Një kujtesë për “Opinionin”

Myslim Pashai January 31, 2016 23:59

Një kujtesë për “Opinionin”

Në një nga emisionet “Opinion” në TV Klan, më tërhoqi vëmendjen, momenti kur u përmend një nen i Kodit Penal mbi “ dorëzimin e territorit” çka lidhej me paktin famëkeq detar midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Drejtuesi i emisonit, Fevziu, në mënyrë shumë të vendosur dhe po kaq të prerë e kundërshtoi “dorëzimin e territorit” duke  thënë se:  “Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Paktin vetëm për shkaqe proceduriale…” (!!).

Po kjo nuk është aspak e vërtetë. Më bëri të kujtoj, se z.Fevziu, ka qënë ndër të parët gazetarë të mediumit pamor KLAN që i bëri vend një ballafaqimi kundruall publikut shqiptar aq të ndjeshëm.

Në librin tim të botuar në fundin e vitit 2009, “ DETI QË NUK FALET “  si një dokumentim i drejtpërdrejt i përgjegjësisë që mbaja si kundrim shkencor por edhe atdhetar ndaj shqiptarëve, kudo që janë, përzgjodha për t’ua bërë të ditur opinionit, ballafaqimin dramatik të asaj nate në TV Klan, që nuk mund të harrohet aq lehtë, kur dy ushtarakë të lartë shqiptarë haheshin njëri me tjetrin,në zgrip të së keqes, si një ngrënie të vetvetes, kur shteti i kapur, me mish e me shpirt, me thonjë e dhëmbë kish mobilizuar politikën, shkencën, mediumet, lektoriumet, për të çuar gjer në fund Paktin e tradhëtisë së madhe, si një nga ngjarjet më të turpshme dhe po kaq unike në llojin e saj, në botë.

Po përzgjedh kujtimet e asaj nate të cilat veç meje, që shkoja në “Opinion “ me vetminë time, ishin edhe publicistët Blendi Fevziu, Aleksandër Frangaj, Kundër Admiral Gerveni dhe një staf i tërë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave Detare po edhe mobilizimi tërësor i stafit të TV “KLAN”.

Më poshtë i paraqes lexuesit përjetimin e asaj nate të KLANIT me personazhe si: Kunderadmiral Gerveni, Aleksandër Frangaj, Fevziu etj.

 

2.

“…Ndodhesha përmidis imazhit satelitor të arkipelagut të ujdhesave Joniane dhe Korfuzit. Pas zhurmës së befasishme që u bë në disa mediume shqiptare, u gjeta në një pozicion sureal, që s’e kisha menduar të kësillojshëm. Në shtëpi, kish ikur qyshkur qetësia, nëpër alarmin e ditëve, kur isha gjendur, kundruall shtetit…. Në lexim e sipër të imazhit, bie zilja e celularit. Më kërkonte një gazetare e KLAN-it, ndihmëtare e Blendi Fevziut. Gazetarja, ngulmoi nja dy herë, që të më mbushte mendjen, se bëhej fjalë për një regjistrim, ashtu siç do të regjistronin edhe përfaqësuesin e shtetit. Mirpo, thoja me vete, pastaj do ta gatuajnë, siç do të dëshironin ata, për të nxjerrë edhe përfundimet.

Kisha bërë disa emisione të tjerë, në “Top-Show”, “Zonë e Ndaluar “ , pas  “News 24 “. Kjo nuk kish qënë e mjaftë, për shqyrtimin krahasimor të njoftimeve tejet të ndryshme. Atypëraty, ma dha mendja që t’i ktheja përgjigje, se nuk do të ishte e mirë që të kryhej më parë regjistrimi në studio dhe pastaj transmetimi; mbasi nuk mund të kisha besim, se si  mund  të qepej dhe gatuhej materiali, në formën reale dhe të duhur, çka mund të më nxirrte zhveshur, mbi atë Det aq shumë të përfolur, të cilin në atë moment, po e kundroja nga një pamje satelitore. Mirë, tha gazetarja në skajin tjetër, duke më lënë të kuptoj se do të bisedonte me drejtuesin e emisionit.

A duhej shkuar apo jo? Dikush më pati këshilluar që të mos bëja asnjë çap më tej, drejt KLAN-it, sepse dihej, që në krye të gardhit, se ai e kish të shkruar në ballë, që i shërbente Qeverisë. Prapë ndarje. Kjo s’kish kuptim… Të dukej si një lojë. Ish fjala për një projekt të përfunduar midis të dy shteteve, të firmosur me një gatim buzëqeshjesh, që s’ishin parë kurrë, në të shkuarën. Kështu që, diskutimi i ngritur, në një tymnajë mediumesh, kishte hapur ca pozicione të paparashkuara, që siç u kuptua, s’ish gjë tjetër veçse një lloj ndeshjeje…se AI (mbasi, asnjëherë nuk u përmend emri i shqiptarit që kish dhënë kumtin e kushtrimit) pra se KY njeriu, që e kish përzjerë këtë prush, duhet të ish “i lajthitur”, ose më keq se kaq, “ i mësyrë dhe i futur” , në këtë mes, prej qarqesh përsëri të fshehta, të huaja ose dhe nga brenda, me qëllim të caktuar, për t’i krijuar telashe Qeverisë. Pra, një njeri folklorik (bile një gazetë kish botuar asaj dite një fotografi timen veshur me kostum jugor të Labërisë dhe ku shënonte se ja , kush merret me Detin, një folklorist…etj…) Ndërkaq hamendje të tjera, arrinin deri atje, sa nëpër blogje thoshin, se ky njeriu që më vonë thirrej Kolonel, duhet të ketë marrë pare të madhe, nga Edi Rama, duke u bërë tellall i tij… etj. Kësilloj Qeveria u vu në siklet dhe në mënyrë qesharake, po kapej prej këtij folklorizmi

Në këtë vijë, me kursim të madh, jepeshin shpjegime. Në mënyrë gjysëmzyrtare, u thirr, një përzjerje e Konferencës për Shtyp, apo lektoriumit, që më vonë do të përsëritej si një auditorium në Evropianin e Tiranës, ku vet Ministri i Mbrojtjes, Imami, me një shpurë të zgjedhur, do të bënte një prezantim të shkoqur, e shumë të afërt, për disa mediume, veçse pa kamera, vetëm kamera, jo! Siç u përfytyrua, pak më vonë, ishte e domosdoshme që njëherë e mirë, të merrej vesh, se këtu nuk bëhej fjalë, tamam për një ballafaqim serioz.  Si mund ta kuptoje?

Një stepje erdhi, po asaj dite edhe tek vrapuesit e parë, që qenë përballur, me të dhëna të tjera. Në lëkundje e sipër, erdhën tek Kullat Binjake, Mentor Nazarko e Andi Bushati, duke shfaqur edhe ata, qasje të tjera. Teksa në Lap Top, uleshin e ngjiteshin pamje të hartave, skicave, ligjeve detare të cituara, ia mbrrini një analist tjetër me peshë, Artan Hoxha për të cilin thuhej se drejtonte një Institut Studimesh. Nga të gjithë ata që kishin qënë në Konferencë Shtypi, Artani duhej të ish i vetmi, që kish rrokur, që në krye të herës, se në ato vizatime dhe pamje që ishin trajtuar, kish diçka që nuk shkonte. Ai menjëherë vuri gishtin, në njërin prej ujdhesave: Othonoin, pastaj e uli drejt Erikuzës, përqasi dy standarte të Detit Territorial dhe Hapësirës së Afërt, dhe ashtu si padashje tha ” nuk e besoj se kanë përfituar, shumë…”

” Megjithatë po të krahasohet me shpjegimet që ke dhënë ti, ky i Qeverisë ishte shumë më komod ” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se në të vërtetë, gishtat e tij, mbi imazhin satelitor, teksa kalonin përmes ujdhesave të Arkipelgut, gati sa po i përthitheshin. Në atë çast të zhgënjyer dhe plot alarm telefonuan edhe Tedi Blushi dhe  Artan Hoxha tjetër,  i emisionit “Jungle”. Ishte trazuar skena, si kallame gushti, siç thuhej ne Kremenar, fshatin tim të lindjes.

 

3.

Makina ndaloi në hyrjen e ish-Kinostudios Shqipëria e Re. Ishte natë dhe frynte një thëllim i pazakontë vjeshte. Sa u futa ndën hark, përsipër kisha ca simbole të thyer, dhe një shqiponjë të mugullt, të copëtuar. Kisha ngritur sytë lart, padashje, me vetminë ardhëse, ndënë një shpend të gjysmuar, e një harku të plasaritur. Ndalova që të orientohesha për të gjetur, se ku mund të ishte, ateljejea e Akademisë “Marubi” ku qenë ngujuar në roja, si në një llogore, studentë dhe pedagogë të ateve pamore, po nuk po i shquaja dot. Më pas, dolën njëri pastjetrit, përsëri, nëpër thurinën rrethanore emra:  “Ora-News”, “Scan”, “NTV”, “A1”, dhe pak më tej KLAN.

Të gjitha si të fshehura dhe që në brendësi buronin dritë, ashtu siç pretendonin. Shkoja më tej dhe prapë, si në ndonjë përrallë, sikur avitesha drejt ndonjë shpelle, ose diçka e përafërt, me të. E përfytyroja se që në ditën e parë që është shfaqur në mediumet shqiptare dyshimi për marrëveshjen, Gerveni duhet të ketë pësuar një nga goditjet më të rënda të jetës së tij, e ndërkaq, befas ishte bërë një personazh në gjithë mjedisin shqiptar, ku në të shumtën e herës, i lëshoheshin fjalë dhe akuza për „shitje” etj…etj. Në gjithë këtë ndeshje, kish një forcë tërheqëse, që më bënte herë herë të dobët, pa energjinë e duhur, me një lloj pengimi, që nuk e kishin burimin tek argumentet, se sa tek trazimi që i kisha shkaktuar Kundëradmiralit, të cilin e njihja, kisha shkëmbyer respekt të ndërsjellët, dhe askund s’nxora prej gojës sime, ndonjë fjalë veçse „ atë e kam mik…po s’mund të hesht…”

Në këtë mes, Kundëradmirali, u gjend në transhenë e parë, dhe vetëm për shkakun tim, ai ishte përfshirë në një fushatë ku dalldia atdhetare e zgjuar, mund të të bënte fli këdo, që t’i dilte para, edhe kur mund të ishe, fare i pafajshëm. Prandaj, sa herë më duhej që të hapja gojë, e të thosha një fjalë, gjunjët me priteshin dhe zëri më rrëgjohej, sepse i kisha prishur qetësinë një njeriu, dhe e kisha të pamundur që ta riparoja, sepse nuk më linin fijet e pleksura, të thurjes së asaj rrjete pikash matjesh, koordinatash, nenesh, që të ekspozuara, kishin marrë një fuqi tjetër, si dalje nga fundi i detit, apo ngjallje mitike e një qënieje, të harruar.

U avita, me hap të shpejtë tek dera dhe në afrim e sipër kisha marrë në telefon gazetaren Desada Meta  për mbërritjen time. Fevziu dhe Desada e tij ishin tek dera. U takuam. Isha shumë i qetë, po nuk e di se ç’mund të ketë ndodhur, me buzëqeshjen time, dhe si mund të jëtë komentuar ajo. Sa më preku në shpatull, Fevziu, u interesua për hartat, nëse i kisha prurë me vete, dhe a i kisha, ato në USB? Kish shumë rëndësi, ndeshja e hartave, ku nuk luftohej, as me shpatë e as me ndonjë armë tjetër, por me vija të hartografuara, në një Det që e kishin ndarë. Po më vinte mirë, mbasi ishte pjesë e përvojës sime dhe e fushës së veprimtarisë hartografike, që ishte zgjuar. Hartat dhe koordinatat do të futeshin në betejë.

Punonjës të ndryshëm, ndofta kameramanë, a të shërbimeve të tjera, më hidhnin ca shikime të ftohta, nga koka gjer tek këmbët. Një burrë i shkurtër, të cilin dikund e kisha parë, kaloi përbri si me hap rreshtor dhe ish gati që të më shtynte, në koridorin e ngushtë. U shkëputa, dhe hyra, në të majtë, tek studioja OPINION. Ishte plot dritë. Eca pak më tej. Krahët robotikë të kamerave, m’u duken në çast si ca gjymtyrë dinosaurësh, po veçse, kishin nga një sy të madh katror e të zi, shumë të zi, në pritje të përndezjes së sensorëve. Dy ndënjëse të bardha ishin kundruall. Monitorë të mëdhenj që ndodheshin në një gjumë të pjesshëm, në atë ngrehinë dekori, prisinin të shpërfaqnin pamje të një ndeshjeje, të pazakontë.

U mbërtheva, në vështrim, tek monitori kundruall, për të përfytyruar se sa mirë do të ishte sikur të kisha punuar, në qefin tim, me një mjeshtër të dizajnit dixhital, që gjatë kohës së debatit, monitori të shfaqte të animuar atë Kalin e Drunjtë të grekërve në fushën e Trojës. Ky Kal, teksa, ne do të debatonim, në argumentet tona, pro e kundër, të ecte dhe nga pas, të hidhte farë pikash e koordinatash ndarëse, të detit të përbashkët, dhe ashtu pas tij, ato, të ruanin marrëveshjen e cenuar. Isha shumë i përhumbur dhe zëri i Desada Metës, më përmendi. Ishte ajo që siç do të merrej vesh të nesërmen, do të shkruante tekstin e përfundimit të betejës. Një vajzë më erdhi pas shpine, që të më ngjiste lart, tek posti dixhital dhe regjisura, ku të çoja flesh-in me ato pamje që kisha përzgjedhur.

– “Mbase, nuk është e nevojshme, fare – tha ajo – se unë kam bërë një lloj përzgjedhjeje, të hartave, që ju keni publikuar…”

– “Domethënë…” mendova, „ këta e kanë bërë planin se ç’të marrin dhe ç’të diskutojnë, pra kanë një plan për të cilin do të kenë punuar, qysh atëherë, kur më kanë ftuar për regjistrim, por që unë nuk e pata pranuar.”

Ajo m’i tregoi. E para ishte, skema e Otrantos, ku „ lapsusi grafik ” ishte bërë një lloj gomoneje mbi të cilën nuk transportoheshin, për një brigjet matanë, klandestinë, por koordinata të mashtrimit e stisjes, me të cilat do të provohej, se Deti ishte keqpërdorur dhe marrëveshja apo veshmarrja, do të ngrihej edhe më e fuqishme, pas këtij debati.

Unë i dhashë hartat e mija: një version të Tongos e të gjirit të Ftelias, një Barketë tragjike që e fusja në skenë, por që askush nuk më kuptonte, sepse e quanin „ plesht” kurse ca të tjerë, që nuk e dinin se ku binte, (siç ishte Godo i cili e quajti të banuar apo gjysëm të banuar…) pra sillja një Barketë të harruar për shqiptarët, sikur ta kisha nxjerrë, jo nga zbaticëbatica detare, por nga shpina e ndonjë anijeje mitike të Eneas, atë të arkipelagut dhe një rivizatim të asaj „ skicës ” që Qeveria ime e kish marrë si model.

Pashë përballë, në tavolinën e atij tjetrit, ku dallova një ndryshim, po të krahasohej me ndënjësen time dhe tavolinkën e vogël. Mbi të, rrinte Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

Unë u afrova, ta shikoj, sëtoku, me ca udhëzues të tjerë lundrimorë që tregonin se këtu, ishte punuar më parë, për të sjellë të gjithë bazën materiale që i duhej palës së Qeverisë. E kuptova, se prej atij fjalori do të dilte dëshmia e Sarandës, e cila, sipas tyre do të ishte shpartalluese. Heu! Dreq!. Unë kam ardhur me duar në xhepa, apo me duar në det. Atypëraty, u ngushëllova se po ta hedhësh të mirën në det, do të gjesh në tokë. Shkopi tregues ishte i njëjtë me timin, një pjesë antene, që kushedi nga e kishin hequr. Ishte një sajim, si për një ndeshje skerme, pra një lloj shpate e cila do të shërbente për të rrëfyer hartat.

 

4.

Me treguesin e skermës, në çastin kur kisha sjellë Lap Top-in, për ta bërë gati, në derë hyri Kunderadmirali.  Dy hapa, se të avitej, ai zgjati dorën, e cila me shpejtësi u drejtua ndaj meje, që në takim me dorën time, nuk kish asnjë lloj mesazhi miqësie, por përkundër, një parakacafytje groteske. Sytë e tij ishin të ftohtë, që në të vërtetë nuk po më shihnin, por në formën e një prerjeje, më lanë një vragë urrejtje e cila nuk ishte e pabazë.

Altruizmi për të cilën kisha menduar, pak më parë, si një skenë të përfytyruar, aq me naivitet, rrallë se e gjen dot, kështu që takimi duhet të ishte burrash. Se burri flet para sysh dhe jo pas shpine. Mirpo s’para kuptohet ajo që thuhet se burri nuk matet me pëllëmbë, por me zemër. Njohja jonë kish humbur. Ne ishim të larguar dhe pse jo të armiqësuar. Ishim shumë të larguar. Po rregullonte ca shënime që i nxori prej çantës. Pastaj, në zymtësi u ul për pak çaste.

Më bënte përshtypje rekuiziata e plotësuar me kujdes, e në krahë të Kundëradmiralit, sapo kish filluar lëvizja. Ai nuk ishte i vetëm. Ndërsa unë kisha një Lap Top që i ishin vësulur viruset. Dallova se përballë vinte Aleksandër Frangaj, që iu afrua Gervenit dhe e takoi. Pastaj u ul dhe zuri vend si shikues që do të ndiqte ndeshjen tonë.

 

5.

Njeriu fantazmë i Facebook, tek thosh ” se edhe ti si Trebicka do të përfundosh…o tellall,… paret do t’i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke.”  Në krahë të fantazmës, Qeveria hidhte çurrega me urrejtje dhe dashaligësi.

Ne, të dy të ndërsyer, do të jepnim shfaqje, para tanëve, si në një shëmbull të ri, se si e hamë vetveten, në mbrojtje të fitores së fqinjit tonë, në detin tonë historik. Sado që Kundëradmirali, mundohej që të të mos e jepte veten, dukej i tërë i përfshirë nga shqetësimi dhe kjo, ishte e natyrshme. Ne ishim të dy mjeranë dhe mbi vete kishim një Qeveri, po kaq mjerane, që na kish ndërsyer, njëri me tjetrin. Po si do të thuash ti? Që në fund të kësaj premiere, fqinji ynë, të kuptonte, se ç’bëjmë ne për ‘fjalën e dhënë” pra atë” marrëveshjen dhe firmat” se të shihni se ” mund të murosim një të gjallë, që ju të na besoni ” ose sikur ta përkthejmë me terminologji detare: ” do ta detosim të gjallë!” etj etj. Vetëm Deti e dinte se sa lumenj derdheshin në të…Si një amanet të largët në kohë, i hedhur në Detin Jon, ai do ta qesë që do ta qesë në lëndinë.

 

6.

Erdhi shënja pamore e OPINION kur unë dhe Kundëradmirali u zgjuam e u pamë në sy. Fevziu na prezantoi. Po thoshim fjalë parafabrikate, si copa akujsh që binin aty afër siglës që projektohej në dysheme. Ende nuk kish ardhur koha të ngriheshim, si të thuash, të merrnim pushkët, ato shpatat e skermës dhe të numëronim hapat. Rënia e mjegullës asaj nate, jashtë, u përzie edhe me një përgjim të ethshëm të telefonave, mbasi prej ditësh, merrej me mend, se kjo punë nuk mund të kalohej kaq lehtë, “se të teket ty dhe t’i dalësh përpara shtetit dhe t’i thuash, “hajde baba, të të tregoj arat…” ” Hajde Mëmë të të tregoj Detet” “…dhe ” të na prishësh miqësinë… kur ne mezi e kemi sjellë gjer këtu…” ” more ksenofob i kobshëm!”

Kështu që përgjimi nuk mund të ishte përgjërim, por pjesë e dytë e vetvetes që më kishte bërë të kujdesshëm, për t’u vetlidhur mirë e mirë, për të folur në autoçensurë, se kështu, kish dashur Qeveria. Rënia e mjegullës ishte diçka më tepër se kaq. Doja të sillja ndërmend diçka të rrokshme që të mund t’i a kujtoja Kundëradmiralit. Përshëmbull, kur ishim të ftuar në fregatën luftarake të Mbretërisë së Bashkuar, për hartat shqiptare që ia dhamë admiralit anglez , ku dalloheshin qartë brigjet dhe detet tanë historikë. Kurse, ne s’e pamë kurrë hartën e marrëveshjes, që mesa duket në të ardhmen, ajo do të gjendej në ndonjë rrëzë shkëmbi, apo brenda ndonjë shisheje që do ta nxirrte Deti, me kumte të fshehta e të mistershme. Po s’kishte kohë. Kundëradmirali i ishte drejtuar asaj skicës, ku kish gjetur mashtrimin e madh dhe një trekëndësh që e kish quajtur gjithashtu: ” trekëndësh i mashtrimit ”

Murmurima e Aleksandër Frangajt , vinte pas së qeshurës së tij të përhimtë e cila ishte shkrirë me shkallaren e skenës, ku qe ulur.  Ai, sikur të komunikonte me ndonjë tjetër, por që në fakt nuk kish një tillë, veçse duke ndjekur bisedën, e pushtonte mesa dukej, një kënaqësi e veçantë si ajo, kur ndërsa me Google, ishte matur largësia nga Barketa deri në Kepin e Mërtesës dhe në të kundërt, deri në Kepin e Kasiopesë, apo kur unë thosha, se nuk ishte e vërtetë kjo largësi, mbasi e kisha matur vetë, në natyrë, e këtu ai shkrihej (shkaraz një grimëherë e fiksova, ndërsa merrja goditje dhe kundërpërgjigjesha) sepse ishte gjetur kapja, derisa ky i lajthituri, na dilte dhe kundër Google, do të thotë, se e ka një dërrasë mangut; e kjo mor ta marrsha, mund të ishte si një zhdrivillim i mirëfilltë, për atë që pritej, të shkruhej të nesërmen. Nuk kish thënë kot një minister, si Sokol Olldashi se :  ” një budall, ka hedhur një gur në pus…” apo për më tepër “e ka hedhur në Det…” dhe gjithë, ne të mënçurit e Shqipërisë ta gjejmë…” të qeshura pafund…ha ha ha …

Ndërsa mundohesha që të ndërprisja sulmet e atij që ishte kundruall, si: ” në je burrë!” ” Si burrë, apo grua… more kundëradmiral, po ne nuk jemi në lojë këtu…” Në të vërtetë, kisha gabuar, sepse ne ishim në lojë gjersa po qeshte Aleksandër Frangaj , apo më tej: ” se po mashtroni dhe shpifni! ”

Kështu, që aty, nga gjysma e bisedës, ndërsa jepeshin publicitetet mendoja, se po emetoheshin edhe reklama për nja dy personazhe shqiptarë si ne, që qeveria i kish kthyer në dordolecë. Kuptova se nuk ndodhesha në truallin tim, por në dhe të huaj dhe m’u kujtua ajo thënia që nuk e nëpërmendja aq shkoqur:” Kolonel në vend të huaj, si të bjerë daullja, luaj…” Po, “Kolonelit, nuk ka se kush t’i shkruaj…” më thosh para ca ditësh Adrian Thano, sipas titullit të një romani të Markezit.

Unë në timen që në timen, mundohesha të jepja shpejgime për Sarandën, kur ai tjetri më flakërinte para sysh Enciklopedinë Shqiptare, të thërrisja diçka prej mitit dhe legjendës, kurse ai tjetri më kërcënonte, se do të më ndreqte samarin me ligjin ndërkombëtar, kur unë i përmëndja për të satën herë “përmes kanalit të Korfuzit” ai sërish nxirrte të njëjtin by-pass, të qepur përbukuri, në atë kirurgji, me gjëlpërën, shkopin dhe kursorin e fqinjit, duke më hedhur argumente, që të më mbyste, në thellomat e panjohura, të atij kanali që e kish një incident historik të ndodhur gjysëm shekulli me parë; kur fjalët që më vinin në fjalorin e Qeverisë, hasje mina të vendosura aty, jo nga duar të huaja, por nga vet ne shqiptarët, kundër njëritjetrit.

Aleksandër Frangaj  prapë në psherëtimë e sipër, duke e parandjerë fitoren e kësaj nate, të sakrifikuar, pas ndjekjeve, të ndeshjeve të Champions League, gjëllinte i palodhur dhe i gëzuar, në këndin e majtë  për të nxjerrë prej andej, një stendë dhe një hartë të Sarandës, të varur në të, që ishte një origjinal përpilimi, nga ato që ruhen në Arkivin e Institutit, për ta pasur kundërshtari im, si një tregim real. Ai po e rregullonte, ndërsa Fevziu, pa dashjen e tij, ndihte leximin në Enciklopedi, se kush quhej gjiri i Sarandës. Dhe pikë. Shkopinjtë mbaheshin kot, ndër duar. Në ta, shkarkoheshin, vetëm ca ofshama, e vinte nga vinte, kundëradmirali i drejtohej skicës se pikës 150, në afërsi të së cilës, ishte mbytur prej tramundanës gomonia e Nëntë Janarit, me shqiptarë të humbur, në kohët moderne. Aty përballë, tek gurorja romake e Gramës, ishte Kali i Drunjtë dhe poshtë tij kish shkuar për të marrë njoftime edhe ajo fantazma, që më shfaqej ato ditë, e më thosh se më donte shumë, aq sa edhe Deti…

Gerveni u çorr sërish: “ti shitesh si ekspert…”

” Duro o zemër duro, siç duron mali dëborën…” m’u kujtua.

Dilnin herë pas here, në monitor, me urdhërin e Kundëradmiralit, pamjet: ” Hartën! Atë slide të  parë! Googlin… skicën! Gjirin! ”Ai i thërriste dhe regjisura i ndiqte, me vëmendje. Pra, ajo, ishte atje sipër, ku punonte një ekip i tërë, me teknologjitë e duhura, po ama pa harruar dhe fantazmën, që si e përdalë që ishte, dilte prej meje dhe shkonte tek kipi tjetër. Ndjeva një lloj lehtësimi, sepse në fund të fundit edhe pse, sipas asaj pale, ata e kishin në duar fitoren rrëzëllitëse, kjo ishte edhe fitore e imja, sepse pa dyshim, që në këtë ndarje detare kish fituar Shqipëria…

Aleksandër Frangaj në pushim erdhi pranë meje tek hartat, me butësi e miqësi, si me një keqardhje, sikur më thosh:  “po ç’t’u desh more njeri që iu fute kësaj…a me tërë mend, s’e kuptove që kjo largësi është e barabartë… me atë tjetrën…”  dhe m’u buzëqesh prapë, me art dhe spektakël të gatuar. Ai ishte i gëzuar, se sipas tij dhe performancës Qeveria po fitonte. Po Shqipëria?

 

7.

Ai trupngjeshuri që ishte dukur në hollin parahyrjes, i ra tërthor studios duke folur me zë të lartë, dhe kundërshtues ” Jo, drejtimi nuk është jugperëndim, por juglindje. Shikojeni mirë!” Ai në nxitim e sipër, nuk po shikonte nga ne, po ish gati në vrap, po ama donte ta nxirrte që ta nxirrte. Po, ky ç’pati? Mesa duket ishte njëri prej atyre që rrinin sipër dhe bënin gati të dhënat që nxirte Qeveria. Gjithësesi, ky nuk ish një fund, se gati po nisej që nga fillimi, sërish tek ajo skica”shpëtimtare”

”Oh, sa harta kam parë sonte sa s’kam hasur gjatë gjithë jetës sime” tha Fevziu. Mirëpo Qeveria në vend të nxirrte hartën e saj, ia kish qepur sytë asaj skicës dhe blatimit të Sarandës, hartave dhe pamjeve që s’mbaronin, kurse vetëm ajo harta jonë nuk dukej…që nuk dukej gjëkund. Kjo hartë po bëhej për herë e më tepër si pjesë e misterit.

E në këto e sipër, Kundëradmirali, më kujtoi mashtrimin e radhës, jo me ndarje në tavolinën diplomatike por me atë çmëndurinë se po i futesha detit më këmbë.” Po, ke të drejtë, miku im! I jam futur detit në këmbë. Tani jam në pluskim. Më mbajnë sipër, matjet, koordinanat, hartat, imazhet ilire që u ringritën mbi imazhet satelitore, vijat bregore dhe thellësitë, ku ndodhen reliktet historike…”doja të thoja.

Sa tragjikomik po bëhej ai takim në KLAN dhe sa dëshpërim ndjeja për veten dhe kundëradmiralin, mikun tim. Ndërkaq doja të thoja një fjalë të ëmbël, por s’e gjeja dot. E kisha marrë një rol, në këtë teatër absurd, kur askush nuk më kishte llogaritur, në atë regjisurë. Vinte e nga vinte, rreth nesh dhe prap një kompas s’na ndahej. Sa hapnim krahët, aq edhe ai hiqte rrethin, sa hidhnim hapat, aq edhe ai shënonte harkun. Në argumentet tona asgjë nuk puqej, prandaj miqtë tanë helenë gajaseshin, në Athinë. Në këtë krusmë ku na kishin prurë, ndiqnim skenarin e tjetërkujt, ndërsa shqiptarët të ndarë afërsisht më dysh, shihnin gladiatorët, e nuk e merrnin dot vesh, se ku ishte humbja e detit dhe ku ishte fitorja. Mu për këtë arësye, pyetnin se kujt skuadre i përkisnim. …kështu të dashur shikues, për dy orë rresht ishim në një përballje shumë të veçantë, që rrallë eshtë parë ndonjëherë…thosh në fund Fevziu. Një oshëtimë detare, thonë se është ndjerë në brigje të Karaburunit.

 

9.

E nesërmja, me ditë, thuhej, se do të dilte, më e mënçme se nata që shkoi. Dhe ashtu erdhi, fije për pe, dingas me lajmet e para në KLAN dhe sojin e tij. Flitej për një ballafaqim, i cili kish treguar se ai që ish thirrur e që besohej se kish ngritur atë fortunën, në gotën e ujit, nuk kish lidhje me Detin. Ish fantazmagori e tij. E pabesueshme për shqiptarët e fisëm, po ai mor kokorrosh, nuk e dinte se ku ish gjiri i Sarandës, edhe pse emërin i këtij gjiu e kishte shkruar vet me duart e tij, në hartë. Sepse në thëniet e tij të debatit, kish çuditur gjithë shikuesit, me herezinë moderne të kumtimit se nuk i besonte Google, duke na prishur marrëdhëniet edhe me këtë motorr gjigant të internetit në botë. Po ç’ti bësh, se kaq di! S’mbaron këtu, se kërkonte dhe hartë, pa…

Le të merremi në të ardhmen me gjëra të larta e fisnike, siç na ka hije ne shqiptarëve të sotëm. Atë çfarë iu sollëm mbrëmë, është vetëm një remineshencë e së shkuarës. Pikë! Kemi një perifrazim të thënies ballkanase që po e kujtojmë për ju: “Më bli një kalë me shalë o baba se kam gjetur një patkua”. Ju e kuptoni moralin e kësaj thënie. Mos harroni se Kali i Drunjtë rri i fshehur ne guroren roamke te Gramës. Përfundoi KLANI …

 

10.

Po dilja nga ajo derë po nuk dija se ku kisha qënë dhe ç’kisha thënë. Në të kapërcyer të pragut, ( po në fakt aty nuk kish prag) me mirësi të vërtetë Fevziu më tha, se do të më thërriste prapë, për një emision të veçantë. Sepse të më kuptosh drejt, ky i sotmi ishte politik, mbasi ai që kishe përballë ishte një person mjaft i lartë i Shtabit të Përgjithshëm. Ah po! Se më duhej të kuptoja, që politika qënka përzjerë keqas në këtë rrëfim… desha të thosha.

Gazetarja, mesa dukej ishte me rrufë dhe qe mbështjellë paksa tepër, tek priste në afërsi të një ledhi, të cilin e kish kapur terri. Ajo dukej e kënaqur se e kish mbaruar rolin e shënueses së pikëve dhe numërimit të gafave çka do të ishte një lëndë e vërtetë, për të nesërmen. Shkëmbyem duart me Blendin dhe unë ktheva thëmbrat nga kisha patur gishtërinjtë e këmbëve dhe largohesha e largohesha prej një vendi aq të panjohur, të cilit i kisha dhënë diçka, të cilën ai nuk e donte, dhe ashtu doli, sepse aty pranoheshin vetëm kandidatë, për në shpellat e Ali Babës.

Dola nga errësira e gardheve të thurur keqas, në ish-Kinostudio e u gjenda në rrugë ku s’dukeshim makina të lëviznin. Pas pak, drejt meje vinte me shpejtësi një veturë e cila ndaloi tek këmbët. “E humbe ndeshjen. Të rroni vet!” më tha njeriu im. Në celular vijonin të vinin mesazhe, si pickime grenzash. S’e kisha mendjen gjëkund tjetër, veçse tek ajo që do të nisja në gazetë, një lloj testi, atë të përpjestimorit…që do të thotë sa Det more ti, po sa mora unë… ti nuk more asgjë, ta thashë! Të rrosh vet! Gëzuash o Qeveri se nesër bëhesh turtulleshë! Në shtëpi, vijonte një natë e klonuar, me ca kopje identike qelizash, e organizamsh që i prodhonte nata e qeverisë sime. Mbi tavolinën më priste imazhi satelitor.

Myslim Pashai January 31, 2016 23:59
Komento

24 Komente

  1. aleanca kuqezi June 15, 07:10

    myslim pasha tij je hero komtar dhe do gelesh per kete popull i pa vdekshem dhe do gelesh ne histori ,kurse sali plehra do harohet shpejt po si saliu jan shumica e politikanve qe per mua nuk jan politikan por jan drogaxhi jan spiuna jan te shitur jam dhe psikopater si na krahu i djatht dhe na krahu i majt prandaj populli te do dhe te ket ne zemer dhe te kesh jet te gjat dhe me gjith familjen tende

    Reply to this comment
    • Artani June 15, 10:22

      Kolonel. Urime dhe pergezime. Kontributi yt ne mbrojtjen e integritetit territorial te Shqiprise eshte i pazevendesueshem. Ate kontribut e njohin te gjithe shqiptaret. Do te deshiroja qe ne hyrjen e artikullit tuaj, mos ta kishit permendur Forcat Detare si institucion. Asnje oficer i Forces Detare, pervec cfar parashikon urdheri I Kryeministrit nominalisht , nuk ka mbeshtetur Kunderadmiral Gervenin. Kjo per aq sa eshte publike.

      Reply to this comment
  2. horri bulevardit June 15, 08:59

    ia mbrrini një analist tjetër me peshë, Artan Hoxha për të cilin thuhej se drejtonte një Institut Studimesh. Nga të gjithë ata që kishin qënë në Konferencë Shtypi, Artani duhej të ish i vetmi, që kish rrokur, që në krye të herës, se në ato vizatime dhe pamje që ishin trajtuar, kish diçka që nuk shkonte. Ai menjëherë vuri gishtin, në njërin prej ujdhesave: Othonoin, pastaj e uli drejt Erikuzës, përqasi dy standarte të Detit Territorial dhe Hapësirës së Afërt, dhe ashtu si padashje tha ” nuk e besoj se kanë përfituar, shumë…” ” Megjithatë po të krahasohet me shpjegimet që ke dhënë ti, ky i Qeverisë ishte shumë më komod ” u shpreh ai. ?????????!!!!!!!!!!!!!!!
    DMTH PUSHTETI DHE ANALISTET AFER TIJ SI HOXHA ARTAN E PASKAN DITUR MIRE QE GREKU MERR TERRITOR ME KETE MARREVESHJE ?????

    Reply to this comment
  3. kosovari June 15, 09:02

    I dashur kolonel, dita njemije. Shyqyr qe shpetove nga kthetrat e politikes. U terhoqe ne kohe. kur nje jete e re do lulezoje germadhash njerezit e mire do kene ne zemer emrin tuaj

    Reply to this comment
  4. salifi June 15, 16:41

    edhe ti o lymo qeke nje kokerr legeni sa mire ta kane bo qe te hoqen nga ushtria nga sa parti ke dezertu o diversant me syze

    Reply to this comment
  5. salifi June 15, 16:42

    merr edhe ekspertin sokrat te uniformave se qekeni denoncuesit e kocos’

    Reply to this comment
  6. salifi June 15, 16:43

    dhe na shkruj pak dhe per ushtrine e enverit o gjo e rroitme spo ta them tjetren

    Reply to this comment
  7. salifi June 15, 16:44

    DELETED – nuk ka lidhje me temen e artikullit – MODERATORI

    Reply to this comment
    • Komiti 3 February 3, 14:02

      O Salif tope kandari / me shume mend paska gomari/qenke sperme tradhetari….

      Reply to this comment
      • Komiti 3 February 3, 14:04

        O Salif tope kandari / me shume mend paska gomari/qenke sperme tradhetari….

        Reply to this comment
        • Pellumb Zaimi February 3, 14:19

          Vazhdo rrugen e nisur prof. Pashaj ? Rruga e mbrojtjes se sovranitetit kombetar dhe e integritetit territorial eshte rruga qe te jep nderin e madh te patriotit. Une si gjithmone jam me ju dhe me ceshtjen tuaj te madhe. Blendi fevzinjte e kane vendin te funderrinat e historise. Misioni juaj eshte historik dhe me rendesi e peshe sa njemije fevzinj e minj falsifikatore te se vertetes.
          Pershendetje nga 22 kolege qe po festojme nje ditelindje por une kur te me vije radha e fjales dolline e pare do ta ngre per ju dhe per lavdine e bijve te Kremenarit

          Reply to this comment
  8. Mbeçi me traste krahut.... June 15, 17:50

    Shume i Nderuar Myslym Pashaj…

    Rrofsh, dmth do s’do ti, mik i panjohur, do te rrosh se s’ben, se je aq i urte e aq i permbushur, dhe aq i ndershem ndaj vetes se lindur, jo vetem si shqiptar, por ne radhe te pare si qenie dinjitoze, deri ne fund i pa varur prej llogarive, shit/blerjeve te atyre qe kurre me, sidomos pas leximit te ketij fragmenti, qofte edhe te vetem ketij fragmenti…, nuk do kene me fytyre te shohin veten e tyre as edhe ne pasqyre…

    Por ti, je Gjeneral i Madh, edhe ne fushen e Fjales, i nderuar!
    Le te mos e thote kush, ne kete Shqiperi te mbushur dingaz me shtiranake e disidente fals, ne kete Shqiperi ku edhe shkrimtare te medhenj e te famshem dalin ata, politikanet- majtas dhe djathtas- qe as ua ka mesuar kush e as dine ta duan Shqiperine e Sterese dhe Limanit, pra le te mos ta thone qe fjala jote, qofte edhe e shkeputur prej Thelbit te Idese dhe Realitetit qe mbrojte, pra thjesht qendisja e bukur e asaj pjese Blu, me det Shqiperie, mjaftojne keto faqe te perfshihesh ne ndonje Antologji te prozes poetike te pergjithnjeshme, ofruar si kujtese shqiptareve si meziprites te vlerave te saj te kujdesjes e lemimit te Fjales…

    Se, ja qe keshtu eshte, Gjeneral i Letrave Shqipe, ndokush tjeter, edhe ne keto kohet qe quhen “nën liri”, del dhe flet vetem per monolohet “nën diktature”, teksa ti provove se Njeriu, Shqiptari, Artisti, Shkrimtari, nuk e paska te lehte te rrefehet e te jete i lire, as sot e kesaj dite…
    Ti (ndjehem mire qe besoj se ma keni dhene lejen/te drejten t’ju drejtohem me TI) e pershkruaje aq madherishem skenen e studios, me sfond Kalin e Trojes, teksa ATA, edhe pse bashkekombas te tu, dukej sikur silleshin si Te Huaj, dhe ATA dukej se gezoheshin per humbjen tende, edhe pse ti beje t’u kujtoje se…o njerez, une dua te fitoj bashke me Ju, se humbja ime s’mund te mos ishte edhe juaja, nese ju jeni…lindur ne keto troje, ne keto brigje…

    Do duhej t’u thoshe “mbeçi me traste krahut…” duke kerkuar atdheun qe po e kembeni kaq lire, por as kete nuk te lane kohe t’jua thoshe…teksa rrekeshin te qemtonin ndonje gabim apo padije te deshiruar prej tyre sikur sapo te kishin zbritur prej barkut te Kalit…

    Rrofsh e gezofsh, Gjeneral,
    respekte

    Reply to this comment
  9. Gava June 15, 21:53

    Bobo akoma paskan mbet llumra, si ky salif halja? kolonel marresh dhe ditet e ketyre saliferqenefeve!

    Reply to this comment
  10. bariu June 16, 11:58

    Kur bashkohen ne nje, profesionalizmi, fuqia e personalitetit dhe nje motiv i forte siç eshte atdhedashuria, suksesi vonon por nuk harron…. Nga ana tjeter, sahanlepiresit presin sehanin e radhes, duke uruar qe te kete sa me shume mbeturina per t’i lepire…

    Reply to this comment
  11. Agimi February 1, 06:21

    Nderime dhe respekte perjete Kol.Pashaj,I shpetove Shqiperise territorin detar qe Berisha me falangat e tij ia dhane grekut. Dhe kete vetem per atdhedashurine qe te karakterizon,

    Reply to this comment
  12. Moza February 1, 09:05

    Respekt e nderim per ju ,kolonel.Te shtyu atdhedashuria ne nje sipermarrje te tille kaq te veshtire.Dhe ia dole.Sepse perfaqesoje jo thjesht veten,por gjakun e kontributin e gjithe shqiptareve te ndershem,te marinareve tane,shpirtin e shqiptareve,te mallakastrioteve etj.Edhe timin.Te lumte!E meriton nderimin e te gjithe atdhetareve dhe titullin e nderit qe te dha krahina jote.Te kishte shpirt shqiptari Jari presidenti duhet te te vleresonte .Ke bere nje sherbim te madh kombetar.

    Reply to this comment
  13. Moza February 1, 09:15

    Te lumte ,kolonel Pashaj.Meriton nderime nga cdo shqiptar i vertete.Titullin e krahines sate e ke te merituar plotesisht.Po te ishte me shpirt shqiptari Presidenti duhej te te jepte ai titill nderi.Veper e larte atdhetarie.

    Reply to this comment
  14. Mira10 February 1, 13:14

    Qeveria duhet ta dekoroje zotin Myslim Pashai me titullin e larte “Nderi i Kombit” sepse ai eshte nje patriot i vertete, nje nga patriotet e pakte qe i kane mbetur popullit shqiptar.

    Reply to this comment
  15. ...... February 1, 19:55

    Mesazhet qe te vinin ne telefonin tuaj (ata…te neveritshmit) asnjehere mos i lexo, GJENERAL!
    Lexo keto fjale zemre te ketyre bashkekpombasve dhe bashkeatdhetareve tuaj qe te vleresojne dhe respektojne thjesht dhe me gjithe zemer!
    JETE TE GJATE, MBROJTESI I DETIT!
    JETE TE GJATE, MBROJTESI I TROJEVE SHQIPTARE !!

    Reply to this comment
  16. DETI JON February 1, 23:26

    VAZHDONI KOLONEL !

    KAM SHPRESË TE JU !

    DETI ËSHTË ENDE NË RREZIK !

    Reply to this comment
  17. aqo February 2, 06:03

    Pushka TOP t’u befte z. Kolonel Pashaj!

    Ky eshte clirimi I dyte I Atdheut.

    Reply to this comment
  18. Lëmi Llukës February 2, 12:31

    Myslim Pasha është shumë llafazan dhe shumë egoist ! Ai , në Detin e për Detin Jon që shiti Saliu , shikon vetëm veten si hero . Kjo është gënjeshtër !
    Llafazanët nuk bëjnë për oficerë ,për deputet , për të llapur vënd e pavënd , Myslimi është dora vetë !

    Reply to this comment
  19. ALBAN DEGA February 3, 03:20

    KRENARIA E SHQIPTAREVE.
    HERO KOMBETAR
    Edhe i vetem trim ne lufte Myslim Pashaj. E kam ndjekur ate beteje atdhetare me shume kujdes.
    Nje beteje mediatike, shkencore, poiltike, patriotike, mbarekombetare me pinjollet e Esat Pashe Toptanit, Cubrilovocit, Zvezdes, Milloshevicit.. te dreqit e te birit.
    Luftove si fitove si luan, si hero, sI ti. Ndersa atdheshitesit Sali Rankovici, Lulezim Bashici, Arben Imamovici, Aleksander Frangivici, Ferid Hoxhici,Blendin Toptanici e co. vazhdojne te lehin si qene te cartun pa u hyre ferra ne kembe ne saje te impunitetit te vetgarantuar dhe te dhuruar nga qeveria e Nje milion shuplakave ndaj 7 milion shqiptareve.
    A e di Z. Myslim se nje nder negociatoret diplomatik kryesor te asaj megatradhetie kombetare vazhdon te jete Ambasador i Jashtezakonshem dhe Fuqiplot i Shqiperise ne OKB!?
    Pervec gruas franceze ka edhe nje merite tjeter te madhe.
    Humbi laptopin kryesor te Misionit shqiotare me sekrete te dores se pare te shtetit shqiptar dhe te NATO-s, e cila nga Beogradi perfunoi ne duart e RIA-s, KGB se sotme ruse.
    Qeveria e nje milione shuplakave per 7 milione shqiparet u bie tupanave te reformave. Njerezit nuk hane as nuk pine as nuk veshin e as nuk mbathin reforma
    Njerezit i bejne reformat por reformat nuk I pjellin njerezit.
    Edhe orvajtja barbare gati gjysmeshekullore e Qoftelargut per kllonimin e njeriut te ri polli perbindesh.
    Por pjella e 25 viteve te fundit i solli shqiptaret ne kufirin e cmendurise “Ishim me mire kur ishim me keq” .
    Kucedra antishqiptare e Beogradit e Athines, e Moskes e dreqit te mallkuar polli kucedra te pangopura me djersen e gjakun e shqiptareve, me krim e korrupsion ne cdo hap e ne cdo hallke..
    A mund te bejne reforma deformuesit e tyre?
    Mire po i bejme reformat…. po ku to gjejme zbatuesit e tyre te ndershem e atdhetar, demokrat e te drejte so puna jote o Z. Pashaj!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*