A po afrohen prangat?

December 18, 2015 01:43

A po afrohen prangat?

Svetozar Maroviç është një figurë kryesore politike në Malin e Zi fqinjë. Ai ishte pjesë e triumviratit që përfshin edhe “të përjetshmin” Milo Gjukanoviç dhe Momir Bullatoviçin, ish kryeministrin “e famshëm” që pranoi hapur se kishte bërë marrëveshjen me presidentin shqiptar Sali Berisha për lejimin e kontrabandës së naftës dhe mallrave gjithfarësh në vitet 90-të, duke thyer kështu embargon e vendosur nga OKB ndaj ish Jugosllavisë. Pasi Gjukanoviç u ftoh me Millosheviçin, Maroviç ndryshe nga Bullatoviç mbajti anën e të parit. U bë dhe presidenti i parë dhe i vetëm i krijesës me emrin “Unioni Serbi – Mali i Zi”, para se në vitin 2006 Mali i Zi të shpallte pavarësinë.

Maroviç është arrestuar dje, me urdhër arresti të prokurorit special Katniç, nën akuzën e abuzimit me fonde në qytetin kyç turistik, Budva. Tipik është edhe një detaj tjetër: Bëhet fjalë për korrupsion familjar! I biri, e bija, halla, vëllai… Shuma përflitet deri në 120 mln euro, por më shumë se shifra, fakti i vendosjes së prangave për figurën më të lartë politike deri më tani në fqinjin tonë veriperëndimor, nën akuzën e korrupsionit, është mjaft domethënës. Aq më tepër që Mali i Zi ka kërkuar këto ditë avancimin e çështjes së anëtarësimit në NATO.

Mbi vendet e Ballkanit, Perëndimi ka kohë që bën presion për një hap cilësor dhe konkret antikorrupsion. Ky hap kërkon që “askush të mos jetë i paprekshëm”. Para pak javësh, DITA ka shkruar mbi padinë ndaj ish presidentit rumun Iliesku, për katër vrasje (shifër dhe përkim interesant) të dyshimta minatorësh në një protestë në vitin 1991. Ne përmendim rastin kroat të arrestimit dhe dënimit të ish kryeministrit Ivo Sanader, një model që duhet ndjekur; kemi një ambasadore të BE-së në Tiranë, zonjën kroate Vllahutin, që krahas ambasadorit amerikan dhe atij gjerman, flet pa doreza dhe pa arra në gojë mbi atë se ç’duhet të bëjë Shqipëria në fushën e drejtësisë e që lidhet direkt me antikorrupsionin.

A mos “afrimi edhe gjeografik” i prangave ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë, drejt kufirit tonë, lajmëron për diçka?

Padyshim, gjeografia është shkenca e fundit që do na shërbente për të kuptuar ndonjë gjë më tepër lidhur me këtë. Kuvendi shqiptar dje miratoi me shumicë “diktatoriale” votash ligjin mbi dekriminalizimin, çka në raste të tilla është shenjë e mirë. Tani mbetet reforma e shumëpërfolur në drejtësi. Është cilësia dhe thellësia e kësaj të fundit, ajo që do na japë të kuptojmë nëse gjeografia e antikorrupsionit vlen për këtë rast. Nëse dekriminalizimi do na sigurojë se në politikë, Kuvend, administratën e lartë etj, këtej e tutje do kemi vetëm “gra e burra të mirë”, dhe çdo aferë e tyre do shkojë përpara kësaj drejtësie që kemi sot, atëherë nuk kemi bërë asgjë, përveç makijazhit të radhës.

Shqipëria nuk ka një prokuror special, çfarëdo që të nënkuptojë kjo.

Ky që kemi sot, i përgjithshëm por aspak special, ka lajmëruar disa shtatorë e disa vjeshta rresht, se do të bëhet hataja dhe do dëgjojmë çudira. I kemi hyrë vendçe dimrit 2015-2016 dhe asgjë nuk ka ndodhur. Dhe kjo, në fakt, është hataja e vërtetë. A do të ndjekë Shqipëria ndonjë linjë antikorrupsion, qoftë dhe e fundit e zinxhirit rajonal kontinental, siç e kemi bërë gjithnjë zakon në epokat e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike? Apo do të mbetemi një “rast i veçantë”, siç thoshte Ramiz Alia, as lindje dhe as perëndim? Që në shqipen reale do të thotë as mish, as peshk?

Sot në Tiranë u zhvillua një protestë, e dyta e opozitës pas asaj të 8 dhjetorit të kaluar. Rradhët u tkurrën dhe militantët apo simpatizantët u mblodhën, dëgjuan fjalimet e liderëve dhe u larguan. Fakti që qeveria e koalicionit të majtë, megjithëse ka kryer disa gabime që në një periudhë krize ndërkombëtare (ekonomike e politike) i shumëfishon të pakënaqurit, sërish nuk kërcënohet seriozisht nga opozita, tregon se kjo e fundit jo retorikisht, por edhe në terren nuk ka sesi të mbledhë besimin e njerëzve. Edhe të atyre që janë zemëruar me këtë të majtë. Sepse është partia e ish zyrtarëve të pandëshkuar, e zullumqarëve që janë njëherësh edhe përgjegjës në masë të konsiderueshme, për pakënaqësitë e sotme. Janë mbi të gjitha, fajtorë të provuar në vjedhje fondesh e votash, vrasje e tradhti kombëtare.

Por një paralajmërim nuk mund të mos bëhet: Nëse ky vend vijon të mbetet “as mish e as peshk”; nëse shqiptarët e harrojnë pandëshkueshmërinë proverbiale dhe nën presionin e pakënaqësive të sotme hedhin pas krahëve krimet e djeshme, duke votuar sërish KËTË të djathtë, i kujt do të jetë faji?

December 18, 2015 01:43
Komento

3 Komente

  1. Preng Pjetri December 18, 08:13

    Ju pershendes perzemersisht kolegjium i gazetes DITA!
    Tashme audenca juaj êshté mjaft e madhe si nga lexuesi gjithashtu edhe nga vizitoret viziv.
    Ndaj ndihemi njerez me fat qe kemi nje gazete informuese dhe komunikuese te permasave gjigante.
    Jeni vertet heronje!
    Nga zemra ju uroj Gezuar festat!

    Reply to this comment
    • Kusaxhe December 18, 15:58

      Ne pritje te vendosjes ne vend nderi i Shqiptareve Drejtesi dhe vetem Drejtesi

      Ligj i i barabarte per te gjithe . Kush ka dhunuar Shqiperine dhe Shqiptaret ne
      Burg

      Reply to this comment
  2. Lori December 18, 18:58

    A ka ardhur koha qe “Sali Bin Ladeni” i Ballkanit te arestohet ose te asgjesohet nga ata qe prej mese rreth 34 vjetesh e pergatiten e peroren e mbrojten sa s’ka me e tashti mo valle duan ta asgjesojne!Vetem ajo force qe e polli e rriti ne krim e manipuloi sa here desh mund e duhet ta qeroje kete vemje shqipetare qe shkateroi jo vetem vendin por edhe tere shoqerine shqipatare!Per mua per kryekrimin kur s’ka per te patur burg ose mund te beje burg si Ramizi,si Nanua si Fullhajni e me pas ai te fitoje ose amnisti ose gjykatat ta nxjerrin si te paster per akuzat e ngritura!Tere shoqeria Shqiptare mund te perfundoje ne burg e vetem ‘burri i shtetit” jo ,se siç kane theksuar edhe disa indivite te veshur me pushtet e kollare ai ka merite ne hapjen e Shiperise drejt nje rruge te nje shoerie rrugaçe ku vrasjet,vjedhjetzene vend kryesor ne kete percaktim te 14 vjeç dhenderit,te Tit Xhanit qe eshte zotuar per mos ndeshkim e te ndonje lavire bulevardi qe hedh rromuza posht e larte qe eshte Sali Berisha pa jemi ne e i gjithe populli shqipetar!Une jam pesimist se mund te vije nje dite e tradhetaret e kombit,vrasesit,hajdutet e pronave shteterore te mund te denohen e tu konsfikohen pasurite e paligjeshme e jo te futen ne burg per te marre nje dite pensione si te perndjekur politike ose si Fullhajni qe nga Guvernator i Banke eshte Guvernator i Tiranes!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*