Gangsterët Reformatorë

April 12, 2016 00:34

Gangsterët Reformatorë

Nga Viktor Malaj

 

“Krimi ynë ndaj kriminelëve qëndron në faktin se ne i trajtojmë ata thjesht si maskarenj”./Friedrih Niçe

Tash 26 vjet shqiptarët kanë dëgjuar premtime pa fund për reforma që do ta bënin vendin “si gjithë Evropa”. Dëshira e tyre e ligjshme për të jetuar më mirë dhe më me dinjitet i ka bërë ata të jenë shumë të ndjeshëm ndaj “reformave”, por ndjeshmëritë dhe pritshmëritë më të mëdha, me të drejtë, kanë qenë dhe mbeten për drejtësinë. Kur njeriu normal ballafaqon premtimet 26 vjeçare me gjendjen reale të punëve, fillon e dyshon se mos këtë gjendje e kanë shkaktuar faktorë jashtëshqiptarë dhe se autorët e kësaj gjendjeje nuk mund të jenë pikërisht ithtarët dhe propaganduesit zhurmëmëdhenj të reformave.

Reforma në Drejtësi, e propaganduar dhe iniciuar nga drejtuesit aktualë të Shqipërisë, ka ngjallur më shumë interes sa për shkak të padrejtësive të hapura, të shumta dhe alarmuese që bëhen përditë, aq edhe për faktin se në të janë përfshirë drejtpërdrejt edhe të huajt. Në këto kushte, dalin më në pah disa probleme që vështirë se zgjidhen, pa u dhënë përgjigje pyetjeve pse u krijuan dhe kush i krijoi.

Përderisa nevojiten reforma të thella, kjo do të thotë se gjendja e punëve është katandisur shumë keq dhe se kjo gjendje mund të shërohet vetëm me një reformë rrënjësore. Të gjithë e dimë se kjo gjendje nuk është krijuar as në një ditë dhe as në një vit. Si gjithmonë dhe si gjithkund, gjendjet e krijuara kanë shkaqet dhe autorët e tyre. Dhe dihet mjaft mirë se autorët kryesorë të mjerimit tonë moral në fushën e së drejtës janë ata që e kanë drejtuar, qeverisur apo sunduar vendin prej një çerek shekulli me metoda kaçakësh dhe bejlurçinash otomane, pavarësisht nëse ishin në pushtet apo në opozitë, janë ata që e nisën “reformën” në drejtësi me juristë kursesh 6-mujore dhe e përfunduan me manipuluesit e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës dhe që pastaj, veglat e tyre të manipulimit, disa pijanecë dhe ish- të dënuar ordinerë, i bënë zëvendësues të tyre në krye të partisë. Këta njerëz janë ata që kanë më shumë arsye t’i druhen reformës së vërtetë, dhe në fakt i druhen. Atëherë, kush do ta realizojë reformën “shpëtimtare” për shqiptarët?

Si pushtetarët aktualë, ashtu edhe ata të deridjeshëm, lënë të kuptohet se janë gati të sakrifikohen për të drejtën dhe për popullin. Të gjithë thonë se janë dakord me përfundimet e Komisionit të Venecias dhe me sugjerimet e diplomacisë perëndimore. I dërgojnë ftesa njëri-tjetrit dhe ua refuzojnë takimet palës kundërshtare. Tani njerëzit pyesin: Me kë po luajnë dhe po tallen këta politikanë të paskrupuj që kanë sjellje qartësisht prej halabakësh?

Si mund të jesh dakord me reformën dhe, kur të thërrasin për miratimin e reformës, ose shkon e rrëzon gardhet ku ndërtohet një kënd lojërash për fëmijë, ose i vë benzinën një bunkeri “artistik” që ka ngritur mentaliteti deficient i qeverisë, ose i kërkon palës tjetër të heqë nga parlamenti ata deputetë që s’të pëlqejnë ty etj.etj.? Edhe flet për shtet të së drejtës e kërkon të marrësh monopolin e reformimit të drejtësisë dhe, nga ana tjetër, nuk i drejtohesh drejtësisë por rrugës për të zgjidhur ato që beson, ose hiqesh sikur beson, se nuk janë të drejta. Edhe flet për drejtësi dhe rend demokratik, por edhe bën thirrje çdo javë për revolucion e madje i kërkon Presidentit të zgjedhur me 71 vota deputetësh të shkrijë parlamentin me një shumicë prej gati 90 deputetësh.

Të gjitha këto do të tingëllonin të çuditshme dhe të pakuptueshme, sikur të mos i njihnim autorët e këtyre kundërthënieve e kundërqëndrimeve. Ata që e kanë kontributin më të madh në situatën në të cilën gjendet drejtësia në Shqipëri janë pikërisht ata që bëjnë sikur po shkrihen si qiriri për drejtësi. Madje, të krijohet iluzioni se ka qenë mungesa e reformave në drejtësi që e patën “detyruar” Sali Berishën të urdhëronte gjykatësit për dënime kundërshtarësh politikë apo për nxjerrjen të pafajshëm të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në qeveri, megjithëse kishin kryer krime të rënda dhe qartazi të provuara; se ka qenë mungesa e reformave që e shtynë Berishën dhe klikën e tij të falsifikojë dhe dhunojë zgjedhje. Pra, ai, ç’t’iu bëjë reformave në drejtësi se përndryshe do të ishte vetëdorëzuar në burgjet e sigurisë së lartë për krimet e panumërta që ka kryer. Po kështu edhe L.Basha, ç’t’iu bëjë reformave se përndryshe do kishte shkuar vetë në burg për t’u kyçur nja 20 vjet për shpërdorime fondesh qindra milionë euro, tjetërsim të territorit të vendit dhe për vrasje protestuesish të pafajshëm.

E gjithë kjo shfaqje është një lojë me maska siç ka qenë gjithë sjellja e tyre politike. Një sistem i vërtetë demokratik drejtësie është gjëja më e fundit që ata preferojnë dhe gjëja më e parë që duan të sabotojnë. Gjithë çështja është se iu duhet të duken çfarë nuk janë. Këtu ata duhen mirëkuptuar. Me gjithë ato padrejtësi dhe krime që kanë kryer, do të duhej të ishin budallenj që t’i shërbenin asaj drejtësie që i duhet popullit shqiptar. Ata kanë 25 vjet që punojnë për një drejtësi në shërbim të tyre dhe në dëm të popullit. Një drejtësi e moralshme dhe për popullin, ata do i çonte në burg. Po pse, kaq të trashë janë ata sa që të hapin me duart e tyre shtegun që i çon drejt burgimit? Këtë nuk do ta bënte askush po të ishte në vend të tyre.

1E keqja më e madhe nuk qëndron tek padrinoja dhe i biri, por tek gjithë “farefisi politik” që i rrethon, i cili, në një mënyrë apo tjetër, ka përvetësuar moralin e tyre. Shumica dërrmuese e “farefisnisë” së tyre nuk kanë kurrfarë idealesh, as atdhetarizëm. Kaq keq janë infektuar saqë edhe njëfarë profesori i tyre, kur e pyeste gazetari nëse protesta e PD-së tek parku ishte në përputhje me ligjin, ai përgjigjej: “Ajo ishte në përputhje me objektivat tanë dhe PD s’ka bërë kurrë mitingje apo protesta të paligjshme”. Ky është morali i tyre politik dhe koncepti i tyre për të drejtën qysh kur janë shfaqur në skenën politike. Pra, për ta është e ligjshme dhe e moralshme gjithçka i shërben objektivit të tyre ose më saktë ardhjes në pushtet. Ky koncept teorik dhe kjo sjellje politike janë tërësisht në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe me realizimin e reformës në drejtësi. Partia e këtij profesori pa moral i ka konsideruar të ligjshme edhe protestat zjarrvënëse që digjnin komisariate policie, apo atë të 14 shtatorit 1998 kur u uzurpuan institucionet shtetërore me njerëz të armatosur.

Ajo që të vë më shumë në mendim është sjellja e të huajve, sidomos e atyre perëndimorëve që e kanë shpallur projekt-reformën si vepër të shtetit të tyre. Ata po na thonë se shteti i tyre do të shpenzojë shumë para për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë për të mundësuar burgosjen e Al Kaponeve. A thua vërtetë besojnë këta zotërinj se e keqja më e madhe iu ka ardhur shqiptarëve nga Al Kaponet dhe jo nga Kapot e politikës dhe se Al Kaponet kanë mbetur pa u ndëshkuar për shkak të paaftësisë dhe jo nga mungesa e moralit të punonjësve të strukturave përkatëse?

Pra, e keqja ka ardhur nga mosdija, apo nga mosdashja? A shërohet mosdashja me para dhe me trajnime, apo me largime dhe me burgosje? Përse nuk ndryshon dorën, por kërkon të ndryshosh mashën? A mos nuk e kupton se e njëjta dorë do të përdorë masha të të njëjtës markë për të arritur të njëjtat qëllime? Pse dorën kriminale e përkëdhel, e takon, e fton, i lutesh, në vend që ta diskreditosh dhe ta ndëshkosh? Po të ishte prerë dora me kohë sot do të kishim probleme me drejtësinë, por gjendja nuk do të kishte qenë kaq alarmuese dhe e pashpresë. Dokumentet që tregojnë se këta të huaj kanë pasur dijeni për dorën kriminale mbi drejtësinë tashmë janë publikuar. Atëhere, si ta kuptojmë mosreagimin më të hershëm të këtyre diplomacive perëndimore?

Njerëzit që kanë dinjitet vetjak, që kanë respekt për veten dhe shoqërinë së cilës i përkasin, duhet të përpiqen të njohin vetë ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, ç’është e drejtë dhe e padrejtë, ç’është e ndershme dhe ç’është e pamoralshme. Paskëtaj as kanë arsye dhe as duhet të presin që këto t’ua tregojnë të huajt. Madje, konsideratën për të huajt duhet ta formojnë mbi bazën e qëndrimeve që këta të huaj mbajnë ndaj normave dhe parimeve që vetë propagandojnë.

Nëse të huajt konsiderohen a priori si engjëj, si mbrojtësit tanë dhe të së drejtës, si të papërlyer e të rënë nga qielli, atëherë kulti i rremë që krijojmë për ta nuk do të na lejojë të shohim të vërtetën. Ata të huaj që marrin me të mirë ligjshkelësit tanë, që i përkëdhelin, i lavdërojnë apo “i amnistojnë” për krimet që kanë bërë ndaj popullit shqiptar, ata të huaj duhen përbuzur dhe trajtuar njëlloj si sundimtarët tanë.

Është e sigurt se jo pak të huaj do të përgjigjeshin me ironi se, “ju vetë i keni zgjedhur këta gangsterë”. Po. Është e vërtetë se jo pak herë ne i kemi zgjedhur dhe jo pak herë të tjera ata janë vetëzgjedhur. Të dyja herët, me ndihmën e këtyre të huajve, me inkurajimin, me mbështetjen e zëshme apo heshtjen e tyre. Ne i kemi zgjedhur kur i kemi parë këta të huaj në krah të gangsterëve tanë, dhe kemi besuar se këta të huaj na duan të mirën dhe na thonë të vërtetën. Kur sundimtarët tanë janë vetëzgjedhur me mashtrime dhe dhunime, shumë prej të huajve ose kanë heshtur, ose kanë mbajtur qëndrime as mish, as peshk. Kanë mbyllur një sy e një vesh ose, më keq akoma, na i kanë shpallur dhunuesit tanë si e ardhmja e qeverisjes tonë, megjithëse ishin e shkuara, madje e shkuara e errët. Me qëndrimet e tyre këta të huaj kanë shpërdoruar besimin tonë tek ata, respektin tonë për ta dhe kanë diskredituar përfytyrimin tonë për vetë ata. Tani, këta të huaj duan të bëjnë reformën në drejtësi me gangsterët tanë dhe jo pa ata, në një kohë që ata janë shëmbëlltyrat e padrejtësisë dhe amoralitetit.

Por, a duhet bërë reforma në drejtësi? Megjithëse, personalisht, nuk pres shumë prej saj, mendoj se ajo duhet bërë. Mirë është të bëhet së bashku me rrënuesit e drejtësisë. Jo pse e meritojnë apo se janë të vlefshëm, por sepse i kemi aty ku ndodhen. Reforma e vërtetë do të mund të bëhet duke i tërhequr në proces, por jo duke i lejuar ta tërheqin procesin në drejtimin që duan ata, domethënë të lejohen të bëhet një reformë që ndryshon mekanizmat, por nuk prek funksionet, që ndryshon strukturat por ruan njerëzit vendimmarrës dhe kështu e mban të drejtën nën këmbët e tyre. Nëse s’duan, duhen gjetur mekanizmat ligjorë për ta bërë edhe pa ata, ashtu siç janë bërë Kushtetuta (ju lutem, kujtoni se ç’thonë sot për Kushtetutën që nuk e votuan) dhe disa reforma madhore ligjore dhe administrative. Një reformë e kushtëzuar apo imponuar prej tyre do të ishte një tallje tjetër me popullin shqiptar, me të sotmen dhe të ardhmen e tij. Një mbajtje peng e reformës nga drejtësivrasësit, do t’i bënte shqiptarët të besonin vërtetë fjalët që përsërisin gangsterët politikë pas çdo vizite në Perëndim, se “U takuam me partnerët tanë dhe kemi përkrahjen e tyre”.

Ndërkohë që zotërinjtë partnerë duhet të kuptojnë se deklaratat e tyre aspak koherente, tashmë zhangëllojnë bezdisshëm në veshët e shqiptarëve. Janë në shumicë ata që mendojnë se gurra e së keqes sonë çerekshekullore do të kishte shterruar, po të mos ishte ndihmuar nga përfaqësues të shteteve partnere. Prandaj kërkojnë qëndrim të qartë: O me popullin shqiptar, o me gangsterët politikë të Shqipërisë! Çdo qëndrim tjetër do të lexohet si një mashtrim i ri. Shpresoj të mos ndodhë një e keqe tjetër e cila do të ligjëronte aktet e mëparshme kriminale ndaj drejtësisë dhe të tjera të së ardhmes, që gangsterët politikë janë të gatshëm të kryejnë për interesat e tyre dhe “në përputhje” me reformën që pritet të bëhet.

April 12, 2016 00:34
Komento

3 Komente

  1. Wollcot Herbert April 12, 18:33

    Te lumte IDEALISTI I FLAKTE Viktor Malaj!
    Mjerimi i drejtesise shqiptare eshte i lidhur pazgjidhmerisht me sistemin politik te instaluar ne Shqiperi pas rrezimit te SOCIALIZMIN,me kontributin kryesor te sherbimeve sekrete ARMIKE TE SHQIPERISE!!
    U premua se ne Shqiperi do vendosej demokracia dhe se populli shqiptar do jetonte ne mireqenie e lumturi!
    Por hapi i pare pas 90-tes nuk u hodh ndertimi i ketij lloj shteti te premtuar,por RRENIMI i gjithckaje ne Shqiperi!
    Nen flamurin e rreckosur fashist te luftes kunder fantazmes se KOMUNIZMIT,Sali Berisha mori uren e zjarrit ne dore dhe i vuri flaken te gjithe Shqiperise!
    U grabit dhe u shkaterrua e gjithe pasuria kombetare,u rrafshuan minierat,pyjet,tokat bujqesore,vreshtat,ullishtet,pemtoret,kanalet vaditese e kulluese,u privatizuan per nje cope buke mijra prona shteterore,u grabit i gjithe armatimi e municioni i ushtrise me vlere mbi 1000 miliard dollare,u grabiten dhe shkaterruan pasurite kulturore mijravjecare te popullit,u mboll percarja ne popull sa as pushtuesit nuk ia kishin arritur,u shkaterrua shteti dhe u nxiten piramidat mashtruese qe grabiten miliarda euro te popullit shqiptar,duke shkaktuar 97-ten e pergjakeshme,qe solli shkaterrimin perfundimtar te shtetit!
    Sali Berisha ndryshoi histtorine,hodhi poshte LUFTEN NACIONAL-CLIRIMTARE,tradhetarit Ahmet Zogolli i ngriti shtatore ne mes te Tiranes dhe ka 26 vjet qe nuk e njeh 29 nentorin si dite te CLIRIMIT etj,etj!
    Ky bandit shpertheu tragjedine e Gerdecit,vrau 4 protestues ne bulevard me 21 janar,vodhi zgjedhjet sa here ka dashur,por…..PERENDIMI KURDOHERE I KA MBESHTETUR TE GJITHA KRIMET E TIJ!
    Dhe tani keta perendimore,ulurijne per REFORMEN NE DREJTESI,njelloj sic bene me Hitlerin dhe Mussolinin dikur!
    Ishin po keta perendimore qe ARMATOSEN DHE NXITEN Gjermanine naziste te sulmonte BRSS,ne emer te gjoja rrezikut te perhapjes se te KOMUNIZMIT,por kur e pane se USHTRIA E KUQE i shpartalloi hordhite e Hitlerit dhe po marshonte me shpejtesi te CLIRONTE te gjithe Europen deri ne brigjet e Atlantikut,atehere HAPEN FRONTIN E DYTE!!!

    Shqiperia kurre nuk ka per t’u bere shtet per shqiptaret ,sepse keshtu u intereson ne radhe te pare PERENDIMORET!
    Ulurijne per reformen ne drejtesi,por kur Sali Berisha zaptonte nje nga nje te gjitha organet kushtetuese dhe gjykatat dhe prokurorite duke vene besniket e tij,ATA HESHTNIN!!
    Kur Berisha vidhte votat ne zgjedhje dhe sajonte rregulla e norma qe atij i interesonin ATA PRAP HESHTNIN!
    Kur u be tragjedia ce Gerdecit,ATA HESHTEN!
    Kur u vrane 4 protestuesit e 21 janarit,ATA HESHTEN duke e shpallur ate “BURRE SHTETI”!
    Asnjehere perendimi nuk e ka akuzuar Sali Berishen gjate 8 vjeteve te sundimit te tij,kur nderkohe ka akuzuar opoziten per bojkote,per greva urie,per protesta te dhuneshme etj,etj!
    A KA FYTYRE KY PERENDIM TANI TE ULURASE PER REFORME NE DREWJTESI???
    Ku e gjen Berisha gjithe kete KARSHILLEK,kur ka mbi supe dhjetra KRIME DHE TRADHETI KOMBETARE ndaj popullit shqiptar?
    ME SIGURI TEK MBESHTETJA E PERENDIMOREVE!
    Dhe pa pike turpi vazhdojne te merren me Enver Hoxhen,qe ka 31 vjet qe ka vdekur!

    Reply to this comment
  2. A.GRAMSH April 12, 18:35

    MALAJ,(me gjithe respektin)TI MJEKON POR NUK SHERON! PSE!?
    —————-
    -Ti nuk u ve as emer e as mbiemer ‘aleateve te shperberjes’!
    -Ti nuk thua pa le te argumentosh qe nje vend pa ‘shtet’ eshte i destinuar te shperbehet!
    -Ti nuk tha qe nje vend qe i mungon populli shqipetar nuk mund te perdoret si sot e 25 dogmaHQIPERI nga krriminelet antishqipetare me imunitet!
    -Ti nuk thua qe si asnjehere ne nje shtet 1 SHEKULLOR ne 1/4 e tij apo 25 vjet populli nuk drejton e as perfaqesohet ne shtet direkt indirekt apo PERFAQESIMIT!
    -Ti nuk thua qe ne 25 vjet nuk lindi as demokraci e as shtet i se drejtes por 100 banda bajraqesh te quajtura part qe vete ALI e vete KADI!
    -Ti nuk thua qe ne 25 vjet ne kete vend si ne asnje vend te ‘Botes se trete’ nuk jane bere asnjehere zgjedhje sepse jane shkelur tere parimet themelore demokratike te shtetit te se drejtes dhe kushtetuta eshte kthyer ne leter higjenike e bajraqeve apo ‘bandave’ parti qe vete organizojne zgjedhje,vete drejtojne e vete i numurojne dhe per fasade mbahet nje istitucion KRRIMINAL fantazem e quajtur KQZ-LUZI qe çdo vit mer nga gjaku i femijeve rreth 200 MILION euro kur zgjedhje ka njehere ne 4 vjet dhe ky komision asnjehere nuk ka nxjerre asnje rezultat!
    -Ti nuk thua qe ne kete vend asnjehere nuk ka votuar mbi 50 perqind e shqipetareve!
    -Ti nuk thua se pas 25 vjetesh kemi nje qUrravi te BLUSHAVE qe ne zgjedhjet e fundit vendore moren vetem 13 perqind te votave te elektoratit ne nje kohe qe sbehet fjale per opozite.Atehere kush e perfaqeson popullin SHQIPETAR!?
    -Ti permend zgjedhes e te zgjedhur por nuk thua qe SHQIPETARET 25 vjet nuk e kane ‘de fatto’ te drejten te ZGJIDHEN por edhe kur ‘zgjedhin’ 25 vjet votojne TA QI e ne parlament u del si fandi spathi KA QI,dhe kur votojne LU SHI ne parlament 25 vjet u del si fantazem personazhi i ‘epopese se ballit kombetar’ BLUSHI
    -Ti nuk thua qe 25 vjet me kushtetute jemi ‘Rrepublike parlamentare,e si e tille pushteti kryesor eshte parlamenti ne nje kohe qe ne 25 vjet flasim per kryetare bandash e bajraqesh,Berisha,Nano,Meta,Rama,Berisha,Blushi,Basha,Berisha,Berisha,Berisha,Biberaj,Biberaj……!
    ATEHERE KUSH DO TI BEJE REFORMAT,KRRIMINELET ME IMUNITET TE NGUJUAR NE PARLAMENTIN E ‘PESHIT’ TE TOPALLIT!?

    P,S-Kur dhe ti o Bruti Malaj qe je nder 2 apo 3 penat qe nuk u eshte thyer maja na e le ‘PLUMBIN NEN LEKURE’Se nuk sheron nuk heq rrenjet e kancerit e qelbin ne plage se nuk jep asnje zgjidhje prandaj kreret e KRIMIT e KORRUPSIONIT ne parlament flasin me PERQINDJEqe ne shqip do perkthyer keshtu:Edhe sikur tere shqipetaret te arratisen me ‘dixhital’ perfshi edhe 3 MILION zgjedhesve ketyre KRRIMINELEVE ju mjaftojne te rrine vetem 300 apo 3000 zgjedhes qe nje bande me 200 veta te thote kam fituar 66 perqind dhe te ‘qUrravese’ dhe tjetra 100 veta te quhet ‘OPOZITE’!
    Fkjala RREVOLUCION qe perdoret edhe nga Papa nuk do te thote gjakderdhje por te shkaterrohet krimi e korrupsioni i ketij parlamenti WIKILLIKS antishqipetar nepermjet te KRYEREFORMES se sistemit elektoral!

    Reply to this comment
  3. Une... ti... ne te gjithe... April 12, 23:14

    Nuk ka reforme ne drejtesi pa vdekur e gjithe kjo klase politike – dhe behet fjale per vdekje matyrale dhe e ardhur nga pleqeria.

    Pra nuk ka reforme. Ndryshimi I vete mund te vije me revolucion pra me kryengritje popullore dhe mosbindje civile.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*