Ata që zgjodhën luftën (Kujtimet e një partizani jo të zakonshëm)

November 12, 2014 05:53

Ata që zgjodhën luftën (Kujtimet e një partizani jo të zakonshëm)

Materiali i mëposhtëm është shkëputur nga kujtimet e luftës antifashiste, që ka hedhur në letër shumë kohë më parë Hekuran Pobrati. Emri i tij u thotë shumë lexuesve, në mos për gjë tjetër, për aktivitetin e tij të spikatur kundër diversantëve pas luftës. Por është e udhës të theksojmë se pikësëpari bëhet fjalë për një ndër partizanët e parë të çetës së parë partizane të Kurveleshit, ngritur më 1 prill 1942 me komisar Mustafa Matohitin, Hero i Popullit. Lindur më 15 shtator 1920 në Pobrat të Beratit, Hekurani kaloi në maj 1943 në Çetën Plakë të Mallakastrës, dhe më pas u inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese që ditën e themelimit, më 15 gusht të atij viti në Vithkuq. Mori funksione nga zv.komandant kompanie deri në zv.komandant batalioni dhe ishte ndër forcat partizane që çliruan Tiranën.

Pas çlirimit ishte komandant batalioni i Mbrojtjes së Popullit, por në dhjetor 1947 arrestohet nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe nën akuzën e “bashkëpunimit me armikun”. Pas 1948-ës

rifiton të gjitha të drejtat dhe merr pafajësinë. Nga nëntori i këtij viti deri sa doli në pension, punoi në Sigurimin e Shtetit, ku veprimtaria e tij dhe një grupi të ngushtë shokësh kaloi në legjendë, me radiolojat më të famshme të Sigurimit të Shtetit të njohura me emrat “Liqeni i Vajkalit”, “Buza e Bredhit” dhe “Fronti i Rezistencës”. Në vitin 1969 merr titullin më të lartë “Hero i Popullit”. Ndërroi jetë më 31 korrik 1991.

Kjo pjesë e pabotuar e shënimeve të tij, ofruar në DITA nga i biri Luan Pobrati në kuadrin e 70 vjetorit të Çlirimit, flet edhe për një anë shumë domethënëse të luftës antifashiste, aspektin e saj njerëzor dhe të marrëdhënieve me njerëzit, raportet e tyre me luftën, qëndrimet ndaj saj dhe në shumë raste, metamorfozën e shumë prej tyre teksa përplasja me pushtuesit sa vinte e ashpërsohej. Një histori që jo vetëm informon dhe hedh dritë mbi ngjarje e personazhe konkrete, por edhe lexohet këndshëm.

 

 

Nga Hekuran Pobrati

Ishte tetor 1942. Në një letër që Mustafa Matohiti kishte marrë ato ditë nga e fejuara e tij, në mes të tjerash ajo i shkruante se duhet të takoheshin. Në këtë kohë, Nuria jetonte në Ballsh dhe kërkesa e saj, në vetvete ishte një mbulesë për të justifikuar lëvizjen drejt Mallakastrës, pasi në të vërtetë nën këtë pretekst, pra duke shfrytëzuar prezencën e të fejuarës – Nuries pranë xhaxhait të vet, Mustafait do t’i jepej mundësia të komunikonte me Idajet Lekdushin, i cili asokohe ndonëse bënte detyrën e nënprefektit në Mallakastër, do të ishte me interes të vihej në anën e lëvizjes antifashiste, pasi në qarqet nacionaliste kishte influencë.

Në mos gaboj, Idajet Lekdushi kish mbaruar për ekonomi, ndoshta dhe për jurispudencë në Bejrut, ndaj në brezin e intelektualëve që përfaqësonte – në atë kohe ai ishte mbi të pesëdhjetat-kultura e tij spikaste, ndërkohë që s’mund t’i neglizhoje angazhimin patriotik gjatë viteve të qëndrimit si emigrant në Amerikë, siç i vlerësohej për mirë pozicionimi në krah të Nolit, apo burgosja si pjesëmarrës në kryengritjen e Delvinës; sikundër dihej që Hajnot e Lekdushit, ishin të lidhur në miqësi e krushqi me Totajt e Progonatit, ku ishte martuar Refija, një nga motrat e Idajetit.

Shfrytëzimi i kontradiktave që familjet në zë të Kurveleshit kishin pasur në të shkuarën me Ahmet Zogun, politikën dhe regjimin e tij, përbënte një tjetër motiv që e shtynte Mustafa Matohitin si një nga drejtuesit e lëvizjes çlirimtare në Kurvelesh, të komunikonte me nacionalistë me synim zgjerimin e luftës në krahinë. Ndaj takimi i ‘Marenglenit’ me Idajet Lekdushin, bëhej me dijeni të qarkorit të Gjirokastrës dhe ishte i kombinuar me lëvizje të së njëjtës përmbajtje nga Mehmet Shehu dhe Bilbil Klosi, drejtues të lëvizjes antifashiste në Mallakastër.

Duke vlerësuar se shkuarja jonë në Ballsh, në kontekst të përmbajtjes ishte ilegale, në funksion të arritjes së qëllimit u gjykua që personat të cilët do të shoqëronin gjatë udhëtimit ‘Marenglenin’, të kishin njohje me pjestarë të familjes ku ai do të shkonte, me synim që jo vetëm të justifikohej para armikut arsyeja e vërtetë e lëvizjes së tij në Mallakastër (ndryshe lidhjet familjare në mes grupit të shoqërimit dhe vetë të fejuarës së ‘Marenglenit’ mbulonin më së miri misionin, ndërkohë kur qëllimin e vërtetë përse shkonte Mustafai në Ballsh, e dija vetëm unë), më tepër kur takimi me Idajet Lekdushin, do të ishte i mbyllur dhe larg syrit të të tjerëve. Pra i fshehtë për okupatorin dhe spiunët e tij, se ishte kohë lufte dhe shumica nga ne ishin ilegalë e bënim kujdes, që edhe ata nacionalistë të cilët i takonim, të mos i rrezikonim.

Në këto rrethana e nën këtë logjikë udhëtuam natën, duke marrë me vete gjatë rrugës edhe Qani Agon- djalin e hallës time – partizan i njësitit të Buzit, që siç kam thënë diku në këto kujtime, i kish dhënë motrën Bardho Hajnos, një tjetër i afërt ky i Nuries, të fejuarës së Mustafa Matohitit. Ndërsa Ziniu, vëllai i Bardhos dhe nip i Idajet Lekdushit (pak më vonë Zini Hajno do të inkuadrohej në çetën partizane ‘Selam Musai’ dhe pas saj në batalionin ‘Baba Abaz’, por në shtator të ‘43-shit ai do të binte dëshmor në përpjekje me një garnizon armik në Tepelenë), do të na priste në Ballsh, ku mbërritëm pasi kishte zbardhur dita.

Pak pas mëngjesit, Mustafai takoi të fejuarën, por për rrethana që nuk lidheshin me të, s’u mundësua takimi me Idajet Lekdushin. Jashtë justifikimeve të nënprefektit, koha do të tregonte se ai iu shmang bashkëbisedimit për motive që më vonë do të shpreheshin hapur dhe do të përbënin pozicionimin ndryshe të Idajetit. Gjithsesi, ‘Marengleni’ shkroi për të një letër, ku nënprefektit i bëhej thirrje të mbështeste e të përkrahte pa rezervë Luftën Antifashiste, por në mënyrën sesi veproi Idajet Lekdushi mbas një a dy takimeve edhe me Mehmet Shehun e Bilbil Klosin në Mallakastër (nga u arrit ngritja e Këshillit Nacionalçlirimtar në krahinë me pjesëmarrje dhe të nacionalistëve, marrëveshje që ra sapo Bektash Cakrani doli kundër Frontit Antifashist dhe nisi të bashkëpunojë me pushtuesit; ky u shkarkua e në vend të tij u zgjodh patrioti Nuredin Aliu), tregoi hapur se ndrojtja nga komunistët e hodhi Idajetin në krahun tjetër, duke iu afruar kësisoj thënies së vjetër:“Për inat të sime vjehrre, do të fle me mullixhiun!”.

Në të ikur, Mustafa Matohiti që e dinte se në Ballsh jetonte një nga motrat e mia, e quajtur edhe kjo Nurie, këmbënguli të qëndroja atë natë në Mallakastër dhe të pasnesërmen të kthehesha me Qani Agon në Kurvelesh.

Kështu bëmë. Përcollëm ‘Marenglenin’ deri në të dalë të Hekalit, duke e lënë atë nën sigurinë e Zini Hajnos dhe, kur thuajse ishte errësuar plotësisht, bashkë me Qaniun u gjendëm brenda shtëpisë së Selfo Shehut, vëllait të madh të tim kunati.

Ende s’isha çmallur me motrën, kur Nuria e alarmuar njoftoi se shtëpia ishte e rrethuar. Pashë në sy Qaniun, ngjeshëm me të shpejtë ato dy-tre bomba që kishim me vete dhe morëm armët.

Të zotërve të shtëpisë, u thashë me kujdes të shmangeshin që të mos rrezikoheshin gratë dhe fëmijët. Xha Selfua s’dëgjoi, doli të fliste me xhandarët, të cilët kërcënuan se po të mos dorëzonte ‘dy partizanët e ardhur nga Kurveleshi’ (në fakt Qani Ago ishte nga Selcka e Tepelenës e, siç kam theksuar, ai bënte pjesë në njësitin partizan të Buzit), ata do të nisnin luftën duke djegur ndërkaq edhe shtëpinë. Selfua iu përgjigj fashistëve se brenda kishte gra e fëmijë dhe u la atyre të kuptonin, që ai s’mund t’i nxirrte jashtë miqtë.

Tensioni i palëve u ngrit. Isha rritur në këtë shtëpi dhe të zotët e saj s’mund të pranonin dot lëshimin para armikut, pale vrasjen time. Ndërsa vetë, tek s’mund të harroja bukën e Sabires, Zenepes dhe Nures, nuk dëshiroja kurrë të rrezikoja burrat e familjes pa folur për jetën e fëmijëve të tyre.

Xha Selfua dhe Bektashi – vëllezërit e tim kunati – morën armët t’u përgjigjeshin pushtuesve me zjarr. Me atë të shkretë italishte që dinte, nënë Sabireja nisi të bisedojë me fashistët që të mos e ndiznin luftën.

Ata lanë vetëm pesë minuta kohë. Lëvizja brenda shtëpisë të shihja ç’ndodhte jashtë dhe ç’bëhej rreth saj. Ndërsa vrisja mendjen si mund të dilnim nga ky siklet, karabinerë e xhandarë hapën luftën. Të zotët e konakut iu përgjigjën zjarrit armik bashkë me ne. Nuk kaloi shumë dhe, një plumb goditi në shpatull xha Bektashin.

Kur gratë nisën të merreshin me të plagosurin dhe fëmijët ulërinin, që të mos i rrezikoja më tej, vendosa të dal nga shtëpia. Për dreq, në atë çast proftasi në derë Nuria ime dhe si të ishim në garë me njëri-tjetrin ku e bardha motër kërkonte të më ruante nga vdekja mua, ndërsa unë të mbroja nga predhat atë; me të gjithë forcën që kishte, më shtyu pas duke dalë në mes të krismave jashtë, vetë e para.

Ç’të bëja? Më kërceu gjaku në kokë, se veç hallit për të çarë rrethimin, atë çast vuajta më shumë turpin, që në fakt nuk lidhej me paburrërinë time, por me tendencën gati për vetflijim të Nures, e cila tek më rriti më tej sikletin. Kjo bëri t’i përgjigjesha armikut flakë për flakë me hedhjen njëra pas tjetrës të dy bombave që kisha, ndërsa dëgjoja motrën që u drejtohej fashistëve me sa zë kishte në kraharor: “Ndalni armët se na vratë fëmijët!”

Dalja e Nures me tërsëllëm jashtë shtëpisë, sikur i ngriu plumbat e tyre në ajër. Thirrja e saj në formë ultimative, nuk kishte pandërgjegjshmëri. Rasti i time motre, e cila duke dashur të më mbronte mua pa pyetur për vdekjen që mund t’i ndërpriste asaj jetën, ishte personal dhe i pandarë nga karakteristika e përgjithshme e qëndrimit të nënave dhe motrave shqiptare, ndaj ia vlen të thuhet. Jo në interes të individit por të luftës çlirimtare, pasi tregon shpirtin vetmohues të tyre kur puna e kërkonte të mbronin qoftë dhe me jetën e vet, vëllezërit partizanë.

Pas këtij momenti, të ndihmuar dhe nga errësira e natës, bashkë me Qaniun e pas njëri-tjetrit, mbuluar nga tymi dhe shpërthimi i bombave, ndërsa njerëzit e shtëpisë na mbështesnin me zjarr nga brenda siç godisnim ne në ikje e sipër, çamë rrethimin.

Me vrap të shpejtë kaluam nën shtëpinë e Shahin Beqos ku më iku nga këmba njëra çizme. Dolëm tek ullinjtë e bregut, hymë në pyllin e Yzeir Malkos, u hodhëm matanë përroit dhe, kur mbërritëm në Qafë të Kashit, qëllova tre herë me kobure t’i jepja shenjë motrës se kishim dalë nga rreziku.

Tek koçekët e misrit të Rrapo Fejzos në Kash, gjetëm një rrëzë dhe u fshehëm. Gjithsesi, tanimë tensioni ynë kishte rënë, por mua s’më shqitej nga mendja plaga e hapur nga fashizmi në shpatullën e xha Bektashit dhe, i fiksuar në ulërimën therëse të Nures, i kllapitur nga lodhja, s’po ndaja dot në shihja ëndërr a isha zgjuar!…

Kishte kaluar mezi i natës, kur hapa sytë. Zgjova nga gjumi Qaniun dhe së bashku vendosëm të futeshim në shtëpi të Rrapos. Kur hymë brenda, pamë që nëpër dhoma flinin xhandarë. Në djall të venë, thash me vete, e desha t’u zbrazja koburen. Në çast vjen i zoti konakut, i cili shpjegoi se me dyndjen e xhandarmërisë brenda oborrit, ai kishte ndjerë e nuhatur që tek miqtë e tij në Ballsh, diçka e rëndë do të kishte ndodhur.

Nga ç’na tregoi Rrapua, kuptohej se xhandarmëria pasi njihte mirë miqësinë në mes dy familjeve, në një kohë me konakët e Shehajve në Ballsh, ajo kishte rrethuar dhe shtëpinë e Fejzove në Kash, shtyrë nga ideja se pas çarjes së rrethimit, largimi nga Selfo Shehu do të na shpinte vetiu te një bazë tjetër dhe, në këtë kuptim, ata nuk ishin gabuar. Fill pas daljes nga rrethimi, ne u drejtuam drejt shtëpisë së Rrapo Fejzos në Kash. Por çfarë nuk mori në konsideratë xhandarmëria, ishte qëndrimi ynë për një kohë larg vendbanimit, sikundër ata ranë shpejtë në kurthin e të zotit të saj, që tek kishte nuhatur se diçka në këtë mes nuk shkonte, nën petkun gjoja të mikpritjes, kish insistuar t’i mbante xhandarët për darkë e me të pirë, të cilët veshulur prej bujarisë së Rrapo Fejzos, të bërë xurxull nga rakia, i kishte zënë gjumi.

Siç ishin katandisur, xhandarët nuk rrezikonin më njeri. Në të kundërt, tanimë ishim ne që kontrollonim situatën. Prandaj të dy me Qaniun, vendosëm të qëndronim lart, pikërisht mbi dhomën ku ata flinin. Ndërkohë që Rrapos i thamë, të na njoftonte kur të iknin ‘mysafirët’.

Në të gdhirë, xhandarët u larguan. Pas tyre, u nis në Ballsh i zoti i shtëpisë, i cili shkoi të mësonte nga xha Selfua ç’kish ndodhur në shtëpinë e tij pas ikjes tonë, por dhe të informonte time motër se ishim jashtë rrezikut.

Kur u kthye, ai rrëfeu se për hakmarrje, fashistët i kishin vënë zjarrin shtëpisë së Shehajve, duke arrestuar të zotërit e saj, xha Selfon dhe Bektashin e plagosur. Rrapua më solli gjithashtu nga motra, çizmen e gjetur dhe si të na e bënte rastin më të natyrshëm, përcolli tek ne habinë e të vegjëlve në familjen Abdullau, të cilët ndonëse e kishin gdhirë natën jashtë pasi ishte shkrumbuar gjithçka, loznin pa e kuptuar pse duhej t’ua digjnin shtëpinë!

Pas këtyre lajmeve, Dekua – gruaja e Rrapos, më nxori nga këmbët gjembat që më kishin hyrë nga të ikurit zbathur dhe, në të ngrysur, bashkë me Qani Agon u nisëm e bëmë rrugën natën për në Kurvelesh.

Pavarësisht si ndodhi këtë herë, kur puna do të më sillte përsëri, unë s’do hezitoja të veja në Ballsh tek ime motër, por shtëpia ku do të qëndroja për të takuar me Nuren, për sa kohë duhej të sigurohesha se nuk më ndiqte armiku, ishte konaku i kryeplakut të fshatit, patriotit Hamit Abas Merkaj, gjitonit dhe mikut të familjes Abdullau – Shehu në Ballsh të Mallakastrës.

Tre muaj më pas, brenda lidhjeve të vjetra miqësore me Hajnot e Lekdushit, rasti e desh të gjendesha në një mjedis familjar ku ishte i pranishëm edhe Idajeti. Kuptohet, unë partizan i luftës në Kurvelesh, ai nënprefekt i fashizmit në Mallakastër. Në planin personal, ne nuk impresionoheshim nga njëri-tjetri, por politikisht palët nuk pajtoheshin. Unë respektoja të kaluarën e Idajet Lekdushit, por s’isha dakord me pozicionin që ai mbante pas okupimit të vendit, siç i isha mirënjohës të vëllait – Novruzit, përsa ai më ishte gjendur përpara luftës; që do të thotë, se për dinjitetin kisha sakrifikuar vetë, por në një periudhë të vështirë të jetës personale, Hajnot e Lekdushit nuk hezituan të më gjendeshin e ndodheshin pranë.

Në familjen e tyre, veçanërisht në mes moshatarëve të mi, unë firari isha si vëlla me Xhaferr Idajet Lekdushin dhe Zini Novruz Hajnon. Në këtë kuptim, aq e ndërsjelltë dhe dashamirëse ishte kjo marrëdhënie, sa thënien e popullit në atë kohë ‘çobanët mbi agallarë’, e përdorur edhe në mes nesh, nuk përcillej si thirrje për hakmarrje por si një kërkesë e ditës për barazi shoqërore dhe sociale. Rasti të rinjve të familjes Hajno nga Lekdushi, ishte pjesë e atij realiteti të njohur gjatë luftës, që për pjesëmarrësit dhe mbështetësit e saj, nuk influenconte pozionimi ndryshe i prindërve. Siç nuk qenë të rralla ato raste kur pavarësisht shtresës dhe origjinës shoqërore, individë apo familje të pasura, iu bashkangjitën Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe mbështetën pa rezerva parrullën për t’ju bashkuar luftës pa dallim feje, krahine dhe ideje.

-“Kishit ardhur të më bënit propagandë për luftën!”- m’u drejtua mua Idajeti në një moment, duke e hedhur llafin tek arsyeja e vizitës së Mustafait në shtëpinë e tij.

-Jo,-i thashë,- erdhëm t’ju bënim thirrje; e s’mendonim se paskeni pasur nevojë edhe për propagandë!

Idajet Lekdushi s’u ndje mirë. Ndenji një çast dhe, si për të më kyçur gojën, e ngriti lart ‘stekën’, për të goditur përmes bisedës udhëheqjen politike të luftës çlirimtare. Ndaj në një kohë me pyetjen, lëshoi vetë edhe përgjigjen:“Mirë more djalë, por në qoftëse në emër të internacionalizmit, një komunist italian ju urdhëron të goditem, besoj nuk do më kurseni as mua?!”

Kuptova se përmes prapashtesës ‘mirë more djalë’ që Idajeti ma përsëriti shpesh, nga njëra anë nënprefekti donte të tregonte epërsi, kurse nga tjetra, përmes deklarimit hapur të palës që mbështeste, ai synonte të përcillte njëherazi tek unë akuzën për drejtuesit e luftës ndërkohë që harronte se para kësaj, Idajet Lekdushi si nëpunës i lartë i fashizmit në Mallakastër, lipsej të më shpjegonte përse milicia dhe xhandarmëria në Ballsh, jo shumë larg vendit ku ai banonte, dogji natën shtëpin e time motre, qëlloi me armë mbi gra e fëmijë tek kërkonte me egërsi asgjësimin e dy partizanëve, duke plagosur e burgosur të zotët e shtëpisë ku ne strehoheshim. Në kontekst të të gjithë ngjarjes, retorika e pyetjes së Idajet Lekdushit, më kishte dhënë mundësinë t’i drejtohesha atij drejtpërsëdrejti:

-Çfarë do të ndodhë me ty zoti nënprefekt, e ke vetë në dorë. Po më dëgjove mua, lëre mënjanë komunizmin dhe distancohu nga fashizmi.

Idajeti ndryshoi në fytyrë. Nënprefekti nuk mendoi se hipotetizmi i fjalëve të tij, për çfarë ai kishte merak nga komunistët, përbënte në vetvete thelbin e akuzës sime për gjithë ç’më kish ngjarë nga fashizmi vetëm pak muaj para takimit me të, për të cilin pavarësisht si Idajeti justifikohej, ai asnjëherë nuk u distancua.

Nga krahu tjetër, për sa bisedova me Idajet Lekdushin, s’mund të mos them diçka për sa munda të depërtoj brenda psiqikës së tij, e veçanërisht trazimit politik që solli tek nënprefekti kjo bisedë. Si të ndjente se zjarri i okupatorit vënë shtëpisë time motre, e kishte vendosur atë në pozitë të vështirë, për një moment Idajet Lekdushi uli kokën dhe si të tregonte qenien e tij jashtë ngjarjes, tek përmendi kohën kur personalisht më ishte gjendur para lufte, ndjeva se indirekt ai kërkoi ndjesë për djegien e shtëpisë së Selfo e Gjysho Shehut; nga përsa i shihja me sy portretin, kuptova se bashkë me pozicionin ku e kishte vendosur politika e anës që mbështeste, Idajeti tanimë vuante edhe sikletin e përballjes me të rinjtë e familjes Hajno, të cilët prej kohësh s’ishin veç djemtë, nipërit e mbesat e tij; moshatarë e shokë të mi, por pjesmarrës aktivë të lëvizjes dhe pak më vonë të formacioneve të mëdha partizane, siç ishte Xhaferr Idajet Lekdushi i Brigadës VII-të Sulmuese që luftoi deri në Jugosllavi, apo Zini Novruz Hajno, dëshmor i atdheut që dha jetën për liri, njëherësh nip i tij.

Si një nga njerëzit që e kam njohur Idajet Lekdushin nga afër, qoftë dhe në gjykimin tim të kohës së pushtimit, ai i përkiste asaj pjese të prirur që të mos ndezej lufta, lëshuar ngahera pas kompromisit me okupatorin. Pak muaj më vonë nga kjo bisedë, Idajeti u vetëlargua nga detyra e nënprefektit të fashizmit në Mallakastër, ndonëse ai do të gabonte përsëri…

Kur të vijë radha, unë do të shpjegoj si u arrestova në fundvitin e 1947-ës nga ‘internacionalisti’ Koçi Xoxe, i njohur e i përfolur për lidhje të fshehta me jugosllavët, ku për ironi jeta m’u rrezikua nga ato arsye që dikur përbënin merakun e vetë Idajetit, tanimë i dënuar nën akuzën për ‘bashkëpunim me armikun’; ndërkohë që në funksion të detyrës së punonjësit të shërbimit në burg, do t’i gjendej pranë Qani Ago, ai partizani i djeshëm i luftës, të cilin kur Idajet Lekdushi shërbente si nënprefekt në Mallakastër, xhandarmëria fashiste e ndërvarur sipas ligjit të kohës edhe prej tij, i vuri pushkën për ta vrarë. Por kësaj here nuk do të zgjatem, pasi ndiehem i detyruar të rikthehem përsëri në Ballsh, për të thënë pak fjalë për familjen Abdullau.

Xha Bektashi, jetoi vite edhe mbas luftës antifashiste. I heshtur e fisnik, ai nuk foli asnjëherë për plagën e marrë në mbrojtje të jetës time. Ndërsa unë, kurrë nuk e dëgjova atë të mburrej me burgun e kohës së fashizmit, apo të përdorte për privilegje invaliditetin e krijuar nga plumbat e pushtuesit.

E takoja me dashuri Bektash Abdullaun. Kur në biseda me të rinj, tregoja për kontributin në luftë të xha Selfos dhe familjes Shehu (Abdullau) nga Ballshi i Mallakastrës, xha Bektashi ulte kokën si të ishte fëmijë. Por veprimtaria e Selfos, Gjyshos dhe Bektash Abdullai apo Shehu, nuk niste këtu. Pasardhës të kryengritësve me në krye Rrapo Hekalin, vëllezërit Shehu e jetuan kohën si pjesëmarrës të lëvizjeve patriotike dhe përparimtare të vendit. Në Luftën e Vlorës më 1920, në Revolucionin e Qershorit më 1924, Lëvizjen e Fierit më 1935; burrat e kësaj familjeje, veç e veç dhe të tre së bashku, ishin pjesë e tyre, siç u bënë ndër më aktivët e Luftës Nacionalçlirimtare në Mallakastër. Djegia nga fashizmi në tetor 1942 e shtëpisë të Selfo Shehut, rezistenca e armatosur e burrave dhe grave të familjes Abdullau, në mbrojtje të jetës së dy partizanëve, përfaqëson në vetvete rezistencën e parë të armatosur në fillimet e luftës partizane ndaj fashizmit në Ballsh të Mallakastrës; ku nënë Zenepja e xha Bektashit, si një aktiviste e dalluar e kohës, do të zgjidhej ndër të parat kryetare e gruas antifashiste.

Në mbyllje të kësaj historie, në shpjegim të elementeve që nxitën dhe zhvilluan ngjarjen në përmasa të tilla sa xhandarmëria të qëllojë me armë mbi fëmijë dhe gra, të plagosë e burgosë të pafajshmit duke djegur shtëpinë e sime motre; në të nuk munguan as individë të vënë në shërbim e në krah të okupatorit, që më vonë do të realizonin atë proçes korigjimi e distancimi, të cilin e treguan në luftë kundër pushtuesit.

Si dëshmi e kësaj dukurie, s’është pa rëndësi të theksohet kjo e vërtetë, e cila ndërsa nuk e zbeh qëndresën me armë të burrave dhe grave të familjes Abdullai ndaj okupatorit, bënë të kuptohet se gjatë luftës antifashiste sakrifica përmes rezistencës së armatosur kundër pushtuesit nga njëra palë, nuk kërkonte domosdoshmërisht vazhdimin e bashkëpunimit me armikun të individëve me të cilët dikur ishte dashur të përplaseshe. Në të kundërt, kur elementë të mashtruar e të gënjyer u shkëputën nga pushtuesi (fjalën e kam për atë kategori që s’u përlye në krime) dhe iu bashkangjitën formacioneve të luftës nacionalçlirimtare; raste të tilla s’ka pse të mos gjykohen si pjesë e suksesit tonë gjatë luftës, ku nëpërmjet aksionit-goditjes që i jepej armikut, tregohej qartë se ne nuk dinim vetëm të fitonim, por së pari punonim dhe ishim të interesuar të bënim për vehte njeriun. Nga dua të kuptohet se gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare mbështetësit dhe pjesmarrësit e saj, në asnjë rrethanë s’mund të ishin të prirur të shtonin radhët e të pakënaqurve, duke mos krijuar kështu në asnjë rrethanë mundësi që kjo kategori, t’i bashkangjitej okupatorit.

Në Mallakastër e dinë mirë se ç’bëri në krye të një çete Balli Qazim Selfo Hamitaj, sikundër njihet marrëveshja që ky realizoi me një garnizon gjerman, kur nazizmi sapo kishte futur këmbët në krahinë. Por jemi në ’42-shin, vit kur nën petkun e të qenurit gjoja nacionalistë dhe pari katundi, Qazim agai jo vetëm hynte e dilte me Shefit Llanajn, komandantin e xhandarmërisë fashiste në Mallakastër, postkomanda së cilës në atë kohë qëndronte në Hekal; por në mes një propagande të shfrenuar, beu – ky kundërshtar i egër i luftës, i kundërvihej haptazi Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Siç kam shpjeguar, të përcillnim Mustafanë, i cili nën sigurinë e Zini Hajnos do të vazhdonte rrugën për në Kurvelesh, unë dhe Qani Agua e shoqëruam duke e përciellë ‘Marenglenin’ deri në të dalë të Hekalit, për të mbërritur në mbrëmjen e asaj dite përsëri në Ballsh. Gjatë kthimit, të nxitur nga rënia e muzgut dhe t’i binim rrugës shkurt, ne nuk ngurruam të kalonim pranë disa shtëpive të fshatit, ku për dreq u shkëmbyem me Qazim beun dhe të birin e tij Selfo Hamitaj, i cili pas një nëpunësie si sekretar komune s’di se ku, ishte rikthyer në Hekal.

At e bir, këta më njihnin. Dy vite të shkuara, për hatër të miqësisë që Qazim agai kishte edhe me bejlerët Riza Balla në Pobrat, Jakup Shalsi në Berat e Myrto Malasi në Malas-breg, personi në llaf u kish premtuar të përmendurve se do t’u gjente vendndodhjen time, të cilën pavarësisht përpjekjeve, ai s’e arriti. Nga kisha provuar herët, se bejlerët megjithë sherret dhe grindjet e mëdha në mes tyre, kur ndiheshin në hall e të sikletosur, sa teshtinte njëri në këmbë ngrihej edhe tjetri. Por kësaj radhe agai i Hekalit, përveç egërsisë personale që kishte shfaqur në formë hakmarrjeje dikur, tani që ai kishte dalë hapur kundër lëvizjes dhe luftës çlirimtare, aktivistëve dhe pjesëmarrësve të saj, i ishte dhënë rasti të ndërzente ndaj meje fashizmin, e në të vërtetë kështu bëri.

Me preteksin se isha i armatosur (kur fashizmi pushtoi vendin, okupatori dekretoi menjëherë ligjin për çarmatosje të popullsisë; kjo ishte aq djallëzore, sa ç’ishte për të qeshur akuza për armëmbajtje pa leje në kohë lufte), demek i shqetësuar për gjoja shkeljen e rendit, Qazim agai ndezi gurgulenë duke njoftuar në çastë komandantin e xhandarmërisë në Mallakastër, posta e së cilës kishte qendrën në Hekal dhe ‘a la minut’, kjo ngarkoi spiunin e njohur Selfo Jonuzi (ca më vonë ky do të gradohej toger nga nazizmi duke e mbyllur kështu për ibret fundin e tij), të më ndiqte fshehurazi për të informuar se tek kush do të shkoja dhe ku do të qëndroja. Mirëpo hiç e asgjëkundi, thotë një shprehje e vjetër, se kaq u desh për të djegur shtëpin e tim kunati, të plagosnin e burgosnin dy të pafajshëm dhe më keq, të rrezikohej jeta e fëmijëve të familjes Abdullau.

Në këto kushte sikur shenjt të isha, unë s’mund të qëndroja sustë para askujt që kërkonte të më merrte jetën, më tepër kur përballë vehtes kisha pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij. Ndaj s’kisha arsye të duroja ndokënd, që pasi të më godiste në njerën faqe, t’i hapja udhë të më bënte copa edhe tjetrën. Në këtë logjikë, për çfarë më kishte ndodhur në Ballsh, unë s’mund të harroja e për më shumë të mos gjeja mundësi për t’i kthyer përgjigje personit që urdhëroj t’i vihej flaka shtëpis së time motre. Por unë s’mund të ngatërroja luftën antifashiste me kundërvënien individuale. Hakmarrja personale, tanimë për mua s’ishte e pranueshme. “Dy duar për një kokë, por koka për atdhenë”, thuhet edhe sot në Mallakastër. E kur flas kështu, s’neglizhoj atë përmbysje të madhe konceptesh të vjetra, duke i zëvëndësuar ato gradualisht me ide e mendime të emancipuara që nisën të kultivoheshin edhe tek unë partizani, përmes fjalës së gjallë, këshillës së urtë e të matur të patriotit revolucionar Mustafa Matohiti; për të vazhduar të përfitoja pas kësaj nga pjesmarrja direkte në kudhrën e betejave të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Ndërkaq, sa flas për këtë histori, unë s’mund të anashkaloja braktisjen që Shefit Llanaj (ky ishte nga Brataj i Vlorës), komandant i xhandarmërisë në fillimet e lëvizjes në Mallakastër (ndryshe personi që urdhëroi vënien e flakës shtëpisë së Shehajve në Ballsh), do t’i bënte pak muaj më vonë okupatorit, duke e vendosur veten përfundimisht në krah të Luftës Antifashiste dhe kur për çështjen e madhe të çlirimit, ai do të gjendej në të njëjtën llogore me ne partizanët, gjithë këto të tjerat të shkuara të harruara. Sikundër do të ndodhte në prill të ‘43-shit, edhe me Selfo Qazim Hamitajn, kur ndonëse në krye të një çete jashtë formacioneve partizane, zjarri së cilës zgjati sa një flakë kashte, ai dha jetën në përpjekje me kriminelin Isa Toska.

Në këtë kohë, sapo isha transferuar në Çetën Plakë të Mallakastrës dhe e mbaj mend mirë që, akti i Selfo Hamitit vlerësohej në krahinë. Pikërisht për këtë, pas çlirimit të vendit eshtrat e tij do të vendoseshin në varrezat e dëshmorëve të atdheut. Ndaj dua të them se populli dinte të veçonte me maturi atdhetarinë e të birit, nga bashkëpunimi që bëri me pushtuesit i jati.

Këto copëza jete në luftë, nuk janë të vetmet ku tregohet se mjaft të gënjyer, që për një farë kohe i qëndruan afër pushtuesit, u distancuan prej tij duke iu bashkuar Luftës Antifashiste. Privilegji i pjesëmarrjes në lëvizjen çlirimtare qysh nga fillimet e saj, bashkë me nderin për të qenë ndër të parët e luftës partizane, veç ekzigjencës në vazhdimësi për të luftuar me ashpërsi kundër pushtuesit dhe bashkëpuntorëve të tij; në konceptin tim mbarte detyrimin për të toleruar dhe falur. Kjo s’ishte vetëm pjesë e moralit dhe formimit individual, por një frymë e normë që stimulohej dhe propagandohej gjerazi nga Partia Komuniste; forca politike që udhëhoqi me mençuri dhe sukses Luftën. Të mos ndodhte kështu, s’do të arrihej kurrsesi bashkimi rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, i qindra mijë shqiptarëve.

November 12, 2014 05:53
Komento

9 Komente

  1. antikomunist November 12, 08:50

    ATA QE ZGJODHEN LUFTEN VELLAVRARESE ME URDHER NGA MOSKA DHE BEOGRADI JO VETEM QE NDANE KOSOVEN NGA SHQYPNIA, POR MBOLLEN MURTAJEN BOLSHEVIKE NE VENDIN TONE DUKE FALIMENTUAR EKONOMINE DHE RENUAR SHTETIN SI KURRE ME PARE NE HISTORI.

    Prandaj eshte koha t’i themi popitikes sone kombetare qe po luan me fotografine e Enverit ne dore duke fastuar me buje 29 nentorin e ZI dhe LANC-in kriminal qe:

    JO ZOTERINJ PUSHTETARE KJO GJE NUK DUHET LEJUAR!

    sepse CINIZMI i politikes sone kombetare qe kerkon te fshihet pas fanatikeve te Enverit nuk ka asgje te perbashket me deshiren e shprehur te Shqypnise per t’u bere antare e BE-se Antikomuniste dhe Demokratike dhe Edi Rama duhet ta ndaloje kete masaker morale qe po i behet Vatanit nga xhelatet gjakatare te Enver Hoxhes apo nga pinjollet e tyre me urdher nga ata qe nuk duan ta shikojne Shqypnine ne Evropen e Bashkuar. Ne ASNJE vend ish komunist te Evropes Lindore nuk festohet me “29 nentori i ZI” qe mbolli MURTAJEN bolshevike ne keto vende dhe mbushi lumenj me gjak njeriu te pafajshem duke falimentuar ne vitet 90-te edhe ekonomine dhe renuar te gjitha shtetet e ish Kampit Socialist. Kur Bota Demokratike ka quajtur 9 majin 1945 si diten e PUSHTIMIT nga Ushtria e Kuqe sovjetike qe solli me vete te gjitha fatkeqesise per popullin gjermano-lindor me nje prapambetje ekonomike fatale nga gjermano-perendimoret, atehere si mund te festohet me harre dhe buje te madhe ne Shqypni 29 nentori i ZI jugosllav dhe aq me teper me fotografine e ANTIKRISHTIT Enver Hoxha ne dore?

    Reply to this comment
  2. persekutuar-denuar November 12, 08:51

    ATA QE ZGJODHEN LUFTEN VELLAVRARESE ME URDHER NGA MOSKA DHE BEOGRADI JO VETEM QE NDANE KOSOVEN NGA SHQYPNIA, POR MBOLLEN MURTAJEN BOLSHEVIKE NE VENDIN TONE DUKE FALIMENTUAR EKONOMINE DHE RENUAR SHTETIN SI KURRE ME PARE NE HISTORI.

    Prandaj eshte koha t’i themi popitikes sone kombetare qe po luan me fotografine e Enverit ne dore duke fastuar me buje 29 nentorin e ZI dhe LANC-in kriminal qe:

    JO ZOTERINJ PUSHTETARE KJO GJE NUK DUHET LEJUAR!

    sepse CINIZMI i politikes sone kombetare qe kerkon te fshihet pas fanatikeve te Enverit nuk ka asgje te perbashket me deshiren e shprehur te Shqypnise per t’u bere antare e BE-se Antikomuniste dhe Demokratike dhe Edi Rama duhet ta ndaloje kete masaker morale qe po i behet Vatanit nga xhelatet gjakatare te Enver Hoxhes apo nga pinjollet e tyre me urdher nga ata qe nuk duan ta shikojne Shqypnine ne Evropen e Bashkuar. Ne ASNJE vend ish komunist te Evropes Lindore nuk festohet me “29 nentori i ZI” qe mbolli MURTAJEN bolshevike ne keto vende dhe mbushi lumenj me gjak njeriu te pafajshem duke falimentuar ne vitet 90-te edhe ekonomine dhe renuar te gjitha shtetet e ish Kampit Socialist. Kur Bota Demokratike ka quajtur 9 majin 1945 si diten e PUSHTIMIT nga Ushtria e Kuqe sovjetike qe solli me vete te gjitha fatkeqesise per popullin gjermano-lindor me nje prapambetje ekonomike fatale nga gjermano-perendimoret, atehere si mund te festohet me harre dhe buje te madhe ne Shqypni 29 nentori i ZI jugosllav dhe aq me teper me fotografine e ANTIKRISHTIT Enver Hoxha ne dore?

    Reply to this comment
    • Klement November 12, 11:48

      Po anglo-amerikanet, nga Moska dhe Beogradi e moren urdherin?
      Eshte mire apo eshte keq qe u çliruam nga pushtimi nazisi-fascisht?
      Lufta kunder nazi-fashizmit e çlirimi i vendit/vendeve prej pushtimit te tyre eshte nje gje, ndersa vendosja e komunizmit me pas eshte tjeter histori! Le te festohet çlirimi…!

      Reply to this comment
      • "Horri i Bulevardit" November 12, 13:28

        Nasruddini, qe ka dale me tjeter emer e di shume mire, qe ishte takimi i te medhenjve ne Teheran, qe vendosen kufijte midis demokracise dhe diktaturave, midis lindjes dhe perendimin, ku Shqiperia u caktua ne bllokun lindor.
        Lufta e klasave dhe perndjekja qe ju be klerikeve, eshte gabimi fatal i Enver Hoxhes.
        Lufta N.C. ishte lufte e drejte, qe ballisto-zogistet, skishin mendere, te perfitonin dhe te mbeshteteshin nga populli, se e futen menderen e tyre, ne nje linje me uzurpatorin.

        Reply to this comment
      • persekutuar-denuar November 12, 13:58

        KOMUNIZMI DHE FASHIZMI JANE DERRA QE KANE LINDUR NGA NJE DOSE.

        Nga kush u clirove more mavri? Nga ai qe po ikte me vrap per te shpetuar koken, apo nga ai qe shkon Edi Rama tani ne Berlin dhe kerkon falje kokeulur per krimet e komunizmit me shprese se mos i jep ndonje ndihme ekonomike dhe LEKA? Bota demokratike e ka cilesuar Fashizmin dhe Komunizmin si pjella e nje ideollogjie dhe ka ardhur koha qe shqyptaret ta kuptojne kete te VERTETE sic e kane kuptuar te gjithe popujt e tjere te Evropes Lindore shume kohe me pare dhe politika jone kombetare duhet te “urdheroje” sa me shpejt festimet me buje te 29 nentorit te ZI jugosllav sepse kjo date e ZEZE e historise sone nuk cliroi ASKEND, por ne kete date Vatani u pushtua nga MURTAJA bolshevike qe hodhi rrenje te thella ne vendin tone dhe qe po i ben te vuajne shqyptaret edhe 25 vjet pas renies se Murit te Berlinit.

        Prandaj edhe perrallat me mbret per Enverin e MIRE para 1944 kur jetonte si pasha ne vilen e kryeballistit dhe kryefashistit Bahri Omari dhe per Enverin e LIG dhe GJAKATAR pas 1944 kur morri pushtetin dhe vrau te gjithe shoket e vet duke mbushur lumenj me gjak njeriu ne vendin tone dhe duke e bere Shqypnine si nje CIFLIG personal, me mire tregojani kalamajve para gjumit te nates se nuk i beson me njeri.

        Reply to this comment
        • "Horri i Bulevardit" November 12, 14:13

          Nasruddin, kam shkruajtur tjeter gje, jo daten e clirimit, se skam qene prezent, biles une duke pare qe per clirimin e Tiranes me 17 nentor, nuk ka kundershtime, jam shprehur qe dita e clirimit, te jete 17 nentori, date qe shume shteze e kane, diten kur kane cliruar kryeqytetet e tyre.
          Kaq kisha. Per te tjerat, kemi debatuar boll.

          Reply to this comment
          • persekutuar-denuar November 12, 16:12

            Tironin e cliroi nga garnizoni austriak qe po zbythej ne panik mallakastrioti Mehmet Shehu, kur Enveri flinte i qete me Nexhmijen ne vilen e kunatit te vet ballist dhe kuisling dhe shihte enderra pushteti komunist ne gjumin e nates, prandaj mos u ngut me shpallje datash, se Mehmet Shehu u shpall nga Partia e Punes si ARMIK dhe POLIAGJENT, vetem nuk e morrem vesh se i kujt ishte i rusit apo i amerikonit

  3. persekutuar-denuar November 12, 16:13

    Tironen e cliroi nga garnizoni austriak qe po zbythej ne panik mallakastrioti Mehmet Shehu, kur Enveri flinte i qete me Nexhmijen ne vilen e kunatit te vet ballist dhe kuisling dhe shihte enderra pushteti komunist ne gjumin e nates, prandaj mos u ngut me shpallje datash, se Mehmet Shehu u shpall nga Partia e Punes si ARMIK dhe POLIAGJENT, vetem nuk e morrem vesh se i kujt ishte i rusit apo i amerikonit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*