Gruaja e Tony Blair bëhet konsulente e qeverisë për gjyqin me “Bankers”

June 13, 2014 23:47

Gruaja e Tony Blair bëhet konsulente e qeverisë për gjyqin me “Bankers”

Nga Habjon Hasani

Qeveria shqiptare nisi të konceptojë 4 muaj më parë, një ndërhyrje strategjike në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri. Në epiqendër të vëmendjes ishte kompania “Bankers Petroleum”. Ajo është kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patoz- Marinzës (më e madhja dhe më e rëndësishmja), guri i çmuar i pasurisë nëntokësore shqiptare. Kompania “Bankers” në disa raste të përsëritura ka qenë në epiqendër të pozicionit të saj të favorizuar, sidomos për shkak të kontratës, por edhe për tërmetet e shpeshta që nisën të vizitonin zonën ku kjo kompani operon. Një tjetër aspekt problematic i “Bankers” ka qenë tabloja e paqartë në raport me investimet/fitimet/humbjet, pasi në disa raste, të dhënat e ofruara nga vetë kompania në institucionet shqiptare dhe të dhënat e shpallura nga kompania në bursa ndërkombëtare shfaqen kontradiktore. Për të gjithë këtë problematikë të shfaqur nga ky koncesionar ekskluziv, qeveria shqiptare rreth muajit shkurt 2014, nisi të shohë hapësirat e saj për anulimin e koncesionit dhe zgjidhjen e kontratës. Është thënë e stërthënë, se pasuria që i është lënë me koncesion “Bankersit” nuk ka të krahasuar me detyrimet modeste që kjo kompani i paguan shtetit shqiptar. Nisur nga kjo situatë qeveria “Rama” hodhi hapin e parë, nisi të kërkonte një organ të specializuar ndërkombëtar në gjendje të vlerësonte avantazhet/disavantazhet e palës shtetërore, në rast se qeveria vendos të kërkojë zgjidhjen e kontratës me “Bankers” në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar

Për të pajtuar konsulentin e specializuar që do orientonte qeverinë nëse duhej të kalonte ose jo në arbitrazh, u zhvillua një tender në Tiranë. Këtë tender rezulton se e ka fituar një kompani angleze e quajtur:“Omnia Strategy LLP”. Pra do të jetë kjo kompani angleze që do të orientojë qeverinë shqiptare në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë me kontratën koncesionare me “Bankers Petroleum”.

Një kontratë modeste dhe një VIP…

Nga një kërkim i thjeshtë në internet, rezulton se Presidente dhe drejtuese e kompanisë angleze “Omnia Strategy LLP” që fitoi tenderin në Tiranë, është zonja Cherie Blair. Ajo është bashkëshortja e ish-kryeministrit anglez Tony Blair, ndërsa ky i fundit është prezantuar në Tiranë si një këshilltar (pa pagesë) i qeverisë. Vlera e kontratës për konsulencë ndaj qeverisë shqiptare kap një shifër të lehtë, rreth 20 mijë euro. Rezulton se kompania e zonjës Blair është themeluar në vitin 2011, por kjo kompani ka pasur dhe bashkëpunime të mëparshme me qeverinë shqiptare në të kaluarën. Bëhet fjalë për pajtimin 2 vite më parë, në vitin 2012 të kësajkompanie me qëllim mbrojtjen e shtetit shqiptar në Arbitrazh, ndërsa shtetin tonë e kishte paditur për zgjidhje të padrejtë kontrate kompania e naftës “SKY Petroleum” dhe i kërkonte 600 milionë euro dëmshpërblim. Një vit më vonë shteti shqiptar doli fitues nga kjo çështje, kërkesa e “SKY Petroleum” u rrëzua, 600 milionë eurot nuk i rëndonin më askujt mbi kokë. Tashmë kompania e zonjës Blair është pajtuar nga qeveria “Rama” jo për të ndjekur procesin gjyqësor, por thjesht për të orientuar nëse ia vlen ose jo të hapet një proces gjyqësor me “Bankers”. Duket si një konsulencë e thjeshtë, por nuk është aspak e tillë, ndonëse pagesa për konsulentin është vetëm 20 mijë euro.

Mirësevini në “Iniciativën Clinton”…

Sektori i energjisë, përfshirë atë të hidrokarbureve, nuk funksionon thjesht si një treg, por si një treg strategjik. Çka do të thotë se asete të rëndësishme të këtij tregu, asnjëherë nuk gjenden në duar të rastësishme. Kontrolli mbi to ka gjithnjë prapavijë të fortë politike, herë kombëtare, herë ndërkombëtare, ose dhe të kombinuar. Koncensionari “problematik” i fushës së Patos-Marinzës, Bankers Petroleum, nisi të operojë në vendin tonë në vitin 2004, gjatë qeverisë së Fatos Nanos. Ishte ky viti kur kjo kompani lidhi kontratën ekskluzive dhe të cilësuar si të pafavorshme për shtetin tonë.

Nëse përpiqesh të gjesh personat që kontrollojnë paketën e aksioneve të “Bankersit”, pronarët pra, është një mund i shkuar dëm. Kompania “Bankers” që operon në Shqipëri, i ka emrat e pronarëve të vërtetë të maskuar dhe i ka letrat e origjinës në zyrat e ‘fortifikuara’ të Ishujve Kajman, një zone me statusin e parajsës fiskale (offshore) nën protektoratin e shtetit anglez. Është një zone ku anonimati i atij që themelon kompaninë e vetë atje, është i garantuar.

Por “Bankers” pasi nisi të operonte në vendin tonë, shpalli si pjesë të Bordit Drejtues të kësaj kompanie një VIP jo pak të njohur për shqiptarët: Gjeneralin Wesley Clark. Ai ishte drejtuesi ushtarak më i lartë i NATO-s, që nën iniciativën dhe direktivën e dyshes Clinton-Blair, drejtoi operacionet ushtarake në Kosovë pas gjenocidit të shtetit serb. Zoti Clark është shumë popullor ndër trevat shqiptare, por pas tërheqjes nga karriera ushtarake ai i është futur biznesit, ka hapur dhe ai një firmë konsulence, por ndërkohë rezulton dhe në Bordin Drejtues të kompanisë “Bankers Petroleum”.

Përveç njohjes së hershme, bashkëpunimit në rrafshin zyrtar me dyshen Blair-Clinton, zoti Clark duket se ruan të forta dhe lidhjet në konjukturën politike dhe atë të biznesit me këtë dyshe. Për shembull, zoti Clark dhe zoti Blair  janë ndër më të spikaturit në atë që quhet “Iniciativa Clinton”, një konglomerat personalitetesh ndërkombëtare të botës së politikës dhe biznesit që shpesh i dedikohet bamirësive, por nuk lë pas dore as lobingun, sidomos kur vjen puna për vendet e botës së tretë. Aktive në këtë iniciativë janë me siguri dhe dy ish-zonjat e para Blair-Clinton.

Konsulenca e një pasurie të paçmuar…

Duket si një ‘garë’ mes miqsh të vjetër, nga njëra anë “Bankers” që është në shënjestër për abuzime flagrante me koncesionin e Patos-Marinzës dhe që në Bordin Drejtues ka gjeneralin Clark. Nga ana tjetër kemi qeverinë shqiptare, që ka pajtuar për 20 mijë euro firmën konsulente “Omnia Strategy LLP “të zonjës Blair. Kjo e fundit do vlerësojë nëse duhet apo jo që shteti shqiptar të godasë kontratën e majme të kompanisë “Bankers” në bordin e së cilës gjendet dhe Wesley Clark, një i njohur I vjetër i saj dhe miqve të saj. Përtej çdo lidhje, i sigurt është fakti se shqiptarëve u intereson në mënyrë të padiskutueshme që një pasuri e paçmuar kombëtare të funksionojë në leverdinë e tyre dhe jo anasjelltas. Pritet që zonja Blair dhe kompania e saj, të dorëzojë pranë autoriteteve shqiptare raportin përfundimtar të vlerësimit mbi nismën e arbitrazhit, brenda muajit korrik. Do të jenë argumentet e këtij raporti ato që do të përcaktojnë dhe cilësinë e tij,  ndërsa më pas qeveria shqiptare do të marrë dhe vendimin e saj përfundimtar mbi këtë çështje.

Kompania konsulente e zonjës Blair quhet “Omnia Strategy LLP”, termi “Omnia” në latinisht do të thotë “Gjithçka”. Le të shpresojmë se kësaj here nuk do të jetë gjithçka e komanduar nga e njëjta dorë, por gjithçka do të shkojë mirë.

 

June 13, 2014 23:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*