Pam-pam në tajare (siç do shprehej kryeministri)

Redaksionale e Kopertinës March 1, 2013 13:29

Pam-pam në tajare (siç do shprehej kryeministri)

Ndoshta përbën një episod  që nuk ka të ngjashëm në të gjithë historinë e Ministrave të Brendshëm. “Ulu aty”. Kaq mjaftonte që njeriu që ka në dorë Ministrinë e Brendshme të bindej si një fëmijë i frikësuar, e të ulej pa bërë zë. Episodi ndodhi dje gjatë seancës parlamentare, u filmua nga kamerat e televizioneve që ishin prezente dhe u ndoq nga qindra mijëra shqiptarë.

I ndodhur në kulmin e një skandali që ka implikuar në mënyrë të qartë në shoqërinë e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamajt katër drejtorët më të rëndësishëm të policisë, ministri i Brendshëm dhuron dhe “qershinë mbi tortë” të këtij skandali, duke na konfirmuar me një shfaqje të denjë për cirk por jo për një parlament, se në fakt ai, Flamur Noka dhe  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj kanë vetëm spaletat.

Ministri u trajtua nga spikerja e Parlamentit si një nxënës filloreje që është çuar nga banka e shkollës pa leje. E bukura eshte qe pas “molestimit” publik që iu bë “tajares” së tij (po e rihuazojme këtë shprehje pikante të kryeministrit), ministry kur mori fjalën, pati një ndryshim me 180 gradë  në sjelljen e tij.  A thua se u ‘burrërua’ me ndonjë formulë magjike. Menjëherë nisi të flasë e të kundërakuzojë për takime konspirative kundërshtarët e tij në Kuvend, duke e konsideruar madje normale foton që shkaktoi tërmet e skandal.  Në një moment të dytë, kur ishte duke folur, Topalli i sugjeroi me mikrofon hapur, fjalinë e rradhës dhe ministri .. e tha menjëherë.

Por problemi kryesor nuk është Flamur Noka. E kur kanë qenë ndonjëherë problem dordolecët? Problemi kryesor nuk janë as ata katër drejtorë të kapur gafil me turshi, raki e çifteli dy ditë më parë. Problemi i vërtetë është i zoti i “parcelës”, pikërisht njeriu që dje dha një prononcim shkurt për mediet duke premtuar hetim për vrasjen e Kryekomisar Lamajt dhe që në çdo moment përpiqej të shmangte ndonjë deklaratë të thelluar në lidhje me foton  që shkaktoi skandalin.

Është “gjyshi” që pak kohë pas vrasjes së Lamajt tregonte në “facebook” se sa në begati e në “qejf të vet” ishte ai kur shëtiste në qendra tregtare me nipërit e mbesat e veta. Është “gjyshi” që ka gjetur mënyrën më të mirë për të kontrolluar rrethin dhe pushtetin e tij, duke e mbushur atë me gaztorë të emëruar në krye të institucioneve të rëndësishme dhe duke u vënë si vartës këtyre gaztorëve nga një apo dy “mjeshtra” të tij të besuar të cilët kanë kontrollin real mbi këto institucione. Është identikisht e njëjta skemë që përdor Mafia dhe pushteti okult për të fshehur qëllimet dhe veprimtarinë e saj. Ndoshta duke e paralelizuar me Mafian, mund ti kemi hyrë pak në hakë, jo “gjyshit” por vetë Mafias, pasi kjo e fundit edhe kur përpiqet të maskojë aktivitetin e saj është më serioze në përzgjedhjen e koperturave, nuk bën si “gjyshi” me kllounin e tij, tashmë i skeduar edhe si klloun i rrahur (pam-pam në tajare, siç do thoshte vetë “gjyshi”)

Redaksionale e Kopertinës March 1, 2013 13:29
Komento

1 Koment

  1. leon68 March 1, 21:17

    sa sus qe ndejti ministri kukull ..desh e rrafi Jozi sikur ta koshte femijen e vet kopil..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*