Në moshën e 40-vjetorit biologjik dhe pubertetit politik

June 13, 2014 13:40

Në moshën e 40-vjetorit biologjik dhe pubertetit politik

Nga Habjon HASANI

Dje Lulzim Basha mbushi 40 vjeç. Ai nuk preferoi të festonte nëpërmjet ndonjë eventi të veçantë këtë përvjetor të rëndësishëm. Në planin individual, Basha asnjëherë nuk ka festuar datëlindjet e veta në festa mondane, apo masive. Madje në dekadën e fundit, ai datëlindjet më së shumti i ka festuar në shtetin holandez, në rreth të ngushtë familjar ose miqësor. Por kjo datëlindje është ndryshe. Jo pse është 40-vjetor, përvjetori është arsye personale e tij, kjo datëlindje është ndryshe për vetë faktin se Basha e feston atë për herë të parë si kryetar i Partisë Demokratike. Bashkëpunëtorë të tij të afërt disa ditë më parë, shpreheshin se po përgatitej një festë ku do të kishte shumë pjesëmarrës në këtë 40-vjetor të kryetarit sefte. Por në 48 orët e fundit këto zëra thuajse u shuan, pasi Basha duket se kishte ndryshuar mendim (ai e ka të theksuar vetinë e kthimit të vendimeve papritur), krejt pa pritur zgjodhi të festonte në një mjedis intim, familjar dhe miqsh të ngushtë, që përveç habisë për tu ngujuar në disa zyrtarë të kësaj partie, shkaktoi dhe pak zhgënjim, pasi ishin përgatitur për festë. Basha u tha në një mbledhje të mbyllur dje deputetëve të vet se “sot le të festojë përvjetorin e krijimit PS-ja, unë nuk do festoj”, a thua se do dështonte festa e PS-së, nëse Basha do të bënte ndryshe. Por e vërteta është se Lulzim Basha ka shumë arsye thelbësore dhe një arsye madhore për të mos festuar me bujë. Këto arsye do i rendisim më poshtë, si një përpjekje për të hedhur pak dritë në korridoret e SHQUP-it dhe në atmosferën reale që mbizotëron sot në lidershipin e dubluar të Partisë Demokratike. Basha si kryetar i PD-së aktualisht përballet me dy probleme, të cilat gati-gati i janë kthyer në një kompleksitet inferioriteti: Problemi i parë është se të gjitha aksionet e PD-së në terren nuk përputhen asnjëherë me direktivat që jep ai nga zyra. Ose më saktë, është aksioni real i PD-së në terren, që imponon më pas dhe daljet publike të kryetarit. Raporti është i përmbysur. Shembujt janë të pafundëm, duke nisur që me kauzën e armëve kimike, duke vazhduar me strategjinë e “tritolit”, apo duke vazhduar më tej me aleancën kundër drogës, akuzat ndaj ushtrisë, emërimet në administratë, hetimin e policisë etj., etj., etj.. Në të gjitha këto kauza ku PD-ja si opozitë ka vënë theksin dhe është përqendruar, Lulzim Basha ishte gjithnjë një hap mbrapa, ndodhte njëherë aksioni, pastaj ndodhte që dilte dhe Basha në mbështetje të aksionit.

Problemi i tij i dytë, janë një pjesë e mirë e deputetëve demokratë por dhe një pjesë e strukturave organizative, inteligjente dhe paramilitare të kësaj partie, të cilat, e shkelin SHQUP-in dhe trokasin në zyrën e Bashës aq sa troket dhe Edi Rama. Këto struktura bazike të PD-së operojnë tërësisht jashtë autoritetit të Bashës. Si për ta ilustruar këtë fakt, do të mjaftonte shembulli i një sms-je të famshme. Pak javë më parë, deputeti demokrat Flamur Noka, lexoi në komisionin hetimor parlamentar për policinë një sms që sipas tij ishte nisur nga kryeministri Rama drejt ministrit Tahiri. Kjo sms shkaktoi shumë sensacion mes teleshikuesve nga ekranet, por siç dëshmojnë në PD edhe vetë kryetari i Nokës, Lulzim Basha, mësoi për këtë sms nga televizori. Ai nuk kishte asnjë dijeni mbi aksionin e përllogaritur të Nokës për të kthyer në një skandal-tullumbace këtë sms.

Nga ana tjetër të gjithë deputetët e angazhuar për drejtimin e grupeve të punës në ekonomi, shëndetësi, arsim, etj, nuk raportojnë tek Basha. Prej 4 muajsh zëdhënësja e PD-së, del në ekran dhe lexon disa emra zyrtarësh të emëruar pas 23 qershorit që sipas PD-së kanë implikime penale. Këto emra vijnë me zarf të bëra gati, por zarfi nuk shkon në SHQUP, por shkon zëdhënësja ta marrë diku tjetër.

Është e gjitha një strukturë mirëfilli që punon me aksione të qarta, por në këto aksione kreu i PD-së është indiferent dhe në disa raste i painformuar totalisht. Nëse kushti për të qenë kryetar i PD-së do të kishte qenë i tipit: “Kryetari i Partisë duhet të jetë totalisht i papërfillshëm dhe pa asnjë lidhje me qëllimet dhe aksionet e partisë”, në PD nuk do kishte nevojë fare për një garë, kryetar me 100% të votave do zgjidhej Basha në çdo rast dhe rrethanë.

Pranë Bashës aktualisht në SHQUP, janë mbledhur një sërë emrash të rinj, të cilët asistojnë vetëm në nivele ideore. Por ky grup, ndonëse i afruar pranë partisë, të gjitha aksionet e veta ka mundur t’i realizojë dhe t’i çojë deri në fund vetëm për çështje të Bashkisë. Si shembull po sjellim prezantimin e fundit që Basha bëri 5 ditë më parë për tramvajin e Tiranës. Një grup bashkëpunëtorësh të afërt të Bashës në parti, të instaluar pranë tij si influencë e bizneseve universitare, i sugjeruan që “të bënte sikur po bënte diçka dhe për Tram-in” i cili është në fakt premtimi i tij më spektakolar , i pambajtur sigurisht. Bashkëpunëtorët ‘universitarë’ zgjodhën ta sillnin në vëmendje TRAM-in, kur gjithë anëtarësia e PD-së prej 1 muaji pyet: Po ne pse nuk kemi asnjë qëndrim për reformën në arsim?.

Por Basha doli në konferencë për TRAM-in, foli gjatë, prezantoi ca figura, ndonëse e vërteta është se Bashkia aktualisht ka “ZERO KAPACITET” për të nisur nga punimet. Ishte një dalje si për të na freskuar kujtimin e këtij mashtrimi spektakolar të tij, ndoshta kishte merak se nuk po i llogaritej më si mashtrim TRAM-i dhe na doli borxhit duke na e rikujtuar atw.

I tillë po endet Basha sot mes korridoreve të ftohta të SHQUP-it dhe korridoreve të zbehta të Bashkisë. Këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt në parti, kanë lejen dhe autoritetin vetëm për t’i dhënë ndonjë ide për ndonjë qok në Bashki.

I promovuar dhe katapultuar me shumë bujë në disa poste të rëndësishme ministrore dhe në Bashki, tashmë, pas marrjes së ‘mantelit’ si kryetar politik, Basha është duke ndjerë realisht lehtësinë e papërballueshme të peshës së vet. Është duke ndjerë për herë të parë se karrigia nuk të ndihmon dot po nuk pate të ndenjura dhe se buzëqeshja nuk mjafton. Ndaj dhe ka pasur arsye të mos buzëqeshë as në 40 vjetorin e tij të lindjes, pasi ky 40-vjetor është paradoksal për të, është përvjetori që e ka bërë të kuptojë se është 40-vjeç dhe kryetar në letra, por ai kur shikon vërdallë e gjen veten në pubertet, në pubertet politik. Duket si një adoleshent që i kanë shpërthyer hormonet dhe bredh lart e poshtë nëpër korridoret e SHQUP-it dhe Bashkisë pa e ditur se ç’kërkon.

Prania e deputetëve, zyrtarëve, strukturave, militantëve, të gjithë së bashku vetëm sa i konfirmojnë atij pafuqinë.

E si mund të festonte mes tyre ai? Si mund të festosh pafuqinë tënde?

Por ai ka pasur dhe një arsye, madhore, për të mos festuar. Arsyeja është “Ai”. Nëse do bënte festë, mes demokratëve nuk mund të mungonte “Ai”. Por nëse do kishte festë, të gjithë demokratët sytë do i kishin nga “Ai”, do ishte “Ai” dhe vetëm “Ai” epiqendra e vëmendjes.

Si mund ta lejonte dhe këtë? Edhe 40-vjetorin do ja vidhte?

Të paktën, këtë lëshim nuk ia bëri.

***

 

“Firma” që zbraps anëtarët

Çfarë ka ndodhur me disa anëtarë të PD-së që nuk pranojnë tesera të firmosura nga kryetari. Pse ai vendosi të ‘izolohej’ dje dhe të mos festonte datëlindjen mes kolegëve të partisë së tij. Çfarë po ndodh në korridoret e SHQUP-it dhe përse stafi i Bashës është ngujuar dhe i kompleksuar.

Nga Erion HABILAJ

2I zgjodhi vetë dhe i çoi të koordinonin ristrukturimin e degëve të Partisë Demokratike. Por në këmbim “të parapëlqyerit” e kryetarit Basha, i raportojnë çdo javë listë të gjatë problemesh. Përpiqen dhe premtojnë zgjidhje, por për një “detaj” kërkojnë ndihmën e kupolës blu. Anëtarësia ekzistuese nuk pranon të marrë teseren e re me firmën e kryetarit Basha. Të gjithë anëtarët demokratë që rezultojnë ende në radhët e regjistrit të Partisë Demokratike janë njoftuar të rifreskojnë të dhënat në regjistër, e në fund të pajisen dhe me dokumentin e ri të partisë. Por, këtë të fundit nuk e duan pasi preferojnë të mbajnë teseren e vjetër me nënshkrimin e ish kryetarit Berisha. Përballë kësaj preferencë, duke mos arritur të bindin për rregullin që duhet ndjekur për të gjithë anëtarësinë, përfshirë këtu dhe këtë kategori të saj, koordinatorët kanë kërkuar mendimin e kupolës. Një nga kordinatorët e PD-së për procesin zgjedhor në bazën e PD-së thotë për DITA: “Procesi në fakt është duke ecur në mënyrë të qetë. Në zonën që më kanë caktuar mua përplasjet janë të vogla, por kemi një problem që në dukje mund të jetë i parëndësishëm, por që po na bëhet problem në procesin e anëtarësimit. Duke qenë se mbuloj një zonë që ka demokratë të vjetër, shumica prej tyre nuk dëshirojnë të marrin kartën e re të anëtarisësë me firmën e Lulzim Bashës, por duan të mbajnë atë që ka firmën e Berishës. Këtë shqetësim e kam përcjellë edhe në bazë dhe më thanë që është shqetësim që ka ardhur nga disa kordinatorë edhe nga rrethet”.

Por, rregulli është rregull dhe nuk ndryshon, e gjitha anëtarësia do të ketë kartën e re anëtarësimit. Për të mos bërë bujë e për më tepër për të mos krijuar pakënaqësi, selia në qendër e ka anashkaluar këtë moment me vetë mënyrën e prodhimit të kartave të reja. Çdo anëtar, i ri apo i vjetër mjaft të paraqesë dokumentin e identifikimit dhe në bazë të të dhënave regjistrimi do të bëhet automatikisht në zonën ku ai ka lejen e banimit. Grupseksionet përkatëse merren me përcjelljen e të dhënave kompanisë, e cila është kontraktuar për prodhimin e kartave të reja, të cilat janë gati të njëjta me kartën e identitetit. Natyrisht dhe nënshkrimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha do të jetë pjesë e kartës së re. Të tilla kleçka për koordinatorët e rinj duket se do të jenë prezente deri në fund të procesit. Veçojmë këtu, përballjen mes tyre dhe përfaqësuesve të quajtur të vjetër në degët e PD-së, sidomos për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të grupseksioneve dhe menaxhimit të anëtarësisë, kryesisht në metropolin shqiptar. Menjëherë pas zgjedhjes si koordinatorë, përfaqësuesit demokratë nisën të monitorojnë nga afër procesin e hartimit të regjistrit të ri të Partisë Demokratike, si dhe të organizimit të zgjedhjeve në grup seksione.

Lista e mangët e PD-së

Sipas të dhënave, PD numëron rreth 30 mijë anëtarë në Tiranë, ndërkohë që parashikohet rritja e këtij numri për shkak të angazhimit të simpatizantëve të cilët deri tani nuk kanë pasur teserë. Por sipas koordinatorëve të rinj, drejtuesit aktualë të këtyre grup seksioneve nuk kanë bërë të mundur për vite me radhë të bëjnë një ndarje të anëtarësisë eficente, të atyre që respektojnë kuotizacionin, apo të atyre që janë aktivë. Kjo pasi, gjatë punës në terren është vënë re se një anëtar demokrat kryefamiljar ka regjistruar bashkë me emrin e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes, duke rezultuar një listë e fryrë në teori dhe mangët në praktikë, nisur që nga përfshirja në aktivitete, në detyrimet për partinë, e ajo që është më kryesorja në votën për zgjedhjet qofshin këto brenda partisë, për ato lokale apo parlamentare. Kanë qenë pikërisht problematikat gjatë këtij procesi ato të cilat kanë shtyrë afatet e përfundimit të tij. Nga ana e saj kupola blu, kishte parashikuar që përfundimi i zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi dhe Tiranën, të mbyllej në muajin Maj dhe në Qershor të mblidhej Kuvendi Kombëtar. Por, praktikisht, këto afate janë tejkaluar. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha këtë fundjavë do të zbresë në bazë, për të ndjekur procesin në jug të vendit, duke filluar nga Saranda, Vlora e me radhë. Pas përfundimit të zgjedhjeve brenda partisë, PD do të mbledhë Kuvendin e ri, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë, ndryshimet në statutin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

June 13, 2014 13:40
Komento

4 Komente

  1. . June 13, 13:32

    ************************************************************************************************
    Keto “fytyra” politikanesh maloke-verior kane turperuar Shqiperine ne rajon dhe bote.
    *************************************************************************************************

    Reply to this comment
  2. . June 13, 13:38

    ———————————————————————————
    …. Pse vetem fytyra malokesh, verioresh dhe provincialesh ?

    Ku jane intelektualet e dikurshem ?
    ———————————————————————————

    Reply to this comment
  3. Neser June 13, 16:36

    Harrojini qelbesirat e pd.Shijoni BRAZIL 2014.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*