Unë tradhtari…. Përgjigje për Veteranët dhe të tjerë

August 14, 2016 23:57

Unë tradhtari…. Përgjigje për Veteranët dhe të tjerë

HYRJE E REDAKSISE: Andrea Stefani i është përgjigjur sot letrës së veteranëve të luftës, botuar nga DITA si kopertinë në mbyllje të javës së shkuar. Në respekt të opinioneve të bashkëpunëtorëve dhe lexuesve tanë, kemi botuar të gjitha këndvështrimet mbi këtë temë, duke shpresuar se më shumë se një debat mbi një pjesë të shkuar të historisë së vendit, të jetë një debat mbi Lirinë si koncept i rëndësishëm i së shkuarës, i së sotmes dhe i së ardhmes së shoqërisë shqiptare. Në këtë letër dërguar dje në redaksi, Stefani prek të gjitha temat e replikave të shumta që i janë bërë mbi qëndrimet e tij për luftën.

*****

Nga Andrea Stefani

 

Për “Ballin”

Nuk kam thënë që Balli nuk ka tradhtuar por kam thënë se sektarizmi i udhëheqjes komuniste ishte njëri ndër faktorët që e shtyu Ballin në tradhti. Gjë që është pranuar në një moment dobësie në Plenumin e Beratit jo vetëm nga Enveri por edhe nga bashkëpunëtorë të tij më të afërt. “Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, jo kriminelë e kuislingë, ne i konsideronim si armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut”. Kush e ka thënë këtë të vërtetë të përgjakur? Dora vetë Gogo Nushi në të njëjtin Plenum. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për episode të veçuara sektarizmi apo ekstremizmi që mund ti qëmtosh te të dy palët, por për një bilanc të luftës të bërë nga udhëheqja e njërës palë.

Dhe e dini kush e ka nxjerrë këtë të vërtetë të hidhur? Konkurrenca për pushtet që kish plasur mes lidershipit komunist. Në momentin që kjo konkurrencë mori fund me fitoren e Enverit, kjo e vërtetë e hidhur u varros.  Këtë të vërtetë po përpiqem të zhvarros dhe jo Ballin. Në fakt, është një e vërtetë që e kanë zhvarrosur historianët nga arkivat por që përsëri mbetet e varrosur në murin e një heshtje të çuditshme.
 

 

Barazimi i partizanëve me ballistët

Më akuzoni se vë në një plan ata që luftuan pushtuesit me ata që bashkëpunuan me të. Asgjë të tillë nuk ka në shkrimet e mia. Konkluzioni im, i arritur mes shqyrtimit të dokumenteve, është se intrigat politike të Hoxhës dhe këshilltarëve të tij jugosllavë për shndërrimin e luftës çlirimtare në revolucion bolshevik për marrjen e pushtetit me dhunë dhe jo demokratikisht me zgjedhje, qe një faktor përcaktues që i shtyu një pjesë të nacionalistëve (Ballin kryesisht) të bashkëpunojnë me nazistët gjermanë. Këtë e pohon jo vetëm Enveri dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij por edhe faktet historike gjithashtu. Mbi të gjitha grisja nga Hoxha e marrëveshjes së arritur në Mukje. Asnjë e keqe nuk do ti vinte Luftës nga zbatimi i asaj marrëveshje. Përkundrazi, Balli ose do luftonte ose do demaskohej rrufeshëm. Nxitimi i Hoxhës për ta grisur marrëveshjen shpjegohet jo me faktin se Balli nuk do luftonte por me frikën e Hoxhës se Balli do luftonte dhe me mosdashjen e tij që kjo të ndodhte nga që ia ndërlikonte deri në pamundësi marrjen e pushtetit me dhunë. Enver Hoxha shprehej i bindur se Balli nuk do luftonte gjermanët. Por grisja e marrëveshjes së Mukjes pa u tharë boja në letër, flet për të kundërtën. Ndryshe ai mund të priste i qetë që “Balli” të vetëdemaskohej duke mos zbatuar angazhimin, sipas marrëveshjes, për luftë imediate kundër pushtuesit okupator pa marrë mbi vete koston e shkelësit të saj. Hoxha e grisi marrëveshjen jo për hir të bashkimit por për hir të përçarjes pa të cilën ai nuk vinte dot në pushtet.  Kjo qe një tradhti ndaj bashkimit dhe siç shkruan dhe Kristo Frashëri, një akt i padenjë i PKSH.

Natyrisht, historia nuk mund të lexohet kreativish si një pikturë abstrakte e Fabienne Verider. Por unë mendoj se historisë së luftës, në mënyrën si është shkruar ajo deri më sot, i mungon depërtimi në logjikën e brendshme të fakteve. Madje, meqenëse historiografia është keqpërdorur për qëllime politike pushteti, ka qenë e detyruar jo vetëm të censurojë fakte por edhe të qëndrojë, në shumë raste, në sipërfaqe të fakteve. Provohet edhe një herë e vërtetë epërsia e njohjes logjike mbi atë faktuale. Sepse, siç thotë Arendt, 1+1 = 2  në të gjitha sistemet, në diktaturë apo demokraci. Ndërsa faktet, mund të deformohen, censurohen madje edhe të zhduken siç janë censuruar për dekada me radhë shumë dokumente për Luftën që e kanë parë dritën e botimit vetëm pas gjysëm shekulli mbetur në errësirë.

Më pyesni: Pse vajtën ballistët dhe zogistët në Pezë?

Së pari se donin të luftonin, madje ndonjë prej tyre si Abaz Kupi, kish luftuar që kur fashistët zbarkuan në Durrës. Por më vonë Enveri e censuroi këtë fakt se Kupi i duhej tradhtar. Dhe së dyti, Enverit i leverdiste, në një kohë që ishte krejt i panjohur dhe PKSH pa popullaritet, të shfrytëzonte figura si Abaz Kupi, Muslim Peza apo baba Faja Martaneshi, që kishin ndikim “në turma”. Por nuk hoqi dorë nga përpjekja për të ruajtur hegjemoninë e PKSH në Front. Kjo taktikë në funksion shkuarjes drejt monopolizimit të forcës ushtarake dhe më pas, edhe pushtetit, e ka penguar bashkimin deri në sabotimin e tij. Disa nacionalistë si Peza apo Martaneshi e pranuan hegjemoninë enveriste në Front. Të tjerët, legalistët apo ballistët, nuk mund të pranonin. Prandaj them se ka qenë epshi i Enverit për pushtet absolut që në atë kohë, një nga faktorët e mos realizimit të bashkimit. Dhe në momentin kur Enveri u ndje i fuqishëm, nuk pati problem t’i shpallte antipatriotë ata, si Kupi për shembull, pak pak vite më parë i kish shpallur në traktet e PKSH si patriotë që kishin pritur me pushkë pushtuesin në Durrës. Koha provoi se, përherë në funksion të pushtetit, Enveri nuk e ka patur kurrë problem që dikë që dekoronte me dorën e vet, t’a pushkatonte pak kohë më vonë, edhe pse jo me dorën e vet. Një Lanteak mizor nën amokun e marrjes së pushtetit.

Sa për marrëveshjen e Dalmaco – Këlcyra, pavarësisht sa u realizua, bën pjesë në ato tentativa të “Ballit” që unë i njoh si pjesë e tradhëtisë së Ballit. Sa për Muharrem Bajraktarin, siç kam shkruar pak më parë, duhet të sqaroni punën me vetë Enverin që ka pohuar se e ka goditur pas shpine edhe pse jo vetëm nuk bashkëpunoi por po i luftonte gjermanët dhe i shtriu partizanëve dorën e aleancës. Natyrisht, sepse nuk ishte budalla, pa pranuar të shkrihej në Frontin ne drejtuar nga Enveri. Dhe për këtë e goditën pas shpine. Një pabesi përsëri në funksion të marrjes së pushtetit. Një tradhti e qartë e luftës për çlirim sepse që një goditje që i shërbente pushtuesit e njejtë me ato që Balli kish bërë kundër partizanëve në operacionin e Dimrit. Historia duhet lexuar e plotë të nderuar veteranë nëse duam t’i shërbejmë pajtimit.

Kosova

 Nuk e kam mohuar kurrë luftën e kosovarëve me Fadil Hoxhën në krye por kam thënë se ka qenë mjaft e vështirë të ngrihen kosovarët në luftë. Dhe kam dhënë logjikën e këtij qëndrimi. Kam thënë se kosovarët u ndanë, si në Shqipëri, një palë me komunistët dhe një palë kundra tyre. Por asnjëra rrugë nuk ju solli lirinë. Sepse edhe ata, sikurse edhe ne, ndodheshim në kurthin historik mes dy diktaturave. Madje ata e patën të dyfishtë kurthin. Pra nuk u çliruan as nga i huaji, siç ju premtua, por ranë në një robëri të re kombëtare dhe shoqërore.   

A janë njësoj komunizmi dhe nazizmi, Enveri me Hitlerin?

 Më pyesni retorikisht si mund të barazoj komunizmin me nazizmin. E pranoj që e bëj një barazim të tillë thelbësor mes dy diktaturave dhe dy diktatorëve. Në fund të fundit, Enveri i përket asaj kategorie liderësh që Jung i përcakton si hitlerët apo demonët që shfaqen kohë pas kohe dhe që do të jenë edhe për një kohë të gjatë në qarkullim. Ka patur një periudhë kur Hiltleri adhurohej në Gjermani njësoj si Enveri në Shqipëri. Dhe pikërisht për arritjet e mëdha në rrafshin ekonomik. Mos kujtoni se në Gjermaninë naziste njerëzit rrinin të strukur nëpër shtëpi të trembur se mos SS-të i plasnin në kampe përqëndrimi. Vetëm një përqindje e vogël pati këtë fat. Shumica nisi të shijojë, pas depresiont të madh, bumin ekonomik hitlerian, makinat popullore Wolksvagen, pikniqet e hareshme, festat me flamuj të kuq me swastika dhe lule e duartrokitje për xhaxhi Adolfin që puthte fëmijë tribunave i adhuruar nga miliona gjermanë. Njësoj si ne me xhaxhin tonë Enver në 1 maj. Sepse pavarësisht nga dallimet në ideologji, simbole e ngjyra, teknikat e propagandës për përpunimin e miletit janë kudo po ato. Më pas Hitleri e futi vendin në luftë që solli rrënimin e Gjermanisë.

Për të mirë a për të keq, Shqipëria ka qenë një vend i vogël, i varfër dhe i copëtuar, pa aftësi për të bërë luftë. Në një kuptim, kjo ka penguar edhe forcimin e shtetit sepse, historikisht, kanë qenë pikërisht nevojat e luftës ato që kanë çuar në krijimin e shteteve me burokraci moderne. Enveri nuk bënte dot luftë. Qoftë edhe për Kosovën. Por nuk e bënte dot jo vetëm pse nuk kish fuqi ekonomike dhe ushtarake, por edhe pse nuk kish pavarësi vetjake nga që u stabilizua në pushtet me mbështetjen e jugosllavëve. Prandaj, për të mos prishur punën me ata, sakrifikoi kërkesën e drejtë për vetëvendosje të Kosovës, duke i dhënë përparësi qëndrimit në karrigen e pushtetit. Për mua një lloj tradhtie kombëtare. 1

Në këtë kuptim, Enveri nuk kish mundësi ta shkatërronte Shqipërinë me luftë si Hitleri por e shkatërroi me izolim nga bota, me gjymtim të jetës mendore, me autarkizëm ekonomik që në dy dekadat e fundit nisi të asgjësojë edhe ato arritje ekonomike që ishin realizuar në dekadat e para. Mos harroni se nuk janë pak por 45 vjet dhe të mburresh se ja ke kaluar vitit 1938 është qesharake. Kini parasysh se ka shtete që kanë kaluar nga varfëria në një begati ekonomike në më pak se një dekadë në sajë të politikave të shkathta ekonomike. Në fund të sundimit komunist ekonomia shqiptare ishte komplet e ezauruar. Përse u ngritën shqiptarët kundër sistemit duke bërtitur Enver-Hitler? Përse ikën nga sytë këmbët me qindra mijë duke habitur botën me ato anijet mbushur me njerëz si zgjoje bletësh? Mbi të gjitha sepse stomaqet e tyre ishin të uritura dhe jeta e tyre e varfër, pa lumturi. Ndërkaq, kuptimi i tyre për lirinë ishte i mangët, më tepër si hapësirë për të bërë ç’të të dojë qejfi pa e vrarë mendjen për lirinë e tjetrit. E kuptonin lirinë si anarki, si antishtet dhe antiligj. Edhe kjo për faj të sistemit enverist, që nuk kish ushyqer lirinë por nënshtrimin.

Nën diktaturë nuk mund të ketë liri

E them me bindje se në Shqipërinë e diktaturës së proletariatit nuk ka patur liri për njeriun. Liri nuk është të marrësh pjesë butaforikisht ne jetën politike i komanduar nga partia me anë të rripave të saj të transmisionit. Nuk ka liri politike aty ku nuk ka pluralizëm politik, liri të organizmit politik që ndaloheshin me një Kushtetutë që pranonte vetëm ekzistencën e një partie politike, atë të PPSH. Është e vërtetë, nuk kish krim rruge si sot, drogë, mafia, trafiqe hashashi apo njerëzish, por dihet që diktaturat i kanë avantazhe të tilla. Ato e zhdukin krimin e rrugës dhe mafies sepse e shndërrojnë krimin në monopol të pushtetit. Edhe Musolini thuajse e zhduku aktivitetin mafioz në Itali. Por kjo nuk është shenjë lirie. Kjo do të thotë që qeveria ka në dorë sigurinë, jetën, punën, pjesëmarrjen në politikë, arsimimin, kulturën, gjithçka. Një situatë e tillë është pikërisht ajo e mungesës absolute të lirisë sepse i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë në çdo qelizë të jetës së qytetarit. Kurse kushti bazë i lirisë së njeriut është ajo që thotë Milli, pamundësia e qeverisë për të ndërhyrë, qoftë edhe me ligj, në jetën e qytetarit. E çfarë sigurie për jetën kam unë kur qeveria me ligjet e saj mund të bëjë ç’të dojë me jetën time, të më plasë në burg qoftë edhe për mendimet e mia sepse ka nxjerrë një ligj dhe ka sanksionuar në Kushtetutë se nuk e toleron mendimin ndryshe? Në një situatë të tillë nuk ka siguri. Ka siguri nga krimi i rrugës por jo nga krimi shtetëror. Nuk ka as liri. Sepse njeriu duhet të mos shfaqë mendimet e tija, madje t’i fshijë fare ato i tmerruar, si një personazh kadarean, se mos spiunët e regjimit dëgjojnë edhe zhurmën që ato bëjnë ndërsa vërtiten në cirkovolucionet e trurit të tij.

“Gogoli i komunizmit” dhe ngatërrimi i tij me Luftën

 Nuk jam unë që e ngatërroj luftën me komunizmin por ju që po e përdorni luftën për të mbrojtur diktaturën dhe kultin e Enver Hoxhës. Dhe i pari që e ngatërroi luftën për çlirim me komunizmin duke e shndërruar të parën në funksion të të dytit ka qenë pikërisht Enveri. Unë nuk po bëj asgjë tjetër veçse po denoncoj këtë ngatërrim. Duke theksuar se Enveri abuzoi me luftën dhe gjakun e të rënëve duke i shndërruar në një themel për një sistem pa liri, investohem që lufta juaj patriotike të mos njolloset nga diktatura që erdhi më pas. Eshtë fakt se frika e nacionalistëve nga gogoli komunist rezultoi se qe e justifikuar. Rreth 45 vjet diktaturë e provojnë këtë.

Denigrimi i LANÇ dhe i partizanëve

Askund, në thëniet apo shkrimet e mia, nuk do të gjendet qoftë edhe një frazë që të hedhë poshtë kontributin e partizanëve dhe partizaneve, e aq më pak sakrificën sublime të martirëve të luftës. Kritika ime drejtohet ndaj Enver Hoxhës dhe lidershipit komunist që mbajnë përgjegjësi për abuzimin me këto kontribute dhe sakrifica duke i keqpërdorur ato jo për ti sjellë shqiptarëve lirinë por diktaturën. Ju lutem pranojeni këtë të vërtetë, pavarësish urrejtjes qe keni për pikëpamjen time, ndryshe, ne këtë rast, nuk mund t’ju perceptoj me zhgënjim veçse tradhëtarë të së vërtetës. Sepse më i qëndrueshmi nga lartësia e moshës suaj duhet të jetë virtyti i pranimit të së vërtetës. Do qe mjerim që kontributet e jetëve tuaja “t’i mbroni” pa asnjë shkak, se nuk ja u kam dhënë një të tillë, duke më atribuuar një të pavërtetë. Ato kontribute, nga më të pastrat dhe më të sinqertat, nuk kanë nevojë për gënjeshtrën që të mbrohen por vetëm për të vërtetën. Ju s’po e kuptoni por unë pikërisht atë po përpiqem të bëj të ndaj nga diktatura komuniste, kontributin e partizanit apo gjakun e dëshmorit qe nuk e dinte, sikundër ju thoni në letrën tuaj, se çfarë ishte komunizmi.

Kur thoni me të drejtë, se partizanët nuk e dinin se çfarë ishte komunizmi keni pranuar se luftuan për çlirim dhe për jo për komunizëm. Kjo nënkupton pikërisht devijimin e kontributeve të pavetëdijshme atdhetare drejt një rezultati historik antiliri siç qe diktatura. Kush e solli këtë devijim të kontributeve, sakrificave dhe heroizmit të panjollë partizan drejt një sistemi pa liri, përveçse gjenialitet të zi të Enver Hoxhës dhe liderëve të tjerë komunistë? Por ndërsa partizanët nuk mund të bëhen me faj për vendosjen e diktaturës sepse nuk e dinin çfarë qe komunizmi, po tani që e kemi parë çfarë ishte komunizmi stalinist, përse vazhdoni të “luftoni” për të?

Antikombëtare është ta konsiderosh diktaturën si liri

 Nuk ka asgjë antikombëtare në faktin që unë i them diktaturës enveriane diktaturë dhe lirisë liri. Konstatoj me keqardhje që ju e konsideroni diktaturën enveriane si liri. Për mua është një qëndrim antikombëtar. Sepse ngjiz aspirata për t’ju larguar shtegut të lirisë dhe për t’ju rikthyer diktaturës. Si ata hebrejtë, që të lodhur nga endja në shkretëtirë në kërkim të tokës së premtuar, i luteshin Moisiut të riktheheshin në Egjipt, në skllavëri. Këtë dukuri, Erich Fromm, e ka quajtur arratisje nga liria. Për ne shqiptarët, toka e premtuar është Europa. Sepse kemi thënë botërisht, që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Apo jo? Që do të thotë të mbjellim lirinë në Shqipëri, në mendjet e njerëzve. Por kjo nuk arrihet dukë thënë se diktatura ishte liri.

 Liria nuk erdhi dhe nuk ka ardhur akoma në Shqipëri

Vërtet besoni se çlirimi i një vendi nga një pushtues është i mjaftë për lirinë e njeriut? Vallë nuk e dini që në botë ka patur dhe ka mjaft vende të lira nga pushtuesit por me njerëz pa liri? Po, që nga viti 1944 kemi patur një Shqipëri (si shtet) të çliruar nga pushtuesi por me njerëz pa liri. Nuk mund të ketë liri për njeriun aty ku ka një diktaturë. Diktatura e proletariatit si demokraci e vërtetë, qe një shpikje e Enver Hoxhës për të maskuar dhe legjitimuar sundimin e tij, një sofizëm që tenton të bëjë bashkë dy sisteme që përjashtojnë njëri-tjetrin. Është njësoj si të thuash e zeza bardhoshe apo e mira e keqe. Një lloj minotauri. Krijesa të tilla janë të mundura vetëm në mitologji.

Por liria nuk vjen automatikisht as me rënien e një diktature. Ajo kërkon të paktën, një elitë të dedikuar ndaj demokracisë liberale dhe një sistem drejtësie që mbron njeriun nga abuzimet e pushteteve politike. Mjerisht, shqiptarët nuk i patën as njërën as tjetrën. Sali Berisha manipuloi proceset demokratike dhe u përpoq, që në nisje, për sundim dhe jo për liri, për demokraturë dhe jo për demokraci. Jo rastësisht, ai e nisi nga kapja dhe jo nga çlirimi i drejtësisë prej politikës. Dhe një fillim i keq është më shumë se gjysma e një punë të keqe. Pjesën tjetër të kësaj të keqeje, e bitisën të tjerët. Është kjo elitë pluraliste të korruptuarish, që po i bën sot një rezistencë reformës në drejtësi që mbetet e vetmja shpresë se liria mund të vijë edhe për shqiptarët. Se nuk mund të ketë liri aty ku nuk ka drejtësi.

Diktatura dhe liria nuk mund të bashkëjetojnë

Por konstatoj me trishtim se ju diktaturën enveriane e konsideroni liri. Dhe e gjeni justifikim për këtë te fakti katandisjes së Shqipërisë në këto vite në gjendje anarkike pa ligj, si për nga ekonomia ashtu edhe për nga prona, ndërtimet, rendi, kriminaliteti, droga, prostitucioni, mafia, rrënimi mjedisor. Por për këto e ka pikërisht fajin jo liria por mungesa e saj. Atu ku nuk ka ligj nuk ka liri (Lok). E ka fajin mungesa e shtetit ligjor që politikanët e mallkuar të tranzicionit, nuk punuan që të ndërtohet por që të sabotohet nga që ju vinte për shtat epsheve e të tyre për pasurim korruptiv dhe pushtet pa kufij.

Unë e kuptoj nostalgjinë tuaj për sistemin që lamë pas. Ka qenë investimi me devocion e pastërti i jetës tuaj, pse jo edhe krenaria juaj. Një nostalgji që shtohet edhe më shumë nga zhgënjimi që erdhi më pas. Ju mbeteni shtresa më e goditur e tranzicionit. Pensionet tuaja janë reduktuar drastikisht nga inflacioni dhe ju nuk keni më atë kujdesin mjekësor falas dhe të tjera shërbime. Por e përsëris, mos ia vini fajin për këto lirisë që nuk ka ardhur ende por rrumpallës që zëvendësoi diktaturën. Dhe personalisht nuk dëshiroj që pakënaqësia e juaj legjitime, të bëhët një nga rrënjët që ushqejnë jo aspiratën e lirisë por atë për një rikthim në diktaturë, demokraturë apo forma të tjera të autokratizmit. Do të qe fatale për kombin Shqiptar që ka mbetur në shekuj i varfër sepse nuk ka provuar asnjëherë forcën zhvilluese dhe begatuese të lirisë. Ju lutem mos kontribuoni që Shqipëria ta humbasë përsëri shansin e lirisë!

 

Për Enverin dhe kultin e tij

Kam përshtypjen se duhet të përpiqemi që brezat e rinj të shohin me dyshim politikanët me pushtete jetëgjata dhe karizma populiste si Berisha dhe Enveri. S’ka më të rrezikshëm se këto kulte për lirinë e individit. Që nga antikiteti vjen mesazhi i athinasve që e përzunë nga qyteti Aristidhin jo se qe qeveritar i keq por se gëzonte shumë popullaritet dhe si i tillë perceptohej i rrezikshëm për demokracinë. Nga SHBA vjen mesazhi emancipues i Xhorxh Uashingtonit që nuk pranoi një mandat të tretë për president sepse e shikonte të rrezikshme për lirinë. Prej atij akti SHBA e ka kufizuar me ligj qëndrimin e Presidentit më shumë se dy mandate edhe sikur të jetë i rënë nga qielli. Po këta politikanët tanë që prej vitesh kalojnë sa nga kulltuku i Presidentit te ai Kryeministrit e prej andej te ai i Kryetarit të Kuvendit nga ç’qiell kanë rënë? Mendoj se kundër këtij modeli që e trashëgojmë nga Enveri, ne duhet ta kufizojmë me ligj, kohën e qëndrimit të një politikani në pushtet apo në krye të një partie. Mundësisht edhe që një politikan që zgjidhet President të mos mund të marrë më pas postin e kryeministrit apo të kryetarit të Kuvendit dhe anasjellas. Lavdërimi i kultit të Hoxhës nuk është i shëndetshëm dhe në favor të lirisë. Sot burrë shteti i mire nuk është ai që qëndron gjatë në pushtet por ai që largohet pasi ka kontribuar për fuqizimin e shtetit dhe institucioneve të tij.

Rivendikimet për një të vërtetë historike duke ç’glorifikuar udhëheqjen komuniste për shkak të sabotimit që ajo i bëri bashkimit, nuk rehabiliton asnjë tradhti por duke denoncuar një tradhti të fshehur deri më sot, mundëson një pajtim mes shqiptarësh. Konfliktet janë produkt i pabarazisë. Nuk do ketë kurrë pajtim mes shqiptarësh nëse lidershipi i një pale glorifikohet në piedestalet e Atdheut si hero, ndërkohë që tjetri poshtërohet si tradhtar. Vetëm e vërteta dhe jo mashtrimi mund të sjellin bashkim. Ndërkaq, lufta dhe gjaku i dëshmorëve, lavdia e saj ruajnë pacenueshmërinë e vet.

Me që ma përmendni, nuk bëj asnjë tradhti ndaj prejardhjes sime e për më tepër ndaj babati tim që ashtu si ju, ishte një nga ata qindra mijë komunistët e ndershëm që jetuan me djersën e ballit. Ka qenë dhe mbetet shoku më i mirë që kam patur në këtë jetë. Dhe jam i bindur që me aftësinë e tij intelektuale do më aprovonte për çka shkruaj e them sot. Sepse nuk njihte besnikëri të ngurta. Ndaj nuk mund t’i qëndronte besnik një sistemi që dështoi dhe nuk i qëndroi dot besnik parimeve të veta.

Jo pak nga ju, shokët e tij, i qëndrojnë ende besnikë sistemit enverist. Kritikën e tij nga njerëz si unë e quajnë tradhti. Por dijeni se nuk është njeriu që duhet ti qëndrojë besnik sistemit por sistemi njeriut. Komunizmi stalinist i Enverit dështoi të bëjë këtë. Prandaj meriton të “tradhtohet”.

Në parathënien e kryeveprës “Kapitali”, Marksi në mbrojtje të lirisë së tij të të shprehurit shkruante: Dhe sa për opinionin publik të cilit nuk i kam bërë asnjëherë lëshime deviza ime do të jetë: Ndiq kursin tënd dhe lëri të flasin!

Ju lutem ta kini parasysh këtë rezistencë lirie të mësuesit shpirtëror të komunizmit, në raport me të gjithë ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim me ju për Enverin, Luftën dhe diktaturën. Edhe me mua do shpresoja. Nëse jo, nuk do të gjeja devizë më të mirë se ajo e Marksit ne qëndrimin tim ndaj jush që pretendoni të jeni marksistë. Por a jeni vallë? Sepse kur i thanë njëherë Marksit se cili ishte programi i një partie markiste të sapo krijuar që në ngjallje të tij, ai reagoi: Atëherë unë nuk qenkam marksist!

Pra, le të debatojmë qytetarisht me fjalë kundër ideve të njëri-tjetrit por jo kundër njeri-tjetrit, siç mjerisht kanë bërë disa kundër meje duke hedhur shpifje, sharje dhe baltë.

Duke respektuar lirinë tuaj të fjalës dhe mendimit, e mbyll këtu (sepse nuk mund të trajtohet gjithçka në një letër) me besimin e plote se letra juaj nuk ka asnjë motiv tjetër përveçse, ju siguroj si edhe shkrimet e mija, dashurinë për Atdheun tonë të përbashkët Shqipërinë por vizionin për të mirën e së cilës, siç duket, nuk e konceptojmë njësoj. Gjë që nuk na bën as ju dhe as mua, tradhtarë.

 

August 14, 2016 23:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*