18-vjeçarja shqiptare me bursë 75 mijë USD në Abu Dhabi

March 25, 2016 09:48

18-vjeçarja shqiptare me bursë 75 mijë USD në Abu Dhabi

Nga Entela Resuli

Ajo është 18 vjeç, studion në Universitetin e New Yorkut në Abu Dhabi, në vitin e I. Është e para shqiptare që shkollohet në këtë kampus universitar dhe për këtë ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve të shkollës, por edhe të gazetave atje, duke u evidentuar, jo vetëm për vendin nga vjen, por edhe për stilin që ka.

Kur themi Abu Dhabi, gjëja e parë që mund të na vijë në mendje është luksi, plazhet e bukura, ndërtesat e larta, dritat e shumta… dhe shumëkush mund të dëshironte të jetonte atje. Imagjino që të bësh jetën studentore në këtë vend e për më tepër kur shpenzimet e tua janë të mbuluara tërësisht nga një bursë që e ke fituar falë rezultateve të arritura në mësime.

Ky është rasti i Glorias, për të cilën kishim mësuar prej disa kohësh që ajo studionte atje dhe përfituam nga rasti i vizitës së saj në Shqipëri, këto ditë, për të biseduar me të. Pushimi mes dy semestrave e ktheu për disa ditë në qytetin e lindjes, Tiranë.

Studentja e Abu Dhabit nuk e ka patur shumë të thjeshtë që të mbërrijë deri aty. Na tregon se dëshira e saj ka qenë gjithmonë që studimet e larta t’i kryejë jashtë shtetit. Në vitin e parë në shkollën e mesme fillon përpjekjet e para duke kërkuar universitetin ku mund të aplikonte. Pas shumë alternativave, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë, bie në gjurmët e Universitetit të New Yorkut në Abu Dhabit. Aplikon. Bën intervistën paraprake dhe pas dy muajsh i japin lajmin se… ajo është fituesja e një burse të plotë prej 75 mijë dollarësh në këtë universitet.

Në gusht të 2015, Gloria fluturon për në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sot është një nga studentet e veçanta dhe më me ngjyra të universitetit. Ka zgjedhur degën e ekonomikut dhe ndan dhomën me një shoqe nga Ruanda.

Ajo e reflekton në çdo grimcë buzëqeshje kënaqësinë që i japin këto studime dhe jetesa në Abu Dhabi. “E dija që studimet e mia universitare do të ishin të bukura, por deri këtu nuk më kishte shkuar mendja. Është më shumë se e mrekullueshme” – na tregon Gloria në këtë bisedë për Dita-n. Jetesa atje i ka dhënë qetësi dhe pozitivizëm, të cilin e përcjell edhe tek personat që ka pranë. Studion degën që do, në një vend gjithë diell e mbi të gjitha në një shkollë që jep edhe shumë mundësi të tjera.

Dëshira e saj është që një ditë, dijet dhe eksperiencën e marrë jashtë vendit, ta sjellë në Shqipëri. “Shpresoj shumë që, pas formimit tim, i cili nuk përfundon me universitetin, të vij në Shqipëri dhe të kontribuoj në fushën ku do të specializohem”.

Prindërit e Glorias ndihen shumë krenarë për rezultatet e vajzës dhe dëshirojnë që në gjurmët e saj të eci edhe djali i tyre i vogël, Marini. Në këtë bisedë, Gloria Bilbili, ish-gjimnazistja e “Andon Zako Çajupit” rrëfen studimet e saj në Abu Dhabi. Ky është rasti ku nëse studion dhe këmbëngul, ia del.

 

Gloria, na trego diçka për veten, ku ke lindur dhe si ka qenë fëmijëria jote?

Unë kam lindur në Tiranë ku dhe kam kaluar një fëmijëri të qetë. Nuk kam qenë fëmijë i urtë, por as problematik. Them që nuk kam qenë fëmijë i urtë duke qenë se kam qenë gjithmonë aktive me shumë shokë e shoqe.

Sa ka ndikuar fëmijëria, marrëdhënia me prindërit, në atë që ti je sot?

12801597_1690022584617056_6557003445939386139_n

Gloria Bilbili

Jashtëzakonisht shumë. Gjatë fëmijërisë kam formuar një personalitet shumë “të gjallë” prandaj dhe sot e kam shumë të lehtë të përshtatem me kultura të ndryshme e karaktere të ndryshme. Jo vetëm e kam të lehtë, por për më tepër më pëlqen të jem e përfshirë në rrethe të gjera shoqërore. Marrëdhënia me prindërit nga ana tjetër ka qenë e veçantë. Mami është ajo që ka luajtur rolin kryesor në formimin tim duke qenë se ajo është vetë mësuese, ndërsa babi në një rol më pasiv, na ka përkrahur në çdo hap. Të kesh prindër që të përkrahin në vendimmarrje kaq të rëndësishme sa e studiuara jashtë shtetit është fat. Mamin e kam patur gjithmonë motër dhe nuk ka rast në të cilin mund t’i kem patur me mëdyshje këshillat e saj. Sot e kuptoj më së miri ç’do të thotë të përkrahësh dikë në momente kritike dhe kuptoj më së miri sa e rëndësishme ka qenë lidhja e veçantë që ata krijuan me mua dhe sa ka ndikuar kjo lidhje.

Në gjimnaz, ke qenë nga ato nxënëse që mësoje shumë dhe që qëndroje vetëm mbi libra apo…?

Vitet e gjimnazit kanë qenë fantastike! Nuk jam rritur vetëm nga ana akademike gjatë atyre viteve. Gjithmonë kam besuar tek rëndësia e të paturit një background të gjerë, kështu që mësimet nuk kanë qenë i vetmi fokus i imi. Të them të drejtën shoqëria që kam tani në universitet ndryshon në shumë drejtime nga ajo që kam patur në gjimnaz. Gjithsesi eksperiencat, qoftë të mira qoftë të këqija të gjimnazit janë të pa zëvendësueshme duke qenë se mësimet që më dhanë janë jashtëzakonisht të vlefshme.

Synimet e tua kanë qenë gjithmonë për të studiuar jashtë?

Po, synimet e mia kanë qenë gjithmonë për të studiuar jashtë duke qenë se mundësitë që të jepen në disa universitete të huaja nuk mundësohen nga universitetet vendase. Mundësia për të njohur kultura të tjera nga afër, për shembull.

Kur ke filluar të bësh përpjekjet e para?

Vitin e parë të gjimnazit, por më intensiv ka qenë padyshim viti i fundit. Fillova të kërkoja vetë në internet duke përzgjedhur shtetet që i mendoja si më të përshtatshme dhe duke parë universitet në këto shtete.

Si arrite të fitosh një bursë të plotë në Universitetin e Nju Jorkut në Abu Dhabi?

Procesi ka qenë jashtëzakonisht shumë i vështirë. Aplikimi ka qenë online dhe çdo letër e imja është skanuar dhe dërguar online. Universiteti kishte kërkesa goxha strikte duke filluar nga formati i letrave. Shkollat tona në përgjithësi nuk i ofrojnë të gjitha letrat që universiteti kërkonte, por fatmirësisht kam patur mbështetje të madhe nga mësueset dhe drejtoresha.

Ka qenë shumë e vështirë dhe për të gjithë ata që ndoshta duan të kërkojnë e të fitojnë si ty. Çfarë ju këshillon?

Nuk ka qenë aspak e lehtë, por nuk është as e pamundur. Qoftë për ata që aplikojnë tek universiteti i New Yorkut, qoftë për ata që aplikojnë në universitete të tjera u këshilloj vetëm dy gjëra. Së pari, kërkoni për universitete përpara Dhjetorit-Nëntorit të vitit të fundit të gjimnazit. Shumë universitete i mbyllin aplikimet në Dhjetor. Së dyti, nëse nuk e keni zgjedhur ende universitetin filloni të kërkoni që në fillim të vitit të fundit. Është vështirë të gjesh një universitet që përmbush çdo “dëshirë” apo kriter që ti ëndërron, por siç e thashë nuk është e pamundur. Kërkon goxha kohë.

Kur shkove dhe si ishte të përshtateshe në Abu Dhabi, si u ambientove në ditët e para të shkollës?

Përshtatja nuk ishte aspak e vështirë. Dita e parë e shkollës ka qenë 21 Gushti 2015. Shkolla ofron njerëz dhe zyra që të ndihmojnë me çfarëdolloj problemi që ti mund të kesh, sado i vogël. Për më tepër secilit nxënës i caktohet nga një mentor (i cili është edhe profesor në Universitet).

Sa është bursa në vlerë monetare?

Bursa është rreth 75.000 $ në vit. Sigurisht çdo vit unë duhet të kem një GPA të lartë për të vazhduar vitin tjetër. Në burse përfshihen të gjitha; akomodimi, ushqimi, libra, mësimi, udhëtimet. Për më tepër shkolla na ndihmon dhe me “pocket Money”, para shtesë për nevoja jashtë kampusit si shopping apo e ngrëna në restorante etj.

12046986_1643044609314854_1925499306045532834_nÇfarë kishe dëgjuar ti për këtë vend dhe a është vërtetë aq konservator sa thonë?

Pata dëgjuar shumë gjëra të cilat tani që jetoj atje më duken absurde, në lidhje me kulturën e Emirateve. Abu Dhabi është vend arab dhe feja është pjesë e kulturës së tyre. Me fenë dhe kulturën padyshim vijnë dhe limitime, ashtu siç çdo kulturë në botë nuk lejon gjëra të ndryshme. Në asnjë mënyrë kjo kulturë nuk i imponohet askujt. Për shembull një pjesë e kulturës është veshja me sheila dhe abaya për gratë apo me kandora e meshkujve. Kjo veshje në asnjë mënyrë nuk i imponohet askujt, as vetë emiratasve. E vetmja gjë që kërkohet dhe që për mendimin tim është tepër e arsyeshme është që vendasit apo të huajt të mos ofendojnë kulturën.

Cila është dega që ti ke zgjedhur të studiosh?

Universiteti të lë rreth dy vite përpara se ti të deklarosh degën që dëshiron. Gjatë këtyre dy viteve ti mund të zgjedhësh lëndë që nuk ke menduar ndonjëherë se do t’i bëje. Për shembull semestrin e parë një prej lëndëve që unë pata zgjedhur ka qenë Teatër/Aktrim. Gjithsesi, besoj se dega që do të deklaroj vitin tjetër do të jetë Major në Ekonomik dhe Minor në Biznes dhe Politikë. Jam e bindur që ndërthurja e këtyre degëve do të më ndihmojë në formimin e njohurive që do të më duhen në karrierën që unë kërkoj të bëj.

Ku do të arrish me këtë degë, cilat janë synimet e tua për të ardhmen?

Kam besimin se do të mund të hap një biznes timin në Abu Dhabi vitin e fundit të universitetit apo pas universitetit, ashtu siç dy nxënës të tjerë të po këtij universiteti kanë bërë. Pasi të vazhdoj një karrierë të gjatë në fushën e biznesit dhe të kem krijuar një kapital monetar, synimi im final është të kthehem në Shqipëri dhe të investoj, mbi të gjitha të investoj në politikë.

A është e vështirë shkolla ty?            

Është shumë e ngarkuar, por aspak stresante. Më pëlqen çfarë mësoj dhe e shijoj mënyrën se si na përcillen njohuritë kështu që nuk e kam problem ngarkesën.

Si është të jesh student në Abu Dhabi? Me çfarë merresh, çfarë bën në kohën e lirë?

Është fantastike! Moti është gjithmonë i ngrohtë, ndërsa në verë është nxehtë. Duke qenë se kampusi ndodhet në një ishull të Abu Dhabit unë e kam detin rreth 10 minuta larg. Shpesh kur kam shumë orë pushim midis dy lëndëve shkoj në plazh. Pjesën tjetër të kohës së lirë, sidomos fundjavave e kaloj në Dubai. Gjithashtu më pëlqen shumë të provoj kuzhina të ndryshme, deri tani kam provuar 11 prej tyre.

Ti je e vetmja studente nga Shqipëria aty dhe çfarë të thonë në Universitet kur u tregon se nga ke ardhur?

Unë jam e vetmja studente nga Shqipëria dhe me krenari them që është dhe një student tjetër nga Kosova. Sapo u them që jam nga Shqipëria menjëherë pasojnë pyetje të shumta duke qenë se shumica e studentëve nuk kanë takuar shqiptarë të tjerë. Njëherë kur isha në zyrën e drejtorit të departamentit të ekonomikut, u shtanga kur pashë në mur hartën e Shqipërisë. Ai më tha se kishte qenë vetëm njëherë në Shqipëri dhe i kishte pëlqyer aq shumë sa kishte blerë një hartë shumë të vjetër në pazarin e Krujës. U ndjeva shumë krenare.

Çfarë ke mësuar nga ai vend?

Nga ai vend kam mësuar sa e rëndësishme është të dish mbi kultura të tjera. Kam mësuar shumë për veten gjithashtu, duke qenë se kjo ishte hera ime e parë larg familjes.

gloria aaNga ato çka tregon duket se po përjeton një moment shumë të bukur, dhe po studion në një vend ëndrrash… gabohem?

Gjithmonë, gjithmonë kam besuar se e ardhmja ime pas gjimnazit do ishte fantastike, dhe ata që më njohin nga afër e dinë këtë. Gjithsesi, kurrë, për asnjë moment nuk e kam menduar se e ardhmja ime pas gjimnazit do të ishte më shumë se fantastike. Po, po studioj në një vend ëndrrash.

Gloria, cilat janë planet e tua për të ardhmen, do të qëndrosh aty, do kthehesh në Shqipëri…?

Ashtu siç e përmenda më parë nuk besoj se formimi im për atë që unë dua të bëj në të ardhmen mund të mbarojë pas katër viteve. Unë patjetër do të kthehem. Pas një karriere në biznes, pa asnjë dyshim do të kthehem këtu në fushën e politikës.

Cilat janë pasionet e tua, përveç studimeve?

Më pëlqejnë shumë punët vullnetare, arti dhe noti. Në Universitet përfshihem shpesh në punë vullnetare dhe falë kësaj kam udhëtuar shpesh në vendet afër Abu Dhabit dhe më është dhënë mundësia të ndihmoj e mësoj shumë për vendin. Për mua arti ka vlera të veçanta. Këtë semestër kam zgjedhur një klasë që quhet “Abstraction” e cila ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimin tim ndaj artit.

Ti je motra e madhe e një vëllai apo jo?

Po, Marini është ende në klasë të katërt.

A është krenare familja jote për ty?

Shumë.

A është Abu Dhabi një vend luksi?

Abu Dhabi, ashtu siç çdo qytet tjetër ka familje në nivel ekonomik të ndryshëm. Shteti kujdeset shumë për mirëqenien e qytetarëve të vet.

March 25, 2016 09:48
Komento

2 Komente

  1. London March 25, 10:49

    Glad for her. Take this as well. My daughter is being granted a full bursa for 140 thousand pounds in uk for her high school studies 🙂 . Te shpresoj se do ti jepni mundesi ti botoni kete arritje ne gazeten tuaj 🙂 kur te vime me pushime ne Shqqiperi . Gjithesesi keta femije jane per tu admiruar dhe respektuar sepse ndjesine qe merr kur prezanton veten nga vjen dhe veshtrimet e surprizuara te njerezve qe thone, vertetttt ?! Albania, kjo i thot te gjitha. Rrofte Shqiperia e mbrekullueshme.

    Reply to this comment
  2. lato March 25, 16:22

    Mashallah,goxha e kompletuar per Abu Dhabi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*