Buxheti i Botërorit, si llogariten fitimet e basteve në Shqipëri

June 12, 2014 02:25

Buxheti i Botërorit, si llogariten fitimet e basteve në Shqipëri

Nga Aida Nako

Botërori është për ta si një gosti e madhe. Është momenti i artë për një industri që në Shqipëri, krahasuar me numrin e popullsisë është ndër më të zhvilluarat dhe më të përhapurat. DITA ka konsultuar dje disa prej menaxherëve më kryesorë të kompanive kryesore të basteve, për t’i pyetur për pritshmëritë e tyre. Në këtë botëror për Shqipërinë konsiderohet dizavantazh i madh rrethana gjeografike. Botërori zhvillohet në Amerikën Latine, në Brazil dhe oraret nuk koinçidojnë mirë me Evropën. Një pjesë e ndeshjeve do të transmetohen kryesisht në orare të vona të darkës, pas orës 00:00. Ky është një faktor që do të ndikojë jo pak në xhiron e pritshme të kompanive të basteve.

Presim rreth 50 milionë euro xhiro

Një prej menaxherëve të këtyre kompanive e shpjegon si më poshtë situatën: “Në periudha të zakonshme, pra kur ka kampionate normale dhe nuk ka evente të mëdha si Botërori, shifra maksimale e xhiros totale në të gjitha kompanitë e basteve shkon deri në 30 milionë euro qarkullim mujor. Në periudhën e Botërorit ne parashikojmë që do të shkojë rreth 50 milionë euro. Ky parashikim yni është llogaritur sidomos ndikuar mbi oraret pasi një pjesë e madhe e ndeshjeve do të zhvillohen në orare të vona dhe ky do të jetë një faktor që do të ndikojë në uljen e pjesëmarrjes në baste, sidomos basteve “live”. Në rast se aktiviteti dhe të gjitha ndeshjet do të zhvilloheshin në orare të përshtatshme për orën evropiane, atëherë xhiroja mund të shkonte në totalin e saj dhe 100 milionë euro. Oraret janë një faktor serioz në reduktimin e lekëve të qarkulluara për bastet e këtij botërori”, – shpjegon menaxheri.

Ëndrra e zakonshme e ballkanasve

Më tej ai shpjegon se përveç përfshirjes normale emocionale në ethet e botërorit, zona e Mesdheut, por dhe Ballkani në tërësinë e tij ka një nivel shumë të lartë të qarkullimeve të basteve sportive krahasuar me shumë shtete Evropiane. Është ëndrra e zakonshme e vendeve ku ka shumë varfëri” të bëhen të pasur në kohë sa më të shkurtër.  Në raport me numrin e popullsisë Shqipëria konsiderohet si një ndër shtetet me numrin më të madh të qarkullimeve të basteve sportive në sezone kampionatesh ndërkombëtare të kësaj rëndësie.  “Po ju jap shembullin e Greqisë po të doni. Është e përllogaritur se në Greqi, një popullsi që shkon diku tek 11 milionë banorë, qarkullimet e basteve sportive për futbollin janë të barabarta me qarkullimet e këtyre basteve për të gjitha shtetet e Skandinavisë. Pra bëhet fjalë për një terren shumë të ndjeshëm. E njëjta gjë vlen dhe për Shqipërinë. Edhe në Shqipëri luhet shumë..Botërori krijon pritshmëri të larta fitimesh sepse çdo ditë ka peshën e një derbi, pra nëse në periudhë të zakonshme një finale e madhe është kulmi, në Botëror, priten thuajse përditë “kulme” të tilla”

 

Bastexhinjtë e mëdhenj? “Ka edhe gazetarë”

Nuk ka dyshim që Tirana përfaqëson tregun më të madh në Shqipëri për kompanitë e basteve. Janë rreth 40 për qind e të gjitha qarkullimeve ato që përfaqëson Tirana. Menjëherë pas Tiranës renditen Fieri dhe Elbasani për nga qarkullimet. Ndërsa kompanitë e basteve kanë gjithnjë në vëmenje ata që quhen ‘klientët VIP’ bastexhinjtë e fiksuar dhe me xhepin plot, që luajnë sidomos “live” dhe në kohë reale me shifra të rëndësishme. Kur i pyet menaxherët se cilët janë këta lojtarë zakonisht, çfarë profesionesh kanë më së shumti, menaxherët kufizohen së tepërmi në dhënien e detajeve. “Ka dhe gazetarë të njohur që luajnë rëndë”, të kthejnë ata xhevap si për t’i bërë pritë interesimit të mëtejshëm.
Bastet për këtë Botëror janë hapur që një muaj më parë. Numri i atyre që i kanë hedhur tashmë skedinat e tyre të para konsiderohet i vogël. “Po ju jap një shembull. Një djalë erdhi para disa ditësh në kompaninë tonë dhe hodhi 10 dollarë bast me premisën se do ishte Kili fituesi i këtij botërori. Nëse Kili rezulton vërtetë fitues atëherë ky djalë do fitojë 3 mijë dollarë”, – shprehet menaxheri.

Trukimi, si proces shumë konspirativ

Por një tjetër aspekt i kampionateve ndërkombëtare janë edhe trukimet. Kompanitë e basteve shpesh fundosen ose “nderohen” nga loja e trukimeve. Menaxherët shqiptarë të kompanive të basteve mendojnë se trukimet në nivele kompeticionesh kaq të mëdha zor se përfshijnë tregje si Shqipëria.

“Trukimi është një proces shumë konspirativ. Ai informacion peshohet me flori dhe është thuajse e pamundur që kompanitë shqiptare të basteve të kenë informacione për kompeticione kaq prestigjioze. Nëse ka trukime bëhen nga kompani me ndikim ndërkombëtar dhe nga një grusht shumë i kontrolluar personash. Por ka dhe përjashtime. Për shembull, botërorin e kaluar, një lojtar i një skuadre të Evropës Juglindore që ishte pjesëmarrëse në botëror, kishte informacion për trukimin e ndeshjes nga skuadra e tij. E deshi rastësia që lojtari në fjalë ta kishte bashkëjetuesen e vetë shqiptare dhe informacioni erdhi deri në Tiranë. Ata që e patën këtë informacion përfituan dhe përfituan goxha mirë. Detaje të tjera mos kërkoni. “, – thotë menaxheri.

 * * * *

Ky do të jetë Botërori i rekordeve

Brazil 2014, i 20 në historinë e Kupës së Botës, do të jetë Botërori i shifrave rekord dhe sigurisht evenimenti që do të mbetet gjatë në kujtesën e të apasionuarve të futbollit për të veçantat e tij. Për organizimi e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme sportive janë shpenzuar mbi 11 miliardë dollarë, disa fish më shumë se në Afrikë e Jugut 2010. Këto para kanë shkuar përgjithësisht në ndërtimin e infrastrukturës sportive, por edhe asaj urbane që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Botërorin. Pikërisht këto shifra marramendëse e kanë shtyrë një pjesë të popullsisë vendase për të protestuar kundër zhvillimit të Kupës së Botës në Brazil, pasi nuk janë mbajtur premtimet për investime sidomos në arsim dhe shëndetësi.

Ky Botëror zhvillohet për herë të dytë në Brazil, me Selecaon që dështoi ta fitonte trofeun në shtëpi në vitin 1950, ndërsa interesant është fakti që në këtë turne marrin pjesë të gjitha përfaqësueset që janë shpallur kampione të Botës në të kaluarën: Ato janë Brazili, Italia, Gjermania, Argjentina, Uruguaji, Anglia, Franca dhe Spanja kampione në fuqi. 64 ndeshjet e Brazil 2014 do të luhen në 12 qytete të ndryshme të vendit Latino Amerikan, ndërsa numri i lojtarëve të grumbulluar në Botëror është 736. Në bazë të shifrave zyrtare të FIFA-s, në mbarë botën janë shitur rreth 3 milionë bileta të Botërorit. FIFA, do të shpërndajë 576 milionë dollarë për skuadrat pjesëmarrëse në këtë turne, 37% më shumë se premiot e Botërorit afrikan. Përfaqësueset që eliminohen që në fazën e grupeve do të përfitojnë secila 8 milionë dollarë, ato që eliminohen në fazën e 1/8 9 milionë dollarë, çerekfinalistet 14 milionë dollarë, vendi i katërt 20 milionë dollarë, i treti 22 milionë dollarë skuadra finaliste 25 milionë dhe fituesja e trofeut 35 milionë dollarë.

***

 Njihuni me 12 stadiumet ku do vendoset fati i Kupës së Botës

Ethet rriten, një Botëror që do ta mbajmë mend gjatë është gati të nisë dhe para se diskutimin ta marrë fusha, ju ofrojmë një xhiro virtuale në stadiumet ku do të luhet Brazil 2014. Kanë kushtuar 2 miliardë e 811 milionë euro stadiumet e Botërorit. Brazili do të mikpresë Kupën e Botës, por është ende duke u marrë me disa problematika evidente. Disa impiante madje janë gati duke marrë dorën e fundit. Gjithsesi rezultati i punimeve tani është 12 stadiume të rinj dhe modernë që do të shfrytëzohen shumë më tepër se strukturat e Afrikës së Jugut ku ende regbija gëzon më shumë respekt se futbolli.

Mane e Garrincha – Brazilia: 526 milionë euro

Nga të gjitha stadiumet më i kushtueshmi është ai i Brazilias, i realizuar me një investim prej 526 milionë eurosh ndaj dhe rrugëtimi ynë për detajet e impianteve braziliane fillon prej tij.

Mban emrin Mane e Garrincha edhe pse i ndërtuar në Brasilia nuk do të presë finalen. Ka kushtuar 526 milionë euro pasi është ndërtuar nga fillimi mund të presë deri në 72 mijë njerëz dhe këtu do të luhet një çerekfinale si dhe finalja për vendin e tretë dhe të katërt.

Maracana – Rio de Janeiro: 395 milionë euro

Vijojmë me mitikun Maracana të Rio De Janeiros radikalisht i rikonstruktuar për 395 milionë euro duke i ulur në të njëjtën kohë dhe kapacitetin. Tani mund të presë 78 mijë persona, por në vitet e tij të arta mund të mbante deri në 200 mijë tifozë. Është stadiumi ku do të luhet finalja e madhe dhe rikonstruksioni prej 395 milionë eurosh e tejkaloi ndjeshëm preventivin fillestar që ishte 230 milionë euro.

Itaquerao – San Paolo: 329 milionë euro

Stadiumi Itaquerao i Sao Paolos do të mikpresë ndeshjen hapëse të Botërorit dhe ka një kapacitet prej 48 mijë vendesh, por edhe 20 mijë të tjerë mund të shtohen me tribuna të lëvizshme me kërkesë të Corinthians që do të ketë stadiumin pas përfundimit të Botërorit. Ka kushtuar 392 milionë euro, por mbi të gjitha dhe jetën e 3 punëtorëve që vdiqën gjatë rikonstruksionit të tij.

Mineirao – Belo Horizonte: 228 milionë euro

Pastaj vjen stadiumi Mineirao i Belo Horizontes, ka kushtuar 228 milionë euro dhe këtu do të luhen katër takime të fazës së grupeve një ndeshje e 1 të tetave dhe një nga dy gjysmëfinalet. Vërtet sugjestionuese paraqitja në vështrim të parë e këtij impianti.

Forte Nova – Salvador: 226 milionë Euro

Kapacitet prej 52 mijë vendesh për stadiumin Fonte Nova të Salvadorit i rindërtuar në stadiumin e Bahias dhe që përfundoi në prill të 2013-ës pas dy vjet e gjysmë punimesh. Në ndërtimin e tij u impenjuan 4500 punëtorë dhe kushtoi 226 milionë euro. Fonte Nova do të jetë teatri i katër takimeve të fazës së grupeve, një ndeshje të 1/8 dhe një prej çerekfinaleve.

Arena Amazonia – Manaus: 220 milionë euro

Arena Amazonia e Manaus ka kushtuar 220 milionë euro është një impiant me rreth 43 mijë vend dhe do të presë ndeshjen debutuese të Italisë me Anglinë si dhe 3 takime të tjera të fazës së grupeve.

Arena Pantanal – Cuiaba: 187 milionë euro

Katër takime në program të gjithë të fazës së parë të Kupës edhe për Arena Pantanal të Cuiabas stadium i rikonstruktuar për 187 milionë euro dhe që ka 44 mijë vende për tu ulur.

Arena Pernambuco – Recife: 175 milionë euro

Për Arena Pernambucu u shpenzuan 175 milionë euro dhe ka një kapacitet prej 42 mijë vendesh. Stadiumi i Recifes i pozicionuar në veri të vendit do të jetë teatër i katër takimeve të fazës së grupeve si dhe i një ndeshjeje të 1/8.

Castelao – Fortaleza: 170 milionë euro

Stadiumi Castelao i Fortalezas në verilindje të Brazilit ka kushtuar 170 milionë euro dhe mban kryesimin e të parit impiant të Botërorit që ju dorëzua gati FIFA-s në dhjetor të 2012. Këtu do të jete skena e katër takimeve të fazës së grupeve një të 1/8 dhe i një prej çerekfinaleve.

Arena das Dunas – Natal: 139 milionë euro

I pozicionuar në veriperëndim të Brazilit stadiumi i Arena das Dunas në Natal për të cilin janë shpenzuar 139 milionë euro ka një kapacitet prej 42 mijë vendesh dhe përveç sfidës mes Italisë dhe Uruguajit do të mikpresë dhe 3 ndeshje të tjera të fazës së grupeve I.

Arena de Baixada – Curitiba: 108 milionë euro

Arena de Baixada i Kuritibas pas një ristrukturimi prej 108 milionë Eurosh ka një kapacitet prej 71 mijë spektatorësh dhe në të do të luhen 4 ndeshje të Botërorit.

Biera-Rio – Porto Alegre: 108 milionë euro

Ka pësuar një operacion rimodelimi prej 108 milionë eurosh dhe stadiumi Biera-Rio i Porto Alegres. Ndodhet në jug të vendit dhe në të do të luhen 4 takime të fazës së grupeve si dhe një sfidë 1/8. Janë këto stadiumet e Brazilit, aty ku do të marrin jetë mbrëmjet botërore nga ato që mbeten në memorie për një jetë të tërë.

Të gjitha oraret e Botërorit Brazil 2014 për evropianët

Brazil 2014 edhe pse organizohet jashtë Europës, ofron orare të përshtatshme për vendet e kontinentit të vjetër, që do të thotë se edhe në Shqipëri të apasionuarit e futbollit, do të kenë mundësi t’i ndjekin të gjitha sfidat që do të shtrihen në orare të ndryshme pa ndikuar në angazhimet e tyre. Kupa e Botës do të hapet me takimin e Grupit A Brazil – Kroaci, që do të zhvillohet këtë të enjte në stadiumin Arena Korinthians të Sao Paolos në orën 22:00.

Më 13 qershor Botërori vijon me ndeshjen tjetër të Grupit A, Meksikë – Kamerun që do të nisë në orën 18:00, për të vijuar me dy përballjet e Grupit B Spanjë – Holandë dhe Kili – Australi, respektivisht në orën 21:00 dhe në mesnatë (00:00). Të gjitha takimet e fazës së grupeve do të luhen në 5 orare të ndryshme, pikërisht në orën 18:00, 20:00, 21:00, 22:00, 00:00, dhe 03:00 të mëngjesit. Pas kësaj faze pikërisht në takimet me eliminim direkt, do të ketë vetëm dy orare, 18:00 dhe 22:00, ku përjashtim bën finalja e madhe që do të zhvillohet në stadiumin Maracana në Rio De Janiero më 13 Korrik në orën 21:00.

June 12, 2014 02:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*