Respekti për lirinë nuk mund të shkojë deri tek avokatia e tradhtisë

August 19, 2016 01:05

Respekti për lirinë nuk mund të shkojë deri tek avokatia e tradhtisë

Nga Viktor Malaj  – “Jepini Zotit çfarë është e Zotit dhe jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit”
Bibla

Kohët e fundit, në gazetën Dita u hap diskutimi mbi Luftën Nacionalçlirimtare dhe aktorët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore. Si shkak shërbeu botimi i një pjese të një libri të pabotuar ende të z.Andrea Stefani. Pati kundërshtime, por edhe mallkime ndaj autorit, pa folur për reagimet ndaj kreut aktual të Ballit Kombëtar.
Personalisht besoj se z.Stefani është një intelektual i ndershëm, një analist guximtar, luftëtar i së drejtës dhe ithtar i paepur i lirisë. Megjithëse nuk jam në një mendje me shumëçka ai thotë, i konsideroj të ulëta insinuatat ndaj tij si i shitur tek BK apo kudo tjetër për shkrimet që ai bën. Jam plotësisht i qartë se ato që ai shkruan janë bindje dhe përfundime të vetat dhe ai nuk bën gjë tjetër veçse i bën publike.
Nga një cikël shkrimesh dhe reagimesh të tij rreth kësaj teme arrij në përfundimin se z.Stefani e pranon se FNÇL zhvilloi një luftë pa kompromis kundër pushtuesve të vendit, me mundësitë që kishte, dhe se BK bashkëpunoi me pushtuesit. Këto dy konkluzione janë themelore dhe mjaft të rëndësishme për integritetin moral të autorit sepse janë të bazuara mbi qindra fakte e prova. Integriteti moral i publicistit cenohet kur fshihen faktet e provat qëllimisht, ndërsa interpretimi i tyre është diçka tjetër. Ato që shkruan z. Stefani janë çështje perceptimi, vlerësimi dhe interpretimi.

Midis shumë hipotezave dhe përfundimeve të z. Stefani, ai që ra më shumë në sy ishte përfundimi se BK ra në pozitat e tradhtisë për shkak të komunistëve dhe, kryesisht, për shkak të etjes për pushtet të Hoxhës. Po të shprehemi sipas Stefanit, ballistët dhe të tjerë “nacionalistë” bashkëpunuan me pushtuesin sepse u ndodhën “midis një diktature në ikje dhe një tjetre në ardhje” dhe kështu ata zgjodhën të bëhen palë me pushtuesin “në ikje” kundër “shqiptarëve në ardhje”.

Në këtë mënyrë Stefani i justifikon qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e kësaj skote atdhetarësh falsë dhe krejt lehtësisht fajëson për këtë ata që drejtuan LANÇL. Më duhet të them qysh në fillim se, sipas bindjes time, ky konkluzion nuk i qëndron as të vërtetës historike dhe as vlerësimeve mbi bazën e parimeve morale.
Për të pasur një gjykim sa më të drejtë rreth çështjes në fjalë nuk mund të nisesh as nga pozitat e enveristit dhe as nga ato të kundër-enveristit. Mua më duket se, si jo pak të tjerë, Stefani i gjykon ngjarjet dhe aktorët e tyre nga koha e sotme, nga ato që dihen sot dhe nga konceptet dhe mentalitetet e sotme.

Mirëpo, për t’iu afruar së vërtetës ne duhet që me fuqinë e mendjes ta vendosim veten tonë në vitet 1939-1945 dhe me sytë e saj (mendjes) ta shohim veten në luftë dhe jo në paqe.
E dimë shumë mirë se kur Italia sulmoi Shqipërinë, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë (Mbreti) iku dhe një numër i vogël ushtarakësh dhe xhandarësh bënë një rezistencë modeste të shtyrë sa nga dashuria për vendin, aq edhe nga detyrimi prej betimit të bërë kur hynë në këto formacione. Himni kombëtar iu thoshte dhe u thotë shqiptarëve se “Prej lufte veç ai largohet që është lindur tradhëtor”.
Po çfarë bëri paria shqiptare në këtë rast? Kur lexon gazetat e kohës dhe sheh pamjet filmike të pritjes së pushtuesit në Tiranë, si dhe dërgimin e kurorës mbretërore perandorit italian, nuk ke si të mos çuditesh dhe, njëherësh, të turpërohesh që shumica e parisë shqiptare (politikanë, kryetarë fisesh, bajraktarë apo klerikë) ishin pasardhës të Skënderbeut. Disa nga figurat kryesore politike si Mustafa Kruja, Ali Këlcyra etj. kishin hyrë në marrëveshje me Italinë qysh para pushtimit, duke iu lutur “ta heqë qafe satrapin e Matit”.
Stefani bën gabim qysh në fillim, pasi bashkëpunimin me pushtuesin e fillon nga fundi i 1943 dhe, nga ana tjetër, flet vetëm për Ballin Kombëtar dhe jo për “nacionalistët” e tjerë.

E vërteta është se prejardhja, mentaliteti dhe morali i shumicës së atyre që prej 26 vjetësh na shiten si nacionalistë 24 karatësh, me mendje gjeniale dhe të pakundështueshëm, është i njëjtë. Dhe, bashkëpunimi me pushtuesin ka filluar qysh ditën e pushtimit në formë individuale dhe ka vazhduar edhe më vonë si formacione politike.

A mund të pranohet tani që, gjithë kjo skotë lakenjsh u vu në shërbim të pushtuesit nga frika e komunizmit, kur raportet e tyre në numër me komunistët ishin thuajse njëqind me një?
Por, le ta zëmë se raportet numerike me komunistët ishin të barabarta qysh ditën e pushtimit. A nuk do të kishte qenë qëndrim i vërtetë atdhetar sikur këta “patriotë” të bashkoheshin, qoftë dhe pa komunistët, dhe t’i thoshin popullit: “Dëgjo popull shqiptar! Ne dhe komunistët e kemi njëlloj dhe e duam njësoj Shqipërinë por, pas luftës, ne ju premtojmë një sistem kapitalist pluralist kurse këta do ju sjellin diktaturën! Zgjidhni me cilët do të bashkoheni në luftë kundër pushtuesit”.

Edhe sikur të kishte aq shumë komunistë sa “nacionalistë”, duke pasur parasysh sa më sipër si dhe faktin se nacionalistët ishin më të njohur dhe me më shumë ndikim në popull, logjika na thotë se shumica dërmuese do të shkonte pas tyre.
Por, çfarë bënë në vend të kësaj? U shtrinë në bulevardin e Tiranës dhe puthën çizmet e pushtuesit, e ngritën në qiell pushtuesin dhe nuk lanë gjë pa thënë për mbretin e tyre. Nisën të mashtrojnë popullin se po të shkonin pas komunistëve në luftë ata do ia shisnin Shqipërinë Jugosllavisë, se ata do ju kolektivizojnë dhe prishin familjet dhe gjithfarë sajimesh të tjera. Është shumë domethënës fakti se komunistët, megjithëse ishin persekutuar dhe burgosur nga Zogu, nuk i bënë “Hosana!” pushtimit, por morën pjesë, së bashku me rininë dhe disa nacionalistë të vërtetë, në demonstrata kundër pushtimit.

Ata e dënonin Zogun për braktisjen e vendit, por nuk e quanin pushtimin “çlirim” siç bënë kundërshtarët “nacionalistë” të mbretit.

Një fakt tjetër domethënës është edhe krijimi i BK në nëntor 1942. Ku ishin “atdhetarët” nacionalistë deri atëherë? Trakti i parë i lëshuar nga BK, menjëherë mbas krijimit, është dëshmia më e qartë që rrëzon pretendimet e sotme për vendosmëri të tyre për të luftuar pushtuesit. Në të thuhej: “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”.

Përmbajtja e këtij trakti i thotë thuajse të gjitha: “Me u armatosë”, por me çfarë qëllimi? Dhe përgjigjja është po aty “Për me pritë mbarimin e luftës”. Gjithë njerëzimi armatoset për të bërë luftën kurse ata do të armatoseshin për mbas luftës, çfarë do të thotë se do të armatoseshin për luftë për pushtet ose “luftë civile”, meqë disave u pëlqen ta quajnë ashtu këtë kohë.

Trakti tregon se në planet e tyre nuk ishte lufta kundër pushtuesve, por lufta kundër atyre që “do të shkelin besimin tonë”. Pra, qëllimi i armatosjes është për të luftuar ata që do tentojnë të na marrin pushtetin. Përmbajtja e këtij trakti hedh katërçipërisht poshtë pretendimet e Stefanit se Balli u detyrua të kthehej kundër FNÇ vetëm pas Konferencës së Mukjes. Kësaj i thonë “I zoti e shet, tellalli s’e jep”.
Nëse BK ishte një organizatë e vendosur kundër pushtuesve, së pari ajo do të duhej të ishte krijuar shumë më herët dhe jo tre vjet e gjysmë pas pushtimit të vendit. Së dyti, një formacion i tillë politiko-ushtarak do të duhej të kishte një udhëheqje qendrore dhe strukturë vertikale të qartë.

Dhe, çfarë është më e rëndësishme, do të duhej të kishte një shtab qendror ushtarak që nënkupton edhe formacionet e rregullta ushtarake për të luftuar armikun. Ku ishin këto dhe cilët ishin drejtuesit e tyre? Pse këto personalitete nuk morën pjesë në Konferencën e Pezës në shtator 1942 ku u vendos “bashkimi pa kurrfarë dallimi krahine, feje dhe ideje për të luftuar pushtuesin”?
Marrëveshja Dalmaco-Këlcyra e 15 marsit 1943 dhe pjesëmarrja e eksponentëve kryesorë të BK në qeveritë pro-pushtuese e tradhton BK sa s’ka ku të vejë më shumë. Duke ndjekur arsyetimet e Stefanit lind pyetja: Nëse bashkëpunimi me pushtuesin qenka i përligjur përballë “një diktature në ardhje” si shpjegohet që homologët e “nacionalistëve” tanë në Francë etj. nuk i drejtuan armët kundër komunistëve vendas megjithëse ishin në një përqindje dhjetëra herë më të lartë krahasuar me numrin e komunistëve në Shqipëri dhe mund t’iu rrezikonin pushtetin e ardhshëm?
Gjithnjë sipas arsyetimit të Stefanit, ne do të duhej të konkludonim se të gjitha bashkëpunimet e vendasve me pushtuesit, ndodhur përgjatë shekujve dhe në të gjithë botën, përligjen meqë regjimet vendase ishin diktatura. Ideologjia kombëtare qëndron mbi atë politike; ideologjia kombëtare që ka si themel dashurinë për atdheun dhe gatishmërinë për të sakrifikuar për të, mbetet e përjetshme ndërsa ideologjitë politike, pra format politike të organizimit shoqëror janë të përkohshme dhe relative.

A thua beson Stefani se shqiptarët përpara 1944 qeveriseshin nga një sistem demokratik dhe jo diktatorial, qoftë nën monarki, qoftë në periudhën e qeverive nën pushtim?
Të ngatërrosh qëndrimin ndaj pushtuesit të jashtëm me qëndrimin ndaj formës së regjimit të brendshëm është njëlloj si të ngatërrosh qëndrimin ndaj grabitësit të shtëpisë tënde me marrëdhëniet e tua me pjesëtarët e familjes. Personalisht, megjithëse i kam vlerësuar dhe i vlerësoj sundimet e Sali Berishës si arkaike, vulgare, antipopullore dhe kriminale, kurrë nuk do ia kisha justifikuar ndokujt drejtimin e armëve kundër regjimit të tij në kushtet e sulmimit të vendit nga një fuqi e huaj.
Sipas meje, Stefani bën edhe disa gabime dhe vlerësime të tjera të shtrembëta.

Ai e përdor rastin e Muharrem Bajraktarit për të provuar se Hoxha dhe të tijtë nxitën luftën civile dhe, madje, bënë tradhti kombëtare sepse duke luftuar Bajraktarin që po luftonte gjermanët, ata ndihmuan vetë gjermanët. Edhe po ta marrim të mirëqenë rastin në fjalë, karakteri dhe morali i një lufte nuk përcaktohet nga gabimet që bëhen gjatë saj, por nga qëllimi dhe shkaku i saj.

Siç thoshte Çurçilli “Lufta është kryesisht një katalog gabimesh të rënda”. Në luftë informimi dhe dezinformimi, frika dhe dyshimi, mashtrimi dhe spiunimi, provokimi dhe përçarja shkaktojnë ndjeshmëri shumë të larta. Lufta ka arsyet që paqja nuk i njeh.

Gjatë luftës në fjalë, pas bombardimit të Përl Harbërit, qeveria amerikane internoi 120 mijë civilë, shtetas japonezo-amerikanë nga frika se mund të ndihmonin Japoninë. Forcat aleate bombarduan Drezdenin dhe disa qytete të tjerë gjermane duke vrarë mbi 50 mijë civilë pa arsye të justifikuara dhe, më e rënda, ushtria amerikane lëshoi dy bomba atomike në Hiroshima e Nagasaki mbi popullsinë civile, duke vrarë e gjymtuar qindra mijëra njerëz të pafajshëm.

Pyetja shtrohet: a mund ta ndryshojnë këta shembuj qëllimin dhe drejtësinë e luftës së Kampit Aleat? Kurrsesi nuk mund t’i ndryshojnë.

partizanetQë Hoxha kërkonte të vinte në pushtet pas luftës dhe të kryente edhe një revolucion shoqëror këtë s’mund ta vërë kush në dyshim sepse ai e ka pohuar vetë në shkrimet e tij.

Në të gjitha luftërat për çlirim kombëtar ka pasur e do të ketë edhe elemente të luftës civile, sepse ka pasur dhe do të ketë individë që bashkëpunojnë me pushtuesit dhe këta janë trajtuar e do të trajtohen si pushtuesi.

Sikur BK dhe “nacionalistët” e tjerë të mos viheshin në shërbim të pushtuesve dhe, fill pas largimit të pushtuesve, Hoxha t’i sulmonte, unë do i isha bashkuar korit të luftës civile dhe do të fajësoja kryesisht Hoxhën për këtë. Dallimi midis grupimit që drejtohej nga Hoxha dhe të grupimit të BK etj. qëndron në faktin se të parët kërkonin të vinin në pushtet nëpërmjet luftës ndaj pushtuesit e pastaj të kryenin revolucionin shoqëror, ndërsa të dytët kërkonin të vinin në pushtet duke ndihmuar pushtuesin dhe luftuar FNÇ. E kush dyshon se dallimi është i vogël?

Këtë dallim e bëjnë të qartë edhe motot e dy grupimeve gjatë luftës. Fronti thoshte “Vdekje fashizmit-Liri popullit”, ndërsa BK thoshte “Shqipëria e shqiptarëve-vdekje tradhtarëve”. Siç e kanë shpjeguar vetë ballistët, ata quanin tradhtarë komunistët dhe FNÇ.
Është e çuditshme se Stefani, ndërsa e përligj luftën e BK deri në shfarosjen e komunistëve për të ruajtur privilegjet dhe pronat, duke e quajtur këtë “një tipar universal të qenies njerëzore”, e cilëson si “tradhti kombëtare” përpjekjen e komunistëve për revolucion shoqëror, domethënë për t’ua marrë pozitat sunduese të parëve.

Dhe këtu bën një gabim tjetër kur thotë: “Mos vallë duhet të jesh proletar që të mos kesh ç’të humbasësh (Marks) që të jesh patriot?”.

Së pari, Marksi ka thënë se proletarët nuk kanë çfarë humbasin përveç prangave në një revolucion shoqëror dhe jo gjatë një lufte për çlirim kombëtar.

Së dyti, nuk kam lexuar gjëkundi që të gjithë të pasurit të jenë cilësuar si tradhtarë. Edhe në FNÇ ka pasur me qindra të pasur. Madje, njëri prej tyre që kishte arritur në majën më të lartë drejtuese të regjimit komunist, kur e akuzuan në vitet ’90 për përvetësim të pasurisë popullore, iu tha hetuesve: “A kini mundësi të më bëni një bilanc, d.m.th. llogarisni vlerën e kafeve dhe të ilaçeve që kam përdorur unë dhe në anën tjetër vini vlerën e katër shtëpive dhe 200 hektarë tokë që i kam dhënë popullit pas çlirimit dhe më tregoni nëse dal deficit apo suficit?”.

Stefani pretendon se Marrëveshja e Mukjes u inicua nga BK dhe se Hoxha deshi t’i vinte ata në rresht pas vetes. Marrëveshja e Mukjes ka qenë inicuar nga anglezët dhe Hoxha nuk kishte si të pranonte baraspeshë në udhëheqjen e përbashkët duke pasur parasysh shpërpjesëtimin e madh në kontributin e deriatëhershëm në luftë.

Jo vetëm ai, por asnjëri nga kundërshtarët e tij dhe as nga ne që flasim e shkruajmë sot nuk do ta kishte bërë këtë.

Unë bie në një mendje me Stefanin kur ai pohon se ballistët nuk ishin të lindur tradhtarë dhe se përkatësitë fisnore kanë ndikuar në zgjedhjen e rrugës së gabuar të bashkëpunimit me pushtuesit. Kjo është e vërtetë prandaj gjatë dhe pas luftës janë bërë diferencimet sipas rolit të luajtur nga secili individ.

Askund në literaturën politike nuk është thënë se ata ishin të lindur apo me tradita tradhtie. Shprehja që është përdorur më shpesh dhe që unë mendoj se është e saktë, është se BK me qëndrimet e tij “ra në pozitat e tradhtisë”. Personalisht besoj se ballistët e kanë dashur dhe e duan Shqipërinë po aq sa komunistët, monarkistët dhe shqiptarët e tjerë. Disa formacione balliste kanë luftuar pushtuesin italian, por mungesa e një udhëheqjeje qendrore serioze dhe konsekuente bëri që ata të mos e merrnin seriozisht as luftën dhe as pushtetin.

Çështjen e luftës kundër pushtuesve e degraduan plotësisht, ndërsa çështjen e pushtetit e bënë përparësi kur panë përparimin e ndikimit të komunistëve në popull. Me një krahasim të çastit do thosha se me BK ka ndodhur si me opozitën e sotme politike në Shqipëri.

Kur pavarësia e vendit ishte shkelur BK tha se duhej të armatosej dhe priste për më vonë, por kur u vu në rrezik pushteti dhe pozita e tyre shoqërore vetjake ata rrëmbyen armët. Po kështu sot, kur Evropa tha se mosmiratimi i Reformës në Drejtësi do të sillte “pasoja të tmerrshme për Shqipërinë” opozita vendosi mosmiratimin e saj. Mirëpo, kur SHBA kërcënoi të ardhmen vetjake të politikanëve refuzues, ata shkuan në rresht “si Çeçua” dhe e votuan “njëzëri”.

Stefani flet për rolin e kosovarëve gjatë luftës dhe ka të drejtë kur thotë se tek ata kanë ndikuar rrethanat e qenies nën pushtimin serb. Mirëpo duket se gabon kur shfajëson bashkëpunimin me pushtuesit të krerëve kosovarë që drejtonin popullin dhe, gjithashtu, gabon kur thotë se “Antifashizmin në Kosovë e bëri më të vështirë fakti që PKJ nuk mbajti një qëndrim të qartë në favor të vetëvendosjes së kombeve pas luftës”.

Të gjithë ata që kanë qoftë edhe njohuri modeste të situatës në atë kohë, e dinë se Kosova ndodhej si pjesë e Jugosllavisë si rezultat i vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe ky lloj shteti, krejtësisht artificial dhe i padrejtë, ishte i njohur nga Lidhja e Kombeve.1-

Rrjedhimisht, i ashtuquajturi “Bashkim i Shqipërisë Etnike” ose do të konsiderohej i pavlefshëm po të fitonin ata që fituan (duhet të kujtojmë këtu Kartën e Atlantikut të gushtit 1941 të firmosur nga SHBA, Anglia, e në shtator, nga Bashkimi Sovjetik e vendet të tjera të aleancës kundër Boshtit, që pohonte se ndryshimet e kufijve të ndodhur gjatë luftës nuk do të njiheshin), ose “Shqipëria Etnike” do të ishte një provincë e pushtuar e Perandorisë Naziste, siç ishte dikur nën Perandorinë Osmane, nëse fitonin Fuqitë e Boshtit.

Nga ana tjetër, Tito kishte thënë se “E ardhmja e Kosovës do të vendoset prej një referendumi dhe kufiri mes Shqipërisë me Jugosllavinë pas luftës, nëse do të jetë e nevojshme, do të rregullohet në të mirë të Shqipërisë” (J.B.Tito-PRO.HS7.70, S.O.E.,HISTORY, File Nr. 37/B, Allied Military Mission in Albania-1942-1945, f.38).

Një fotografi e kriminelit Xhafer Deva me një komandant të forcave pushtuese gjermane në Kosovë dhe njërin nga krerët e çetnikëve serbë flet sa dhjetë libra. Ajo tregon se disa udhëheqës kolaboracionistë kosovarë nuk u bashkuan me gjermanët pse urrenin serbët, por sepse donin të ruanin pozitat e tyre sunduese edhe në të ardhmen.

Sundimi i çetnikëve serbë kishte qene një realitet i njohur dhe ata vazhdonin të masakronin kosovarë edhe gjatë luftës ndërsa sundimi i komunistëve jugosllavë mund të ishte vetëm një hipotezë. Fakti që pas luftës Tito, për të ruajtur pozitat e veta drejtuese nga reaksioni serb, e sakrifikoi Kosovën nuk i shfajëson ata për aktet e kryer.

Në shkrimet e tij, Stefani shpreh bindjen se nacionalistët shqiptarë u ndodhën në pozitë të vështirë gjatë luftës dhe se zgjodhën bashkëpunimin me pushtuesin që ishte në ikje si “të keqen më të vogël”. Ky konkluzion të lë pa mend.

Së pari, me këtë Stefani beson se shqiptarët “nacionalistë” ishin orakuj që e dinin kur dhe si do të përfundonte lufta. Nëse ata e dinin përfundimin e luftës atëherë bien automatikisht poshtë pretendimet e tyre se po luftonin për “Shqipëri Etnike” të realizuar nga fuqitë pushtuese, sepse me humbjen e atyre fuqive do të humbnin edhe ndryshimet territoriale dhe politike të shkaktuara prej atyre.

Historia nuk njeh raste që palët humbëse të luftës të kenë diktuar ndryshime strategjike jetëgjata. E vërteta historike është se numri më i madh i atyre që bashkëpunuan me pushtuesit italo-gjermanë kishin formim, moral dhe koncepte të njëjtë me pushtuesit. Ata e konsideronin sistemin e diktaturës fashiste si rendin e ri që duhej të sundonte botën dhe Musolinin e Hitlerin si çlirues, ndërsa Viktor Emanuelin si prind të tyre. “Rend i ri! Dëshiri ma i flaktë i njerëzimit që vuen, mishnim i nji plani hyjnuer, i pregatitun dhe i lajmuem nga Njeriu i provanshëm Benito Musolini, krijues i qytetnimit të ri… interpret i nevojave shpirtnore dhe landore i të gjithë popujve…” thoshte kryeministri kuisling Mustafa Kruja, ndërsa krerët e parisë së Matit, pas një Besëlidhjeje që bënë në 1942, thoshin: “Ne, me Italinë Fashiste jemi vëllezër të një nëne e një babe që është Mbreti Perandor, prandaj kush e fyen me fjalë, kush ngre dorën kundër Italisë, do ta shfarosim dhe përjashtojmë për tre vjet dhe do t’i konfiskojmë pasurinë e tundshme dhe të patundshme” (Gazeta “Tomorri”, datë 07.11.1942).

Unë nuk shoh këtu kurrfarë pozite të vështirë të personazheve qesharakë dhe të turpshëm të historisë sonë, por shoh një mungesë të skajshme formimi, morali dhe ndjenje kombëtare.

Dikush mund të thotë se këta nuk bënin pjesë në BK. Është e vërtetë, por këta dhe të gjithë kundërshtarët e regjimit hoxhist kanë 26 vjet që na paraqiten en block si “demokratë, atdhetarë, nacionalistë, viktima të komunizmit” etj. Gjithashtu, eksponentët e BK që morën pjesë në qeveritë kuislinge dëshmuan një përkushtim ndaj pushtuesve dhe egërsi e mizori ndaj bashkatdhetarëve të vet që luftonin pushtuesin.

Prandaj BK dhe “nacionalistët” e tjerë vërtetë u ndodhën gjatë luftës në pozitë të vështirë por jo ashtu si thotë Stefani, midis dy diktaturave, njëra në ikje dhe tjetra në ardhje, por midis rrezikut për të dalë në mal, në borë e akull për të dhënë jetën për lirinë kombëtare dhe të ndenjurit nëpër zyra luksoze dhe shtëpi komode në shoqërinë e grave apo të dashurave dhe rrethuar nga salltanetet e mbrëmjeve të qejfit.

Ata zgjodhën këtë të dytën sepse e para ishte një “diktaturë e rrezikshme” dhe e sikletshme, ishte diktatura e cenimit të interesave vetjake për hir të interesit kombëtar. Ata ishin të llastuar nga historia dhe ishin mësuar me pushtet. Në pushtet para monarkisë, në pushtet gjatë monarkisë, por edhe nën italianin e gjermanin dhe kërkonin të ishin në pushtet edhe pas ikjes së pushtuesve, megjithëse kishin flirtuar me ta.

Nuk e kuptonin se kishte ardhur koha për pak “pushim”. I kishte lodhur rehatia dhe qejfi, por nuk jepeshin. Sakrificat ishin për të tjerët, sundimi për ata. Qoftë edhe pa kurrfarë kontributesh.

Ndëshkimin e kësaj skote matrapazësh të historisë z. Stefani e konsideron “genocid 45 vjeçar”. Së pari, përdorimi i fjalës gjenocid është krejt i gabuar në rastin konkret, sepse kuptimi i kësaj fjale është i njëjtë në gjithë botën, ngaqë është pranuar të jetë nga ligjet ndërkombëtare dhe kombëtare të botës së qytetëruar. Dënimi i tyre ka qenë më se i drejtë, ndërsa përndjekjet e pasardhësve të tyre kanë qenë abuzive, të padrejta dhe të dënueshme.

Por, të mos harrojmë edhe diçka të rëndësishme: Jo vetëm që asnjë pasardhës i tyre nuk e pranoi ndonjëherë rrugën e gabuar të paraardhësve, por shumë prej tyre rrëmbyen armët kundër regjimit pasardhës pasi iu “kishte dënuar kot” baballarët. Cili italian, francez apo holandez i drejtoi armët qeverisë së vet pse i kishte dënuar familjarët si bashkëpunëtorë të pushtuesve? Asnjë. Sikur regjimi i Hoxhës t’i kishte trajtuar bashkëpunëtorët e pushtuesve ndryshe nga regjimet e shteteve të Evropës Perëndimore ne do të kishim sot të drejtë ta gjykonim për këtë.

Por tradhtia e këtyre bixhozxhinjve të atdheut mund të mbrohet aq sa mund të mbrohen fajet e Hoxhës pas 1944 që lidhen me dënimet për agjitacion e propagandë, internimin e familjarëve të të dënuarve, ndalimin e riteve fetare, kufizimin ekstrem të pronës private etj.
Në të vërtetë, fakti që Shtabi Aleat i Mesdheut pranoi vetëm përfaqsuesin e FNÇ dhe paralajmëroi BK, Legalitetin etj. se “do të trajtoheshin si armiq gjatë dhe mbas luftës” po të vazhdonin bashkëpunimin me pushtuesin dhe, gjithashtu, fakti që përfaqësuesit e Anglisë dhe SHBA-së ndodheshin në 28 nëntor 1944 në tribunën e ceremonisë së pritjes në Tiranë të qeverisë provizore të FNÇL, janë të mjaftueshëm për t’i vënë vulën sjelljes, moralit dhe të ardhmes së BK dhe të tjerëve që ndihmuan pushtuesit.

Unë mund të them se z. Stefani kthjellohet andej nga fundi i shkrimit të tij kur thotë se “Dedikimi sublim ndaj lirisë është tipik vetëm për ata që e kanë lirinë e njeriut në shpirt. Elitat nacionaliste shqiptare e kishin atë vetëm në mendje. Ata e refuzonin diktaturën bolshevike por nuk qenë të gatshëm të vdisnin për lirinë. Kjo është tradhtia e tyre”.

Unë do të shtoja se për shumicën prej tyre liria dhe atdheu ishin prona dhe sundimi i tyre. Vetëm për këto ishin gati të flijoheshin dhe jo për atdheun dhe popullin. Prandaj kërkesa e Stefanit për t’ua hequr stigmatizimin si tradhtarë dhe përpjekjet për të sjellë si ilustrim Kutuzovin apo Fabius Maksimus, pa kurrfarë lidhjeje kohore dhe as veprimtarie, është largim nga e vërteta dhe avokati për tradhtinë.

Për këtë qëllim, Stefani argumenton se “Ishte urrejtja për diktaturën komuniste… që e shtyu lidershipin e Ballit të pranojë si të keqe më të vogël bashkëpunimin me gjermanët në ikje…”. Cilin duhet të urrejë më shumë shqiptari, pushtuesin e huaj real të vendit të tij apo bashkatdhetarin sundues hipotetik të së ardhmes, i çfarëdo forme qoftë?

Nga fjalët e Stefanit të krijohet përshtypja se BK dhe krerët e tij ishin demokratë të lindur mu si ata burrështetasit e Athinës së lashtë, megjithëse nuk e kishin provuar asnjëherë veten si të tillë. Ndërkohë që gjatë gjithë periudhës së pushtimit kombëtar ata bënë çmos të përdornin pushtuesin për të shfarosur kundërshtarët politikë dhe, pas ikjes së pushtuesve, bënë po ashtu çmos për ta shfarosur këtë kundërshtar për të ruajtur pozitat e veta ekonomike, politike e shoqërore.

Qëndrimi ndaj luftës, luftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesit ka më shumë rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen, sesa për të shkuarën. Nuk mund të vihen në një plan si Heronjtë e Vigut si ata që i vranë, puthadorë të të gjithë pushtuesve të vendit historikisht.

Nëse bëjmë këtë dhe nëse iu themi atyre që sakrifikuan dhe flijuan edhe jetët e tyre duke luftuar pushtuesin, se nuk ia vlente çlirimi kombëtar meqë nuk patëm dhe s’kemi ende liri, atëhere ne, praktikisht, ua kemi mohuar sakrificat dhe luftën.

Nëse i vëmë në një plan si ata që sakrifikuan apo rrezikuan jetën me ata që u puthën me pushtuesit ne nuk duhet të presim kurrfarë atdhetarizmi nga brezat e ardhshëm. Kush është ai që pranon të flijohet dhe pastaj të nderohet njëlloj si ai që e kaloi kohën në dashuri me vrasësit e popullit të tij, me dhunuesit dhe grabitësit e vendit të vet?

Nuk është e dobishme, madje është shumë e dëmshme që parimet dhe kriteret universale të atdhetarizmit t’i ngatërrojmë, keqinterpretojmë dhe degradojmë të entuziazmuar nga ideologjitë apo fushatat kalimtare false dhe mikluese të një kohe të caktuar.
Neve na lejohet të hedhim poshtë Hoxhën dhe këdo tjetër, por nuk na lejohet të hedhim poshtë të vërtetën. Të thuash të vërtetën rreth të kaluarës nuk do të thotë se kërkon kthimin e saj por përmirësimin e të sotmes dhe të të ardhmes.
Prandaj: Nderim, respekt dhe lavdi për ata që rrëmbyen armët kundër pushtuesve! Turp dhe ndëshkim për ata që bashkëpunuan me pushtuesin! Respekt, keqardhje dhe nderim për viktimat e pafajshme të luftës politike për pushtet!

Pjesa II “mbi lirinë” vijon nesër

 

August 19, 2016 01:05
Komento

2 Komente

  1. A.GRAMSH August 19, 09:41

    FAKTI I ‘DITES’:’Ku e do Sala e ku ja fut Lala’!
    (Qielli hyjnor siper meje,Ligjet e moralit brenda meje”Kant
    ————————————————————–
    ‘Loja luftash’ me ish 5 balliste e 500 mije partizane konvertuar ne kAmuniste perveç se tregon shkallen e mjerimit çerekshekullor te ketij populli me tragjikja eshte se nuk ka ‘sy per Qabe’ te rilinde informacioni qe te jape shprese shqipetareve per rilindjen e shtetit e bashke me te te SHPRESES E BESIMIT!
    Eshte fatkeqesi kur pas 25 vjetesh shqipetareve ju propogandohen VARRMIHESIT e tyre ne te 4 pushtetet!
    -Ju propogandohen çdo dite varrmihesit e pushtetit legjislativ qe nuk perfaqesuan asnje dite popullin shqipetar por krimin korrupsionin e hajduterine nga ish tere kryetaret e shtetit pa shtet ,tere ish kryeministrat kujslinge tere ish ministra e deputete kanibale qe me emera e mbiemera ‘salisjane’ e socialSSaliste,’metiste’ e ‘balliste’ ju jepet ‘hapesire’ ne shtyp!KY PERBEN KRIM MEDIATIK NDAJ POPULLIT SHQIPETAR!
    Kush jane krriminelet mediatike 25 vjet keshilltare dhe pjese e KRIMIT:
    1-Stefanaqet,Lubonjat,Blushat,FevZinte ,Biberajt e Karabushat qe propoganduan teorine antishkencore e antishqipetare te ‘TERAPIJA E SHOKUT’ me pasoja shkaterrimin e bazes ekonomike te ish shtetit shqipetar-Shperberjen e shtetit!?
    2-Stefanaqet,Lubonjat,Blushat,FevZinjte biberajt e karabushat qe propoganduan shkaterrimin e bazes ekonomike te ish shtetit nepermjet nje ‘lufte fantazem’ kunder kAmunizmit per te vjedhur e plaçkitur tere pasurite natyrore mbi e nentokesore te popullit shqipetar.Vendin e sistemit ‘socialist’ nuk e zuri ai i ‘Ekonomise se lire te tregut’ por e ashtuquajtura ‘Lirija e tregut te Lirise se hajduterise’.VENDI PA EMER TE SISTEMIT EKONOMIK si ne asnje vend te ‘Botes se trete’ .Ne vend te Bukes femijeve shqipetare u serviren paçavuret e pa lara te ‘GREVEDHYESVE’ Stefanaqe,Lubonja,Blusha,Berisha FevZinj Biberaj e karabushash–qe kerkojne me çdo kusht si antishqipetare tu ruajne ‘USTALLAREVE e PADRONEVE perfshi edhe vehtes (shumica ish femije shurranjoze te ish bllokut sot si baballare te kombit) te ashtu quajturen :’TE DREJTEN BORGJEZE PA BORGJEZINE’ cituar nga Marksi por qe Stefanaqet ,Lubonjat,Blushat,Berishat,FEV ZINJTE biberajt e karabushat qe nuk u kane ngelur me RRUDHA por truri u eshte bere asfalt e INTERPRETOJNE KOKEPOSHTE edhe kur i kane sherbyer ish nomeklatures enveriste duke gezuar ‘Te drejten borgjeze pa borgjezine’ edhe sot duan te drejte borgjeze me ‘borgjezine’!?SHKURT DUAN SISTEMIN ENVERIAN PO PA SHOKUN ENVER dhe femijet e tij po me tere kallam kusurin perfshi edhe doktorin qe u nderronte shtupat e shurres:
    Eshte per te ardhur keq qe ne kete vorbull e kete lloj lufte me Balliste e Partizane ‘konvertuar’ ne kAmuniste nga ca Stefaner ,Lubonja,Ngjelash,FevZINJ e kompani qe hedhin gure ne pus futen edhe personalitete qe nuk u eshte shterberuar pena duke i bere reklame dizinformacionit kur sot me teper se KURRRRE shqipetaret kerkojne RILINDJEN E SHTETIT!
    Pa ligjet e MORALIT nuk mund te zbatohen ato te ‘PENALIT:
    -Sa krriminele me ‘imunitet’ qe kane 25 vjet ne krye te parlamentit e kane te drejten MORALE te vene kandidature direkt ne popull per tu zgjedhur direkt ne zgjedhjet e ardheshme!?
    -Sa krriminele ne tere sistemin gjyqesor nga shkalla e pare deri ne gjykaten kushtetuese e gezojne te drejten MORALE qe nuk kane vjedhur asnje qindarke duhet te jene pjese e sistemit apo pushtetit gjyqesor!?
    -Sa krriminele apo antishqipetare ne tere kabinetet qeverritare per 25 vjet e kane te drejten MORALE te vazhdojne qUrravisjen e nuk kane vjedhur asnje QINDARKE nga gjaku i femijeve shqipetare te uritur 25 vjet!?
    -Sa krriminele te MEDIAS apo ‘PUSHTETIT TE KATERT’ ndihen te MORALSHEM qe per 25 vjet kane qene te LIRE, te PA VARUR e PROFESIONISTE e nuk kane qene ne sherbim te krimit korrupsionit deformimit te historise e DIZINFORMACIONIT me pasoja KRRIMINALE shkaterrimin e shtetit ,bazes ekonomike korrupsionit hajduterise,’bizneseve’,Monopoleve,konçensioneve,e te HIUAJVE qe per ‘etike’ duhet ta lene urgjent kete profesion apo duhet te shkojne para drejtesise per dizinformacion e mashtrim ndaj POPULLIT SHQIPETAR!?

    P.S- Keto gjera kerkojne shqipetaret pas 25 vjetesh shperberje ,ndersa autoret e shperberjes apo ‘varrmihesat’ politike ekonomike sociale kujslinge e antishqipetare deri sa nuk ka rilindur shteti ti mbylle ne ‘dhomat e edukimit te lexojne citatet e shokut Mao tere ish femijeve te nomeklatures se MIHAL BISHES perfshi dhe gazetaret e tyre te OBORRIT -te pakten mos meremi me TA le ti leme te flasin me vehte ose duke i rrahur grate qe qelben ere kolisteroli te akumuluar nje jete te tere perfshi edhe ne tru!

    KUR DO MIRATOHET E KUSH DO MIRATOJE REFORMEN ELEKTORALE QE SHQIPETARET TE RIMARIN PARLAMENTIN E VJEDHUR 25 VJET!?

    Reply to this comment
  2. Fatos Nano August 19, 14:33

    Poshte komunistet…

    Viktori mashtrus ordiner , ne kete shkrim justifikon pesionin si veteran i babait qe ka qene korrier ….

    Shoku Viktor Malaj eshte hajdut i asaj kohe dhe tani mer pesion si gjoja veteran nga taksat e shqipetarve….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*