18 prill 2013

April 18, 2013 09:11

18 prill 2013

Luan Pobrati është një specialist i shërbimeve inteligjente, por jo vetëm; ai është një njohës i mirë i publicistikës dhe historisë, të cilin jeta dhe karriera e kanë lidhur shumë me politikën dhe personazhet e saj gjatë gjithë viteve, përfshirë kryeministrin aktual të vendit, me të cilin shënjon më shumë se një histori burgosjeje. Një militues i hershëm dhe i respektuar i së majtës, Pobrati vjen në këtë intervistë në DITA, me një analizë mbi Ramën dhe Metën që sugjerojmë të mos humbet nga lexuesi ynë.

Zoti Pobrati, çfarë ndjetë apo menduat ju, kur mësuat apo u shpall zyrtarisht koalicioni mes PS-së dhe LSI-së? Ç’shije la tek ju, ky bashkim i beftë?

Për hir të së vërtetës, i gjendur nga hera në marrëdhënie shoqërore e njerëzore mes njerëzve dhe të njohurish, ruajtjes së kontakteve me funksionarë të ndryshëm të PS-së dhe LSI-së, për sa ju më pyesni, diçka kisha dëgjuar të flitej përpara se kjo marrëveshje të shpallej zyrtarisht. Por është tjetër gjë, sa unë besoja në to realisht. Pra, ndërsa kisha të dhëna ose të thëna ku flitej mbi një afrim të mundshëm në mes të PS-së dhe LSI-së, nga ana ime ishte përtej çdo pritshmërie mundësia se ngjarjet në fjalë, do të ndodhnin me intensitetin dhe mënyrën si ato u realizuan. Dhe e gjithë çfarë unë them, s’ka të bëjë me mungesë predispozicioni për të ndodhur çka dëshironim të gjithë, veçse shpreh se shumëkush prej nesh, rrjedhojë e lojës së tej zgjatur e rraskapitëse midis liderëve të dy partive, tashmë veç lodhjes për atë çfarë ndodhte gjatë ‘stërvitjes’ së tyre, hera-herës na krijohej përshtypja sikur ata, pra ‘lojtarët kryesorë’ të kësaj marrëveshje, donin ta ‘shisnin ndeshjen’ pa nisur loja. Nga një anë, rrjedhojë e përballjes që ndodhte brenda ndërgjegjes së secilit duke mos gjetur dot forcë për të dalë me kohë nga mëritë e vjetra dhe, nga tjetra, të ndodhur të themi pse jo dhe përballë një presioni të jashtëm-në këtë rast s’është fjala për atë ndërkombëtar-që ndërsa tek njëra palë, vinte nga ajo pjesë e elektoratit idealist të PS-së; tek e dyta, presioni i shfaqur gati si shantazh, kishte për autor Berishën, apo njerëz me rëndësi në pushtetin e tij, i cili asnjëherë nuk do të dëshironte shkëputjen nga PD-ja të LSI-së. Gjithsesi, kjo është vetëm pak, në atë çfarë mendoj unë dhe dua të shpreh, mbi mënyrën se si e prita shpalljen e këtij koalicioni. Por ajo që do të mbetet, është me rëndësi të cilësohet si arritje e mirë realizimi i marrëveshjes, pa neglizhuar zgjerimin e më tejshëm të këtij koalicioni para zgjedhor, me ato forca politike të interesuara për largimin e Berishës dhe rotacion të pushtetit.

 

Zoti Pobrati, sipas jush, cilat janë avantazhet dhe dizavantazhet e këtij koalicioni në raport me garën e 23 Qershorit?

Për çfarë ne bisedojmë, marrëveshja në fjalë i siguron të majtës progresiste fitore të plotë dhe të sigurt. Në këtë kuptim, besoj se tek të gjithë ne, kjo nuk lë më vend për mëdyshje dhe bashkimi në vetvete është një bashkëpunim që shton mjaftueshëm diferencën, potencialin dhe efektivitetin e suksesit opozitar të sotëm, jo thjesht në sigurimin e një fitoreje numerike. Por mbi të gjitha, ai do të rrisë garancitë se Shqipëria nuk do të jetë më një vend i shndërruar në bajrak të Sali Berishës, pasi marrëveshja midis PS-së dhe LSI-së shton garancitë se pas 23 Qershorit, vendi nuk do t’i nënshtrohet më psikozës së Kryeministrit të sotëm, mbarsur me ngarkesat negative që kemi parë e jetuar në gjithë këto vite.

Ç’dua të shtoj tjetër, është se për gjykimin tim, realizimi i marrëveshjes në vetvete shpreh së pari maturinë, tolerancën dhe pjekurinë e Partisë Socialiste. Ndërsa arsyeja pse mendova ta cilësoja këtë, vjen natyrshëm pasi forca politike që në realitet humbi pa të drejtë dhe u godit pa e merituar, rrjedhojë e bashkimit apo pjesëmarrjes së LSI-së në pushtet me Berishën, ishte PS-ja dhe Edi Rama, veçanërisht kur flasim për zgjedhjet politike të 2009-ës, apo ato të pushtetit lokal të 2011- s.

 

Supozojmë se ky koalicion del fitues më 23 Qershor. Ne dimë se në vite ka pasur një raport të komplikuar dashurie dhe urrejtje mes dy liderëve të këtyre partive, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Cilat mund të jenë efektet e kësaj relate mes tyre në qeverinë e ardhshme?

Kam pasur rastin, të jem pranë njërit e tjetrit, apo afër të dyve në segmente të caktuara kohore. Nga kam njohur një Edi Ramë elokuent në fjalë dhe efiçent në punë. Simbol i shndërrimit të Tiranës, thellues në modernizimin e kryeqytetit, i cili falë një bashkëpunimi dobiprurës me Ilir Metën, që në atë kohë ishte kryeministër, arriti të evidentohej si kryebashkiak i zoti, i njohur e i pranuar si i tillë nga homologë të kryeqyteteve të Evropës e me gjerë; siç kam parë nga afër vrullin, pragmatizmin, këmbënguljen dhe pasionin për të shfrytëzuar qoftë edhe çastin tek Ilir Meta. Nga dua të them, se siç kam njohur fuqinë dhe efiçencën që arrijnë të prodhojnë këta dy njerëz kur bashkëpunojnë me njëri tjetrin, ashtu kam parë e njohur dhe sherrin që nxitet kur të dy i kthejnë kurrizin sho-shoqit.

Për këtë çështje të fundit, aq sa lejon vendi në një intervistë, do të doja të ndalesha pak. Jo për të bërë historinë e zënkave dhe mërive midis tyre, por për të thënë sipas mendimit tim, përveç sa  mbeten të fajësuar vetë Meta e Rama, një rol regresiv e negativ për ta, ka luajtur me tinzarllëk Fatos Nano, i cili përmes futjes së të dyve në konflikte; nga njëra anë synonte t’i angazhonte në një kundërvënie të pa princip, nga ana tjetër, arrinte t’u zinte këtyre kohën, duke justifikuar djallëzisht pas kësaj, dështimet politike dhe ekonomike në kohën kur drejtonte vetë, nga minimizonte ndërkohë suksesin e arritur prej Ramës e Metës, rrjedhojë dhe e një bashkëpunimi midis të dyve.

Të mos harrojmë: në mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet ndër vite brenda Partisë Socialiste, ‘lideri historik’i saj ,ndjehej njëheraz dhe njeriu më i dëmtuar nga bashkëpunimi në mes Metës e Ramës, ndaj  ishte pikërisht Fatos Nano, personi që direkt dhe indirekt, ka ushqyer gjithmonë mbjelljen e një klime mosbesimi dhe përçarëse në mes tyre; për fat të keq, as njeri dhe as tjetri, këtë lojë të pistë të tij nuk mundën ta shmangnin.

Kjo histori komplekse, shpesh herë e paqëndrueshme midis tyre, çfarë efektesh mund të ketë nesër kur koalicioni merr në dorë drejtimin e vendit?

Do të mendoja dhe doja që Ilir Meta dhe Edi Rama të kenë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe eksperienca negative e marrëdhënieve midis tyre, të mos përsëritej. Nga gabimet e së shkuarës, vetëm histori të pakëndshme mund të priten. Në qoftë se lidershipët e të dy partive, ditën të tejkalojnë me maturi çështjet midis tyre, të tolerojnë njëri tjetrin dhe të tregojnë se dinë të bashkëpunojnë e shikojnë përpara, problemet do të tejkalohen dhe efektet do të duken qartësisht, përmes progresit ekonomik dhe institucional të vendit. Është kjo e dyta, çka unë uroj të ndodhë më shpejtë dhe jam i bindur se për sa them, nuk është vetëm dëshira ime, por e një elektorati të gjerë,të majtë progresistë e  socialistë, fuqi që gjeneron energji, dëshirë e mijëra njerëzve të thjeshtë.

Partia Socialiste prej kohësh, por së fundmi edhe LSI-ja, kanë konsideruar dhe kanë vënë theksin sidomos me influencën gati totale të Berishës ndaj institucioneve në vend. Ky ekspansion i influencës së Berishës është ushqyer në mënyrë të veçantë edhe nga avantazhi që atij i kanë sjellë ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008. PS-ja ka bërë publikisht një “mea culpa” për këto ndryshime. Por a  mos duhet të ketë angazhime më konkrete për të ç’bërë këtë kontekst Kushtetues?

Me siguri ju nuk mendoni se jeni duke komunikuar me një specialist të politikës. Përmes kësaj interviste, unë pranova të flas, brenda zërit të një majti progresist, të një njeriu që si pozicionin e tij politik natyror e gjen përkatësinë në parimet e majta  dhe që medeomos kërkon ta shohë atë në krye të qeverisjes së vendit. Megjithatë për sa ju pyesni, unë e kam një përgjigje: Pas 23 Qershorit, kur e majta progresiste pritet të kalojë në qeverisje të vendit, ajo duhet të sjellë domosdo normalitet në shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit dhe sistemit në tërësi. Këtu kam parasysh, jo vetëm rregullimin e Kodit Zgjedhor, por edhe krijimin e një klime Kushtetuese në parim e praktikë, për të konsoliduar pas kësaj çështjen më të rëndësishme, por më të dobëtën në këto vite, funksionimin e institucioneve të së drejtës.

Pas shpalljes së koalicionit, ka pasur një debat intensiv në medie, në lidhje me raportin që kjo lëvizje politike ka me pragmatizmin dhe moralin. Ju si e keni analizuar dhe ku e gjeni veten mes këtij debati të ethshëm të ditëve të fundit?

Qeveria e pas 23 qershorit, në tërësinë e vet, do jetë padyshim një qeverisje e majtë, e udhëhequr nga Partia Socialiste. Do të dëshiroja në radhë të parë, që kjo qeveri të ishte në pozicion korrekt me moralin. Por, a jemi ne të kulluar sa të kërkojmë një moral të kulluar? Për më tepër në një terren ku ndërthuren përgjegjësitë, interesat, egoja dhe ambicia siç është politika. A e kemi ne luksin të zhbëjmë qëndrimet amorale, pasi tjetër gjë janë ato pragmatiste? Për mua, pragmatizmi do të vazhdojë të jetë pa kushte pjesë e lojës politike, amoralët në kuptim të gjerë të fjalës, duhet të jenë jashtë saj. Morali për mua mbetet i pari, pas tij vjen pragmatizmi. Madje do ta kisha të vështirë të kuptoja pragmatizmin, pa prezencën dhe kontekstin e një morali .

Edi Rama dhe Ilir Meta kanë më shumë gjëra që i bashkojnë, apo që i ndajnë?

Duke i gjykuar nga vrulli, këmbëngulja, pasioni, ambicia, kanë më shumë gjëra që i bashkojnë. Por nuk do të dëshiroja, që brenda cilësive që përmenda të rishfaqnin edhe gjërat që i ndajnë.

Si e mendoni qëndrimin e Ramës dhe të Metës në lidhje me trajtimin e një Berishe që del i humbur nga zgjedhjet e 23 Qershorit?

Kjo s’duhet të jetë më problem i tyre. Nëse flitet për të ardhmen e Berishës si politikan, kjo mbetet  një e keqe e madhe e PD-së në radhë të parë dhe e Shqipërisë. Nëse flitet për raportin e qeverisë së Berishës dhe vetë qytetarit Berisha me drejtësinë, kjo është problem i drejtësisë. Sikundër dua të them, që edhe drejtësia,  nuk duhet të ketë në vëmendje të saj vetëm bëmat e opozitës së nesërme, por edhe ato të pushtetarëve dhe zyrtarëve të pas 23 qershorit.

Pas shpalljes së koalicionit PS-LSI, zoti Meta ka dhënë disa intervista në medie. Më ka bërë përshtypje fakti se ai, herë pas here përsërit faktin se LSI dhe kryetari i saj, kanë respektuar gjithnjë marrëveshjet politike. Ju si mendoni, i respekton vërtetë marrëveshjet politike zoti Meta?

Pyetja është interesante. E kam vënë re këtë deklaratë të tij. Megjithatë, nuk mendoj se kjo është një pyetje që ezaurohet me një përgjigje. Në marrëveshjen e vitit 2009, që zoti Meta bëri me Berishën, kam vënë re se në planin institucional, ai e respektoi atë. Por s’e kam ende të qartë, nëse kjo  erdhi si rrjedhojë e skrupujve vetjak të zotit Meta, apo nga fakti se kishte Sali Berishën përballë, i cili si pjesë të synimit për ruajtjen e pushtetit të tij, të imponon edhe respektimin e marrëveshjes. Por cilado qoftë e vërteta, ne kemi tashmë një marrëveshje dhe aleancë me LSI-në, që e ka përmbushur zotimin që bëri me PD-në. Siç ka raste të tjera në karrierën politike të Metës, flas për kohën kur militonte brenda Partisë Socialiste, ku ai e ka parë veten të ‘tradhtuar’ nga njerëz, prej të cilëve, përmes forumeve të PS-së kishte marrë më parë konfirmime politike dhe institucionale.

Si e shikoni ju lëvizjen e fundit të Berishës për zëvendësimin arbitrar të anëtarit të KQZ-së?

Që të jem i sinqertë, unë nuk mendoj se marifetet me konjukturën, sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor. Për më tepër kur kundërshtari yt është i favorizuar në KQZ, jo vetëm numerikisht, por edhe nga fryma e përgjithshme shtetërore. Por, siç e thashë dhe më lart, unë i besoj një mobilizimi të pashoq të së majtës. E majta është posaçërisht e mobilizuar për të vënë në vijë pas 23 Qershorit, punët e vendit dhe s’mund të cenohet nga një biçim refleks paniku, që Berisha tregoi me zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së.

Mobilizim.. Kjo ishte përgjigja dhe thirrja e Erjon Braçes, menjëherë pas votimit në Kuvend për anëtarin e ri të KQZ-së…

Ndihem mirë që cituat një deputet, që në këndvështrimin tim dhe të mbarë opinionit të gjerë socialist është ndër simbolet dhe përfaqësuesit dinjitoz të ideve të majta në këtë vend. Nuk e kam fjalën thjesht për protagonizmin e tij. Por mendoj se Erjon Braçe është një nga politikanët me tregues shembullor, si vet nervi i së majtës. Është e rëndësishme të thuhet kjo për të, sidomos kur flasim për konsolidimin e të majtës progresiste në Shqipëri. Në Partinë Socialiste përfaqësimi i ideve të majta si në rastin e Braçes, stimulohet dhe nxitet duke u shtuar në nivel përfaqësimi . Janë të rëndësishëm zërat që nuk e përdorin të majtën si instrument, por e ruajnë dhe e kanë atë bindje e ideologji.

April 18, 2013 09:11
Komento

5 Komente

  1. Blendi April 18, 13:56

    DELETED – I NJEJTI PERSON MUND TE KOMENTOJE DY HERE, POR VETEM NESE FUTET ME TE NJEJTIN NICKNAME. JU KENI KOMENTUAR DISA HERE DUKE SHKRUAR TE NJEJTEN GJE ME NICKNAME TE NDRYSHEM

    Reply to this comment
    • Blendi April 18, 18:59

      Pershendetje stafit. Me siguri qe do te kete qene ndonje ngaterrese me adresen ip.

      Kam komentuar vetem nje here dhe kete me nick-un tim, gje qe e bej pa perjashtim.

      Ne komente nuk ofendoj njeri. Thashe vetem qe artikulli nuk eshte interesant, dhe ky ishte mendimi im i sinqerte. Kjo pasi artikulli nuk sillte asgje, qe nuk dihej.

      Nese ishte kjo aresyeja qe keni hequr komentin, dhe e justifikoni me me komentim me nicke te ndryshme, do te ishte per te ardhur keq dhe me teper se ju nderon, ju ben dem. Minon besimin tek gazeta.

      Tung,
      Blendi

      Reply to this comment
  2. petrit zili April 18, 14:23

    Çorapeja e thurrur keq dhe tashmë në kalbje e administratës publike të kësaj qeverisjeje në “theqafje”, veçanërisht sa i takon nivelit drejtues tanimë ka mbetur pa një “pe’” të rëndësishëm , është këputur peri i LSI-së , të cilin po mundohen ta arrnojnë si të munden, ta rithurrin , për të kaluar këtë kohë emergjence në këto ditë sa u kanë mbetur, por ai po shmbështillet si lëmshi i Penelopës jo natën , por ditën për diell. Duke qenë se “ laj – thaj” po ata njerëz kanë , heqja e drejtorëve të LSI-së po shoqërohet me një rrokadë drejtorësh nga një institucion në tjetrin më së shumti për të rregulluar llogaritë elektorale mes vetes dhe “ për t’i gjetur njeriut punë e jo punës njeri”.
    Por nuk është ky problemi që duam të ngremë në këtë shkrim. Problemi është shumë më i thellë dhe ka të bëjë me paligjshmërinë e të gjithë drejtorëve të emëruar të paktën në qarkun e Dibrës që nga viti 2005 deri në vitin 2013 , ndofta përfshirë dhe këto “ rrokadat” e fundit.
    Në vitin 2006 , kur PD sapo kishte bërë një vit në pushtet një titullar i lartë vendor nga rradhët e PD-së, duke parë maskarrallëqet në kuptim e parë të kësaj fjale , që bëheshin me emërimin e drejtorëve në institucionet qëndrore në nivel vendor , (kompetencë kjo propozuese e prefektit dhe vendimarrëse e ministrit të linjës) e në fakt realizohej vetëm me propozim të drejtëpërdrejtë të partisë , iu drejtua me shkresë të gjithë qeveritarëve , përfshirë dhe Kryeministrin , gjithë deputetëve të qarkut , të majtë e të djathtë , duke kërkuar që të zbatohej ligji e drejtorët të mos i emëronte partia. Pas një heshtjeje vrastare nga të gjithë , pushtetari u dertyrua t’u drejtohet organeve të shtypit. Si rrufe në qiell të kaltër një gazetë e përditshme , e pavarur, botoi shkrimin e drejtuesit vendor me titull “PD e Dibrës – kupolë e krimit”. Një veprim i tillë ishte një ngjarje e rëndësishme për kohën . Duke ditur se cila është PD , ky akt , ndonëse korrekt e tepër ligjor , u konsiderua nga opinioni si tepër i guximshëm. Përsëri heshtje e avazi vazhdoi , drejtorët i propozonte partia dhe i miratonte pa një pa dy ministri i linjës duke firmosur kështu shkeljen më skandaloze të ligjit . Këta drejtorë , të emëruar në këtë mënyrë , kanë ushtruar detyrën funksionale e kanë kërkuar zbatimin e ligjit nga administratat përkatëse , duke qenë vetë të paligjshëm , ashtu si qeveria e sotme e pakicës dhe duke mos pasur asnjë mundësi që nesër t’i drejtohen gjykatës në mos kujtohet dikush t’i kallëzojë në prokurori për ushtrim funksioni në mënyrë të paligjshme.
    Duke pasur informacione të plota se kështu , si në Dibër, po ndodhte kudo në Shqipëri, deputetët socialistë morën nismën për ta hetuar këtë problem , por dhe ata sepse e lanë në mes të rrugës. Nisja e punws sw komisionit parlamentar i vuri nw siklet
    “ drejtorwt e partisw” tw cilwt u kujtuan se duhet t’i kishte propozuar prefekti, por kjo nuk zgjkati shumw , mw pas vazhdoi “ normaliteti”. Vitet ecën e bashkë me ta dhe problemet e emërimit të drejtorëve, gjithmonë i njëjti avaz . Për të krijuar një ide të qartë mbi paligjshmwrinw absolute tw drejtorwve biem për lexuesin një shkresë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë tanimë pas pesë vitesh qeverisjeje , kur PD ka marrë mandatin e dytë . Ja çfarë shkruhet në të :
    “ I nderuar zoti Kryeministër!
    Më lejoni që të shpreh konsideratat e mia për mënyrën se si Ju po e drejtoni Qeverinë dhe Shqipërinë , konsiderata të konsoliduara këto jo vetëm nga unë, që përfaqësoj Qeverinë në Rajon , por së pari si njeri që shikon dhe vlerëson drejtimin shkencor, orientimet e sakta , perspektivat e qarta për ndryshimin e mëtejshëm të këtij vendi nën drejtimin Tuaj.
    Por mendoj se jo kudo ecet , ashtu siç Ju kërkoni e dëshironi , ndaj guxoj të sjell shqetësimin e madh në konsiderimin tim për paligjshmëritë që vazhdojnë të bëhen në emërimet e drejtuesve të institucioneve qëndrore në nivel vendor , të cilat tashmë kanë arritur pikën e ngopjes dhe më bëjnë të dyshoj se, përveç shkeljes së ligjit nga ata që bëjnë veprime të tilla , brenda këtyre emërimeve ka dhe qëndrime klienteliste , për të mos besuar përfoljen dhe për interesa personale që lidhen me mitmarrjen.
    Sa sipër me lejen Tuaj parashtroj disa ndodhi të pakëndshme në qarkun e Dibrës .
    Në nenin 9 , paragrafi 2 të ligjit nr.8927, datë 25.07.2002 “ Për Prefektin”,“Përgjegjësitë për emërim dhe shkarkim”, thuhet shprehimisht: “Prefekti i propozon ministrit ose drejtuesit të institucionit qëndror përkatës emërimin dhe largimin e drejtuesve të institucioneve qëndrore në nivel vendor që veprojnë në territorin e qarkut . Në rastin e emërimit propozohen jo më pak se dy kandidatura”.
    Ligji është i qartë , por sa thuhet në ligj kurrë nuk u zbatua.
    Pa i kushtuar asnjë lloj rëndësie personale këtij fakti në këndvështrimin që kompetencat e Prefektit i kanë shfrytëzuar dhunshëm dhe në shkelje ligji persona të tjerë , do të ndalesha në impaktin negativ të këtyre emërimeve duke filluar që nga ana formale pasi në detyrën e emëruar janë të paligjshëm dhe njëkohësisht të pambrojtur e deri në mangësitë në punë të konstatuara nga institucionet e emërtesës, të cilat në përpjekje për të ndrequr gabimet e tyre kanë bërë shumë shpesh emërime e ç’emërime duke vetëpranuar kësisoj se zgjedhjet e drejtuesve kanë qenë të gabuara.
    Sjellim pak fakte konkrete. U ndërruan katër herë rresht drejtuesit e Tatim – Taksave në Dibër , asnjëherë nuk u pyet Prefekti as për emërimin , as për shkarkimin e tyre , qoftë për të dhënë thjesht një mendim . Ikën njëri pas tjetrit drejtorët Luan Xhani , Ilir Kurti , Bujar Kurti , Gazmir Zeneli.

    Dihet që kush largohet , nuk largohet për punë të mirë.

    Në sektorin e shëndetësisë emërimet dhe largimet shkojnë dhe më tej në paligjshmërinë e tyre. Largohet nga detyra drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik Dibër, mjeku Lutfi Bruçi , e në vend të tij emërohet mjeku Pajtim Gjiza. Më pas largohet Pajtim Gjiza e zëvendësohet nga Fadil Qoku. Në telenovelën e çudisë largohet nga drejtimi zoti Qoku e rivihet përsëri zoti Gjiza. Arsye që të justifikojnë veprime të tilla nuk mund të gjinden e aq më pak të bindin.

    Emërohet në detyrën e drejtorit të drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor Parësor Dibër mjeku Dritan Hajdari. Largohet nga detyra dhe fillon punë mjek e më pas risillet drejtor në Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në vend të zotit Gafur Kadriu.

    Emërime e ç’emërime në arsim e shëndetësi në të tre rrethet e qarkut , emërime e ç’emërime në shumë e shumë institucione të tjera dhe prefektit i mbetet që , pasi të shikojë fytyra të reja në çdo mbledhje , të pyesë për emrat e tyre dhe çfarë përfaqësojnë dhe , kur mëson se janë drejtorë të rinj , t’u urojë suksese në punë në realizimin e programit të Qeverisë.

    Pyetjet që shtrohen me të drejtë janë: A mban kush përgjegjësi për emërimet e gabuara të bëra në mënyrë të gabuar dhe ligjërisht?! A duhet të përgjigjet dikush pse ka emëruar drejtorë e më pas i ka larguar për t’i risjellë?! A duhet të mbajë kush përgjegjësi për faktin se të përzgjedhurit nuk kanë qenë më të mirët në llojin e tyre , nuk kanë dhënë e as kanë realizuar atë për të cilën janë vënë në drejtim dhe më pas janë larguar si pa gjë të keq?!Në emërimin e drejtorëve a është mbajtur parasysh fakti që personi i emëruar duhet të garantojë realizimin e programit të Qeverisë në sektorin e caktuar?!A mendojnë këto organe emërtese se me emërime të tilla të pastudiuara jo vetëm pengojnë realizimin e detyrave , por krijojnë dhe imazh të keq në popull ?! A mundet që dikush për interesa të çastit të sakrifikojë interesat e Qeverisjes e të mos mbajë përgjegjësi?!

    I nderuar zoti Kryeministër!Kam besim të plotë dhe të palëkundur në mirëkuptimin Tuaj për problemet e ngritura, të cilat personalisht i konsideroj me rëndësi të veçantë”.

    Kështu shkruan titular, i që në ndërgjegjen e tij ka vetëm zbatimin e ligjit , titullari i cili do që ky vend të bëhet. Ua tha , por kujt?! Telenovelat me emërime e shkarkime drejtorësh nga partia në shkelje flagrante të ligjit kanë vazhduar gjatë tetë viteve si “ 100 Vitrinat”. Se mos vallë qeveria nuk e ka shkelur ligjin?! Vetëm 28 herë e ka kapur Gjykata Kushtetuese në shkelje të Kushtetutës , sa për ligjet , “eha, punë ligjesh”.

    Reply to this comment
    • senova April 18, 16:44

      Nën hijen e nderit maskuar,
      Nuk lë pa ndërruar dyshekë,
      Surrat tualet tejrënduar,
      Me veshje mondane, pa brekë.

      Përditë me epshin e saj,
      Tundon e josh tamaqarët.
      Kot thonë që muaji Maj,
      Është muaj i afshtë për gomarët.

      Vjen ora dhe fatin kërkon,
      Martohet në mesin e udhës.
      I urti uron dhe mallkon:
      ”Paç fatin e kurvës!”

      E lindur si bijë binjake,
      Fytyrën pa ngjyrë, me pika,
      Me bishtin e fryrë dhelpërake,
      Lavire plakë politika.

      Reply to this comment
  3. sokrat kotherja April 18, 16:41

    Z.Pobrati, duke ju lexuar mendja me shkon tek shoku Sali,që u ngrys komunist dhe u gdhi demokrat.Pastaj u bë kapitalist i ri,babai i firmave piramidale në Shqipëri.Mendja ime kaq desh dhe shkon me vrap tek vitet 1996-1997.Një grumbull njerëzish,burra,të rinj,gra…Duket sikur presin diçka.Vështrimet e tyre sikur e tradhëtojnë shqetësimin.Kërkojnë me ankth në disa lista të varura në mur.Ah,sikur…sikur…sikur..!Ka shumë në Shqipëri,si këta e si ata…Viktima me ëndërra të fikura,të grabitur nga vjedhja më spektakulare e shekullit,nga premtimet çudibërëse,që rrënuan e çuan drejt një dimri të akullt.Kështu u fut paraja në vendin tonë të bukur.E ndrojtur pak,e fshehur për merak.Në vendet e pista rrinte e strukur,se nuk i kursente premtimet biznesi i vetshpallur.Vallë,ajo para e rrallë,si do të pillte aq shumë dollarë?Mendonte një burrë i thyer me një xhaketë kadife,e përdorur në vite…Me dhëmbë të nxirë,me flokë të thinjur.Pa pritur e pa kujtuar i erdhën në mendje,vitet kur komunistët shqiptarë të sapo konvertuar,çekun e bardhë sapo e kishin nënshkruar.Vendit të shqipeve vetëm ca bunkerë i kishin mbetur pa rrënuar….Ofensiva e pa thyeshme e parasë,fiton terren,sa vjen e rritet.Nga Perëndimi kthehen njerëzit me telefon celular,me gota uiski.Në ndihmë të kusarëve po vinte rasti…Piramidat si kërpudhat,një nga një po dalin.Për të ushqyer këto bisha paraja kërkohet edhe atje ku fshihej.Në bufetë e divanët e çdo shtëpie .“Shoqëria e Mirëqënies’’fryhet,mburret.Për shqiptarët e thjeshtë fillojnë kusuret.Spekullatorë të duruar,me fitim të dhjetëfishuar ,njektojnë paratë e tyre në ekonominë që po lindte,se e dinin nga del fitimi.Rritja e kërkesës stimulon ofertën,në këtë lloj regjimi.Dhe vitet rridhnin.Vlora e ndryshon fizionominë.Pihej e njëjta kafe,si në Bari e Brindizi.Fillimi i luksit…Në Tiranë,metamorfoza u bë më e prekshme.Ish shetitorja-gjithë piceri…Tirana ka veç automobilë.Vajzat mbajnë xhinse italiane.Biçikletat janë jashtë mode.Kënaqësi të reja që shpërthejnë.Paraja gjithçka fsheh. Ndërmarrjet e rrënuara krejt.Plehërat ku zihen minjtë e qentë.Eshtë fillimi i viteve të dinastisë…Të dinastisë më të pathyeshme,me emrin dinastia’’Leku’’.Ngrihet bursa,të luan tepeleku.I kapitalizmit që po lind është ky tempull.Por të çmend tregu.Shitet e blihet në një katrahurë.E improvizuar,e privuar nga çdo rregull.Aksionet e ndërmarrjeve shiten pa turp,me çmim qesharak.Qeveria demokratike me zellin e saj liberal,pasurinë kombëtare me 1/10 e vlerës nominale e kishte shpërndarë.Piramidat u bënë solide.Përfitime brenda pak ditëve.Pafund reklama.Një shtyp i gangrenizuar nga hataja,nga paraja.Fshatarët s’i shmangen tundimit.Pasuria e tyre zbret në qytet.Eshtë koha e besimit….Eshtë koha e besimit të verbër tek sportelet e firmave magjike,me emra tingëllues e joshës,”Vefa”,”Populli”,”Xhaferri”…
    Krokodilë që gllabërojnë,tek Emil Zola më çojnë. Tek romani”Paraja”…Sa e madhe është dhimbja!Më kujtohet Sakardi,ky tregtar iluzionesh.Të ngre peshë me premtime,me truke e projekte fiktive.Seç më ngjante me Vehbiun, kapterin e ushtrisë.Seç me ngjante me Saliun,“Simbolin” e demokracisë. Besimin e turmave njerëzore,asgjë nuk mund ta lëkund.As edhe fjalët e përhapura:-Bëhet fjalë për pastrim parash…O zot! O zot! O zot!S’ka më keq se sot!Jemi shumë larg realitetit!Ja,shpërthen edhe kreu i shtetit:-Paratë e shqiptarëve më të pastrat në botë!…Ja dhe sinjali që prisnin.Ata që e kishin me mëdyshje,ata që hezitonin,tani shtyhen nëpër sportele.Hedh shtat besimi i verbuar.Ishte momenti i iluzioneve të fundit….
    Kurrë nuk kishte qenë kaq i sigurtë,shqiptari për t’u pasuruar.21 dhjetor 1996.Mëngjes i vrenjtur ngarkuar me shi.Një kortezh i gjatë makinash përshkojnë qytetin e Vlorës.Presidentja e “Gjallicës” flet me një zë trishtues:
    -Do të ketë më shumë të humbur,se sa fitues…Janar 1997.Televizioni lajmëron.“Sudja” falimenton,“Gjallica” nuk beson… “Populli”, Xhaferri” kërkon…Për të tjerat… më vonë.Britma vinin nga njerëzia:-Qeveria grabiti pasurinë tonë!…Atëhere zuri fill kaosi.Turma e irrituar kërkonte kokën e shefit.Zemërimi popullor u vërsul mbi gjithçka,që simbolizonte shtetin,pasurinë dhe njerëzit e tij.Morën flakë disa bashki…Burgjet u shpërthyen.S’ka më shtet.Saliu bëhet president.Ironia e sarkazma ,gërshetuar me banda…Tani ethet e parave po shkruanin epilogun e tyre.Shqiptarët u zgjuan nga ëndërra…Shqiptarët u zgjuan nga ëndërra, por pasojat qenë shumë të rënda.Ata që futën paratë në këto firma nuk panë më ditë të mira.I mbyti trishtimi,vuajtja,mjerimi.Pati nga ata që ikën për fare nga kjo botë mizore…Sikur e morën njeri-tjetrin për dore,ndërsa ai që iku nga froni me bisht ndër shalë u bë ngjalë,përsëri ëndërronte për pushtet e pasuri,sepse ishte zemërgur e shpirtzi,sepse mbi të gjitha nuk veproi e flamosura drejtësi.Pse nuk veproi,nuk e di.Një gjë e di mirë.Ai e bëri realitet ëndrrën e tij.Erdhi përsëri në fuqi,s’ka gjë se u vesh me të zeza nëna Shqipëri.Sot drejtësia sikur jep shpirt nën këmbët e tij.Deri kur kështu,moj demokraci!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*