11 Shtatori tjetër, historia e një demokracie të mohuar

September 6, 2014 09:18

11 Shtatori tjetër, historia e një demokracie të mohuar

Nga Redjan Shabani

“Imagjinoni sikur më 11 Shtator 2001 aeroplanët të kishin bombarduar Shtëpinë e Bardhë… imagjinoni sikur ata të kishin vrarë presidentin, të kishin instaluar një diktaturë ushtarake, të kishin vrarë me mijëra, të kishin torturuar me dhjetëra mijëra, të kishin ngritur një qendër terrori ndërkombëtare që kryente vrasje, rrëzonte qeveri, vendoste diktatorë, dhe të shpinte vendin në depresionin më të thellë në historinë e tij. Imagjinoni sikur të na ndodhte vërtet! Në fakt kjo ka ndodhur, më 11 Shtator 1973. Vetëm se ne ishim përgjegjësit për të, prandaj nuk na ndodhi neve. Kjo i ndodhi Kilit të Allendes.  (Noam Chomsky, filozof dhe linguist amerikan)

Do të doja të sillja në vëmendjen e lexuesve 11 Shtatorin e vitit 1973 të eklipsuar tashmë. Është data kur ëndrra e një demokracie me perspektivë, por e brishtë, u godit për vdekje. Protagonisti kryesor i asaj dite është presidenti i Kilit Salvador Allende.

Allende, fryt i një familjeje borgjeze progresiste, që në fillimet e karrierës politike shfaq karakterin i tij pro-majtist por në të njëjtën kohë anti-leninist; refuzonte kategorikisht konceptin e partisë-shtet dhe diktaturën e proletariatit. Pikëpamjet e tij politike i krijuan jo pak armiq brenda dhe jashtë vendit. Në katër herët që kandidoi për postin e Presidentit të Republikës nuk kanë munguar planet e fshehta për ta eliminuar nga skena politike.

Në zgjedhjet e vitit 1970 merr vendin e parë si kandidat presidencial. Në pritje të ratifikimit të votës popullore nga Kongresi, nis edhe të shfaqet antipatia e SHBA-së kundrejt Allendes. Ai u cilësua si filo-sovjetiku që do të instalonte një diktaturë komuniste nëse do të zinte postin e presidentit. Për më tepër amerikanët kishin interesa të shëndosha ekonomike në Kili ku vendin kryesor e zinte industria e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit. Surpriza tjetër, përveç fitores në votime, erdhi kur Allende arriti të siguronte vota më gjerë se komunistët, socialistët e socialdemokratët, duke marrë mbështetjen e demokristianëve. Si rezultat, pas 20 viteve me beteja elektorale, Salvador Allende bëhet presidenti i parë “marksist” në botë që zgjidhet brenda mekanizmave të demokracisë moderne.

 

Makthet e amerikanëve dhe miqve të tyre në politikën kiliane nuk vonuan për t’u materializuar. Allende kishte vendosur t’i mbante premtimet e tij të dhëna gjatë fushatës: “Nëse do të më bëjnë shoshë me plumba, vetëm atëherë do të mund të ndalin programin tim politik”, shprehet Allende në një fjalim me mbështetësit e tij. Nisi një fushatë të gjerë të nacionalizimit të industrive kryesore të vendit, përfshirë këtu edhe industrinë e bakrit. Shteti tashmë kontrollonte 90% të minierave, mbi 80% të bankave, mbi 80% të industrive prodhuese, mbi 70% të ndërmarrjeve bujqësore dhe mbi 50% të bizneseve të vogla.

Të gjitha këto reforma, duke u bashkuar edhe me simpatinë që Allende po tregonte drejt vendeve të tjera antipatike për perëndimorët, si Kuba e Fidelit, irrituan presidentin Nikson i cili nisi planifikimin për t’i “shtypur kokën këtij biri k…e” (fjalët e Niksonit sipas ambasadorit të SHBA-së në Kili, E. Korry). Ishte e nevojshme, sipas terminologjisë së administratës Nikson, të zhdukej “virusi” që inkurajon shtete si Kili në ndjekjen e një politike për zhvillim, të pavarur nga luanët e ekonomisë botërore. Ja si shprehet arkitekti i ndërhyrjeve amerikane në Kili Henry Kissinger: “Nuk shoh asnjë arsye përse duhet të lejojmë që një vend të bëhet marksist sepse populli i tij është i papërgjegjshëm. Çështja është shumë delikate për t’ja lënë votuesve kilianë në dorë”.

Pengesa e fundit në arenën ndërkombëtare ishte Bashkimi Sovjetik, por edhe kjo pengesë ra. Kremlini refuzoi ndihma ekonomike për një vend që aspironte socializmin pa diktaturë, pa terror policor e me votë të lirë, kështu që nuk ja vlente të investoje në një projekt “të dështuar”. Madje Moska, e terrorizuar nga konflikti i freskët i raketave kubane, nuk vonoi që të njoftonte për vendimin e saj edhe Departamentin e Shtetit.

Duke u mënjanuar disa pengesa brenda ushtrisë kiliane, pak nga pak u maturuan kushtet për realizimin e një grushti shteti. Qershia mbi tortë për opozitarët, ushtarakët filo-fashistë dhe vetë CIA-n ishte emërimi si shef shtabi i Gjeneralit Augusto Pinochet, të cilin Allende e konsideronte njeri shumë të besuar.

 

Më 11 shtator 1973 vihet në lëvizje plani i puçit. Forcat e armatosura, të drejtuara nga Augusto Pinochet, i drejtojnë ultimatum funksionarëve të Monedas (pallati presidencial) për t’u larguar dhe dorëzuar në duart e forcave ushtarake. Mbas një rezistence të shkurtër, filloi dhe bombardimi i pallatit nga aviacioni. Shpresat u shuan kur u mor vesh se Pinochet ishte në krye të puçit; deri atëherë Allende ishte shprehur i shqetësuar për jetën e gjeneralit të tij të “besuar”, të cilin e konsideronte si shpresa e fundit për zgjidhjen e situatës. Kush e di se ku do e kenë burgosur Auguston e shkretë, i thotë Allende njërit prej bashkëpunëtorëve të vet.

Në çastet e fundit të jetës, me helmetë në kokë, një AK-47 dhuratë e Kastros në krah dhe receptorin e telefonit në vesh, Allende bën lidhjen e fundit në radio ku i drejtohet vendit: […] Në emër të interesave më të shenjta të popullit, në emër të atdheut ju bëj thirrje që të keni besim. Historia nuk ndalet as me shtypje as me krime, kjo është një fazë që do të kapërcehet, është një moment i vështirë. Mund edhe të na heqin qafe, por e nesërmja do të jetë e popullit. Njerëzimi do të vazhdojë në kërkimin e një jete më të mirë.[…] Në këto momente avionët po fluturojnë mbi ne. Mund të hapin edhe zjarr. Por ta dini mirë se ne jemi këtu, për të treguar që në këtë vend ka njerëz që bëjnë detyrën e tyre deri në fund. Unë do të jem këtu për të respektuar mandatin e popullit, me vetëdije se jam një president që duhet të ruajë dinjitetin e detyrës së tij.[…] Qytetarët duhet të mbrohen por jo të sakrifikohen. Populli nuk duhet të bëhet shkak i shfarosjes së vet. […] Kam besim tek Kili dhe fati i tij. Të tjerë njerëz do ta kalojnë këtë moment gri dhe të hidhur ku tradhtia kërkon të sundojë. Ecni përpara duke ditur se, shumë shpejt, do të hapen rrugët në të cilat do të kalojë njeriu i lirë, për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.[…]”

Është e paimagjinueshme, të paktën për ne në Shqipëri, që një lider të sakrifikojë veten me qëllimin e lartë për të mos sakrifikuar popullin e vet. Por kjo është një tjetër çështje. Le të kthehemi tek historia jonë. Vetë Allende nuk pranoi kurrsesi të binte në duart e puçistëve dhe, sipas versionit zyrtar, vret veten. Ndërkohë sulmohen ndërtesa të tjera publike, pushtohen ushtarakisht seli partish dhe sindikatash, arrestohen ose eliminohen drejtues forcash politike liberale, vendoset gjendja e jashtëzakonshme dhe pezullohen liritë kushtetuese të individëve. Me mijëra mbështetës të Allendes që kishin zbritur në sheshe për ta mbështetur, masakrohen nga ushtarakët. Me mijëra opozitarë të skeduar më parë në lista të detajuara, fillimisht burgosen në stadiumin kombëtar të Santiagos dhe mandej zhduken duke shënuar fillimin e një masakre që numëron 40 mijë viktima, 2000 të vrarë dhe 38 mijë desaparescidos (të zhdukur). Për fatin e mirë të lobeve industriale shumëkombëshe dhe për fatin e keq të kilianëve, më në fund një regjim fashist u instalua.

 

U desh të pritej deri më 5 Tetor 1988, ditën kur u mbajt referendumi popullor për rikthimin në regjimin kushtetues të mëparshëm. Fuqitë perëndimore, pasi u siguruan se nuk do të kishte më Allende të tjerë, kishin vendosur që Kili të ishte një vend demokratik. Augusto Pinochet jetoi edhe për shumë vite i përndjekur nga proçese gjyqësore të stërzgjatura derisa vdiq i pandëshkuar në vitin 2006, për ironi të fatit në datën 10 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Eshtrat e Salvador Allendes, të cilat gjatë diktaturës u mbajtën nën një emër të rremë, u rivarrosën me të gjitha nderimet shtetërore në një ceremoni ku morën pjesë me qindra mijëra qytetarë.

Në botë Allende përkufizohej nga armiqtë si komunisti që donte të krijonte një Kubë të re dhe nga miqtë lindorë, si i marri që mendoi se do sillte socializmin me një revolucion pa dhunë dhe me mjete demokratike. Por për kilianët ai ishte dhe është thjesht presidenti Allende.

Kjo ishte historia, ndonëse jo në nivelin e një historiani, e një prej demokracive të mohuara, mohimin e shumë prej të cilave i përjetojmë edhe sot. I “forti” i radhës, në sferën e tij të influencës, mendon se është legjitime të heqësh një president të zgjedhur sepse ai është antipatik për ne, si ish presidenti Morsi në Egjipt për të cilin u tha se ishte ushtria që ja mori pushtetin, por ne perëndimorët (pushtetarët) nuk nguruam të përgëzonim ushtarakët. Një tjetër i “fortë” kërkon të imponojë vullnetin e vet mbi Ukrainën sepse populli ukrainas votoi pro perëndimit. Disa të tjerë “fortë” kërkojnë të krijojnë me krime kundër njerëzimit një shtet të ri në Lindjen e Mesme, mbi gërmadhat që ngelën në luftën që duhet të kishte sjellë demokraci me anë të bombave. Një tjetër popull i lashtë, viktimë e shfarosjes në Luftën e II Botërore, harron historinë dhe vë në punë të njëjtat mjete që u përdorën kundër tij, vetëm e vetëm sepse një tjetër popull fqinj po aq i lashtë dëshiron të ketë një shtet të pavarur. Edhe ne shqiptarët tashmë jemi pjesë e një aleance që nuk ngurojmë të dërgojmë misione ushtarake për të dhënë leksione demokracie, meqenëse demokraci kemi me bollëk këtu ku jemi; as regjimi i vjetër, me gjithë potencialin ushtarak që kishte, nuk guxoi ta thyente tabunë e daljes nga kufijtë shqiptarë për të ndërhyrë ushtarakisht në punët e një vendi tjetër.

Por ja që kështu është e gatuar bota dhe unë nuk po zgjatem më. Kam ama një dëshirë; më 11 Shtator, ndër të tjera, të përkujtohet Salvador Allende, me të njëjtin vrull me të cilin mikja e Augusto Pinochetit, zonja e hekurt Margaret Thatcher, u përkujtua nga liderët shqiptarë pa dallim politik. Të përkujtohet Allende si simbol i demokracisë dhe pavarësisë për vetëqeverisje, si simbol i ndjekjes së një utopie për një botë më të drejtë ku predominojnë vlerat morale mbi ato monetare, si simbol i vetëflijimit për realizmin e një misioni që zgjedhësit dhe kushtetuta kishin dhënë. Por unë e di shumë mirë se nuk ka për të ndodhur.

September 6, 2014 09:18
Komento

2 Komente

  1. enea September 6, 10:06

    noam chomsky eshte i vetmi intelektual i vertet qe ka sot bota!!!

    Reply to this comment
  2. Saimir September 6, 17:42

    Atë paragrafin e jam dëgjuar edhe unë nga goja e chomskit por vazhdimin nuk besdoj e ka shkruar chomsky. Sidoqoftë edhe pse sjam dakort me ato që donte të bënte alendja jam dakort me konkluzionet e artikullit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin