atëherë, për habinë time të madhe, pashë se kishte brenda afër tetëdhjetë  sterlina ar. Ishte një mrekulli. Tashti mund të ndihmohej një numër njerëzish.” Megjithatë kjo habi e Durhamit dhe mrekullia nuk ishin asgjë në krahasim me atë që do të ndodhte më pas:

“Në mesnatë kërciti fort dera e shkollës. U zgjova menjëherë nga thirrjet, se kishte ardhur një telegram me linjën usharake dhe u hodha mbi shtrat e shqetësuar. E kishte dërguar zoti Krejn dhe më thoshte se kishte paguar 10.000 korona në Bankën e Podgoricës për mua.

M’u duk një gjë tepër e mirë që të ishte e vërtetë. Nuk do të isha çuditur më tepër sikur të ishte hapur qielli e të kishte rënë shi prej florinjsh. Madje as me kaq nuk mbaronte mirësia e zotit Krejn. Që nga ajo ditë ai dërgoi ndihmat më bujare dhe ka shumë njerëz, që duhet ta falënderojnë për strehën, ushqimin dhe veshjen.”

***

Po, Ç. Krejni ishte bamirës i njohur dhe kishte themeluar edhe një institut me shtrirje botërore. Dy vjet më pas do të jepte një kontribut edhe për shkollën e K. Dakos. I kërkoi këtij, që t’i caktonte 7 djem e 7 vajza për t’i çuar me bursë në kolegjet amerikane të Stambollit. Ai kishte formuar bindjen, se një nga gjërat më të para, për të cilat kishte nevojë Shqipëria, ishte arsimi dhe, natyrisht, për këtë e kishin ushqyer bisedat me Gjergj Qiriazin, Kristo Dakon e veprimtarë të tjerë shqiptarë të arsimit. Kam një letër të Grigor Cilkës për këto ngjarje, drejtuar zoti Krejn nga Manastiri më 4 tetor 1911. Cilka në atë kohë punonte në Misionin amerikan në Manastir. I vinte keq, që nuk pati mundësinë ta shoqëronte gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri. Kishte marrë vesh për ndihmat bujare që të ndihmoheshin shqiptarët e vuajtur dhe e falënderonte. Ato ditë kishte marrë vesh edhe se Krejni bujarisht do të mbështeste shkollimin e disa djemve dhe vajzave shqiptare: “Kombi kurrë nuk ka për ta harruar atë që po bëni ju për të.”

Por ta ndjekim pas takimit me Durhamin. Në Cetinjë ai u takua me K. Dakon, që sapo e kishin liruar nga burgu në Durrës, dhe me Ismail Qemalin. U nisën për Budapest në një banket diplomatësh dhe raporti i tij për ngjarjet pati jehonë, sepse kishte edhe mbështetjen e Durhamit.

Kur u kthye në Amerikë, Krejni mbështeti me të gjitha forcat kandidaturën e Vudrou Uillsonit më 1912 për zgjedhjet e presidentit. Ndërkaq, nuk e shkëputi vëmendjen nga Shqipëria gjatë viteve të tmerrshme të luftërave ballkanike. Më 1913 ushtroi gjithë ndikimin e tij me qëllim që Korça të mos shkëputej nga Shqipëria. Ka botuar në shtypin amerikan artikuj për të demaskuar krimet e shovinistëve grekë dhe të osmanëve në Shqipëri, duke vënë në dukje rrezikun për copëtimin e Shqipërisë. Njoftohet se vetë ministri i jashtëm britanik, Sir Edëard Grey, i cili ka kryesuar Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e ka vënë në dijeni Krejnin, se Korça mbeti brenda kufijve të Shqipërisë. Pas Luftës së Parë Botërore ka qenë anëtar i Seksionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris.

***

Tashmë Kristo Dakoja me Sevastinë dhe Parashqevinë ishin në Shtetet e Bashkuara. Besoj se paraqitja e shkurtër e mësipërme e bën të qartë përse dy motrat Qirazi në revistën që botonin “Yll’ i mëngjezit” i kanë kushtuar mjaft faqe mirënjohjeje Çarlz Krejnit. Madje në një letër të 6 qershorit 1917 Parashqevia ka thënë, se zoti dhe zonja Krejn do ta vijojnë mbështetjen për revistën derisa ajo të ecë me këmbët e veta.

Kristo Dakoja (1878-1941), veprimtar i njohur i arsimit shqiptar dhe publicist, pak kohë përpara shpalljes së pavarësisë u vendos në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra” dhe u bë kryeredaktor i gazetës “Dielli”, kur kjo u bë organ i “Vatrës”. Në janar 1919 u mblodh Konferenca e Paqes në Paris dhe janë të njohura shumë mirë përpjekjet e atdhetarëve nga të gjitha anët për të mbrojtur çështjen shqiptare. Kishte shumë nevojë për këtë mbrojtje, sepse mjafton të përmendet Traktati i fshehtë Titoni-Venizelo në fund të korrikut 1919 për ta asgjësuar shtetin e pavarur shqiptar. Motrat Qiriazi dhe Dakoja u radhitën vendosmërisht me mbrojësit në shkallë ndërkombëtare të atdheut të tyre. Nuk do të përsëris gjërat e njohura për këtë veprimtari të shkëlqyer, por do të paraqes një letër të K. Dakos dërguar pikërisht Ç. Krejnit në ata muaj dramatikë për të ardhmen e Shqipërisë. Në një konferencë ndërkombëtare sigurisht që detyra themelore është të gjesh mes vendeve të huaja mbështetësit e çështjes shqiptare, të tërheqësh miqtë që ta ngrenë zërin e tyre për të përkrahur një popull të vogël dhe një shtet të ri. Nga çfarë shtjellova më sipër, është e vetëkuptueshme që Dakoja do t’i drejtohej edhe mikut të shqiptarëve dhe atij vetjak, Krejnit.

Letra është shkruar më 5 maj 1919 nga Bostoni. I drejtohet Krejnit në Paris. Ishin kërkesat e gjithë shqiptarëve të Amerikës, si dhe kërkesat e ardhura nga Parisi prej përfaqësuesve të delegacionit shqiptar në Paris, që e bindën Dakon të ndërmerrte atë hap. Po e jap të përkthyer shqip letrën:

I dashur z. Crane,

Kam marrë dy telegrame nga Parisi, njërin të nënshkruar nga zonjusha Qiriazi dhe z. Vlora, tjetrin të nënshkruar nga shkëlqesia e tij, Halil Pasha, në emër të delegacionit shqiptar, që më kërkojnë të bëj thirrje për një mandat amerikan në Shqipëri. Përveç kësaj, në mënyrë të përsëritur më janë lutur gjithë shqiptarët këtu në Amerikë për të ndërmarrë të njëjtin hap.

Megjithatë, duke mbajtur para sysh se nuk ka asnjë siguri që administrata e Shteteve të Bashkuara do ta pranojë që të marrë përsipër një detyrim të tillë; duke mbajtur parasysh kundërshtimin e fortë të udhëheqësve republikanë kundrejt një ideje të tillë; nga ana tjetër, duke mbajtur parasysh se duke i drejtuar një thirrje të tillë Amerikës, ne jemi të vetëdijshëm se nuk jemi të gatshëm për vetëqeverisje, ndërsa po ta refuzojë Amerika që ta pranojë këtë, ne do të forconim kërkesën e Italisë për ta marrë ajo vetë Shqipërinë nën protektoratin e vet, diçka që natyrisht është vetëm hapi i parë për aneksimin, unë kam ngurruar deri më tash që ta bëja këtë hap, ndonëse më duhet ta pranoj, se nuk ka asnjë shqiptar tjetër që do ta dëshironte këtë më tepër se unë, që Amerika të vepronte për një numër vitesh, të themi 20-25 vjet, si protektore e Shqipërisë.

Tashti në rast se ju, z. Crane, mendoni se ne duhet të bëjmë një thirrje të tillë nga kjo anë për një mandat amerikan, ju lutem të keni nirësinë të më njoftoni me telegram ose drejtpërdrejt, ose përmes zonjushës Qiriazi, dhe ne do të veprojmë menjëherë.

Na vjen shumë keq dhe jemi thellësisht të hidhëruar, që po shohim se presidentin Uillson e kanë keqinformuar. Nuk ka asnjë shqiptar që të pranojë lëshimin Italisë të portit të Vlorës, tempullin e shenjtë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe zemrën e gjithë vendit, të banuar vetëm prej shqiptarësh pa përjashtim, ndërsa gjithë pjesa tjetër të jetë nën protektoratin italian. Gjithashtu nuk ka asnjë shqiptar, i cili nuk i hedh poshtë pretendimet greke dhe serbe për të marrë në zotërim të përhershëm viset shqiptare dhe tokat që iu dhanë atyre padrejtësisht nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, qoftë dhe kërkesat e paraqitura tashti prej tyre për të përfituar toka të tjera shqiptare, pretendime të cilat natyrisht, siç e dini fare mirë, janë të pabaza dhe në kundërshtim të hapur me parimet e shenjta të kombësisë dhe të vetëvendosjes, për të cilat Amerika ka flijuar shumë jetë njerëzore dhe pasuri.

E vetmja shpresë jona ka qenë dhe është Amerika, ndërsa po ta brakisë ajo çështjen e drejtë të Shqipërisë, natyrisht që vendi do të humbasë përgjithmonë. Ju lutemi nxehtësisht, i dashur z. Crane, që të përdorni ndikimin tuaj dhe të shpëtoni Shqipërinë e varfër.                                                                                         

 shumë mirënjohës,

Kristo A. Dako

***

Komentet për këtë letër mund të dalin shumë të gjata, prandaj do të kufizohem vetëm me disa shpjegime. Zonjusha Qiriazi këtu është Parashqevia, e cila mori pjesë në Paris si delegate e Partisë Kombëtare Shqiptare. Për fat të keq, në punimet sintetizuese të historisë sonë nuk jepet me emra përbërja e delegacionit shqiptar në Paris. Me të drejtë është theksuar shpesh roli i presidentit amerikan në Konferencën e Parisit me pikat e tij për të drejtat e kombeve të vogla. Kurse qëndrimi i tij ndaj pavarësisë e tërësisë tokësore të Shqipërisë sidoqoftë nuk ka qenë diçka e thjeshtë për t’u arritur. Fan Noli i ka dhënë vetes të gjitha meritat për ta bindur për çështjen shqiptare në një takim të vitit 1918. Megjithatë, edhe ai i ka pranuar tërthorazi vështirësitë që dilnin. Presidenti qenka shprehur: “Me të vërtetë çështja e Shqipërisë është shumë e koklavitur.” Nga letra e K. Dakos duket qartë, se edhe pas një viti, qëndrimi i presidentit amerikan nuk ishte kristalizuar, sepse kishte mjaft politikanë, të cilët përfaqësonin interesa të tjerë dhe e “keqinformonin” Uillsonin.

Një problem të veçantë përbëjnë dy terma të përdorur në këtë letër: mandat dhe protektorat, të cilët janë dalluar qartë. Ndërkaq, në shkrimet historike për atë periudhë nuk ndeshet një dallim i tillë. Letra e Dakos përmbledh kërkesa të shqiptarëve nga shumë anë, të cilët kërkonin mandatin e Amerikës. Pa hyrë në ndërlikimet e pranishme për terma të tillë të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, do të pohoja se mandati është një formë kujdestarie, e shoqëruar edhe me administrim, sepse në këtë rast Dakoja dhe të tjerë ishin të shqetësuar nëse shqiptarët ishin në gjendje të vetëqeveriseshin. Shqetësimi vinte nga përvojat e hidhura të pak viteve pas pavarësisë, me sabotimin e Princ Vidit, me intrigat e Esad Pashë Toptanit dhe me rebelimin e Haxhi Qamilit. Kurse protektorati është një kufizim i sovranitetit si një shkallë përpara kolonizimit të plotë. Zëri i shqiptarëve, të cilin e përcjell letra e Dakos, kërkonte mandatin nga Amerika përballë synimeve të fuqive të tjera, të cilat bënin pazarllëqe në Paris për ta zhbërë Shqipërinë. Me fjalë të tjera, letra pohonte qartë se shpëtimi i Shqipërisë gjendej vetëm te mbështetja amerikane. Dhe historia e dëshmoi se ashtu ndodhi.

Nuk kam të dhëna se si është përgjigjur Krejni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës parimisht nuk do ta pranonin një mandat për një varg arsyesh. Dakoja dhe motrat Qiriazi i kanë vijuar marrëdhëniet me Krejnin. As në letrat e tyre nuk kam gjetur ndonjë jehonë për këtë çështje. Letra e fundit që kam është e 23 korrikut 1934, e nënshkruar nga Kristoja dhe dy motrat. Ata u ndodhën në një gjendje shumë të vështirë, kur u zbatua urdhri i Zogut për të mbyllur shkollat e huaja dhe më 30 qershor 1933 u mbyll edhe shkolla e tyre. Ata ishin në dijeni edhe për pasojat e krizës së madhe në SHBA, prandaj “vetëm nga nevoja e madhe” iu drejtuan Krejnit edhe një herë për ndihmë.

Gjithsesi, ka edhe një letër të Parashqevisë tejet kureshtare, e cila meriton të trajtohet në një shkrim tjetër.

July 4, 2019 12:31
Komento

3 Komente

  1. Zgalem July 4, 18:39

    Prof. Xh Lloshi , ka treguar mbi shume ngjarje dhe ka zbardhur shume te tjera . Ky shkencetar meriton vemendje te posacme dhe mbeshtetje , per te zbardhur probleme dh ekuivoke te tjera te historise tone , qe nuk jane pak dhe jane shume te rendesishme . I uroj Profesorit shendet dhe jete te gjate . Zgalem

    Reply to this comment
  2. Buda July 5, 12:59

    Prof. Lloshi eshte nje studiues brilant ne Shqiperi, i pavleresuar nga burokratet e Akademise se Shkencave, por ketu dua te falenderoj redaktorin Xhevdet Shehu, i cili i hapi driten jeshile ketij artikulli te cmur ne gazeten “DITA”!

    Reply to this comment
  3. Pellazgos July 5, 16:13

    Po nuk u “zbulua” qe Pirrua i Epirit,Jeorgios Kastriotis pasardhes i Tij,Zeusi dhe Athina Perendite e Tyre qe jane myslimaneme ne do tallen edhe Breshkat.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin