Ilir Meta: Rubikoni im dhe i Edi Ramës

Intervistoi: Ben Andoni - JAVA January 19, 2014 04:10

Ilir Meta: Rubikoni im dhe i Edi Ramës

Ilir Meta është i shpenguar përpara diktofonit të gazetarit, por disi i vështirë për t’u intervistuar. Së paku ky ka qenë rasti me revistën JAVA, intervistën me të cilën nuk e ka refuzuar kurrë, por që për një numër rrethanash, është shtyrë disa herë. Ndaj flet gjatë për çështje që kanë të bëjnë me koalicionin e ri qeverisës, marrëdhëniet me Ramën, ndryshimet e mundshme kushtetuese dhe dy reformat kryesore që pritet të ndodhin me pushtetin lokal dhe sistemin e drejtësisë. Natyrisht flet gjatë edhe për LSI-në që më shumë se histori suksesi e konsideron traditë sakrifice. Edhe pse siç thotë edhe vetë, është një parti që ka ardhur në pushtet dhe ushtron pushtet: “…edhe përballë zhgënjimeve, edhe atëherë kur dukej se kishim edhe fatin kundër, edhe atëherë kur basti i skeptikëve kundër saj ngjante bast i fituar.”

 

Qoftë ju, qoftë zoti Rama, keni kaluar Rubikonin dhe jeni bashkë në qeverisjen e majtë duke lënë pas një histori të gjatë miqësie dhe kundërshtimesh. Sa duket se po funksionon aleanca e re?

Konstatimi juaj dhe më shumë se konstatimi, pyetja, duket se ngjallin habi. Në fakt, historia është më e thjeshtë dhe nuk ka vend për dilema. LSI dhe jo unë personalisht, që nga prilli i vitit të kaluar erdhëm në pozicionin tonë normal politik. Dhe kjo nuk ishte një lëvizje e një kahshme. Edhe PS bëri të njëjtën lëvizje gjithashtu të natyrshme për të majtën dhe siç dëshmuan zhvillimet politike në vend, kjo ishte lëvizja e duhur. Nuk ishte një akt politik që synonte vetëm dhe thjesht rotacionin politik. Nuk ishte vetëm mekanizmi i nevojshëm për rikthimin e të majtës në pushtet. Për mendimin tim është shumë më shumë se kaq. Ishte nevoja për t’i dhënë vendit një qeverisje ndryshe, një qeverisje që do të mund t’i jepte vendit më shumë shpresë dhe një vizion të ri. Vota e 23 qershorit ishte noterizimi publik i kësaj domosdoshmërie që askush prej nesh nuk mund t’i shmangej. Më shumë se vendim i strukturave të partive që ne drejtojmë, ai ishte vendim i qytetarëve.

Sa për Rubikonin – ai lumë ka pasur ngjyrë të purpurt, si e majta evropiane – po t’i referohemi historisë sërish, mund t’ju them gjithashtu se as Rama dhe as unë nuk jam Cezari. Në rastin më të mirë dhe fatlum, unë së paku, do të doja të isha shërbëtor i qytetarit. Në politikë miqësia dhe armiqësia personale është një faktor i nevojshëm për mbarësinë e punëve, por jo i domosdoshëm. Në politikë ka rregulla të tjera dhe ajo funksionon sipas kodesh të shkruara e të pashkruara morale dhe etike. Këto rregulla, por sidomos programi i përbashkët qeverisës bëjnë që aleanca jonë të jetë solide dhe të funksionojë normalisht. LSI do të vazhdojë të japë prova se respektimi i kontratave politike nuk varet as nga humori i çastit dhe as nuk zgjat vetëm për një çast. Ka dëshmuar se di të identifikojë dhe të ndjek si prioritet të saj, ato që janë realisht prioritetet kombëtare, si për shembull integrimi i vendit dhe të sakrifikojë për to. Po t’i lejoja vetes vetëm një grimë nostalgjie, për ata që kanë njohur të shkuarën dhe të sotmen e LSI-së, mund të jetë i vërtetë pohimi se askush tjetër nuk ka sakrifikuar aq shumë në skenën politike sa kjo parti. Edhe përballë zhgënjimeve, edhe atëherë kur dukej se kishim edhe fatin kundër, edhe atëherë kur basti i skeptikëve kundër saj ngjante bast i fituar.

Nga ana tjetër, në Tiranën politike shpesh ngrihen mure moskuptimi edhe për shkak të keqkuptimeve që vijnë nga mungesa e komunikimit. Për të qenë sintetik në përgjigje për pyetjen tuaj, po ju them se jemi në komunikim të vazhdueshëm me PS-në dhe kryeministrin Rama dhe vazhdimi i komunikimit është i garantuar. E them këtë sepse më shumë se për të shkuarën, do të doja të flisja për historinë e të ardhmes në marrëdhëniet midis dy partive tona.

 

A është LSI një histori suksesi apo janë rrethanat që ndikuan në rritjen e saj elektorale që ishte pothuaj krejt e papritur në zgjedhjet e 23 qershorit? Si e shihni të ardhmen e saj?

Doni të më fusni sërish në ngasje për të folur për historinë e së ardhmes? Nëse suksesi do të konsiderohej krijimi i një partie edhe përkundër traditës në Shqipëri që ka lejuar vetëm mbijetesën e dy partive të mëdha tradicionale, nëse shënjoni shumëfishimin e forcës së saj parlamentare në numër deputetësh dhe cilësi të asaj trupe, nëse konsideroni rritjen e saj në shifra e sondazheve publikë e jo të tillë, mendoj se kemi thënë vetëm një pjesë të së vërtetës. Të paktën, të vërtetës sime. Do të ngulmoja që nëse do flisnim për sukses, të përmendja dy pika bazë të qasjes së LSI-së në spektrin politik në vend: ndërtimin e palodhur të konsensusit, kërkimin e konsensusit sa më të gjerë të mundshëm për probleme madhore të vendit dhe tentativën e paprerë për të mos krijuar probleme, por për t’i zgjidhur ato edhe kur krijohen apo mbarten. LSI po shihet sot gjerësisht si një garanci për një politikë më konstruktive dhe bashkëpunuese.

 

Pozicioni juaj i ri si kryetar i Kuvendit ngjan relativisht i panatyrshëm për një politikan aktiv si ju, si e ndjeni veten në të?

Është përgjegjësi dhe në të kundërt të asaj që mund të perceptohet, është një arenë që i jep mundësi të pakufishme një politikani për të qenë aktiv. Jo në kuptimin e thjeshtëzuar të të dalit në ekrane, të pritje-përcjelljeve të partnerëve të huaj apo vizitave jashtë vendit, por në konsolidimin e një prej pushteteve më të rëndësishëm në vend. Kontrolli dhe balanca, marrëdhënia mes pushteteve të tjera e bën rolin e kryetarit të Kuvendit delikat dhe të rëndësishëm në thelbin e tij. Personalisht, shpesh e shoh edhe si një palestër, si një sallë force, në të cilën nuk lëvizin muskujt, por qëndron në vend durimi. Kuvendi do të jetë nesër më shumë se sot arena e debatit pluralist, shembull i transparencës dhe llogaridhënies, do të jetë nxitës dhe mbështetës i gjithë reformave të domosdoshme që kërkon shoqëria shqiptare.

 

Keni pranuar edhe vetë se shkelni rregulloren e Kuvendit me mundësinë e pakufizuar që i jepni ish-kryeministrit për të folur. E konsideroni normale një gjë të tillë?

Kam folur për një fakt të tillë pothuajse çdo seancë plenare të Kuvendit. Duke u dhënë përgjigje të majtëve që e kritikojnë një gjë të tillë dhe të djathtëve që deri dje nuk para i kishin fort mirë punët me lirinë e fjalës në Kuvend. E vërteta ime ndodhet në mes dhe i kam dhënë shpjegimet e mia jo duke mbrojtur vendimin tim, por duke menduar shpesh se pse ende në kulturën tonë politike ne merremi pa fund me detajin dhe formën dhe jo me përmbajtjen. Çfarë ndodh në Kuvend? Ish-kryeministri i vendit dhe ish-kryetari i opozitës, por ende kryetari real dhe shpirtëror i opozitës, flet pothuaj sa herë kërkon fjalën. Çfarë të keqe ka këtu? Vetëm nëse pranojmë si të drejtë traditën e keqe të së shkuarës kur opozitës i mbyllej goja deri dhe me përdhunë. Fjala e pathënë të vë në presion. Edhe atë që nuk arrin ta thotë, edhe ata që nuk arrijnë ta dëgjojnë. Në filozofinë time presioni i tillë është i dëmshëm. Përjashtimi për zotin Berisha vjen dhe vlen për Kuvendin: sot ka hapësira të pafundme për fjalën, edhe atëherë kur ajo nuk është ajo që do të duhej. Po të konsiderohet mëkat një gjë e tillë, unë jam i gatshëm të gjykohem për këtë mëkat, por jo të heq dorë prej tij. Dhe e fundit, është zgjedhja ime dhe e pandryshueshme: pranoj më mirë të më akuzojnë për tolerancë, sesa të shfaq arrogancë.

 

Gjatë kësaj jave jeni shprehur se vendi ka nevojë urgjente të fitojë dy sfida, përmes reformës territoriale dhe asaj në drejtësi. Mund të jeni më konkret, çfarë do të ndodhë?

Të mërkurën, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhashë një pritje me përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese e të pavarura në vend, me rastin e fillimit të sesionit të ri parlamentar. Një ditë më pas një akt i tillë u komentua si mbështetje që i jepet institucioneve kushtetuese, pavarësisë së tyre, bashkëveprimit mes tyre dhe nxitjes për përmirësimin e performancës së tyre. Ky është vullneti i fortë politik i shumicës së sotme qeverisëse. Gjykova që në atë pritje të flisja dhe cilësova si sfida dy reforma të një rëndësie jetike për vendin, reformën administrative territoriale dhe reformën në drejtësi. Në reformën e parë, besoj se të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në vend, bien dakort në një pikë: jemi të vonuar, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Pushteti lokal ka nevojë për të qenë pushtet real. Copëzimi i vendit në njësi vendore tërësisht të papërshtatshme, një pjesë e të cilave janë krijuar për motive direkte politike dikur, kanë krijuar një realitet të papranueshëm, i ka bërë një pjesë të tyre konsumatorë parazitarë fondesh dhe ka kufizuar shërbimin ndaj qytetarëve. Ndarja e re administrative duhet të afrojë dhe do të afrojë shumë më shumë mundësi praktike, për menaxhimin më të mirë të burimeve njerëzore, natyrore dhe financiare që kemi në dispozicion. Reforma në drejtësi është po ashtu shumë komplekse. Është nevojë dhe jo dëshirë. Është domosdoshmëri jetike dhe jo vetëm vullnet politik. Tek shëndoshja e këtij pushteti të pavarur në Shqipëri, tek kurimi i simptomave të sëmundjeve të tij ciklike gjendet çelësi për zgjidhjen e shumë problematikave që rëndojnë mbi shoqërinë shqiptare. Flasim për, fjala vjen, thithjen e investimeve të huaja. Një investitor serioz ka nevojë që të jetë i mbrojtur nga kuadri ligjor dhe në llogari të fundit, në të drejtën e tij të mundshme, të jetë i garantuar nga çdo konflikt i mundshëm që mund të hasë. Në lidhje me partnerët lokalë, me çështjet e pronësisë e kështu me radhë. Një padrejtësi që bëhet në vendin ku jepet drejtësi, e demotivon qytetarin, e armiqëson atë me shtetin dhe në thelb, godet nëpërmjet individit të pakënaqur, gjithë shoqërinë. Një sistem evropian drejtësie e bën vetë shoqërinë më të shëndetshme dhe garanton të nesërmen e tij. Shumëçka nis nga e drejta, ndaj dhe ky është një nga rekomandimet kyç të progres raportit të Komisionit Evropian. Ajo që do t’i bashkojë këto dy reforma është filozofia e hartimit të tyre. Ato do të synojnë të jenë sa më shumë gjithëpërfshirëse që të jetë e mundur. Do të hartohen me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj, duke tërhequr publikun dhe shoqërinë civile në debat dhe të diskutohet mbi to jo me pasion politik, por mbi këto pasione dhe interesa të mundshme të çastit. Bindja ime është që do të ketë një transparencë absolute mbi këtë ndërmarrje edhe mbipolitike.

 

Kjo do të thotë edhe ndryshime të mundshme kushtetuese, nëse po, ku konkretisht?

Gjashtë vjet më parë LSI ka kundërshtuar fort ndryshimet kushtetuese, por atëherë ishte në pakicë. Kundërshtimi ynë i dikurshëm nuk kishte të bënte vetëm me pjesët e prekura të saj, kryesisht ato që kishin të bënin me ndryshimin e sistemit zgjedhor apo dhe zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit të Republikës. Ato kishin të bënin dhe me procesin se si u kryen këto ndryshime. Por kjo është përsëri histori e të shkuarës dhe parapëlqej të flas për të ardhmen.  Kushtetuta është si një vend i shenjt në të cilën nuk hyhet as me arrogancë, as me zhurmë dhe as natën.

Por nga ana tjetër Kushtetuta nuk është tabu. Ajo është një trup i gjallë, dinamik që duhet të përshtatet me dinamizmin e vetë të shoqërisë shqiptare. Klasa politike vendase se ka pjekurinë e nevojshme tashmë, që 15 vjet pas miratimit të Kushtetutës të ketë një qasje serioze ndaj saj. Ajo ka gjithashtu “luksin” e ekspertizës më të mirë të partnerëve ndërkombëtarë, por dhe eksperiencën dhe traditën e saj. Kushti i vetëm dhe i panegociueshëm është që procesi duhet të jetë i besueshëm, transparent e publik. I ngjashëm me procesin që është bërë 15 vjet më parë me hartimin e dokumentit themeltar të shtetit. më lejo të të përsëris diçka që e kam thënë edhe më parë: në politikë shpesh procesi është po aq i rëndësishëm, sa dhe rezultati përfundimtar.

 

Rama tha se nuk ka gabuar askund në 100 ditët e para, ju si aleat strategjik i PS-së , shihni ndonjë gjë që mund të ishte bërë më mirë?

Nuk mbaj mend të ketë qenë kaq kategorik zoti Rama në këtë konstatim që ju citoni. Të përkryera janë vetëm idetë, realiteti nuk është gjithmonë kështu. E rëndësishme është që qeverisja e re e vendit ka ide të qarta për të ndryshuar realitetin e përditshëm dhe jetësor të shoqërisë shqiptare. Ka gjithashtu vullnetin, edhe vizionin. Kundërshtari real i saj në këtë sipërmarrje shumë të madhe është pritshmëria e qytetarëve, e votuesve të majtë e të djathtë dhe atyre që nuk kanë preferuar të shprehin vullnetin e tyre me votë. Në këtë drejtim, në krahasim me pritshmëritë besoj se ka ende shumë hapësirë për përmirësim, në krahasim me realitetin, besoj që qeveria ka hedhur e hapat e parë të duhur e të nevojshëm. E rëndësishme është që ka progres dhe që progresi nxit dhe vetveten.

 

Përpara miratimit të buxhetit për vitin 2014 LSI bëri një amendim që prekte industrinë fason. U gjykua nga media dhe u konsiderua si çarja e parë me PS-në në qëndrime, por më pas LSI u tërhoq. Çfarë ndodhi?

I kam parë ato dy ditë titujt e gazetave dhe kam dëgjuar me vëmendje komentet e bëra të cilat synonin të shihnin çarje, krisje, fraktura dhe konflikt mes dy partive kryesore të koalicionit qeverisës. Në fakt, konflikti dhe jo paqja prodhon lajm. Por ky nuk ishte rasti. Ishte rasti për të parë dhe njëherë sesi vështrime sipërfaqësore mbi politikën shqiptare nxjerrin konkluzione të gabuara e të nxituara. Amendimi i kërkuar nga LSI për uljen e barrës fiskale për biznesin fason ishte rrjedhojë e logjikës dhe bindjes sonë se ky lloj biznesi është një burim energjie për gjithë ekonominë shqiptare. Ai është shumë më i drejtpërdrejtë në nxitjen e punësimit dhe ët eksportit. Për të mbërritur deri në atë amendament, grupi i LSI dhe ekspertët pranë saj, kanë diskutuar gjatë dhe me seriozitet maksimal edhe me përfaqësues të PS-së, edhe me grupet e interesit. LSI, por edhe vetë biznesi kuptoi pamundësinë e çastit për të reaguar në linjën e propozuar nga ne dhe për shkak të negociatave me FMN-në dhe mori garancinë politike nga qeveria se paketa fiskale për fasonët do të rishitet në pranverën e këtij viti. Nuk kishte kurrfarë përplasje dhe aq më pak, traumë në marrëdhëniet tona. Shikoni, LSI është parti e ngritur mbi sakrificën dhe ne e besojmë dhe e shërbejmë sakrificën si mjet të domosdoshëm për përmirësimin e të nesërmes. Ne nuk patëm një provë force në këtë pikë me aleatin tonë, ne së bashku dëshmuam provën e fortë të bashkëpunimit mes nesh.

 

Si ndjeheni kur Rama dhe ministrat e tij sulmojnë ashpër dikastere që i ka drejtuar partia juaj përpara 23 qershorit?

Mungesa e insistimit tonë për të drejtuar përsëri ministritë që u drejtuan nga përfaqësues ët LSI-së gjatë katër viteve të shkuara, ishte një veprim etik, i përgjegjshëm dhe në kontribut të transparencës. Megjithatë, parapëlqej të flasë më shumë për të nesërmen dhe të ardhmen; ato kërkojnë përqendrim maksimal tek reformat ekonomike të cilat duhet të përshpejtohen e sidomos, tek përmirësimi i klimës ndaj biznesit. Një vend pune më shumë që hapet është jo vetëm burim të ardhurash për një individ dhe familjen e tij, por është edhe një gëzim më shumë, një frymëzim më shumë për një shoqëri solidare dhe me të ardhme.

 

Intervistoi: Ben Andoni - JAVA January 19, 2014 04:10
Komento

2 Komente

  1. Kujtim.Xh.Ibrahimi January 19, 19:55

    jala e Sales drejtuar popullit per zgjedhjet.
    ——————————————————–
    Si t`dush
    more Rrush.
    Un`Ty mendjen
    kam me t`mbush
    me m`votu perseri
    me ba prap un`qeveri.
    Cfar` t`dush Ti
    do t`jap`
    vetem Ti m`voto prap.
    Do Mehdi,do Imam ,
    me Gerdec,predha,arme ?
    Do t`jap dhe gjenerale,
    vec per detin
    mos bej fjale,
    se un`krushkut
    ja kam fale.
    Do t`jap
    cfar` t`dush Ti
    vec m`voto perseri.
    T`jap dhe dreqin
    me t`birin.
    Si i dhash`
    Edit Ilirin

    05.06.2013

    Reply to this comment
  2. Pjesmarrse ne 21 JANAR January 19, 22:11

    SI TJA BEJE TE SHKOJE TE VENDOSE LULE NE 21 jANAR,NE BULEVARD APO APO JO ,DREJTESIA e pavendosur na shqeteson.Nuk ja kemi harruar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*