FAKSIMILE: Ja kush është gjyqtarja e vendimit për Kullat te Liqeni

May 11, 2016 01:22

FAKSIMILE: Ja kush është gjyqtarja e vendimit për Kullat te Liqeni

Përbindshat 17 katësh (plus 3 nëntokë) te diga e liqenit artificial të Tiranës janë rikthyer në qendër të vëmendjes, dhe kjo në mënyrën me flagrante të mundshme, me ‘ndihmën’ e drejtësisë.

Avokatura e Shtetit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes të Territorit, IKMT kishin kërkuar pezullimin e lejes së ndërtimit për këtë projekt që gërmon direkt poshtë digës.1

Ky pezullim u vendos nga shkalla e parë e Gjykatës Administrative të Tiranës, por para e dëmtuar e apeloi.

Apeli Administrativ është shkalla e fundit që vendos për fatin e këtyre ndërtimeve.

Por me caktimin e treshes së gjyqtarëve të Apelit Administrativ, Enkelejda Metaliaj (Softa), Arjan Qafa dhe Alkelina Gazidede, bashkia e kryeqytetit njoftoi dje një konflikt të dukshëm interesi.

Ky konflikt interesi zë fill nga kryesuesja e këtij trupi gjykues, znj.Metaliaj, tek kompania që do ndërtojë te diga e liqenit, Gener 2. Kompania në fjalë, është pronë e biznesmenit Bashkim Ulaj, ndërtues i njohur pranë familjes Berisha.

Kaq pranë, sa apartamenti i ri i familjes Berisha në rrugicat e hijshme pas ish-Piramidës, është dhuratë e tij, ashtu siç është dhuratë, edhe zyra luksoze e deputetit të thjeshtë Berisha, tashmë pas rrëzimit nga pushteti.fax

Ulaj ka fituar më herët, nën qeverisjen Berisha, një tender strategjik, projektin e shpërndarjes së fibrave optike në gjithë Shqipërinë, për të cilin pati dhe një përplasje të fortë mes ministrave të djeshëm të Berishës, Genc Pollo dhe të ndjerit Sokol Olldashi.

Ky projekt është tashmë në fazë zbatimi nga kompania tjetër ATU (Albanian Telecommunication Union), në të cilët sipas ekstraktit të QKR-së që DITA ka në dorë, është ortak edhe Artan Metaliaj, kushëriri i bashkëshortit të gjyqtares Enkelejda Metaliaj.

Artan Metaliaj është shtuar si ortak më 11 mars 2013, me shifrën 10%.

Kjo lidhje familjare mesa duket është edhe arsyeja e kuptueshme përse është kërkuar ndryshimi i trupit gjykues.

Por kjo kërkesë është rrëzuar dhe çështjen (dhe fatin) e ndërtimeve gjigante poshtë digës së liqenit të Tiranës, do ta vendosë sot një trup gjykues që ka konflikt të qartë interesi me ndërtuesit.

 

May 11, 2016 01:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*