EDHE ME CEZ-in SI ME 21 JANARIN?

Andrea Stefani October 10, 2015 23:21

EDHE ME CEZ-in SI ME 21 JANARIN?

U bëmë përsëri dëshmitarë të teatrit absurd të kampeve politike që akuzojnë njeri-tjetrin ashpër për korrupsion dhe vjedhje të parave publike për të arritur në …askund! Kush ka të drejtë dhe kush ka faj? Kush është i korruptuari dhe kush i ndershmi? Kush do ta ndajë këtë hesap që shqiptarët të mos përçahen nga shpifjet por të bashkohen nga drejtësia?

 

Edhe një bandë hajdutësh ka nevojë për një minimum drejtësie për ndarjen e plaçkës ndryshe do të shpërbëhet – thotë Platoni. E jo më një shtet, detyrohemi të shtojmë ne. Dhe prandaj vijmë në konkluzionin se mungesa kronike e drejtësisë dhe e ndëshkimit për korrupsionin e madh, po e shtyn shtetin shqiptar në limitet e veta të ekzistencës. Dhe vetëm ndërhyrja urgjente e drejtësisë mund ta shpëtojë.

 

***

Debati i fundit parlamentar mbi aferën e CEZ-it, është një tjetër provë e dhimbshme për këtë. U bëmë përsëri dëshmitarë të teatrit absurd të kampeve politike që akuzojnë njeri-tjetrin ashpër për korrupsion dhe vjedhje të parave publike për të arritur në …askund! Kush është i korruptuari, vjedhësi, fajtori? Askush dhe gjithkush! Kufiri mes të ndershmit dhe hajdutit është fshirë. Dhe e gjithë kjo tollovi ndodh për shkak se mungon arbitri që, jashtë palëve dhe me profesionalizëm, të hetojë, gjykojë dhe japë verdiktin se kush e ka shkelur ligjin, sa dhe si. Dhe në përputhje me të, të japë vendimin.

 

***

Çfarë bën prokuroria? Çfarë bën kryeprokurori, Adriatik Llalla, ndërsa paguhet me paratë e taksapaguesve pikërisht që të hetojë lëmshe të tilla akuzash që politikanët shqiptarë po i shpalosin publikisht duke akuzuar njeri-tjetrin? Pse nuk kryen misionin për të cilin jo vetëm paguhet por e ka për detyrim kushtetues? Është në tavën e korrupsionit me politikanët apo çfarë?

Sepse kemi akuza të freskëta të bëra publike nga të dy kampet e politikës lidhur me aferën e CEZ-it. Nga njëra anë është Sali Berisha, Lulzim Basha dhe të tjerë, që akuzojnë Edi Ramën dhe qeverinë e tij se ka mbyllur konfliktin për CEZ me çekët me një marrëveshje mirëkuptimi në një kohë që, sipas tyre, duhet të shkonte në arbitrazh ku fitorja do të ishte e sigurt.

Dhe sipas PD, marrëveshja me çekët, në bazë të së cilës Shqipëria i pagoi CEZ 95 milion euro duke i dhënë fund arbitrazhit, është kriminale, korruptive dhe i ka shkaktuar Shqipërisë një dëm prej 600 milion euro! Kjo është një akuzë shumë serioze. Ndaj vështirë të kuptosh sesi mund të neglizhohet nga një prokurori që ka për mision mbrojtjen e interesave të publikut.

Por nuk kemi dëgjuar që prokuroria të nisë ndonjë hetim. Nuk kemi parë të thërrasë akuzatorët, Berishën, Bashën e kompani, të deponojnë për akuzat e tyre. Çfarë pret ajo?

 

***

Kundërakuzat nga kampi qeveritar nuk janë më të pakta. Sipas Kryeministrit Rama por edhe ministrit të energjetikës, Gjiknuri, marrëveshja me CEZ ka qenë më e mira e mundshme duke e shpëtuar Shqipërinë nga një penalizmin i sigurt që mund të shkonte deri në 1 miliard euro.

Përveç një bilanci që demonstron se me marrëveshjen e mirëkuptimit çekët nuk kanë marrë asgjë më shumë se ç’kanë dhënë në disa vite, përveç fakteve mbi korrupsionin e mbledhjes së borxheve të realizuar nga qeveria me 9 kompani fantazëm të tipit DIA, kampi qeveritar ka servirur edhe shumë dokumente duke e akuzuar qeverinë Berisha se kanë qenë keqqeverisja, populizmi dhe korrupsioni i saj, prishja e dhunshme e kontratës me çekët dhe pasiviteti i mëpastajshëm në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm juridikë, që jo vetëm e kanë çuar ÇEZ shpërndarje në kolaps por edhe e kanë bërë të pamundur një fitore kundër palës çeke në arbitrazhin ndërkombëtar.

 

***

Kush ka të drejtë dhe kush ka faj? Kush është i korruptuari dhe kush i ndershmi? Kush do ta ndajë “shapin nga sheqeri”? Pikërisht kjo është detyrë e prokurorisë. A e kanë ndjekur prokurorët shqiptarë debatin që vazhdon prej disa muajsh? Po seancën e fundit në Kuvend ku, për herë të parë, palët i mbështetën me dokumente akuzat dhe kundërakuzat? Materiali i bërë publik ka qenë aq i bollshëm sa asnjë prokuror nuk mund të lajë duart duke thënë se palët nuk kanë depozituar dosje në prokurori. Prokuroria i ka të gjitha premisat për të nisur, edhe kryesisht, hetimet për këtë aferë që nga të dy palët, emërohet si nga korrupsionet më të mëdha të tranzicionit.

 

***

Por do të qe e palejueshme, vrasëse për shtetin, që edhe ky skandal të përfundonte ashtu sikundër u mbyllën hetimet për masakrën e 21 janarit, pa kriminelë dhe pa ndëshkim. Pra, patëm një masakër por nuk patëm kriminelë! Dhe kur vriten qytetarë e askush nuk ndëshkohet me pretekste qesharake se fajin e paskan pasur plumbat që paskan bërë rikoshetë (!), kjo është simptomë e qartë e fundit të shtetit dhe kalimit në gjendjen e natyrës ku njeriu ka “të drejtë” të vrasë njeriun.

Dhe vërtet, kur askush nuk ndëshkohet për vrasjen me plumba luftarakë të protestuesve, madje kur qoftë edhe një politikan i vetëm (kryeministri, ministri i brendshëm që ishin aty) nuk ndëshkohen as moralisht për këtë kryekrim, pse duhet të ndëshkohet dikush që vret aksidentalisht në trafik me makinë një njeri?!

 

***

Edhe për 21 janarin patëm dy palë që kundërakuzoheshin. Në njërën anë Berisha, nga lartësia e postit të Kryeministrit, akuzonte liderin e opozitës Rama, Presidentin e Republikës Topi dhe vetë kryeprokuroren Ina Rama, për organizmin e një puçi. Ai madje akuzoi opozitën se kish qenë ajo vetë që i kish vrarë protestuesit duke përdorur thika me helm dhe çadra pistoletë! Nga ana e vet, opozita, bazuar në faktin e 4 protestuesve të vrarë dhe disa të tjerëve të plagosur, në faktin, e fiksuar edhe nga kamerat e medias se të paktën 2 nga protestuesit ishin vrarë me të shtëna direkte nga gardistët, e kanë akuzuar kryeministrin Berisha dhe ministrin e brendshëm Basha për krimin e vrasjes së protestuesve.

 

***

Duke lënë mënjanë bindjen tonë për sa ka ndodhur në 21 janar, themi se, gjithsesi, njëra nga palët është fajtore për krimin më të rëndë të tranzicionit. Publiku është i ndarë. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale 2013-14, kemi të drejtë të themi se shumica e shqiptarëve mendon se fajtorët për masakrën janë në radhët e qeverisë së djeshme.

Përfshi vetë ish-kryeministrin dhe ministrin e brendshëm. Pakica, mbështetëse e PD, beson të kundërtën. Dhe është detyrë e prokurorisë ta ndajë këtë hesap që shqiptarët të mos përçahen nga shpifjet por të bashkohen nga drejtësia.

 

***

Mjerisht as prokuroria dhe as gjykatat nuk kanë qenë në gjendje të thonë të vërtetën për këtë krim dhe të japin ndëshkimin. Për rrjedhojë, sot kemi një pjesë të shqiptarëve që besojnë se në krye të PD kemi politikanë që i kanë lyer duart me gjak qytetarësh të pafajshëm ndërsa një pjesë tjetër, që besojnë se në krye të qeverisjes kemi një grup politikanësh puçistë.

Edhe në aferën e CEZ, elektorati i është atashuar kampeve jo bazuar tek drejtësia, por te simpatitë politike që duke qenë se janë përgjithësisht të verbra, refuzojnë ta pranojnë krimin e kryer nga lideri dhe partia e dashur, edhe kur ai ka qenë i hapur madje i fiksuar edhe nga kamerat e medias.

Dhe është naivitet të shpresosh se shteti mund të dalë nga gjendja e një konfliktualiteti permanent, pa ndërhyrjen e drejtësisë për pastrimin e politikës nga këto enigma, dilema dhe krime që rëndojnë mbi të.

 

***

Pas 25 vjet pandëshkueshmërie kupa e korrupsionit dhe krimit është mbushur dhe po derdhet duke përmbytur shtetin. Koha nuk pret. Vetëm ndërhyrja e drejtësisë mund ta shpëtojë atë. Qoftë edhe më asistencë ndërkombëtare. Tani!

Shteti ka nevojë urgjente për drejtësi ashtu si një i aksidentuar rëndë për transfuzion gjaku. Madje, ai nuk mund të presë as derisa reforma në drejtësi të pjellë pushtetin ideal të drejtësisë. Sepse deri atëherë mund të ketë vdekur ose të jetë zbërthyer nga një konflikt politik mes klaneve politike të kriminalizuara.

Lufta për drejtësinë e munguar kundër pandëshkueshmërisë duhet të nisë urgjentisht tani! Një luftë që, nga ana e vet, do të jetë jo një pengesë por, përkundrazi, një rrethanë shumë më e favorshme edhe për reformën në drejtësi.

Andrea Stefani October 10, 2015 23:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*