16 muaj të lumtur

September 15, 2017 10:17

16 muaj të lumtur

 

Entela Resuli – DITA

Këto kohë janë martuar disa çifte të famshmish në vendin tonë. Me popullaritetin që kanë marrë rrjetet sociale, çdo detaj i dasmës është publikuar në kohë reale, sa në Facebook dhe sa në Instagram. Madje shpesh të ftuarit kanë qenë gjatë gjithë kohës live nga festa, aq sa ndjekësve u është dukur sikur kanë qenë aty, në dasmë.

Organizimet e këtyre ceremonive kanë qenë luksoze. Aq sa portalet e ndryshme jepnin shifra deri në dhjetëra mijëra euro shpenzime. Por në fund të fundit askush nuk mund t’i gjykojë. Kanë patur, kanë shpenzuar! Me siguri zhurma që kanë krijuar u ka dhënë kënaqësi! Pasi, siç thotë një shprehje, shpesh e hedhur poshtë nga praktika: njëherë martohet njeriu!

Por ka edhe histori të cilat rrëfejnë një formë tjetër për të “festuar” apo shpenzuar paratë e një ceremonie martesore.

Një shembull konkret është historia e Sonila Qesarakut dhe Fabio Ive, të cilët pas disa kohësh lidhje së bashku, në vend të një dasme, i dhuruan vetes një udhëtim në kontinentin aziatik.

Disa muaj më parë, në Dita sollëm historinë këtij çifti, të cilët na rrëfyen se me parat e kursyera kishin ndërmarr një udhëtim të gjatë në 9 shtete të Azisë.

Këtë ditë ata janë kthyer në Tiranë duke i dhënë fund udhëtimit të tyre 16 mujor.

Sot po ndajnë me ne disa momente pikante nga kjo aventurë duke na rrëfyer një eksperiencë të jashtëzakonshme…

Po kush janë Sonila dhe Fabio?

Sonila, lindur në Tiranë në vitin 1982. Pas përfundimit të shkollës së mesme ajo shkoi në Itali për të vazhduar atje studimet e larta, për Shkenca Komunikimi. Pas përfundimit të studimeve u njoh me Fabion, një djalë italian nga Torino. Të dy, prej vitesh, punonin, por kërkonin diçka më tepër nga jeta. Nuk po kuptonin se çfarë donin të bënin realisht. Edhe pse të stabilizuar, si ekonomikisht ashtu edhe me punën, ata vendosën t’i braktisin të gjitha. Në kohën kur duhet të organizonin një ceremoni martese për të celebruar lidhjen e tyre dhe për të bërë të lumtur familjarët, ata thanë; jo. Paratë e këtij gëzimi vendosën t’i shpenzojnë për udhëtimin e tyre të jetës. Dhe kështu bënë!

Gjatë këtyre muajve kanë parë dhe njohur kultura të ndryshme. Kanë sprovuar veten në situata të vështira dhe sot po në tregojnë, ndoshta ëndrrën e shumëkujt.

Në kërkim të lumturisë

“Udhëtimi ynë ka qenë i ngadaltë, midis njerëzve lokal, duke përdorur mjete lokale. Ideja jonë nuk ishte që të vizitonim sa më shumë vende, por në çdo shtet që të shkonim të mësonim sa më shumë mbi jetën, kulturën, traditat dhe zakonet e tyre. Kemi parë Tajlandën, Indonezinë, Singaporin, Malajzinë, Laosin, Kamboxhian, Vietnamin, Srilankën dhe Indinë”- tregon 35 vjeçarja për Dita-n disa ditë pas kthimit në vendlindje.

Çdo vend i vizituar i ka mrekulluar. Nuk e besojnë që ato që kanë parë me sy do i mësonim me aq lehtësi edhe sikur të kishin lexuar me dhjetëra libra mbi historinë dhe kulturën e një shteti të caktuar.

“Laosin dhe Kamboxhia ka qenë vendet me natyrale. Njerëzit jetonin në dhoma të vogla bambuje dhe ishin shumë të buzëqeshur dhe të lumtur. Ndërsa i shihje aq të qetë, të jepnin një ndjesi paqeje”- shprehet vajza që mesa duket i ka pëlqyer shumë kultura indian pasi veshja e saj e tregon këtë.

Të shumtë mund të jenë ata që thonë se një udhëtim i tillë kushton shumë. Sonila e ka një shpjegim edhe për këtë pjesë të rëndësishme nëse do të ndërmarrësh një aventurë të tillë.

“Ne vendosëm të mos bëjmë ceremoni martese dhe ato lekë që do përdoreshin për martesën t’i përdornim për udhëtimin, sa kushton një martesë në Shqipëri? Të paktën minimumi 5000 euro? Po në Itali të paktën 10.000-12.000 euro? Po muaji i mjaltit pastaj, në Shqipëri se di, po në Itali të paktën 4000-6000 euro çifti. E pra këto lekë ne vendosëm t’i përdorim për një gjë që për ne është më e shtrenjtë se ceremonia, udhëtimi. Pra kur një person në Itali na thotë nëse s’ka lekë për të udhëtuar kur ndërkohë ka shpenzuar 12.000 euro për martesën dhe 6000 euro për muajin e mjaltit, me 18.000 euro mund të udhëtosh në Azi për 2 vjet duke jetuar mirë. Ne gjithashtu lamë punët përkatëse dhe me likuidimin e punëve (lekët që ka mbledhur ndërmarrja nga puna jote dhe që kur mbaron kontrata apo jep dorëheqjen t’i jep), vendosem t’i shpenzojmë për këtë udhëtim të gjatë në Azinë Juglindore duke blerë vetëm biletën e vajtjes”.

Sipas saj i gjithë turi ka qenë një udhëtim me çmim të ulët. Vetëm te ushqimi nuk kanë kursyer. Janë munduar që të përzgjedhin restorante dhe vende ku gatuhet mirë dhe pastër.

“Vendi ku kemi shpenzuar më shumë ka qenë Singapori ku kemi qëndruar vetëm tre ditë. Ndërsa vendi ku kemi shpenzuar më pak ka qenë India ku qëndruam 6 muaj. Kostoja e një hosteli ishte 3 euro për natë”- tregon Fabio.

Natyrisht që nëse s’ke asnjë kokërr leku është e vështirë të bësh një udhëtim se ca lekë për t’u nisur duhen, kjo është e qartë.

Sonila thotë se, “Ne vendosëm të ikim në Azinë Juglindore sepse ishte një nga destinacionet më të sigurta dhe më të lira ekonomikisht. Udhëtimi jonë është i thjeshtë, me çantë në shpinë, udhëtojmë me mjete publike, flemë nëpër hotele të lira, organizojnë shumicën e gjërave vetë pa agjenci, ecim shumë në këmbë”.

Pas disa ditësh kthim në Shqipëri ata ndihen shumë të kënaqur më eksperiencën që kanë kaluar, madje tregojnë se do e provojnë përsëri, ndoshta në një kontinent tjetër.

“Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. Ne e quajmë një diplomë jete, një diplomë masteri, doktorature e gjithçka brenda. Kemi mësuar shumë gjera për veten dhe për botën, por mbi të gjitha, kemi qenë të lumtur”- tregon Sonila së cilës i shkëlqejnë sytë teksa shpreh këto fjalë.

Një udhëtim edhe brenda vetes!

Ky udhëtim, Fabios dhe Sonilës u ka mësuar shumë gjëra si në nivel individual, ashtu edhe në nivel çifti.

“Kemi mësuar se mund të jetojmë në mënyre të thjeshtë, pa shumë gjëra e të jemi të lumtur së bashku. Na ka bërë të kuptojmë që ky udhëtimi ka qenë investimi më i madh që mund të bëhet në jetë, prandaj edhe ne nuk pendohemi kurrë që hoqëm dorë nga martesa dhe me ato lekë vendosëm të udhëtojmë”- shprehet Fabio për Dita-n.

Sipas Sonilës, kjo që ata kanë kaluar është një eksperiencë që nuk është për të gjithë, por të gjithë mund ta bëjnë.

“Unë dhe shoku im i jetës ose bashkëshorti im Fabio e bëmë këtë zgjedhje sepse donim të ishim të lirë të vendosim çdo ditë pa planifikuar me kohë të gjatë, të kishim kohë për veten dhe njëri-tjetrin, të dilnim pak jashtë sistemit dhe shoqërisë, të kuptonim më mirë nëse jeta që bënim ishte vërtet jeta që dëshironim, të kuptonim nëse puna që bënim ishte ajo që dëshironim dhe të kuptonim më mirë se çfarë vërtet duam të bëjmë në jetë, të njihnim më mirë veten tonë, të njihnim historitë, kulturat, traditat, vendet, panoramat, disiplinat shpirtërore dhe energjike që në këto vende janë shumë të zhvilluara, fetë, historitë e jetës të njerëzve lokalë dhe udhëtarësh, modele alternative të mësuarit nëpër shkolla, ushqime tipike e shumë gjëra të tjera pa kufizime kohe. Donim të kishim mundësinë të bënim një udhëtim rreth botës ashtu si edhe një udhëtim brenda vetes. Dhe besojmë se ia dolëm më sukses!”- e mbyll rrëfimin e saj, Sonila. Edhe pas kësaj bisede, ndoshta, për shumë prej jush, dilema vazhdon: më mirë një dasmë me 300 vet apo një udhëtim rreth botës?! Po ata të shtëpisë, çfarë mund të mendojnë?! 🙂

 

 

 

 

 

 

 

 

 

September 15, 2017 10:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*