Familja e 20-vjeçares: Duam të largohemi

May 16, 2016 02:30

Familja e 20-vjeçares: Duam të largohemi

Video-skandali

 

Rrëfehet 20-vjeçarja: Kërkoj të largohem nga ky vend

Vajza Anisa. Ajo thotë se nuk është penduar për realizimin e videos

Vajza me inicialet A.A. thotë se videon e ka bërë pasi ndihej vazhdimisht nën presionin e fjalëve të ish-kryebashkiakut të Dibrës dhe për çfarë kërkonte ai ndaj saj.

Vajza 20-vjeçare me iniciale A.A. rrëfen se videon ku shfaqet edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili e ka bërë pasi ndihej nën presionin e kryetarit të bashkisë dhe se pas kësaj çështjeje nuk ka arsye politike apo premtime për para. 20-vjeçarja thotë se nuk është penduar për realizimin e videos, ndërsa kërkon të largohet nga Shqipëria pasi ndihet e rrezikuar.

Denoncimi

Pretendimi i vajzës ka qenë se kryetari i bashkisë Shukri Xhelili i kishte premtuar se do t’i gjente një punë në administratën e bashkisë nëse vajza pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Denoncuesja nëpërmjet telefonit, kishte lënë takim në zyrën e kryetarit për t’i kërkuar një vend pune, teksa ai, sipas saj, i kishte kërkuar favore seksuale. Vajza i është përgjigjur me një audio dhe video përgjim të zhvilluar përgjatë disa ditëve në muajin prill dhe që kulmon më 13 prill 2016 deri në dhomën e hotelit në Tiranë. Në videon e publikuar në media, shfaqet Xhelili duke ofruar kontratën e punës kundrejt favorit seksual dhe takimit me 20-vjeçaren për të udhëtuar drejt Tiranës në hotel apo deri edhe takime për të dalë në restorante. Në skenën e fundit kryebashkiaku shfaqet i zhveshur në dhomën e hotelit dhe gati për raportin intim me “vartësen” e tij, në mbathje e kanotiere, e në këtë pikë vajza shkëputet dhe largohet nga dhoma e hotelit bashkë me regjistruesin e vendosur në çantën e saj.

Pse e bëtë videon?
“Arsyeja pse e bëra këtë është se ndihesha vazhdimisht nën presionin e fjalëve të tij dhe për çfarë kërkonte ndaj meje. Kjo ka qenë e vetmja arsye dhe nuk ka qenë as çështje politike dhe as çështje parash.
A të kërkonte takim herë pas here?
Po. (qan)
Çfarë kërkon tani?
Unë kërkoj që…(qan)
Kërkon të largohesh nga Dibra?
Kërkoj të largohem nga ky vend.
Pse do të largohesh?
Nuk ka kuptim që të rri më këtu sepse nuk kam siguri as për familjen as për veten time.
Pasi është shfaqur videoja, ke dalë jashtë banesës?
Jo nuk kam dalë. Kam ndenjur në shtëpi.
Je penduar që e ke bërë atë video?
Jo nuk jam penduar.

Flet nëna e vajzës: Donald Lu të na ndihmojë për t’u larguar

 

Nëna e vajzës deklaron se kanë marrë kërcënime dhe nuk del dot nga shtëpia. Ajo kërkon ndihmën e Ambasadës Amerikane dhe ambasadorit Donald Lu për të larguar familjen. Në një intervistë për News 24, gruaja thotë se vajza e saj ka filluar punë dhe ai e merrte përditë në telefon dhe i dërgonte mesazhe.

1

A mund të na e tregoni historinë e vajzës suaj si ka ndodhur?
Goca ka bërë një kërkesë për punë. Kryetari i ka thënë do ta shohim, do vish pas ca ditësh edhe do të jap llafin për punë. Ka shkuar goca pas ca ditësh, iu bënë 2-3 herë që ka shkuar dhe i ka thënë do firmosësh por me një kusht që të bësh si të them unë. Edhe goca ka firmosur, pasi ka firmosur i ka thënë që do shkosh në punë. Gjatë kësaj kohe goca ka filluar punë dhe ai e merrte përditë në telefon dhe i dërgonte mesazhe. I bënte lloj-lloj muhabetesh.
Goca paraqitej tek zyra, shkonte tek zyra, pastaj i kërkoi takim gocës. Nga muaji prill. Goca shkon. Ai i thotë që do firmos kontratën kur të merremi vesh për t’u takuar. Kur shkoi goca në Tiranë nuk më tregoi se kishte edhe frikë edhe turp.

A ju kishte treguar për telefonatat dhe mesazhet?
Po më kishte treguar. I thashë që do ta zgjidh unë këtë punë, por më tha jo se do ta zgjidh vetë këtë punë. Nuk deshi të më tregonte situatën si ishte. Shkon goca e takon dhe kur e pyes unë ku do shkosh, më thotë kam një kërkesë pune, do shkoj në Tiranë se më kanë thirrur për punë. Shkon me gjithë motrën më të madhe. E kishin lënë për t’u takuar në Tiranë se tek Ora News ka bërë denoncimin, shkon komunikon me ata dhe i thonë që ne duam fakte për këtë punë. Jo se ka pasur goca ndonjë hile, se e ka bërë për punë partish. Absolutisht. Këta socialistët i nxjerrin këto, që kanë nxjerrë edhe për mua se më ka hequr nga puna.

A ke qenë ti në punë tek llixhat?
Unë në punë kam qenë para 15 viteve, jo tek llixhat, tek tatimet, tek sigurimet që s’ka pas lidhje me Shukri Xhelilin.

Po gocës i pati premtuar?
I pati thënë që do rrish këtu tek kjo punë, pastaj do shohim.

Po këtu në Dibër a e bezdiste?
Po e bezdiste shumë, ishte e shqetësuar e acaruar gjithë kohës.
Pasi u takuan në Tiranë, goca bëri këto gjëra që iu dha fund. Kur erdhi këtu më tregoi mua gjithë çfarë kishte bërë.

Çfarë i kërkoni drejtësisë?
Që kur është bërë kjo punë, unë kam dalë jashtë shtëpisë më kanë kërcënuar në rrugë njerëzit. Kemi frikë të dalim, prej mentalitetit e kërcënimeve. Kam dalë vetëm kur kam shkuar në gjykatë e polici. As djali as burri nuk kanë shkuar në punë.
Jam e frikësuar shumë, më kanë kërcënuar 2 veta të Partisë Socialiste, 2 gra. Më kanë ardhur tek dera, më kanë hyrë me zor. Më thanë po nuk na fale për këtë problem, ne i kemi krahët e ngrohta, do marrim masa. I kam denoncuar në polici e prokurori. Dy gra janë farefis të gruas së Shukriut. Edhe bodigardët e Shukriut.

Ka dalë problemi në media se ju ka përgatit LSI për këtë video?
Absolutisht nuk është e vërtetë kjo. Janë pisllëqe të Shukri Xhelilit. Janë gënjeshtra. Nuk i kam rënë në qafë njeriu dhe nuk dua të më bjerë në qafë njeri.

Sa kohë ka që ka kërkuar punë vajza?
Ka 2 vjet që ka kërkuar punë. Nuk ka gjetur punë gjëkundi, as goca e madhe, as çuni.

A e ka pas njohur më parë vajzën kryetari?
Jo nuk e ka njohur. S’kemi pasur lidhje asnjëherë. Për herë të parë është njohur me gruan e kryetarit, i kam kërkuar unë punë dhe më tha do ta bisedoj me kryetarin. Ajo tha do t’i them burrit.
Vajza i shkoi tek zyra dhe kryetari i kishte premtuar që po, i kishte thënë “që qenke gocë e bukur, gocë e zgjuar do të fus në punë”. Goca s’m’i ka treguar mua këto sepse i ka ardhur zor, se po t’i dija do kisha shkuar t’i bëja namin tek zyra. E s’më ka treguar mua si prind as vëllait se kishte frikë mos e rrahim. Kështu ka bërë kryetari me gocën time, që e ka si fëminë e vet e t’i vijë turp që i bën këto gjëra dhe i meriton ato që i ka bërë goca ime. Nuk jam pishman fare, më ka gjakun ai.

Jemi të rrezikuar, nuk dalim dot në rrugë prej opinionin e prej llafeve. Kanë ardhur edhe çuna tek dera duke folur me fjalë të rënda. Më ka dalë në rrugë 2 herë kërcënuesi i socialistes. Nuk jam e sigurt këtu.

Po bashkëshorti ka punuar?
Ka punuar në ndërmarrjen e llixhave, s’i ka rënë kujt në qafë. Unë punoj me krahët e mi. Unë kërkoj të largohem nga Shqipëria. Shteti të më ndihmojë për këtë punë. Kam frikë për fëmijët (qan). Të më ndihmojë ai i madhi i Amerikës.

Babai: Shukriu më ka gjakun borxh

Babai i 20-vjeçares thotë se Shukri Xhelili i ka gjakun borxh pasi ka shfrytëzuar vajzën e tij dhe i ka poshtëruar familjen.

Si e mësuat këtë histori?
Ka që 2 muaj që vajza është ankuar për këtë problem. Nuk deshëm ta bënim të madhe. Arriti puna që vajza e bëri vetë me iniciativën e saj dhe ka bërë shumë mirë. Shukri Xhelilit nuk i kam asnjë borxh. E kam njohur që 30 vite në Peshkopi, po paska qenë burri më i poshtër që ka shfrytëzuar vajzën time, 20 vjeçe. Bravo i qoftë vajzës sime që ia ka bërë këtë. Vetëm një gjë, Shukri Xhelili më ka gjakun borxh për këtë histori se më ka shfrytëzuar vajzën. Këtu bindje politike nuk ka në botë, hiç. Më ka poshtëruar familjen, që rri i mbyllur brenda, pa bukë, pa gjë, pa asgjë. Kërkoj ndihmë prej shtetit, nuk dalin dot fëmijët në rrugë. 2-3 herë i kanë dalë gruas e vajzës në rrugë. Dua ndihmë të më largohen fëmijët dhe gruaja prej këtej. Unë vetë do rri këtu, sikur edhe të më vrasin.

A keni mbrojtje nga policia?
Mbrojtje kam pasur deri sot në mëngjes. Unë nuk do rri gjithmonë me polici se nuk i kam gjak kujt, ai më ka mua. Jam pa bukë, duke marrë borxh në dyqane. Kërkoj ndihmën e Ambasadës Amerikane të më largojë fëmijët këtu.

Flet vëllai: Duam mbrojtje të përforcuar policore

Vëllai i 20-vjeçares kërkon mbrojtje të përforcuar policore. Sipas tij, forcat e rendit qëndrojnë deri në orën 00:00 të natës dhe më pas largohen, ndërkohë që frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme është gjatë natës. Gjithashtu ai ka pohuar se motra e tij është në prag të një depresioni  dhe ka nevojë për psikolog dhe deri tani nuk i është ofruar një shërbim i tillë.

“Familja ime ndihet e kërcënuar. Policia rri deri në mesnatë dhe pastaj largohet. Kemi nevojë për mbrojtje gjatë natës. Motra ime në depresion, ka nevojë për psikolog” ka thënë i vëllai i saj në një prononcim për Ora News.

 

May 16, 2016 02:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*