105 vjetori i lindjes së Petro Markos: “Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”

November 25, 2018 16:26

105 vjetori i lindjes së Petro Markos: “Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”

Sot është 105 vjetori i lindjes së Petro Markos. Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar e shkrimtar shqiptar.

U lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit vajti në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin “Garibaldi” të Brigadave Internacionale. Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.

Më 1940 u shtrëngua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika në detin Tirren. Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan.

Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazettes “Bashkimi” më 1947 u arrestua dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh.

Veprat e tij më të mira janë cilësuar: “Hasta la vista”, Tiranë,1958; “Qyteti i fundit”, Tiranë,1960; Rrugë pa rrugë, Tiranë 1964; Nata e Ustikës, Tiranë 1989 etj..

Më 27 dhjetor 1991 ndahet nga jeta.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

 

HIMARA ËSHTË DHE MBETET TOKË SHQIPËTARE

Nga Petro Marko

Ne e dimë gjakun tonë se nga buron. Pra himarjotët nuk paguanin taksa, nuk shkonin ushtarë. Ishin si autonomë. Kur u shporr Italia nga vendi dhe dua të shtoj edhe këtë, po me keqardhje: himarjotët nuk morën pjesë siç duhej në Luftën e Njëzetës, përveç disa patriotëve si Nase Beni, që ishte kapedan – unë isha i vogël, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhën në bregun e fshatit luftanije greke. Shumë fshatarë u ranë kambanave dhe thirrën: “Zito i Ellas!-Rroftë Greqia!” “Zito i aneksartisia, zito i aftonomia!-Rroftë pavarësia, rroftë autonomia!”. Madje u shpall nga paria njëfarë autonomie dhe burrat shkonin e bënin rojë në Llogara. Pas pak ditësh erdhi ushtria shqiptare dhe populli doli në xhade me raki, me petulla,me flamuj. Therën mishra dhe hodhën valle. Po disa arhondë nuk dolën nga shtëpitë. Në krye të ushtrisë ishin Riza Cerova, Azis Çami e të tjerë…Ishte hera e parë që Himara inkuadrohej në pushtetin shqiptar dhe letrat që vinin nga mërgimtarët, nuk vinin me adresën Drimades-Himara-Epir, po Dhërmi-Himarë-Albania… Shkollat ishin greke. Disa mësues patriotë, si Naqe Konomi, Foto Vitoja, Gaqo Kaporra, Ibrahim Kushta e të tjerë, u mblodhën në shtëpinë e mësuesit tim të parë Pavllo Vretos dhe, me këshillat, udhëzimet e ndihmat që u dha Halim Xheloja, shkolla u bë shqipe. Bënim edhe greqisht, po vetëm shkrim e lexim me tekste greke. Halimi u dha mësuesve librat “Bagëti e bujqësi” të Naimit, që ishin leximet e para të shqipes në shkollën time. Pasi ra fjala për shkollat, këtu dua të zgjatem ca. Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe-seminar për priftërinj në gjuhën shqipe; kjo sipas raporteve që i dërgonin priftërinjtë bazilianë papës, një pjesë e të cilave janë botuar (doemos ato që u interesonin atyre) të Nilo Borgias, i cili përmbledh një pjesë të veprimtarisë së priftërinjve unitë (bazilianë) që ndenjën në Himarë për rreth tre shekuj…

…Pyetje: -Pasi fole për shkollat shqipe, pa më thuaj pse fshati juaj e humbi gjuhën, pse flet greqisht?

Përgjigje: – Këtë do ta zgjidhin mirë kompetentët: historianët, gjuhëtarët. Unë jam interesuar dhe kam qenë shumë kureshtar. Shumë shokë më kanë pyetur: Po ju, jeni shqiptarë apo jeni grekë? Të jesh i çdo kombësie, nuk është turp, por unë, para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri: “Ne jemi shqiptarë!” Më pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet. Të nesërmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra dhe me gra. Mënjanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës: “Jemi shqiptarë apo jemi grekë?”

Bisedën e nisa pak a shumë kështu:

-Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këtta nuk dinë se ç’janë!

Pra, fillojmë: Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?…

-Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.

-Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?

-Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi.

Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Çaçëdhimitrët dhe Trekot.

-Po ju, o Kostë, nga vini?

-Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt, – dhe qeshi. –Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontët, si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza…

Kështu me radhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo e tij është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro-Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshatare tonën që mblidhte myshnje në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thashë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit…

Pra, ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse u humbëm gjuhën?

Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë dhe këndojmë shqip? Pse fjalët e urta i themi shqip? Siç duket, që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë e as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe, nuk e humbën kurrë lidhjen e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin më përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijë. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës flasin si korfjatët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë.

Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. Tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin. Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë.

Delegatët e Ali Pashë Tepelenës e thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:

-E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thonë pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhameti ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait.

Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:

-Eh, kaurët e dreqit, do të ma paguajnë! – Pastaj, duke qeshur:

-Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!

Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina më heroike e Greqisë.

Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankën greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke. Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë carit, në Peterburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit.Gjikë Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është edhe sot e kësajdite. Ne, kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepirot, që merrej “me çlirimin” e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte për shkollë një…Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vende të Ballkanit ku janë ortodoksë).

Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie dhe burrërie. Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufij të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thella kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerë himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propagande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse labëria u bë turke? E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi edhe ne armiq të betuar të turkut?

Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishim tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepirot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi,

Kanada e gjetkë. Kështu që ne dinim më mirë se ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim se ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë. Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqtë, që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëllë me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im, Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë t ngritur në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron.”…

Marrë me shkurtime nga libri “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)”, faqe 43-51

Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët) me Autor Petro Marko. Shtëpia botuese OMSCA, viti botimit 2000. Faqe 556

Përgatiti për botim: L. Veizi/ DITA

November 25, 2018 16:26
Komento

19 Komente

  1. mirel November 25, 16:43

    Petro Marko Lavdi e Vlores dhe Himares
    Shqiperise i mungojne burra te tille
    U desh Enver Hoxha ti mbyllte pretendimet greke njehere e mire, derisa udbashi Berishe dhe plera Rami e cuan perseri ujet ne mullirin e greqise me tradhetine e tyre. Dhe jo pak uje..po nhe det i tere
    Ne shqiptaret rrime e bejme sehir. Harram buka..popull bastard

    Reply to this comment
  2. Ergys November 25, 17:23

    Nuk kane 100% faj edhe himarjotet se nga mungesa e shtetit ne ate kohe perfitoi kisha greke dhe shteti grek qe u krijua me pare se shteti shqiptar.Duke qene per qindra vjet te izoluar nga pjesa tjeter e Shqiperise dhe per shkak te terrenit te thyer e vetmja mundesi per te mbijetuar ishin kontaktet nga ana tjeter.

    Reply to this comment
    • Bregu November 25, 17:44

      Gjuha “greke” e tanishme ishte gjuha e patriarkanes bizantine (mbeturine e perandorise romane lindore, byzantine – ashtu si ishte latinishtja per ate perendimore) ne Stamboll shume kohe para se te krijohej shteti “grek” me 1830. Edhe atekohe ajo gjuhe nuk ishte gjuha “greke” e popullit “grek” vendas. Nuk ka komb “grek” apo “helen”, nuk ka patur ndonjehere. Shihni historine e shkruar dhe hartat: nuk ka patur ndonjehere shtet “Greqi” apo “Heladhë” apo “Helen” dhe as “helenë”. Principata e vogel fetare me emrin jo-grek “Greqi” u krijua nga Anglia-Rusia-Franca vetem ne vitin 1830. Nuk ka pakice “greke” as ne Shqiperi; ato jane thjesht shqiptare besimtare te krishtere ortodokse.

      Reply to this comment
  3. Vjola November 25, 17:26

    Patriot I vertete .I perjetshem kujtimi

    Reply to this comment
  4. Alban November 25, 17:56

    Ketij kolosi te kombit duhet te nderohet e te respektohet nga i madh e i vogel! Pse nderohe nje njeri aq kontrovers si Mithati dhe jo nje gjigand si Petro Marko???? Ku jemi o shqiptar?

    Reply to this comment
    • Bureto November 26, 11:23

      Respekte “Ditës”, që si askush e kujtoi të madhin Petro Marko, në 110 vjetorin e lindjes.
      Gjithsesi, Petros, me ardhjen e demokracisë, nuk i ka munguar nderimi. Mbi të gjitha para saj, në heshtje dhe pas kësaj periudhe e ka dashur dhe respektuar në rradhë të parë populli dhe rinia progresiste. Edhe shteti po ashtu. Por dua të shtoj: Pse vuajti Petro, ky njeri i popullit, luftëtar i Spanjës, komunist idealist, anëtar i partive komuniste spanjolle, franceze dhe italiane, disa herë i burgosur edhe nga regjimi komunist i Hoxhës. Sepse nuk deshi të tradhëtojë bindjet, nuk pranoi të bëhej anëtar i partisë komuniste shqiprare, që themeluan jugosllavët, sepse nuk shkroi kurrë letërsi të realizmit socialist, sidomos nga ajo militante, ku i thurreshin në rradhë të parë lavde partisë dhe diktatorit, sepse ndryshe këta puthadorë do duhej të pranonin fatin e tij. Por ndershmëria e Petros ishte proverbiale dhe ai krenar e mbylli jetën si njeri i thjeshtë, por shumë i dashur nga populli, duke kaluar deri në fund një jetë plot vuajtje, në një apartament modest, kur kolegët e tij si ‘patriarku i letrave’ dhe i PS, D.Agolli dhe Kadare, kishin një me katër dhoma, të projektuar enkas për ta dhe sivëllezërit e tyre. Sepse Dritëroi dinte të shkruante, veç të tjerave, edhe kështu:
      Borgjezë!
      S’doni të punoni në kanal,
      Në Myzeqe dhe në Pukë,
      S’ka bukë!
      Petro s’ishte nga ky soj. Ishte shembulli më i mirë i njeriut të talentuar, por i thjeshtë dhe i ndershëm deri në vetmohim.
      I përjetshëm kujtimi i tij.

      Reply to this comment
  5. Nora November 25, 18:24

    Gjigandi per te cilin askush s’kujtohet nderkohe qe ky simboli sesi nje shpirt shqiptari nuk thyhet pavaresisht cfare te sjell jeta! Hoqi e vuajti por kurre si thye! Nese jemi nje popull normal, ketij njeriu duhet ti ishte bere nje bust ne cdo qytet!

    Reply to this comment
  6. BLACK SWAN November 25, 18:27

    Moskovi a Moikomi, ka ndonjë fjalë për ktë “tradhëtarin” ??
    ju bëtë 50 vjet shtet, armiku ishte shqiptari, ka ndonjë koment për të ??

    Reply to this comment
  7. demo November 25, 19:04

    Sado vujti ne te gjitha regjimet,,i moren driten e syrit Jamarberin dhe ja vrane persegjalli,perseri nuk e mohon gjakun e te pareve.Petro Markon do ta kishin bere hero ne Greqi,do ta kishin bere deputet si Pirro Dhimen,por ky nuk e mohoi gjakun e te pareve.Do te ishte bere i pasur,do te kishte siguruar jeten e femijeve
    qe i ndoqen. tragjedite njera pas tjetres.
    Mire shtet e dinjitet e dinjitare qeverite shqiptare nuk kane.Por nuk ka parellinj,biznesmene,qe fshijne djerset me Euro te ndeojne Petro Markon me nje monument gjigand perballe detit ne Dhermi.Te japin per familjen e Petro Markos.Te hapin ne emer te tij nje numur llogarie te kontribuojme edhe ne qe jemi rritur me letersine e tij.

    Reply to this comment
  8. demo November 25, 19:04

    Sado vujti ne te gjitha regjimet,,i moren driten e syrit Jamarberin dhe ja vrane persegjalli,perseri nuk e mohon gjakun e te pareve.Petro Markon do ta kishin bere hero ne Greqi,do ta kishin bere deputet si Pirro Dhimen,por ky nuk e mohoi gjakun e te pareve.Do te ishte bere i pasur,do te kishte siguruar jeten e femijeve
    qe i ndoqen. tragjedite njera pas tjetres.
    Mire shtet e dinjitet e dinjitare qeverite shqiptare nuk kane.Por nuk ka parellinj,biznesmene,qe fshijne djerset me Euro te ndeojne Petro Markon me nje monument gjigand perballe detit ne Dhermi.Te japin per familjen e Petro Markos.Te hapin ne emer te tij nje numur llogarie te kontribuojme edhe ne qe jemi rritur me letersine e tij.,.

    Reply to this comment
  9. Gzim Kulufi November 25, 19:40

    Sa letrar dhe romancier i madh, aq dhe atdhe-dashes!

    Reply to this comment
  10. Aleko Likaj November 25, 19:45

    I zhgënjyer me ëndërën e humbur të tij

    Tetori atë vit nuk ishte ftohur ende. Dielli ngrohte, e asfalti i rrugëve të qytetit nga bitumi i uzinës, vazhdonte që të ngjitej pas shollëve të këpucëve që shkelnin mbi të. Profesor Shuteriqi ngriti këpucën si për të na thënë së konstatimi i tij nuk ishte i vështirë për këtë qytet që perfshihet në zonën me të nxehtë të vendit. Kodrat e rrumbullakosura të Dumres si dhe ato të Shpatit të poshtëm që vinin e rrëzoheshin afër Cërrikut, në lagjen Malasej, ku sapo le qytetin për të marrë rrugën e Elbasanit, sipas kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishin shkaku i vetëm që nuk e thyente këtë nxehtësi të padurueshme e tej cfilitëse.
    Kamarieria vendosi në tavolinë nga një gotë dhallë të ftohtë. E kishte kërkuar Petrua.
    Dritero Agolli një karrike më tej heshtëte edhe pse herë pas here vinte buzën në gaz sa herë që shkrimtari nga bregu përmendëte jetën e çobanit në malësitë e Çikës deri në bregdet. Mësuesi im i letërsisë, Hyjniu, që i kishte sjellë këta tre autorë më në zë të asaj kohe, në Cërrik, në “takim me lexuesin”, nuk dukej i qetë në karriken pranë profesor Dhimitër Shuteriqit. Përtej vitrinave të mëdha të lokalit një grup grash nga ato të ndermarjes së fermentimit, nxitonin për tek kinoklubi i qytetit. Konturi i trupave të tyre nga avujt u duk i përçudnuar, të zbehta, si një masë amorfe pa formë që kaluan bri lulishtes së të vetmit lapidar të qytetit i cili kishte fiksuar datën e krijimit të batalionit partizan të zonës gjatë luftës. Me sa dukej do ti kishim aty në sallë. Në çast fillova të vras mendjen se çfarë i lidhte ato me letërsinë. Ishin thjeshtë gra puntorësh, shumica prej tyre pa ndonjë formim të plotë arsimor.
    Petro Markua u kollit, pastaj vuri shuplakën e dorës mbi kraharor dhe mbylli qerpikët në çast. Mbase ndjeu dhimbje..
    – Cest un cadeau de fume – i tha në gjuhën frënge Shuteriqi që nuk e kishte prekur akoma gotën që i solli kamarieria.
    Himarioti tundi kokën e madhe me kaçurela.
    – E di, e di. Ka një jetë të tërë që po më mban peng. Ma thonë shpesh edhe doktorët. Por ky i mallkuar është si e dashura e parë që bën ta lesh dhe nuk e haron dot. – nxori një zë të mbytur Petrua. U kollit.
    – I thashë që e ka dhuratë nga duhani – tha kryetari i Lidhjes duke na u drejtuar ne të tjerëve që nuk dinim frëngjisht, ndonëse u kuptua nga përgjigja dhe krahasimi me dashurinë e parë që bëri autori I “Hasta la vistës”
    Dritëroi pas kësaj propozoi që të lëviznim se për gjysëm ore duhej që të fillonte edhe takimi në kinema. Dhimitër Shuteriqi e ktheu gotën e dhallës në këmbë. Ne të tjerët lëvizëm karriget dhe Hyjniu nxitoi tek banaku pa pritur që të vinte kamarieria sërish tek ne
    Ishim vënë shumë shpejt në udhë. Kaluam pranë postës e lulishtes së qendrës së qytetit nën rrëfimin e këndshëm për historinë e Cerrikut e treguar nga një mjeshtër i rrallë si profesor Dhimitri, i cili e lidhte atë edhe me kujtimet nga fëmijëria e tij, kur kalonte me të atin shumë vite të shkuara për tek disa miq të familjes në Dumre. Kur u kthyem drejt qendrës së lulishtes rrugën na e zuri në një mënyrë të beftë një njeri.
    Malo Sherifi qendronte përpara nesh si një bust. Me dy duart të lidhur nga pas e me këmbët paksa të hapura duke e fiksuar të majtën pak më përpara, ngriti fytyrën lart duke e tërhequr mbi supin e djathtë. Piceroi sytë e hirtë e u duk se u mbush me frymë duke e tërhequr përbrenda kraharorin e hollë e të rreshkët që dukej i fshehur pas një këmishe fanellatë gri.
    -Pertro, a më njeh? Jam Malo Sherifi nga Gramshi – tha plaku me një zë si bubullimë.
    Tjetri nuk i u përgjigj. Lëvizi cigaren në buzë sikur donte ta rrotullonte me dhëmbë e pastaj tundi kokën lehtas.
    Ne të tjerët kishim qëndruar
    – Si jo. Kemi qenë bashkë në burg gjatë luftës. Më ke kërkuar para ca kohësh edhe një deklaratë si njeri i lëvizjes. – i u përgjigj qetësisht bregasi ndërsa mbante tani cigaren në dorë duke mos i a ndarë sytë njeriut që kishte përpara.
    Njeriu që na rrinte përballë lëvizi sytë e vegjël gri
    – Mirë, mirë… po nuk ma dhe se…
    Plaku u drejtua dhe na hodhi vështrimin ne të tjerëve, sikur të kërkonte arsyen e asaj pse – je. Profesor Shuteriqi vendosi çantën e zezë nën sqetull. Dritëro Agolli ishte kthyer nga lulishtja e qytetit, sikur të mos ishte mes nesh aty. Hyjniu një hap më pas buzëqeshte si i zënë në faj.
    – Eh, – bëri dhe u mbush me frymë – nuk të zemërohem dot, Petro. S’ka gjë pse nuk ma dhe atë deklaratë. Edhe pa të mua më njohin mirë këtu në Cërrik. E dinë se ç’kam bërë dhe se si e kam luftuar unë fashizmin. Më nderojnë si veteran. Petro, nuk të mërzitem unë-ë. E di që ke patur shumë punë. Ja me këta shokët e qeverisë, atje në Tiranë. Shkruan libra. I lexojnë edhe fëmijët e mij. Të na rrojë partia dhe shoku Enver. E paçim me malet. Po eja e na dil për një kafe nga shtëpia, bashkë me këta shokët e tu. Të të njof edhe me plakën time që më priti si burrëreshë e sorkadhe mali ato vite.
    Dhimitër Shuteriqi kaloi çantën e lëkurës në dorën tjetër. Dritëroi ishte indiferent. Petro Marko e thithi dhe pastaj e hoqi cigaren nga buzët. Ngriti dorën tjetër dhe gishtrinjtë i futi brenda kaçurelave gjysëm të thinjura. Donte që të thoshte diçka, por u duk se u pendua. E pa drejt e në sy veteranin.
    Tha:
    – Më bëhet qejfi. Si e ke tani gruan?
    Shkrimtari u kthye nga Hyjniu sikur donte ti kërkonte që të lëviznim për tek kinemaja ku na prisnin. Ishte vetëm tridhjetë hapa larg nesh.
    – Gruaja? Mirë është. U plak tani. Do ti bëhej qejfi të na priste që të gjithëve, kështu siç jemi. Për një kafe e një gotë raki gramshi. Ma zien im vëlla atje që është merakçi. E ruan për miq të mirë. Ma fsheh se unë atë jallane se le dot. E dua çdo darkë.
    – Faleminderit. Nuk kemi kohë tani. – tha Dhimitër Shuteriqi e pa orën sikur donte që ti thonte se ishim vonë.
    – Malo, – nxitoi që të thoshte Hyjniu
    Tjetri kishte zgjatur një gjysëm hapi përpara dhe i hodhi vështrimin shkrimtarit. Një çast ngriti pak supin e djathtë e donte që të thoshte diçka por që në moment u duk se e haroi.
    – Këta shokët kanë organizuar një takim me qytetarë e naftëtarë këtu në kinema. – i u përgjigje Petrua njeriut që kishe qenë në burg me atë gjatë viteve të luftës.
    – Mbase një herë tjetër. – foli Hyjniu
    – Rri ti se nuk e kam llafin me ty, se gjitonë jemi dhe nuk ma ke parë një herë derën e shtëpisë.- Ngriti zërin Malo Sherifi e u duk se u bë nervoz. Dallova se i dolën cikla pështyme nga goja kur fliste me ish mësuesin tim. – Dua që ti rrespektoj këta njerëz. Më kupton apo jo?
    – Do ti ftojmë përsëri xha Malo – u shfajqësuar tjetri. – Ja ku doli edhe drejtori. Nuk mund që ti lemë tani gjithë ata njerës në sallë që të na presin.
    Në derë ishte shfaqur Rustem Disha, drejtori i institucionit, dhe na buzëqeshte që atje tej. Pranë nesh kaluan dy a tre gra që dukeshin se ishin ende me rroba pune.
    – Po u presim. – tha dhe hapi rrugën që të kalonin gratë të cilat u futën brenda në koridorin e madh atë çast përpara portës së shfaqieve të filmave.
    Ne lëvizëm pastaj pasi u ndamë me Malo Sherifin duke dëgjuar prej tij se ishte shumë i mërzitur se nuk e kishte rrespektuar Petro Markon dhe shokët e tij të ardhur nga Tirana, duke e pritur në shtëpi. Më pas e pashë që u drejtua tek disa moshatarë të tij që luanin domino aty në lulishten e vetëm në qendër të qytetit tonë të vogël e punëtor. Por Rustemi na kërkoi ndjesë një minutë më vonë duke na thënë se duhej që të prisnim edhe disa minuta, ndoshta dhjetë e pak më shumë atje lart në zyrën e tij, në pritje që të vinin puntorët e turnit të parë të uzinës së naftës. Ashtu bëmë. Ngjitëm shkallët dhe u rehatuam në kolltuqe. Mbetëm përsëri vetëm pasi drejtori zbriti poshtë për tu kujdesur që salla të ishte plot.
    – Petro, po çishte ky, që na doli përpara. – pyeti Dritëroi. – Nuk i kishe dhënë as edhe deklaratë? Keni qenë shokë burgu.
    Petrua hodhi vështrimin përtej xhamit të dritares së madhe që kishte përpara ku shquheshin konturet e disa pallateve të vjetra tip rus dy katëshe të ngritura që me fillimin e ndërtimeve të uzinës tre kilometër më poshtë.
    – Ka një histori ky njeri – tha pastaj shkrimtari dhe ndezi një cigare dhe fijen e shkrepses e hodhi të pa shuar në një mbajtëse të qelqtë mbi syprinën e tavolinës . – E sollën midis nesh në burg. Italianët dyshonin se ishte komunist. Diku nga fshati i tij ushtria po hapte një rrugë strategjike dhe do të lidhte Gramshin me Korçën. Me sa dukej punohej pranë shtëpisë së tij. Duhej që të ishte i sapomartuar dhe punonte për kafshatën e gojës aty. Na tregonte at’here që një ditë afër drekës kishte parë një ushtar që zbriti tek shtëpia e tij. Ndoshta për të pirë ujë, se kohë vape do të ishte në atë çast. I sapoburgosuri e kishte parë edhe dy a tre herë të tjera. Mbase e kishte gruan e bukur. Ku i dihej? Por me sa dukej italianit i kishte hypur në kokë. Të rrinj, djemuri, e të ardhur që përtej nga apeninet, por edhe nevojë fiziologjike, edhe pse ishin pushtues. E la punën dhe zbriti fshehurazi në shtëpi. Dyshimi nuk e kishte gabuar. Dhe pa atë skenë që nuk do të kishte qejf që ta shihte asnjë burrë i martuar. E qëlloi me sopatë dhe e la në vend. Pa u larguar ende nga shtëpia, ushtria italiane e zbuloi dhe dorëzoi si vrasës tek ne në burg. Hetuesit kërkonin që të zbulonin grupin komunist pas tij, sepse si guerilas e akuzonin. Po mbase kështu u interesonte për ta mbyllur atë vrasje dhe jehonën që shkaktoi ajo në zonë, por edhe për ta justifikuar ushtarin e tyre dhe moralin e pushtuesit. Nuk e pranonte gramshaku. “E vrava Xhuzepen për të mbrojtur nderin tim dhe të familjes sime. Nuk kam të bëj aspak me komunistët dhe nuk më interesojnë ata. – thërriste ai sa herë e hetonin në një qeli pranë nesh.- Mos më ngatëroni mua me punët e tuaja- na thoshte ne sa herë i a përmendnim vrasjen e ushtarit Xhuzepe. Nuk jam si ju. Jam thjeshtë hallexhiu që vrau dikë sepse tentonte që të ç’nderonte gruan forcërisht. Më kuptoni?
    Vonë, shumë vonë më kërkon një deklaratë për të marrë shpërblimin e luftës. Kishte shkruar një letër në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve, sepse atë të shtëpisë nuk ma dinte. E lexova disa herë por nuk vendosa. As edhe ti ktheja përgjigje. Thoshte aty se kishte qenë një luftëtar i vendosur gjatë luftës për liri dhe se ushtarin Xhuzepe e kishte vrarë thjeshtë për patriotizëm dhe si kontribut për çlirimin e shqipërisë nga okupatori.
    – E paske tregim të plotë këtë Petro. Nuk e di në se e ke shkruajtur – foli Hyjniu pas atij rrëfimi.
    Shkimtari tundi kokën dhe u ngrit nga kolltuku e shkoi që ta fikte cigaren e mbaruar në mbajtësen e qelqtë mbi suprinën e tavolinës e pastaj u kthye qetësisht në kolltukun e tij.
    – Nuk i a durova atë kapardisjen – tha Dhimitër Shuteriqi
    – Petro, nuk na the në se e mbajtën deri në fund Malo Sherifin me ju komunistët, apo… – pyeti Dritëroi për të bërë humor
    – Jo, jo. E hoqën pas dy muaj, në mos gabohem. Nuk ishte si ne. Atë kohë ne po përgatisnim planin e arratisjes. Luftë.
    – Çudi, – pyeti Hyjniu – po si e mbajte mënd që nga ajo kohë Malo Sherifin?
    – Ah! Veçse për kujtesë mos fol me Petro Markon. Eshtë fenomenal në këtë fushë. Histori e gjallë – tha Dhimitër Shuteriqi që më shumë kishte heshtur në këtë histori. Pastaj si për të ndryshuar temën e bisedës u ngrit në këmbë. – Të shpijmë edhe pak këmbët se poshtë tavolina na pret përsëri.
    Rustem Disha nuk e mbajti fjalën. Kishin kaluar afro tridhjetë minuta. Erdh dhe kërkoi falje dhe na ftoi që të zbrisnim poshtë në sallë.

    * * *

    Atë natë nuk më zuri gjumi fare. Disa orë më parë kishim lënë sallën dhe Petron, Dhimitrin e Dritëroin i përcollëm në buzë të mbrëmjes, kur yjet ende nuk kishin feksur lart në qiell, dhe Cërriku ishte në pritje për tu ftohur nga vapa e mesditës. Erdhi dhe i mori shoferi i lidhjes që ishte kthyer që në mesdite tek disa njerëz të gruas së tij në Elbasan. Më erdhi ndër mend njohja e takimi i pare me shkrimtarin nga bregdeti tre vite të shkuara tek ”Kalaja e Ujit të ftohtë”. Në të dalë të qytetit të Vlorës, aty mbi shkëmb ku udha merr e të çon nën bregoret e Jonufrës e të përcjell buzë detit për në qytezën e Orikumit, që është ngritur nën këmbët e llogarasë, ku dhe thonë, se era flet me perënditë e maleve të vetëtimave që ngrihen e zënë shtat mbi brigjet e jonit duke lënë në buzë të këmbëve të tyre fshatra e njerëz që ngrihen e rriten me gjuhën e zotave.
    Ishte një mbasdite gri në fillim pranvere. Petro Markon e gjetëm të vetëm dhe të ulur në një cep të fushëz së vogël të atij shkëmbi që ngrihet disa metro thikë mbi dallgë, e që vlonjatët e quajnë thjeshtë kala. Poshtë deti lëpinte gurët dhe zhavorin e imët që shërbente gjatë verës si plazh intim për ndonjë çift të arratisur nga qytetit, larg syve të të tjerëve. Na kishte sjellë rruga aty së bashku me një të afërmin tim që më kishte propozuar ta kalonim atë mbrëmje në Tragjaz tek çurajt, ku ishte dhënë një kushurirë e jona njëzet e ca vjet të shkuara. Aty do të na vinte të na merrte një makinë e ndërtimit që do të na çonte deri tek kthesa e fshatit.
    – Ky është Petrua – më tha shoqëruesi im. – A e njeh Petro Markon, atë romancierin që ka shkruar edhe një libër për Gjormin? Se edhe ti shkruan vjersha. Hajde bëjmë edhe një dorë muhabet deri sa të vij makina e të na marrë.
    Unë qëndrova pa e ditur se çduhej të bëja më tej. Më erdhi zor edhe pse kuptova qe shkrimtari ndoshta e kishte kërkuar këtë moment reflektimi aty mbi det. Mbase mendonte dhe skiconte ndonjë veprër të ardhshme në ato çaste, por edhe mund që të rikujtonte ndonjë mbresë a ngjarje që kishte të bënte me të kaluarën e tij… Doja që ti thoja propozuesit se ishte e tepërt që ti prishnim qetësinë Petro Markos në atë vend, por ai nuk priti më. Tha një “e njoh prej vitesh” dhe u shkëput prej meje. Unë bëra sikur kërkoja diçka nëpër xhepa dhe qëndrova prapa. Kur hodha sytë për atje i pashë që romancieri ishte ngritur në këmbë dhe po përqafoheshin si dy të njohur të vjetër. Pastaj im kushëri ma bëri me dorë që të afrohesha e të mos rrija si një “çupë e turpshme” aq larg.
    – Eja dhe mirruni vesh se të letrave jeni që të dy – tha e qeshi që atje tej si pa faj.
    Mu duk sikur i gjithë qielli më ra në atë çast mbi kokë. Duhej që të isha bërë si një lulëkuqe vere…
    Kishim folur më shumë për romanin “Stina e armëve” ku shumica e ngjarjeve zhvilloheshin në Gjormë, se ato i interesonin më shumë kusheririt tim fjalaman, e shkrimtari na tregoi se cilave ngjarje e njerëz u ishte drejtuar në krijimin e tij. Doli se shkrimtari i njihte edhe babain e një kushëri tjetër të prindërve tanë. Pastaj na tha se po shkruante disa “gjëra të vogla” si dhe po i rrikthehej poezive të dikurshme të botuar më parë në shtypin e kohës.
    Pas nesh erdhi e u shfaq një djal i ri flokëverdhë që i kërkoi falje Petros për vonesën që atje tej tek bordura e betontë. Tha që ”ishte qethur tek Dhimua”. Dukej që bregasi e priste prej kohësh.
    – Është njeriu im nga konomasit që banon në “Ujin e ftohtë”, pranë kampit të puntorëve – tha shkrimtari dhe i thirri në emër. – Atje po qëndroj ca ditë.
    Kur nuk i kishim mbaruar ende përshëndetjet me të sapoardhurin mes nesh, atje lart në rrugë u dëgjua boria e një mjeti. Ishte i yni dhe po na priste për udhë. .

    * * *

    Por takimi i Cërrikut më kishte mbetur në mëndje për shumë kohë. Madje e kujtoj edhe sot shpesh me një lloj nostalgjie që naftëtarët e qytetarë e mij të mirë e të thjeshtë u treguan vërtetë lexues klasi. Njohës të mirë të letërsisë e arteve në përgjithësi. Këtë e dëshmuan pyetjet dhe interesi i tyre tepër i lartë për të mësuar nga bota e letrave. Oratoria e Petro Markos shkëlqeu në atë salle si askush. Foli pas të tjerëve por fjala e tij ngjiti aq shumë sa që nuk rreshtën pyetjet për të kur u ul në tavolinë mes Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit. Mbajti ca çaste shënime e në fund u ngrit e tha gjithë humor,
    – E po përgatituni ta gdhijmë sonte këtu në Cërrik, e qytetin ta lemë së bashku pa gjumë.
    Ne që ishim në sallë qeshëm. Qeshën edhe gratë e duhanit që na kishin kaluar para xhamave të mëdha tek ”Bufe Ylli”, ndërsa pinim për tu freskuar dhallë që e përgatiste Hajredin Tana, një guzhinier i mrekullueshëm por edhe njeri i apasionuar pas teatrit ku shpesh merrte rrole që cërikasit i kujtojnë ende. Më bëri përshtypje që edhe pse kishin kaluar më shumë se dy orë në atë takim me shkrimtarë në kinemanë e qytetit nuk kishin lëvizur nga vendi edhe pse që të gjitha i prisnin detyrimet shtëpiake, burrat që vinin nga puna dhe uzina, fëmijët…
    Disa vite më vonë, në një tjetër kohë, pas më shumë se tridhjetepesë vitesh, at’here kur bëja gazetarin e reporterin e terenit në Elbasan, u ndodha me Hiqmet Bedhinë, një ish saldator që punonte në repartin mekanik të uzinës, e që shumëkush e njihte në Cërrik si të apasionuar e të çmendur pas librave, edhe pse nuk kishte bërë shumë shkollë at’here. Ai tani bënte pensionistin edhe pse nuk ta jep shumë moshën në fytyrë. Pinim kafen e mbasdites në ”Bufe Artisti” që është edhe qendra e qytetit. Ishte viti i mbrapsht kur kishin shpërthyer depot e armatimit e shumëkush largohej menjëherë sapo kalonte mesdita për tu mbyllur në shtëpi. Si dy cërrikas të vjetër kujtuam gjithçkah nga ajo periudhë, por kryetema ishte dhe mbeti Petro Markua në atë takim.
    – E di ti se ç’reng kishte bërë atë ditë ai Rustem Disha, drejtori i kinemasë sonë? – më pyeti e më pa drejt e në sy. – Kishte shkuar një ditë më parë tek punishtja e duhanit ku punonin shumica e grave tona dhe kish vënë atje një njoftim. ”Nesër në orën 15.00 në kinemanë e qytetit organizohet një takim me mjekun gjinekolog të Elbasanit, Mexhit Kruja. Lutemi të merrni pjesë e të flisni për problemet tuaj shëndetësore” Kaq u desh pastaj, që salla të mbushej dingas sa që erdh një çast ku nuk mund që hidhje as edhe kokrën e mollës aty. Por kur foli Petrua me shokë, mbetën që të gjitha aty edhe pse kishin nxituar për të takuar doktorin.
    I tregova, se shkrimtarëve atë mbrëmje, por Petros në veçanti, ndërsa po i përcillnim me mësues Hyjniun, u kishte mbetur në mëndje ajo shprehja e tij, kur sapo i kish mbyllur përgjigjet shkrimtari që kishte shkruar romanin ”Hasta la Vista”, i cili u kishte pushtuar mëndjen dhe zemrat në atë kohë gjithë shqiptarëve, ”Na kënaqët o njerëz të mirë. Sot na dhatë më shumë shpresë, na e bëtë jetën më të bukur. Ju lutem që të vini mes nesh më shpesh, sepse nuk dimë më çtë bëjmë, shkojmë në punë e bëjmë fëmijë. Kjo është e gjithë jeta jonë”…
    I kishte vënë që të gjithë të ardhurit nga kryeqyteti në mendime.
    Nuk i a kishin marrë saldatorit me të keq. As për prpogandë. Po për një lloj zymtie e jete krejtësisht boshe që bëhej atëkohë jo vetëm në qytezat tona periferike. Madje Dhimitër Shuteriqi që ishte edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë tha, se mund që edhe ta diskutonin në kryesi që të planifikonin në bashkpunim edhe me shtëpitë e kulturës në rrethe e qytete, që çdo muaj të shkonin e të zbrisnin grupe shkrimtarësh nga Tirana por edhe ato të rretheve duke i çuar tek njëri – tjetri. Pastaj tha shprehjen: “Shkrimtarët janë inxhinjerë të shpirtrave njerëzorë” që ishte e një klasiku, portretin e të cilit ne e mbanim kudo, ndonëse atje në vendin e tij trupin e ballsamosur i a kishin zbuar me kohë nga mauzoleu.
    – Nuk ndreqim gjë moreeee. Dashi e cjapi kapen nga brinjët. Duhet që të tjerë ta bëjnë e të mendojnë seriozisht për jetën e njerëzve të provincës, por edhe të qyteteve, se dhe në ato nuk është më mire se sa këtu – tha Petro Marko, e fiku cigaren e pambaruar mirë me dy gishta duke i a shtypur kokën pa e patur mëndjen aty.
    Në çast e pashë që u drodh, e dorën e hoqi menjëherë. Mbase i dhëmbi e i dogji.

    * * *

    Duhet që të ketë qenë vitet tetëdhjetë. Mbase nga fillimi apo andej nga mezi. Nuk e kujtoj mirë. Isha tek ime motër në Fier që banonte atje prej vitesh e së bashku me kunatin që më shoqëronte për të më përcjellë, shkuam tek stacioni i trenit që do të më kthente në Elbasan. Mes turmës së njerëzve që prisnin të udhëtonin dallova edhe Petro Markon me të shoqen e tij Safon, që e kisha parë në Shtëpinë Botuese tek redaksia e librit për fëmijë, kur shkoja për librat e mij. Ishte i tjetërsuar, dhe mu duk i lodhur e tepër i plakur këtë herë, por shkëlqimi i syve nuk i ishte venitur në fytyrë. I a pashë në një moment kur u ul e mori një çantë që e kishte lënë tek këmbët e së bashku pastaj me turmën lëvizi nga dera e sapo hapur e stacionit që të nxirte në platformën e betontë, përballë trenit që po na priste që të gjithë. Isha disa metro larg dhe në sheshin e hapur gjeta rastin që ti afrohem, ndërsa ai e Safua ende nuk kishin vendosur se në ç’vagon do të hypnin.
    – Petro, si je? – e pyeta.
    Tjetri qëndroi një çast e më pa drejt e në sy.
    – Mos je i Cërrikut ti? Mësuesi?
    – Po – i thashë. – Ai i takimit.
    Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi. Fytyra i u çel e shkëlqeu si nga një dritë..
    – Moreee, ai saldatori si është? – pyeti, dhe unë ndjeva se kishte një shqetësim të mbrendshëm shkrimtari.
    – Mirë është vazhdon që të lexojë.
    – Bën edhe kalamaqër – tha e nënqeshi duke më shkelur syun. Pastaj ktheu kokën në drejtim të Safos që ishte shkëputur disa hapa larg nesh, e që me sa dukej kishte vendosur edhe për vagonin me të cilin do të udhëtonin drejt kryeqytetit.
    – Ka qene tek i biri. E ka këtu të burgosur në kampin e Ballshit – më tha im kunat. – Vjen përherë.
    Ndërsa zura vend në kabinë e kur treni çante mespërmes fushave të myzeqesë dhe pejsazhet rrendin njëri pas tjetrit në ekranin e madh të dritares, mendova sërish Petron. Nuk mu duk pa kuptim ajo pyetje për saldatorin e Cërrikut.
    Shkrimtari, idealisti, revolucionari, publicisti e intelektuali kishte kohë i viktimizuar.
    I zhgënjyer mendonte ëndërën e humbur të tij.
    I a kishin vrarë…

    Reply to this comment
  11. Agim Skoku November 25, 19:51

    Petro Marko, perveç se shkrimtar i madh dhe luftetar i Paqes , ne Luften e Spanjes, mbetet edhe figura me dashur per te gjithe brezin tone te humbur ! Krijimtearia e tij letrare , errin bukurine ne romanin ! Hasta la vista”, ku me ngjyra te gjalla e me pasazhe qe nuk te lene te shkeputesh, pasqyrohet ajo kohe e zymte , por heroike , kur e gjithe bota , pothuaj, u mblaodh ne Spanje, ne emar te Lirise, Paqes e Internacionalizmit Proletar , kuder hordhive te gjeneralit Franko. Shume luftetare dhene edhe jeten ne brigjet Fuente del Ebros, Saragosese e tj. E gjithe kjo epope e lavdishme u perjetesua nga Petro yne i mad. Perkulem me nderim para verrit te tij.
    P.s Ne sedo te me premtoje jeta, do te shkruaj edhe me gkere, mbeshtetur edhe ne kujtimet e nipit te tij Theodhori Marko, sh shoku im i ushtrse.

    Reply to this comment
  12. KOZi November 25, 20:10

    E sakte “demo” ,tregou comentuesve se Jamamberi ishte cuni i Petro Markos qe beri rreth 15 vite burg. Edhe Petro jetoi me sa e sa vuajtje .
    Ju pyes juve ,si perfunduan ato 40 republikanet e komunistet qe shkuan ne luften e Spanjes. Njeri nga ato ne foto eshte Mehmet Shehu.
    Provonie njehere se normalisht jane heronjt e pare te se majtes shqiptare.

    Reply to this comment
  13. Arben November 25, 21:15

    Keshtu eshte e verteta

    Reply to this comment
  14. ne ate vend te mallkuar nga Zoti lulezon vetem fara e muzllumutit or ti November 25, 21:48

    eshte bakteria kanceroze ,
    qe do coj ne stodhjavul Shqiperine
    metastazat qe e majne ne shekuj te mberthyer

    deri sa ta zhduke fare .

    Perse nuk flitet hapur ,
    kush qendronte mbas denigrimit te vepres se te Madjit Petro Marko ?
    Kush sulmoje ate dhe gjithe familjen e tij ?
    O fare kancerogjene qe slat poshtersi pa i bere Shqiptarit te vertete ju kermat e anadollit .

    ky…

    Gjigand duhej te ishte referenca e Letersise Shqiptare jo skuthat e gjakut te djallit

    Reply to this comment
  15. gjermani i fundit November 25, 21:53

    Kam lezuar “Hastalavista” dhe “Nata e Ustikes”. Nese Heminguej do kishte nje shkrimtar binjak,,i vetmi do ishte Petro Marko. I gjalle ne rrefim, i vertete dhe i shkurter ne dialogje. Nje permendore vigane ne Dhermi, se Petro Marko qe i pushkes dhe i penes.

    Reply to this comment
  16. Dh.Xhoga (Guri Naimit D) November 25, 22:31

    Figura e Shkrimtarit sa Luftetarit te Spanjes Petro Marko,duhet nderuar ne kete 105 vjetor te lindes Tij,

    Lum kush ka jetuar direkt,me Petro Markon e pa shoq, Une sot 83 vjecar,pos takimeve ne Tirane neper shkolla qe nxenes 1950-53,sa si mesues ne vite 1967, jetuar nje muaj me te,shoqeruar ate ne banoret e Zones Bulcesh-Zallmner ne Malesine pas Dajtit e Bieshit, i madhi Petro Marko, ardhur mes viti1967 e marre subjektin e librit:”Ara ne mal”,qe dihet si perfundoi ju ndalua botimi. Po ate muaj ka lene mbresa te pashlyeshme mes fshatareve ne biseda -gju me gju me banoret.Banoret e ketyre fshatrave sa,kush ka lexuar librin “Ara ne Mal”,besoj i ka ruajtur ato mbresa.
    Une kam patur fatin,shkuar ne shtepine e tij,krah e mirenjohurra Safo Marko,me talentin e saj,me ata enjej femije,mare mbresa dhe pas ndodhive te asaj familie te nderuar ….Librin me autograf e kam si MEDALION”.
    Ndaria e te madhit shrimtar Petro Morko,mare dhe plaget e te birit te pafajshem,na ka lene mbresa te pa shklyeshme.I perjetshem kujtimi Tyre.me te mirit djale Jamambror,pasues dhe i penes,patur ate fat te dhimshem.Ndjese dhe Nderim gjithe Families Petro Marko,me Safon,krah te ralle PENELE,
    Faleminderit Qytetit te Vlores vene emrin “PETRO MARKO”Pallatit te kultures,te atij qyteti HERO.
    Nderim dhe respekt ne kete 105 vjetor te lindies se tij, qe duhet shoqeruar me Nderime te tjera, asaj figure,qe nomeklatirat e kohes i jane borclli.Lexuesit-mirenjohie.

    Mesues 83 vjecar”Pasues veterani”
    Toronto25-11-2018 Dhimiter Xhoga.(Guri Naimit D).

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*