100-vjetori i pavarësisë, dritëhijet e qeverisjeve nga viti 1920 deri më 1939

Kujtim Boriçi November 8, 2012 16:16

100-vjetori i pavarësisë, dritëhijet e qeverisjeve nga viti 1920 deri më 1939

Arkivat për Kongresin e Lushnjes, të Durrësit, qeverisjen e Zogut dhe pushtimin fashist më 1939

 

Safet Ramolli

 

Shpallja e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939, kur Ahmat Zogu braktisi vendin dhe Shqipërinë e pushtoi ushtria italiane, vlerësohet si nga periudhat më të vështira të kombit shqiptar, e shoqëruar me rrëzime qeverish, pushtime të sllavëve, revolucione, përpjekje për të ndërtuar shtet, vrasje, miqësi e tradhti. Shumë nga këto ngjarje kanë lënë pasoja të rënda për Shqipërinë, shqiptarët dhe territorin e vendit… Në këtë kuadër, periudha nga pranvera e vitit 1920, deri në pushtimin fashist më 1939, përshkohet nga disa ngjarje të veçanta me dritëhije në histori…

 

SITUATA

Në pranverë 1920 Fuqitë e Evropës ‘u bindën’ se edhe Shqipëria duhej të krijonte Shtetin e vet sipas modelit Perëndimor. Gjithësesi, kufijtë territorialë shtetërorë mbeteshin ata, që u përcaktuan nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Është fakt i njohur historik se gjatë Luftërave Ballkanike 1912–1914, e sidomos pas largimit të pashmangshëm të Princit Vilhelm fon Vidd më 3 shtator 1914, por edhe gjatë ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, Shteti Shqiptar u zhduk: territori i tij u shndërrua në fushë betejë për fqinjët dhe objekt këmbimi për Fuqitë e Mëdha. Antanta e përdori si karrem për të tërhequr në kampin e saj Greqinë, duke e lejuar të pushtojë Korçën e Gjirokastrën, sikurse i premtoi Italisë se, do të lejohej të vendosej në portin e Vlorës dhe në ishullin e Sazanit. (Burimi: Georges Castellan,“Histori e Ballkanit“, botim i vitit 1996; F.450–451). Fqinjët veriorë serbo–malazezë, patën pushtuar Shkodrën dhe krejt veriun duke arritur në thellësi të territoreve shqiptare deri në vijën Durrës–Tiranë. Në fund të vitit 1916 praktikisht Shqipëria ishte e pushtuar tërësisht, duke mbetur në këtë gjendje deri më 1919, kur u nënshkrua Traktati i Paqes në Versajë, pranë kryeqytetit Francez, pas përfundimit të konfliktit të Parë të Lëvizja Kombëtare Shqiptare për të bashkuar trojet shqiptare dhe për të krijuar Shtetin Shqiptar në vitet 1908-1920 kristalizohet dhe gjallërohet.

 

KONGRESI I DURRËSIT

Në fund dhjetor 1918, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me pjesëmarrjen e 48 delegatëve në Durrësin e pushtuar nga Italia, u mblodh një Kongres, i cili mundi të krijojë një ‘Qeveri të Përkohshme”, e cila do të punonte që të mbronte kauzën shqiptare në tratativat e Versajës, por që rezultoi jo me efektivitetin e duhur, sepse katër Fuqitë e Mëdha në Versajë, si të plotfuqishme që ishin “…prisnin e ngjisnin territore sipas zakonit të sovranëve të dikurshëm”, (G.Castellani, burim i më sipërm)… Mbajtja e një Kongresi gjithëkombëtar, i ngjashëm me atë të Vlorës më 1912, ishte më “i pranueshëm”  nga Fuqitë e Evropës.

 

Prandaj në 21 janar 1920 në Lushjë u mundësua mbajtja e një Kuvendi të tillë. Për shkak të mosparaqitjes së shumicës së delegatëve, mbledhja u realizua ditën e mërkure më 28 janar në orën 14:00. Ky Kongres vendosi me vota unanime rrëzimin e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit (të krijuar para një viti); zgjodhi delegatët që do të përfaqësonin interesat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes në Versajë; zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga katër anëtarë në zë (Aqif Pashë Elbasani, Imzot Bumçi, Dr. Mihal Turtulli dhe Abdi bej Toptani). Ky Këshill do të kishte atributet Kryetarit të Shtetit Shqiptar deri sa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga një Asambleje Kushtetuese; si dhe do të zëvendësonte Princ Viddin, që ende nuk kishte abdikuar juridikisht nga Froni Mbretëror.

 

U formua një Këshill Kombëtar i përbërë prej 37 këshillonjësish me atributet e Parlamentit; u zgjodh një Kabinet i Ri Qeveritar i përbërë sa vijon: Sulejman Delvina–kryeministër; Eshtref bej Frashëri– zëvendës kryeministër; Ahmet bej Mati (Zogolli)–ministër i punëve të brendëshme; Mehmet bej Konica–ministër i punëve të jashme; Ndoc Çoba–ministër i financave; Idhomen Kosturi–zëvendës ministër i financave; Hoxhë Kadria–ministër i drejtësisë; Hysen bej Vrioni, zëvendësministër i drejtësisë; Sotir Peci-ministër i arësimit, etj. Vendimet e marra dhe krijimi i Kabinetit Qeveritar, rezultojnë të një rëndësie të veçantë, sepse hedhin themelet si dhe ngrejnë ndërtesën e një Shteti Modern Evropian, që u njoh që në fillim nga SHBA-ja, ish-BS-ja etj.

 

KONGRESI I LUSHNJES

Kongresi i Lushnjes përfaqëson një Kuvend Mbarëshqiptar me një motiv të lartë. Në të u përfaqësuan gjithë trevat e Shqipërisë, përfshi edhe Malësia e Gjakovës, me moto, “Të jemi të bashkuar për shpëtimin e Atdheut”.(Burimi:Gazeta, ‘Ushtria’, dt. 29.01.2000). Në këtë Kuvend mori pjesë edhe komandanti i forcave shqiptare të armatosura, kapiten i parë Kasëm Qafëzesi. Organet e pushtetit u transferuan në Tiranë, e cila kishte jo më shumë se 15.000 banorë, duke u bërë kështu kryeqyteti i parë i vendit më 20 shkurt 1920. Kjo qeveri pati detyrë emergjente çlirimin e territoreve të pushtuara (francezët u larguan nga Korça; pas një lufte të përgjakshme edhe italianët u larguan nga Vlora, por mbajtën Sazanin). Kështu Shqipëria kishte një Qeveri, që ushtronte praktikisht autoritetin e saj mbi pjesën më të madhe të territorit të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, (i cili ishte edhe një kusht i nevojshëm për njohjen e saj në bazë të së drejtës ndërkombëtare).

 

Me këmbënguljen e Fan Nolit, i cili mbrojti me vendosmëri e profesionalizëm prej diplomati çështjen shqiptare, më 27 dhjetor 1920 Lidhja e Kombeve e pranoi Shqipërinë në bashkësinë e saj vetëm me votën “kundra” të Francës, e cila, nga ana e vet mbështeste pikëpamjet greke e serbe për çështjen e pretendimeve territoriale kundrejt Shqipërisë në veri e sidomos në jugë. (Burimi: Georges Castellan:’Histori e Ballkanit’, vepër e cituar,F.451) Çështja e kufijve do të rezultonte si shqetësim  edhe më vonë, për t’u konsideruar disi i mbyllur pas gjykimit të kësaj çështjeje në Hagë në gusht 1925, vendim që detyronte Qeverinë Shqiptare t’i dorëzonte Serbisë, Manastirin e Shën Naumit, dhe do të përfitonte 14 fshatra në krahinën e Korçës, që mbaheshin të ozurpuara nga Greqia.

 

THEMELET E SHTETIT

Shteti Modern Shqiptar i dalë nga Kongresi i Lushnjes, në të ardhmen konfigurohet më mirë si dhe do ta mbështesë veprimtarinë e tij ligjore krejtësisht sipas modelit perëndimor. Personalitetet e Politikës shqiptare  të periudhës 1920–1939, janë thuajse të një mendimi se  vendi ynë pas vitit 1912 nis të jetojë thuajse i lirë deri në vitin 1920, dhe i pavarur pas këtij viti, duke u ushqyer njëherësh me kujtimet e armëve të motit. Për ata 28 nëntori 1912 mbetet një “ditë e lumtur”. Më 1920 Shqipëria filloi të ngulë themelet e para të ndërtesës së re shtetërore, do të unifikonte qëndresën dhe shpirtin liridashës, të cilat e mbajnë në këmbë, sidomos në çaste rreziku të madh, një shtet , një komb. Ata pohojnë se Kongresi i Lushnjes u shpreh qartë, që duhej të ishim të lirë dhe të vendosnim për lirinë.(Burimi, Albumi:’10 Vjet Mbretni’, F. 222–224)…

 

NË SKENË AHMET ZOGU

Në vitin 1921 u zhvilluan zgjedhjet dhe qeveria e parë u dominua nga Ahmet bej Zogolli (1895–1961), që ishte ministër i brendshëm i Qeverisë së Sulejman Delvinës, dhe në dhjetor, duke qënë Komandant i Forcave Qeveritare, që vepronin në zonën e Mirditës, nuk pranoi t’i dorëzoj detyrën Bajram Currit. Në të kundërtën, në krye të forcave dhe përmes veprimeve luftarake mundi të hyjë në Tiranë. Thirri mbledhjen e Këshillit Kombëtar, të cilit iu imponua që të rrëzonte Këshillin e Lartë ekzistues dhe të zgjidhte një Këshill të Ri me përfaqësues të krahut konservator. Në Qeverinë e Xhafer Ypit mbajti postin e Ministrit të Brendshëm, duke qenë edhe këshilltari kryesor i tij. Shumë shpejt (më 1922) u bë Kryeministër i Shqipërisë.

 

Në këtë pozicion ushtroi përgjegjësinë dhe autoritetin shtetëror ose edhe si anëtar kabineti, deri në qershor 1924, kur u rrëzua nga pushteti pas një kryengritjeje të armatosur e drejtuar nga Fan Noli.  Bernard J. Fisher, profesor në një universitet të SHBA-së, pohon se ‘Ahmet Zogu u bë Ministër i Brendshëm në qeverinë e Xhafer Ypit; u fejua me vajzën e Shefqet Vërlacit, (njërit prej bejlerëve më të fuqishëm të kohës); forcoi lidhjet me krerët e veriut të vendit, të cilët historikisht kanë qenë të prirur të administrojnë të pavarur nga administrata shtetërore etj’… Në shkurt 1922, disa drejtues të zonave të veriut me forca të armatosura u vërsulen drejtim Tiranës zyrtare. Ndërkohe që Qeveria shkoi në Elbasan ku edhe dha dorëheqje, A. Zogu me komandantin e xhandarmërisë të Tiranës, kapiten Osman Gazepi e mbrojti kryeqytetin, gjykoi në gjyq ushtarak 32 kundërshtarë…

 

PËRMBYSJA E FAN NOLIT

…Më 24 dhjetor 1924, A. Zogu i mbështetur totalisht e fuqimisht nga përkrahësit e tij, rivendosi gjendjen duke i ri dhënë pushtetin ekzekutiv kabinetit të Iljaz Vrionit, i përmbysur pas kryengritjes së armatosur në maj-qershor 1924. Më 27 dhjetor 1924 u shpall shtetrrethim i përgjithshëm. Prefekturat, nënprefekturat dhe komunat u vunë nën urdhrat e Komandave të Operacioneve. Kryetari i Shtetit Shqiptar e kishte fare të qartë se, administrimi i komunitetit të vet, do të ishte një problem i vështirë. Populli prej një të kaluare të hershme ishte mësuar gati të vetadministrohej, të mos i nënshtrohej ligjit por edhe askujt tjetër, që ai e konsideronte “të huaj”. Nga ana tjetër gjendja ekonomike ishte mjaft e vështirë, infrastruktura ndodhej në gjendje mjerane. Georg Castellan, autori i librit me mjaft vlera “Histori e Ballkanit“, e ka nxjerrë një përfundim të tillë për ballkanasit, e veçanërisht për Shqipërinë, kur pohon se, që prej pushtimit në Shek. XV, problemi më i madh për pushtuesit osmanë kishte qenë ai i administrimit efektiv të këtyre viseve, që nuk kishin komunikacion, dhe ku popullsitë të armatosura të gjitha si pasojë e praktikës së hakmarrjes, i prisnin vazhdimisht me pushkë përfaqësuesit e Shtetit….

 

QEVERIA E ZOGUT

Më 7 janar 1925, Ahmet Zogu, kolonel që nga koha e Austrisë, formoi një qeveri nën drejtimin e tij. Po këtë muaj u ri mblodh Asambleja Kushtetuese e zgjedhur në vitin 1923, një pjesë e deputetëve të së cilës kishin marrë arratinë pas ngjarjeve të qershorit 1924. Asambleja më 21 janar 1925 e shpalli Shqipërinë ‘’Republikë’’ dhe A. Zogun “Kryetar të Qeverisë”. Vetëm pas dhjetë ditësh A. Zogu u caktua edhe President i Republikës me një mandat prej shtatë vjetësh, si dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, duke drejtuar me autoritet të plotë e me dorë të fortë, por edhe me efektivitet të dukshëm, deri më 7 prill 1939, kur vendi ynë i vogël u pushtua ushtarakisht prej Italisë. Në këto 15 vite drejtimi ai do ta konceptonte administrimin shtetëror e atë shoqëror me ligje e akte nënligjore bashkëkohore dhe mjaft të përparuara. Mendimi i analistëve të huaj e vendas të asaj kohe është se, administrimi i ri jo vetëm synonte por edhe realizoi praktikisht, që opinionit të huaj e të brendshëm, t’i krijohej përshtypja reale se, Shqipëria nuk është më vendi i shqetësimeve dhe as foleja e turbullirave, por një komunitet i unifikuar në qëllime e veprime për të synuar integrimin në Evropë. (Burimi: Albumi ‘10 Vjet Mbretni’; vepër e cituar; F.242) Më 2 mars 1925 miratohet Statuti Themeltar i Republikës së Shqipërisë, i cili e shpallte Shqipërinë “Republikë Parlamentare”, por që Presidenti kishte pushtet gati të pakufizuar, çka në fakt tregon që Shqipëria ishte “Republikë Presidenciale”.

 

Pushtetin ligjvënës do ta ushtronte Parlamenti me Dhomën e Deputetëve dhe Senatin, por që gjashtë senatorë i caktonte vetë Presidenti. Në këtë qeveri bënin pjesë : Myfit Libohova, Koço Koça, Ceno beg Kryeziu etj. (Ky i fundit kishte atributet e Ministrit të Brendshëm). Qeverimi administrativ sigurohej përmes funksionimit të pushtetit vendor me 10 Prefektura, 39 Nënprefektura dhe 63 komuna, të cilat quheshin edhe “katundarina”. Administrata lokale  varej nga Ministria e Brendshme.(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

 

NESËR DO TË LEXONI

-Përpjekjet e Ahmet Zogut për të thiçhur investimet italiane dhe flirtet me pasoja për të ardhmen e vendit

-Zhvillimet e vitit 1928 dhe kalimi i regjimit nga Republikë Parlamentare në Monarki.

-Martesa e Ahmet Zogut, marrëveshja me italianët dhe pushtimi i vendit më 7 prill 1939

 

KUSH ËSHTË SAFET RAMOLLI

Safet Ramolli u lind më 1944 në Floq të rrethit të Korçës. Ka përfunduar në vitin 1962 ka përfunduar shkollën e mesme petagogjike ‘Luigj Gurakuqi’ në Elbasan, ndërsa në vitin 1967 ka përfunduar arsimin e lartë pedagogjik në Tiranë, fakulteti gjuhë-letërsi. Më pas ka përfunduar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë.

Ka punuar disa vite në arsim, (1962-1967), ndërsa më mpas në strukturat e Mbrojtjes. Ka punuar në Gardën e Republikës nga viti 1992 deri në vitin 2004, kur doli në pension. Ka botuar librat ‘Historiku i Gardës së Republikës” si dhe dy libra (tekste mësimore për gardën) si dhe është bashkautor në disa libra të tjerë të shkollimit profesional ushtarak. Njëkohësisht, ka shkruar artikuj të shumtë shkencorë e publicistik.

 

 

KONGRESI I DURRËSIT

“Kabinet i Ri Qeveritar i dalë nga Kongresi i Durrësit, përbëhej: Sulejman Delvina–kryeministër; Eshtref bej Frashëri– zëvendës kryeministër; Ahmet bej Mati (Zogolli)–ministër i punëve të brendëshme; Mehmet bej Konica–ministër i punëve të jashme; Ndoc Çoba–ministër i financave; Idhomen Kosturi–zëvendës ministër i financave; Hoxhë Kadria–ministër i drejtësisë; Hysen bej Vrioni, zëvendësministër i drejtësisë; Sotir Peci-ministër i arësimit, etj”

 

 

KONGRESI I LUSHNJES

“Kongresi i Lushnjes përfaqëson një Kuvend Mbarëshqiptar me një motiv të lartë. Në të u përfaqësuan gjithë trevat e Shqipërisë, përfshi edhe Malësia e Gjakovës, me moto, “Të jemi të bashkuar për shpëtimin e Atdheut”. Organet e pushtetit u transferuan në Tiranë, e cila kishte jo më shumë se 15.000 banorë, duke u bërë kështu kryeqyteti i parë i vendit më 20 shkurt 1920. Sot, Tirana, metropoli i Shqipërisë, numëron një popullsi afro një milion banorë”

 

SOM

“Me këmbënguljen e Fan Nolit, i cili mbrojti me vendosmëri e profesionalizëm prej diplomati çështjen shqiptare, më 27 dhjetor 1920 Lidhja e Kombeve e pranoi Shqipërinë në bashkësinë e saj vetëm me votën “kundra” të Francës, e cila, nga ana e vet mbështeste pikëpamjet greke e serbe për çështjen e pretendimeve territoriale kundrejt Shqipërisë në veri e sidomos në jug”

 

SOM

“Më 7 janar 1925, Ahmet Zogu, formoi një qeveri nën drejtimin e tij. Po këtë muaj u ri mblodh Asambleja Kushtetuese e zgjedhur në vitin 1923, një pjesë e deputetëve të së cilës kishin marrë arratinë pas ngjarjeve të qershorit 1924. Asambleja më 21 janar 1925 e shpalli Shqipërinë ‘’Republikë’’ dhe A. Zogun “Kryetar të Qeverisë”. Vetëm pas dhjetë ditësh A. Zogu u caktua edhe President i Republikës me një mandat prej shtatë vjetësh, si dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë..”

Kujtim Boriçi November 8, 2012 16:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*