FAKSIMILE: A e keni shkruar ju këtë letër zoti Lu?

July 15, 2016 02:19

FAKSIMILE: A e keni shkruar ju këtë letër zoti Lu?

Nga Adrian Thano

Kryeredaktor i gazetës DITA

Shumëkush i mban mend shpërthimet e fontanave të gazit në zonën e Marinzës.

Në fillim, ankesat e banorëve të rajonit mbetën kaq shumë kohë pa përgjigje, ose me përgjigje të paketuara për idiotë, saqë ndokush e besoi vërtet se bëhej fjalë për tërmete të lehta, dhe jo për metodat e egra të kompanisë Bankers Petroleum në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës.1

Por ngjarja që ndodhi më 1 prill 2015, pavarësisht simbolikës së datës, nuk mund të neglizhohej as nga përgënjeshtruesit më të specializuar: Llavë balte, ujë i nxehtë, përzier me gazra toksikë, llokma toke që zhyteshin teposhtë, gjysmë shtëpish që fundoseshin, ishin pamje reale, të filmuara dhe të zëshme.

Përgjegjësia e koncensionarit Bankers Petroleum, si dhe pasojat e rënda mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore për banorët e zonës, ishin ashiqare. Prandaj jo vetëm që edhe qeveria shqiptare u detyrua të ngrejë zërin publikisht, sado me ndrojtje fillimisht, por prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi hetimet lidhur me këtë ngjarje.

DITA boton sot një dokument të rëndësishëm që lidhet me këtë ngjarje.

Është një letër konfidenciale e firmosur personalisht nga ambasadori Donald Lu për Adriatik Llallën.

Letra mban datën 23 korrik 2015 dhe në të shkruhet:

Letra e z.Lu për kryeprokurorin. Mban datën 23 korrik 2015

Letra e z.Lu për kryeprokurorin. Mban datën 23 korrik 2015

Dear Mr.Llalla,

The U.S. government expresses its interest in the decision by the Fier Prosecution to pursue criminal charges against seven Bankers Petroleum employees (six of whom are international workers) over Patos-Marinze well incident.

We expect that political motives and public pressure will not affect the prosecutorial decisions.

The U.S. Embassy is watching this case closely with the expectation that the Albanian judicial system will act according to international standards of fairness, transparency and professionalism.

Representatives of foreign companies that are considering investing in Albania will pay very close attention to this case and the message it sends about fairness of judicial proceedings in Albania.

Sincerely, Donald Lu.    

Përkthimi shqip:

I dashur zoti Llalla,

Qeveria e SHBA shpreh interesin e saj lidhur me vendimin e Prokurorisë së Fierit, për të nisur ndjekjen penale kundër shtatë punonjësve të Bankers Petroleum (gjashtë prej të cilëve janë punonjës të huaj), lidhur me incidentin e pusit të Patos-Marinzës.

Ne presim që motivet politike dhe presioni publik të MOS ndikojë në vendimet e organit të akuzës.

Ambasada e SHBA-së po e ndjek nga afër këtë çështje, me pritshmërinë që sistemi gjyqësor shqiptar të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.

Përfaqësues të kompanive të huaja që po shqyrtojë mundësinë e investimit në Shqipëri, do t’i kushtojnë vëmendje shumë të afërt kësaj çështjeje dhe mesazhit që ajo dërgon, mbi paanësinë e procedurave gjyqësore në Shqipëri.

Sinqerisht, Donald Lu

Le të mos fshihemi pas gishtit: Teksti i letrës konfidenciale që z.Lu i dërgon kryeprokurorit, (e ndaj së cilës ky i fundit lëshon pe pothuajse në çast, siç do shohim në një dokument të dytë më poshtë), është vërtet elegant e diplomatik, por me mesazhe të qarta e pa dykuptimësi: “Prokuroria shqiptare duhet të ndalojë hetimin penal ndaj kompanisë Bankers”.

Ambasadori Lu dhe kryeprokurori Llalla

Ambasadori Lu dhe kryeprokurori Llalla

Është fjala për një kompani që siç e dimë, ka vjelë miliona e dhjetra milionë në valutë, nga nëntoka e Shqipërisë. Që ka shtuar artificialisht shpenzimet për të mos paguar taksa.  Që ka dëmtuar rregullisht pasuritë, plaçkën e katandinë, e më tej vetë jetën e shumë banorëve në zonat ku ka operuar.

E ka bërë këtë me vetëdije, i ka mbyllur ankesat dhe akuzat me forcën e arrogancës dhe parasë, dhe…. atëherë kur një incident u bë aq i madh sa nuk mund të fshihej dhe drejtësia jonë topalle vendosi të veprojë, atëherë… Çfarë ndodh atëherë?

Pikërisht flamurtari i reformës në drejtësi i harron të gjitha parimet që e kanë frymëzuar në aksionin e tij të shumëpërshëndetur. Po, po, të përshëndetur mbi të gjithë nga shqiptarët e thjeshtë, që janë të pafuqishëm përballë kësaj politike e kësaj drejtësie, dhe që duan një drejtësi të re, të vërtetë, realisht të barabartë për të gjithë.

Por kjo letër tregon se drejtësia duhet të jetë pak më e barabartë për Bankersin sot, e kushedi për kë tjetër nesër.

Personalisht kam qenë dhe jam shumë skeptik lidhur me “reformën në drejtësi” për disa arsye që nuk lidhen të gjitha vetëm me Shqipërinë.

Bashkëpunëtorët e gazetës Dita (në vecanti, Andrea) e dinë sa herë kam debatuar me ta për shkrime dhe analiza të lidhura me këtë reformë. Sigurisht që opinionet janë botuar të gjitha, dhe do të vijojnë të botohen pavarësisht mendimit tim të kundërt.

Meqë jemi këtu dëshiroj gjithashtu të theksoj se as botuesit e Ditës, as kolegjiumi nuk ishin dakord me botimin e këtij dokumenti për shkak të afrisë me datën e votimit të reformës në drejtësi. Ky botim është këmbëngulja ime e cytur nga besimi se nuk ka kohë të duhur dhe kohë të gabuar për të botuar një të vërtetë.

Për më tepër që kjo letër e ka bërë punën e vet.

Vetëm dy javë pasi ka mbërritur te z.Llalla, Prokuroria e Fierit i pushon hetimet.

Kjo zbulohet rastësisht nga një dokument i dytë botuar sot në DITA.

Kjo letër e prokurorit të Fierit zbulon pushimin e hetimeve ndaj Bankers, pak ditë pas letrës së Lu për Llallën

Kjo letër e prokurorit të Fierit zbulon pushimin e hetimeve ndaj Bankers, pak ditë pas letrës së Lu për Llallën

Në këtë dokument Prokuroria e Fierit njofton një  organizatë të interesuar se hetimet janë pushuar në datën 15 gusht 2015. Letra e z.Lu mban datën 23 korrik 2015. (shih dokumentin)

Ka të dhëna të besueshme se letra në fjalë është vetëm pjesa e shkruar e një presioni më të fortë për rastin.

Çdo lexues mund të gjykojë vetë mbi tekstin e kësaj letre. Për motivet politike të çdo pale nuk mund të vëmë dorën në zjarr, por për “presionin publik” mund të flasim gjithë ditën, sepse edhe ne ishim pjesë e atij “presioni”.

Me fjalë të tjera, zoti ambasador i thotë kryeprokurorit të mos ja vërë veshin “histerisë publike” që kërkon sadopak drejtësi për mijra banorë, kundër një kompanie që është sjellë në një mënyrë që është pak ta quash koloniale ndaj “aborigjenëve” të Patos-Marinzës. Që rregullisht ua shkundën shtëpitë, ua helmuan tokën, ua rrëzuan çatitë, i ngopën me gazra helmues dhe u thoshin se ishin dukuri natyrore. Po, ndaj kësaj kompanie zoti Lu kërkon paanësi dhe shqyrtim gjakftohtë. Duke e shoqëruar me “gjasën” që nga kjo çështje varen edhe disa investime të tjera të huaja.

Nuk e besojmë se kjo vijë sjelljeje është standardi amerikan për drejtësinë.  Ne e dimë, e njohim dhe e ëndërrojmë atë standard.

Është e qartë se hetimi për Bankersin u pushua pas letrës së ambasadorit dhe ajo histori nga Prokuroria e z.Llalla u mbyll aty.

Mbyllet historia, por hapen disa pikëpyetje:

-Si i koncepton ambasadori investitorët e huaj në këtë vend: Si grabitës të tipit “hit and run” apo si afaristë seriozë e afatgjatë?

– Sa të besueshme e të sinqerta janë përpjekjet e tij për reformën në drejtësi nëse kjo vijon të jetë selektive?

– A gjykon zoti Lu se shqiptarët e varfër presin ndëshkimin e atyre që hedhin fshatra në erë dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, apo zëvendësimin e të paprekshmëve të vjetër, me të paprekshëm të rinj?

Shperthimet e Bankersit 1 prill 2015

Shperthimet e Bankersit 1 prill 2015

SONI COPYRIGHT

SONI COPYRIGHT

SONI COPYRIGHT

SONI COPYRIGHT

 

July 15, 2016 02:19
Komento

1 Koment

  1. LORI July 15, 22:44

    LEXOVA E RILEXOVA ME VEMENDJE E KENAQESI MBI TE GJITHA PER VERTETESINE E NIVELIT GAZETARESK QE MBARTNI JU QE NDONSE JENI NGA TE PAKTIT DUKE MUNDESUAR E HEDHUR DRITE MBI DISA VAGABONDE QE VJEDHIN NAFTEN E PASURITE E NENTOKES SE KETIJ VENDI E ME PAS PASI FITOJNE MILIARDA NA PSHUROSIN NE FORME SHIU NE SI POPULL NEN ATE ANEKDOTEN QE THOTE :C’FARE BEJNE KINEZET KUR BIE SHI”(pergjigjia ; e lene te bjere) !ESHTE PROFESIONALIZMI JUAJ QE TE BENE EDHE MEMOSBESUES NGA ATA QE EGATUAN KETE REFORME DREJTESIE,KU TALLJA ME E MADHE ESHTE PIKERISHT PER KETE “HISTERI PUBLIKE”.ESHTE PER TE ARDHUR VERTET KEQ KUR NGA NJE ANE KERKOHET TE ZHVILLOHET KY VEND E TE KETE QENDRUESHMERI ,NGA ANA TJETER KETIJ POPULLI U INJEKTOHEN GJILPERA NE PALCEN E KURIZIT NEN PRETEKSIN E SHUARJES SE DHIMBJEVE ,PER TI BERE TE GATESHEM E TE BINDUR QE KY VEND KA LINDUR VETEM PER TU PASURUAR BANKERSAT E PER TA ZHGJIDHJA E VETME ESHTE TE LARGOHEN NJE ORE E ME PARE DREJT PARAJSES SE OFRUAR NGA KINEZET DERGUAR TE RADHES QE NA KANE FUTUR PER 25 VJETE RRJESHT GISHTIN NE BYTHE E NA RROTULLOJNE SA HERE TE DUAN .TE FALEMINDERIT PER SINQERITETIN QE MBART NDONESE JE I VETEM NE KETE KODOSH SISTEMI QE PRODHON VETEM KANIBALE SI PUNA E BERISHEVE,LULEVE,NANOVE,METEVE !RROFTE MIQESIA SHQIPTARO -KINEZE!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*